Nga: Lorenc Vangjeli
Tre aleatët e Partisë Socialiste në një analizë të rezultatit zgjedhor të 8 majit dhe funksionimit të koalicionit opozitar. Çfarë parashikojnë për të nesërmen, fati i Edi Ramës, reforma e mundshme elektorale, roli i aleatëve, koalicionet e mundshme në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, si duhet të reagojë Partia Socialiste dhe çfarë duhet të bëjë opozita për të ardhur në pushtet në tre intervista me pyetje të përbashkëta
Mbas furtunës që pason si gjithmonë fushatat elektorale në Shqipëri, kësaj rradhe si rrallë herë, duket se është rivendosur një lloj “paqeje” politike. Opozita duket se është pajtuar më faktin që votohet, por i grabitet fitorja. Si e gjykoni ju këtë situatë?
SKENDER GJINUSHI Kjo është qetësi e rreme, e rreme dhe e dëmshme për Shqipërinë dhe vetë opozitën. Të heshtësh dhe të tolerosh vjedhjen publike të votës, do të thotë të pajtohesh me faktin se Shqipëria është e dënuar të mos ketë zgjedhje me standarte evropiane edhe mbas 21 vjetësh gjojademokraci, do të thotë se vullneti i një njeriu të papërgjegjshëm që ka uzurpuar pushtetin është mbi vullnetin e popullit. Do të thotë se për disa vlen më shumë fati i Saliut sesa fati i Shqipërisë dhe katër milion shqiptarëve. 8 maji dëshmoi se manipulimet dhe vjedhja e votës vijnë me urdhër politik nga lart dhe jo nga mungesa e kulturës demokratike të publikut apo nga mungesa e reformave. Këshillat që po dëgjohen tashmë për reformë zgjedhore mbas 8 majit, bëhen vetëm për të shtrembëruar të vërtetën për zgjedhjet, bëhet për të thënë se nuk e ka fajin Saliu që grabiti votën në shkelje flagrante të Kodit, por e ka fajin Kodi që lejon të shkelet për të një qindtën herë prej qeverisë dhe KQZ-së së qeverisë. Bëhet për të thënë mos ndryshoni qeverinë që vjedh, por kodin që “lejon” vjedhjen. Dhe meqenëse qeveria vjedh, ashtu si në kohën e komunizmit, këshilla për reformë kamuflohet me slogane se partitë duhet të heshtin para vjedhjes së votës sepse kështu vënë interesin vetjak mbi atë të përgjithshëm kombëtar. Ne si PSD nuk njohim interes më të madh kombëtar se vota e lirë dhe e ndershme, sepse vota është baza e demokracisë. Vota e lirë ndan demokracinë nga diktatura. T´i këshillosh sot opozitës vetëpërmbajtje, dialog apo pseudoreforma me një pushtet që dhunon vullnetin e publikut, në emër të integrimit apo stabilitetit, është njëlloj sikur në vitin 1990, kur kërkohej pluralizmi politik, të këshilloje shqiptarët për vetëpërmbajtje. Sepse, meqenëse regjimi komunist ishte kapur fort pas pushtetit dhe ishte gjakatar, atëherë do të ishte më e udhës që të hiqej dorë nga kërkesa për zgjedhje të lira dhe të pritej deri sa regjimi të binte vetë. Për ironi të fatit, sot, ka njerëz që presin që Saliu të largohet me vullnetin e tij që të vendoset demokracia në Shqipëri. asnjë opozitë reale dhe serioze nuk mund të pajtohet me një situatë të tillë, nuk mund të pajtohet me një qeveri që vjedh çdo ditë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, që vret qytetarët në mes të Bulevardit, që deformon vullnetin e çerek milioni votuesish në kryeqytet me votat e gabuara të KQZ-së. Sot jemi në situatën më të rëndë postzgjedhore. Deri dje kishim probleme gjatë zgjedhjeve, por ndërkohë kishte dhe kontestim, kësaj radhe u eksperimentua vjedhja më spektakolare apo ndryshe, grabitja transparente dhe nuk ka kontestime nga opozita. Madje jemi në situatën që opozita i lutet grabitësit që të bëjnë reformë që rradhës tjetër, në zgjedhjet e ardhshme, të mbajë dorën dhe të mos grabisë më. Eshtë e pamundur të ndalet manipulimi i votës nga ky pushtet me reforma të këtij pushteti. Nuk sigurohen bankat duke reformuar sistemin e sigurisë nën drejtimin e Guvernatorit hajdut. Pa rivendosjen e votës së lirë në themel të sistemit, çdo lloj qetësie është shprehje e rënies së demokracisë në koma. Kjo gjë mund të kënaqë vetëm mjekun roje që gëzon se i sëmuri nuk ankohet më. Këtë lloj kënaqësie mund ta shohim tek misioni i OSBE-së në Tiranë që nga vëzhgues i zgjedhjeve, është shndërruar në mbulues të vjedhjeve, në diferencë me vlerësimet e profesionistëve të ODIHR-it që nuk ju nënshtruan presionit politik.
