Sunday, June 23, 2013

Zgjedhjet, Rama shpall fitoren. PD: Fitorja e jona. Meta: LSI ka në kuti 15-20 mandate NDIQ NEWS 24 LIVE

Në prag të mbylljes së qendrave të votimit, dy liderët kundërshtarë të politikës, Sali Berisha dhe Edi Rama kanë dalë në konferenca shtypi.


I pari ka qenë kryeministri Berisha që pasi ka kërkuar që qendrat e votimit të mbahen hapur deri në votuesin e fundit, kurse kreu i opozitës në daljen e tij për media, shpalli fitoren.

Pas kësaj ka nisur një dalje intensive e cdo selie partiake ku secila shpalli se rezultati që do të dal nga këto zgjedhje kishte kaluar pritshmëritë e tyre. Në konferenca për shtyp, LSI, FRD, AK.

PROBLEME NË GJIROKASTËR DHE SHKODËR
Ora 22:31
Në Shkodër dhe Gjirokastër janë shënuar probleme. Kështu raportohet se në KAZA numër 7 në Shkodër, në kutinë 0275 janë konstatuar probleme.

Materialet e 767 nga 1422 QV janë dorëzuar nga policia në VNV. Gjirokastër, probleme në qendrën e votimit 42 86 në Jorgucat. Raportohet se në Jorgucat të Gjirokastrës një pjesë e banorëve janë mbledhur te QV, dhe nuk lejojnë mbylljen e qendrës së votimit.

TIRANE, POLICIA SHOQERON MATERIALET ZGJEDHORE NE VNV
Ora 21:30
Deri në orën 21.30’ nga punonjësit e policisë janë shoqëruar dhe dorëzuar për në VNV-te, materialet zgjedhore të 767 nga 1422 Qëndrave të Votimit, ndërkohë që vazhdon shoqërimi dhe dorëzimi.Me mbylljen e votimit në 1422 Qëndra Votimi të Qarkut të Tiranës, sipas detyrimit të përcaktuar në nenin 11 të Udhëzimit Nr.7 të KQZ-së (i ndryshuar), punonjësit e policisë jane paraqitur në kohën e caktuar nga KQV-ja përkatëse dhe kanë pritur në hyrje të saj, derisa të dalin anëtarët dhe sekretari së bashku me kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore.

Deri në orën 21.30 të ditës së sotme, në Qarkun e Tiranës janë shoqëruar dhe dorëzuar për në Vendet e Numërimit të Votave, materialet zgjedhore të 767, ndërkohë që vazhdon shoqërimi dhe një pjesë e tyre janë në pritje të dorëzimit në vendin e numërimit të votave.

Deri më tani, gjatë proçesit të shoqërimit dhe dorëzimit të materialeve zgjedhore, nuk është evidentuar asnjë incident

PD: GATI TË UDHËHEQIM SËRISH SHQIPËRINË, PS I KA IKUR ÇEHRA
Ora 21:30
Majlinda Bregu në një deklaratën e radhës për mediat duke shprehu bindjen për një mandat të ri, u shpreh se partia Demokratike është gati të udhëheqë sërish Shqipërinë.

“Rezultatet e deritanishme tregojnë pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë të bastioneve të Partisë Demokratike, duke rikonfirmuar edhe një herë se qytetarët kanë votuar për të ecur përpara me Partinë Demokratike. Deri tani, sipas të gjithë treguesve tanë, Partia Demokratike është fituese dhe ne jemi të gatshëm të udhëheqim Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Modeli i bllokimeve, bojkoteve dhe konflikteve politike të Partisë Socialiste, është ndëshkuar bindshëm nga votuesit të cilët kanë zgjedhur të ecin përpara.
Ne përgëzojmë komisionerët dhe vëzhguesit që garantuan sot zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, pamvarsisht incidenteve të blerjes së votës, frikësimit të votuesve dhe dhunës vdekjeprurëse të shkaktuar nga koalicioni opozitar. Ne gjithashtu e dimë fare mirë rëndësinë e punës që i pret ekipet e numërimit të votave. Mbi të gjitha, është e rëndësishme që në votime morrën pjesë më shumë qytetarë se kurrë më parë. Ne tani bëjmë thirrje që çdo votë të numërohet dhe kështu të dëgjohet zëri i çdo qytetari”, u shpreh Bregu.

Zëdhënësja e PD-së për zgjedhjet, deklaroi se PD po pret rezultatet zyrtare teksaka bërë thirrje për qetësi në pritje të çertifikimit të tyre.

Pyetje- Zonja Bregu unë këmbëngul sërish tek të dhënat që ju jepni. Ju keni sondazhet tuaja apo u besoni sondazheve të Civitas Albania e Anzalone Research?
Sondazhet tona por dhe sondazhet që tashmë janë bërë mediatike të Anzalone Research e Civitas Albania e besoj që janë rezultati më i mirë i bindshëm për çdo qytetar shqiptarë. Anzalone Research, siç edhe mediat e kanë raportuar, është pikërisht kompania e cila ka bërë dhe sondazhet e presidentit Obama në dy zgjedhjet presidenciale të 2009-ës dhe 2012-ës. Prandaj besoj se është kompania më serioze për të garantuar atë që ka thënë pak më parë, fitoren e bindshme të Partisë Demokratike.

Pyetje- Po nga të dhënat e komisionerëve a keni ndonjë pritshmëri, sepse krahu tjetër ka dalë me numra?
Krahu tjetër më shumë sesa me numra poflet me çehre, siç thotë Shqipëria e mesme. Të vrarë dhe të errësuar. E sigurtë është që të dhënat tona nga burimet të cilat janë jo vetëm Exit Poll-et që cituam më lart, por dhe nga burime të brendshme të Partisë Demokratike vërtetojnë fitoren tonë të thellë dhe bindshëm.

PD FISHEKZJARRE FITOREJE NË FIER
Ora 21:00
  PD vetëshpall fitoren në qytetin e Fierit. Qindra fishekzjarre kanë ndezur qiellin e qytetit, nderkohe numri 2 i socialistëve Garamoz Ruci u shpreh se demokratet po festojne humbjen.

Të gjitha QV në qarkun e Fierit u mbyllën sipas afateve kohore të përcaktuara në KZ. Procesi i votimit u karakterizua nga një klimë e qetë, korrekte dhe pa tensione. Nuk ka patur problem me përjashtim të një rasti në QV Nr 3178 në fshatin Levan të komunës me të njëjtin emër, ku për shkak të grumbullimeve të shumta të njerëzve kryetari i KQV kërkoi ndihmën e policisë dhe situata u normalizua.

Momentalisht tani puna është trasferuar nga KQV në 10 KZAZ E Qarkut Fier për dorëzimin e kutive të votimit. Procesi është në vazhdim dhe gjithcka po shkon normallisht. Efektivat e policisë po shoqërojnë kutitë brënda ambienteve të KZAZ.
Nga burimet e para zyrtare mësohet se pjesëmarrja në votime ka qënë rreth 50.8%

Ndërkohë, në qytetin e Vlorës, aty ku kreu i PS-së Edi Rama kryeson listën e kandidatëve për deputet sipas policisë është mbyllur procesi i votimit në shumicën e qendrave dhe kutitë janë nisur për në KZAZ.

RAMA SMS NË CELULARË: NË KUTI, FITORJA E JONA. ATA QË PO IKIN PËRPIQEN TA PËRMBYSIN Ora 20:50 -Në prag të nisjes së numërimit të votave, Kreu i PS Edi Rama ka dërguar një mesazh në celularët e qytetarëve ku bën thirrje që të mbështete fort fitorja e PS, pasi ata që po humbin sipas tij po bëjnë përpjekje ta përmbysin atë.

Mesazhi i plotë i Edi Ramës në celularët e qytetarëve
“Shqipëria votoi dhe zgjodhi Rilindjen! Fitorja në kuti është e thellë, por zgjedhjet nuk kanë mbaruar. Tani është pjesa më e rëndësishme e të gjithë procesit. Ata që po ikin do bëjnë përpjekjen e fundit të përmbysin fitoren. Secili nga ju, brenda apo jashtë QV, duhet të qëndrojë fort e të mbështesë fitoren! Edhe një përpjekje e fundit miq dhe pastaj ka vetëm Rilindje!”.
Dy orë më parë Rama shpalli fitoren e PS nga selia rozë. Sipas Ramës, Rilindja fitoi mbi rrënimin.

KRESHNIK SPAHIU: AK KA MARRË 200 MIJË VOTA NË SHQIPËRI
Ora 20:45 -
Aleanca Kuq e Zi deklaron fitoren e partisë së saj në zgjedhjet e 23 qershorit duke deklaruar se në rang vendi ka marrë 200 mijë vota.

Në një konferencë për shtyp Kreshnik Spahiu ka denoncuar blerjen e Expolleve, nga ana e kreut të PS, Edi Rama.

‘AK me votën e saj të fshehtë, me aktivitet e saj ka mundur të administrojë dhe të hedhë në kutitë e votimit dhe pas disa çastesh do shënojmë fitoren spektakolare në kryeqytet. Fitorja e AK-së pas sondazheve të zhvilluara nga institutet dhe anëtarët e AK , kemi administruar adresat e gjithë anëtarëve të AK dhe sot shënojmë 200 mijë vota në Republikën e Shqipërisë. AK do të nxjerrë jashtë cdo disinformacioni që u gatuan nga disa parti politike dhe media, Expolle që sapo janë blerë nga PS dhe Edi Rama. Në Tiranë dhe Kavajë është shënuar një fitore historike e AK ashtu sic dhe janë fituar mandate nga një lumë votash në qarkun e Fier, Elbasan, Durres, dhe fitore suprizë në qarkun e Vlorës”, deklaroi Spahiu.

Kreu i kuq e zinjve, deklaroi se do të identifikojë cdo “bandit të PS dhe PS që guxon te prekë votat gjatë procesit të numërimit.

META: ‘ASHE’ FITORE PLEBISHITARE, LSI 15- 20 MANDATE
Ora 20:29
Kreu i LSI, Ilir Meta nëpërmjet një konference për shtyp ka shpallur fitoren e koalicionit të majtë. Meta ende pa filluar procesi i numërimit të votave, u shpreh bindur se në kuti do të dalin 20 mandate për koalicionin ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, ndërkohë që LSI do të marrë 15 deri 20 mandate.

“Dua të falënderoj për këtë fitore plebishitare për opozitën dhe për këtë votim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur sot për LSI. Jam i bindur nga të dhënat tona dhe vlerësimet e pavarura se ASHE ka tashmë në kuti 80 mandate, dhe LSI ka në kuti 15 deri në 20 mandate”, u shpreh Meta i cili duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, tha se bindja e tij bazohet në Expollet dhe përllogaritjeve online.

Lideri i LSI i bëri thirrje komisionerëve dhe numëruesve në qendrat e votimit që të vijojnë procesin normalisht, për ti dhënë fund njollës që kryeministri i bëri procesit me trysnin që ushtron mbi votuesit.

“E rëndësishëm procesi të vijojë normalisht. Komisionerët dhe numëruesit tanë të bëhen pjesë e një procesi që na nderon si një vend evropian. Jam i bindur se angazhimi qytetar për këtë proces që u minua nga Berisha do të bëjë gjithçka për të lënë pas njollat që procesi mori për të arritur ato objektiva të pamundura të ish-kryeministrit Berisha për të bërë trysni mbi votën e qytetarëve” tha Meta.

Kreu i LSI, siguroi se koalicioni i majtë dot mbrojë votën plebishitare të Shqipërisë, deri sa vota e fundit të numërohet.

FRD, TOPI ENTUZIAST: KEMI KALUAR PRITSHMËRITË
Ora 20:15
-Kreu i Frymës se rë Demokratike, Bamir Topi tha se FRD pret një rezultat përtej pritshmërive. Nëpërmjet një konference për shtyp nga selia e FRD, Topi theksoi rëndësinë e pritjes së rezultatit me qetësi.

“Ne presim rezultat madje më shumë se aq, jemi mbi pritshmëritë tona. Puna nuk ka përfunduar, ne presim që mbas të gjithë të dhënave, një rezultat jo vetëm në kufijtë e pritshmërisë, por më shumë se aq. Unë i bej apel të gjithë partive politike, mbarë shoqërisë që në këtë moment ta presim rezultatin me shumë qetësi. Është një moment shumë i rëndësishëm, që do të bëjë të mundur fundin e tranzicionit.”- tha Topi.

Topi dënoi ngjarjen e shënuar në pret e para të ditës në Laç, ndërsa ngushëlloi familjen. Kreu i FRD falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e procesit të votimit.

DURRËS, PROCESI I VOTIMIT PA PROBLEME
Ora 19:52
Qarku i Durrësit ka treguar maturi pjekuri dhe zgjuarsi, duke zhvilluar një proces votimesh të pakontestuar nga asnjë forcë politike në zgjedhjet e 23 qershorit, prej të cilit dalin 13 deputetë. 444 qendra votimi me 313.058 votues, prej të cilëve 7 mijë për herë të parë janë regjistruar në këto zgjedhje. Procesi i votimit u hap në orën 7 të mëngjesit në 442 qendra votimi , ndërsa në një qendër votimi në Thumanë të Krujës votimi nisi një orë me vonesë për shkak se Komisioni i Qendrës së votimit kërkoi të ndërrohej kryetarja e komisionit të votimit e cila ishte mbesa e kandidatit për deputet të PD Vullnet Topalli. Në një qendër tjetër në Thumanë procesi nisi gjithashtu me vonesë një orë për shkak se sekretarit një qendre votimi i kish vdekur nëna dhe u bë zëvendësimi I tij. Përgjatë gjithë ditës procesi I votimit vijoji normalisht, në të gjitha qendrat e votimit në rang qarku.

Të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje në nivel qarku konsiderohet në rreth 40%, me një diferencë prej 8% nga zgjedhjet e 2009. Megjithatë pritet të vijojë procesi i numërimit gjatë orëve të natës për të kuptuar ndarjen e 13 Mandateve në qarkun e Durrësit.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka votuar gjatë paradites në një nga qendrat e votimit të lagjes nr.11 të Durrësit. Kryebashkiaku Dako i ka bërë thirrje të gjithëve të votojnë qetësisht në mënyrë që procesi të vijojë normalisht ashtu sic ka nisur. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Durrësit të marrin pjesë masivisht në votime në këtë proces shumë të rëndësishëm zgjedhor ku vendoset fati i vendit. Në fund të mbylljes së procesit zgjedhor Dako tha se nuk u vërejt asnjë problematikë për tu shënuar, në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i listës së PS Blendi Klosi i cili deklaroi se në rang qarku nuk është vërejtur asnjë kontestim për zgjedhjet. Procesi i votimit mori nota maksimale edhe nga kreu i PD së Durrësit Igli Cara dhe kryesuesi i listës së PD Eduart Halimi, i cili nënvizoi se këto ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara me qytetrai në qarkun e Durrësit. Asnjë prej partive politike nuk ka komentuar rezultatin final, dhe nuk ka shprehur fitoren për asnjë krah. Kryesuesi i listës së LSI Lefter Koka deklaroi për se Durrësi ka votuar ka shprehur verdiktin e tij, dhe LSI është e sigurt se do të fitojë më shumë se një mandat.

SHKODER, NË ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT VOTUAN RRETH 48 %  E ZGJEDHËSVE
Ora 19:35
Pas mbylljes së procesit të votimit të së dielës, nga të dhënat paraprake, në qarkun e Shkodrës mësohet se morrën pjesë në votime rreth 48 % e zgjedhësve.

Në Qarkun Shkodër, aktualisht, është mbyllur procesi i votimit në të gjitha Qëndrat e Votimit, të këtij Qarku dhe nga ana e punonjësve të policisë është bërë e mundur shoqërimi i materialeve zgjedhore për në vendet e numërimit të votave.
Deri në ora 21.00, 102 qendra të votimit kanë dorëzuar në KZAZ-respektivet, materialet zgjedhore dhe janë në proces dorëzimi pjesa tjetër, që i përkasin zonave të thella malore, të cilat aktualisht janë duke u trasportuar drejt VNV-ve.

Nga punonjësit e policisë, të angazhar për shoqërimin e kutive të votimit, nuk është raportuar asnjë problem gjatë transportit të materialeve zgjedhore.

NJE PROCES ZGJEDHOR NORMAL NE QARKUN E ELBASANIT
Ora 19:30/
320.000 zgjedhës janë thërritur të votojnë në qarkun e Elbasanit ku janë ngritur 541 Qendra Votimi nga 441 që ishin gjatë zgjedhjeve të fundit , si edhe 10 KZAZ dhe QNV, ku pesë prej tyre janë në bashkinë e Elbasanit. Deri në mesditë në këtë qark procesi i votimit ka vijuar normalisht, përjashto disa incidente sporadike, në qytetin e Peqinit, ku mësohet se Policia ka arrestuar tre shtetas njëri prej të cilëve shoqëruesi i kandidatit për deputet në këtë qytet Alfred Peza. Më herët tre shtetasve Gazmend Sinani bashkë me dy persona të tjerë Astrit Kashi dhe Aleksandër Bajo në mjetin e tyre tip Mitsubishi ju gjetën dy automatikë si edhe një shotgun. Mësohet se gjatë kontrollit ushtruar në mjet Policia ka gjetur edhe një sasi fletësh votimi të bardha të pa plotësuara. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar se nga i kanë gjetur tre shtetasit fletët e bardha të votimit, dhe armët të cilat tashmë janë sekuestruar nga Policia. Gjithashtu - është cilësuar disi i çuditshëm rasti i qendrës së votimit 25-47 në fshatin Linas të Komunës Mollas të rrethit të Elbasanit. Në këtë qendër procesi i votimit ka nisur në mesditë, pasi kutia e materialeve e marrë një natë më parë në dorëzim nga komisionerët dhe e hapur mëngjesin e së dielës ka rezultuar bosh dhe pa material votimi brenda. KQZ e lajmëruar menjëherë ka dërguar në këtë zonë një kuti me material ku procesi i votimit ka nisur me vonesë por që ka ecur normalisht. Gjithashtu deri në mesditë në të gjithë qarkun e Elbasanit kanë votuar rreth 50 përqind e zgjedhësve.

VOTIME TË QETA NË RRETHIN E MATIT
Ora 19:14
Në rrethin e Matit janë zhvilluar votime në 84 qendra votimi, në dy bashki dhe 10 komuna. Në përgjithësi procesi ka qenë normal dhe pa probleme. Mësohet se kanë votuar afro 57 % e votuesve, shifër kjo e lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në orën 19.00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit dhe komisionerët kanë kryer dorëzimin e materialeve zgjedhore në KZAZ nr.16. Nëse në prag të zgjedhjeve pati tension dhe konflikte mes simpatizantëve të PD-së dhe PS-së, dita e votimit në përgjithësi ka qenë e qetë dhe pa incidente. Shtabi elektoral i PS-së njoftoi se në qytetin e Burrelit pjesmarrja ka qenë rekord, afro 500 votues më shumë se në zgjedhjet e vitit 2011. Kjo shifër sipas tyre thellon rezultatin në këtë qytet. Po ashtu parashikimet tregojnë se zgjedhësit e Matit kanë treguar mbështetje edhe për LSI-në dhe FRD-në. Në qendrat e votimit pranë shkollës 31 korriku Burrel dhe fshatin Dukagjin komisionerët e PD-në u kanë dhënë votuesve fletë votimi të plotësuara për nr.44. Kjo shkelje është denoncuar shpejt. Ndërkohë në fshatin Bejnë të Bashkisë Klos është gjetur një votues teksa fotografonte fletën e votimit. Edhe kjo shkelje është denoncuar dhe dokumentuar.

EXIT POLL, CIVITAS ALBANIA: PD 42%, NDËRSA PS 40%
Ora 19:00-
Civitas Albania ka shpallur rezultatin e sotëm te exit poll-it te tyre, ku sipas të dhënave, PD ka fituar me 42%, ndërsa PS me 40%.

Ndërsa rezultatet sipas koalicioneve, Exit Poll, Civitas theksoi se “koalicioni i majtë 46%, në rang kombëtar. Koalicioni i djathtë 48 % në rang kombëtar”.

Civitas Albania ka realizuar Exit Poll-in me Anzalone Liszt Research (ALR), një firmë e specializuar në hulumtime.
ALR operon prej 20 vitesh dhe ka kryer exit poll-e në SHBA duke anketuar në 9 shtete për zgjedhjet e vitit 2008 dhe më pas për zgjedhjet e 2012.

BREGU: PD KA FITUAR BINDSHËM, RAMA DISFATË SPEKTAKOLARE
Ora 19:30
Partia Demokratike shpall fitoren paraprake, edne pa u mbyllur qendrat e votimit, të cilat kanë kaluar orarin zyrtar (ora 19:00). Pas shpalljes së fitores nga ana e kreut të PS-së, Edi Rama, në një konferëncë për shtyp Majlinda Bregu tha se Rama do të përjetojë fitore më të thellë se ajo e vitit 2009.

“Rama është kopja e keqe e vetes së tij. Të njëjtën gjë bënte ne 2009. Ju siguroj se emër të PD që sondazhet tona tregojnë se shqiptarët kanë votuar bindshëm për ne. I bëjmë thirrje , të fgjtiëh komisionerëve dhe vëzhguesve tanë të mbyllim me sukses ligjërisht këtë. Edi Rama vulosi disfatën e radhës, por këtë radhë më të thellën. Sondazhet tona dhe trendi i votës së qytetarë konfirmojnë fitoren e aleancës sonë. Zoti Rama shpresoj se ka pasur një pritshmëri të mos humbte thellë, por humbje spektakolare si këtë radhë nuk ka përjetuar asnjëherë”, deklaroi Bregu.

Bregu duke komentuar vrasjen në Laç tha se kjo çështje i takon organeve të Prokurorisë. “Viktima nuk ishte votues në Lac, por në Tiranë, tha Bregu.

PS, EDI RAMA: NGA TË DHËNAT DERI TANI, RILINDJA KA FITUAR MBI RRËNIMIN
Ora 19:00
Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar në një dalje për shtyp në selinë socialiste se nga të dhënat paraprake që disponohen, e majta ka fituar zgjedhjet parlamentare.
“Bazuar mbi të dhënat tona , Rilindja ka fituar mbi rrëninim.
E dyta, Aleanca për Shqipërinë europiane do e realizojë objektivin e shpallur të mandateve.
E treta: Komisionerët dhe kqz, kanë përpara ligjin elektoral që përcakton qartësisht modalitetet sesi duhet të veprohet kur mbërrihet limiti kohor, ora 19:00”.

Me pas Rama shkroi nje shenim Facebook
"Edhe sot keni qenë fantastikë! Të dhënat tona të brendshme flasin për fitoren e dëshiruar, por s'ka mbaruar. Mbaron vetëm kur fitorja të vuloset dhe festa të fillojë. Deri atëherë ka ende shumë punë. Duke nisur nga këto 30 minuta të fundit për të votuar. Kjo kohë është flori! Kush s'ka votuar të vrapojë drejt qendrës së votimit.

Kush ka votuar të rendë përmes telefonit nga numri në numër për të verifikuar se çdokush në adresarin tuaj ka votuar! Kush është jashtë të bëjë të njëjtën gjë, ju lutem mos neglizhoni asnjë sekondë të këtyre 30 minutave të paçmueshme.
Votoni votoni votoni! Rilindja është tek pragu. Shtrojani rrugën e mbetur me sa më shumë vota akoma. Kjo është edhe mbrojtja më e sigurt e votës. Dyfishimi, trefishimi, shumëfishimi i votës tënde!
Forca, kemi edhe 30 minuta për të bërë histori!"

BERISHA: DO RESPEKTOJ VERDIKTIN E SOVRANIT
Ora 18:30
Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat në orën 18:30 minuta i pyetur mbi rezultatin për këto zgjedhje, tha se “Partia Demokratike do të respektojë pa asnjë hezitim verdiktin e sovranit”.
Madje më tej tha se “këtë premtim apo garanci nuk e ka degjuar ‘nga shoku i Kurbanit’.

Ndërsa i pyetur se gjatë fushatës ka rënduar fjalorin me akuza, kryeministri përdori një shprehje të urtë popullore “më thoni me kë rri të të them si je. Unë Ramën kisha përballë”.

ZHVILLOHEN ZGJEDHJET PARLAMENTAREZgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur që në orën 7:00 të 23 Qershorit, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, aty ku edhe ka votuar.

3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës janë thirrur për të votuar. Procesi i votimit ka nisur normalisht në shumicën e qendrave të votimit, ndërkohë që në disa prej tyre ka patur vonesa dhe incidente të vogla.

Rreth orës 09:00 një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë një qendre votimi në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” Laç, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë, një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur. Mësohet se i vdekur ka mbetur simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni. Në këtë incident mbeti i plagosur edhe kandidati i PD-së, Mhill Fufi. Për ngjarjen ende asnjë i ndaluar, policia shoqëron 7 persona si dëshmitarë.

(d.b/e.m/BalkanWeb)

No comments: