Wednesday, December 3, 2014

Prangosen 3 zyrtare dhe kryekomunari Gruemires

Policia ka vënë në pranga pasditen e se martes kreun e komunës Gruemirë dhe 3 zyrtarë të tjerë lokalë për qarkun e Shkodrës për shpërdorim detyre. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi Gjykata  e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë me burg ndaj tyre.Bëhet e ditur se të arrestuarit janë Lirim Nehanaj, Kryetar i komunës Gruemirë në Shkodër, Asim Burgaj, ish-kryeregjistrues i ZVRPP-së në Shkodër,
 Fatmir Tepelia, përgjegjës në Drejtorinë e Administrimit të Tokave dhe  Rruzhdi Handraj, inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave për Qarkun e Shkodrës.
Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës nisur në fund të vitit 2013, rezulton se këta shtetas, në kundërshtim me detyrat e tyre funksionale, kanë hartuar, miratuar dhe regjistruar prona të ndryshme në komunën Gruemirë në emër të personave që nuk u takonte tokë në bazë të ligjit 7501, duke krijuar mundësi reale për mbivendosje pronash, të cilat passjellin konflikte ndërmjet banorëve.
Më konkretisht, shtetasi Lirim Nehanaj, në cilësinë e Kryetarit të Komunës Gruemirë, ka shpërndarë vërtetime për përfitim të tokës në bazë të ligjit 7501 në disa fshatra të komunës në favor të disa shtetasve. Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë Shkodër rezulton se në këto fshatra nuk është ndarë asnjëherë tokë në bazë të ligjit nr.7501, pasi nuk kanë funksionuar asnjëherë komisionet përkatëse. Pavarësisht këtij fakti, nga ana e kryetarit të Komunës janë dërguar pranë Drejtorisë së Administrimit të Tokave në Qarkun Shkodër vërtetime për disa persona, në të cilën shënohet “Për regjistrim, meqënëse ky dokumentacion është plotësuar konform ligjit “7501 për tokën” dhe akteve ligjore dhe nënligjore në zbatim të tij”. Nga verifikimet ka rezultuar se janë të paktën 10 praktika deri më tani me këtë shënim nga ana e kryetarit të komunës Gruemirë, për toka me sipërfaqe disa dhjetra mijëra metra katrorë. Nisur nga fakti se në fshatrat e komunës Gruemirë nuk kanë funksionuar asnjëherë komisionet e ndarjes së tokave, krahas veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, po kryhen verifikimet edhe për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave” nga ana e shtetasit Lirim Nehanaj.
Për shtetasit Fatmir Tepelia dhe Ruzhdi Handraj, përkatësisht përgjegjës sektori dhe inspektor në Drejtorinë e Administrimit të Tokave në Qarkun Shkodër, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, për shkak se: Në bazë të detyrave të tyre funksionale, këta shtetas duhet të kryejnë verifikimet për çdo rast vërtetim për regjistrim të tokave nga ana e drejtuesve të komunave. Në rastin e vërtetimeve të përcjella nga ana e kryetarit të komunës Gruemirë, të dyshuarit Lirim Nehanaj, këta shtetas nuk kanë kryer asnjë verifikim. Kjo konstatohet lehtësisht, nga fakti se vërtetimet e përcjella nga ana e të dyshuarit Nehanaj nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore. Gjithësesi, këta shtetas, pavarësisht se nuk kanë kryer asnjë verifikim, kanë hartuar dokumenta që ia kanë dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Shkodër, për lëshimin e vërtetimeve të pronësisë në emër të personave që ka përcjellë kryetari i komunës Gruemirë.
Gjithashtu, në vijim të hetimeve për këto raste, Prokuroria Shkodër ka krijuar dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” edhe për shtetasin Asim Burgaj, i cili në kohën e regjistrimit të këtyre pronave ka qenë në detyrën e kryeregjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) Shkodër.
Në bazë të ligjit, ky shtetas, në cilësinë e kryeregjistruesit, për çdo rast që përcillet nga ana e Drejtorisë së Administrimit të Tokave e Qarkut duhet që, para se të kryejë regjistrimin, duhet që të publikojë në një hapësirë publike kërkesat e mbërritura nga Drejtoria e Administrimit të Tokave për një periudhë 45-ditore. Kjo periudhë është e përcaktuar nga ligji për të shqyrtuar reklamimet/kundërshtimet e mundshme mbi ndarjen e tokave dhe pronave të ndryshme. Në kundërshtim me këtë përcaktim ligjor, ky shtetas, në cilësinë e kryeregjistruesit, i ka regjistruar tokat në fshatrat e komunës Gruemirë brenda të njëjtës ditë që ka mbërritur aplikimi nga ana e Qarkut Shkodër ose një ditë më pas. Në këtë mënyrë, ka shmangur çdo mundësi për reklamim të mundshëm për ndarjen e tokave në fshatrat e komunës Gruemirë, por edhe në zona të tjera.
Nga verifikimi i dokumentacionit, rezulton gjithashtu që, në vërtetimet e pronësisë së nënshkruari nga kryeregjistruesi, hapësira e tokës që u është dhënë personave të ndryshëm është, në disa raste, më e madhe se sa ajo që ka ardhur nga vërtimi i Komunës Gruemirë dhe i Drejtorisë përkatëse në Qarkun Shkodër.
Mësohet se katër zyrtarët lokalë, akuzohen për “shpërdorim detyre” në procesin e ndarjes së tokave. Ka qenë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila ka kërkuar arrestimin e 4 personave të mësipërm dhe vendosjen e masës së arrestit me burg për ta në Gjykatën e Shkodrës.

No comments: