Sunday, June 23, 2013

Rama: Burgaj të ndërpresë flirtin me krimin. Meta: Kriminelët nuk i mbron dot as Saliu, as Flamuri dhe as Kuliçi

Ora 12:49 Rama: Forca kriminale kanë mbështetjen e Policisë

Kryesocialisti Edi Rama hodhi akuzën e parë për sot pas ngjarjes së Laçit, kur një simpatizant i LSI u ekzekutua pranë një qendre zgjedhore.
“Policia e shtetit nuk është në krye të detyrës. Forca kriminale me mbështetjen e policisë së shtetit janë hedhur në një operacion në orët e para
të mëngjesit. Ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje”, tha Rama. “I them drejtorit të përgjithshëm të policisë të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale,” shtoi Rama.  “Në të gjithë zonën e verit ka një përpjekje të tillë sepse ata e kanë kuptuar se edhe veriu po voton ndryshimin,” tha Rama.

Meta: Zëvendësdrejtori i policisë së shtetit mbështet kriminelët e PD

Meta deklaroi se mbështetësit e tij në zonën e Laçit janë “sulmuar nga banditë të Partisë Demokratike.
“Dje në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me z. Spartak Braho dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sidomos në Laç, në Mamurras, në Fushë Kuqe absolutisht banditët dhe kriminelët, të cilët janë aktualisht tani që po flasim ne përpara qendrave të votimeve të Mamurrasit dhe po u bëjnë presion qytetarëve për të treguar votën, janë me mbështetjen e policisë dhe segmenteve të policisë këtu dhe në kupolën e lartë të policisë së Shtetit.
Ne kemi fakte që Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të Partisë Demokratike, të cilët dalin me armë këtu e gjakosen dhe vranë një qytetarë të pafajshëm këtu sot para kësaj KZAZ-je.
Sali Berisha duhet të dijë mirë se ai që nga sot nuk është dhe nuk mund të jetë kryeministër i shqiptarëve, kjo histori ka përfunduar një herë e mirë. Me banditë e me gjak ai nuk qëndron dot, ai duhet të iki me çdo çmim dhe çmimin ai e zgjedhe vetë. Ne jemi për zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Ne jemi sot këtu dhe tani për të koordinuar dhe për të marrë gjithë masat për të mbrojtur votën e laçianëve, të popullit të Mamurrasit, të popullit të Fushës Kuqes, të Adriatikut e kudo.
Kjo histori ka përfunduar, Sali Berisha nuk është më kryeministri i Shqipërisë, ai nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. I paralajmëruam dje në mesnatë autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit dhe kjo gjë ndodhi. Për do gjë çdo gjë do të mbajë përgjegjësi Sali Berisha dhe banditët e tij të cilët nuk i mbron dot nesër as Saliu, as Flamuri, as Kuliçi dhe asnjë tjetër.
Ne i kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat, do të mbrojmë çdo votë dhe njerëzit të shkojnë të votojnë. Në Laç në Mamurras në Fushë Kuqe dhe në të gjithë Shqipërinë. Fitorja do të jetë plebishitare”, ka deklaruar Meta.
23 qershor 2013 (gazeta-Shqip.com)

No comments: