Friday, June 28, 2013

E ardhmja politike e Berishës

Ndoshta ka qenë vendimi më i vështirë i jetës së tij, ai i dy netëve më parë, kur Sali Berisha me staturën e një Burri Shteti mori përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit dhe deklaroi dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese në PD. 
Deri në muajin shtator, Berisha bëri të ditur se do të vazhdojë të punojë me përkushtim të madh në projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe në përputhje me statutin e partisë dhe do të qëndrojë në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku
dhe të ecim në udhëheqjen e tij drejt fitores së betejës më të afërt që na pret.
“Duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike të jem thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj”.
Lajmi është pritur me emocione dhe lot në selinë e PD dhe tek mijëra militantë që e kanë ndjekur atë direkt përmes televizioneve si dhe ata që ndodheshin në selinë e PD. Rrjetet sociale janë tronditur nga numri i madh i klikuesve dhe komentuesve po kështu edhe faqja e vetë Berishës. Brenda pak minutash, fjalimi i postuar prej tij në faqen e Facebook-ut mori 12 mijë klikime, ndërsa deri më sot ai është lexuar nga mbi 25 mijë qytetarë. 
Edhe nga humbja Sali Berisha di të dalë fitues. Ai bind këdo nga skeptikët armiq të tij brenda dhe jashtë vendit se qëllimi i tij nuk ishte aspak pushteti personal, por ecja përpara e Shqipërisë dhe në këtë kontekst, zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Berisha i provoi botës se ai ishte njeriu i fjalës së mbajtur. Në mënyrë sistematike, ai deklaronte se do të zhvillohen zgjedhjet me standardet më të larta ndërkombëtare, dhe ai e mbajti fjalën. Sot, raportet e OSBE-ODIHR, ambasadori amerikan në Vjenë, Bashkimi Europian kanë konfirmuar se, zgjedhjet plotësuan standardet ndërkombëtare duke pohuar në të njëjtën kohë se Sali Berisha është njeriu i fjalës së mbajtur. 
Kundërshtari i Berishës edhe pse fitues, doli edhe një herë para shqiptarëve dhe botës si një qaraman i neveritshëm, një frikacak dhe mosbesues, ashtu si ka qenë gjatë gjithë jetës së tij. Pas këtij procesi zgjedhor, të cilin ai kurrë nuk do të mund të realizojë në të ardhmen me këto standarde, (dhe për këtë do të jemi dëshmitarë të gjithë) e kanë të qartë tashmë se sa të drejtë kishin zyrtarët në Departamentin e Shtetit dhe Bruksel që e konsideronin Berishën si partnerin kryesor të tyre në Shqipëri. 
Edvin Rama, ka rastin që t’u kërkojë ndjesë ndërkombëtarëve dhe të gjithë shqiptarëve për një përpjekje tiranike për shkatërrimin e procesit zgjedhor, për lojërat e pandershme politike me KQZ dhe në fund, për akuzat ndaj kundërshtarit politik se do të vidhte zgjedhjet.

Momenti i vështirë

Në demokraci nuk ka fitues të përjetshëm dhe po ashtu edhe humbës të përjetshëm. Kësaj radhe i takoi PD të jetë humbësja e këtyre zgjedhjeve. Ndoshta është një nga momentet më të vështira të PD, që nga lindja e saj në dhjetorin e ’90. 
Kryetari i PD, deklaroi publikisht dorëheqjen. Në të vërtetë ka një debat që ka lindur dhe do të duhet të vazhdojë gjatë, nëse vota e 23 qershorit ishte vërtet një votë kundër Sali Berishës? Nëse do të ishte e tillë, njerëzit nuk do të dilnin në krah të tij, nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim në një entuziazëm të paimagjinuar. Nuk mund të ketë një shtirje të tillë dhe aq masive. Njerëzit e kanë mbështetur Berishën, por rezervat dhe pakënaqësitë, e dukshme dhe të padukshme flinin gjetkë, aty ku ne nuk ditëm t’i lexonim ashtu sikurse duhej përpara 23 qershorit. Ajo që mund të thuhet është se nuk ka pasur një votë të drejtpërdrejtë kundër Berishës. 
Nëse ajo deklaratë dorëheqjeje e dy ditëve më parë do të ishte fundi politik i Sali Berishës, ky do të ishte një fund i pamerituar për një Burrë Shteti si ai.  Në të vërtetë, Sali Berisha ka dhënë deklaratë dorëheqjeje, por jo tërheqjeje.  Dhe kjo duhet lexuar mirë përmes rreshtave të deklaratës së tij. 
Ata që janë gëzuar, kanë hedhur fishekzjarre, apo janë ekzaltuar në rrjetet sociale, pasi mësuan për lajmin e dorëheqjes duhet ta kenë të qartë se, Sali Berishën do ta kenë sërish përballë. Njeriu që udhëhoqi lëvizjen për shkatërrimin e diktaturës, ai që ngriti nga hiri, PD-në pas rebelimit të armatosur të ’97, ka provuar se është opozitari më i suksesshëm i provuar si i tillë nga koha. Ndoshta Berishës i ka ardhur ora e tij, për ta realizuar betejën me mjete të tjera dhe në kushte të tjera.
“Do të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj dhe ju lutem, të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është. Madje nga unë, Partia Demokratike, anëtarët dhe mbështetësit e saj nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalim lamtumire për faktin e thjeshtë, se ai do të ishte një fjalim, të cilin unë s’do të mund ta lexoja kurrë”. 
Nuk ka vend për pesimizën dhe as për demoralizim në radhët e demokratëve. Lotët janë shenjë dobësie dhe si e tillë do të ishin dhuratë për ata që kanë punuar dhe punojnë për të fshirë ekzistencën e PD. Kërkohet mobilizim, organizim dhe reflektim. 
“Ne jemi pushteti moral i këtij vendi. Eshtë e domosdoshme të qëndrojmë më të vendosur, më të bashkuar se kurrë, të vazhdojmë luftën. Detyra shumë të mëdha na presin për ta shndërruar çështjen tonë të drejtë në çështje të shumicës së shqiptarëve. Gjithë jetën time politike edhe në këto momente të veçanta, jam ndjerë dhe ndjehem i frymëzuar edhe krenar me secilin prej jush, me Partinë Demokratike, forcën tonë politike që pata fatin e madh që ju të më besoni drejtimin e saj për 22 vjet”, përfundonte Berisha.
Berisha e ka shkruar vetë të ardhmen e tij. “Në vijimin e betejës politike e kam të pamundur të heq dorë nga vendimi që unë kam marrë. Por i ftoj të gjithë ata që së bashku me energji, entuziazëm, vetëmohim dhe përkushtim të vazhdojmë të mbrojmë kauzën tonë, ta bëjmë atë kauzë të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve”. 
Re.Po

No comments: