Tek
shkruaj këto radhë të vrerosura, kam përpara fotografinë e Megit,
25-vjeçare dhe me një bukuri dhe vështrim magjepsës. Megi u vra në
rrugë, nga një plumb kriminal kallashnikovi, që ndërpreu në mënyrë
absurde dhe të padenjë një jetë të shenjtë njerëzore. Një dhimbje e
thekshme për një familje që ka thurur mijëra ëndrra për atë vajzë.
Mijëra ëndrra të një vajze 25- vjeçare, që bëhen pluhur nga një vrasje e
ndyrë dhe e pakuptimtë.
Artur Zheji
Një dhimbje e pashërueshme në jetë të jetëve për një familje të
nxirosur padrejtësisht. Një dhimbje që do të vërtitet si mallkim mbi
jetët e asaj shtëpie që e rriti dhe po e nxirrte në jetë. Një dhimbje që
mallkon edhe jetët tona, të cilat nuk mund të jenë më po ato që ishin,
tani që Megi Jokiç është detyruar të banojë nën tokë.
Unë nuk e kam njohur kurrë Megin dhe ndoshta nuk do ta njihja kurrë,
por tek prezantohem me të, në faqet e një gazete që përshkruan vrasjen e
saj makabre dhe çnjerëzore, një tërbim i pafrenueshëm eksiton gjithë
qenien time. Ndjehem i çnderuar deri në palcë, që kjo zonjushë me sy të
bukur, u këput pa kuptuar dot se pse, në tokën e ftohtë të këtij dimri,
nga një plumb qorr i një krimineli.
Po sikur të isha unë? Sigurisht më mirë unë se Megi.
Po sikur të ishin fëmijët e mi? Mos do të themi më mirë Megi se fëmijët e mi?
Po sikur të ishin fëmijët tuaj o lexues? Përsëri do të na e nxinte goja më mirë Megi?
Vetëm nga ky test mjeran kuptojmë se sa poshtë kemi rënë si shoqëri,
se në çfarë niveli mizerabël ka rënë ndërgjegja jonë kolektive.
Egoiste, cinike e pafe dhe e pa din e iman!
Si mund të vritesh pa shkak në rrugë, në shtëpi, në lokal, në makinë e ngado?
Dhe duhet të themi se armët e vitit ’97 u mblodhën? Nga dalin kaq
kollaj dhe kaq vrastarë këta kallashnikovë të kudogjindshëm, që
publikisht thuhet se janë mbledhur?
Jo Zotërinj të politikës dhe të ofiqeve të larta, armët janë sheshit,
janë ngado dhe me çmim të lirë. Atëherë, ose t’i mbledhim ose t’i
liberalizojmë, që të vetëmbrohemi edhe ne. armatosja nuk është një
privilegj vetëm për vrasësit e këtij vendi. Sepse ai që grabit dhe vret e
ka ose e gjen fare lirë një armë dhe po shqeu derën e shtëpisë sime, pa
më thoni, me se dhe me çfarë do ta mbroj dot unë familjen time?
Me duar, apo me thikën e kuzhinës?
Me telefon?
Duke telefonuar policinë?
E para, nuk kam një adresë të saktë të shtëpisë sime dhe jo për fajin tim.
E dyta, nuk e di se për sa orë ja mbërrin, nëse mbërrin, në derën time policia shpëtimtare.
E treta, sa të vijë policia, nëse vjen dhe e gjen dot derën time,
grabitësi dhe vrasësi është larguar pa lënë gjurmë dhe si kumtohet
rëndom në deklaratat e policisë, është larguar në drejtim të panjohur,
duke kryer më parë çka kish për qëllim.
Bilanci i vrasjeve apo qërimit të hesapeve në këtë Vend të vogël,
është i frikshëm dhe më e frikshme është mosdijenia që kemi, nëse dikush
ka ndërmend të ndërmarrë një hap, disa hapa dhe hapat e duhura, për ta
ndaluar këtë hemorragji kombëtare gjakderdhjeje.
Të mbledhë armët ose të armatosë popullin!
Që populli, Ne Populli, të mbrohemi vetë ndaj banditizmit masiv që na ka zënë pritë në çdo cep të jetës sonë.
Vrasja e Megit nuk është një rastësi, nuk është një dukuri atipike,
porse një emër më shumë e një liste të gjatë, të neve popullit të vrarë
si të ishim qen rrugësh!
Sigurisht e parafytyroj që dikush apo disa rrudhin buzët duke e
klasifikuar këtë shqetësim si të ekzagjeruar, por le t’i hedhin një sy
fotografisë së Megit, apo qindra të tjerëve që janë këputur dhe do të
këputen nga plumbat e një ushtrie të mirëfilltë kriminale që bredh
rrugëve të qyteteve tona të pambrojtura. Sepse nëse nuk ka kundërmasa
energjike dhe të ‘egra’, për ta ndaluar këtë ekspansion kriminal, të
kësaj ushtrie kriminale që kërkon të kapë peng shoqërinë shqiptare, jemi
të gjithë pjesë e asaj liste, ne të shumtët që lëvizim pa eskortë.
Sepse kur dëgjon më pas vendimet e Gjykatave për vrasësit dhe
grabitësit, të zë dyfish tmerri. Shumë shpejt gjinden të lirë midis
nesh, të uritur për para, revansh dhe gjak.
Mos vallë duhet pra të kthejmë sytë nga rivendosja e dënimit me
vdekje, sipas parimit po more jetën time, Shtetit dhe Ligji të merr
jetën tënde prej maskarai?
Kam qenë gjithmonë kundër dënimit me vdekje, kulturalisht dhe
politikisht, por sytë e trishtuar të Megit dhe të viktimave të panumërta
të kriminalitetit të egër shqiptar, duan një drejtësi të Drejtë dhe të
Ashpër.
Ndoshta më të Ashprën!
Përndryshe një diktaturë e re, pa zëdhënësa dhe pa tavolina të
rrumbullakëta, por me Partinë e mirorganizuar të Krimit, po vendos dhe
do të vendosë pushtetin e saj faktik, si një Antishtet, që mjerisht
ushqehet, fuqizohet, bëhet e paprekshme dhe mbështetet tërthorazi nga
dobësia e thellë e Shtetit Shqiptar. Ky Antishtet vret dhe më pas blen
pafajësinë apo dënimet qesharake në Gjykatë, me paratë që i grabit po
kësaj shoqërie, duke e kalbur çdo ditë atë, duke thyer revoltën dhe
ndjeshmërinë ndaj të Keqes që na ka mbërthyer nga gryka.
Ndoshta frika e vdekjes, si pasojë e akteve të tyre vrastare, do t’i
frenojë ato pak çaste përpara se sa të marrin jetën e tjetrit.
Më mirë ta vuajnë frikën e vdekjes ata që përgatiten të marrin jetë,
se sa Megi dhe të tjerë, që ecin rrugëve të qytetit, pa e ditur që janë
ca qengja që shkojnë drejt thertores.