Saturday, February 25, 2012

Liri Belishova: Si e eliminoi Enveri Ymer Dishnicën


Ymer Dishnica


Liri Belishova duke rrëfyer për “Panorama”
“Firmëtari i Mukjes që u eliminua nga Enveri”
Historia e njërit prej liderëve të lëvizjes NÇL,  që pas lufte u “zhduk” nga politika, por s’u vra”
Pabesitë, prapaskenat dhe viktimat e Marrëveshjes së Mukjes ishin kryefjala e përshpirtjes me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ymer Dishnicës. I sakrifikuar për paktin e nënshkruar në Mukje, ai,  komunisti i orëve të para, antifashisti i palëkundur, intelektuali emblematik, politikani gjithëpërfshirës, humanisti i shquar, u shpall i papërshtatshëm dhe u mënjanua deri në izolim të plotë. Mjaft nga të pranishmit në përkujtimoren e zhvilluar dje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bashkëkohës, familjarë, miq e të njohur të Dishnisës, sollën kujtime e mbresa të shumta nga jeta pa hije e tij. Në dokumentarin e përgatitur me këtë rast ishin zgjedhur momentet më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e firmëtarit të Mukjes, që fill pas luftës u “zhduk” nga jeta politike, për të mbetur konsekuent i profesionit të mjekut dhe idealeve të tij për lirinë. Për numrin e sotëm kemi zgjedhur kujtimet e Liri Belishovës, njërës prej figurave historike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, njëherazi viktimë e persekucionit komunist dhe refleksionet e profesor Muharrem Dezhgiut mbi të vërtetat e doktor Dishnicës…   af.im
Është një koincidencë e bukur që 100-vjetori i lindjes së dr. Ymer Dishnicës përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Dr. Dishnica ka lozur rol të rëndësishëm në luftën kundër okupatorëve fashistë në sajë të personalitetit të tij të shquar, si bir i një familjeje të dëgjuar atdhetare, që i ka dhënë Shqipërisë 5 dëshmorë. Ymeri ishte patriot i flaktë, që mbi çdo gjë vinte interesat e Shqipërisë. Ai ishte një nga intelektualët më të respektuar të kohës, që kishte kryer shkëlqyeshëm Liceun Francez të Korçës dhe pastaj për 8 vjet në Francë ishte diplomuar dhe specializuar si mjek me kualifikim të lartë dhe njëkohësisht kishte përfituar për t’u njohur me filozofinë dhe doktrinat politike, me demokracinë franceze, me letërsinë dhe përgjithësisht kulturën e këtij vendi. Ai kishte fituar eksperiencë në veprimtarinë politike, ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Shqiptarë dhe ishte shumë aktiv në organizimin e veprimtarive politike e antifashiste. Të gjitha këto bënin që dr. Dishnica të gëzonte shumë autoritet dhe simpati, të tërhiqte në luftë masat, por edhe mjaft intelektualë e nacionalistë që e respektonin dhe ia dëgjonin fjalën e mençur. Ndihmoi në organizimin e rezistencë ilegale dhe në formimin e reparteve partizane, por sidomos lozi rol të rëndësishëm në organet e larta antifashiste dhe të PK që të jepeshin orientime të drejta politike. Veçanërisht e ndihmoi luftën si orator dhe publicist i shkëlqyer dhe shumë aktiv.
Dy ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste, Konferenca e Pezës dhe Marrëveshja e Mukjes, tregojnë më së miri kush ishte Ymer Dishnica, tregojnë se ai e konsideronte bashkëpunimin e të gjitha forcave antifashiste të domosdoshme për të luftuar okupatorët. Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942, aprovoi platformën e drejtë të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë për një Shqipëri të pavarur, demokratike, të bashkuar (etnike). Merita kryesore për organizimin e kësaj Konference u takon doktor Dishnicës dhe Koço Tashkos, Mustafa Gjinishit, Nako Spirut. Enver Hoxha ka shkruar vetë se ai ka shkuar në Pezë në vigjilje të hapjes së Konferencës dhe i gjeti të gjitha gati, edhe referatin e tij. Edhe rezolucionin e Konferencës e kanë shkruar Ymer Dishnica e Nako Spiru.
Dr. Dishnica meriton lavdërimet më të larta, që si kryetar i delegacionit të Frontit Nacional-Çlirimtar arriti marrëveshjen me Ballin Kombëtar në Mukje në fillim të gushtit 1943. Vendimet e marra këtu (luftë imediate e me të gjitha fuqitë kundër okupatorëve për një Shqipëri të pavarur, demokratike, etnike në bazë të vetëvendosjes dhe krijimi i Komitetit të Shpëtimit) ishin shumë të drejta për luftën pas çlirimit. Dr. Dishnica u dëshmua këtu jo vetëm si patriot i vendosur që vë mbi çdo gjë lirinë e Shqipërisë e të Kosovës, por edhe si demokrat për një pushtet pluralist e jo për diktaturë. Por, sipas urdhrave të Miladinit, Enver Hoxha e anuloi Marrëveshjen e Mukjes, sepse donte gjithë pushtetin në dorën e PKSH (të tijin), dhe pse duke iu nënshtruar jugosllavëve, sakrifikoi Kosovën dhe territoret e saj shqiptare në Jugosllavi. Pas Mukjes, PKSH-ja e zhvilloi luftën në dy fronte: vazhdoi luftën kundër forcave jokomuniste për të vendosur diktaturën e saj. Kjo e bëri fitoren mbi okupatorët të hidhur, se në vend të demokracisë u vendos diktatura.
Dr. Dishinca u dënua në mbledhjen e Vithkuqit, ku Milidani dhe Enver Hoxha kërkuan dënimin me vdekje të Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, por pas ndërhyrjes energjike të Nako Spirut, u vendos të përjashtohej nga Byroja dhe KQ. Duke marrë parasysh popullaritetin që gëzonte Ymer Dishnica, e mbajtën formalisht si anëtar të Shtabit të
Ymer Dishnica në vitet e Luftës
Përgjithshëm dhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist, madje në qeverinë e parë e caktuan ministër të Shëndetësisë. Por kjo nuk vazhdoi shumë. Në vitin 1946, pas dënimit të mikut të tij, Sejfulla Malëshovës, u kritikua rëndë për oportunizëm dhe pas likuidimit tragjik të Nako Spirut, mikut tjetër, e syrgjynosën bashkë me familjen në Berat. Mirëpo as kjo nuk i mjaftoi Enver Hoxhës. Në vitin 1955 e dënuan me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në Berat qëndroi deri në përmbysjen e diktaturës, duke mjekuar me përkushtim mijëra të sëmurë.
Dihet se Ymer Dishnica ka qenë komunist përpara se të themelohej PKSH. Gjatë viteve që jetoi në Francë ishte anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Por ç’lloj komunisti ka qenë Ymeri, do të mjaftonte të bëjmë pyetjen: përse Miladin Popoviçi nuk preferoi një personalitet si dr. Dishinca, po Enver Hoxhën që s’kishte kryer asnjë vit universitet dhe që (siç shkruan vet) deri në formimin e PKSH kishte qenë vetëm simpatizant i Grupit të Korçës?! Pse dr. Dishinca e pati të shkurtër jetën në PKSH dhe për afër 50 vjet u persekutua? Sepse ai kurrë nuk do t’u nënshtrohej shovinistëve jugosllavë, kurrë nuk do të vinte interesat e kolltukut përpara interesave të Shqipërisë, siç veproi Enver Hoxha, kurrë nuk do të ishte bërë diktator i përgjakshëm si Enver Hoxha.
Dr. Dishnica ishte idealist, patriot, antifashist, demokrat e human, intelektual i formuar me kulturën përparimtare europiane dhe e lidhi me komunizmin iluzioni se kjo ishte rruga më e mirë për të bërë Shqipërinë vend të lirë e të përparuar. E gjithë veprimtaria e Dishnicës është pozitive, në interes të Luftës Antifashiste dhe Shqipërisë. Ai nuk ka përgjegjësi për politikën e mbrapsht të krimit e diktaturës enveriste, sepse ai u dënua menjëherë pas Mukjes.
Përkundrazi, ka disa dokumente që vërtetojnë se ai bashkë me Nako Spirun dhe Gogo Nushin, kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e Enver Hoxhës për të pushkatuar intelektualë të pafajshëm, antifashistë, madje komunistë.
Konsekuent i idealeve të tij, dr. Dishnica nuk mund të mos mbështeste me të gjitha mundësitë përmbysjen e diktaturës dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit demokratik dhe të integrimit euroatlantik. Ne jemi shumë krenarë që kryetari i parë i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës ishte dr. Dishinca, i cili me gjithë moshën e thyer, u angazhua me përkushtim.
Bashkëshortja e dr. Dishinicës, Flora jonë luftëtare e orëve të para, të tre fëmijët, Peri, Kozeta dhe Tatiana, të gjithë qytetarë të nderuar, e rrethuan atë me dashurinë, përkujdesjet, ngrohtësinë familjare, burim lumturie të pazëvendësueshëm. Ai iu la trashëgim vetëm një dhomë e një kuzhinë, por për atë pasurinë tjetër, shumë të rëndësishme, shumë pak njerëz mund të jenë krenarë sa ata.
Dr. Ymer Dishnica ka zënë vend në Panteonin e kombit tonë. Atë e nderon gjithë Shqipëria, e nderojnë veçanërisht ata që bënë Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ata mijëra pacientë që i kuroi me përkushtim e u shpëtoi jetën, forcat demokratike që udhëheqin Shqipërinë në rrugën europiane të demokracisë e prosperitetit. Pikërisht për këto arsye, kryesia e Organizatës së Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare do t’i propozojë Presidentit të Republikës që doktor Dishnica të nderohet me dekoratën “Nderi i Kombit”. Por, nderimi më i madh për dr. Dishnicën është të mbajmë gjithnjë parasysh amanetin e tij: “Duajeni Shqipërinë dhe mos u kurseni për lulëzimin e saj”.
Berisha: Dr. Dishnica ka firmën në ato akte, që shndrisin në historinë tonë

Berisha ne aktivitetin me rastin e 100-vjetorit te Ymer Dishnices
I pranishëm në përkujtimoren e 100-vjetorit të doktor Ymer Dishnicës, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë si një nga intelektualët më të shquar, më atdhetar të kombit shqiptar, një personalitet politik i pamposhtur i historisë sonë, por, gjithashtu, edhe një nga humanistët më të mëdhenj. Ymer Dishnica, u shpreh Kryeministri, ka firmën në ato akte që shndrisin dhe do të shndrisin gjithnjë në historinë tonë kombëtare. Ai ishte një nga personalitetet kryesore të Konferencës së Pezës, por dhe organizator kryesor i Konferencës së Mukjes, e cila realisht hodhi themelet e një Shqipërie të ardhme pluraliste, demokratike, por edhe të një bashkimi të pashmangshëm të trojeve shqiptare. Por kjo firmë në Konferencën e Mukjes, nënvizoi Berisha, i kushtoi karrierën atij. Diktatori, shtoi më tej Kryeministri, e demonizoi njeriun që simbolizonte në të vërtetë një nga aktet më madhore të historisë sonë kombëtare, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë. Ai e vendosi atë në një kalvar persekutimi të pafund. Është shumë e vërtetë se dr. Dishnica nuk pësoi fatin e shumë bashkëluftëtarëve të tij, por është e vërtetë, nga ana tjetër, se nuk u mposht kurrë, qëndroi i pamposhtur në dinjitetin e tij. Ai u shndërrua në personalitetin, qytetarin më të dashur për banorët e Beratit, me shërbimet që u ofronte, dhe humanizmin që dëshmonte.
LIRI BELISHOVA

Enveri i ndëshkoi firmëtarët e Mukjes për pushtet personal

Klika që sabotoi krijimin e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar
Ymer Dishnica, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar e nënshkruan Marrëveshjen e Mukjes me bindjen se ajo ishte në vazhdën e traditave më të mira atdhedashëse të shqiptarëve. Në ato çaste vendimtare për kombin kalonin në plan të dytë interesat e pjesshme dhe viheshin në plan të parë interesat kombëtare.  Me krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë u jetësua në shkallën më të lartë, platforma e Konferencës së Pezës për bashkimin e shqiptarëve në shkallë kombëtare. Ky komitetet ishte organi më i lartë i drejtimit të luftës që do të koordinonte bashkëpunimin e dy forcave politike. Kjo formë organizimi e bashkimi e shqiptarëve, në drejtimin e një organi të përbashkët në kohë lufte, ishte një domosdoshmëri për arritjen e çlirimit kombëtar. Për të gjitha zhvillimet e mbledhjes së Mukjes, Ymer Dishnica njoftoi Komitetin Qendror të PKSH, me anë të një letre drejtuar Enver Hoxhës. Pritej që marrëveshja të gjente miratimin e udhëheqjes së PKSH, por nuk ndodhi kështu. Enver Hoxha, nën ndikimin e plotë të Miladin Popoviçit, nuk u besonte shpjegimeve e arsyetimeve të Ymer Dishnicës për zhvillimin e bisedimeve në barazi të plotë. Në një mbledhje urgjente të drejtuesve kryesorë të PKSH në Vithkuq të Korçës, u dënua si e papranueshme Marrëveshja e Mukjes. Në mungesë u dënuan Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi, si përgjegjës për nënshkrimin e saj. Që nga ky çast filloi kalvari i vuajtjeve për Y. Dishnicën. Ai u ndodh në pozitë të dyfishtë. Jo vetëm duhej të sillte argumentet për qëndrimin e drejtë e parimor që kishte mbajtur, por duhej të bënte kujdes për mënyrën e qëndrimit, për t’i shpëtuar asgjësimit fizik, pasi e njihte mirë situatën ne udhëheqjen e Partisë. Në mënyrë të natyrshme, Ymer Dishnica nuk mund ta pranonte lehtë denoncimin e Mukjes. Ai ishte i bindur se kishte luftuar mjaft për të fituar Partia dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare sepse ishte arritur një marrëveshje në interes të frontit të përbashkët të shqiptarëve. Duke u shprehur se “vendimi për të mos njohur Marrëveshjen e Mukjes qe një bombë për ne”, me një delikatesë të një intelektuali të mençur, ai sqaronte me durim se “nuk duhet harruar se aty në vend bëhet diagnoza më e mirë”. Në këtë mënyrë i tërhiqte vëmendjen Enver Hoxhës se “të na kishit dëgjuar edhe neve para se të merrnit vendime aq të prera”. Me këtë përgjigje të parë ai donte të thoshte se vendimi për denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes ishte i prerë, i ashpër, i njëanshëm dhe me pasoja të rënda. Ymer Dishnica, në përgjigjen e 14 gushtit 1943, i bënte një “apologji” të vërtetë Marrëveshjes së Mukjes, jo duke u nisur vetëm nga interesat e partisë që i përkiste, por duke u nisur nga interesat e luftës së popullit shqiptar. Duke sqaruar me durim të gjithë ata që nuk donin ta kuptonin se ç’ishte bashkimi, ai thoshte: “Shtroheshim për bashkim e të mos pranonin as edhe caktimin e një Komiteti të përbashkët të përkohshëm, komitet në të vërtetë marrëveshjeje dhe koordinimi, atëherë ç’fuqi reale i jepnim parimit të bashkimit”. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër veçse një komitet koordinimi e marrëveshjeje “pa prekur aspak indipendencën e organizatave, të shtabeve e të çetave”. Megjithatë, në Konferencën e Labinotit (shtator 1943), ku u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, Ymer Dishnica nuk mundi t’i mbronte pikëpamjet e tij, nuk mundi t’u rezistonte akuzave që iu bënë. Ai, së bashku me Mustafa Gjinishin, u konformuan me vendimin e Partisë për dënimin e Marrëveshjes së Mukjes. Ymer Dishnica e kuptoi se PKSH po largohej nga platforma e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Anulimi dhe dënimi i Marrëveshjes së Mukjes ishte dëshmi e një lufte të brendshme që zhvillohej në gjirin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, e cila zhvillohej midis asaj pjese të shëndoshë të udhëheqjes që inicioi dhe realizoi Marrëveshjen (përfshirë këtu dhe anëtarët e delegacionit të KPN) dhe pjesës tjetër ekstremiste dhe fanatike partiake të udhëheqjes së KPN. Në një farë mënyre, kjo ndarje ishte reflektimi i dy rrymave që ekzistonin në PKSH. Klani i Enver Hoxhës, i cili mbështetej nga Miladin Popoviçi, doli më i fuqishëm. Dënimi i Mukjes i dha goditje dhe dobësoi pozitat e nacionalistëve brenda Frontit Nacionalçlirimtar ku bënin pjesë edhe ata komunistë të quajtur “çlirimistë”, si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi etj. Ideali për të luftuar kundër pushtuesit në gjirin e PKSH që nga ky çast ishte tronditur dhe çdo ditë që kalonte do ta bindte se ai ishte një iluzion. Udhëheqja e Partisë ishte shndërruar në një klikë terroriste, që po asgjësonte kundërshtarët si brenda, dhe jashtë saj, për të marrë e vetme pushtetin. Vendimi i marrë në Vithkuq më gusht 1943, mbetej në fuqi për t’u ekzekutuar. Në gusht të vitit 1944 u vra Mustafa Gjinishi. Ndërsa Ymer Dishnica u spostua nga detyrat partiake duke i lënë funksione administrative, derisa e larguan nga Tirana për në Berat, e së fundi për ta dënuar për agjitacion e propagandë. Qëndrimi bashkëpunues i Ymer Dishnicës me të gjitha forcat antifashiste shqiptare gjatë Luftës II Botërore, përbënte vlerën më të madhe të tij si atdhetar e antifashist, ndonëse për këtë qëndrim u akuzua për butësi mikroborgjeze dhe oportuniste nga klika antikombëtare e Enver Hoxhës, e cila e ndoqi gjatë gjithë jetës. Vepra e tij e ndërgjegjshme në shërbim të vendit si intelektual atdhetar, antifashist, te imponon homazh e respekt në l00-vjetorin e lindjes.
Prof. Muharrem Dezhgiu

Dorëshkrimi/ Pacienti i dhomës në fund të korridorit*

    Mbretëresha Geraldinë: orët e fundit te koka e mbretit Zog
    Fragment i shkëputur nga libri Geraldina e shqiptarëve i autores angleze Gwen Robyns në proces botimi nga MAPO EDITIONS. Përpëlitjet e mbretit Zog në një dhomë të spitalit Foch në Francë. Kërkesa e tij ndaj së shoqes e të birit që t’i sillnin një revole të mbushur që ta mbante nën jastëk: do t’ia shkrepte vetes nëse diagnostikohej me kancer. E motra i kish vdekur nën dhimbje të tmerrshme nga e njëjta sëmundje.

    Vitet që do të pasonin, do të ishin një makth për mbretëreshën Geraldinë, makth që ajo, edhe sot e kësaj dite, nuk guxon ta kujtojë. Pas vitit 1950, shëndeti i bashkëshortit të saj përkeqësohej nga dita në ditë. Kishte momente shprese kur dukej se po e merrte veten, por këto shpresa shuheshin mizorisht nga përsëritja e vazhdueshme e sëmundjes. Gjatë atyre njëmbëdhjetë vjetëve, Mbretëresha ka ndenjur gjithmonë përkrah tij, duke e ruajtur me pikëllim, pasi, pavarësisht kurave që merrte, ai dobësohej gjithmonë e më tepër.
    Jetuan për ca kohë në Kanë dhe Mbretëresha e mjekonte vazhdimisht të shoqin. Ajo ishte e sigurt që gjithë sëmundja e tij buronte prej ulçerës që nuk ishte mjekuar si duhej në Vjenë. Tani asgjë nuk mund ta shëronte.
    Më 3 janar 1961, Familja Mbretërore dhe shoqëruesit e saj u shpërngulën nëParis.  Udhëtimi u bë i mundur në saje të vullnetit të hekurt të Mbretit dhe shërbimit të devotshëm të mjekut francez, dr.Burgua Kavardin, i cili pranoi të udhëtonte me Mbretin që ishte nën dhimbje të vazhdueshme. Doktorët e kishin paralajmëruar Mbretëreshën që edhe troshitja më e lehtë e trenit mund të ishte fatale dhe gjatë gjithë udhëtimit ajo ishte aq shumë e merakosur, saqë, kur mbërritën nëParis, i filluan ngërçet në stomak, të shkaktuara prej angështisë. Kur mbërritën në Ablon, kishte aq shumë baltë, sa makina e pati të pamundur të ecte. Mbretit iu sos durimi dhe, megjithëse kishte vite që pothuajse nuk ecte, gjeti forca për ta ngjitur rruginën malore më këmbë.
    Sapo mbërritën, princeshat u futën në dhomat e tyre dhe u shtrinë, duke e lënë vetëm Mbretëreshën Geraldinë të merrej me të sëmurin, me shtëpinë në nevojë të menjëhershme për pastrim, pasi nuk kishin shërbëtorë që ta ndihmonin. Për tri javë u përpoq e vetme derisa edhe ajo, u sëmur. Thjesht, i kishin shterur fuqitë dhe nuk ishte më në gjendje ta lante, ta ngrinte dhe të bënte gjithë përkujdesjet e tjera për të cilat një burrë i sëmurë kishte nevojë. Mjekët arritën në përfundimin që Mbreti Zog tani ishte aq i sëmurë sa duhej çuar në spitalin e Foçit në Suresnes, ku gjendej edhe laboratori më i mirë kërkimor nëParis.

    Atëherë për mua filloi një kalvar, të cilin, edhe sot, nuk e kam idenë sesi gjeta forca ta përballoja. Duke qenë se ishte e diel pasdite, drejtori i spitalit nuk gjendej atje dhe gjithë ajo godinë aq e madhe dukej se nuk kishte personelin e duhur. Më kishin premtuar se do të kisha një dhomë ngjitur me dhomën e tim shoqi, kështu që kur ata e çuan Mbretin, me një karrige me rrota, në një dhomë të vogël me një shtrat, me një karrige dhe tavolinë, menjëherë kërkova dhomën time dhe banjën. Më treguan një studio të ndarë me perde, me banjë, legen për duart, një dush dhe kaq. Kur i pyeta se ku ishte dhoma ime, infermierja m’u përgjigj thartë: Asnjë familjar nuk lejohet të qëndrojë me pacientin. Këmbëngula që gjithçka ishte rregulluar me drejtorin dhe i kërkova një dhomë që të komunikonte me dhomën e Mbretit. Kjo është plotësisht e pamundur, – m’u përgjigj. Do të të shtrojmë një dyshek në dysheme pranë shtratit. Kjo do të jetë vetëm për një natë, nesër e zgjidhim me administratorin.
    Mbreti Zog u nevrikos shumë dhe donte të largoheshim menjëherë, por ishte e pamundur për të lëvizur sërish, kështu që e zgjidha vetë situatën. I thashë: Nuk e kam për herë të parë që po fle në dysheme.
    Të nesërmen u përpoqa të lidhem me ministrin e Shëndetësisë dhe një kushëriri im bisedoi me të. Sa për doktorin e spitalit, as unë dhe as im shoq nuk donim t’i flisnim dhe gjatë javës së parë ai dukej se qëndronte gjatë gjithë kohës në laborator. Askush nuk u kujdes për tim shoq dhe m’u desh të vazhdoja ta mjekoja vetë. Kur pashë që, për herë të parë në jetën e tij, po i hapeshin plagë nga të ndenjurit në shtrat, shkova në banjë dhe qava derisa m’u thanë lotët.
    Çdo ditë e shikoja Mbretin teksa dobësohej e dobësohej dhe nuk e kuptoja përse. Dukej sikur personaliteti, shpirti, e gjithë qenia e tij po ikte pak e nga pak.  U përpoqa të merrja disa mendime nga mjekë të jashtëm. Prisja ta vizitonte edhe profesori më i mirë në Paris, deri kur mjeku kujdestar erdhi të më njoftonte se atij po i vdiste e ëma, prandaj e kishte të pamundur të takonte tim shoq.

    Kur pa që ishte zverdhur si meit, Mbreti i pëshpëriti Mbretëreshës Geraldinë: Nuk është nevoja të përdor revolverin, pasi tani e kuptoj përse jam kaq i pafuqishëm. Gjatë kohës që ishte sëmurë, ai e mbante pranë tij, në shtrat, revolverin prej ari, që i kishte shpëtuar jetën sa e sa herë, por tani qe aq i pafuqishëm, sa as nuk e ngrinte dot. Kështu që i kërkoi Mbretëreshës Geraldinë revolverin e saj të vogël të larë me flori që ia kishin dhënë në Shqipëri. Mbretëresha i kishte kërkuar fshehurazi Princit Leka t’ia hiqte plumbat, por kur ia vendosën mbi tavolinën pranë tij, Mbreti urdhëroi: Hape! Kur pa që në revolver nuk kishte plumba, e detyroi të birin t’i fuste përsëri. Arsyeja pse donte revolverin, nuk kishte të bënte me faktin që nuk e duronte dot dhimbjen, por pati thënë që më parë se, po ta dinte me siguri që kishte kancer, do t’ia shkrepte vetes. Frika ndaj kësaj sëmundje e tmerronte qysh kur vdiq Princesha Ruhije. Ky episod i futi tmerrin Mbretëreshës, e cila iu lut çdo mjeku që kalonte te dhoma e Mbretit, të hynte dhe t’i thoshte ndonjë fjalë shpresëdhënëse. Ishte e vështirë, pasi në spitalin Foch, Mbreti ishte i dënuar të vdiste. Ai ishte pacienti i dhomës në fund të korridorit.
    Ditën kur ishte e dukshme që Mbretit Zog i kishte rënë të verdhët, një nga shenjat e para të kancerit të pashërueshëm, drejtori i spitalit thirri në zyrën e tij, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, i cili s’i kishte mbushur ende të njëzetat, dhe u tha hapur se Mbreti po vdiste. Princi Leka u zbeh në fytyrë, por sapo doli nga dhoma telefonoi qendrat më me famë të trajtimit të kancerit në Amerikë dhe iu lut që ta pranonin Mbretin si pacientin e tyre. Një nga një, ata lidheshin me drejtorin e spitalit Foch dhe kështu e merrnin vesh të vërtetën e hidhur. Mbreti nuk mund të lëvizej. Mbretëresha Geraldinë e kujton këtë ditë si një nga më të dhimbshmet e jetës së vet. Jo vetëm që burri që ajo dashuronte po vdiste, por do t’i ngelej mbi supe përgjegjësia e stërmadhe e përkujdesjes për princeshat dhe për gjithë shpurën mbretërore.

    Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte në emrin e Lekës 10 mijë dollarë. E kisha plotësisht të qartë se, sado para të kishin mbetur në bankën franceze, ato do të ngrinin sapo im shoq të vdiste. Kishim bërë një kontratë në Nju Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër.

    Pavarësisht brengës që kishte në shpirt, Mbretëresha shfaqte një qëndrim realist për jetën, që gjendet edhe sot në zemrën e asaj gruaje. Një nga njerëzit e fundit që foli me Mbretin ishte kunata e tij, Virxhinia. Ajo u ul pranë shtratit të tij dhe ai i mori dorën. Leibling, mos e lër vetëm motrën, – i tha Mbreti tani me një zë aq të dobët, saqë ajo mezi e dëgjoi. E di që ajo është njeriu i përsosur për gjithçka i duhet të bëjë në detyrat e saj si Mbretëreshë. Ka forcën dhe njohuritë për politikën, por do të të kërkoja që ta ndihmoje me djalin, për ta drejtuar që të ndërmarrë hapat e duhura në jetë. Virxhinia e puthi këtë burrë që e donte dhe adhuronte dhe i pëshpëriti: Të premtoj.
    Kaluan edhe tri ditë para se Mbreti të binte në koma. Tri ditë agonie, shqetësimi dhe pikëllimi të pamatë për Mbretëreshën Geraldinë teksa shikonte njeriun të cilit i kishte përkushtuar jetën e vet, të shkonte. Ditën e tretë, Mbreti u përmend për një kohë të shkurtër, të mjaftueshme për të parë Princin Leka ulur pranë tij. Në këto çaste i rrëfeu ëndrrën: sesi e kishte parë Mbretëreshën Geraldinë, përsëri të bukur, por në moshë të thyer, teksa qëndronte në një anije që lundronte drejt portit të Durrësit. Këto fjalë Mbreti Leka i përsëriti për mua njëzet e katër vjet më vonë në sallonin e pritjes nëBelgravia.
    Kur Mbretëresha Geraldinë e kuptoi se Mbreti po vdiste, i kërkoi spitalit t’i jepnin morfinë, pasi edhe kur nuk ishte i vetëdijshëm përpëlitej sa nga njëra anë tek tjetra, nga dhimbjet. Princeshat, që prisnin në klinikë çdo ditë, morën vesh kërkesën e Mbretëreshës dhe urdhëruan që morfina të mos i jepej, për shkak të besimit të tyre fetar. Në vend të morfinës, u vendosën në anët e shtratit të Mbretit dy roja shqiptare që të ishin pranë e të mos e linin mbretin të binte nga krevati, prej agonisë, dhe të mos dëmtohej. Iu mohua edhe dinjiteti i një vdekjeje të qetë.
    Pasditen e së dielës së 9 prillit 1961, Princi Leka, që kishte qëndruar pa lëvizur pranë shtratit të të atit gjatë ditëve të fundit, shkoi te varrezat në Tie, pranë Orlit, për të marrë masat për funeralin e Mbretit, pasi të gjithë e kishin kuptuar se do të ndodhte në ditët e ardhshme. Mbretëresha Geraldinë po pushonte në dhomën ngjitur, që ishte boshatisur, në pritje të një pacienti. Njëri prej shqiptarëve e zgjoi dhe i tha: Hajde, shpejt! Kur ajo hyri në dhomën e Mbretit, ky hapi sytë, psherëtiu thellë dhe vdiq. Sikurse e kujton ajo këtë çast: Zoti më dha kurajë t’i mbyllja sytë e tij të bukur para se të gjunjëzohesha para shtratit për t’u lutur. Dhoma, papritur, u mbush me angullima vaji. Kjo vdekje u kishte marrë princeshave arsyen e vetme për të jetuar dhe tani nuk ishin në gjendje ta përmbanin veten. Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, Mbreti i të gjithë bijve të shqipes, që u kishte mbijetuar pesëdhjetë e pesë atentateve, nuk jetonte më. Vajtimi i tyre dëgjohej në gjithë spitalin. Njëri prej miqve të vjetër të Mbretit shkoi menjëherë të thërriste kryeimamin e Komunitetit Islamik nëParis. Shumë shpejt katër imamë me veshjet e tyre të gjera erdhën në spital dhe vunë duart në kokë nga tmerri. E kthyen shtratin e Mbretit në drejtim të Mekës, bash kur hynë infermieret për ta çuar trupin në kishëzën e morgut, gjë që ishte e papranueshme për një Mbret mysliman.

    Leka ishte kthyer nga varreza dhe, kur pa shqetësimin tonë, i nxori jashtë të gjithë zyrtarët, bashkë me infermieret dhe vendosi dy roja shqiptare me revolverët në gatishmëri, para derës së dhomës. Askush nuk guxoi të hynte.
    Në atë çasti im bir u burrërua. Më çoi me përkujdesje në kishëzën e spitalit dhe më la atje të lutesha, teksa ai u mor me rregullimin e trupit të Mbretit dhe vendosjen e tij në hollin e vogël aty pranë. Qirinjtë digjeshin në këmbë të shtratit, teksa im bir me oficerët e shpurës qëndronin në ruajtje të Mbretit të tyre të vdekur.

    Pikërisht atje, Mbretëresha Geraldinë i dha lamtumirën njeriut që kishte dashuruar me gjithë zemër qysh nga mbrëmja e parë në Tiranë.
    Nga angështia e princeshave dhe nga dhimbja e saj, që nuk gjente ngushëllim, Mbretëreshës Geraldinë i ra të fikët. E motra, Virxhinia që kishte mbërritur në spital, e çoi për të pushuar në hotelin aty pranë. Thirri një mjek për t’i dhënë qetësues. Ky ishte fillimi i një tjetër sëmundjeje të gjatë.
    Gjatë gjithë asaj nate dhe në ditët që pasuan, shqiptarët, nga gjithë Parisi dhe rrethinat, erdhën t’i bënin nderimet e fundit Mbretit të tyre. Lajmi ishte dhënë shkurt në televizion dhe në ekranet e kinemave, në radio dhe në faqet e para të gazetave të mbrëmjes, në të gjithë botën. Shqiptarët erdhën në kufirin midis Belgjikës dhe Francës me makina të mbushura dëng, pasi në Belgjikë kishte një koloni të madhe shqiptarësh. Nuk patën kohë të merrnin viza dhe xhandarmëria franceze qe ndier ligsht kur kishte parë fytyrat e tyre të përlotura dhe i lejoi të hynin në Francë për pak ditë. Edhe në Suedi, kur morën vesh se Mbreti i tyre ishte duke vdekur, shqiptarët e atjeshëm siguruan paratë për të shkuar nëParisme avion dhe për të ndarë së bashku ato çaste të fundit.
    Që nga spitali ata u derdhën në rrugët e shkretuara drejt hotelit për t’i shprehur respektin Mbretëreshës. Bukuria e saj kishte humbur nga dhimbja dhe, madje, disa nuk e njohën dhe pyesnin se cila ishte ajo gruaja e hollë e veshur me të zeza. Të tjerë e përshëndetën në mënyrën shqiptare: Rroftë Mbreti! Kjo brohoritje jehoi në qytetin e qetë, nën dritën e hënës.

    Teksa dëgjoja përshëndetjet e tyre dhe u shihja fytyrat plot krenari, ndjeva që tisi i kohës dhe i trishtimit ishin zhdukur. Shpirti po përjetonte ato kohët e mëparshme në Tiranë, në një Europë tjetër, në një tjetër botë. Ndjeva edhe një lloj krenarie që u kisha dhënë atyre një djalë të gjatë e të bukur, që qëndronte pranë meje dhe që do të bëhej Mbreti i tyre i ardhshëm.

    Nga hoteli, Mbretëresha u dërgua në spital. Atje ishte një qendër për njerëzit e përvuajtur, me shtëpiza njëkatëshe për secilin pacient, të vendosura në një kopsht të bukur. Kur mbërriti, e ulën në një karrocë invalidësh dhe e çuan në një shtëpizë, ku një shërbyese e bukur, që, në të vërtetë, ishte infermiere, e shtriu në shtrat. I dhanë qetësues. Çdo tri orë, në dhomën e Mbretëreshës vinte një tabaka me ushqim të shijshëm, por ajo ishte dobësuar aq shumë nga të pangrënët, sa e kishte të pamundur të ngrinte edhe një gotë ujë.
    Princi Leka e vizitonte të ëmën çdo ditë, por pas një jave trajtimi të vazhdueshëm, drejtori i spitalit i telefonoi dhe i tha: Mamaja jote po vdes. Princi njëzetvjeçar u trondit jashtë mase dhe i kërkoi sqarim. Nuk ka asnjë sëmundje të vërtetë, – i shpjegoi mjeku. Mbretëresha Geraldinë ishte konsumuar fizikisht dhe mendërisht. Princi shkoi menjëherë në spital dhe, kur u përball me drejtorin në zyrën e tij, i vuri revolverin në tavolinë dhe i tha: Im at vdiq për faj të një spitali francez dhe nuk do të lejoj që të vdesë edhe ime më. Duhet të bëni diçka!
    Mjeku francez u mendua mirë para se të përgjigjej: Ne kemi përshtypjen se asaj i ka shteruar dëshira për të jetuar. Në qoftë se ju na lejoni, kryepsikiatri ynë do të përpiqet të nxjerrë nga pavetëdija e saj arsyen!
    Dy herë në ditë një mjek dashamirës kalonte afërsisht një orë duke biseduar me Mbretëreshën. Ata flisnin për gjithçka, përfshirë edhe për jetën. Pas disa ditësh, ai i tha Princit Leka se e kishte zbuluar çfarë e shqetësonte Mbretëreshën Geraldinë. Ajo nuk do që të jetojë pas humbjes së të shoqit.
    Një prej problemeve që, në mënyrë të pavetëdijshme, i shkaktonte shqetësim të vazhdueshëm Mbretëreshës, ishte se çfarë do të bënte me princeshat. I kishte premtuar Mbretit Zog se do të kujdesej për të motrat. Mbretëresha Geraldinë nuk i thyen lehtë premtimet, por tani kishte përshtypjen se nuk mund të merrte më përgjegjësi mbi veten. Princi Leka e dëgjoi të ëmën dhe i tha me rrëmbim: E rregulloj unë këtë punë menjëherë. Ti nuk do të qëndrosh gjatë këtu dhe besoj se, përderisa jam djali yt i vetëm, ne do të jetojmë bashkë. Për hallat do të kujdesem unë. Ato nuk na duan, as mua e as ty. Ne do të ndjekim rrugën tonë dhe do t’i ndihmojmë ato që të gjejnë rrugën e tyre.
    Vetëm kur mjekët vendosën t’i jepnin Mbretëreshë Geraldinës ca hormone mashkullore, ajo filloi të përmirësohej dhe t’i vinte fuqia. Mëngjesin e parë që u çua nga shtrati, vuri re që dritaret ishin me hekura. Thirri shërbyesen, e cila menjëherë lajmëroi mjekun. Ai i shpjegoi me mirësjellje Mbretëreshës se përse e kishin futur në një spital psikiatrik. Ajo kishte arritur peshën 41 kilogramë, me një gjatësi prej 1.77 metra; dukej si një skelet. Mjekët më parë i druheshin qëndrueshmërisë së gjendjes së saj mendore, por tani e kishte marrë veten mjaftueshëm për t’u lejuar të dilte në kopsht.
    Gjashtë javë pas shtrimit në spital, Mbretëresha Geraldinë mori fuqinë e duhur për të dalë. Pasi kaloi disa ditë nëParistek e motra, Virxhinia, Princi Leka e çoi me makinë në Madrid, ku mikesha e saj, Mbretëresha Xhovana, do të kujdesej për të në vilën e saj. Kur qëndrimit të Mbretëreshës shqiptare po i afrohej fundi, Mbretëresha Xhovana u kujdes që ajo të ishte sërish e ftuara zyrtare e Vatikanit, pasi vetëm kështu mund të lejohej të hynte në Itali. Mbretëreshës Geraldinë iu kërkua t’i jepte fjalën qeverisë italiane se nuk do të mbante asnjë konferencë për shtyp. Gjatë takimit me Papa Gjonin XXIII, ajo kërkoi sërish mbështetjen e tij për të paraqitur kërkesën për dëmshpërblimin e luftës. Si pasojë, Mbretëresha Geraldinë pati një takim me një ministër të lartë, i cili i premtoi: Po…Po…Po…, por sërish nuk bëri asgjë.
    Shtypi italian bëri deklarata nga më absurdet për Mbretëreshën Geraldinë, duke shkruar se ajo e kishte ndryshuar fenë e saj në myslimane dhe se edhe Princi Leka tani donte të bëhej katolik. Mbretëresha u inatos aq shumë, saqë bindi një ish-ministër shqiptar t’i telefononte qeverisë dhe t’i thoshte se, nëse këto deklarata nuk do të përgënjeshtroheshin në shtyp, të nesërmen në faqe të parë, kishte për të dalë konferenca e saj për shtyp.

    Kështu u bë, pasi siç dukej italianët nuk donin që unë të flisja: të tregoja sesi paratë e mia personale, të vëna në bankë në Tiranë, ishin konfiskuar dhe të gjitha dhuratat e dasmës ishin plaçkitur. Mund t’u tregoja sesi një mik kishte blerë pjesë të servisit tonë të praruar me argjend, të cilat kishin dalë në shitje në Rivierë dhe shumë gjëra të tjera.
    Kur u ktheva nëParispërjetova një prej përvojave më të dhimbshme të jetës sime. Vendosa të lija peng unazën e fejesës me diamantin blu prej katërmbëdhjetë karatësh. Kisha nevojë për para për varrin e Mbretit. Në llogarinë bankare kishin mbetur vetëm treqind franga dhe doja të ngrija një monument mbi varrin e Mbretit, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë. Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet, teksa qëndroja ulur në zyrat e Mont de Pieté. Nuk ishte momenti për të derdhur lot. Me një shprehje dashamirësie në fytyrë, gruaja më këshilloi ta shisja unazën menjëherë dhe kështu bëra, madje, me një çmim të mirë. Im bir pati mundësinë ta mbante nën vëzhgim për disa vite, pasi shpresonte se një ditë do ishte në gjendje të ma riblinte. Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë.

    Qiraja dhe ushqimi i shtëpisë në Avlon, ku jetonin princeshat dhe katër oficerë, ishin një faturë e lartë për t’u paguar. Duke qenë se gjatë gjithë jetës së tyre për to ishte kujdesur i vëllai, princeshat as nuk e kishin idenë e parave dhe nuk u shkoi kurrë në mendje të shisnin ndonjë prej stolive të tyre për të ndihmuar Mbretëreshën Geraldinë nga ana financiare. Ato ishin rritur në një botë krejtësisht ndryshe dhe nuk kishin mësuar asnjëherë të përshtateshin dhe të paguanin për shpenzimet e tyre. Duke kuptuar se kishte vetëm një mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë delikate, Mbretëresha Geraldinë vendosi t’i thërriste bashkë me Princin Leka, në mënyrë që të gjithë të diskutonin për të ardhmen. Ajo nuk i kishte parë kunatat qysh nga vdekja e Mbretit, pasi ato nuk e patën vizituar asnjëherë në spital gjatë lëngatës së saj. Kur mbërriti tevilanë Avlon, gjeti pothuaj dymbëdhjetë gra të tjera shqiptare, të cilat, kur panë Mbretëreshën, u gjunjëzuan dhe i puthën dorën, duke iu lutur që t’i merrte të jetonin me të. Si të dëshirojë Allahu, – u përgjigj Mbretëresha dhe hyri brenda të përshëndeste princeshat që ishin veshur nga koka te këmbët me të zeza dhe rrinin bashkë si kori i tragjedive greke. Të gjitha u ulën teksa shërbehej kafeja turke nga njëra prej grave, tamam siç ndodhte para ndonjë diskutimi formal në Shqipëri. Princeshat ishin ulur para, ndërsa pjesa tjetër e grave qëndronte në fund, pranë derës. Princi Leka dhe kolonel Martini ishin të vetmit burra të pranishëm. Me një zë të qetë, Mbretëresha Geraldinë filloi të fliste: Ju e dini se në datën një të muajit të ardhshëm duhet të largoheni nga kjo shtëpi. Siç e dini, Mbreti nuk mundi të na linte asgjë, kështu që Leka dhe unë do të donim t’ju pyesnim nëse ju do të pranonit të jetonit me ne në një apartament në Paris. Princ Leka, që nuk e kishte aspak idenë se çfarë do të thoshte e ëma, u bë i verdhë dyllë. Princesha Sanije, që gjithmonë kishte qenë zëdhënësja e tyre dhe më e afërta me Mbretin Zog, filloi të endej poshtë e lart nëpër sallon. Befas, me fytyrën e mbuluar nga inati, ajo këlthiti: Në asnjë mënyrë. Nuk do të jetojmë me ju! Mbretëresha hodhi vështrimin nga Princ Leka dhe ai e pa të ëmën në sy. U kuptuan fare mirë me njëri-tjetrin. Pastaj filloi të fliste Princ Leka dhe i pyeti princeshat nëse ato e kuptonin ndopak gjendjen financiare. Fytyrat e tyre ngrinë, teksa ai u shpjegonte se Mbretëresha kishte gjetur një apartament të bukur dhe kishte vend për një shërbëtor, një luks që Mbretëresha nuk e kishte as për veten në atë kohë. Princesha Sanije iu përgjigj se nuk kishin nevojë për shërbëtor, pasi Princesha Adelë do të merrej me mirëmbajtjen e shtëpisë. Atëherë, ato e morën vesh që Princesha Adelë, e cila nuk ishte e pranishme, do të shkonte te fëmijët e saj, të cilët edhe do të kujdeseshin për të. Ajo kishte dy vajza të martuara me burra të kamur.
    Mbretëresha e kuptoi prej fytyrave të tyre të ngurosura se princeshat nuk donin të merrnin një vendim të menjëhershëm dhe u ngrit për t’u larguar. Kur arriti tek holli i jashtëm, gjithë burrat dhe gratë shqiptare, që kishin qëndruar në këmbë jashtë derës dhe dëgjonin, i thanë Mbretëreshës Geraldinë: I dëgjuam të gjitha. Mund të jemi dëshmitarë dhe ju falënderojmë që morët një vendim kaq të drejtë. Në makinë, Princ Leka ishte i ftohtë dhe i heshtur dhe, kur kolonel Selmani, i cili ishte ulur përkrah shoferit, filloi të fliste me nervozitet, ai e urdhëroi: Qetësi!
    Tani që dukej se problemi i princeshave ishte kapërcyer, Mbretëresha Geraldinë duhej të përballej sërish me çështjen e shpurës së oficerëve dhe rojave. Megjithëse do të ishte i pranishëm, Princit Leka iu duk e drejtë që e ëma t’ua jepte lajmin e dhimbshëm, pasi deri tani ata kishin qenë si pjesëtarë të familjes. Dy prej oficerëve u kthyen në Angli dhe filluan punë, tre ishin pranuar në Francë si emigrantë  politikë dhe u ishte lidhur një pension, ndërsa tre të tjerë shkuan në Amerikë, në vendet që u gjeti Mbretëresha. Të vetmit për të cilët ajo nuk mundi të gjente vend, ishin kolonel Selmani, administratori i Oborrit, për gjithë ato vite i cili, bashkë me një prej rojave, nuk pranoi të largohej prej saj, gjithsesi. Princeshave, më në fund, iu gjet një apartament në Kanë, me një shërbëtor që do të kujdesej për to. Mbretëresha, Princ Leka dhe dy burrat shqiptarë që kishin mbetur u shpërngulën në një apartament të vogël e jofortkomod, nëParis.

    Njeriu që më shpëtoi nga çmendia në atë periudhë të potershme ishte kontesha hungareze Zhizelë Alvensleben de Shonborn, e pagëzuar Zhizhi, nga miqtë. Ajo më merrte me makinën e saj çdo të premte pasdite dhe qëndroja me të për fundjavë në vilën e saj të bukur pranë një fushe golfi në Shën Nom la Bretshë. Kontesha vdiq në fillim të vitit 1986 dhe nuk do ta harroj kurrë sesi ngrohtësia e miqësisë sonë erdhi duke u përsosur me kalimin e viteve, ashtu siç ndodh me verën.

    Për herë të parë qëkurse ishte martuar dhe pavarësisht inatosjes së kolonel Selmanit, Mbretëresha Geraldinë tani dilte e vetme nëpër rrugët e Parisit. Ishte si një zog i dalë nga kafazi pas njëzet vjetëve robëri. Një përzierje e kënaqësisë dhe frikës.

    Botuar për herë të parë në revistën Mapo/ Nëntor 2011

    Oketa: Largohem nga PD-ja, do t’i bashkohem partisë së re në mars

    TIRANË Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të ketë një deputet më pak në radhët e tij. Ish-zv.kryeministër në kabinetin “Berisha”, Gazmend Oketa deklaroi mbrëmë në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare se ai shkëputet nga grupi parlamentar i PD-së për të qenë pjesë e partisë së re të Bamir Topit. “Unë zyrtarisht jam deputet i mazhorancës dhe i PD-së, por, për të thënë të vërtetën, nuk i frekuentoj mbledhjet e grupit prej një kohe të gjatë. Nuk dëshiroj të jem prezent në ato mbledhje ku më tepër se të flitet për çështje konkrete, merremi me individë të caktuar, njerëz që s’janë prezent në ato ambiente. Sulmohen vend e pa vend institucionet e tjera të pavarura të shtetit shqiptar. Kur më kanë pyetur disa kolegë pse nuk vjen, u kam thënë me shaka se nuk dua që pas 20-30 vitesh, kur të bëhen disa dokumentare, siç bëhen sot mbledhjet e Byrosë Politike, nipërit e mi të më shohin aty”,- tha mbrëmë Oketa. Në fakt, ish-ministri i Mbrojtjes iu referua pikërisht sjelljes politike që po ndiqet në PD. “Unë po krahasoj sjelljet politike. Thashë se një nga arsyet se pse nuk marr pjesë në ato mbledhje, personalisht i gjykoj. Është apo jo e drejtë kjo që po them qytetarët shqiptarë mund ta krijojnë vetë perceptimin. Unë personalisht thashë se pak a shumë kjo ndodh në këto mbledhje. Janë çështje të cilat fare mirë cilido mund t’i parashikojë se çfarë do diskutohet, qoftë edhe nisur nga titujt e gazetave. Nuk marr pjesë në mbledhjet e grupit që nga tetori”,- shtoi Oketa. I shkëputur de-fakto nga grupi parlamentar i PD-së, Oketa deklaroi mbrëmë shkëputjen edhe de-juro nga grupi. Oketa sqaroi edhe pozicionin e tij të ardhshëm në Kuvend: “Në vitin 2005 u zgjodha në një zonë elektorale në Durrës e ju jam mirënjohës atyre që më kanë zgjedhur… Duke pasur këtë lloj mirënjohje edhe më 2009, pavarësisht faktit se tërhiqem nga grupi i PD në respekt të qytetarëve, vota ime nuk do cenojë qeverinë aktuale. Nëse do të ketë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, në asnjë rast vota ime nuk bashkohet me PS-në. Deri në fund të këtij mandati respektoj vullnetin e votuesve dhe qytetarëve, pasi kam kërkuar votën e tyre nën siglën e PD-së. Që nga ky moment, do orientohem drejt një force të re politike që do tentojë të mbushë hapësirën e lënë bosh në të djathtën shqiptare… Dy partitë e kanë humbur identitetin e tyre. Opozita vetëm cicëron… Nuk është e thënë që do të jem pjesë e ndonjë grupi të ri parlamentar”. Por Oketa la të hapur mbrëmë qëndrimin që ai do të mbajë ndaj zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, ndërkohë që ishte i qartë në arsyet se pse largohej nga PD: “Ne si maxhorancë nuk lëmë institucion pa sulmuar dhe kemi një kushtetutë të PD-së që s’e hap njeri dhe nuk e lexon njeri. Kemi të gjitha strukturat e PD-së, jo legjitime, përveç kryetarit dhe nënkryetarit, pjesa tjetër janë me mandate të skaduar…” Oketa nuk la pa përmendur edhe rezervat e tij ndaj punës së qeverisë. “Mirëqenie ekonomike mund të kenë vetëm 4-5 biznese pranë qeverisë, pjesa tjetër s’ka mirëqenie për shkak të klientelizmit të qeverisë…” Oketa tha se do të bëhet pjesë e partisë së re që pritet të krijohet nga Bamir Topi, duke informuar se lëvizja e re politike do të orientohet drejt elektoratit të djathtë. “Shumë shpejt, brenda muajit mars, do të përfundojë procedura, por nuk jam unë ai që cakton datën, është vendimmarrje kolegjiale në një tryezë të gjerë  Do vëmë kufizim për mandatet… Mazhoranca e djathtë është deformuar, kështu që do t’i drejtohemi elektoratit të djathtë, por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë dhe besoj se zgjedhjet e 2013-ës do të sjellin një leksion për klasën e vjetër të politikës shqiptare…” – tha ai. Oketa theksoi gjithashtu se nuk është i vetëm nga grupi parlamentar i PD-së që mendojnë në këtë mënyrë, ndërsa sqaroi se largimi i tij nuk kishte lidhje me asnjë çështje personale apo qejfmbetje

    Friday, February 24, 2012

    Italia po shkon drejt thjeshtëzimit të procedurës për emigrantët




    ROME- Ai quhet Jurgen, por emri nuk ka asgjë shqiptare, vendi i prindërve të tij, apo edhe me Italinë, shtëpia e tij adoptuese, ku ai ka lindur 10 vite më parë. Jo, ai e ka marrë emrin nga Jurgen Klinsmann, një futbollist gjerman që ishte idhull për të atin.

    “E ndjej veten italian, dhe pak më pak shqiptar. Megjithatë, shokët e mi në shkollë as duan tia dinë kush jam. Ashtu sikurse nuk shqetësohen që unë jam Jurgeni, kjo është” thotë djali, i vënë në qendër të vëmendjes që kur është shpallur se shumë shpejt ai do të marrë nënshtetësinë italiane, ndërmjet 4535 fëmijëve të tjerë emigrantë, të lindur në Pesaro, dhe që janë vendosur në rrethina në 10 vitet e fundit.

    Një ceremoni zyrtare do të mbahet në këtë qytet të vogël të paqtë të rajonit Marche, në Italinë Qendrore. Fëmijët do të prezantohen me një certifikatë që provon nacionalitetin e tyre të ri, një kopje të kushtetutës, flamurin trikolorësh dhe një bluzë të ekipit të futbollit italian. Kjo do të ketë vetëm një vlerë simbolike: Marrja e nënshtetësisë nuk ka ndonjë peshë legale, një tezë e nënvizuar nga lideri rajonal i këshillit, Matteo Ricci, që ishte i pari që e hodhi këtë ide.

    Iniciativa po ndjek të njëjtin qëllim që është hedhur në treg nga Presidenti Giorgio Napolitano, që e ka mbrojtur në mënyrë të përsëritur, apo të drejtën e marrjes së nënshtetësisë, pavarësisisht se cili është nacionaliteti i të paktën njërit prej prindërve në Itali. Napolitano ka deklaruar “absurditetin” e mohimit të nënshtetësisë italiane për fëmijët që kanë lindur në atë tokë. Ricci, 37 vjeç, gjyshi i të cilit kishte emigruar për punë në një minierë qymyri në Belgjikë, mori drejtimin e fjalëve, pa humbur realitetin që territori i tij (popullsia, 360 mijë dhe 34700 janë rezidentë të huaj), ishte pikënisja e shumë emigrantëve shumë kohë përpara ndryshimit të drejtimit të rrjedhës.

    “Sot Italia nuk është e njëjta me atë të 30 viteve më parë- ka ndryshuar. Trendi i ri është emigracioni. Ka dy mënyra për ta përballuar, për ta mbyllur apo për ta hapur. Italia duhet të zgjedhë opsionin e dytë, nëse do të vazhdojë të ecë përpara” tha Ricci.

    Ai shpjegoi sesi mori formë ideja e nënshtetësisë “duke parë dy fëmijët e tij, të moshës 2 dhe 6 vjeç, që rriteshin me shokë shkolle të huaj që flisnin italisht, njihnin historinë e këtij vendi dhe shpesh i njihnin më mirë sesa të tjerët shenjat kombëtare të Italisë”.

    Shkollat në Pesaro reflektojnë trazira të vazhdueshme në shoqërinë italiane, me më shumë se 700 mijë fëmijë dhe studentë të huaj që numërojnë 8 përqind të totalit. Jashtë shkollës në qendër të qytetit, pyetja jonë e suprizon Vittorian. “Shoku im më i mirë në shkollë? Adriana. Prindërit e saj janë moldavë, por ajo ka lindur këtu...Nuk shoh ndonjë ndryshim me ne italianët” thotë ajo shumë thjesht.

    Por nacionaliteti nuk është vetëm një çështje identiteti në shkollë; ka edhe implikime praktike se pse duhen ndjekur. Fëmijet e të huajve, që kanë lindur në Itali, mund të aplikojnë për nënshtetësinë vetëm në moshën 18 vjeç, dhe u duhet një vit për të bërë aplikimin. Pas kësaj, ata mund ti humbin të gjitha të drejtat. Klarita Grazhdani, zyrtarja e lartë e qendrës së konsulencës së emigrantëve, shpjegon: “Nëse në moshën 19 vjeç ata nuk e kanë bërë aplikimin i cili përfshin një mal me dokumente, ndërmjet të tjera edhe prova se ata nuk e kanë ndërprerë faktin që janë rezidentë në Itali gjatë 10 viteve të fundit, ata duhet ta fillojnë nga zero edhe njëherë procedurën”.

    Jurgeni nuk duhet të jetë pjesë e këtij rrisku: më shumë se 100 parlamentarë kanë propozuar një mocion për të adaptuar këtë procedurë nënshtetësie sa më shpejtë të jetë e mundur, nëse do të jetë automatike apo e “ponderuar”, disa mbrojnë tezën e rekomandimit që aplikantët duhet të përfundojnë edukimin fillestar përpara se të marrin nënshtetësi.

    Sido që të jetë, do të duhet të bihet dakord me prindërit e Jurgenit. Babai i tij, Adriani, një punëtor ferme, dhe mamaja e tij Valbona, një asistente kateringu, të dy mendojnë se Italia duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera të cilat e kanë pranuar këtë praktikë dhe e kanë mirëpritur këtë “pasurim kulturor”. Ata kanë një theks të huaj të dallueshëm, por jo djali i tyre, sipas Valbonës. “Ai flet dialektin lokal dhe ndonjëherë as unë nuk e kuptoj se çfarë thotë”.
    Artikulli origjinal është botuar në Le Monde
    (sg/shqiptarja.com)

    Qëlloi vëllezërit se tentuan të arratiseshin me not, arrestohet




    TIRANE- Është arrestuar sot në Itali ish komandanti i postës kufitare në Velipojë i cili 20 vite më parë qëlloi me armë dy vëllezër të cilët po tentonin të arratiseshin me not.

    Policia e shtetit njofton sot se Besnik Zykaj, i njohur ndryshe si Bino Binaj 49 vjeç është arrestuar nga Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana në Firence të Itali me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndaj Zykajt, rëndon një krim të cilin e ka kryer në moshën 29 vjece, kur ishte në postin e komandantit të postës kufitare në Velipojë. Besnik Zykaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me burg përjetë në vitin 1996.

    “Shtetasi Bino Binaj është shpallur fajtor, pasi më datë 19.05.1990, kohë në të cilën ai ishte me detyrë komandant i postës kufitare në Velipojë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Vate Beqi, si dhe ka plagosur rëndë vëllain e tij, shtetasin Gjekë Beqi, gjatë një tentative të tyre për t’u arratisur me not nga plazhi i Velipojës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. Arrestimi i tij, i cili ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, është bërë një javë më parë në Firence.
    (sg/shqiptarja.com)

    Partia e Topit, Selami merr lidhjet me SHBA




    TIRANE- Ish-kryetari i Partisë Demokratike, i larguar me dhunë 17 vite më parë nga drejtimi i kësaj partie dhe më pas nga gjithë stukturat e partisë së parë opozitare, Eduart Selami tashmë është aktivizuar maksimalisht për partinë e re të Topit. Ndërkohë që kjo parti e spektrit të djathtë politik pritet të startojë zyrtarisht deri në fund të marsit të këtij viti, grupi nismëtar drejtues ka menduar tashmë dhe për lidhjet me SHBA e BE, për ta ndërkombëtarizuar këtë nismë politike e për të kërkuar partneritet me këto dy fuqi të mëdha demokratike botërore. Kështu, marrëdhëniet me SHBA, konkretisht me kongresin amerikan, senatin, komisionet e tyre por dhe diasporën shqiptare atje, i ka marrë përsipër Eduart Selami, i cili pritet të jetë "ministër fuqiplotë" në shtetin më të fuqishëm të botës.

    Duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet që Selami ka në strukturat e larta të qeverisë amerikane, por dhe të kongresit dhe të senatit amerikan, grupi nismëtar i partisë së Topit ka menduar që krahas punës që do bëjë për partinë e re, Selami do të bëjë njohjet e duhura në këto institucione të rëndësishme në SHBA dhe njëherësh të tregojë se partneri i vetëm serioz në spektrin e djathtë politik në Shqipëri, është kjo parti dhe jo ajo e demokratëve e kryesuar nga Berisha. Burimet brenda grupit drejtues të partisë së re të Topit bëjnë me dije se "Selami tani për tani do të qëndrojë në SHBA për të bërë njohjet e duhura, madje dhe për t'u përballur me lobet që paguan Berisha me lekët e qytetarëve shqiptarë për të mbajtur regjimin e tij në këmbë. Por me krijimin e partisë së re, Selami do instalohet në Shqipëri për të marrë përsipër bashkëorganizimin më tej të kësaj partie dhe për të qënë këtu përballë sekretarit të Enver Hoxhës dhe 'Nexhmijes' dhe për të fituar mbi ta. Por pa u shkëputur asnjëherë nga përgjegjësia që ka në SHBA për partinë e re".

    Njëherësh mësohet se promovimin e kësaj partie dhe krijimin e mbështetjes në BE dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës e kanë marrë përsipër Aleksandër Biberaj, ish-deputet i PD dhe ish-ministri i Jashtëm, njëherësh ish-deputet i PD, Besnik Mustafaj. Kjo treshe e fortë do të jenë ata që do të promovojnë partinë e re të Topit këtej dhe andej Atlantikut, pra në SHBA por dhe në vendet e BE, ku Shqipëria aspiron të integrohet, duke qënë sipas grupit drejtues të kësaj partie, zë më i besueshëm se sa të gjithë kundërshtarët e tyre në PD, me gjithë paratë e hedhura për lobimet e ndryshme në të dy vendet. Ndërkohë që strukturat e partisë së re janë ngritur në të gjithë vendin, dhe tashmë vetëm sa po pasurohen me elementë të rinj, ku sipas burimeve brenda grupit nismëtar ka një interesim të jashtëzakonshëm nga të rinjtë, studentë ose jo, intelektualët por dhe qytetarët e thjeshtë të të gjitha shtresave. Përfshirë këtu ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë, që me sa duket besojnë shumë te kjo parti në zgjidhjen e problemit të tyre. Njëherësh, grupi nismëtar është ndarë sipas mbështetjes nëpër zona, ku deputeti aktual i PD, Oketa ka marrë përsipër Durrësit. Elbasanin e ka marrë përsipër Stringa, Biberaj vetë Shkodrën dhe qarkun e Kukësit, përfshirë dhe Lezhën bashkë dhe me Mustafajn. Ndërsa Dibrën e ka marrë përsipër Sali Shehu, për të zbritur në qarkun e Fierit të cilin e ka marrë përsipër Blerim Çela. Ndërsa Tiranën e ka vetë Topi si dhe Aleksandër Meksi, ky i fundit mbulon dhe Gjirokastrën. Ndërkohë që pritet dhe shkëputja e disa deputetëve të PD për të kaluar në partinë e re të Topit, duke rrezikuar Presidentin dhe vetë mazhorancën pas korrikut.
    (sg/shqiptarja.com)

    Thursday, February 23, 2012

    Visar Zhiti rrëfen gjyqin: Si më dënuan për poezitë


    Visar Zhiti në burgun e Spaçit

    Botohet “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin”
    Seanca gjyqësore në Kukës, akuzat, aktekspertiza dhe mësuesit-dëshmitarë.
    “Ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg”. Kështu shkruan në krye të librit të tij Visar Zhiti. “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”, kështu titullohet libri i sapobotuar i shkrimtarit dhe poetit, i cili ka provuar mbi shpatulla 10 vite të gjata në burgun e Spaçit. Një libër rrëqethës, botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1”, që zë fill qysh në ditën e arrestimit, në përvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, 8 nëntor, për të ndjekur ditë pas dite rrathët e ferrit dantesk, nga hetuesia në gjyq, në Spaç, në minierë, duke shtyrë vagonët me mineral. Një libër që përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në rreth 570 faqe libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale. Janë të njohur e të panjohur, që nga fëmijët e ish-bllokmenëve të dënuar, tek shkrimtarët, piktorët, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët, policët… Por gjithçka e shkruar bukur dhe me një humanizëm të thellë. “Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit XX, degjeneruan në një tirani të përditshme”, shprehet për librin shkrimtari dhe botuesi anglez, Kevin Higgins. Nga ky kalvar kemi shkëputur një pjesë (me shkurtime) nga njëri prej momenteve më të ankthshëm, gjyqit.                                 al.mi
    GJYQI I HAPUR
    I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur
    nga një e keqe. S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet.
    I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë të hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën, me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo….
    Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne, dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht…
    Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra, të dëshpërimit të gëzueshëm…
    Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade… Mua po më qartësoheshin pamjet, por s’po gjeja familjarët e mi mes atij anonimati. Kërkoja, kërkoja. “Shiko”, më thanë dhe policët. Ah, s’janë! Më mirë. Salla plot. Dhe midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. “Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket.
    E përfytyrojnë dot ata mësuesin armik? Unë armik?! Sa më kanë dashur! Të mos i zhgënjej. Armiku është tjetër lloj, tjetër gjë. Do t’ua tregoj dot? E kuptoj tronditjen e tyre… s’kanë për të harruar… a do të di të rri së fundmi në kujtesën e tyre ashtu siç duhet? Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës. S’më interesonin tani.
    - Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë…
    Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:
    - Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?
    - Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.
    - Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.
    - Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë, dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. – Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time.
    - Po, po, njëlloj është, – përsërita. Kërkova diçka për të shkruar, e pabesueshme, u bë një rrëmujë e vogël, policët lëvizën armët. Dikush nga salla u ngrit, zgjati një laps, jepjani, tha gjykatësi, e mori njëri nga policët, ishte i mprehur mirë, pashë karikaturistin e qytetit, me profilin alla-Pushkin, ai ka lapsa të tillë. Pranë tij shkrimtari Ferhat Cakaj, me kostum të përzishëm.
    Gjykatësi tregoi procedurën dhe urdhëroi të më hiqeshin prangat menjëherë. Polici hapi me çelës drynin e prangave të mia, të madh sa të dyerve. Nuk desha t’i çmpija duart. Mbi lëkurë pashë vragën e thellë të hekurit dhe një njollë të zezë në mëngën e këmishës.
    S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye. Në të vërtetë gjyqtari dhe prokurori ishin dy ndihmësit e atyre shkrimtarëve që me kohë më kishin hedhur në radhët e armiqve…
    Armik i rrezikshëm, po bërtiste duke parë shtrembër nga unë. Gjyshi i pasur, xhaxhain të vrarë nga Partia edhe ky atë rrugë do të merrte, të xhaxhait dhe të të atit. Unë jam brezi i tretë që goditet, më xixëlloi djegshëm ky mendim. Këta s’ngopen. Tani do të jenë të tjerë, brezi tjetër, me biografi të keqe, nga shkaku im. Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra
    Dosja hetimore e Visar Zhitit
    gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo? Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja, nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist. Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik, Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët, dhe arrinin deri në Japoni. I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”.
    …U shanë metaforat dhe gjuha e Ezopit, dhe unë. Prandaj nuk duhej të isha më i lirë, paraqitja rrezikshmëri shoqërore.
    Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.
    - I pandehur, e pranon Akuzën? – pyeti ftohtë.
    U ngrita më këmbë:
    - Jo, nuk e pranoj, natyrisht! – thashë dhe anova kokën mbi njërin sup, këputshëm, jo siç e kisha zakon….
    - Ulu, – u kujdes polici për mua. Fati im, o fat i mjerë, në fund të pusit të… Atëherë gjykatësi seç foli vesh më vesh me dy ndihmësit e tij prej bakri, herë me njërin, pastaj me tjetrin, njëlloj, duke i mbuluar pëshpëshet me një libër, me Kodin Penal, për të mos u dëgjuar nga ata që ishin më pranë, nga radhët e para të sallës, dhe i kërkoi prokurorit në mund ta vazhdonin gjyqin.
    - Po, – u vrenjt ai. “E ç’mund të presësh tjetër nga armiku”, – u duk se shtoi mes përtypjeve të tij të acarta.
    Nga radhët e para të sallës u ngrit rrëmbimthi, duke i kthyer krahët gjithçkaje, kryetari i kooperativës së fshatit ku kisha punuar. S’kishte si t’i pëlqente akuza, as sabotim, as atentat, as vjedhje e madhe a arratisje, por punë poezish. Me një fjalë, pesë me hiç….
    - Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi. – Të futen një nga një, pa e dëgjuar njëri-tjetrin. Fillojmë me të parin, me drejtorin e shkollës.
    - Emri? – duhej të kishte pyetur gjykatësi.
    - Bajram, – tha. Jo shumë fort, ndoshta për të mos e dëgjuar salla pas kurrizit të tij.
    - Mbiemri? – po, po, gjykatësi po pyeste.
    - Tota.
    - E njeh të pandehurin?
    U kthye nga unë, më pa me druajtjen e mëparshme të ballafaqimit, dyshim katundari dhe mënjanësi, të përftuara nga nëpunësia në shtet. Pastaj tha:
    - Po.
    - Si i kishit marrëdhëniet?
    - Të mira.
    M’u duk më i hequr dhe i lodhur. Gjithë ajo rrugë më këmbë mes malesh dhe mjegullave mbi përrenj për të ardhur deri këtu, që të dëshmonte:
    - E kemi kapur duke dëgjuar lajmet në Radio-Prishtina dhe në stacione të tjera të huaja në dhomën e tij, në shkollë. I mbante flokët të gjatë, ndiqte modën dhe në një mbledhje të këshillit pedagogjik për gjuhësinë na ka ngatërruar me Hitlerin. Tha rroftë. Duhet të edukojë vetë lënda e jo veç shembulli gjuhësor, fjalitë e saj propagandistike, kështu tha. Gabim. Ishte i çoroditur. Dhe s’dihej ç’shkruante. Nuk na i tregonte.
    Më pas u thirr dëshmitari i dytë, kushëriri i tij i zbërdhulët, si me borë të pashkundur, Mersin Tota. S’i kishte dalë frika. Si të ishte ai i pandehuri. Megjithatë s’donte të më akuzonte për asgjë.
    - Një herë, – e nisi ai dëshminë e vet, – kishte rënë zilja e mësimit në shkollë dhe ne, arsimtarët, si zakonisht, po rrinim në dhomën e jabanxhinjve…
    - Kush janë jabanxhinjtë? – e ndërpreu gjykatësi.
    - Mësuesit e ardhur nga rrethe të tjera, – u kruspullos dëshmitari aq sa ç’mundet një njeri më këmbë.
    - I pandehuri aty ishte?
    - Po.
    - Vazhdo.
    - Te dhoma e tyre ne mbanim regjistrat e shkollës, shkumësat, hartat, aty mblidheshim në pushimet mes orëve të mësimit dhe, kur binte zilja, shkonim te pasqyra në mur për t’u parë, a ishim në rregull, se do të dilnim përpara nxënësve. Unë po krihesha dhe erdhi pas meje ai… Mënjanova kokën, që të shiheshim të dy në pasqyrë, për të mos humbur kohë, por ai më tha: “S’ka gjë, jo, pasqyrohem edhe duke qenë pas, je i tejdukshëm”. Pra nuk kisha tru, ngaqë jam nga Veriu, jemi të trashë ne, kurse jugorët jo. Lexonte libra, ka mundësi edhe të ndaluar. Kaq. – Fjalitë e fundit i tha shpejt, si për të shpëtuar prej tyre ose ngaqë i kishte mësuar përmendsh.
    Erdhi dëshmitari i tretë, mësuesi i fillores, Shaban Jata, i zeshkët si ata që punojnë me qymyr dhe më i gjatë se dëshmitarët pararendës. Tha se unë i kisha thënë që s’jetohet në këtë fshat, varfëri e skajshme ekonomike, po, po “e skajshme”, nga ai e dëgjova të përdorur kështu këtë fjalë, e pastaj varfëria ekonomike të çon dhe në varfëri shpirtërore. Këtu njerëzit të përshëndetin në mëngjes: “a fjete?”, sepse është e pamundur të flesh prej shqetësimeve dhe anktheve se mos të bëjnë keq o do që t’i bësh keq dikujt. 24 lekë të vjetër dita e punës. Sa për të blerë një paketë cigaresh “Partizani” e një shkrepëse. E theksonte “Partizani”, jo si paketë, që kushton fare lirë, se te ne çmimet janë të ulëta, por për tjetër gjë. Ishte i hidhët.
    - Duhani? – ndërhyra unë.
    - I pandehur, merr leje, – tha gjykatësi. – Përgjigju, dëshmitar.
    - I hidhët ishte ai. Një ditë ia mbylla radion, e kishte hapur në stacionin revizionist titist të Prishtinës.
    Kurse dëshmitari i fundit, Ejup Hoxha – në ballafaqimin në hetuesi nuk ma kishin sjellë – shok fakulteti, meqenëse kishte filluar punën e ëndërruar në kabinetin pedagogjik, mbante mend nga unë, me habi, se i paskësha thënë që qëllimin edukativ të një ore mësimi nuk e mendoja më parë, por e krijoja në çast, duke parë nga dritarja: nëse binte shi, kërkoja të donim shiun, dhe, po të shihja kuaj, të adhuronim kuajt, kështu shkruaja në ditarin tim mësimor. Dhe vërtet ashtu. Sepse jetonim mes natyrës dhe nuk e njihnim atë, nuk e donim dhe jo siç tha dëshmitari, me synimin për të qenë apolitik e se s’punoja që të ngjallja dashurinë e nxënësve për Partinë dhe socializmin në fshat.
    Pyetjes së gjykatësit në kisha gjë për të thënë për dëshmitarët dhe vërtetësinë e dëshmive të tyre (poeti Frederik Rreshpja është në burg, tha ai, në Spaç, nuk e sollëm, po kemi dëshminë e tij me shkrim. Ta lexojmë, pa praninë e tij? – si të doni, thashë, m’u bë e njohur në hetuesi, dhe ata e lexuan… Jevtushenko… Gjergj Fishta… një kartolinë armiqësore etj.). Unë iu përgjigja se marrëdhëniet e mia me dëshmitarët i kam pasur normale, të mira, kështu besoja. Mbaj mend të kem ngrënë bukë nëpër shtëpitë e tyre. Të tjerat i kam harruar, thashë. U dëgjuan pëshpërima. Malësorët, kur të futin në shtëpi, të kanë bërë mik dhe miku është i shenjtë. Nuk pritet në besë. Doja të thosha “sipas Kanunit”, por nuk e thashë.
    Prokurori u ngrit në këmbë me vrull dhe bërtiti:
    - Politika në plan të parë. Të mos lejohet i pandehuri të bëjë propagandë dhe agjitacion edhe në gjyq.
    Gjykatësi u kthye nga unë dhe me qetësi tha:
    - Vazhdo, i pandehur.
    Mora frymë thellë…
    - Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.
    - Ke qenë i cenuar, je prekur, i pandehur? – më pyeti gjykatësi.
    - Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar. Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni, i çdo poezie qoftë, përkundrazi. Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit.
    Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte.
    - Vazhdo me dëshmitarët, i pandehur, – m’u drejtua mua, – nëse doni të sqaroni.
    - Po, – dhe e kapa fillin tjetër të çështjes. – Edhe mund të ketë ndodhur të dëgjoj radion në stacione të huaja, pa pasur frikë as nga muzika e botës, as nga lajmet, duke besuar te forca jonë. E ç’do të më bënin ato? Edhe Radio-Prishtinën e dëgjoja, pa e marrë për stacion të huaj. Por dua të sqaroj, unë s’kam pasur radio, më mungonte mjeti që ta bëja atë krim. Ishte radioja e shkollës. Sa për incidentin, po jepej një informacion për agresionin kinez në Vietnam dhe, kur dikush deshi ta mbyllte radion, unë s’desha: “jo, ta dëgjojmë”, – thashë. Është stacioni i Prishtinës, – m’u kthye ai i mrrolur. Flitej një shqipe letrare, shumë herë më e saktë se ajo e dëshmitarit, si në Radio-Tirana, ndoshta kjo bëri që të mos e kuptoja siç e kuptoi ai. A ka ndonjë gjë të keqe këtu? – Gjykatësi përsëri e ndaloi prokurorin e xhindosur, le të më linte të flisja. – Kurse për sa i përket çështjes së pasqyrës, se ku janë më të zgjuarit, – vazhdova, – unë nuk dyshoj, se ata janë kudo, siç janë dhe jo të zgjuarit kudo, pra s’kemi bërë një debat të tillë, veçse atë shakanë, që të nesërmen dëshmitari, po ashtu, e përsëdyti me mua. S’kam komplekse jugore. Kanuni dhe Gjergj Fishta janë nga Veriu. A jam akuzuar se i adhuroj? Atëherë… Tjetër, në fshatin ku punoja, s’kishte kuptim dhe mundësi të ndiqja modën. Pata gjithmonë po ato rroba të 3-4 vjetëve më parë. Dhe në një vend ku s’ka berber, flokët edhe rriten, kjo është arsyeja e flokëve të mi të gjatë.
    - Po të tjerët ku qetheshin? – m’u bë e njëjta pyetje banale si dikur, në një nga netët e hetuesisë.
    - Te mullixhiu, – thashë thjesht. Gjëmoi biruca nën dhe nga e qeshura me të madhe e hetuesit. “Ti je i poshtër”, – gajasej ai. Nuk e kuptova në po qeshnin edhe tani në sallë. – Kam shfaqur pakënaqësi për varfërinë në fshat, kam thënë: s’jetohet kështu e jo këtu. Për varfërinë jam përgjegjës si të gjithë. Gjithmonë besoj për më mirë…
    - Jo, – bërtiti prokurori. – Gënjen! Ne jemi mirë dhe shumë mirë. Ai është përgjegjës për armiqësinë e tij, – dhe tundi gishtin kërcënueshëm….
    - Unë isha mësues, detyrë që e kam kryer mirë dhe me dinjit…
    - Për të mbuluar armiqësitë e tua, – më ndërpreu prokurori duke përsëritur hetuesin.
    - Kurse si poet, – ndërrova kahun e fjalës sime mbrojtëse për të dalë atje ku po sulmohesha, – unë nuk besoj se poezia përmbys shtete, kur nuk i pret dot yryshin një prokurori. Aq më tepër poezia e pabotuar… Aktekspertiza që kanë bërë… ç’rëndësi ka se kush, çudi si janë lejuar të vendosin më përpara se gjyqi në jam ose jo unë armik, me ç’të drejtë?!
    Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan. Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:
    - Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez. – Ju doni të më dënoni me supozime.
    - I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.
    - …kundër është ky gjyq! – Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli.
    - …dhe ne kemi lënë pa çuar nëpër shkolla të larta bijtë tanë, – bërtiti prokurori. – Ja si ia shpërbleu Partisë dhe popullit. Shokë qytetarë, – vendosi të bëhej më i shtruar dhe më bindës, – armiqësia e tij vërtetohet katërcipërisht. I pandehuri bie vetë brenda. Poezitë e tij janë armiqësore me qëllim, jo pa dashje, as nga padituria, sepse ia dhamë shkollën e lartë. S’ka arsye tjetër, – dhe u ul. Si i zemëruar edhe me trupin gjykues.
    Ma kishin thënë që në hetuesi, ishin penduar për shkollën time të lartë dhe po kërkonin të ma konvertonin në burg… Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura. “…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin dhe nxori nga dosja e tij një copë gazetë me ca shkarravina të miat mbi titujt e djegie me cigare anash dhe shkumëzoi:
    - Shikoni si i ka fyer vajzat tona oficere ky armik këtu! – Vërtet kisha shkruar diçka kundër virgjërisë, por s’e kisha me profesionin, qoftë ky dhe i ushtarakeve. Asgjë s’ndryshoja dot e as zhbindja. – Ja, një poezi tjetër e tij e tmerrshme, ku kërkon të hedhë nga dritarja Profesorin. – Është e vërtetë? Vrasës! – Ç’t’u thosha, që ishte metaforë? Që jam kundër pedagogjisë vrastare? – Ja, dëgjoni…: Gjithmonë kam ëndërruar të hedh nga dritarja/ kufomën e gjallë të Profesorit… E kush është ky? Ai që të mëson me mësimet e partisë e ti kërkon ta flakësh. Profesor ka qenë dhe udhëheqësi ynë i ndritur… që… Por të flakim ne më parë… ti… jo… sepse… pushoni! Qetësi! Do t’ju nxjerr përjashta.
    - Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt.
    - Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta. (Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.) – Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq. – Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast.
    Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Doli nga salla, ndoshta për të marrë vendimin, duke pirë kafe në një nga dhomat e brendshme, s’dihej në ç’kat të Dënimit, kurse mua m’i vunë prangat menjëherë.
    Ripërsëriteshin me gjëmim ato që kishte bërtitur prokurori në fund: paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe kërkoj heqje lirie… sa vjet sa, 10, për mua? Duke marrë parasysh moshën  e tij të re, – shtoi, – edhe  heqjen e së drejtës elektorale… heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit, të botimit… po heqjen e kokës…?
    …Gjithë salla po priste më këmbë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:
    - Gjyqi do të vazhdojë nesër, – dhe trinia e tyre u kthye vrikthi për të dalë.
    U hapën dyert, të gjitha dyert. Njerëzit, para se të iknin, kthenin kokët nga unë, ndalnin, vinin ata që kishin qenë në fund për të më parë, i shtynin. S’pata që s’pata nga familjarët e mi. Më mirë…
    VISAR ZHITI

    Wednesday, February 22, 2012

    Komunist i Parisit Parisit, në burgjet komuniste të Tiranës

    Nga Gjergj Titani* Ymer Dishnica ka qenë një nga figu rat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të PKSh dhe LANÇ-it. Ai u lind në fshatin Dishnicë më 21.2.1912, 4 km afër qytetit të Korçës. Ymer Dishnica është moshatar me pavarësisë kombëtare. Ai është një nga veprimtarët më të shquar antifashistë frankofonë të Shqipërisë. Njerëzit si Y.Dishnica kishin cilësi të ralla kulturore, komunikative e propagandistike bindëse. I edukuar në një ambient fshatar por edhe qytetar si Korça apo Evropian si Parisi dhe Franca kishte aftësi bindëse të çuditëshme. Ai nuk ishte njeri i nënështruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt. Ministri i Shëndetësisë i qeverisë të parë demokratike shqiptare. Anëtar i KQ dhe Byroja Politike e PKSh, antari Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Besnik i kauzës antifashiste dhe komuniste dhe bindjeve të tij të cilat i kishte përqafuar që shumë kohë para formimit të PKSh kur ndodhej në Francë. Më pas, Ymer Dishnicën e përjashtuan nga KQ i PKSh dhe Byroja Politike dhe kështu filloi kalvari i tij i gjatë i të përndjekurit politik. Pas shkollës së mesme, Ymer Dishnica u nis për në Francë ku do të studionte tetë vjet në Universitetin e Lionit dhe më pas atë të Parisit për mjekësi (1932-1941), duke u lauruar e specializuar për patologji. Ai në ato vite kurrësesi nuk mund të mos vizitonte Tyleritë dhe muzeumin e famshëm të Luvrit sidhe muzetë e shumtë të Parisit dhe qyteteve të Francës. Arkitekturën klasike dhe moderne të Francës. Ai vizitoi teatrot dhe galeritë e shumta të arteve të "kryeqytetit të botës". Gjatë qëndrimit në Francë doktori i ri ka qenë për tetë vjet anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe drejtues i komunitetit antifashist shqiptar. Gjatë qëndrimit në Francë, si njëri prej drejtuesve të atij komuniteti së bashku me Nako Spirun, Qamil Çelën, Sejfulla Maleshovën, e shokë të tjerë, ka organizuar protesta të fuqishme në mbështetje të popullit spanjoll kundër rebelimit fashist të Frankos dhe mbështetjes të vullnetarëve shqiptarë që luftonin në Spanjë si: Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Justina Shkupi që ka punuar spitalet dhe infiermieritë me doktor Betynin e famshëm "Mjekun e tre kontinenteve" e shumë të tjerë. Madje pati edhe shumë dëshmorë nga luftëtarët shqiptarë. Ymeri ka pritur e përcjellë vullnetarët shqiptarë për në front. Të parin ndër ta ai ka takuar Petro Markon e më pas edhe të tjerët. Gjatë ditëve të prillit 1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Ymer Dishnica me shokë, emigrantë, punëtorë dhe studentë shqiptarë që bëheshin disa qindra, organizuan manifestime të fuqishme dhe shkruan protesta e pamflete të fuqishme në gazetat dhe revistat e emigracionit shqiptar dhe atij të huaj si dhe botuan në shtypin antifashist francez. ...Kishte filluar LANÇ e popullit shqiptar për jetë a vdekje. Shumë shpejt policia sekrete e pushtuesve ra në gjurmët e aktivitetit politik të doktor Ymerit, kështu ai ishte i detyruar të kalonte në ilegalitet të thellë. Angazhohet në një aktivitet shumë të dendur e të rrezikshëm si kuadri kryesor në veprimtarinë drejtuese të Qarkut të Korçës dhe në këtë kohë u kooptua si anëtar i KQ të PKSh. Në Konferencën e Parë ANÇ të Pezës më 16 .9. 1942, Ymer Dishnica si delegat i PKSh, luajti një rol të rëndësishëm organizativ, sidomos në marrëdhëniet e ndërsjella me personalitetet nacionaliste. Ymer Dishnica gjatë kësaj kohe shpalosi fuqishëm të gjithë talentin e kapacitetet e tij intelektuale dhe organizativoteorike. Në Konferencën në Mukje, Ymer Dishnica kryetar dhe Mustafa Gjinishi përfaqësonin forcat e majta dhe Frontin NÇ, kurse Ballin Kombëtar e krysonte Mitat Frashëri . Këta biseduan gjerë për problemet e Luftës së përbashkët kundër pushtuesit dhe Shqipërisë etnike. Pikërisht për qëndrimin korrekt në këtë mbledhje, u akuzua për oportunizëm dhe u ndëshkua vetëm doktor Dishnica. Në Plenumin e Helmësit (maj,1944), ku nuk ishin të pranishëm as gjysma e antarëve të KQ të Përhershëm të PKSh, ndëshkuan vetëm Ymer Dishnicën. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacional Çlirimtal të Përmetit (maj 1944), u zgjodh antar i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar për shëndetësinë, që kishte atributet e një Qeverie të Përkohëshme Popullore. Më 22 tetor 1944, në qytetin e Beratit u emërua ministër i Shëndetësisë i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë e cila hyri në Tiranën e çliruar më 28 nëntor 1944. Së bashku me profesor Sejfulla Maleshovën, doktor Ymer Dishnica, Dhimitër Shuteriqi, poeti Mark Ndoja, publicisti Shefqet Musarai, shkrimtari Petro Marko por edhe me At V. Prenushin, Andrea Xegën, Dhimitër Paskon, Nexhat Hakiun, Sterjo Spasen, Vedat Kokonën, Selaudin Toton etj, një pjesë e të cilëve më pas u burgosën dhe u persekutuan, krijuan për herë të parë në Shqipëri, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe morën vendim të botohej revista "Bota e Re", "Letërsia jonë" etj. Sejfulla Maleshova së bashku me doktor Ymer Dishnicën, pritën deri në mesnatë, në sallën e kinema "Kosova", shkrimtarin sovjetik me famë botërore Ilia Erenburg, të cilin e shoqëronte dramaturgu frengo- folës Hetem Haxhiademi. Por kjo shkëndijë demokracie dhe lirie sociale u mbyt shumë shpejt nga regjimi diktatorial. Në vitin 1947, Ymer Dishnica, për shkaqe thjesht politike, shkarkohet nga detyra e ministrit të Shëndetësisë. Me dëshirën e tij, doktori heq dorë përfundimisht nga politika, veshi bluzën e bardhë të mjekut patolog dhe filloi punën në spitalin e Tiranës (1948) dhe punonte si pedagog në shkollën e mesme mjekësore. Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet familjarisht nga Tirana për në Berat ku punoi si drejtor i Drejtorisë të Shërbimit Shëndetësor, në spital dhe në ambulancën e qytetit. Në qershor të vitit 1955, për ironi të fatit, me porosi të vetë kreut të piramidës partiake, arrestohet dhe dënohet me gjashtë vjet heqje lirie me akuzën për agjitacion e propagandë kundër shtetit!!! Pas një viti, me ndërhyrjen e njeriut që ndihmoi shumë financiarisht për krijimin e PKSh, xhaxhait të tij Esat Dishnica, i falet dënimi i mbetur (!), por kjo "falje" u shoqërua me një tjetër vendim çnjerëzor të Komisionit të Dëbim-Internimeve. Ky organizëm vrastar stalinistoenverist e internon doktor Dishnicën në qytetin e Beratit për një afat pesë vjeçar. Y. Dishnica, ndonëse i internuar, pra i persekutuar politik, ishte njeriu më i vlerësuar, më i respektuar nga populli i thjeshtë i qytetit dhe pacientët e tij të shumtë. Gjithsesi, ai mbeti familjarisht atje ku ishte, i izoluar dhe i mbikëqyrur ashpër nga organet e Sigurimit të Shtetit, deri në kohën e përmbysjes të diktaturës së Enver Hoxhës dhe klikës së tij.

    Vata - Sukaj ne kampin e "Vllaznise"

    Xhevahir Sukaj, një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë në gjysmën e parë të sezonit dhe një nga golashënuesit më të mirë të kësaj skuadre, ka analizuar gjendjen që po kalon momentalisht ekipi shkodran. Përmes një lidhje telefonike nga Irani, sulmuesi ka pohuar se i gjithë faji i situatës negative te kuqeblutë bie mbi teknikun Rudi Vata. Përtej mërive personale, ai e cilëson si një të metë të punës së Vatës, kjo për shkak të klimës aspak të favorshme që po kalon skuadra. Edhe pse nuk është më pjesë e Vllaznisë, Sukaj pohon se ka informacione të hollësishme mbi gjendjen që po kalon skuadra shkodrane.
    Deklarata - “Për mendimin tim i gjithë faji për situatën që po kalon ekipi është i teknikut Rudi Vata. Ai nuk po di sesi ta drejtojë këtë skuadër. Sipas meje, Vata nuk po bën një analizë të detajuar të situatës nga takimi në takim dhe të marrë masat. Kur barazuam më Bylisin, në takimin e parë që tekniku Vata drejtoi Vllazninë, nuk dëgjuam asnjë analizë nga ana e tij. Asgjë për sa u përkiste gabimeve në mbrojtje apo te përgëzimet për ata që shënuan në sulm. Sakaq, më pas, tekniku doli në media duke kritikuar lojtarët për gabimet e tyre. Është krejt normale që mbrojtësi do të gabojë, por ekipi duhet edhe të shënojë. Kjo atmosferë dhe të tjera si këto e dëmtuan rëndë skuadrën dhe funksionimin siç duhet të grupit. Mendoj se bashkia dhe drejtuesit e saj duhet të ndërhyjnë në drejtim të rregullimit të kësaj situate, e cila është me të vërtetë problematike. Mua sinqerisht më vjen keq që Vllaznia gjendet në këtë situatë, ndaj shpresoj që shumë shpejt ndoshta që sezonin e ardhshëm ajo të kthehet aty ku i takon”, thotë Sukaj.
    Largimi - Sukaj u largua nga ekipi në merkaton e janarit. Por, më parë, ai ishte pezulluar nga drejtuesit pas mosaktivizimit në takimin e javës së 10-të, pikërisht ndaj Skënderbeut për kampionat. Kështu për largimin, lojtari fajëson drejtpërdrejt teknikun Vata. “Vllaznia më mungon shumë. Megjithatë, mund të them se në Iran gjërat po shkojnë mjaft mirë për mua. Në skuadër më duan dhe, gjithashtu, ambienti përreth. Më vjen keq që deri tani Vllaznia nuk e ka gjetur zëvendësuesin tim. Ardhjet e Morenos apo të tjerëve janë thjesht dështime. Ka qenë mendimi i teknikut Vata që unë të largohem nga skuadra, ndërsa mund të them se drejtuesit e klubit më ndihmuan në këtë largimin timin për të Iran. Unë shpresoj që shpejt të jem te Vllaznia. Mendoj se këtij ekipi do t’i mjaftonin që të ktheheshin vetëm lojtarët që vetë ka nxjerrë, që të arrihej ajo që ai popull dhe ai tifoz i mrekullueshëm pret prej vitesh”, shton sulmuesi. Kombëtarja – Futbollisti, i cili ka qenë pjesë e zboreve të ekipit tonë përfaqësues, tashmë përmes Iranit pret që të bëhet pjesë e organikës së Kombëtares edhe në ndeshje zyrtare. Sinjalet pozitive për një thirrje të këtij lojtari me ekipin përfaqësues duket se mund të mbërrijnë së shpejti, pasi siç mësohet shkodrani është në fokusin e teknikut të ri. “Për çdo lojtar është një kënaqësi që të jetë pjesë e ekipit përfaqësues. Për mua, kjo është maja më e lartë, ndaj besoj dhe shpresoj që shumë shpejt të rikthehem tek ekipi përfaqësues. Por e di që, për këtë duhet të bëj më të mirën, në radhë të parë me skuadrën ku tani bëj pjesë”, përfundon Sukaj.
    Gafa ndaj Skënderbeut
    Sezoni aktual i Xhevahir Sukaj është njollosur nga vetë ai, në mënyrë krejt të pakuptimtë, para ndeshjes së kampionatit me Skënderbeun. Ai nuk pranoi të zbriste në fushë pa marrë një pagesë paradhënie. Kjo gjë bëri që Vllaznia ta humbiste dhe, më pas, drejtuesit të merrnin masa me pezullim dhe gjobë për të. Në merkaton e janarit, nisur edhe nga ky dënim, Sukaj iku në Iran.
    Vata ul tonet: Keqdashësit, jashtë klubit
    Tekniku Rudi Vata duket se tani më shumë se kurrë kërkon të ulë tonet me drejtuesit më të lartë të klubit. Pasi ishte shprehur se ka njerëz që s’e duan dhe që po e pengojnë atë dhe Vllazninë për të ecur përpara, ai ka theksuar se këto nuk kanë të bëjnë fare me klubin shkodran. “Kam theksuar se ka njerëz që s’më duan dhe nuk e duan progresin e këtij klubi. Por dua të theksoj se këta njerëz nuk janë pjesë e klubit. Ka shumë të tjerë jashtë që po ndikojnë negativisht me shumë mënyra në këtë klub”, ka dashur të sqarojë Vata. Mesa duket, kanë qenë këta të cilët nuk ia kanë plotësuar për 15 mijë euro dëshirën trajnerit Vata që të sillte në Shkodër një sulmues si Dimo, por edhe shumë afrime të tjera.
    Bashkia shet aksionet, diskutim në këshill
    Këshilli Bashkiak i Shkodrës pritet që të mblidhet në fund të muajit, takim gjatë të cilit do të diskutohej dhe çështja e aksioneve të kësaj skuadre. Në mbledhje ishte programuar të diskutoheshin përqindjet e aksioneve që do të shiten, si dhe vlera e tyre. Do diskutohej gjithashtu edhe për njohjen e atyre që kanë hedhur para për këtë skuadër gjatë viteve që e kanë drejtuar. Mirëpo, nga informacionet e marra së fundi pranë Këshillit Bashkiak mësohet se, me gjasa edhe në këtë mbledhje zor se këshilli do merret me klubin e futbollit, duke parë që në rend dite është buxheti i vitit 2012, i cili do zërë vendin kryesor në debate. Në këtë buxhet pritet të shikohet edhe shuma që drejtuesit e bashkisë kanë vendosur për klubin e futbollit, por edhe për klubet shumësportësh. Pra, as për muajin e ardhshëm nuk do të ketë ndonjë lëvizje në drejtim të afrimit të aksionarëve në klub.
    Sykaj, si mbrojtës i djathtë
    Arsen Sykaj pritet që të jetë pjesë e formacionit në takimin me Skënderbeun. Ndonëse një nga më të kritikuarit e teknikut Rudi Vata pas humbjes me ekipin e Laçin, nuk flitet të ketë ndonjë masë për sa i përket mosaktivizimit të tij. Mbrojtësi mendohet që të luajë në të djathtë të mbrojtjes dhe jo në rolin e tij natyral, atë të qendërmbrojtësit. Megjithatë, deri nesër, tekniku Vata mund të ndryshojë shumë nga planet e tij për përcaktimin e formacionit.
    Anti-Skënderbeu ka ende dilema
    Vendosja e ekipit si në takimin me Adën mund të mos jetë një barometër, për të thënë se Vllaznia mund të ketë të njëjtën pamje edhe në përballjen me korçarët. Nisur nga burime të brendshme, tekniku ende nuk e ka skicuar formacionin me të cilin do të luajë në ndeshjen me Skënderbeun, duket lënë të hapur në çdo sektor të fushës dilemat për formacionin. Sakaq, të gjitha këto vijnë jo vetëm nga mungesat në skuadër, por edhe nga organika e varfër.
    ADMIR URUÇI