PASKAL MILO Padyshim, që Partia Socialiste, si forca më e madhe opozitare ka detyrën dhe të drejtën që të mbajë barrën kryesore të opozitarizmit pas zgjedhjeve. Unë mendoj se janë dy faktorë që kanë vendosur këtë “paqe” politike: së pari, fakti që PS është në momentin e ripërcaktimit të kursit të saj politik dhe të strategjisë elektorale në funksion të zgjedhjeve të ardhshme elektorale, së dyti, fakti që shpresat se komuniteti ndërkombëtar do të ndërhynte për një zgjidhje për çfarë po ndodhte dhe për të dhënë drejtësi në fund të procesit në gjykimin e rezultatit të Tiranës, u venitën dhe sollën zhgënjim dhe përgjumje në PS. Po kështu, stina e verës përgjithësisht ka shërbyer si një pushim i përkohshëm për t´u përgatitur për betejën politike të vjeshtës.
PETRO KOCI Nuk gjykoj se opozita është pajtuar me vjedhjen e votës dhe nuk besoj se ka paqe me padrejtësinë. Paqja me padrejtësinë mbetet një histori e 21 Prillit 2008. Opozita tashmë ka projektuar një iniciativë politike shumë të rëndësishme për vendin dhe shoqërinë në prag të sezonit të ri politik: Projekt-Reformën për Shtetin, pra një reformë kushtetuese që shpëton vendin nga krizat e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe nga kriza e marrëdhënieve të qytetarit me politikën. Berisha është alarmuar nga kjo iniciativë dhe po bën pushime të shqetësuara. Kushtetuta dhe Kodi aktual politik përbëjnë kalin apo fronin e pushtetit ku ai ka hipur. Reforma kushtetuese rrëzon kalin apo shkallmon fronin ku qëndron kryeministri. Pra, opozita, as nuk është nënshtruar e as nuk po revolucionarizohet në programin e saj politik. Mendoj se po merr timonin e ndryshimit.
Çfarë mendoni se shkoi mirë dhe çfarë mendoni se shkoi keq për opozitën në këto zgjedhje që fitorja e saj e paralajmëruar si referendum popullor nuk konsiderohet si i tillë, të paktën nga kundërshtari juaj politik?
SKENDER GJINUSHI Kundërshtari ka kohë që ka zgjedhur të bëjë festë kur e majta ka fituar realisht me votë. Kjo është një sëmundje e Saliut që nga referendumi i dështuar për kushtetutën e tij të vitit 1994. Fatkeqësisht, ai feston kthimin e humbjeve në fitore nëpërmjet shitblerjeve në të majtë dhe në segmente të tjera të shoqërisë e politikës. Saliu nuk e ka mundur të majtën me vota, por ka arritur të ndajë dhe çajë atë duke bërë diversion brenda saj. Të njëjtën gjë që po bën edhe sot. Zgjedhjet e 8 majit ishin triumf i opozitës sepse ajo arriti një fitore edhe më të thellë se në 2007-ën, çka dëshmon se kjo qeveri nuk ka fituar as në vitin 2009. Në këto vite, qeveria ka pasur vetëm suksese për veten dhe dështime për qytetarin. Zgjedhjet ishin triumf i opozitës sepse publiku ju përgjigj thirrjes së opozitës se vota ishte politike dhe se do të lexohej si një “Jo”, ndaj këtij regjimi. Zgjedhjet ishin triumf i opozitës sepse 8 maji bëri që të dështojë plani për shkatërrimin përfundimtar të opozitës dhe të PS-së për të zëvendësuar të majtën e vërtetë me LSI-në dhe të shitur të tjerë brenda PS-së. Rezultati final tregoi se pa LSI-në, fitorja në 2011-ën, ishte më e thellë se fitorja në 2007 me gjithë LSI-në, tregoi se e majta nuk mbeti në opozitë në 2005-ën dhe 2009-ën sepse nuk u bashkua me LSI-në, por sepse e majta e vërtetë u shit nga LSI-ja. Në këto zgjedhje, parashikimi i disave për fitore spektakolare të PD-së bashkë me të shiturit e të majtës në qytetet kryesore si në Durrës, Elbasan, Korçë dhe në Tiranë, doli një fiasko. Në këto zgjedhje, opozita, kjo shumicë e vërtetë popullore, e detyroi Saliun që pasi nuk i mjaftuan manipulimet e fshehta që realizoi, të urdhërojë grabitjen e mandateve në tavolinë duke treguar përfundimisht që në Shqipëri, zgjedhjet kanë vetëm një problem që quhet Sali Berisha, i cili tashmë, po detyron edhe miqtë e tij që ta shohin si një hajdut. Opozita gaboi dhe po gabon në shfrytëzimin e këtij akti fatal të shumicës, pakicë popullore. Opozita kërkoi për dy vjet me rradhë hapjen e kutive për të vërtetuar atë që provoi maskarada e zgjedhjeve në Tiranë se zgjedhjet manipulohen prej vullnetit politik. Tani që kjo u vërtetua, opozita kërkon reformë me hajdutin a thua se u kap ajo me presh në dorë dhe jo Ristanët e pushtetit dhe ustai i tij. Shumë negativ shoh dhe faktin që në PS, por dhe në një pjesë të opinionit publik dhe mediatik, më shumë i kërkohet llogari të vjedhurit sesa hajdutit. Eshtë e çuditshme sesi skandalet qeveritare kërkohet të korigjohen pa ndryshuar lidershipin e saj, ndërsa për gabimet e opozitës kërkohet të bëhen spastrime dhe ndryshime. Eshtë e çuditshme sesi disa kërkojnë largimin e Ramës sepse ai nuk mbrojti votën dhe pajtohen me qëndrimin në pushtet të Berishës që e vodhi atë. Eshtë revoltues dhe provokativ fakti që edhe fajin për ndarjen me LSI nuk e shohin tek e vërteta që LSI e ka shitur periodikisht elektoratin e majtë, por tek PS-ja që toleroi shitjet e tyre.
PASKAL MILO Koalicioni opozitar bëri hapa të rëndësishëm përpara në organizimin e tij në krahasim me vitin zgjedhor 2009 dhe si rezultat i këtij bashkëveprimi më të mirë, u arrit që të fitoheshin një numër domethënës bashkish të rëndësishme, veçanërisht dhe të quajturit bastione të PD-së. Opozita gaboi në maksimalizimin e votës duke mos përfshirë në koalicion edhe aktorë modestë politikë, të paragjykuar për të shkuarën e tyre siç ishte partia e H. Milloshit. Partia Socialiste përsëri nuk u dha hapësirë kandidaturave të partive aleate duke vazhduar të kandidojë një numër personash të konsumuar politikisht në elektorat dhe të seleksionuar mbi baza klienteliste dhe jo transparente. Një tjetër hap i gabuar dukshëm i opozitës ishte se ajo i kushtoi më pak vëmendjes punës dhe fushatës në komuna dhe fshatra. Për të mbërritur në Tiranë, opozita u fut me vonesë në fushatë dhe ndonëse paralajmëroi manipulimin e mundshëm të votave të kryeqytetit, nuk morri masat e duhura dhe nuk mundi të parandalojë ofensivën e paralajmëruar të maxhorancës në bastionet socialiste.
PETRO KOCI Ka shkuar keq ajo që opozita pati nënshkruar me Berishën në 2008-ën. Shpresa se një administrim zgjedhor dy partiak jep demokraci ka rënë. Me vjedhjen e mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Berisha rrëzoi marrëveshjen për Kodin dhe njëkohësisht marrëveshjen për ndryshimet kushtetuese. Zgjedhjet si votëbesim popullor dëshmuan se opozita ka fituar terren politik krahasuar me garat e mëparshme elektorale, pavarësisht se zgjedhjet vendore për specifikën e tyre zakonisht nuk japin një fitues të qartë ose tradicionalisht fitohen nga partitë në qeveri. Ne i fituam zgjedhjet, por humbëm një betejë për demokraci. Berisha “fitoi” me vjedhje transparente Tiranën, por humbi standartet ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Çfarë gjykoni se duhet të ndryshojë në aksionin opozitar, që ta bëjë më efikas koalicionin tuaj drejt pushtetit?
SKENDER GJINUSHI Opozita duhet të afrojë një zgjidhje politike konform votës së 8 majit e të situatës në të cilën ndodhet vendi. Më 8 maj u kërkua votë me sloganin “Kurrë më me Saliun!” dhe jo për të mbajtur edhe dy vjet Saliun në pushtet. Ky duhet të jetë boshti i qëndrimit opozitar, respektimi i kontratës së 8 majit me popullin. Shqipëria ndodhet në krizën më të rëndë politike, ekonomike dhe institucionale. Jemi i vetmi vend që na refuzohet statusi i vendit kandidat, kriza ekonomike thellohet çdo ditë duke ngushtuar dhe gërryer xhepat e qytetarëve, ndërsa qeveria flet për bum ekonomik. Korrupsioni qeveritar është shkaku kryesor i krizës, niveli i jetesës së shqiptarëve ulet çdo ditë edhe në raport me Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën, institucionet janë në konflikt të hapur me qeverinë dhe funksionojnë në kundërshtim me kushtetutën, Kuvendi nga vend i dialogut, përfundimisht është çerdhe e korrupsionit dhe burim konflikti. Opozita vetë nuk ka asnjë të drejtë thelbësore të garantuar realisht e praktikisht. Dhe sa më shumë flitet për dialog dhe reformë, aq më shumë thellohen këto probleme dhe aq më e zymtë bëhet kjo tablo e zymtë e vendit. Të gjithë e kanë të qartë se t´u thuhet shqiptarëve se me këtë qeveri do të luftohet korrupsioni, se me këtë qeveri do të bëhen zgjedhje normale, se do të ndëshkohen vrasësit dhe grabitësit, e dinë se ky është një mashtrim dhe poshtërim i madh. Opozita nuk duhet të bëhet palë në mbulimin e kësaj të vërtete të hidhur. Opozita është alternativë qeverisëse dhe jo bashkëqeverisëse. Opozita nuk ka për detyrë të mësojë qeverinë sesi qeveriset apo sesi të mos grabisë, por ajo i tregon popullit se pse duhet të largohet një qeveri që abuzon me mandatin dhe sesi ajo vetë, opozita, mund të qeverisë ndryshe. ..
(Vijon nga faqet 8-9)
...Shqipëria ka nevojë për zgjidhje urgjente dhe jo për t´u tërhequr zvarrë. Edhe 12 rekomandimet e BE-së këtë kërkojnë, zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilat me këtë qeveri vetëm sa rëndohen edhe më shumë, madje edhe me këtë taktikë gjoja bashkëpunimi të opozitës.
PASKAL MILO Aksioni opozitar duhet që të përfshijë qytetarin jo vetëm si një qenie fizike për të mbushur sheshet e protestave masive, por duhet ta bindë dhe ta afrojë atë me alternativën e saj qeverisëse. Veçanërisht, këtej e tutje, duhet të bëhet një punë intesive me votuesin e zonave rurale ku opozita ka humbur terren. Gjykoj se PS duhet të ndryshojë qëndrimin e saj nënvleftësues ndaj partnerëve të saj natyralë dhe historikë. Dhe ky duhet të jetë një ndryshim në thelb dhe jo thjesht në formë. Aleatët nuk duhen parë si rivalë për vota, influencë dhe pushtet, por si partnerë me objektiva dhe synime të përbashkëta. PS duhet të kuptojë se suksesi i ardhëm i koalicionit opozitar është i lidhur edhe me ndryshime në sistemin dhe kodin zgjedhor. Koha provoi se sistemi proporcional rajonal nuk i jep opozitës shanse për fitore. Maxhoranca ka partnerë të clët i ushqen me pushtet dhe infrastrukturë që ndikon në elektorat dhe në grumbullimin e votave. Që opozita të rrisë shanset për fitore, ajo duhet të mbështesë ndryshimin e sistemit duke futur elementin e korrektimit kombëtar dhe duke lënë listat e hapura me qëllim maksimalizimin e votës edhe nëpërmjet konkurrencës së brendshme.
PETRO KOCI E majta arrin rezultat politik dhe elektoral kur harmonizon luftën për pushtet me luftën për demokraci. Ky është thelbi i dallimit mes të majtës shqiptare dhe të djathtës. Kjo e fundit ka mbetur veç një makineri politike për pushtet dhe shfrytëzim barbar të tij në kurriz të demokracisë institucionale dhe të demokracisë socialekonomike. Tashmë opozita po dëshmon se do bëjë një luftë politike me alternativa ndryshimi dhe jo vetëm me presion politik ndërrimi. Zgjedhjet në Tiranë me ndërhyrjet e dhunshme të KQZ dhe të Kolegjit Zgjedhor shënuan fundin e një Republike dhe nevojën për ndërtimin e një Republike të Re. Fatkeqësisht deri dje opozita nuk kish arritur ta kuptonte këtë gjë, bile naivisht bashkëvotoi modelin Berisha mbi Kushtetutën. Koha po kërkon një model të ri. Opozita ka një mision: ndryshimin! Ndërtimi i ndryshimit rrëzon edhe Berishën. Ndryshimi nuk ndërtohet me dhunë as me deklarata revolucionare. Duhet projekt dhe strategji, mençuri dhe vendosmëri, organizim dhe shumë punë!
Eshtë folur shpesh për një front kundër qeverisjes së zotit Berisha, mendoni se mund të zgjerohet apo rrudhet në të nesërmen koalicioni i kryesuar nga PS-ja dhe nëse mendoni se mund të zgjerohet, cilët do të ishin aktorët e tjerë që do të mund të përfshiheshin?
SKENDER GJINUSHI Në rast se opozita del qartë me një platformë për zgjidhje politike, qeveri e paanshme që merr përsipër përgatitjen e zgjedhjeve me standarte evropiane në vend, që nuk prodhon dhe mbron korrupsionin, që nuk ka konflikt interesi me gjyqësorin, që garanton një paketë reformash reale dhe jo demagogji dhe antireformë, atëherë do të mund të krijohej pa vështirësi një front nga më të gjerët në Shqipëri. ajo do të ishte mbi të gjitha, një platformë me mbështetjen e mbi 60 për qind të shqiptarëve dhe me mirëkuptimin e të gjithëve.
PASKAL MILO Koalicioni opozitar mund të zgjerohet në rast se do të merren në konsideratë edhe mendimet dhe sugjerimet që përmenda. Si element i forcimit dhe zgjerimit të tij, nuk duhet parë vetëm shtimi i partive në koalicion, por dhe programi i tij, strategjia dhe taktikat elektorale që do të ndiqen. E po kështu, edhe fryma që do të karakterizojë koalicionin, mesazhet që përcjell partia e madhe në elektorat për aleatët e saj. Sigurisht, zgjerimi i koalicionit është një nga faktorët kryesorë nëse opozita synon vërtet pushtetin, por njëkohësisht, ajo duhet të bëjë edhe kompromise të dhembshme brenda dhe jashtë saj. Sentenca e njohur, “Kurrë mos thuaj kurrë”!, para së gjithash, është e vlefshme në politikë. Eshtë më mirë një kompromis historik dhe transparent brenda të majtës sesa të bëhen llogari për parti që pritet të krijohen. Në fakt, siç ka dëshmuar dhe koha, rrjedhjet nga PD-ja nuk kanë qenë të suksesshme.
PETRO KOCI Më intereson fronti për kauza dhe më pak frontet kundër apo me Berishën. Fatkeqësisht njerëzit nuk pyesin se për çfarë je, por me kë je! Kauzat e drejta dhe parimore me interes strategjik ndërtojnë fronte të mëdha dhe fituese. Mund të t´ja mbërrish aleancave me parti, por aleanca më e madhe është ajo me shumicën e qytetarëve në nevojë demokracie. Nëse tashmë kemi një projekt për ndryshimin demokratik të Kushtetutës atëherë, pavarësisht koalicioneve partitë do duhet të respektojnë konseguencën parimore. Për shembull, LSI-ja nuk i thotë dot plaç ndryshimeve kushtetuese. E nuk ka nevojë të ikë nga qeveria për ta bërë këtë. Jam i bindur se shumica e socialistëve të vërtetë në LSI i thonë po kërkesave të grevës së urisë së dikurshme të përfaqësuesve të saj në parlament.
Ende nuk ka dalë raporti final i OSBE/ODIHR-it, si i gjykoni standartet e zgjedhjeve dhe a parakompromentojnë ato standartin e zgjedhjeve të pritshme të përgjithshme?
SKENDER GJINUSHI Këto zgjedhje ishin një eksperiment i sponsorizuar. Ishte hera e dytë që shqiptarët u detyruan të hyjnë në zgjedhje pa një reformë minimale dhe një konsensus formal pozitë-opozitë: hera e parë ka qenë në vitin 1996. Po kështu, ishte hera e parë që me zgjedhje lokale, tentohej të zgjidhej një krizë e gjithanshme e pushtetit qendror. Në këtë kuptim, as që nuk mund të priteshin standarte zgjedhore në 8 maj. Në këto zgjedhje u tejkaluan të gjitha standartet e vjedhjeve. Nuk e di se çfarë duhet të presim nga raporti i OSBE/ODIHR-it, kur e përjetuam vetë gjithçka ndodhi. Nuk ka asnjë standart evropian që këshillon përdorimin e tritolit dhe të dhunës gjatë fushatës, që këshillon regjistrim popullsie në servise makinash apo dublikime listash, që pranon për institucione demokratike një KQZ – bandë dhe një TVSH – 55.
Për ne nuk ka standarte zgjedhore me këtë qeveri. Vetë komuniteti ndërkombëtar është futur në një rreth vicioz sepse nga një anë kërkon reformë urgjente zgjedhore për të justifikuar vjedhjen e mandatit opozitar të Tiranës dhe nga ana tjetër, ka presionin për të rrumbullakosur raportin që të justifikohet gabimi i bërë për mos shtyrë zgjedhjet në kushtet ku u mbajtën. Dilema është e thjeshtë: nëse zgjedhjet ishin të mira, për çfarë do të nevojitej reforma? Dhe nëse nuk ka nevojë për reformë, si mund të justifikohen veprimet e KQZ-së dhe qeverisë për mangësi në kod?
PASKAL MILO Pa dashur që të ndikohem në vlerësimin tim nga gjykimet që kanë dhënë deri më tani ndërkombëtarët, mund të them se standartet e zgjedhjeve të 8 majit u kompromentuan rëndë në Tiranë dhe në mënyrën sesi u administrua procesi në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Nëse bëhet reformë zgjedhore thelbësore, jo bipartizane siç ka ndodhur deri më tani, por një reformë gjithëpërfshirëse, mund të ketë një shans për të nesërmen. Ndryshe, jam i sigurtë se në zgjedhjet e ardhshme, për vlerësimin e zgjedhjeve do të përdorim konceptin leninist “një hap përpara, dy hapa pas”. Që kjo të mos ndodhë, është i nevojshëm në mënyrë urgjente diskutimi i gjerë me të gjithë aktorët politikë dhe grupet e interesit për reformën zgjedhore.
PETRO KOCI Standartet u rrëzuan “me sukses”. Kemi një demokraci të papjekur. Duhet akoma investim politik dhe financiar ndërkombëtar për demokratizimin e demokracisë shqiptare. Në këto zgjedhje opozita hyri pa asnjë garanci. Kur them këtë nuk mendoj se kishte rrugë tjetër. Në zgjedhjet e ardhshme duhen garanci. Jo thjesht për opozitën, por për materializimin real të vullnetit zgjedhor të shqiptarëve në procesin elektoral dhe administrimin e tij. Unë besoj se vjedhja transparente e mandatit të Kryetarit të bashkisë së Tiranës e ka rritur konsensusin ndërkombëtar me projektet e opozitës, përfshi edhe Reformën Kushtetuese.