Thursday, August 12, 2010

Nju Jork: Aksident i aeroplanit "Air Force Two" me zëv/presidentin Biden në bord

LONG ISLAND NY : Aksident serioz, ndodhi dje heret në mëngjes në një aeroport të Nju Jorkut, me aeroplanin presidencial në të cilin ndodhej Zv / Presidenti i SHBA-ës Joe Biden dhe anëtarë të familjes së tij. Nën/Presidenti Biden ka qenë për pushime në perlën e bregdetit njujorkes në Hampton, në një nga zonat ku gjenden parqet bregdetare më të shtrenjëta dhe më të bukura në Amerikë.
Pasi përfundoi pushimet u largua dje heret në mëngjes "me aeroplanin presidencial "Air Force Two" me zëvendës presidentin Joseph R. Biden Jr. në bord, cituan burime nga policia e Nju Jorkut, duke thënë se ai ishte i përfshirë në një aksident të vogël me asnjë të lënduar ose të vdekur. Vetëm dëmtime materiale të aeroplanit të parkuar.
Megjithse Shtëpia e Bardhë, deri tash nuk ka dhënë asnjë njoftim, policia e Nju Jorkut thotë se po bënë hetimet në një aeroport të Nju Jorkut, në periferi të tij, në Long Island, tha Francis S. Lani zyrtari i lartë i Forcave Ajrore nga SHBA-ës, duke shtuar se aeroplani presidencial "Air Force Two" Boeing 757 i zëvendëspresidentit të SHBA-ës, gjatë largimit nga aeroporti ka godtiur në kthesën e "marrjes së shpjetësisë" për ngritje, një aeroplan të vogël privat të mërkurën heret në mëngjes .
Aeroporti Gabreski në Suffolk County në bregdetin e Long Island - Nju Jork, u mbyll për disa orë, deri sa u largua aeroplani presidencial "Air Force Two" Boeing 757 i zëvendëspresidentit të SHBA-ës, dhe avioni bosh e i vogël që ishte dëmtuar u fut në një hangar aty afër./BEQIR SINA/
photo

Air Force Two

100 VJETORI I NANËS SONË SHQIPTARE !

Nga:

Daniel GAZULLI

Fritz RADOVANI

100 VJETORI I NANËS SONË SHQIPTARE !

“Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhanë një Nanë kaq të Madhe.”

Kardinali Paskal

E shihni këte Portret të qeshun e të lumnueshëm?

E dini ku asht le Nana Jonë Fisnike?

- Këtu, zotni mësues! Këtu! – nxitohet Kelmendi i vogël tue ndalë gishtin e njomë në hartë, diku në Veri të Shqipnisë.

– Pak ma andej…edhe pak ma andej…edhe pak, se edhe aty asht Toka jonë Shqiptare. E shikon aty ku lexohet Shkupi? Aty asht le Nanë Tereza!

Mandej mësuesi, si tretet për një çast në mendime, u drejtohet rishtas vocrrakëve:

- Aty asht Toka jonë. Pikërisht aty u le dhe luftoi për Atdhe Leka i Madh, Aleksandri i Maqedonisë. Ishte i biri i mbretit Iliro – shqiptar, Filipi II dhe i Olimbisë, një princeshës Ilire, e bija e mbretit të Epirit - Neoptolemi I. Leka i Madh asht Ilir, si Katrioti, Fishta, si Nana, si ti dhe unë.

Ajo tokë Shqiptare, që sot thirret Maqedoni, në veri kufizohet prap me një tjetër tokë shqiptare, Dardania, që edhe ajo mbas pushtimit nga sllavët u quejt Kosova. Aty gjendet Prizreni prej nga shkuen në Shkup familja Bojaxhiu. Gonxhja e vogel, asht lé me 26 Gusht 1910 në Shkup, prej prindëve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni. Kur ishte vajzë shumë e re shpëton përmrekulli nga sëmundja e tuberkulozit, që aso kohe fshinte njerëzimin nga faqja e dheut.

Për Gonxhen e re ai asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo i përkushtohet “mjerimit” material të njerzimit, skamjes, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, dhe asaj ma të randës nga të gjitha këto e në mbarë botën: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerëzore nga njeriu!

Nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928, Ajo shkëputët si meteor, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Por “Tereza e Krishtit fëmijë” nuk ndalohet ma, Ajo vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit tue u ndalë në një prej “mbretnive të vorfnisë”, pranë botës së panjohun të Indisë ku, shpati i Himalajave bie poshtë e pushon i zhytun në një skamje të dhimbëshme e gropë sëmundjesh të mënershme ngjitëse për njerëzimin. Në atë humnerë të shfarosjes së njeriut ndalet Ajo!

Nana e njihte përbuzjen, shtypjen dhe dëbimin nga njeriu i pashpirtë qysh fëmijë, kur populli i Saj ishte nën sundim të shkajut aqsa, tue folë për ato mizori sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta thonte se; “ .... edhe vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.). Po përbuzja nuk e kishte prekë zemren e saj, përkundrazi, në te ajo kishte mbjellë një dashuni që do të rrezatone në mbarë botën.

Bengal e Kalkuta janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948 arrin me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihej ndër kuvendet e Europës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Ajo, në vitin 1949 bahet shtetase Indjane dhe formon Kongregatën “Misioni i Dashnisë”, që u miratue edhe nga Vatikani, tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin gati askush nuk i besonte!

Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as ndëshkim...!”

Piksynimi i Saj asht pikërisht ai, që At Mëshkalla shkruen në vitin 1942: “Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht mësimet e Ungjillit dhe me theksue detyrën e ndërgjegjes me rrokë Fenë e Krishtit”. Poaty, vazhdon: “ ... zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë bahet fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen “thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë! Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë këte. Kemi shumë nevojë. Po Ajo, e Madhja Nanë, e kishte kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe muslimanve u lexonte Kuranin, Induve u jepte uji nga Gange, e katolikët i kungonte”. Ja edhe fjalët e Saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për gjithmonë: “E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të bahet një katolik ma i mirë”.

Ma të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë, siç thonë disa mendjeshkurtë , po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë besimesh e kombësishë, që mblodhi streha e Saj, se i tillë ishte brumi me të cilin Ajo arriti me gatue dashuninë për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran apo rracor. A nuk kishte ndodhë po kështu gjysë shekulli para saj me të madhin At Fishta, që në shkollat e tij kishte nxanës nga të gjitha besimet dhe krahinat e Shqipnisë së zhytun në errësinën e padijes otomane?

Shumëkujt, pikërisht ndër ne, vllaznit e bijtë e Saj, shpirti edhe i birret tue nda në parcela ata që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.

Ajo asht shumë e sigurtë se do të mërrijë me u kuptue një ditë nga gjithë bota për këte vëpër që ka ndërmarrë për të mirën e njeriut, dhe koha provoi se vëndosmenia e Saj lidhej me diçka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut. Ndër të parët njerëz që arrijtën me kuptue Nanë Terezën ishte Xhon Kenedy, të cilit Ajo i kërkoi me e ndihmue me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi rregjimi komunist nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës se mbrenda 24 orëve mund të urdhënohet Tirana për me hy Ajo, por, “për Ju unë, nuk e këshilloj këtë veprim...” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe.

Ata e mohuen dhe ka që vazhdojnë edhe sot rrugën e tyne, pse Ajo, siç ka me u ngja brezave të ardhëshme do t’i duket porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja si askush në shekull të Saj, se kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri, shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve të braktisun, Nanë e Vertetë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem nga të katër anët.

Asht ajo kohë kur India e largët e vlerëson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru, i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të qeverisë.

Mahatma Gandi u thotë gazetarëve për Nanë Terezen:

“Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij..”

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Po në 1962, Filipinet, Tanzania, dhe pason Australia; Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet e reja në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam në vitin 1975.

Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohen nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa shifra e njerëzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmutë me gërbulë etj...kalojnë shifrën 6 miljon vetë.

Me datën 22 Gusht 1968 u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine...shkruen, Franca Zambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqë... Aty, Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga primja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit!”.

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf V: “Po përsëris, Madhni, aborti asht një vrasje!”

Dhe pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe ndjeva në zemër që prej tij kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’...”

Akademia që i dha Çmimin Nobel jo gjithmonë asht dallue për zgjedhje të paqortueshme. A nuk e moren atë çmim edhe nga ata që kishin derdhë gjak të pafajshmish? Vetë themeluesi i këtij çmimi, a nuk ishte pak “nobel” (fisnik) e se pasuninë e pamatë e kishte sigurue me barut për me ndezë luftnat e jo për paqë? Si po ndodh edhe sot ndër ne, kur çmimi “Nderi i Kombit” po u jepet edhe atyne që, si e thamë në fillim, historia “do të ketë keq e turp edhe me i përmendë”. Por, kur iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia, pa ma të voglin dyshim, pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexojsh motivaciononi: "per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin, që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.

Vorfëninë dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për paqen”, por “një kërcënim për paqen”, pa ate “edhe” të panevojshme. E një fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do mend, edhe denjitetin.

Ajo, imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DENJITET, të barabartë para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë që formojnë atë që na e quejmë “Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së pari, vorfëninë e mjerimin?

Janë shtetet që tashti kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivi dhe Gjermania Lindore. Në atë muej që ishte Papë Pali II, në vitin 1980, Ai takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashnisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.

Papa Gjon Pali II, me plot gojë mund të quhet se asht ndër Ata pak njerëz që arrijtën me kuptue Shejtninë e Nanë Terezes, qysh ku Ajo ishte në mes njerëzve në këte Botë, pikërisht kur, Ajo me duert e Saja, mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmutët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashnia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht aty ku, tue dhanë Shpirt, mes atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes, Papa Gjon Pali II, kur vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha:

“Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës seme!...” (4 Shkurt 1986).

Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban...?”... Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushonin për asnjë çast...

Papa përgjigjet: “E di Nanë Tereza, që shkon në Liban për atë punë, e di edhe pa studjue shumë libra. E di pse kjo, i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj...”

Për 24 orë, porsa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim...

Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit...

Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit.

Depërton në Moskë në 1987, në Çeki, Kamboxhia dhe Emni i Saj, tashma, ka pushtue pothuej gjithë skutat e globit njerëzor...

Në vitin 1989, ma në fund, vjen edhe në Shqipni...ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Duejni anmikun tuej...!” Nanë Tereza ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist...

Mbas vitit 1989 Nanë Tereza ka disa probleme të randa shëndetsore, por dëshira e Saj për të çue deri në fund Misionin e Madh, nuk e len me u terhjekë nga vështirsitë që i janë krijue nga shëndeti dhe, sigurisht, edhe nga mosha. Në vitin 1991 Ajo vjen prap në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera...Shqipnia, ndër të fundit shtete socialiste, asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, i cili, posa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Katedrales së dhunueme më 1967...Shqipnia asht vendi ku “Muri i Berlinit” s’ kishte ra ende!

Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme dukej sikur një prej veprave të artit, kur Jezu Krishti, me kamxhik në dorë, po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg...Por jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të Bekueme dhe asht Ajo që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX, jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore... E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane... Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën...Feja filloi shpejtë ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetet komuniste, tashti të lira e demokratike.

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumëpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shënon në kujtesën tonë historike ato çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II, dhe bashkë me Té asht edhe Ajo, që tashma gjithë Bota e quen “Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza”, për të cilën, Papa tha:

“Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej...”...

E, shka mundesh me i shtue kësaj frazë..?

Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës...

Edhe pse, Shqipnia u rikëthehët trazimeve më 1997, Ajo me ngulm kërkon Paqë... Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare... “...Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje...!” Sa domethanëse asht kjo fjali...sikur do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ato vuejtje që keni kalue...po kërkoni edhe ma shumë...?”. Megjithate, Shqipnia vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharrituna të Vlonës...sepse, komunistët nuk njohin demokraci... Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte Ramiz Alia nga Presidenca me datë 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet, tue brohoritë: “Me gjak...me gjak...!” dhe me të vertetë “me gjak...e me plumba ... kërkojnë me mbajtë pushtetin... !”

Dikush sot (tue qenë shqiptarë) thotë, se shtatoren e Nanës të mos e vendosim këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma ... e, dikush thotë: “Për turpin e tyne..!” – Jo, jo pra, kjo asht edhe për “turpin tonë”. Po Nana e Madhe vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku thonte për Nanë Terezen:

“Mendoj se zemren ia kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet që Ajo ndien për tjerët...”...E, kush janë “të tjerët..”? Një pjesë janë bashatdhetarë t e Saj... Ndërsa, shumica, – janë pikërisht, Ata që, tue qenë në mjerim, vuejtje, dhimbje...por tue ndje veten në duert e Nanë Terezes, janë “të lumtun”...kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli...Po, nën Sarin që sot valvitët rretherrotull globit tokësor...

Vepra e Nanë Terezes asht e pavdekshme e këte e tregon vazhdimsia e saj.

Sot janë 759 shtëpi të hapuna për ma të vorfnit e të vorfënve, ku shërbejnë mbi 5000 motra, tue mos harrue se edhe afro 1000 të tjera janë në prëgatitje për këte mision.

E nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mbrekullia e Nanë Terezes, ...po janë miljona njerëz të mjeruem, që kanë provue dhe provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!...

Po cili në botë nuk u mrekullue prej mrekullive që Nana i bani në të gjallë: kur ndali luftën me tërheqë të plagosunit, kur iu përkulen e i puthen dorën ma të fuqishmit e botës – të të gjitha besimeve e të të gjithë sistemeve? Pse ajo ISHTE. Pse ajo ASHT e DO TË JETË.

Papa Gjon Pali II ka thanë: “Nanë Tereza asht grueja që i dha trajtë Shekullit XX.

Ronald Regan: “Kishte fjalët në përputhje të plotë me jetën, diçka vërtetë e rrallë në botën e sotme.”

Mark Krasniqi: “Simbol i traditës sonë”.

Helmut Kohl: “Shembull i mirësisë së humanizmit njerzor.”

Indira Gandi: “Me u takue me Te, domethanë me ndje pushtetin e butsisë, forcën e dashnisë.”

Bill Klinton: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Toni Bler: “Shpirti i Saj do të rrojë si frymzim për të gjithë ne!”

Martin Camaj: “Legjendë e gjallë. Luftare kundër mjerimit njerëzor”

Shqiptarët, po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një Zemre të Madhe, që ka vend për Shqiptarë sa janë në mbarë njerëzimin pse, Ajo ishte, asht e do të mbesë në shekuj të shekujve NANA JONË E LUMNUESHME. Ajo ndërroi vërtetë jetë një ditë të largtë gushti, por nuk vdiq. Nana rron e do të rrojë në qenjen e në veprën e saj hyjnore.

Nana së shpejti mbush 100 vjet.

Mandej do të mbush dyqindë, njëmijë, dymijë .... Pafundësisht !

Gusht, 2010.

Wednesday, August 11, 2010

Filatelia Shqiptare : Tranzicion dhe gabime të patolerueshme

Një periodizimin që i bëhet filatelisë shqiptare një vend të rëndësishëm ze edhe periudha pas vitit 1990. Në këtë kohë, siç dihet, në Shqipëri u krye kalimi nga shteti i diktaturës së proletariatit në demokracinë pluraliste, nga centralizimi i çdo aspekti të jetës në liberalizimin e shumë gjërave, rrjedhojë e futjes së saj në rrugën e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Ndryshimet e ndjeshme që ndodhën kudo nuk mund të mos përfshinin edhe fushën e filatelisë.
Për t’i kuptuar më mirë këto ndryshime është e nevojshme të njihet e vlerësohet drejt raporti midis historisë së filatelisë sot me historinë e kombit në kuptimin e gjerë si histori ideore, etno-kulturore, shpirtërore. Ato janë të lidhura ngushtësisht midis tyre; e para është pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e së dytës. Filatelia, në tërësinë e vet, përfaqëson një sistem specifik që e shfaq veten të projektuar në kohë historike dhe në rend kronologjik. Nga kjo pikëvështrimi, skicimi i historisë së filatelisë sot kërkon një rivlerësim të vlerave më të mira filatelike shqiptare.
Dy-tre vitet e para të tranzicionit, 1991-1993, gjërat ecnin për inerci, sigurisht me lëkundje të mëdha, të përligjura për kushtet e kohës. Kështu, p.sh., një dukuri interesante u vu re në historinë postare. Meqënëse, si rrjedhojë e rritjes kudo të çmimeve, edhe tarifat për afrankimin e korrespondencës postare pësuan të njëjtën gjë, ndërkohë që vlerat e pullave ekzistuese ishin relativisht të ulëta, pasi ishin emetuar për t’iu përgjigjur kërkesave të mëparshme, dërguesi detyrohej të vendoste në zarf një numër të madh pullash. Ndodhte që një zarf që qarkullonte brenda vendit të kishte të ngjitura rreth 40 copë pulla, kurse për jashtë shtetit shumë më tepër, aq sa s’ kishte vend për të shkruar adresën e marrësit, sepse bardhësia e zarfit humbiste tërësisht nga vulat e shumta. Pra, pullat mbulonin njëra tjetrën.
Ndryshimi i parë i dukshëm në filatelinë shqiptare pas vitit 1990 ishte zgjerimi i mëtejshëm i tematikës së pullave. Si rrjedhojë edhe e ndryshimeve që u bënë në statusin dhe përbërjen e Komisionit Shtetëror të Pullës dhe të stafeve drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Postave, përcaktimet në tematikë filluan të bëhen më të menduara. Tanimë shumë tema që më parë konsideroheshin tabu, ose ishin të ndaluara kategorikisht të pasqyroheshin në pulla, dora dorës fituan të drejtën e qytetarisë.
S’ka më pulla të ndaluara...
Le ta argumentojmë këtë përfundim nëpërmjet një vështrimi të thjeshtë të katalogut të pullave të kësaj periudhe.
Fjala vjen, në qoftë se para vitit 1990 KSBE, Këshilli i Europës dhe NATO konceptoheshin si organizma armike ose, më e pakta, me të cilat vendin tonë nuk e lidhte asgjë, më 31 mars 1992 Shqipëria pranohet në KSBE dhe, me rastin e kësaj ngjarjeje, emetohet enkas një seri e veçantë pullash postare; pranohet në Këshillin e Europës dhe, më 29 korrik 1995, u bë e njëjta gjë, u emetua një emision për të; aspiron për t’u antarësuar në NATO dhe emeton dy seri pullash: më 25 prill 1999, i kushton një emision të posaçëm 50-vjetorit të krijimit të saj, kurse më 3 prill 2008 nxjerrë një tjetër seri kushtuar zyrtarizimit në samitin e Bukureshtit të ftesës për t’u antarësuar në NATO. Gjithashtu, në përgjigje të aspiratës së ligjshme të popullit shqiptar për t’u integruar në Europë, më 10 qershor 1992, emetohet një emision i titulluar “Drejt Europës”. Këtu po çel një parantezë. Pulla e këtij emisioni ka një gabim flagrant: flamuri i Bashkimit Europian, i vendosur në sfondin ngjyrë blu të pullës është bërë me 23 yje nga 12 që ka në fakt(!) Ky gabim dëshmon për kaosin dhe mungesën e plotë të përgjegjësisë që i karakterizonte organizmat përkatëse në vitet e para të demokracisë.
Duke vijuar më tej me liberalizimin dhe ndryshimet e dukshme në tematikë, shohim se, më 25 prill 1993, emetohet një emision i veçantë me portretin e papës Gjon Pali i Dytë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri; më 5 maj 1993; me rastin e 80-vjetorit të pullës së parë kombëtare shqiptare, emetohet një emision me portretin e Lef Nosit, ministër i Postave në qeverinë e Ismail Qemalit, por që u dënua dhe u ekzekutua pas çlirimit si kolaboracionist dhe anëtar i Regjencës në kohën e pushtimit gjerman; më 20 nëntor 1995, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, vihet në qarkullim një seri me dy vlera për yllin e muzikës rrok, Elvis Presli; më 25 dhjetor 1996, emetohet një pullë me portretin e Gjergj Fishtës, i shpallur armik dhe poet antikombëtar; më 25 korrik 1997, emetohet emisioni për Faik Konicën, që dikur gjithashtu shihej me sy të keq; më 28 nëntor 1998 del një emision kushtuar kardinalit Mikel Koliqi, ish-i burgosur politik në periudhën e socializmit; emetohen shumë emisione me portretin e Nënë Terezës, fituese e çmimit Nobel; për të vazhduar me emsionin e 15 marsit 1999 kushtuar figurave të shquara amerikane, presidentëve Uashington e Uillson dhe luftëtarit të mirënjohur kundër racizmit, Martin Luter Kingut; me emisionin e 10 qershorit 2007 me rastin e vizitës së presidentit amerikan Xhorxh V. Bush [George Ë. Bush] në Shqipëri; me emisionin e 22 prillit të vitit 2000, që evokon 2000-vjetorin e krishtërimit; me emisionin e 22 shkurtit 2001, me dy vlera, ku paraqiten dy figura të shquara të fesë bektashiane e kështu me radhë.
Në këtë kuadër vlen të theksohet se u thye edhe një tabu tjetër: për herë të parë në historinë e filatelisë shqiptare, përjashtuar Zogun dhe Enver Hoxhën, në emisionin me figura të shquara të sportit, emetuar më 3 qershor 2002, fiksohet në pullë portreti i një personi të gjallë, ngritësit të shquar të peshave, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Ymer Pampuri.
Natyrisht zgjerimi i tematikës ia rriti dimensionet dhe i dha më shumë frymëmarrje filatelisë shqiptare. Po kështu, vendosja e pluralizmit bëri që të hiqet dorë nga politizimi e ideologjizimi i pullave. Karakteristikë është se në këto vite nuk gjen, p.sh., asnjë emision që t’i kushtohet një force politike të caktuar, ndonëse jo pak të tilla kanë ardhur dhe janë alternuar në pushtet.

Vërejtje kritike për temat...
Por edhe pse është punuar përgjithësisht mirë, nuk mund të mëtohet se është arritur gjithçka dhe se s’ka vend për përmirësime. Është kjo arsyeja që filatelistë të ndryshëm dhe organi i Shoqatës së filatelistëve të Shqipërisë, revista Koleksionisti, në disa numra të saj, kanë botuar jo pak shkrime me theks kritik. Madje kjo revistë ka pasur një rubrikë të posaçme për këtë qëllim, të titulluar “Për pullat postare që emetohen nga Posta Shqiptare”.
Në këtë kuadër po kujtoj këtu një shkrim të autorit Beqir Ndrukaj, i cili ka marrë përsipër “të analizoj emisionet e vitit 1999, vetëm si tematikë”. Ai, pasi jep informacionin se gjatë vitit 1999 u emetuan gjithsej 18 emisione me 40 pulla dhe 4 blloqe, e konsideron të padrejtë raportin midis vendit që ze në pulla tema kombëtare dhe tema e huaj. “Për temat kombëtare gjatë vitit 1999, - shkruan ai, -u emetuan 7 emisione me 20 pulla të ndryshme dhe 2 blloqe, kurse për tema të huaja 11 emisione me 25 pulla e 2 blloqe. Kështu Posta Shqiptare ka prodhuar vetëm 39 përqind të emisioneve me motive kombëtare dhe 61 përqind me tematikë të huaj.” Ky konstatim ndeshet lehtësisht edhe po t’i referohemi disa viteve të tjera pas vitit 1990.
Vërejtje e kritika për tematikën e disa emisioneve janë bërë edhe në shkrime të tjera të Koleksionitit. P.sh., në nr. 6 të vitit 2000, bëhet vërejtje për emetimin e një pulle për kompozitorin Gustav Mahler (1860-1911), me argumentin se “emrin e tij nuk e lidh asgjë me Shqipërinë” dhe se “për të treguar elementë të lidhjes së vendit tonë me Austrinë ka mjaft tema të tjera nga historia dhe kultura jonë e përbashkët”. Në këtë kuadër do të sillja në vëmendjen e lexuesit edhe vërejtjen për emisionin kushtuar 100-vjetorit të rrethit çiklistik të Francës. Në shkrim shtrohet pyetja pse duhet kremtuar ky përvjetor, kur vetë posta franceze nuk e ka përkujtuar asnjëherë(?!)

Përmirësohet cilësia estetike...
Sigurisht paraqitja shumë më e mirë estetike është një dukuri e spikatur e pullave postare shqiptare pas vitit 1990. Kjo, nga njëra anë, falë teknologjisë së lartë tipografike dhe, nga ana tjetër, si rrjedhojë e një kujdesi të veçantë për t’u përballur me nivelin më të mirë të filatelive të vendeve të tjera. Deri në vitin 1994, siç është theksuar edhe më sipër, pullat shtypeshin në vend, në ish-ndërmarrjen kartografike në Tiranë. Pas këtij viti ato u prodhuan fillimisht në Zvicër, më pas në Mbretërinë e Bashkuar dhe deri në fund të vitit 2005 në Greqi. Duke filluar nga viti 2007, shtypja e tyre filloi të bëhet përsëri në vend, në shtypshkronjat “Ilar” dhe “Nënë Tereza”, në Tiranë. Emisioni i parë i shtypur në shtypshkronjën “Ilar”, datohet në qershor 2007, dhe është pikërisht ai kushtuar vizitës në Shqipëri të presidentit të ShBA-së, Xhorxh V. Bush.
E vërteta është se ka një dallim shumë të madh përsa i përket paraqitjes estetike midis pullave që janë vënë në qarkullim para vitit 1994 dhe atyre pas këtij viti e deri në ditët e sotme. Ndryshimi është i jashtëzakonshëm edhe në elementet aksesorë që shoqërojnë emisionet filatelike. Kështu, p.sh., ka vite që prodhohen cirkularë mjaft cilësorë për çdo emision veçmas dhe për të gjithë emisionet e një viti bashkë; vinjete, buklete e karnete të ndryshme etj. Duke filluar nga viti 1999 e në vazhdim, janë botuar albume shumë të bukur me të gjitha seritë e emetuara gjatë vitit, të cilat lehtësojnë së tepërmi koleksionimin e tyre.
Pullat e para 1990-ës...
Por edhe në këtë drejtim jo çdo gjë është e përkryer. Nuk mendoj, p.sh., se meriton këtë vlerësim pozitiv puna me zarfat FDC. Siç dihet, përpos pullave, për të përgatitur një FDC në parametra të lartë cilësorë, duhet që vetë zarfi që zgjidhet të plotësojë disa kërkesa si: lloji i letrës së përdorur për përgatitjen e tij, formati, kompozimi grafik etj. Por po kaq e rëndësishme është edhe realizimi i vulës së posaçme që vendoset mbi zarf. Duke parë zarfat FDC të viteve të fundit rezulton se: përmasat e tyre kanë ndryshuar disa herë, gjë që ua vështirëson filatelistëve koleksionimin. Po kështu, vulat e posaçme shpesh, kur preken me dorë, fshihen, bëhen të palexueshme, pasi janë vendosur me bojë të thjeshtë mbi zarfa me letër të shkëlqyeshme, kur dihet se, siç dëshmon përvoja, vendosja e vulave me seriografi është shumë më cilësore. Posta shqiptare e ka pasur këtë mundësi dhe në vite i ka realizuar me sukses vulat seriografike, ndërsa aktualisht ka hequr dorë prej tyre dhe zbaton një rrugë më të thjeshtë, por jo rezultative. Vite të shkuara, para 1990-ës, në disa raste Shqipëria është kritikuar si vend me mangësi jo të vogla në seriozitetin filatelik. Kjo për arsyen se, duke mos zbatuar si duhet rregullat e Bashkimit Botëror Postar, emetimi i pullave pati një fluks të madh. Atëhere, siç e theksuam edhe më sipër, nuk bëheshin studime rregullisht. Seritë emetoheshin shpesh, madje kishte raste edhe dy herë në muaj, me shumë pamje, të dhëmbëzuara e të padhëmbëzuara, me sasi të mëdha, sidomos të pullave të dhëmbëzuara, që ia kishin zili edhe shtete me popullsi sa njëzet herë ajo e vendit tonë. Ky është një fakt i njohur, madje i kritikuar edhe në shtypin vendas. Pullat e asaj periudhe, edhe sot pas kaq shumë vitesh, gjenden lehtësisht.

Dalin bashkë emetimet e dy viteve njërazi
Po aktualisht a konstatohen defekte që cënojnë seriozitetin filatelik të vendit? Po, ndeshen të tilla. Edhe pse duhet pranuar se janë bërë ndryshime thelbësore, ende ka probleme që meritojnë më tepër vëmendje. Një pjesë janë të akumuluara nga e kaluara, por ka edhe të reja, të periudhës pas 1990-ës. Në qoftë se janë bërë hapa të mëdha përpara për depolitizimin e pullave, gjerat e tjera nuk kanë lëvizur me të njëjtin ritëm. Për ta ilustruar këtë përfundim, po ndalem për një çast në një emision me tematikë nga bota, me katër pamje, me portrete të katër kompozitorëve të shquar. Ai u botua në vitin 1993, madje në pulla, veç të tjerave, shkruhet “Albania ’93", por, për neglizhencë të theksuar të administratës së postës, nuk u emetua në kohë. Për dy vjet ai mbeti në raftet e magazinës, ku e mbuloi pluhuri i harresës. U desh që ky qëndrim i papërgjegjshëm të bëhej problem nga filatelistët pa të vihej në qarkullim emisioni më 26 janar të vitit 1995. Jo pak mangësi u konstatuan edhe në veprimtarinë emetuese të vitit 1994. Nga disa ai u quajt “sukses i Postës Shqiptare”. Si argument u soll fakti se pullat u shtypën cilësisht më mirë, në Zvicër. Por kjo anë pozitive nuk mund të mbulonte kurrsesi disa aspekte që dëmtonin imazhin e Shqipërisë përsa i përket seriozitetit filatelik të saj. Kështu, p.sh., asnjë emision nuk u vu në qarkullim në kohë (në aspektin filatelik humbi aktualiteti i pullave), tirazhet e tyre, (pa folur për çmimet e larta), edhe pse nuk u publikuan zyrtarisht, filatelistët i dinin, kapnin afërsisht shifrat e viteve 1960-1970. Më konkretisht: emisioni kushtuar Kampionatit Botëror të Futbollit “USA ‘94" (ky u shtyp në vend), doli shumë kohë pasi ai kishte përfunduar. Gjithashtu seria kushtuar 50-vjetorit të Çlirimit doli rreth një vit më vonë. Ndër seritë e vitit 1994 kishte nga ato me tirazh rreth 100 mijë copë. Më tej: me përjashtim të dy vlerave (5 dhe 10 lekë) të emisionit kushtuar makinave të firmës “Benz”, asnjë vlerë tjetër nga pullat e këtij emisioni nuk u përshtatej tarifave masive postare në atë kohë.
Një situatë e tillë u përsërit 13 vjet më vonë, në vitin 2007. Emisionet e dy viteve, 2006-ës dhe 2007-ës, dolën njëkohësisht. E thënë ndryshe, asnjë nga emisionet e vitit 2006 nuk u vu në qarkullim në kohën e caktuar. Katalogu Michel, p.sh., për vitin 2006 ka fiksuar vetëm një emision, kurse të gjithë të tjerët, të planifikuar të dilnin po këtë vit, në fakt u vunë në qarkullim një vit më vonë, madje pas 5 tetorit 2007. Më konkretisht, nga 5 deri në 31 tetor 2007 u vunë në qarkullim 9 emisione, kurse brenda muajit nëntor 2007 dolën 16 emisione. Sigurisht ky fakt nuk kaloi në heshtje, madje u kritikua rreptë nga filatelistët.
Në gazetën Shqip, p.sh., u botua një shkrim i fortë kritik nga një koleksionist: “Para ca ditësh, -thuhet në shkrim, - dolën nga shtypi seritë e pullave postare shqiptare për vitin 2006 dhe 2007. Pa i hyrë davasë se si është e mundur që pullat e vitit 2006 dalin në fund të vitit 2007, pa i hyrë davasë se a janë të bukura a të shëmtuara, pa i hyrë davasë a duhej vënë kjo temë apo duhej vënë ajo tjetra, a e dini se sa gabime ka në ato pulla? …76 gabime drejtshkrimore në fjalët shqipe, 22 gabime logjike në tekstin shqip, 18 gabime drejtshkrimore në tekstin anglisht dhe 16 gabime logjike në tekstin anglisht. Të gjitha këto, jo në ndonjë libër me qindra faqe apo me kushedi sa volume, por në 127 pulla me rreth 800 fjalë gjithsej !!!. Pa zënë në këtë llogari që, në rreth 400 fjalë që kanë gërmën “ë” vetëm në 22 janë vendosur pikat, apo që “ë”-ja te “Shqipëria” herë shkruhet me pika e herë pa pika.” A nuk flasin këto fakte për mungesë serioziteti filatelik? Sigurisht.
Gabime të patolerueshme…
Për të argumentuar këtë, po ndalem vetëm te një emision, ai me kostume kombëtare. Seria përbëhet nga 12 vlera, me format 31x43 mm, të kompozuara në tabak. Një nga pullat e kësaj serie, e katërta në rreshtin e sipërm, paraqet një kostum gruaje, ndërsa teksti që shoqëron pullën është: “Kostum burri-Hoti”(!) Ky emision, sipas cirkularit vjetor të botuar nga Departamenti i Filatelisë i Postës Shqiptare, u emetua më 2 korrik 2007, me tirazh 4.000 seri të plota, por, kur u konstatua gabimi, u vendos të tërhiqej nga qarkullimi. Pjesa më e madhe e filatelistëve shqiptarë nuk arritën ta merrnin këtë emision. Sasia e vogël që u shit përgjithësisht ra në dorë të ndonjë tregtari pullash, i cili i rriti çmimin e shitjes disa dhjetëra herë. Bllokimi bëri që ky emision në historinë e filatelisë shqiptare tash e tutje do të figurojë me tirazhin më të vogël të të gjithë emisioneve të prodhuara pas vitit 1945. Po sa është realisht numri i serive në qarkullim nga ky emision? Për këtë deri tani nuk ka asnjë informacion të saktë e transparent. Personalisht mendoj se nuk do të kishte asgjë të keqe në qoftë se Drejtoria e Përgjithshme e Postave do ta deklaronte atë publikisht.
Një rast tjetër që flet gjithashtu për cënim të seriozitetit filatelik është edhe ai i emisionit me mbishtypje, me 15 vlera, që u vu në qarkullim në dhjetor të vitit 2006. Historia e këtij emisioni ngjan shumë me atë të serisë së emetuar gati 40 vjet më parë, në dhjetor 1970, dhe të emërtuar nga filatelistët si “Industriali” ose “Oxhaqet”.
Pas gjysmës së parë të vitit 2006, në zyrat postare filloi të ndihej mungesa e pullave për afrankim, pasi kishte një vit që nuk ishin shtypur pulla. Për të kapërcyer situatën e emergjencës, u vendos që brenda një kohe të shkurtër të prodhohej me mbishtypje një emision i ri. Nga magazina e postës u nxorr një sasi e madhe pullash të 15 pullave me pamje të ndryshme, që u përkisnin disa emisioneve të mëparshme. Atyre iu vu si mbishtypje një drejtkëndësh në ngjyrë të zezë, me të cilin mbulohej vlera e mëparshme, që ishte 20 lekë, dhe shkrimi me vlerën e re “40 lek”. Në shkrimin “40 lek” bie në sy menjëherë një gabim elementar drejtshkrimor, mungon gërma “ë”. Fjala “lek” në të gjitha pullat duhej të ishte shkruar “lekë”. Gjithashtu në një pjesë të pullave vihen re raste, lehtësisht të dallueshme, të spostimit dukshëm të mbishtypjes.
Ky emision me mbishtypje u vu në qarkullim pa zbatuar rregullisht procedurat e njohura ligjore dhe pa njoftuar më parë organizmat përkatës ndërkombëtarë, UPU-në. Është kjo arsyeja që emisioni nuk ekziston as në fletëpalosjen e pullave të vitit 2006 dhe as në atë të vitit 2007. Për të nuk u dha publikisht asnjë informacion.
U desh që filatelisti Bajram Peçi, ashtu si dhe 40 vjet më parë, t’i shkruante UPU-së dhe katalogut Michel. Vetëm pas këtij njoftimi Drejtorisë së Përgjithshme të Postave iu kërkuan shpjegime dhe informacione e mandej ky emision u katalogua nga Michel, sigurisht pa asnjë të dhënë për tirazhin e serive të plota, kurse data e vënies në qarkullim jepet e papërcaktuar (nëntor-dhjetor 2006).
Për këtë emision ka pasur edhe një prodhim të dytë, që dallon nga i pari nga boja e mbishtypjes. Në qoftë se herën e parë boja e mbishtypjes ishte me shkëlqim, herën e dytë nuk ishte e njëjta bojë: ishte mat, pa shkëlqim. Me këtë bojë mat janë mbishtypur 8 nga 15 pullat e emisionit, të cilat shërbyen për të plotësuar detyrimet për kontigjentin e UPU-së etj.
Disa dukuri negative u konstatuan edhe në emetimet e pullave postare të vitit 2009, madje ndonjë ishte vërtetë skandaloze. Fjala është për emisionin “65-Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë”. Në të dy pullat e tij janë fiksuar pamje që s’kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, përpos vendosjes formale të simbolit të shqiponjës dykrenare. Në pullën me vlerë 70 lekë, p.sh., është fiksuar portreti i një komisari të Ushtrisë së Kuqe, hero i ish-Bashkimit Sovjetik, me të cilin autori i bocetit, jashtë çdo logjike, ka zëvendësuar partizanin shqiptar. Kjo foto është bërë pullë dhe kartëpostare në ish-Bashkimin Sovjetik dhe është shumë e njohur. Po kështu mjaft e njohur është edhe fotoja tjetër, e vendosur në pullën me vlerë 200 lekë, që paraqet një skuadrilje bombarduesish amerikanë në Japoni, në vitin 1945. Pra, emisioni është ndërtuar mbi dy foto të huaja, të marra në internet.
Një gabim i patolerueshëm u vu re edhe në emisionin “Iso-Polifonia Shqiptare”. Në të dy pullat është shkruar keq emërtimi i institucionit të OKB-së: në vend të UNESCO (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization) shkruhet Unesco (!)
Çmimet spekulative...
Të kalojmë tani te një problem tjetër që gjithashtu lidhet me seriozitetin filatelik të shtetit: çmimi i pullave. Në disa raste, pas vitit 1990, qëndrimi për çmimet gjykoj se ka qenë spekulativ. Për të argumentuar këtë përfundim kam bërë një ballafaqim të disa çmimeve me tarifat postare. P.sh., në qoftë se deri në vitin 1991 të dërgoje një zarf të thjeshtë brenda vendit duhej një vlerë 2,50 qindarka, kurse për një tjetër rekomande 80 qindarka, në vitin 1994 këto tarifa ishin përkatësisht 5 dhe 10 lekë. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se u bë një rritje e tarifave rreth 20 dhe 12 herë. Po vlera e një emisioni të ri pullash sa u rrit? Edhe këtu llogaria bëhej thjeshtë: mesatarisht rritja kapte shifrën mbi 50 herë. Krahasuar me Gjermaninë, e cila është ndër shtetet me filateli më të zhvilluar e më serioze në botë, realiteti paraqitej i tillë: në vitin 1992, Shqipëria kishte emetuar emisione që në tërësi kishin 41 pulla me vlerë të përgjithshme 168.1 lekë ose, për çdo pullë, 4.1 lekë, në vitin 1994, Shqipëria kishte emetuar 19 pulla me vlerë të përgjithshme 1.078 lekë, ose për çdo pullë 56.73 lekë. Pra, brenda dy vjetëve kishte një rritje 14 herë. Kurse në Gjermani rritja e vlerës mesatare të një pulle ndryshon nga njëri vit në tjetrin me shifra të papërfillshme pas presjes dhjetore. Akoma më e dukshme ishte rritja e çmimit të zarfave FDC. Vetëm zarfi i ilustruar pa pullë shkonte nga 90-150 lekë, kur në Gjermani kapte shifrën 40.60 lekë. Këto dukuri u kritikuan nga filatelistët që në atë kohë, madje u konsideruan abuzim me hobin e tyre.
Përfundime...
Prej këtej nuk është vështirë të arrihet në një përfundim: dikur filatelistëve u jepeshin pulla me tollon (filatelia ishte fusha ku tolloni jetoi më gjatë) dhe pengoheshin të kishin korrespondencë me kolegë të huaj, veçanërisht me filatelistë të vendeve perëndimore. Ky ishte një qëndrim absurd. Por po kështu paradoksal ishte edhe qëndrimi në ato vite me çmimet e larta të pullave, që i vinte filatelistët në të njëjtin pozicion. Me mundësitë ekonomike të kufizuara që kishin e kanë, ata mezi arrijnë të blejnë pulla vetëm për koleksionet e tyre dhe jo më për të shkëmbyer me kolegë në vende të tjera. Ja dhe një shembull nga viti 2007: një seri e emisionit të zakonshëm “Flamuri shqiptar”, me 12 pamje të ndryshme të flamurit kombëtar, që u emetua në atë vit, kushtonte 3.465 lekë; vetëm një vlerë e tij kishte çmimin 2.000 lekë (!). Po kështu ka ndodhur edhe me emisionin e vitit 2009 “Qarkullimi rrugor”, i cili përbëhet nga dy pulla, njëra prej të cilave ka vlerën 1000 lekë (!).
Rrjedhojë e një anormaliteti të stërzgjatur ka qënë edhe grumbullimi gjatë periudhës 1945-1990 i stoqeve të jashtëzakonshme të pullave në magazinën e Postës. Në vlerë ato kapnin shifrën 180 milionë lekë. Për këto pulla filatelistëve shqiptarë u ishte vënë prej kohësh “embargoja”, kurse të huajve, me një vendim absurd, vetëm pse paguanin në valutë të huaj, e kishin të çelur dritën e gjelbër. Ky qëndrim i kritikuar me shumë të drejtë, përpos se nuk ishte aspak dashamirës, ishte edhe fyes e diskriminues për filatelistët shqiptarë.
Në këtë kuadër është i pashpjegueshëm edhe qëndrimi që është mbajtur për vulat postare të posaçme, kryesisht të ditës së parë të emetimit. Filatelistët shqiptarë e kanë pasur të pamundur të bëjnë vulosjen e pullave me këto vula. Këtë problem ata ia kanë ngritur Drejtorisë së Përgjithshme të Postave, por asnjëherë nuk morën përgjigje pozitive. Realisht ai është një problem që i preokupon edhe aktualisht filatelistët. Këto vula janë pjesë e koleksionit, por mjaft filatelistëve u mungojnë. Dhe kjo jo për neglizhencë të tyre, por ngaqë një pjesë, p.sh., janë përdorur për vulosje pullash për panaire ndërkombëtare. Po kështu filatelistët kanë kërkuar vazhdimisht që, brenda një kohe të caktuar, sa e shikon të arsyeshme Drejtoria e Postave, t’u jepet mundësia të bëjnë vulosje pranë zyrave postare me vula të posaçme, por kjo kërkesë gjithnjë ka rënë në vesh të shurdhët.
Natyrisht, me sa u tha më sipër, nuk mund të shterret tërë ajo gamë e gjerë problemesh që ka pasur e vazhdon të ketë për disa gjëra filatelia shqiptare, por dhe nuk mund të sillen argumente për të dëshmuar seriozitet të plotë filatelik. Shqipëria mbetet ndër të paktat vende të botës pa një katalog serioz të pullave të saj, thuajse pa asnjë lloj literature filatelike në libraritë dhe në bibliotekat e saj, pa ndonjë shitore serioze ku të tregtohen llojet e ndryshme të materialeve filatelike etj.

Skënderbeu në botimet greke

Arben LLALLA

Siç kemi shkruar më parë arkivat greke fshehin shumë dokumenta historike që lidhen me shqiptarët. Nëpër arkivat shtetërore, kishat, manastiret, bibliotekat private mund të gjenden gjëra me vlera të larta për shqiptarët si në fushën e gjuhësisë ashtu edhe atë historike. Deri më sot asnjë studiues shqiptar zyrtarisht nuk ka mundur të futet nëpër arkivat e shtetit grek sepse Greqia është kujdesur që konservimi i tyre ti mbulojë pluhuri i harresës. Ka ndonjë studiues që ka siguruar leje nga autoritetet greke që të studiojë vetëm disa ngjarje historike që i përkasin fillimeve të shek. XX, por revolucioni kulturor i rilindjes së vetëdijes shqiptare ka nisur në fillimet e shek. XIX. Me plot gojë mund të thuhet lirisht se ka shumë dokumenta historike, gjuhësore e kulturore që janë botuar në gjuhën shqipe dhe greke në fillimet dhe nga mesi i viteve 1800 në Greqi. Por siç dhamë më lart Greqia është kujdesur që këto gjëra me vlera të larta për kombin shqiptar të mos dalin në dritë.
Rreth një viti më parë në rubrikën MILOSAO sollëm faksimilet e disa librave grek që shkruajnë për Skënderbeun, por këtë herë do të sjellim për herë të parë një faksimile ku pasqyrohet Gjergj Kastrioti si dhe libra të autorëve të ndryshëm të shek. 19 që kanë shkruar për Heroin tonë.
Figura e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastrioti duke qenë një figurë madhështore e kanë ende zili fqinjët tanë të afërt dhe të largët dhe janë munduar duke paguar studiues të huaj për të krijuar turbullira rreth legjendës së Heroit tonë kombëtar. Por qëllimet dashakeqe nuk kanë mundur të ngrenë pikëpyetje për Skënderbeun dhe bëmat e tij madhështore. Shumë popujt tek figura e Skënderbeut shikonin udhëheqësin që mund t’u printe atyre për tu çliruar nga pushtuesit e ndryshëm. Një ndër popujt që u frymëzuan nga betejat e udhëhequr nga Skënderbeu ishin grekët e shek.XIX. Grekët e shekullit XIX duke mësuar për trimëritë Skënderbeut frymëzoheshin dhe luftonin kundër Osmanëve për të fituar pavarësisë. Ka shumë shembuj për heronjtë e Kryengritjes greke të 1821, që ishin shqiptar ose siç i thërrasin grekët arvanitas, të cilët mbanin me krenari shenjën e Bricjapit që dikur e ka mbajtur Leka i Madh, Pirro i Epirit dhe Skënderbeu.
Gjatë kërkimeve të mia nëpër disa biblioteka private dhe shtetërore gjeta shumë libra në gjuhën greke që flasin për historinë e kombin tonë të botuara në shek.XIX. Disa prej këtyre librave përmenden tek-tek si bibliografi e shfrytëzuar, por që nuk na janë sjellë të plota në botime. Midis shumë librave dhe broshurave gjeta disa libra origjinalë në gjuhën greke që flisnin për trimëritë e Gjergj Kastriotit- Skënderbe.
Në çdo libër që flet për Historinë e Bizantit, për Historinë e Perandorisë Osmane dhe për Historinë e Kryengritjes greke të 1821, ka një kapitull të veçantë për Skënderbeun të shoqëruar me pamjen e tij. Shpresojmë që biografët që merren me figurën e Skënderbeut do ti shfrytëzojnë këto libra që hedhin dritë mbi këtë mbret të shqiptarëve që i rezistojë pushtimit të Osmanëve.

Liri Lushi te gratë që krijoi


Jorida Pasku |

Lufta e Shote Galicës për të ekzistuar, e Dorinës për t'u futur në jetë, e Shpresës për t'u emancipuar.


Liri Lushi, aktorja që u identifikua në ekran me portretin e këtyre grave, nxjerr nga sënduku i kujtimeve fragmentet e punës me Agim Qirjaqin e të tjerë

Të shtunën e parë të gushtit, në zhegun e mesditës, Liri Lushi bëri një copë rrugë nga apartamenti i saj pranë kafe "Vollga", deri te Teatri "Aleksandër Moisiu" për t'u takuar me të njohur dhe kujtimet e saj.


Rituali këtë vit seç kishte një qetësi. Korridori i teatrit nuk pipëtinte, përveç sportelistit të ri që i uroi mirëseardhjen "vajzës durrsake" dhe ndonjë punëtori që hynte e dilte.


Ngjyra e kuqe që vishte muret e teatrit aktores i ngrohën shpirtin. Mori me të shpejtë dy karrige, i vuri përbri statuja e Aleksandër Moisiut dhe mendoi nëse mund ta hapte baulen me rolet e heroinave, grave të guximshme, që duan të emancipohen, po edhe prostituta.


Janë: Shote Galica e Dila, Dorina, të rejat Shpresa dhe Vera, Hera dhe Marjana Pineda. Pak më tej shfaqeshin portretet e krijuesve të tyre Agim Qirjaqi, Haxhi Rama, Kadri Pirro, Bashkim Hoxha.


Në këtë teatër memec janë shfaqur dramat "Gërsheti i luftrave" (1978) dhe "Dorina" (1979) me regji të Kadri Pirros, "Shi në plazh" (1986) dhe "Tre burra kërkojnë një grua" (1995) me regji të Haxhi Ramës, "Këngë dashurie me korba" (1997) me regji të Bashkim Hoxhës. Role në teatër dhe kinema, kush të dilte më shpejt nga shpirti 55-vjeçar i Lirisë.


Nuk harroi të flisë për Shpresën te "Zonja nga qyteti" (1976), për Dorinën te filmi "Dorina" (1979) me regji të Agim Qirjaqit, për Dilën te "Rruga e lirisë" (1982), gazetaren te "Valsi i ngrirë në Prishtinë" (1999).


Liri Lushi ka dhjetë vjet që jeton në Ëinterthur të Zvicrës me bashkëshortin dhe dy fëmijët, Eni Kapon, 29 vjeç, student psikologjie, dhe Ani Kapon, 23 vjeçe, që ka mbaruar studimet për gazetari në Zyrih.


Në Zvicër ka interpretuar në filmat: "Dilema" (2002) me regji të Tobias Ineichen, "Strähl" (2006) me regji të Manuel Flurin Henry dhe "Ditë e natë" (2008) me regjisor Chris Niemeyer. Ka hapur një studio aktrimi dhe regjie që e ka quajtur "Aleksandër Moisiu" dhe sapo ka mbaruar vitin e parë të studimeve për administrim në fushën e arteve.

Znj. Liri bëtë rrugë në këtë vapë vetëm e vetëm që bisedën ta zhvillonim në teatrin "Aleksandër Moisiu"...
Mendoj se nuk ishte e rastësishme që pikën e takimit e lamë këtu, në Teatrin "Aleksandër Moisiu".


Më erdhi në kokë një vend të cilin nuk e mendova gjatë, por e pashë të domosdoshme për t'u takuar në teatër. Para disa ditëve, mbesa ime, 10 vjeçe, më pyeti: "Si ndihesh në skenë"? Iu përgjigja: "Më mirë sesa në jetë".


Kur keni qenë për herë të fundit këtu?


Me mendje në këtë godinë hyj çdo natë. Nuk mund ta them me saktësi rolin i fundit. Unë mendoj të vij të luaj prapë në këtë teatër. Nuk mbetet një dëshirë, por një plan konkret. Pavarësisht se jeta është e vrullshme.


Më ka nxjerrë përpara detyra të reja, si nënë. Kam dy fëmijë për t'i orientuar. Kur kemi ikur nga Shqipëria kanë qenë në moshë delikate, akoma nuk e kishin gjetur rrugën e tyre. Mendoj se nuk ka ardhur akoma koha të bëj arkivën. Kujtoj që ka qenë një punë me Bashkimin Hoxhën në filmin "Valsi i ngrirë në Prishtinë". Ndoshta i takon vitit 2000.


Ndërsa për teatrin, mund të them se tani më pëlqen edhe kjo ngjyra e kuqe që vesh muret. Çdo gjë e lidh me këtë teatër, mburrem me të. Për mua është më i bukuri në Shqipëri dhe ka pasur artistë të talentuar. Kanë qenë ata që më kanë mësuar. Më vjen shumë keq që nuk i gjej më që t'i takoj. Jeta është kështu. Ky është një mall i bukur.


Në galerinë e roleve që keni interpretuar vend kryesor zë gruaja heroinë, gruaja që thyen tabu, ajo që kërkon të emancipohet. Përmendim Shote Galicën. Kjo figurë duket se u prin të tjerave.


Më vjen mirë që jam e identifikuar me këtë personazh. Autori Avni Mula, që tani nuk jeton më, është pjesë e këtij suksesi, edhe ai është i brumosur te Shota. Po ashtu regjisori i dramës, Kadri Pirro, aktorët e tjerë. Nuk më takon vetëm mua që të jem e identifikuar me Shotën dhe me këtë heroinë.


Çdo artist në role të tilla, duhet të përpiqet të nxjerrë nga vetja një forcë kreshnikësh. Gruaja që kam interpretuar ka bërë një luftë për të mbijetuar. Një grua kosovare, duhet patjetër të rrëmbente armën.

I lidhni më flokët gërshet si atëherë?


Po i lidh gjithmonë. Natyrisht, që në atë portret kanë ndryshuar shumë gjëra.
Mendoj se të gjitha vitet lënë gjurmën e tyre. Po bisedoja mbrëmë me djalin tim, Enin, kur po ngjisnim shkallët e Teatrit "Aleksandër Moisiu" dhe i thashë: "Këto shkallë më tregojnë sa vjet kanë shkuar. Më përpara të merrja ty prej dore, e motrën në krahë me gjithë karrocë, kurse tani më duhet të mbahem te ty."


Jeta është treguar e pakursyer me ju, jeni e re, plot jetë, e bukur, e freskët...
Nuk i kushtoj vëmendje të veçantë anës së jashtme sepse më të vërtetë kam pasur shumë punë, qëkur jam larguar prej këtej.


Ndoshta masat mbrojtëse, mospirja e duhanit, intensitet në punë. Jam përpjekur që të bëj pak sport. Nëse mjekësia na ka vënë limit për jetën një njëqindvjeçar, unë them, përse të mos e arrijmë. Duhet të luftojmë për ta arritur. Jo nga ana e jashtme, rrudhat le ta bëjnë punën e tyre. Ato tregojnë që ke fituar në jetë, janë palosur shumë gjëra brenda teje.


Po shpirti si arrihet të mbahet i freskët dhe mendja e kthjellët?


Është detyra ime si artiste ta ruaj emocionin të freskët. Arma që kemi ne është emocioni i përzier me racionalitetin, për të arritur të ushqejmë ide dhe mendime te njerëzit. Freskinë e shpirtit e ruaj, e para nëpërmjet qëllimeve që i kam vënë vetes dhe e dyta, duke lexuar.


Kthehemi te një grua tjetër juaja, te "Dorina" e filmit televiziv (1979) me regji të Agim Qirjaqit. Është një femër që pranon dëshpërimin në jetën e saj martesore.


Kërkesa për ta emancipuar figurën e gruas ka qenë gjithmonë e pranishme në shoqërinë shqiptare, pavarësisht sa kanë qenë mundësitë tona të një vendi të izoluar. Dorina nuk ishte e trishtuar, vetëm se bashkëshorti i saj nuk vjen në shtëpi. Ajo kërkonte që burri të vinte dhe të bisedonin, të ishin shokë.


Dorina është një nga gurët që është vendosur në themelin e këtij zhvillimit të femrës shqiptare. Nëse e ndajmë me etapa historinë e grave që kam interpretuar, Shota ka bërë një luftë për të ekzistuar, Dorina ka bërë luftë për t'u futur në jetë. Unë mendoj që ky rol më ka ndihmuar për të gjetur disa gjëra në jetë.


Për të qenë nënë e mirë dhe aktore, për të shkuar përpara. Duhet të vlerësojmë punën e skenaristit Teodor Laço, që e përshtati dramën edhe për skenar televiziv. Kam respekt për të dy regjisorët që kanë bërë "Dorinën", Agim Qirjaqin për filmin dhe Kadrin Pirron për vënien në skenën e teatrit.


E quaj pasuri shpirtërore që kam njohur njerëz të tillë dhe më jepet e drejta t'i respektoj. Me të vërtetë i jep shpirtit bukuri. Ndjej dhimbje që asnjeri prej tyre nuk është më.


A mund të na sillnin pak kujtime nga puna me Qirjaqin?


Agimi i jepte prioritet inteligjencës. Kam punuar me regjisorë të tjerë, por një Agim nuk e kam gjetur dhe jam e sigurtë që nuk kam për ta gjetur më.


Ai ishte jashtëzakonisht njerëzor. Mund të kujtoj një ngjarje, me kënaqësi dhe me dhimbje. Kur punonim në ambientet e Kinostudios për të xhiruar filmin "Dorina"...Agimi...(përlotet) ka qenë artist i jashtëzakonshëm dhe më vjen keq që më duhet të them "ka qenë". Në kohën kur gruaja e vet lindtte në spital, ai ishte në setin e xhirimit. Erdhi dhe tha: "Gruaja ime ka lindur vajzë dhe do ta quaj Dorina". Agimi e ka dashur punën në piedestalin më të lartë.


Kujtojmë edhe dy personazhe simpatikë, Shpresën te "Zonja nga qyteti" dhe Verën te "Shi në plazh". Ka të tjera që doni t'i përmendi në këtë intervistë?


Ato prezantojnë femrën që kërkon të emancipohet, që kërkon të renë. Këto dy figura më kujtojnë edhe vitalitetin e gruas shqiptare. Me dashuri mund të flasë edhe për Mariana Pinedën e realizuar në Teatrin e Beratit me regjisoren Drita Agolli. Ky rol është si një fotografi e bukur për mua, të cilën e shoh shpesh, si për të punuar në skenë, po ashtu edhe për të jetuar për veten time. Marjana Pineda lufton për të mbijetuar, flijohet për dashurinë.


Çfarë ndryshoi 90-ta në punën tuaj?


Më kërkoi regjisori Haxhi Rama për rolin e një gazetareje te "Tre burra kërkojnë një grua" dhe regjisori Bashkim Hoxha për prostitutën te "Këngë dashurie me korbat".
Bashkimi punoi një figurë shumë interesante.


Duhej guxim i jashtëzakonshëm për të thënë ato që thuheshin në dramë. Ishte njësoj sikur të flasim për fotot e nudove sot. Veçse, në skenë duhej të zhvishnim fjalët. I jam mirënjohëse regjisorit, sepse ka krijuar një figurë që nuk i ngjan figurave të tjera, me të cilën krenohem.


Çfarë keni bërë 10 vite në Zvicër dhe cili është projekti i momentit që po merr kohën tuaj?


Në Zvicër jam angazhuar në prodhime kinematografike. Kam luajtur karaktere femrash të huaja, kroate, italiane. Kam edhe një studio që e drejtoj vetë. Quhet Studio "Aleksandër Moisiu" dhe aty studiojnë të reja.


Realizojmë dy premiera në vit. Qëllimi im mbetet krijimi i një teatri që të shfaqë në skenë problemet që kanë emigrantët në Zvicër. Rruga është e gjatë dhe e vështirë. Tani studioja po kalon një periudhë qetësie. Kam marrë përsipër të studioj për menaxhim në arte. Mendoj se njeriu të heqë dorë kurrë së formuari.


Arti para se të kërkojë të japë produktin e vet, më parë duhet të ekzistojë dhe për ta realizuar këtë është e domosdoshme të gjendet mënyra më efikase. Masteri në Zvicër më orienton në njohjen e kulturës, si një nga komponentët e rëndësishëm të trekëndëshit politikë-ekonomi-kulturë. Në këtë zhvillim dhe ndryshim të vrullshëm të jetës, ai kërkon një kualifikim për t'ju përgjigjur kërkesave të kohës.


Kujtuam të kaluarën tuaj artistike, folëm për projektet që keni në duar. Po cila është ajo forcë e natyrës suaj që ju shtyn t'i bëni të gjitha këto?


Si çdo njeri edhe unë jam komplekse. Jam e dobët përpara fëmijëve të mi. Alen Deloni, ka thënë që i vetmi njeri që mund të bëjë çfarë të dojë me mua është vajza ime.


Jam përpjekur që të jem e fortë dhe e kam lënë këtë ndjenjë të fitojë më tepër te unë, se kështu e do kjo kohë. Sot jeta është e shpejtë. Te një femër ekziston edhe fëmija tri vjeç dhe gruaja 55 vjeçe, sa jam unë tani.


Më pëlqen të kem edhe momente të dobëta sepse qetësohem, marr forcë, jam më njeri, (qesh). Njeri je edhe kur je shumë i fuqishëm, madje je tamam njeri. Më pëlqejnë njerëzit e fortë, sepse ata arrijnë. Jeta është një betejë. Për ta fituar këtë betejë, duhen organizuar forcat, duhen vënë qëllime jo shumë të afërta, sepse mund të pengohesh dhe të të merren këmbët.


Deri tani nuk kemi folur akoma për asnjë burrë dhe as për dashurinë.Kur kam mbaruar Akademinë e Arteve jeta ka qenë pak e vështirë.


Një aktoreje i duhej të sakrifikonte. Të parëve që u bie mbi kurriz sakrifica, janë bashkëshorti dhe fëmijët. Kam qenë çdo mbrëmje në punë.


Kam punuar larg shtëpisë, me muaj në xhirime. Besoj që për çdo familje të konceptuar në mënyrë klasike, është e vështirë për të thyer formën klasike të të jetuarit: që burri vjen në shtëpi
në orën 4.00 dhe gruaja në orën 3.00.


Për këtë i takon merita bashkëshortit tim.
Kurse, dashuria ngelet, është një motor i fuqishëm i jetës. Kur njeriu ka brenda vetes dashuri është i motivuar, krijon, sjell në jetë gjëra me vlerë.


Do të doja që të kisha gjithmonë pambarim dashuri për të gjitha gjërat që më rrethojnë. Më e rëndësishmja për mua është dashuria për njerëzit.


Nëse miqtë e mi, flasin shpesh për natyrën, e duan natyrën, të tjerë njerëz duan arkitekturën ose kafshët, unë gjithë jetën kam dashur njeriun. Është arritja më e madhe e natyrës dhe çdo gjë tjetër që ekziston është në shërbim të tij. Pas tij, vjen bukuria e natyrës, e arkitekturës.


Skema si emigrantët marrin 2 pensione, ja si plotësohet vjetërsia

Të gjithë ata persona që kanë vite të munguara pune mund t'i plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plotë të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit.


Drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, ka shpjeguar dje për "Shekulli"-n se është drejt përfundimit një manual sa më praktik për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të njihen me procedurat e pagesës së sigurimit vullnetar. "Janë shumë persona që kanë vite pune në Shqipëri, por që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit, të cilët mund të përfitojnë pensione duke derdhur pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë vullnetare. Me anë të kësaj pagese të gjithë personat që jetojnë jashtë dhe kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund t'i plotësojnë ato dhe të marrin pension në Shqipëri",- shprehet Balluku, duke theksuar se, kjo kategori punonjësish, që janë emigrantë dhe që plotësojnë edhe vitet e punës në Shqipëri, ndryshe nga të tjerët, mund të përfitojë dy pensione pleqërie në kohën që do të kenë plotësuar moshën dhe vitet e nevojshme të punës, pasi mund të marrin pension si në Shqipëri ashtu edhe në vendin ku jetojnë.

"Dua të theksoj se kategoria më i interesuar është ajo pjesë e emigrantëve, në prag të pensionit, që ka pasur vite pune në Shqipëri, por që nuk i ka plotësuar vitet e duhura për të hyrë në skemë, apo vitet e plota, për të përfituar pension të plotë", -shprehet Balluku, i cili ka shpjeguar se përmes kontakteve me disa Patronate në Itali është bërë e mundur që shumë emigrantë të njoftohen edhe në mënyrë online për procedurat e sigurimit. Ndërkaq, sipas Ballukut, emigrantët edhe pse ndodhen jashtë shtetit mund të autorizojnë të afërmit e tyre, për të lidhur marrëveshje me strukturat e ISSH-së. Kjo marrëveshje do të lidhet në nënqarkun ku ka banuar i interesuari dhe ku mund të ketë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm.


Sa është pagesa
Aktualisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820. Pra është 21.6% e kësaj page. "Nëse dikush dëshiron të plotësojë vitet e shkuara, ai do t'i paguajë me këtë masë kontributesh. Ndërkohë që nëse do të paguajë për vitet e ardhshme, ai ka një zbritje deri në 6 %, nëse paguan për të gjithë vitin", -ka shpjeguar Balluku. Kjo pagesë, sipas ballukut, shërben për të gjitha llojet e pensioneve: pensionin pleqërie, invaliditeti dhe familjar. "Ndërkaq, pagesa vullnetare lejon edhe pagesën për pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara", -ka shpjeguar drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH.


Si paguhet sigurimi vullnetar
Sipas Ballukut, personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. "Pasi bihet dakord për pagesën, sipas procedurës së përshkruar, dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka",- shprehet Balluku.


Shembull
Shtetasi A.D. ka gjithsej 15 vjet periudhë kohore të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron t'i mbulojë këto tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi A.D do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre vjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë(për tre vjet).



Tabela
Procedurat e pagesës dhe çfarë përfitohet nga sigurimi vullnetar


Kush përfiton nga skema e sigurimit vullnetar?

Të gjithë shtetasit shqiptarë që:
1. Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar;
2. Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm;
3. Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre;
4. Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.


Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?
1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas rastit, i:
- Pensionit bazë të pleqërisë;
- Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
- Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
- Pensionit të invaliditetit;
- Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.
2. Personi i siguruar për vitin korent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, pasi plotëson kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përfitues, sipas llogaritjeve, i:
- Pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë;
- Dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.
3. Në sigurimin vullnetar, pasi janë plotësuar kushtet e Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bën pjesë edhe pensioni familjar.


Cilat fusha mbulohen me sigurim vullnetar?

Me sigurim vullnetar mbulohen katër fusha të kësaj skeme:
I. Sigurim vullnetar për vitin korent.
II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.

I. Sigurimi vullnetar për vitin korent.
Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç, deri në arritjen e moshës për pension;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm;
- Nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi;
- Nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.


Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për vitin korent?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës për efekt kontributesh të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa.
2. Pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3 633 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje:
- 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar);
- 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar);
- 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
3. Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 3 633 lekë, deri në pesëfishin e saj.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për vitin korent.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave te paguara.

II. Sigurim vullnetar për periudha të kaluara.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?
1. Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
2. Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve pasuniversitare.
3. Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t'i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar.
4. Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994 deri në datën që kanë lënë shtetësinë.


Sa është masa e kontributit për sigurim vullnetar për periudhat e kaluara?

1. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve).
2. Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 3 633 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Kjo kuotë i korrespondon pagës minimale mujore: 16 820 x 21.6%. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara.
-Vjetërsi pune, e cila influencon në plotësimin e kushteve për të përfituar një pension;
-Pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, në nivel minimal.

III. Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura?
1. Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent.


Sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.

a) Personat e vetëpunësuar - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra është sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
b) Të punësuarit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, pra sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote;
c) Punëdhënësit - sigurohen me pagë minimale mujore 16 820 lekë ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6%, d.m.th sigurim me kuotë fikse 3 633 lekë ose shumëfishi i kësaj kuote.


Përfitimet nga sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura.
- Pensione bazë pleqërie, invaliditeti dhe familjar;
- Pensione më të larta se niveli bazë, sipas llogaritjeve mbi shumëfishin e pagave të paguara.

IV. Sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
Kush mund të paguajë sigurim vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
1. Të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit.
2. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent.

Përfitimet nga sigurimi vullnetar për degët e tjera të sigurimit.
- Paaftësi të përkohshme në punë. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës;

Si paguhet sigurimi vullnetar.

1. Personi i interesuar, paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.
2. Personi i interesuar duhet të ketë me vete dokumentat e mëposhtme:
a) Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
b) Fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
c) Fotokopje të letërnjoftimit elektronik.
3. Nëse personi i interesuar bie dakord për t'u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip "Urdhër veprimi", i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
4. Duke disponuar këtë "Urdhër veprim" personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me "Mandat arkëtimi".
5. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar).
6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re nëqoftëse nuk ka.

Serbi: Të ndryshojë politika ndaj Kosovës

Në Beograd, forca opozitare serbe kanë kritikuar politikën e qeverisë së presidentit Tadiq ndaj Kosovës dhe janë angazhuar për raporte të reja mes Prishtinës e Beogradit.

Kreu i partisë Liberlademokrate, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se angazhohet për njohjen e opavarësisë së Kosovës e cila, sipas tij, është e parnueshme për serbët e atjeshëm. Edhe analistët serbë parashikojnë ndryshim të politikës së Beogradit për shkak të synimeve për t'u integruar në familjen evropiane

Partia Liberaldemokrate, një forcë parlamentare serbe kjo, është angazhuar për marrëdhënie të reja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për tërheqjen e rezolutës serbe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Këtë qëndrim e ka paraqitur në Kuvendin e Serbisë, kreu i saj Çedomir Jovanoviq:

"Partia Liberaldemoktrate nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që jetojnë në këtë vend. Unë do të angazhohem për njohjen e asaj pavarësie të Kosovës që është e pranueshme për serbët në Kosovë. Sot Kosova është e pavarur për 22 vende anëtare të Bashkimit Evropian, sot Kosova është e pavarur për 70 vende. Me siguri se Kosova do të pranohet në Kombet e Bashkuara. Sot ka më shumë mbështetje statusi i Kosovës për të cilin angazhohet Prishtina sesa statusi i Kosovës për të cilin insistojmë ne," - tha Çedomir Jovanoviq.

Edhe nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, është i mendimit se diplomacia serbe ka hequr dorë nga politika për Kosovën që mori mbështetjen e parlamentit serb:

"Partia Përparimtare Serbe konsideron se politika e pushtetit në Serbi është shndërruar në marketing, fotografim dhe makijazh dhe më nuk ekziston politikë e Sërbisë për asnjë çështje. Në të vërtetë, nga njëra anë kemi fjalë boshe e të rrjeshme se si do të fitojmë në Kombet e Bashkuara, kurse vetëm, shtatë ditë më vonë pranohet se një fitore e tillë potenciale gati është e pamundshme," - tha Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar një prononcimi të këtyre ditëve të shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremiq se është mision gati i pamundshëm që rezoluta e Serbisë të marrë dritën jeshile të Asamblesë së Përgjithshme.

Ndërkaq, analistët në Beograd, parashikojnë se herët a vonë ka për të ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës dhe kjo, për shkak të aspiratave për tu integruar në Bashkimin Evropian.

"Nëse llogaritet çmimi politik, e kjo është ajo që zakonisht e bëjnë edhe pushteti edhe opozita, atëherë më duket se ky ndryshim mund të kalojë, - thotë analisti Sllobodna markuviq, duke arkumentuar se angazhimi edhe për Kosovën edhe për Bashkimin Evropian, hap shumë çështje, sepse pyetja e parë që do bëhet në procesin e aderimit të serbisë në BE është se çfarë janë marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, është kufiri ndërkombëtar apo jo, sa banorë ka Serbia... Të gjitha këto janë tema që doemos do të paraqiten gjatë debatit në parlament lidhur me politikën ndaj Kosovës e që është mëse e vërtetë se shtrohen në bisedimet e Serbisë me partnerët e huaj. Pra është një problem bukur i ndërlikuar, por besoj se për këtë pjesërisht ekziston një atmsoferë politike,"- thotë për BBC-në analisti Sllobodan Markoviq.

Fillim jo i mbarë- Procesi i parë në Guantanao me president Obamën

Fillim jo i mbarë- Procesi i parë në Guantanao me president Obamën

Të martën (10.8.) nisi i pari proces në Guantanamo brenda mandatit qeverisës të Presidentit Obama. Aty do të përgjigjet një ish ushtar fëmijë, i cili në kohën e krimit për të cilin akuzohet ka qenë 15 vjeç.

Ajo që u bë e njohur gjatë arrestimit dhe kohës së mbajtjes së tij në burgim, nuk është në një linnjë me standartet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe vë në diskutim transparencën e premtuar nga Obama.

Çfarë nuk la pa premtuar Presidenti Barack Obama, kur bëhej fjalë për kampin e të burgosurve të Guantanamos, këtë njollë turpi në Kubë. Ai donte ta mbyllte kampin brenda një viti pas ardhjes së tij në detyrë, donte të realizonte më shumë transparencë dhe sundim ligji në gjykatat ushtarake. Që nga premtimi për mbylljen e kampit nuk është bërë asgjë, dihet tashmë dhe procesi i nisur kundër Omar Khadr-it është një dëshmi, që pjesa më e madhe e premtimeve të bëra janë duke u kthyer në fjalë boshe. Në fakt Barack Obama është kujdesur, që të burgosurit të kenë disa të drejta më shumë para gjykatave ushtarake se sa në kohën e qeverisë Bush. Por këto tribunale janë shumë larg standarteve ligjore të një demokracie perëndimore.

Për herë të parë prej disa dhjetëra vjeçarësh - disa thonë biles për herë të parë që prej luftës së dytë Botërore – një komb perëndimor dënon për krime lufte një të burgosur, i cili duhet t'i ketë kryer ato, kur ka qenë fëmijë. Kanadezi Omar Khadr ka qenë 15 vjeç, kur u arrestua në Afganistan në vitin 2002 – ai duhet të ketë hedhur një granatë, e cila vrau një ushtar amerikan. Pas të gjithave, që dihen mbi rrethanat e arrestimit dhe burgimit të tij, ata binin ndesh me konventën e Gjenevës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e ushtarëve fëmijë, të cilën e ka nënshkruar edhe SHBA-ja. Kështu marrja për herë të parë në pyetje u bë në një kohë, kur ai ndodhej nën ndikimin e ilaçeve të forta kundër dhimbjeve dhe pas një operacioni mbahej i lidhur në një barrelë. Personi që mori në pyetje Khadr-in, e kërcënoi me përdhunim dhe me vdekje, nqs ai nuk do të fliste. Personi u dënua më vonë në një rast tjetër për keqtrajtim seksual të një të burgosuri. Gjithashtu Omar Kadhr u dënua me privim nga gjumi.

Çfarë vlere ka një rrëfim, i cili është arritur të merret në këtë mënyrë? Para një gjykate normale ai nuk do të rezistone. Por në Guantanamo një gjykatës ushtarak ka vendosur, që pohimet e Khadr-it të përdoren në proces. Dhe kjo megjithëse Präsident Obama me duartrokitjeve kombëtare dhe ndërkombëtare pati urdhëruar, që SHBA nuk do të shfrytëzonin më deklaratat e nxjerra nën ndikimin e torturave. Edhe lajme të tjera nga Guantanamo japin këto ditë shkas për skepticizëm.

Ibrahim Al Kosi, ish truproja dhe kuzhinieri i Osama Bin Laden-it, është dënuar ndërkohë në Guantanamo, kaq dimë. Por sa i lartë është dënimi, mbetet e fshehtë me kërkesë të qeverisë amerikane. Se sa, për këtë ka të dhëna të ndryshme. Ndoshta disa javë, ndoshta disa muaj, ndoshta derisa Al Kosi të lirohet. Transparenca është ndryshe, Mr. President. Tani një gjë dihet, jo vetëm kampi i Guantanamos do të na mbetet edhe për ca kohë. Por edhe kornizat ligjore, që sundojnë atje.

Autor: Sabine Müller

Redaktoi: Aida Cama