Sunday, July 1, 2012

Po Dom Nikollë Kaçorrin, zotërinj?

Alfred Lela
Komiteti shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, në një mbledhje të para dy ditëve (me dyer të hapura) ka piketuar në hartën e qendrës së kryeqytetit vendet ku do të ngrihen një radhë monumentesh, të cilat do të shënojnë shekullin e mëvetësisë së shqiptarëve. Monumenti i Pavarësisë do të vendoset në Parkun Rinia, diku në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Shtatorja e Mbretit Zog, diku në krye të Bulevardit që mban të njëjtin emër. Shtatorja e Hasan Prishtinës, në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit. Shtatorja e Ismail bej Vlorës, pas një rishikimi të kërkuar nga Komiteti, do të vendoset në lulishten ku kryqëzohet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Veç këtyre, kryeministri Berisha që kryeson Komitetin e 100- vjetorit, kërkoi edhe nderimin e figurave të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit dhe Bahri Omarit.
Fakti se qeveria ka vendosur të nderojë aktorë të dorës së parë të historisë së Shqipërisë, është në kohën dhe vendin e duhur.Poashtu, fakti që emrat janë disa e jo një luzmë pa krye e fund, është në fund të fundit një shenjë e mirë, gjithashtu. Nuk do të duhej asesi që procesioni tashmë qesharak i dekorimeve të bëhej huq edhe te monumentet e shtatoret. Cilësia, ndër të tjera, nderohet e çmohet pikërisht pse nuk është sasi. Por në këtë përkorë të Komitetit nuk mund të mos shkëlqente me mungesën një emër monumental, për të cilin me sa duket, megjithatë jemi ende në kohë, nuk ka vend në listën e etërve themelues. Është fjala për Dom Nikollë Kaçorrin, ipeshkvin katolik të Durrësit, zv/kryeministrin e qeverisë së parë, si dhe një prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë.
Nëse cilësinë e përcaktojmë edhe me anë të krahasimeve, mund të thuhet pa ngërç se Nikollë Kaçorri i rri fare mirë rendit të parë të burrave të mëdhenj ku qeveria ka futur Mbretin Zog, Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Ai, pa ndonjë zoritje, edhe simbolikisht, edhe kulturalisht, pozicionohet më afër Panteonit Shqiptar, nëse do të imagjinonim një të tillë, sesa tri propozimet e tjera, megjithë respektin për ta, përkatësisht: Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari dhe Bahri Omari. Ndoshta Kryeministri, ashtu si për monumentin e Kongresit të Lushnjës, i cili është propozuar të vendoset në qytetin ku u zhvillua takimi, ka ndërmend shtatore lokale për Kupin, Bajraktarin e Omarin. Imzot Kaçorri m’anë tjetër, e meriton shtatoren e tij në kryeqytet, dhe kjo për disa arsye. Ai përfaqëson atë kulturë oksidentale prej së cilës, në 45 nga 100 vite pavarësi, ne u ndamë përdhunshëm nga regjimi komunist. Gjithashtu, përfaqëson komunitetin e martirizuar të klerit katolik. Në fund, por jo më pak të rëndësishme, kryeministri Berisha duhet të gjejë dy pika përkitjeje me Imzot Kaçorrin. Nëse prifti katolik është firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, z. Berisha është firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike, të parës forcë antikomuniste në vend dhe, padyshim, një nga ngjarjet kulmore që shenjojnë harkun e triumfeve përgjatë 100 vjetëve të Shqipërisë së mëvetëshme. Përveçse firmëtarë, ata janë edhe kolegë: njëri zv/kryeministër dhe tjetri kryeministër në kabinetet që kanë qeverisur këtë vend.
Për të mos thënë atë tjetrën, se, si potencë kulturore dhe idealiste, burra si Dom Nikollë Kaçorri i gjen vetëm te kisha (në kuptimin që janë ndër varre, për të shmangur çdo keqkuptim).
Një borxh gjithashtu ia kemi ne të Republikës së Re, Tenzotit të Republikës së Parë. Eshtrat ia sollëm prej jashtë, por jo me dinjitetin e merituar. Ajo karroca rakitike në aeroportin e Rinasit që tërhiqte çantën e zezë e të përzishme me eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit do të qe mirë, si shenjë e shëndoshjes sonë qytetare e patriotike, të shndërrohej në pedanë, mbi të cilën do të ngrihej shtatorja e numrit dy të Qeverisë së parë.

Ilir Meta: Tregoj prapaskenat e zgjedhjes së Presidentit

Kreu i LSI: Më afër ishim me emrin e Zaganjorit.
“Nëse s’do kishte konsensus më 26 korrik, do mbaheshin zgjedhje”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, rrëfen procesin e zgjedhjes së Presidentit duke thënë se nëse nuk do të kishte konsensus më 26 korrik, do të zhvilloheshin zgjedhjet.
Duke folur në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në Vizion Plus, ai tha se më afër konsensusit palët ishin në rastin e zgjedhjes së Xhezair Zaganjorit.
A është e mundur çështja e zgjedhjes së Presidentit nga populli? Si mund të realizohet?
Ne mendojmë se eksperiencat e tri rasteve, të vitit 2002, vitit 2007 dhe aktualisht, kur Kushtetuta kërkonte një konsensus me 84 vota, ndërsa tani lejon që të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë dhe kur përsëri dëgjojmë që është apo jo Presidenti përfaqësues i popullit, e vetmja rrugë që kjo çështje të marrë zgjidhje përfundimtare, por edhe e vetmja mënyrë për të pasur një transparencë totale, është që Presidenti të zgjidhet nga populli. Secili që ka një ambicie për të shërbyer në postin e rëndësishëm të Presidentit të Republikës, të ballafaqohet me qytetarët, pa ndryshuar kompetencat apo në thelb sistemin politik që kemi.
Z. Arvizu deklaroi pak ditë më parë se kanë qenë tre persona që kanë vendosur për Presidentin. Ka qenë kjo një nga vërejtjet që ju kanë bërë të reflektoni me këtë propozim?
Unë jam krenar për këtë. Nuk ka asnjë shqetësim për këtë çështje, ashtu sikurse Presidenti i zgjedhur u vlerësua më shumë të drejtë edhe nga z. Reeker, si një mik i SHBA-ve. Ky është një vlerësim që edhe ambasadori Arvizu ma ka shprehur kohë më përpara për z. Nishani. Është një vlerësim që e kam gjetur te shumë aktorë vendas, por edhe ndërkombëtarë. Mendoj që z. Nishani është simbol i korrektesës institucionale dhe absolutisht zgjedhja e tij, pavarësisht se erdhi pas zhvillimeve të papritura, është një zgjedhje absolutisht legjitime.
Ka pasur një mendim që vjen nga afër opozitës dhe zotit Rama, në bazë të të cilit, maxhoranca dhe roli i LSI-së në tri raundet e para të zgjedhjes së zotit Zganjori nuk ka qenë shumë i sinqertë për arritjen e një konsensusi. Cili është komenti juaj?
Duhet të kemi në konsideratë që në momentin që doli emri i zotit Zaganjori, emri i tij doli nga përfaqësuesit e partive të maxhorancës, në orën nëntë të mbrëmjes, ku në orën nëntë të ditës së nesërme, Komisioni parlamentar përkatës duhet të bënte regjistrimin e kandidatëve. Nuk ishte luksi në drejtim të kohës për të hyrë në negociata pa fund. Ne kemi ardhur tek emri i z. Zaganjori me dëshirën për një mundësi të artë për konsensus. Ky ishte i vetmi qëllim.
Si do t’u përgjigjeni zërave politikë ndaj jush, të cilat thonë se gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ju keni bërë një lojë politike brenda maxhorancës, më pranë grupit të z. Basha për të mos zgjedhur zonjën Topalli si presidente. Ka ndonjë të vërtetë?
Nuk ka asnjë marrëveshje, as me z. Basha, as me znj. Topalli. Ka një marrëveshje me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha, dhe i kam qëndruar në të gjitha marrëveshjet në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar më të. Gjithçka është një aludim. Janë insinuata, janë hamendësime, por jemi në demokraci dhe ne i pranojmë dhe i respektojmë të gjitha këto. Absolutisht për ne çdo kandidaturë që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët, qoftë znj. Topalli, qoftë z. Bode, qoftë z. Ruçi, në rast se pranoheshin, për ne nuk ka asnjë problem, qoftë dhe z. Nano. Pra, LSI ka pasur vetëm një kriter orientimi në këtë proces, të jetë një proces konstruktiv, të kemi dialog, të kemi negociata, të kemi konsensus. Në rast se ne do të kishim atë shkallë civilizimi që do të pranonim një figurë politike të palës tjetër, le të themi absolutisht kjo do të ishte gjëja më e mirë. Sepse sa më shumë të ketë Presidenti, aq më mirë është, mendoj unë. Vendi mund të kalojë situata të vështira dhe natyrisht, figura e Presidentit duhet të jetë e mësuar me situata të tilla që të ruajë qetësinë dhe të japë një mesazh të ekuilibruar atëherë kur të tjerët i kanë gjakrat e nxehtë.
Sa pranë zgjedhjeve të parakohshme ishim?
Absolutisht që në rast se nuk do të zgjidhej Presidenti, do të kishim kaluar në zgjedhje. Kushtetuta ishte e prerë. Më 26 korrik do të shkonim në zgjedhje.
Përveç negociatave që dihen, a ka qenë një moment i caktuar në dy takimet me zotin Rama, ose edhe jashtë këtyre takimeve, që keni qenë me afër se kurrë për një konsensus?
Mendoj se arritja e një konsensusi maksimal ka qenë rasti i zotit Zaganjori, sepse mendoj se të dyja palët, këtu kam parasysh zotin Berisha, por dhe zotin Rama, do ta kishin të vështirë të pranonin një figurë politike të njërës palë, kushdo qoftë, pavarësisht nga respekti apo nga konsiderata që mund të kishin, pavarësisht nga respekti që zoti Rama ka për zotin Nishani, pavarësisht nga respekti që zoti Berisha ka për zotin Mejdani, apo zotin Nano, e kështu me radhë. Por, do të ishte e vështirë nga njëra palë pranimi i njërës palë i një kandidati politik të palës tjetër. Politika jonë ende nuk e ka arritur këtë stad për të arritur në këto zgjedhje, kur këto nuk i imponon Kushtetuta.
Meqë thatë që kishte më pak shanse për kandidatët politikë, zoti Nano ka pasur zero shanse?
Për të qenë i sinqertë, shanset e tij nuk kanë qenë të larta. Unë këtë e kam thënë dhe në takimin e zhvilluar me të kur ai paraqiti idetë e tij për arsye sepse përpjekja për të gjetur një President konsensual, sipas vlerësimit tim, e bënin të vështirë që zoti Nano të pranohej nga PD, nga zoti Berisha, pavarësisht nga deklaratat e vlerësimet e tij për figurën e zotit Nano, pasi në fund të fundit ka qenë rival historik i tij.
Zoti Majko ka shprehur rezerva për takimin tuaj me Ramën te Gjiri i Lalzit…
Mbrëmë unë kam ndjekur Super Marion, ju paskeni ndjekur Super Majkon. Nuk besoj se duhet të mërziten një politikan se dy politikanë takohen, pavarësisht se në kë shtëpi dhe në çfarë rrethanash.
Majko pyet nëse Rama shkoi te Meta për të kërkuar falje për ndonjë gjë, apo se ishte fiksuar për t’u bërë Kryeministër? Ka ndonjë të vërtetë?
Nuk arrij t’i kuptoj këto pyetje. Dy golat e Balotelit dje merituan të gjithë vëmendjen time.
Z. Meta, pse u bënë tani lëvizjet në qeveri dhe pse pikërisht këto lëvizje?
Besoj se i kam konsumuar disa prej arsyeve se pse. Është një riorganizim kapacitetesh, forcash në të gjitha frontet e LSI-së, qeverisja, Parlamenti e partia, dhe besoj se janë lëvizje të gjetura dhe do të hapin rezultatin e tyre.
Lefter Koka votoi kundër shkarkimit të Naços. Ju duhet ta zbërtheni këtë mesazh politik sot?
Unë e shoh si një reagim emocional ndaj meje, sepse Lefteri është tifoz i vendosur i gjermanëve, dhe unë i kisha thënë vazhdimisht që sot do të fitojnë italianët. Nuk shikoj ndonjë arsye tjetër.
Si ju duket Lëvizja e Nanos?
Çdo lëvizje e re është e mirëpritur, është pozitive. Politika ka nevojë për iniciativa të reja. E rëndësishme është që ato të jenë pozitive dhe t’u shërbejë proceseve integruese të vendit.
Është rikthyer Nano në politikë pas kësaj?
Nuk mund të bëj dot një vlerësim të plotë, por natyrisht që ai ka qenë aktiv kohët e fundit.
Keni filluar të mendoni për koalicionin e ardhshëm?
Jemi ende tepër herët.
E përjashtoni në mënyrë kategorike mundësinë që të keni një koalicion me PS në 2013-n?
Nuk më duket e natyrshme për të gjitha zhvillimet e deritanishme, por e theksoj se interesi i LSI-së është të respektojë këtë marrëveshje dhe natyrisht të bëj një bilanc të saj në kohën e duhur.