Saturday, March 12, 2011

Misteri i vrasjes së 4 të rinjve shkodranë


Anila Dushi

2 prill 1991


SHKODËR
- 2 Prilli 1991 do të mbahet mend jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, si një ngjarje me përmasa historike, mbarëkombëtare, monument i qëndresës dhe luftës së shkodranëve për liri dhe demokraci, dita kur qendra e antikomunizmit shqiptar do të vuloste me gjakun e bijve të saj shembjen e sistemit politik më të urryer për shqiptarët, komunizmit.


Historia e qëndresës antikomuniste shqiptare nuk mund të kuptohet pa Shkodrën, e cila e kundërshtoi këtë ideologji që në fillimet e saj. Gjatë gati 50 viteve të sundimit komunist, Shkodra do të ishte kundërshtare me të gjitha mënyrat e këtij regjimi, përfshirë dhe përpjekjet për ta rrëzuar me armë në vitet e para.


Revolta e Këlmendit më 1945-n, kryengritja e Postribës në shtator 1946 ishin të parat kundërshtime me armë të ideologjisë komuniste në të gjitha vendet ku ajo u vendos pas Luftës së Dytë Botërore. Qyteti i persekutimit të pashoq, me mijëra të vrarë, burgosur, internuar e të persekutuar politikë do të ishte në krye dhe të lëvizjeve të para antikomuniste të viteve '90.


Shkodra e tregoi veten duke filluar nga lëvizjet, demonstratat antikomuniste në shkollat e mesme, në universitetin "Luigj Gurakuqi" (atëherë Instituti i Lartë Pedagogjik), deri në lëvizje e demonstrata të gjera popullore. Një grup qytetarësh shkodranë bëjnë përpjekje për të rrëzuar bustin e diktatorit "Stalin" në qendër të qytetit më 14 janar 1990. Dështojnë, mbyten në gjak, burgjet mbushen plot me të rinj, ndërsa qyteti me policë e sigurimsa.


Qindra shkodranë, kryesisht të rinj, përcjellin me nderim trupin e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, të vrarë e të masakruar në kufi nga shteti. Shkodranët ditën e varrimit të tij, më 16 qershor 1990 , hedhin parulla antikomuniste kundër Enver Hoxhës e Nexhmije Hoxhës. Më 13 dhjetor qytetarë shkodranë duke u nisur nga ambientet e universitetit "Luigj Gurakuqi" heqin pllakën e vendosur në faqen e murit me mbishkrimin "Rruga Enver Hoxha".


Turma e qytetarëve drejtohet drejt Komitetit të Partisë, hyhet në katin e parë, griset fotografia e Enver Hoxhës, hidhet përtokë parulla komuniste "Njeriu i ri, vepra më e shkëlqyer e Partisë", për të vazhduar më pas drejt bustit të Enver Hoxhës, përballë ish-Komitetit Ekzekutiv, ku hidhet busti i diktatorit Enver Hoxha. 31 marsi i vitit 1991 dha provën e parë të një lëkundje të një sistemi të cilit nga dita në ditë po i vinte fundi.


Dhe Shkodra do të bëhej sërish pjesë e një prove të vështirë, por jo të pamundur për të shkulur nga rrënjët një sistem 50-vjeçar, pasi në shumë zona të vendit, PPSH e udhëhequr nga Ramiz Alia vijonte të qëndronte në krye të shtetit shqiptar.


Ndryshimet e mëdha në Evropën Perëndimore, era e fuqishme e demokracisë amerikane, krijimi i Partisë Demokratike kishin rritur besimin e vrarë frikën. Shkodranët e ndienin në shpirtin e tyre erën e fitores dhe demokracisë.


Zgjedhjet e 31 marsit '91, manipulimi i votave nga PPSH, fitorja e PD-së në rrethin e Shkodrës, kishin bërë që dy grupimet kundërshtare t'i interpretonin në mënyrë të ndryshme. Shkodranët e kishin shumë të qartë se pjesa dërrmuese e popullit shqiptar kishte votur për PD-në, por vota ishte vjedhur nga komunistët dhe ajo duhej mbrojtur me çdo kusht.


Komunistët, pasi siguruan fitoren e manipuluar, menduan se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të mposhtur me dhunë çdo protestë në Shkodër, për t'i nënshtruar ato, për t'i dhënë një mësim të mirë dhe për të shuar pastaj lëvizjen demokratike në të gjithë Shqipërinë.


Dhe shenjat e para të kësaj u dukën në pasdrekën e 1 prillit, kur deri në orët e vona të natës, para Komitetit të Partisë mbi 400 demonstrues ishin ulur në shesh dhe protestonin paqësisht, duke hedhur parulla antikomuniste, pro Amerikës, Evropës, demokracisë. Po kështu me qindra të tjerë qëndronin pranë ish-kafe Barbanës, pranë së cilës ndodhej dhe ish-muzeu ateist i kthyer në seli të PD për Shkodrën.


Qëndronin në heshtje, ndërsa e dinin shumë mire se çfarë kishte ndodhur me votën e 31 marsit. Këtë e kishin marrë vesh dhe nga personazhe të strukturave komuniste që në shenjë feste qëllonin në ajër me armët që kishin me leje për të përshëndetur fitoren e PPSH-së.


E nesërmja, 2 prilli, zbardhi e qetë. Dëshmitarë të asaj ngjarjeje kujtojnë se si para Komitetit të Partisë kishte një numër policësh të veshur dhe civilë. U dukën rreshtat e gjata të qindra të rinjve gjimnazistë që me libra në dorë u vendosën para Komitetit të Partisë dhe filluan protestën paqësore. Ishin gjimnazistë të shkollës "Jordan Misja" dhe "28 Nëntori". Ishin ulur në bordurat e lulishtes së shatërvanit dhe vetëm kaq.


Befas mbi ta u sulën dhjetëra e qindra policë, sambistë, që filluan t'i godasin me shkopinj gome dhe druri. Gjaku skuqi rrugët, të thirrurat dhe britmat u dëgjuan në çdo shtëpi shkodrane: "Po na vrasin djemtë dhe vajzat tona", ishte shprehja që dëgjohej dhe u derdhën drejt qendrës së qytetit qindra dhe mijëra qytetarë nga lagjet Kiras, Dërgut, Serreq, Dudas, Perash, Arra e Madhe, Xhabijej, Skënderbeg, Rus, nga fshatrat përreth. As autoblindët që u sollën me shpejtësi, asgjë nuk mund të ndalte turmën e revoltuar. Urrejtja 50-vjeçare antikomuniste kishte bërë që atë ditë të mos njihej frika, plumbi, vdekja.


Nga lartësitë ku dukeshin të vendosur snajperë dhe nga rreshtat e ushtarëve me skafandra filluan të dëgjoheshin të shtëna. Sheshi para ish-Komitetit të Partisë u mbulua me gjak Martirët do të ishin katër të rinj: Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, katër përfaqësues të fiseve të nderuara të Shkodrës, ndërsa rreth 80 të tjerë u plagosën.


Lije Broci, nëna e Arben Brocit kujton momentet kur duke e ditur se djali i saj ishte ndër figurat kryesore të PD-së në Shkodër e Shqipëri, më 2 prill, kishte shkuar tek selia e partisë e më pas me të tjerët në sheshin e protestës .


"Dëgjova krisma dhe ika tek sheshi. Atje ishte shumë rrëmujë, shihja njerëz që vraponin, të tjerë që thërrisnin "duam gjakun e vëllasë sonë, na keni vrarë shokun, vëllanë". Një djalë, rreth 15 vjeç, hoqi kanotierën e leu me gjakun që ishte në rrugë dhe e çoi lart duke bërtitë.


Pyeta kë kanë vrarë. Do djem të rinj që protestonin në shesh, duket se më njohën dhe ulën kokat e nuk m'u përgjigjën. Atëhera iu afrova këtij djalit me kanotjere të lyer me gjak dhe e pyeta kë kanë vra. Kanë vrarë Arben Brocin më tha", tregon Lije Broci, pa mundur të vazhdojë më tej.


Zef Gjoni, pjesëmarrës në këtë demonstratë tregon: "2 prilli erdhi menjëherë pasi ishin bërë zgjedhjet për pushtetin qendror dhe Shkodra e kishte bërë detyrën e vet duke fituar të gjithë deputetët e PD-së. Por në Shqipëri kishte fituar PPSH-ja dhe PD-ja kishte humbur. Populli i dinte se zgjedhjet ishin grabitur dhe nuk mund të duronte më.


Protestat ishin paqësore, më shumë të heshtura, por shteti iu përgjigj me plumba. U vranë katër dhe u plagosën rreth 80. Shumë prej tyre iknin me të afërmit nga spitali pasi kishin frikë të qëndronin në spital, pasi dhe atë e kishin komunistët.


Arben Broci u vra i pari pikërisht ndërsa kalonte nga lulishtja e shatërvanit për tek nxënësit e rreshtuar në asfalt para rreshtit të ushtarëve e policëve që kishin rrethuar komitetin e parties. Për mendimin tim Arben Broci, duke qenë figurë e njohur e PD-së, ishte në shënjestër pasi duhej të ishte njohur nga forcat policore e ushtarake që ndodheshin në shesh. Pastaj u qëllua mbi të tjerët, se ata nuk mund t'i vrisnin të gjithë".


Ibrahim Bilali, pjesëmarrës në atë që ndodhi më 2 prill 1991 dhe që drejton dhe shoqatën me të njëjtin emër kujton se "ishte dita e kthesës së madhe. E kujtoj me dhimbje dhe krenari 2 prillin 1991 pasi Shkodra tregoi se mundi të fitojë mbi bishën komuniste. Pas vrasjes së Arben Brocit e të tjerëve, turma nuk mund të ndalonte dhe i vuri zjarrin godinës së Komitetit të PPSH-së. Gjithçka ndodhi pas plumbave që shteti i atëhershëm lëshoi mbi protestuesit".


Ishte e gjithë Shkodra. Me këto fjalë mund të përkufizohet protesta antikomuniste e 2 prillit të vitit 1991, në sheshin kryesor të qytetit verior, i cili me 31 mars i kishte thënë një "Jo" të fortë regjimit komunist, por me sa duket kjo nuk mjaftonte dhe duhej larë me gjak. Pas 19 vitesh, qytetarët shkodranë besojnë se ajo që ndodhi më 2 prill 1991 akoma nuk është zbardhur plotësisht, edhe pse janë bërë hetime e gjyqe dhe janë dënuar katër veta.


Ngjarja e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku humbën jetën 4 persona, mund të ishte parandaluar, ky është rezultati që ka nxjerrë Komisioni i Posaçëm Parlamentar, një muaj pas ngjarjes tragjike në qytetin verior.


Sipas deklaratës së nxjerrë nga ky komision, më datë 3 maj të vitit 1991, forcat e policisë duhet të përcaktonin mjete të tjera për shpërndarjen e demonstruesve, dhe jo të përdornin armët. Komisioni Parlamentar në deklaratën e pas hetimeve nxori përgjegjësit e asaj ngjarjeje tragjike, si dhe masat që duheshin marrë për ta.


Për ekspertin e kriminalistikës ligjore Estref Myftari, katër dëshmorët e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës ishin qëlluar nga policia. Sipas Myftarit pas zhvarrosjes së tre prej të vrarëve, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës rezultoi se ata ishin qëlluar me armë që përdoreshin nga forcat e policisë.


"Kjo hodhi poshtë hipotezën se njerëzit në turmë kishin qëlluar njëri-tjetrin dhe u vërtetua se ishin qëlluar nga punonjës të policisë". Këto janë vetëm disa të dhëna të një rangu të gjatë të cilat nuk u ndalen vetëm në punën e prokurorisë dhe komisionit të posaçëm parlamentar, por dhe familjarëve të viktimave.


Artan Broci, vëllai i Arben Brocit , rrëfen: "Kam tentuar të shumëfishoj dhe të mbaj kopje të dokumenteve, pikërisht për të mos bërë të mundur asgjësimin e plotë të tyre. Mbase do të vijë ajo kohë për t'u zbardhë shumë gjëra".


Për Ahmet Kryeziun, vëllanë e njërit prej dëshmorëve të 2 prillit, Nazmi Kryeziu: "Pa vdekur ata që e bënë këtë masakër, që urdhëruan për të, nuk del e vërteta". Ibrahim Bilali shton se "në rast se do të ketë vullnet politik , e vërteta mund të dalë, edhe pse disa prej atyre që e bënë këtë masakër janë deputetë.


Mund të thuhen shumë fjalë, por preferoj të them vetëm një: shpresoj".
Ndërsa Zef Gjoni shton se "vrasjet politike edhe në botë vështirë të zbardhen. Dhe 2 prilli ishte vrasje politike, ku në shënjestër ishte Arben Broci".


Ish-ministri i brendshëm kur ndodhi 2 prilli 1991, Gramoz Ruçi, në dëshminë e tij lidhur me këtë ngjarje ka thënë: "Sipas informacionit që mora nga Shkodra, në darkë, kam folur me kryetarin e degës së punëve të brendshme. "Ka llafe që sot u shpërndanë, por do të grumbullohen nesër". Atëherë i kam dhënë tri porosi.


Nuk më shkonte ndonjëherë mendja dhe as ëndrra s'kam parë që mund të ndodhte ajo që ndodhi në Shkodër, shokë. Kam dhënë porosinë: "Shoku kryetar i degës, që në mëngjes të paraqitesh te vendi që grumbullohen.


T'i thuash sekretarit të Partisë Demokratike të lutem shumë, dua mbështetjen tënde". Sipas verifikimeve që kam bërë me zëvendësit e mi, ka shkuar dhe e ka zbatuar këtë detyrë. Së dyti, i kam thënë: "Do të vesh te kryetarja e komitetit ekzekutiv, do t'i kërkosh mbështetjen e të gjithë forcave politike."


Edhe këtë detyrë, sa e kam verifikuar, e ka realizuar. Së treti, që në momentin fillestar në orët e para të mëngjesit, personi i caktuar nga policia, duhet të vejë t'u bëjë thirrje, jo kur të vejë orteku ortek, par kur të jetë... Edhe këtë detyrë di që e ka bërë.


Kaq informacion kisha, kaq porosi i dhashë se kaq shkonte dhe imagjinata; se nuk kishim të dhëna se do të digjeshin komiteti i partisë, apo do të vriteshin, apo do të priteshin etj.; nuk na shkonte mendja te kjo".

Familja Juka, Mes nderimeve dhe persekutimit

Anila Dushi

Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë, pjesëtarë të familjes Juka, kontribuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit.


Megjithatë pas 1944-s ndëshkimi komunist do të binte mbi këtë familje edhe pse ajo kishte dhënë një bijë të saj në luftën kundër fashizmit dhe që ishte shpallur heroinë. U merren pronat dhe burgosen e persekutohen


Familja Juka është një ndër familjet më të njohura në Shkodër, edhe pse për shumë arsye pjesëtarët e saj janë të shpërndarë në Shqipëri e jashtë saj. Emra të nderuar të kësaj familjeje kanë lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar, brenda e jashtë tij, duke bërë që përmenden me respekt jo vetëm nga shkodranët.


Intelektualizmi dhe dashuria për atdhetun, krenaria për të qenit shqiptar duket se kanë karakterizuar figurat më të njohura të kësaj familjeje. Zamir Juka është një ndër pjesëtarët e kësaj familjeje që vazhdon të jetojë në Shkodër.


Duke folur për familjen e tij, referuar asaj që i kanë treguar paraardhësit, asaj që është e shkruar apo dhe materialeve të grumbulluara nga kushëriri i tij, Gëzim Juka, i cili është në proces të shkrimit të një libri për historinë e kësaj familjeje, Zamir Juka tregon se familja e tij ka ardhur në Shkodër nga zona e Dukagjinit, fshati Pecaj pas vitit 1600.


I pari i fisit ishte Pal Juca, i besimit katolik, dhe më pas pjesëtarët e kësaj familjeje janë kthyer në myslimanë, ku dhe mbiemri Juca kthehet në Juka. Kjo mësohet se ka ndodhur në kohën e ikjes së Venedikut dhe ripopullimit të zonave rreth kalasë së Shkodrës.


Historia e familjes

Njerëzit e familjes Juka janë vendosur në Shkodër në lagjen "Parrucë" dhe janë pronarë të mëdhenj ku krahas pronave, kanë ndërtuar dhe xhaminë e Parrucës, e cila u shemb nga komunizmi në vitin 1967, dhe që cilësohej si një ndër xhamitë më të bukura dhe më të njohura në të gjithë vendin.


Kjo familje përveç tokave, është pronare dhe e dy hoteleve, madje mendohet se dhe lagjja Parrucë ka marrë këtë emër nga i pari i këtij fisi, Pal Juca. Pas pushtimit turk, pjesëtarë të familjes Juka janë aktivë në jetën politike të qytetit.


Tahiragë Juka është udhëheqës i grupit të Tabakëve. Nelo Juka (Zenelagë Juka) është aktiv në luftën e Miletit të zhvilluar nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kontribues financiar i saj dhe një ndër firmëtarët e protestës së parisë së Shkodrës më 16 qershor 1878, kundër copëtimit të Shqipërisë. Historia e kësaj familjeje vazhdon me kontributet e pjesëtarëve të saj në jetën politike e administrative të Shkodrës e Shqipërisë, veçanërisht pas vitit 1912.


Krahas figurës së Musa Jukës, ka dhe të tjerë pjesëtarë të kësaj familjeje që shquhen, si: Hamza Juka, anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, Man Juka dhe Asllan Juka, pjesëtarë në Luftën e Koplikut kundër serbëve në vitin 1920.


Pasardhësi i kësaj familjeje, Zamir Juka, tregon se pavarësisht bindjeve zogiste, familja e tij u rreshtua në luftë kundër fashizmit dhe shprehu tipare të qarta antifashiste dhe për këtë ndihet krenar.


Edhe Musa Juka, që ishte numri 2 i shtetit shqiptar para pushtimit italian, bazuar në dokumentet zyrtare të kohës, ishte kundër pushtimit italian. Kështu më 6 prill 1939 ai do të transmetonte një shkresë me urdhrin e Mbretit Zog për qëndresë me armë kundër fashizmit, dokument për Musa Jukën.

KONCEPT


MBRETNIJA SHQIPTARE Tiranë më 6-4-1939
Ministrija e P. Mbrëndëshme
Zyra Sekrete
Nr. Ekstra
Z. Kolonel Ali Riza
Vlonë


Simbas urdhënit Nalt Madhnis Tij Mbretit.


Ju njoftojmë se në rasë se trupat italiane fillojnë me zbarkue në tokën t'onë menjëherë të fillohet luftimi tuej i kundërshtue me armë.stop. Dy batalionat e nodhun në Tepelenë dhe nji Berat u urdhnuen me u nis për Vlonë dhe me u vue nen Komandën e Z, s'Uej për mbrojtjen e atdheut.stop. Ministri.


Internimi i familjes pas pushtimit fashist


Pushtimi fashist do të kishte pasoja për këtë familje ku disa pjesëtarë të saj u burgosën dhe u internuan. Kështu Hilmi Juka internohet në Gjirokastër 1 vit, Galip Juka internohet në Pesaro, Itali 2 vite, Xhemal Juka internohet në Peruxhia 1 vit, Elez Juka internohet në Zvërnec Vlorë dhe në Itali 3 vjet, Ali Juka internohet në Ventotene, Itali 3 vjet, Myfit Juka u burgos në Shkodër dhe u internua në kampin e Prishtinës në shtator 1944. Shaban Juka u aktivizua me lëvizjen studentore kundër pushtuesve.


Shejnazja, partizania e mitur shkrodrane


Në këtë periudhë bie në sy aktiviteti antifashist i një tjetër figurë të kësaj familjeje, Shejnaze Jukës. Ndërsa ishte me studime në Itali, ajo kthehet në Shqipëri dhe rreshtohet aktivisht në formacionet antifashiste e partizane, që në fillimet e saj, së bashku me kushëririn e saj nga nëna, Qemal Stafa.


Përjashtohet nga shkolla në Shqipëri dhe duke qenë se kërkohej nga fashistët, del në male si partizane. Shejnaze Juka vritet duke luftuar me fashistët në zonën e Çermenikës në dhjetor 1943, dhe pas çlirimit i jepet titulli "Hero i Popullit". Emrin e saj e mban prej vitesh ish-shkolla pedagogjike, sot shkolla e mesme e gjuhëve të huaja në qytetin e Shkodrës, në oborrin e së cilës ndodhet dhe busti i Shejnazes.


Ndëshkimi pas çlirimit


Pronarë tokash, përpunues mëndafshi dhe tregtarë, pjesëtarë të familjes Juka, kontribuan edhe financiarisht për luftën kundër fashizmit. Megjithatë pas 1944-s ndëshkimi komunist do të binte mbi këtë familje edhe pse ajo kishte dhënë një bijë të saj në luftën kundër fashizmit.


U merren pronat dhe burgosen e persekutohen. Xhemal Juka vdes në tortura në hetuesi së bashku me Qemal Dracinin dhe varret e tyre akoma nuk dihet ku janë. Hilmi Juka, Nuh Juka burgosen politikisht. Intelektualë nga kjo familje të shkolluar jashtë vendit, si Galip e Zyber Juka dërgohen me punë të rëndomta në zona si Myzeqeja, Rrësheni apo Maliqi.


Arsimimi i bijve të kësaj familjeje shkon paralelisht me atdhetarizmin e saj, ku pjesa që është jashtë vendit, siç është familja e Musa Jukës jo vetëm arsimohet, por dhe pse nuk komunikonin me të tjerët në Shqipëri, nuk e harrojnë atdheun e tyre.

Safete Juka, studiuesja e mirënjohur shqiptare


Safete (Sofija) Juka, vajza e Musa Jukës është padyshim një tjetër figurë me vlera e kësaj familjeje. Intelektuale, e formuar në shkollat më të njohura duke nisur me shkollën fillore në Tiranë, atë të mesme në Austri dhe universitetin në Francë në vitet 1950--1956, Juka punon si profesoreshë në Liceun Francez të Aleksandrisë, Egjipt.


Aty, meqë ishte e apasionuar pas artit, hap dy ekspozita pikture dhe u quajt "piktorja e luleve".


Në vitin 1957, një vit pas vdekjes në Aleksandri të Egjiptit të babait të saj Musa Juka, familja zhvendoset në Nju Jork të SHBA-së. Atje jep mësime në një shkollë private në frëngjisht dhe gjermanisht. Gjatë kësaj kohe mbron në Francë doktoraturën më 1969-n dhe pas kësaj punon në Universitetin e Pensilvanisë si profesoreshë e letërsisë frënge të shekullit XIX - XX, ku del në pension.


Merr pjesë në shumë seminare dhe konferenca për problemet filozofike të artit e letërsisë franceze në SHBA. Piktore, studiuse, kritike arti, eseiste, analiste e kulturës në përgjithësi dhe artit francez në veçanti, Safete Juka bashkëpunon me revistat "The French Revieë", "Revue de Mitaphysique ed morale", "Les Lettres Romanes", "Ecrits de Paris", "Realites", La Nouvelle", "Revue Francaise", "South Asian Revieë".


Problemi i saj kryesor ishte çështja shqiptare dhe veçanërisht Kosova. Ajo i dërgon dhuratë presidentit Bill Klinton, sekretarit Bob Doll dhe shumë kancelarive librin e saj "Kosova - The Albanians in Yugoslavia in light of Historical Document". Vend të rëndësishëm zë dhe libri i saj "Golgota".


E etiketuar si Dora D'Istria e dytë, Safete Juka është propozuar për çmimin "Nderi i Kombit". Safete Sofija Juka (kështu e kishte emrin e vet në SHBA) pas viteve 1990 erdhi në Shqipëri dhe mori pjesë edhe në seminarin "Shkodra në shekuj" me veprën "Shkodra në veprat e Mary Edith Durham", kjo në vitin 1993. Vdiq në Nëntor 2005 dhe, sipas amanetit të saj, varroset në Shkodër.


Dhurata 40 000-dollarëshe Bibliotekës Kombëtare


Një tjetër tregues i patriotizmit dhe atdhedashurisë së Safete Jukës, edhe pse ishte larguar nga Shqipëria vetëm 13 vjeçe, është dhe dhurata prej 40 000 dollarësh që i la pas vdekjes së saj Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.


Këtë amanet e plotësoi motra e saj Lume Juka, murgeshë e urdhrit të Nënë Terezës, që i shkruan më 19 qershor 2009 nga Nju Jorku drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.


Ajo i bën të ditur se motra e saj Safetja ka depozituar në një bankë të Nju Jorkut një shumë prej 40 000 dollarësh, që sipas amanetit të saj do t'i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare.


Lumnije Juka, motra e Safetes, ka një aktivitet sa bamirës, aq dhe atdhetar në Nju Jork, ku në vitin 1969 ajo bëhet nismëtare dhe mundësuese e takimit të parë të Nënë Terezës me Mbretëreshën Geraldinë.


Të tjerë pjesëtarë të familjes së Musa Jukës u arsimuan në universitetet e njohra të botës, si Berhani për drejtësi në Sorbonë, ndërsa Fiqireti për letërsi franceze në Strasburg dhe në Universitetin e Xhorxhias, SHBA për Shkenca Politike.


Ndonëse i larguar në moshë të re nga Shqipëria, Zamiri tregon se ai ka pasur dëshirë të vinte në Shqipëri dhe në pamundësi të kësaj, sipas amanetit të tij, Fiqeret Juka pas vdekjes në vitin 1992 varroset në Shkodër.


Dy anët e medaljes


E kundërta ndodhi për pjesëtarët e kësaj familjeje që jetonin në Shqipëri, të cilët deri më 1990-n i kishin të pakta mundësitë e shkollimit. Zamir Juka, i cili u privua nga shkolla e lartë për arsye politike, kujton atë që i tregonte babai i tij kur u erdhi lajmi i vdekjes së Musa Jukës në Egjipt.


"Nuk lejohej të nxirrej njoftim dhe të priteshin ngushëllime, aq më tepër që Musa Juka ishte i etiketuar nga komunistët si "armik". Në këto kushte, miq e të afërm që e morën vesh, vinin tinëz për ngushëllime në shtëpi, në orare të ndryshme dhe me kujdes që të mos diktoheshin dhe mbi ta të binte ndëshkimi. Komunistët nuk lejonin që të respektohej as i vdekuri.


Më kujtohet që babai dëgjonte fshehurazi stacionet e huaja dhe gjithmonë na porosiste që çfarë flitej apo dëgjohej në shtepi të mos e thonim jashtë saj", kujton Zamir Juka.


Ndërkohë, figurë e njohur e kësaj familjeje është dhe Xhelal Juka, sportist e trajner i njohur futbolli.


Ndonëse spikaste si talent futbolli, ai luajti 10 ndeshje ndërkombëtare futbolli me ekipin e Vllaznisë dhe atë kombëtar, por të gjitha brenda vendit, pasi nuk lejohej të dilte jashtë shtetit qoftë dhe për të luajtur futboll si pjesë e ekipeve ku luante.


Xhelal Juka është Mjeshtër i Merituar i Sportit; mbajtës i Urdhrit "Naim Frashëri" i klasit të Parë 1999; titullin "Palok Nika" dhënë nga Bashkia e Shkodrës 2000, Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës 2009. Pas 1990-s, pjesëtarë të kësaj familjeje vazhdojnë të kontribojnë në fusha të ndryshme dhe të arsimohen jashtë vendit.


Genc Juka është deputet në vitet 1992-1996 dhe 2005-2009, ndërsa Amer Juka diplomohet me rezultate të larta për drejtësi në universitetin Panthéon-Assas - pasardhës i të famshmit Faculté de Droit de Paris Francë.


Në ceremoninë e organizuar, Armer Juka nderohet me çmimin Major si student i shkëlqyer që është renditur i pari në përfundim të studimeve master në degën e së drejtës evropiane të biznesit.


Ky çmim i është dhënë atij në vitin 2009 nga Eric Ëoerth, ministër i buxhetit dhe kontove publike nëpunësve publikë dhe reformës së shtetit në Francë, ndërsa të pranishëm kanë qenë dhe personalitete të tjera franceze, si: Vincent Lamanda, kryetar i Gjykatës së Lartë, Jean-Pierre Lecoq, deputet dhe kryetar i minibashkisë, Louis Vogel, President i Universitetit, Patrick Gérard, Rektor i Akademisë së Parisit.


Musa Juka, ministri, deputeti dhe kryebashkiaku i Shkodrës
Ndër njerëzit më me emër në këtë familje të madhe shkodrane spikat Musa Zyber Juka (1885-1955).


I arsimuar në kolegj në Stamboll, Musa Juka në vitet 1921-1924 vihet përkrah Ahmet Zogut.


Zgjidhet kryetar bashkie në Shkodër dy herë.
Në vitin 1917 është pjesëtar i delegacionit shqiptar në Vjenë në ceremoninë e hipjes në fron të Karlit të Parë.
Në fillim të dhjetorit 1924 emërohet zëvendësprefekt i Shkodrës dhe më 1 mars 1926 bëhet deputet.


Në qeverinë e Ahmet Zogut, Musa Juka është ministër i Punëve Botore dhe Bujqësisë në dhe më pas zëvendësministër i Brendshëm
Në vitin 1928 është ministër i Bujqësisë dhe Pyjeve.


Në vitin 1929 është ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe në Asamblenë Kushtetuese të 1928-s është në grupin e asamblistave të Shkodrës që shpallën Monarkinë me Mbret Ahmet Zogun dhe në Parlament deri në 1932-shin është deputet i Shkodrës.


Po kështu, Musa Juka është deputet i Shkodrës në parlamentin e viteve 1932-1936, si dhe në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e janarit 1937 - 7 Prill 1939, ditë kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe ai u largua nga Shqipëria.


Në qeverinë e Pandeli Evangjelit nga 6 mars 1930 - 11 Prill 1931 Musa Juka është ministër i Punëve të Brendshme, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë dhe në vitet 1932-1939, ndërsa gjatë kësaj periudhe ishte edhe zëvendësministër i Ekonomisë Kombëtare.


Gjatë viteve 1935-1937 Musa Juka ka qenë dhe drejtues i Entit Kombëtar të Turizmit.
Me krijimin e Federatës Sportive Shqiptare në Qershor të vitit 1932 u zgjodh kryetar i saj.


Ai është dekoruar nga Perandori i Austro-Hungarisë në kohën e Luftës së Parë Botërore kur ishte Kryetar i Bashkisë dhe sipas gazetës "Posta e Shqypnies" e Gjergj Fishtës në Nr. 28 Mars 1917, së cilës i referohen pasardhësit e familjes Juka, Musa Juka ka marrë "Kryqin e Kreshnikëve të Urdhrit të Franc Jozefit".


Me një dekoratë e tillë, së bashku me Musa Jukën janë nderuar dhe Ndre Mjeda, At Pal Çurçia, At Joakin Serreqi, At Pal Doda, Luigj Gurakuqi, Ahmet Bej Zogolli, At Shtjefën Gjeçovi etj, që përkrahën Austrinë.

Friday, March 11, 2011

Shqiptarët dhe islami.


Frankfurter Rundschau*

Mbi 90 për qind e shqiptarëve të Kosovës u takojnë familjeve myslimane. Megjithatë, ata një kohë të gjatë konsideroheshin se janë imunë ndaj joshjeve islamike.
Por, që ky konstatim mund të ndryshojë, tregon emërimi i një ish-reperi besimtar (Memli Krasniqi, v.j.) në postin e ministrit të Kulturës. Mbetet për t’u sqaruar nëse islamizmi që po rritet ngadalë ka të bëjë te krimi i Arid Ukës në Frankfurt, shkruan analisti Norbert Mappes-Niediek në “Frankfurter Rundschau”.
Religjioni shtetëror në Kosovë është nacionalizmi shqiptar. “Islami u është imponuar shqiptarëve”: Me këtë formulë nacionalistët e bindur i refuzojnë të gjitha joshjet nga ana e sauditëve dhe muxhahedinëve boshnjakë. Fëmijët pagëzohen me emra shqiptarë, si Ilir ose Dardan, Vlora ose Teuta. Kush e ka emrin Hajrudin, Nezir dhe Muharrem shpesh i vjen turp.
Heroi kombëtar i Shqipërisë është Skënderbeu, një princ i krishterë, i cili në shekullin e 15-të i mbrojti shqiptarët atëbotë të krishterë kundër osmanëve myslimanë. Menjëherë pas tij vjen Nënë Tereza katolike. Mjekra dhe mbulesa e femrave janë pjesë e pamjes në rrugë mbase në Maqedoninë fshatare, shqiptarët e atjeshëm konsiderohen konservativë dhe të prapambetur. Në Kosovë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbretëroi solidaritet i gjithanshëm me çlirimtarët amerikanë.
Por, që nga atëherë mes nacionalizmit shqiptar dhe fundamentalizmit mysliman është krijuar një urë ideologjike. “Sikur të mos e kishim pranuar islamin, ne sot do të ishim serbë ose grekë”, thotë Abdi Baleta, kryeideolog i këtyre ideve. Ky shqiptar nga Tirana ka qenë diplomat nën diktatorin Enver Hoxha dhe që nga ndryshimet e vitit 1991 ai u prin disa partive të vogla. Në Shqipëri ky ka pas vetes vetëm një pakicë.
Një kohë të gjatë Kosova ishte e çliruar nga idetë e tilla. Në emigracion, ku shumë shqiptarë të rinj rriten si pjesë të një shtrese të deklasuar emigrantësh, tezat e Baletës gjejnë më shumë mbështetje dhe kthehen prapa në Ballkan.
Ministri i ri kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi, për disa pjesë të gjeneratës së re është idhull. Vendimi i parë i Krasniqit si ministër ishte heqja e portreteve të Nënë Terezës dhe themeluesit shekullar të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në korridorin e ministrisë.

*Gazetë e Frankfurtit. Artikulli është botuar në numrin e djeshëm

Thursday, March 10, 2011

Zija Çela: Jeta është një faturë që duhet paguar


E ai i kapërdin lotët, jo sepse burrat nuk qajnë, por sepse nuk do ta bëj tjetrin të vuajë në përpjekjen e vet për të qenë ngushëllues. E aq më tepër, Zija Çela nuk dëshiron t’i komunikojë vuajtje të tjerëve përmes letërsisë. Pak ditë më parë, si nuk do të kishte dashur që të ndodhte, kremtoi 5-vjetorin e vdekjes së të birit, i cili u nda nga jeta në një ditë marsi, kur kumbullat mbushen me lule e koha nis të çelet. Një grup miqsh u mblodhën për të ndarë mes tyre kujtimet që Dritani la pas. Disa e njihnin atë personalisht, të tjerë njihnin të atin. Kishte politikanë mes tyre, të djathtë e të majtë (Kryeministri Sali Berisha, Besnik Mustafaj, Namik Dokle, etj.) e që në atë ditë kujtese nuk nguruan t’i shtrëngonin dorën njëri-tjetrit. Një kremtim që erdhi bashkë me botimin e librit “Përgjigje për dashurinë – In memoriam për… Dritan Çelën”. Një libër në dy pjesë me shkrime e përkthime. Pjesa e parë është një përmbledhje shkrimesh, të botuara në faqet e shtypit të përditshëm për ndarjen nga jeta të përkthyesit 36-vjeçar, 5 vjet më parë dhe librin që pasoi paskëtaj, shkruar nga i ati, Zija Çela “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Kanë shkruar për të Agron Tufa, Arian Leka, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Dhurata Shehri, Gentian Çoçoli, Josif Papagjoni, Kim Mehmeti, Preç Zogaj, Roland Gjoza, Roland Sejko, Rudolf Marku, Visar Zhiti, etj. Por çka e sjell të gjallë përkthyesin janë vetë përkthimet e tij, që datojnë qysh nga koha kur ai ishte ende një adoleshent, që studionte për gjuhën italiane në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja. Janë rreth 240 faqe përkthime, të përfshira në pjesën e dytë të librit, “Florilegium”, poezi e prozë nga emra të mëdhenj, jo vetëm të letërsisë italiane, por dhe asaj botërore, që nga Xhani Rodari, Dino Buzzati, Italo Calvino, Gabriel Garsia Markez, Uilliam Sarojan, Tadeush Roseviç, Jorge Luis Borges, Luigi Pirandello, Susanna Tamaro, etj. Përkthimet shoqërohen edhe me nga një faksimile të origjinalit, shkruar me shkrim dore. Një shkrim i mirërrumbullakosur, si i të një fëmije, herë-herë me korrigjime, fjalë të shkarravitura… Tek-tuk titujt i shoqëronte edhe me nga një vizatim naiv, që përkon me titullin. Diku një kapotë, një peshk, apo ca pemë, lule… “Në fillimet e tij, Dritani i shkruante përkthimet me dorë, pastaj i kalonte në olivetin e vogël të të atit. Prandaj, qysh atëherë kanë mbetur dorëshkrimet dhe formatet e makinës. Më pas, ndoshta ka qenë viti 1992, mua më dhuruan një kompjuter të përdorur. Pasditeve, me t’u kthyer nga fakulteti (ku bënte mungesa të shpeshta), kompjuterin e zinte Dritani. Me një kureshtje që nuk i shuhej, s’i ndahej deri natën vonë. Kështu, edhe letërsinë që pëlqente, edhe filmat për televizionin publik, e më pas në Tv Klan filloi t’i përkthente drejt e në kompjuter. Në këtë kuptim, arkivi i tij nisi të bëhej vetëm digjital. Duke përjashtuar vitin e fundit, që pak a shumë e kaloi në spital dhe kur solli në shqipe tre tregime nga Buzzati, për aq sa rrojti (4 mars 2006), arriti të përkthente njëmbëdhjetë libra të botuar, njërin nga shqipja në italishte, ndërsa dy i mbetën përgjysmë. Jo të gjitha dorëshkrimet dhe file-t i gjeta menjëherë. Ishin të shpërndara dhe i mblodha pak nga pak për antologjinë e tij”, shkruan në krye të “Florilegium”, Zija Çela.
Të dish të vuash
“Tanin e kisha mik dhe miqve nuk u shihet mosha, por teksa mblidhja përkthimet e tij shihja që kishte botuar Buzzatin qysh kur ishte 17 vjeç”, thotë Zija Çela. Dhe në fakt, shumë përkthime datojnë në vitet ’87, ’88, ’89, atëherë kur ishte 17, 18, apo 19 vjeç dhe bashkëmoshatarët e tij, të tjera gjëra mendonin. Thua se e ndiente se nuk do të kishte kohë mjaftueshëm për të bërë të gjitha ato gjëra që donte. E Zija Çelës i duhet të rikthehet në këtë labirinth kujtimesh. Duhet të ketë qenë i dhimbshëm procesi, sepse zakonisht dhe natyrshëm ndodh që janë bijtë ata që mbledhin kujtimet e prindërve, por Çela i jep kurajo vetes. Teksa gjerb kafenë, mundohet t’i japë zemër bashkëfolësit, sikur fatkeqësia t’i kishte rënë këtij të fundit. “Jeta është një faturë e dhënë nga Zoti dhe atij nuk i bëhen pyetje, sepse nuk merr kurrë përgjigje”, të thotë shkrimtari, teksa shton se përballë një fatkeqësie të tillë, të duhet të bësh një zgjedhje, të vazhdosh përpara, apo ta lëshosh veten. Por që të ecësh përpara e gjithë ajo dhimbje të të kthehet në forcë dhe dashuri, duhet t’ia hapësh veten dritës e të të mos mbysë errësira e mendimeve të këqija. Dhe duket se Zija Çela e ka gjetur forcën dhe ndriçimin pikërisht tek i biri, tek ajo që ai i dha, tek ato çka i mësuan njëri-tjetrit… Ka shumë nga ata që nuk e kuptojnë se si vetëm një vit pas vdekjes së Dritanit, ai botoi librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, ku rrëfen për të birin, për sëmundjen që e gërreu brenda një viti. Ndoshta për të ky ishte shpëtimi nga dhimbja mbytëse… Edhe pas 5 vitesh dhembja vazhdon të jetë e fortë, pavarësisht se ai ka mësuar të jetojë me të. Nuk mund ta fshehë se i pikon në zemër teksa sheh të nipin, Kevinin, që i kujton veten, i lënë nga i ati, po si ai në moshën 5 vjeç e gjysmë. E përlot Livia, aso kohe e sapolindur, që nuk ruan asnjë kujtim nga i ati e që sot 5-vjeçare, kërkon me çdo kusht ta njohë. Dhe sytë e errët, depërtues rrëmbushen… Por jeta është një faturë e dhënë nga Zoti, të cilën të gjithë duhet ta paguajmë, vetëm varet se si dhe me çfarë.ALMA MILE

KUKES- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu nga Kukësi e quajti regjistrimin e Partisë Socialiste në KQZ , një hap pozitiv, ndërsa shtoi se nëse Edi Rama dhe Lulzim Basha do të jenë përballë njëri-tjetrit për Bashkinë e kryeqytetit duhet të përballen në një debat televiziv. Sipas ambasadorit e rëndësishme në këtë kohë është që partitë politike që do marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit të punojnë me KQZ-në si dhe të gjejnë një mekanizëm bashkëpunimi me njëra-tjetrën. Shqipëria ka marrë mbështetje nga ndërkombëtarët vazhdoi më tej ambasadori, por theksoi se ndërkombëtarët janë të zhgënjyer nga palët. Ka munguar dialogu, tha ai. Arvizu po qëndron për disa orë në qytetin e Kukësit ku po zhvillon takime me drejtuesit vendorë.
***
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i ka cilësuar si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë zgjedhjet e 8 majit.


Gjatë një daljeje publike në ambientet e Ambasadës Amerikane, Avizu ka theksuar se vota e çdonjërit ka vlerë dhe të gjithë duhet të kenë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje. "Këto zgjedhje vendore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ne presim që të shohim konkurrencë dhe një fushatë të besueshme.


Zhvillimi i fushatës është pjesë e sistemit demokratik dhe ato janë të nevojshme. Qytetarët duhet të dëgjojnë atë që thonë politikanët dhe të marrin vendimet e tyre", ka thënë ai, duke shtuar se "Çdo person ka një votë për të dhënë. Nëse ju quheni Sali Berisha keni një votë, Edi Rama një votë, Ina Rama një votë... Çdokush ka një votë dhe çdo votë ka vlerë ashtu si edhe të gjithë të tjerëve që Shqipëria të ecë përpara. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ja pse SHBA-të kanë vendosur të japin fonde për to".

Në lidhje me vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve të 8 majit, ambasadori amerikan u ka kërkuar vëzhguesve të të bëjnë më të mirën e mundshme, me qëllim që këtu të jenë zgjedhje të besueshme. "Vëzhgimi i zgjedhjeve është pjesë kryesore e ditës së zgjedhjeve dhe ndihmon që të ketë zgjedhje të besueshme. Të nderuar vëzhgues duhet ta merrni punën me seriozitet. Puna juaj do të jetë shumë e rëndësishme për suksesin e këtyre zgjedhjeve dhe do të përcaktojë të ardhmen e këtij vendi", tha Arvizu.


Ambasadori Arvizu bëri të ditur se SHBA-ja ka vendosur të japë një fond prej 60 mijë dollarësh për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Wednesday, March 9, 2011

Unë, përballë Ramës dhe Bashës për Tiranën e Shqipërisë Natyrale

Intervistoi: Habjon Hasani

Zoti Danaj, keni vendosur të merrni pjesë në zgjedhjet vendore, veçanërisht në Tiranë. Çfarë mendoni se do të arrini ju konkretisht me futjen në zgjedhje?

E para: Për shkak të problematikës nacionale, e cila si nga jugu i Shqipërisë Natyrale, ashtu edhe nga Veriu i saj, është kompleksuar. Shovinizmi grek dhe serb, duke përfituar edhe nga sherret ndërshqiptare, kërkon të rrudhosë akoma më shumë trojet shqiptare. Ndërsa ne, mbrohemi në portë dhe nuk kemi kaluar asnjëherë në kundërsulm. Për këtë arsye, dy muajt që na ndajnë nga zgjedhjet do të përdoren në shërbim të argumentimit të domosdoshmërisë së jetësimit të Shqipërisë natyrale. E dyta: Do të përqendrohemi më shumë në Tiranë dhe jo rastësisht. Tirana duhet të bëhet Kryeqyteti i Shqipërisë natyrale. E kjo kërkon një debat të gjithanshëm, kërkon ide të reja zhvillimore, të cilat do të bëhen të njohura gjatë dy muajve. E treta: Shqiptarët në Tiranë, sipas sondazhit të Gallup, janë shprehur në masën 69 për qind pro bashkimit të trojeve shqiptare në rrugë paqësore. Është një moment oportun, për të parë sesa kjo dëshirë do të konvertohet në votë.

Nuk mendoni se do ishte më mirë një aleancë me partitë e mëdha, duke pasur parasysh se gara për Tiranën mund të jetë në fakt një garë që do të ketë vetëm dy "Gladiatorë" dhe trysnia do të jetë e jashtëzakonshme?

Jo, pasi asnjë nga partitë e mëdha, nuk e ka në program Platformën e Shqipërisë Natyrale. Ato janë ose kozmopolite, ose fondamentaliste kozmopolite. Një aleancë me këdo prej tyre, do të dëmtonte idenë e madhe të bashkimit kombëtar.

Zoti Danaj, sipas jush cili është thelbi i atmosferës aktuale në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, lidhur me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike?

Kërkesa për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, mbi baza etnike ka rritur ndjeshëm tensionin ndëretnik midis kombit shqiptar dhe shovinizmit grek. Deklarata, emisione televizive, vendime gjykatash për ndryshim kombësie, ringjallje fantazmash të vdekura me emrin Vorio Epir janë bërë të pranishme për opinionin publik shqiptar. Shovinizmi grek po luan hapur, ai kërkon të shtojë numrin e grekëve në Shqipëri, të zgjerojë hapësirën e minoritetit grek në Shqipëri. Në kuptimin figurativ është një Lojë me Letra të Hapura. E duke qenë kështu, edhe Lista për Shqipëri Natyrale do të luajë me letra të hapura. Po bëhem më konkret: Për minoritetin grek në Sarandë dhe për ata që njohin sadopak historinë, janë në gjendje të të thonë se deri në vitin 1944, shumica e fshatrave të minoritetit grek kishin këto emra, fshati Memush Bej, Hadër Aga, Aliko, Caush, Kalive bej Pasha, Hoxhe, Ymer Efendi etj. Qeveria e Enver Hoxhës në emër të internacionalizmit proletar dha urdhër të ndryshohen këto emra. Dhe në vend të tyre, lindën emrat, Livadhja, Lefter Talo, Fitore, Dritas etj.Përsëri, për ata që e njohin sadopak historinë, e dinë fare mirë se Komisioni Ndërkombëtar i përcaktimit të kufijve në 5 dhjetor 1913 do të shprehej për Luginën e Drinos, ku shtrihen fshatrat e Dropullit të Poshtëm dhe të Sipërm se:…Nga të 76 fshatrat e Luginës së Gjirokastrës, 15 prej tyre janë secili pronë e një beu, ndërsa të gjitha pronat e 44 fshatrave të tjerë u përkasin plotësisht bejlerëve dhe agallarëve muslimanë. Vetëm pronat e Pepelit dhe të Selos u përkasin ortodoksëve. Të gjitha këto arsye, të paraqitura shkurtimisht, duken të mjaftueshme për të përligjur dhënien e gjithë Luginës së Gjirokastrës, Shqipërisë… (Mbledhje e Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, Leskovik, datë 5 dhjetor 1913) Ndërsa parlamenti i Shqipërisë i vitit 1992, ju dha tokë ish-minoritarëve që kishin ardhur sipas komisionit ndërkombëtar të caktimit të kufijve…nga krahina e Janinës, të thirrur nga bejlerët shqiptarë për të punuar tokat e tyre. Minoritari i thjeshtë këtë nder që i bëri Parlamenti i Shqipërisë, e konverton në votë për partitë shqiptare. Është momenti që edhe deputetët minoritare, si Vangjel Dule, Spiro Ksera, Vangjel Tavo, etj, apo intelektualë si Panajot Barka apo Thoma Miço t’i shprehin mirënjohjen shtetit shqiptar që i bëri me prona, kur ata janë nipër apo fëmijë argatësh. Këtë duhet ta bëjë edhe qeveria greke, të shprehë mirënjohje për qeveritë dhe shtetin shqiptar, ashtu siç kanë bërë qeveritë shqiptare, që i kanë shprehur mirënjohje shtetit grek, për pranimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve në fillim të viteve 90-të, megjithëse qeveria greke, ata në shumicë i trajton si argatë, pa pranuar t’i bëjë pronarë. Demokraci do të thotë reciprocitet. Dhe nëqoftëse qeveria greke vazhdon të ngulë këmbë duke na trembur me të ashtuquajturin regjistrim etnik, pasi gjoja këtë e kërkojnë Konventat europiane, qeveria shqiptare, politika shqiptare, duhet të japë përgjigjen e mëposhtme: Po, dakord jemi, por në fillim do riparojmë shkeljen e Konventave Europiane që e bëmë në vitin 1992, kur pronat e pronarëve të ligjshëm shqiptarë, ua dhamë ish-argatëve, pra do anullojmë ligjin 7501 në zonën e minoritetit. Prandaj, pasi Dulja, Ksera, Barka, Mico, Tavo, Papathanasi etj, etj, të kthejnë tokat që ua morën agallarëve dhe bejlerëve të Gjirokastrës, Libohovës, Delvinës, Borshit, atëherë bëjmë edhe regjistrimin siç e doni ju. Kjo quhet dinjitet kombëtar europeist. Por kjo temë, do trajtohet më gjerësisht gjatë fushatës elektorale.

Z. Danaj, a janë shqiptarët duke ndërtuar të ardhmen e tyre me idenë e një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare? Është kjo ide një utopi apo një vizion?

E ardhmja e shqiptarëve, është bashkimi në një shtet të vetëm, krijimi I shtetit modern në vend të vilajeteve neootomane. Kjo nuk është as utopi, po tashmë nuk është as edhe Vizion. Eshtë një problem i shtruar për zgjidhje. Shqiptarët nuk kërkojnë asgjë më shumë se të tjerët, vetëm kërkojnë të jenë si te tjerët. Shqipëria natyrale është një ofertë për paqe që ju serviret fqinjëve dhe BE. Jam i sigurt se shumë shpejt, fqinjët dhe BE do ta mirëpresin këtë ofertë. Paqen e duan të gjithë, pavarësisht nga madhësia e shtetit apo sasia e parave.

Dhe fundit, votën e kujt do të kërkoni gjatë fushatës?

Votën e atyre shqiptarëve që duan bashkimin e trojeve shqiptare në rrugë paqësore, që duan Shqipërinë natyrale si burim i stabilitetit, paqes, mirëqenies dhe progresit ndërshqiptar. Pra votën e 69 për qind të shqiptarëve, që kanë shprehur dëshirën për të jetuar në një shtet të përbashkët.

Zoti Danaj, në Platformën e Shqipërisë Natyrale jeni shprehur se Çamëria duhet të shpallet Zonë e Lirë, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çfarë doni të thoni me këtë?

Edhe kjo është një temë që do të trajtohet gjerësisht gjatë fushatës, por shkurtimisht dua të them se: Krahina shqiptare e Çamërisë ju aneksua në mënyrë kolonialiste Greqisë nga Konferenca famëkeqe e Londrës në vitin 1913. Sipas Memorandumit të qeverisë shqiptare të Vlorës në vitin 1913, në Çamëri jetonin 75 mijë shqiptarë, nga të cilët 18 mijë shqiptarë të greqizuar, të cilët ishin vendosur në kazanë e Reshadijes (Igumenicës) 16 mijë shqiptarë, në kazanë e Margëlliçit 25 mije shqiptarë, në kazanë e Filatit 20 mijë shqiptarë, në kazanë e Paramithisë, 13 mijë shqiptarë……Në kazanë e Luros 100 për qind shqiptarë…..(Memorandum i qeverisë së Vlorës, drejtuar Konferencës së Londrës, firmosur nga Mehmet Konica, Rashih Dino dhe Filip Noga) E dyta: Krahina shqiptare e Çamërisë, në mbarim të Luftës së dytë botërore ju nënshtrua një spastrimi etnik gjenocidist dhe fashist. Preteksti: Gjoja shqiptarët kishin marrë pjesë përkrah nazifashizmit. Në vizitën e fundit në Dropull, Nikolas Gejxh, e trajtoi këtë çështje, duke thënë se problemi i shqiptarëve të Çamërisë është problem europian pasi, sipas tij, në atë periudhë u deportuan 16 milionë pakica nacionale, që kishin marrë pjesë përkrah nazifashizmit. Bukur. Por Gejxh dhe qeveritarët grekë, ose nuk e njohin historinë, ose e fshehin atë. Pse e them këtë. Është e vërtetë, që pas Luftës së dytë Botërore u deportuan miliona njerëz të pakicave nacionale në Europë, por kjo u bë në bazë të vendimeve të Konferencës së Potsdamit, pas korrikut 1945. Dhe këtë vendim aso kohe e firmosi, Josif Stalin, Hari Truman dhe Klement Etli. Dhe në këtë vendim thuhet të deportohen këto pakica nga trojet e tyre, me përjashtim të shqiptarëve të Kosovës, Bullgaro-maqedonëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve të Çamërisë, të cilët kanë marrë pjesë aktivisht në luftën antifashiste. Për ata që e njohin historinë, e dinë se pas kësaj konference, në vitet 1945-1947 u deportuan 2 milionë e 850 mijë gjermanë të Sudeteve, dhe mbetën vetëm 157 mijë që u trajtuan si antifashistë, u deportuan 600 mije gjermanë të Vollgës, 400 mijë të Vojvodinës, një milion çeçenë të Çeçenisë etj etj. Pra shteti grek shkeli vendimin e Konferencës së Potsdamit. Për këtë arsye, duhet që e para qeveria greke të kërkojë falje për gjenocidin e ushtruar dhe e dyta, t’i lejojë shqiptarët e Çamërisë të kthehen në trojet e tyre dhe të vendosin vetë për fatin e tyre. Nëqoftëse sot thuhet shpesh se minoriteti grek shërben si urë lidhëse e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, tashmë duhet thënë se Çamëria duhet të jetë ajo që duhet dhe do të shërbejë si urë lidhëse e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka edhe të tjera, por do trajtohen gjatë fushatës. Do ju sugjeroja intelektualëve dhe deputetëve minoritarë, që kur të vijnë tjetër herë në debate, të marrin me vete edhe librin Mëhallat e Botës të Janis Ricosit dhe veprat e djegura në vitin 1936 në mes të Selanikut të Kostis Pallamasit.

Pasuria, ILDKP gjobit Tepshin dhe Sallabandën

ILDKP u rikujton të gjithë subjekteve që mbartin detyrim për deklarim “Periodik/Vjetor” se afati i fundit i dorëzimit të deklaratave është data 31 Mars 2011

TIRANË- Mosdeklarimi i pasurisë brenda afateve ligjore vijon të mbetet një problem i vazhdueshëm për zyrtarë të niveleve të ndryshme. Në listën e publikuar dje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dallohen edhe dy emra ish-ambasadorësh, Qazim Tepshi dhe Aleksandër Sallabanda, të cilët janë gjobitur me 250 mijë lekë të vjetra, për mosdeklarim të pasurisë brenda afateve që parashikon ligji. Krahas tyre, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka gjobitur edhe 12 zyrtarë të tjerë, për mosdeklarim në afat pa shkaqe të arsyeshme ligjore, si edhe për shkelje të rregullave të deklarimit të interesave private. “Inspektorati i Lartë, i cili aktualisht po zhvillon kontrolle në të gjithë institucionet publikë, për respektimin e kërkesave ligjore mbi deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave, ka evidentuar dhe ka aplikuar masën administrative “gjobë” për 12 zyrtarë, të cilët nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara në ligj, për plotësimin e deklaratës “Pas largimit nga funksioni”.

Gjithashtu, ILDKP ka aplikuar masën ndëshkuese “gjobë” për 2 zyrtarë të tjerë, pasi gjatë kontrollit të kryer mbi deklaratat e tyre të interesave private, janë evidentuar shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ILDKP-së. Po përmes njoftimit zyrtar, ILDKP u rikujton të gjithë subjekteve që mbartin detyrim për deklarim “Periodik/Vjetor” se afati i fundit i dorëzimit të deklaratave është data 31 mars 2011. Ndaj zyrtarëve që nuk plotësojnë detyrimin ligjor, sipas afateve ligjore, ILDKP njofton se do të zbatohen sanksionet përkatëse. Pak kohë më parë, ILDKP-ja kallëzoi penalisht dy zyrtarët lokalë, kreun e komunës Dajt, Kujtim Qefalia dhe ai i komunës Gosë, Sinan Shala, me akuzën e “mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”. Menjëherë pas këtij njoftimi, qeveria vendosi shkarkimin e dy kryekomunarëve në fjalë.

Lista e zyrtarëve të gjobitur

Për shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë

(Neni 41/1/ë, ligj nr.9367, dt.7.4.2005)

1. Mexhi Salliu Kryetar, Komuna Sinaballaj 10.000 lekë

2. Gjek Cali Kryetar, Komuna Balldre 10.000 lekë

Për vonesa në deklarim, pa arsye ligjore

(Neni 41/1/c, ligj nr.9367, dt.7.4.2005)

1. Julian Ahmeti Ish-Përmbarues, Tiranë 25.000 lekë

2. Laureta Bejkosala Ish-Regjistruese, ZRPP Vlorë 25.000 lekë

3. Ermira Mhilli Ish-Përmbaruese, Shkodër 25.000 lekë

4. Qazim Tepshi Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme 25.000 lekë

5. Martin Tusha Ish-Përmbarues, Pukë 25.000 lekë

6. Ani Dasho Ish-Dr. i Përgjithshëm, Min.Financave 25.000 lekë

7. Mehmet Çërraga Ish-Përmbarues, Elbasan 25.000 lekë

8. Aida Seseri Ish-Drejtoreshë, MPPTT 25.000 lekë

9. Sami Vrapi Ish-Doganier, Tiranë 25.000 lekë

10. Eugen Hoxha Ish-Doganier, Bllatë 25.000 lekë

11. Ilirjan Beqiraj Ish-Doganier, Kakavijë 25.000 lekë

12. Aleksandër Sallabanda Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme 25.000 Lekë

Dritan Prifti: 90 minutat e mia në Prokurorinë e Përgjithshme

Habjon Hasani

Tiranë- Dritan Prifti është rikthyer dje në Prokurorinë e Përgjithshme, jo më si denoncues, por si person nën hetim. Ashtu siç ishte paralajmëruar, ai është paraqitur në organin qendror të akuzës paraditen e djeshme, për të dalë që andej 90 minuta më vonë. Videoja e 70 mijë eurove, e filmuar nga vetë ish-ministri i Ekonomisë, ka qenë në fokus të përballjes së Priftit me prokurorët e çështjes, të cilët kanë tentuar të mësojnë më shumë rreth ditës, vendit dhe rrethanave të përgjimit. Pas daljes nga Prokuroria, deputeti Prifti ka shmangur komentet deri dje të kthyera në një ritual për mediat. Por në një komunikim me gazetën MAPO, ai ka pohuar se arsyeja e thirrjes së tij në Prokurori kishte lidhje me komunikimin zyrtar të fillimit të hetimeve mbi këtë video të dytë, për të cilën organi i akuzës kërkoi edhe heqjen e imunitetit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. “Gjatë qëndrimit tim në Prokurori më komunikuan fillimin e hetimeve dhe më drejtuan disa pyetje rreth datave dhe rrethanave të videos”, – pohoi Dritan Prifti për MAPO-n, i rezervuar për të dhënë detaje të tjera. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka sqaruar asnjë detaj lidhur me këtë thirrje të Priftit në Prokurori, ndërsa burime të gazetës bëjnë me dije se ish-ministrit të Ekonomisë nuk i është komunikuar asnjë akuzë gjatë ditës së djeshme. Në Prokurori, Prifti ka pranuar ekzistencën e videos dhe faktin se filmimi është regjistruar nga vetë ai, por i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se i gjithë ky skenar ka pasur si motiv dokumentimin e aferave të ish-shefit të tij. Ai ka rezervuar të drejtën për t’u shprehur tjetër herë para organit te akuzës rreth burimit të 70 mijë eurove dhe aferës me ish-zëvendësin e tij Leonard Beqiri. Pas thirrjes së Dritan Priftit pritet që Prokuroria të thërrasë zyrtarisht si person nën hetim edhe ish- zv/ministrin Leonard Beqiri, protagonist së bashku me Priftin në ndarjen e 70 mijë eurove. Hetimet ndaj Dritan Priftit nisën pas zbulimit të një videoje të dytë, ku ish-ministri i Ekonomisë shfaqet së bashku me ish-vartësin e tij, ish-zv/ministrin Leonard Beqiri duke ndarë një shumë prej 70 mijë eurosh. Kjo video e dytë, e cila i kushtoi imunitetin dhe një hetim për korrupsion pasiv ish-ministrit Prifti, nuk u dorëzua prej tij në Prokurori, ndryshe nga përgjimi i parë i Ilir Metës, por u rikuperua nga eksperti amerikan, të cilit iu drejtua Prokuroria e Përgjithshme për ekspertizë. Përtej hetimit për videon 2, deputeti Dritan Prifti ka një marrëdhënie kontroverse me organin e akuzës. Edhe pse zyrtarisht nën hetim, ai është denoncuesi kryesor i disa çështjeve që po hetohen nga organi i akuzës, prej disa muajsh, njëherazi edhe dëshmitari kryesor i Prokurorisë për këto çështje.

Videoja 70 mijë euro, Prifti nis “betejën” me Prokurorinë

Leonard Bakillari 07-03-2011 12:40

Ish-ministri Dritan Prifti, protagonist i dy video-përgjimeve, ka marrë në dorë fletë-thirrjen për të dëshmuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia për videon me Beqirin, por edhe për atë me Metën

Tiranë Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, pritet të zhvillojë sot një “betejë” me Prokurorinë, jo për të denoncuar korrupsionin në nivele të larta, por për mbrojtjen e tij. Videoja e fshirë në kompjuterin e tij, e cila u riprodhua rastësisht nga një ekspert amerikan, pritet të jetë zyrtarisht çështja për të cilën Dritan Prifti do të dëshmojë sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime të rezervuara pohuan se prokurorët e çështjes kanë nisur në adresë të ish-ministrit fletëthirrjen për të dëshmuar në Prokurori, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Si orar për paraqitjen e tij në Prokurori është caktuar paraditja e së hënës, ndërsa grupi hetimor është në pritje të gatishmërisë së Priftit për t’u përballur me akuzën për cilëndo çështje që ai ka dijeni. Thirrja në Prokurori e ish-ministrit që ka denoncuar disa afera të pretenduara korruptive, përfshi edhe një video-përgjim mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, këtë radhë ka si objekt një tjetër video, ku protagonist është vetë Prifti dhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiri. Dy ish-zyrtarët e lartë, sipas videos së gjendur në kompjuterin e ish-ministrit, shfaqen duke ndarë një shumë prej rreth 70 mijë eurosh mes tyre. Ky episod, që rrezikon marrjen të pandehur të Priftit dhe pikëpyetjet e tjera që ngrihen për këtë çështje, pritet të sqarohen paraditen e sotme nga ish-ministri, i cili thuhet se ka një alibi për të rrëzuar videon dhe versionin e pretenduar nga Prokuroria. Megjithatë, të gjitha pretendimet e ngritura, së bashku me dyshimet për korrupsion pasiv nga ana e ish-ministrit pritet të sqarohen sot në Prokurorinë e Përgjithshme, ku përveç Priftit i pranishëm pritet të jetë edhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiraj. Në fokusin e Prokurorisë, pritet të jetë edhe video-përgjimi mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij Dritan Prifti. Kjo video e regjistruar nga Prifti në zyrën e tij ende nuk është zbardhur tërësisht, si nga eksperti amerikan, ashtu edhe nga Prokuroria, e cila vijon të pyesë persona që kanë dijeni për episodet e përmendura gjatë bashkëbisedimit Meta-Prifti. Edhe pse ish-ministri Prifti ka dhënë shpjegime për këtë çështje, tashmë ai do të pyetet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, duke lënë kështu të hapur mundësinë e marrjes së tij në cilësinë e të pandehurit, në rast se Prokuroria e Përgjithshme ka provat e duhura. Burimet thanë se aktualisht hetimet për këtë çështje janë në fazë fillestare, pasi asnjë prej protagonistëve të videos nuk është marrë në pyetje. Njoftimi i akuzës së korrupsionit ndaj dy protagonistëve, sipas Prokurorisë, është veprimi i fundit hetimor që kryhet pas mbledhjes së të gjitha provave, duke nënkuptuar kështu përfundimin e hetimeve. Në rastin konkret, si Beqiraj ashtu dhe Prifti ende nuk kanë dhënë versionin e tyre rreth videos ku ata shfaqen duke ndarë 70 mijë euro, duke kushtëzuar kështu veprimet e mëtejshme hetimore.

Dritan Prifti, alibi për videon 2?

“Nëse Prokuroria do të më kishte thirrur, do ta kisha sqaruar se videoja e dytë është një tjetër dëshmi e mbledhur prej meje, për të faktuar korrupsionin e Ilir Metës”. Me këtë deklaratë është mbrojtur deri më sot ish-ministri Dritan Prifti, i cili pas heqjes së imunitetit është nën hetim për korrupsion aktiv. Në të vërtetë, flitet se ish-ministri do t’u bëjë me dije prokurorëve të çështjes një alibi, që, sipas tij, rrëzon akuzën e ndarjes së 70 mijë eurove, të përfituara përmes abuzimit me detyrën. Por burime nga Prokuroria bëjnë me dije se versioni i ish-ministrit Dritan Prifti do t’u nënshtrohet verifikimeve përkatëse, duke lënë kështu të hapur mundësinë e ballafaqimit mes Priftit e Beqirit. Nga pikëpamja procedurale, ky veprim kryhet në rast se deklarimet e tyre bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, por pasi Prokuroria të ketë marrë më parë dëshmitë e dy të dyshuarve.

Detajet e videos së dytë në shtëpinë e Priftit

Videoja e fshirë nga lap-topi i Priftit, e rikuperuar më pas nga eksperti amerikan Glen Bard, jep shumë detaje, të qarta në figurë dhe në zë, mbi gjithçka që ka ndodhur në banesën e ish-ministrit Dritan Prifti, pasditen e 11 marsit 2010. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se videoja prej rreth 30 minutash është mjaft e qartë nga pikëpamja teknike, ndaj edhe thirrja e Priftit për të dhënë shpjegime mbi të ka qenë e panevojshme në fazën e parë të hetimit. Dy elementë teknikë të rëndësishëm, audio dhe video, janë të një cilësie mjaft të mirë, shumë më të qarta se video Meta-Prifti, zërin e së cilës eksperti amerikan nuk ka arritur dot ta pastrojë të gjithin. Po përtej këtyre detajeve teknike, çfarë është biseduar mes Dritan Priftit dhe ish-zv. ministrit Leonard Beqiraj, në këtë video të zbuluar krejt papritur? Në video shfaqet fillimisht ish-ministri Prifti, duke ndezur kameran regjistruese, e cila ka qenë e vendosur në të njëjtën orë me të cilën është bërë edhe regjistrimi i video-përgjimit Meta-Prifti. Ambienti këtë herë është dhoma e ndenjes në apartamentin e Dritan Priftit, ku shfaqet zv. ministri Leonard Beqiri. Biseda mes tyre, para se mbi tavolinë të “hidhej” një shumë e konsiderueshme parash, ka qenë e shkurtër. Ç’është më e rëndësishme, gjithë shuma e parave, që sipas hetimit janë rreth 70 mijë euro, janë vendosur mbi tavolinë, ndërsa Leonard Beqiri i bënte me dije shefit të vet të asaj kohe se këto para janë për ta. Gjatë gjithë kohës që është zhvilluar kjo bisedë, sipas pamjeve filmike, shuma prej 70 mijë eurosh ka qëndruar mbi tavolinë, derisa ish-ministri Prifti ka pranuar në heshtje të marrë pjesën e tij. Pas këtij momenti, biseda shef-vartës ka vijuar me të dhëna të tjera, përmbajtja e të cilave u paralajmërua dy ditë më parë nga vetë z. Prifti, i cili tha se kjo video është shembulli më i mirë për të vërtetuar bisedat në video-përgjimin mes tij dhe Ilir Metës

23 emra të skandalit të emërimeve në diplomacinë e Shqipërisë

Luis Tanushi

Shekulli posedon 23 dosje emërimesh, nga mbi 100 me shkelje të rënda të ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Të emëruar të gjithë me VKM. Janë familjarë të ngushtë pushtetarësh ose miq të tyre në media dhe biznes pa asnjë lidhje me diplomacinë. Disa nuk kanë as shtetësi shqiptare: konsullja e Shqipërisë në Milano ka bashkëshort të huaj, vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli i Shqipërisë në Janinë, ka shtetësi greke. E njëjta situatë me diplomatët shqiptarë në Francë, Rumani etj

1 - Vellai i Jozefina Topallit (Konsull Milano) - Gjon Çoba
2 - Dhenderi i Jozefina Topallit (Paris) - Luis Ejlli
3- Daja i dhendrit te Sali Berishes (Konsull i Pergjithshem Bari) - Bashkim Bekteshi
4- Djali i halles i Ilir Metes (Ambasador Athine) - Dashnor Dervishi
5- Kusheriri i Ilir Metes (Konsull i Pergjithshem Selanik) - Riza Poda
6 - Gruaja e Arjan Staroves (Londer) - Teuta Starova
7 - Gruaja e Sherefedin Shehut (Drejtore e auditit ne MPJ) - Dashuri Shehu
8 - Motra e Aleksander Frangajt (Rome, Vatikan) - Majlinda Dodaj
9- Baxhanaku i Fahri Balliut (Ambasador Turqi) - Altin Kodra
10 - Vellai i Gerti Bogdanit (MPJ) - Albjon Bogdani
11- Djali i avokatit te Lulzim Bashes (MPJ)
12- Vajza e Shpresa Brecaj (Austri) - Selvi Becaj
13- Djali i Neritan Cekes (Austri) - Egin Ceka
14- Gruaja e Rahman Selmanllarit (MPJ) - Suela Selmanllari
15 - Vajza e Ali Spahise (Konsulle e pergjithshme Milano) - Nausika Spahia
16- Gruaja e Aldo Bumcit dhe vajza e Safet Zhulalit - Ilda Zhulali
17 - Djali i Fatos Bejes (MPJ) (konflikt interesi) - Sokol Beja
18 - Kunata e Fatmir Mediut (Nju Jork)
19- Kunata e Azem Hajdarit (Neë York) - Albana Hasanaj
20- Gruaja e Bujar Leskajt (MPJ) - Silvana Leskaj
21- Vajza e Agim Shehut (Vjene) - Alma Shehu
22- Vajza e Ilir Banos (MPJ) - Albana Bano
23 -Vajza e Jemin Gjanes (Kosove) - Lorena Gjana

TIRANË - Ministria e Jashtme shqiptare është përfshirë në një skandal të gjerë emërimesh nepotike pa kurrfarë kriteri, si në përfaqësitë e huaja ashtu edhe në strukturat e MPJ-së. Investigimi i "Shekullit" ka zbuluar se një nga kriteret kryesore për të emëruar diplomatët shqiptarë është njohja partiake dhe lidhje farefisnore me politikanë në pushtet. "Shekulli" ka mundur që të zbulojë një pjesë të emërimeve nepotike të zhvilluara në diplomaci nga vitit 2004 deri në vitin 2010. Sot do të publikojmë pjesën e parë të emrave që janë emëruar në saj të njohjeve.
***
Lista e gjatë e emërimeve diplomatike në vitet 2005-2010 tregon se rreth dy të tretat e tyre janë me probleme. Kryesisht janë emërime në shkelje të hapur të rregullave të përcaktuara për Shërbimin e Jashtëm. Ligji ndalon rreptësisht emërimet nëpërmjet VKM-ve, por ky fakt nuk i ka penguar drejtuesit e lartë të Ministrisë së Jashtme që të emërojnë njerëzit e tyre në përfaqësitë shqiptare. Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për shërbimin e jashtëm, jo më shumë se 20% e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Por, në realitet, kjo nuk ka ndodhur dhe më shumë se 20 për qind e të emëruarve në ambasada janë njerëz që kanë lidhje me politikën apo anëtarë partie.
***
Njerëzit më me fat janë ata që kanë lidhje me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli (Çoba). Vëllai i Jozefina Topallit ka mbajtur detyrën e Konsull në Milano. Aktualisht, Gjon Çoba është diplomat në Bukuresht. Dhëndri i Jozefina Topallit, falë fejesës së bërë tashmë publike me vajzën e kryetares së Kuvendit, më datë 28.09.2010 është emëruar Sekretar i Parë në Paris. Ky emërim është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Luiz Ejlli është i datëlindjes 12/07/1985, pra aktualisht 25 vjeç. Por, sipas ligjit, ai duhet të kishte të paktën dhjetë vjet punë, një vit periudhën e provës dhe nëntë vjet për t'u emëruar Sekretar i Parë. "I jepet grada sekretar i parë diplomatit me nëntë vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm përgjithësisht mjaftueshëm e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit", - thuhet ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Bazuar në këtë ligj, Luis Ejlli duhet ta ketë nisur karrierën diplomatike në vitin 2000. Në atë kohë, Luis Ejlli ishte vetëm 15 vjeç.
***
Lista e të afërmve të deputetëve demokratë të punësuar në përfaqësitë diplomatike është edhe më e gjatë. Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë, ish-deputet i PD-së, është Konsulle e Përgjithshme në Milano. Një tjetër emërim nepotik, por edhe në konflikt interesi me detyrën është ai i djalit të Fatos Bejës. Deputeti demokrat është kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, komisioni që kontrollon direkt punën e MPJ-së. Sokol Beja është emëruar në MPJ. Aleati më i vjetër i Berishës, republikani Mediu, ka arritur që të emërojë kunatën e tij në përfaqësinë tonë diplomatike në Nju Jork. Teuta Starova, e cila është bashkëshorte e Arjan Starovës, është e emëruar në postin "Ministër Këshilltar në Londër" në datën 03.03.2008. Ky emërim është bërë me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave.
***
Po kështu edhe gruaja e deputetit demokrat, Sherefedin Shehu, Dashuria, është Drejtoreshë e Auditit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dy deputetë të tjerë kanë të afërmit e tyre në diplomaci. Deputeti Gert Bogdani ka vëllanë e tij në Ministrinë e Jashtme, Albjonin. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Jemin Gjana, ka vajzën e tij Lorena Gjana në përfaqësinë e Kosovës. Djali i ish-deputetit Neritan Ceka, sot këshilltar i kryeministrit, me një VKM është emëruar në Austri. Egin Ceka është emëruar sekretar i parë në Vjenë më datë 22.10 2009.

Vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli në Janinë kishte shtetësi greke, ndërsa vajza e Spahisë është e martuar me një të huaj


Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për Shërbimin e Jashtëm, jo më shumë se 20 % e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Në bazë të nenit 27, pika a, e të njëjtit ligj, kërkohet që diplomatët të kenë shtetësi shqiptare dhe banim të përhershëm në territorin shqiptar. Ndërsa në bazë të kreut 5, pikat 18.1, thuhet se diplomati ose e shoqja nuk duhet të kenë shtetësinë e vendit ku janë akredituar.
Kjo nuk rezulton për Nausika Spahia-Konsulle e Përgjithshme në Milano, e martuar me shtetas të huaj; Vëllai i Jozefina Topallit, Gjon Çoba, Konsull Milano, me shtetësi italiane; Jani Dako, konsull i përgjithshëm Janinë dhe me shtetësi greke; Mehdi Hoxha, Paris, me leje qëndrimi franceze; Një diplomat në Rumani është me shtetësi rumune.
Në emërimet është spekuluar me VKM nr 767 të datës 06.12.2005, ku me ndryshimin e pikës 81 të rregullores, u bë transfuzioni i MPJ-së, e cila thotë: "Ministria e Punëve të Jashtme, për nevoja të institucionit, brenda dhe jashtë vendit, mund të marrë punonjës për të shërbyer në shërbimin e jashtëm për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme. Këta punonjës gëzojnë statusin e diplomatit për aq kohë sa janë në shërbimin e jashtëm, por nuk përfitojnë grada diplomatike. Ata paguhen në bazë të detyrës, për të cilën janë emëruar". Por një VKM, nuk ka fuqi mbi ligjin, dhe edhe nëse bëhet në kushtet e emergjencës, gjë që në shërbimin diplomatik nuk kishte ndodhur, pasi vendi nuk ka kaluar as luftë dhe as përmbytje, pra duhej që brenda 2-3 muajsh të ishte reflektuar në ligj, gjë që nuk ka ndodhur. Pas kontrollit rezulton se gjatë periudhës 2005-2010, nga rreth 150 diplomatë që punojnë në përfaqësitë jashtë shtetit, rreth 100 prej tyre kanë probleme në procedurën e emërimit.

Për dhënien e gradave diplomatike në rastin e zbatimit të dispozitave kalimtare ndiqen këto afate kohore:

1. I jepet grada "sekretar i tretë" diplomatit me 3 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.

2. I jepet grada "sekretar i dytë" diplomatit me 6 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.

3. I jepet grada "sekretar i parë" diplomatit me 9 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.

4. I jepet grada "këshilltar" diplomatit me 13 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm të paktën në nivelin "mirë" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.

5. I jepet grada "ministër këshilltar" diplomatit: a) që ka jo më pak se 15,5 vjet vjetërsi të integruar në punë, nga të cilët 2,5 vjet vjetërsi në post drejtues "drejtor drejtorie" e lart ose "ambasador" përfshirë këtu periudhat në poste të tjera të larta sipas përcaktimeve të pikës 63.
b) që ka jo më pak se 5 vjet punë drejtpërdrejt në shërbimin e jashtëm.
c) që ka marrë dy vitet e fundit vlerësim vjetor të punës jo më të ulët se "mirë" në të gjithë elementet specifike të rezultateve të punës.


7. Plotëson kushtet për marrjen e gradës "ambasador" diplomati:

7.1. Jo më pak se 21 vjet vjetërsi të integruar në punë, nga të cilët jo më pak se 11 vjet drejtpërdrejt në shërbimin e jashtëm. 7.2. jo më pak se 7.5 vjet vjetërsi në post drejtues, nga të cilat:
a) 5.5 vjet në post "drejtor drejtorie" e lart, përfshirë këtu periudhat në poste të tjera të larta sipas përcaktimeve të pikës 63 dhe një mandat të rregullt (jo më pak se 2 vjet) si "ambasador";
b) ose 7.5 vjet "ambasador". 7.3 jo më pak se 25 vjet vjetërsi të përgjithshme në punë. 7.4 vlerësime maksimale në punë për 2 vitet e fundit.

Mercenarizmi antiamerikan.

Antishqiptarizmi një profesion fitimprurës

“Akti terrorist i Arid Ukës ka ardhur në kundërshtim të plotë me ndjenjat e kombit shqiptar, për kombin amerikan dhe me krejt përkushtimin e këtij kombi për të deshmuar besnikërinë e tij, sa herë që ka mundur dhe bashkë me të edhe mirënjohjen ndaj çliruesve të tyre nga okupimi i gjatë serb.”

Nga Mujë Buçpapaj

Vrasja e ushtarëve amerikanë në Frankfurt të Gjermanisë ka lënë të habitur miliona shqiptarë në Ballkan dhe Amerikë. Akti terrorist i Arid Ukës ka ardhur në kundërshtim të plotë me ndjenjat e kombit shqiptar, për kombin amerikan dhe me krejt përkushtimin e këtij kombi për të deshmuar besnikërinë e tij, sa herë që ka mundur dhe bashkë me të edhe mirënjohjen ndaj çliruesve të tyre nga okupimi i gjatë serb.

Është veshtirë të mendosh se motivet radikale, ismalike, apo shtysa të bindjeve të brendshme ta kenë nxitur A. Ukën të drejtojë armën ndaj ushtarëve amerikanë.

Po të ishte kështu, ky njeri ta zëmë do të kishte drejtuar armën ndaj atyre që dhunuan për gati 100 vjet popullsinë e pambrojtur shqiptare në Kosovë dhe vise, por kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht se në Kosovë menjëherë pas Luftës u ngriten disa qendra rehabilitimi të grave dhe vjazave viktima të kriminelëve të Arkanit.

Nuk do pyetje, ky mercenar ka kryer një veprim i cili vjen krejt në kundërshtim me moralin shqiptar të mirënjohjes, biles edhe me kodin e vjetër shqiptar të vrasjes, edhe në kohë lufte. Ai ka vepruar si një burracak i neveritshëm, duke vënë në një stres, pikëllim dhe siklet të paparë të gjithë shqiptarët, që kanë tek SHBA-të, shpetimtarin e madh, mbrojtësin e vetëm mbi tokë. Është e qartë se veprimi i tij prej mercenari është kryer pikërisht për këtë qellim, ftohjen e SHBA-ve, me shqiptarët, etiketimin e shqiptarëve si antiperendimorë, si fondamentalistë dhe primitivë që nuk pajtohen me lirinë dhe demokracinë. Për të fajsuar krimet e përbindshme që vetë Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve për gati 100 vjet, duke përdorur jo në pak raste kartën e “luftës së shenjtë kristiane” si dhe të rrezikut islamik që gjoja i vjen rajonit dhe Europës nga fondamentalistët shqiptarë. Nuk është as thjeshtë një konçidencë e rastit, që akti terrorist i Frankfurtit kryhet në kohën kur po flitet për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. Është e qartë, se raporti i Dick Martit, grindjet e brendshme dhe tani akti terrorist në Frankfurt, ia kanë dobësuar shumë pozitat Kosovës në këto bisedime, të cilat duhet t’i shtyjë për më vonë.

Për të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se çfarë besimi i përkasim, prerja në besë e mikut, e aq më pak demonstrimi i mosmirënjohjes, biles edhe i urrjetes ndaj tij, si në rastin e këtij mercenari të mjerë, është i denueshëm.

Është krejt e qartë se Uka është një kriminel i veçuar, por nuk janë aspak të veçuara sulmet që u bëhen SHBA-ve, për të braktisur Ballkanin dhe hapsirat shqiptare, të cilave ne duhet t’u kundervihemi me forcë. Rivaliteti rus, përpjekja e tyre për rikthyer ndikimin e humbur në rajon dhe interesat ekonomike europiane kanë qënë të pranishme kohët e fundit. Etja ruse për të rifituar terrenin e humbur është duke u maniftesuar çdo ditë në rrugë diplomatike, ekonomike dhe mafioze. Lëshimet që ju bënë në Gjeorgji dhe Ukraninë, në Poloni dhe Çeki, e kanë trimëruar Moskën për të ringjallur hartën e vjetër të ndikimit.

Nostalgjikët filorusë apo filoserbë në Prishtinë dhe Tiranë me oratorinë e tyre kundër ambasadorëve të SHBA-ve, janë pjesë e lidhjeve të vjetra antiperendimore, që kanë gjetur kohën më të papërshtashme për të goditur shqiptarët.

Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të kordinojnë më mirë punët me Uashingtonin, në këtë kohë sulmesh që po u vijnë shqiptarëve nga të katër anët. Armiqtë dhe rivalët historikë të shqiptarëve në rajon nuk janë duke u pajtuar me faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Kosova është e pavarur, që shqiptarët në Maqedoni janë një komb shtetformues. Përpjekja për t’i përçarë, përbaltur, apo për t’i poshtuar dhe nxirë imazhin deri në fund, është shumë e fortë, ndërkohë që nuk po shoh ndonjë kundërpergjigje të vertetë as nga Tirana, as nga Prishtina dhe as nga Shkupi apo Tetova. Zhytja në një luftë sherresh lokale për pushtet dhe në grindje shpesh banale, e ka çuar në fund imazhin tonë në rajon.

Në këtë fushtë rol kryesor janë duke luajtur mercenarët.

Por nuk do pyetje, të gjithë ata që kanë kryer apo janë duke kryer punë kundër shqiptarëve, duhet ta dinë se vertetë “antishqiptarizmi mund të ketë qënë një profesion fitimprurës”, por nuk do të jetë kështu për shumë kohë. Për një gjë duhet të jenë të sigurtë: tradhëtarët dhe mercenarit do të gjykohen një ditë nga vetë kombi shqiptar.

“Referendumi politik” asgjë e re nga fronti i opozitës.


Opozita shqiptare i ka dhënë tashmë tiparin kësaj fushate zgjedhjesh lokale në 8 Maj: ato do të jenë një referendum për qeverisjen Berisha. Kjo ishte e pritshme, ishte më e mundshmja dhe për pasojë diçka e zakonshme. Dhe meqenëse politika që të avancojë, të krijojë një gjendje të re kërkon shkëputje, kërkon atë që quhet akt.

Me kandidimin për herë të katërt të kryetarit të opozitës dhe kryebashkiakut Edi Rama në këto zgjedhje, opozita është në kushtet e inercisë politike. Pa akt, pa një zgjidhje të ngërçit themelor për karrierën dhe fatin të vet politik, që është tashmë mbivendosja kryetar bashkie – kryetar opozite, Edi Rama i propozon qytetarëve të Tiranës dhe në përgjithësi shoqërisë shqiptare një premierë të përsëritur politike, e cila nuk është e thënë të ketë të njëjtat rezultate edhe pse është e njëjta premierë.

Kjo situatë e tipit asgjë e re nga fronti i opozitës, ku do të kemi po Edi Ramën në një fushatë kundër Sali Berishës (edhe pse zgjedhësit janë ftuar për të zgjedhur ata që do administrojnë Tiranën dhe qytetet e fshatrat e vendit), do të kemi po atë retorikë, që nuk ka as vendin, as kohën për “t’i dhënë fund regjimit të Saliut” e që lë situatën politike të bllokuar dhe në gjendje vendnumëro.

Me rikandidimin për herë të katërt të Ramës për Bashkinë e Tiranës, opozita shqiptare vijon t’i lërë të pazgjidhura çështjet që shtrohen për të, pikëpyetjet që shtrohen për të, duke vijuar, si dhe pas 28 qershorit, që dilemat që duhet t’i zgjidhë vetë, ia hedh për t’i zgjidhur shoqërisë shqiptare dhe elektoratit shqiptar. Reforma e opozitës, arsyeja e vetme pse opozita nuk është në pushtet, shtyhet kështu për një afat tjetër, përderisa asnjë nga rrethanat për të cilat opozita është në këtë gjendje nuk po ndryshon: duke filluar nga kryesorja, mbivendosja kre opozite/ kre i bashkisë së Tiranës.

Duke rikandiduar për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama e privon opozitën nga të paturit e një kryetari me kohë të plotë; me impenjim të plotë për t’i dhënë shqiptarëve alternativën qeverisëse në raport me qeverisjen aktuale.

Duke rikandiduar për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama e privon opozitën nga superioriteti moral që i takon çdo opozite natyrshëm në raport me pushtetin, çka është një kusht bazë për të ta avancuar standardin moral të një shoqërie demokratike. E shkëputur nga interesat e pushtetit, çdo opozitë i ka duart e lira t’i propozojë shoqërisë një standard tjetër, një alternativë reale qeverisëse për nesër. I ka duart e lira të testojë idetë, njerëzit, alternativat pa implikimin e interesave të atyre që i qëndrojnë afër pushtetit lokal; ajo që njihet ndryshe si “klientela”.

Duke rikandiduar për Bashkinë e Tiranës për herë të katërt, Edi Rama edhe një herë i mbivendos zgjedhjet lokale me ato politike, duke e lënë qytetarin e kryeqytetit dhe atë shqiptar pa një radhë punësh për së mbari. Kështu, në vend që ta përshpejtojë zgjidhjen e dilemës që propozon Rama për të larguar Berishën, në fakt e shtyn për një kohë tjetër edhe më të largët sesa koha reale.

Ky referendum politik që Rama propozon në vend të zgjedhjeve lokale nuk është gjë tjetër veçse një formë e së njëjtës dilemë ku Rama është përpjekur ta futë shoqërinë shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar pas 28 qershorit 2009, si seria e protestave në bulevard, greva e urisë apo 21 Janari. Nëse në interesin e shumicës së publikut shqiptar do të kishte qenë zgjidhja e kësaj dileme më parë, ajo do të kishte marrë një rrugë.

Mesazhi që ka dhënë në përgjithësi opinioni publik dhe shoqëria shqiptare bashkë me faktorin ndërkombëtar këta dy vjet ka qenë diçka tjetër: interesi i përgjithshëm publik kërkon gjërat në vendin e vet, në kohën e vet. Në këtë kuptim, kësaj radhe, duke filluar nga Tirana, publiku kërkon një palë zgjedhje normale lokale, me axhendën që zgjedhjet lokale nënkuptojnë. Referendumi politik që Rama propozon, në radhë të parë kërkon që kundërshtari të bëjë gjënë më normale që duhet të bëjë në favor të interesit publik: të bëjë më 8 Maj një zgjedhje lokale për administrimin e bashkësive lokale, qyteteve dhe komunave tona.

20 vjet nga eksodi i marsit 1991, si paralajmërohej ngjarja nga qeveria

Shpëtim Koli

Përplasjet e ashpra mes refugjatëve të ardhshëm dhe policisë në portin e Durrësit. Letra e Kiço Mustaqit për Gramoz Ruçin dhe raportimi nga Italia, se nga brigjet shqiptare erdhën 20 mijë vetë

Qysh në janar 1991 dukej që Shqipëria do kishte një emigracion masiv e të pakontrolluar. Vrasjet në kufi gjatë gjithë vitit 1990, ngjarjet e ambasadave të korrikut 1990, në kushtet e pranimit të pluralizmit në dhjetor 1990, kishin rritur tashmë etjen për largim masiv nga Shqipëria, pasi vendi i dalë nga një regjim komunist gjakatar, nuk kishte mundësi të shpejta mëkëmbje ekonomie. Niveli i jetesës kishte shkuar në fund, papunësia ishte e madhe, në treg mungonin të gjitha mallrat e domosdoshme për të jetuar, ndërsa shpresa ishte thuajse e vdekur. Forcat opozitare të kohës, ishin përballë vështirësish se duhet të sillnin ndryshimin nga njëra anë dhe të kthenin e forconin besimin nga ana tjetër, në një mjedis shoqëror ku përzihej konservatorizmi komunist me etjen për ndryshim.

Pa folur për kalimin nga kufiri tokësor, duhet thënë se pikat më të nxehta për eksod masiv, mbeteshin Durrësi dhe Vlora. Pas tyre vinin Saranda dhe Shëngjini.

Më 9 janar 1991, Dega e Punëve të Brendshme, Vlorë, njoftonte Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, se nga ky rreth kishin kaluar kufirin 506 persona, kryesisht të rinj. Mbizotëronin 260 vetë nga Himara, 31 nga Vunoi, 35 nga Piluri, 68 nga Kudhësi, dhe 112 persona nga Qeparoi. Gjithsej, 12 ishin anëtarë të Partisë së Punës.

Ngjarja e Durrësit

9 shkurti i vitit 1991 tregoi se eksodi i pakontrolluar ishte në prag. Ishin përhapur lajme se do kishte eksod në Durrës. Menjëherë nga i gjithë vendi shpërthyen shtetas shqiptarë në portin e Durrësit. Vlerësohej nga autoritetet se mund të ishin 15 mijë persona. Të gjithë këta kishin dashur të hynin në tragetin e linjës Durrës – Trieste. Në një raport të Drejtorisë së Policisë Popullore thuhej se forcat e policisë në Durrës kishin vlerësuar situatën qysh më parë dhe për këtë qëllim kishin ushtruar kontrolle në periferi të Durrësit, duke mundur kësisoj të largojnë rreth 1 mijë shtetas. Ishin kryesisht të rinj, por nuk mungonin as gratë dhe fëmijët. Prej tyre kishte me pasaporta, por asnjë me vizën e shtetit ku donin të shkonin. Midis shtetasve që tentonin të hynin në mjete lundruese dhe policisë ishte zhvilluar një përleshje e ashpër. Pas tërheqjes të grumbulluarit kishin shkatërruar në dëshpërim e sipër objekte tregtare të Durrësit. Përfaqësuesit e forcave të rendit, me mjete të ndryshme, i kishin komunikuar të grumbulluarve se nuk ishin të vërteta lajmet për anije që prinin të merrnin refugjatë. Si edhe kuptohej, askush nuk i kuptonte apo besonte fjalët e forcave të rendit. Në derën e portit të Durrësit ishte krijuar në këtë mënyrë një “digë” e Policisë së Durrësit, dy batalioneve të sigurisë së rendit, repartit nr.326. midis turmës dhe forcave të rendit filloi përplasja. Turma hodhi në drejtim të tyre gurë e mjete të tjera për të bërë të mundur çarjen e “digës”. Policia ndërhyri me shkopinj gome, për bërë të mundur çarjen e turmës, e cila kishte bërë tre barrikada, në largësi 20 – 30 metra nga njëra – tjetra. Plagosje të shumta ndodhën midis të dy “palëve”. Nga mjediset afër, mbi forcat e rendit, hidheshin vazo me lule, pllaka betoni, tulla, etj. Kjo “betejë” vazhdoi për rreth 3 orë. Nuk dihej sa do vazhdonte, nëse nuk do ndërhynte makina ujëshpërndarëse mbi turmën. Në kthim, turma theu e dogji gjithçka që gjeti rrugës. Gjatë rrugës, ajo hodhi parulla të tilla si “Enver – Hitler”, “Poshtë qeveria”, “Poshtë policia”, etj. Në orën 13:00, turma ishte shpërndarë. Pas dy orësh, disa të rinj nga Durrësi e Kavaja, u grumbulluan para Degës së Punëve të Brendshme Durrës, duke hedhur gurë e mjete të forta aty. Policia qëlloi në ajër. Pastaj këtu kanë ardhur përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Azem, Hajdari dhe Arben Imami. Këta i kanë folur turmës, duke i thënë se qeveria i kishte të gjitha fajet, por zgjedhjet duhet të bëheshin me qetësi, pa veprime të dhunshme. Sipas njoftimit në fjalë, turma ishte larguar, por pas disa minutash ishte parë sërish në Bulevardin e Durrësit, duke hedhur parullat: “Enver – Hitler”, “Poshtë Ramiz Alia”, “Rroftë Partia Demokratike”, “Liri – Demokraci”. Edhe këtu pati një përleshje me policinë. Organet përkatëse regjistruan 35 policë të plagosur, por pranuan se edhe nga turma numri i të plagosurve duhej të ishin shumë i madh. Policia kishte ndaluar 47 persona. Në fund, policia analizonte se thashethemet rreth eksodit ishin përhapur qysh nga muaji janar. Ishte thënë se Italia do dërgonte 3 tragete për të marrë shtetas shqiptarë.

Eksodi i 6 marsit 1991, largohen edhe furrxhinjtë e Durrësit

Ministria e Punëve të Brendshme, u gjend krejt e papërgatitur në përballimin e një gjendjeje të tillë. Një largim kaq masiv i shtetasve shqiptarë, këtë herë jo nëpërmjet ambasadave, por nga rrugët detare, nga portet solli një gjendje amullie të përgjithshme. Vendi ishte në prag të zgjedhjeve të para të 31 marsit 1991 për Kuvendin Popullor, ndërsa pak ditë më parë kishte përjetuar rrëzimin e monumenteve të Enver Hoxhës në Tiranë, Korçë si dhe në qytete të tjera bustet më të vegjël të vëna në ndërmarrje, institucione, etj. Njoftimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nëpërmjet komunikatës ditore nr. 56 të datës 8 mars 1991, bëjnë fjalë se në Vlorë gjendja ishte qetësuar dhe pas grumbullimeve të para, kishin mbetur 200 persona. Në Orikum ishin rreth 200 veta. Më 7 mars, një peshkarexhe e ardhur nga Saranda ishte afruar në molin e Himarës. Kishte marrë me vete disa civilë, nënoficerin e Postës Kufitare, Dëfrim Hoxha, komandantin e postës së policisë me tre ushtarë dhe të gjithë ishin nisur në drejtim të Italisë. Komunikata vijon me gjendjen në portin dhe qytetin e Durrësit. Interesante është shpjegimi se qyteti kishte nisur të kishte probleme me bukën, pasi një pjesë e mirë e furrxhinjve kishin ikur në Itali. Pritej që të vinte bukë nga rrethet e tjera të vendit. Njoftimi shpjegon se anija “Partizani” qëndronte e mbushur me shtetas, të cilët nuk largoheshin, edhe pse ajo ishte e prishur. Komunikata shënon se deri në orën 9:00 kishte ardhur një makinë nga Elbasani. Nga kjo situatë, në burgun e Bardhorit në Kavajë, kishte pasur revoltë. Si pasojë ishte prishur një portë. Të burgosurit kishin ofenduar e qëlluar me gurë forcat e rendit. Pas ndërhyrjes së tyre, kishte mbetur i vrarë një i burgosur dhe tre të plagosur.

Njoftimet për eksodin vinin edhe nga Lezha. Porti i Shëngjinit, si njëri nga vendet ku ishin nisur emigrantët e ardhshëm, përveç ikjeve të shumta, shënonte rreth 700 – 800 vetë që prisnin aty në pritje të mjeteve të tjera detare.

Ngjarja e eksodit masiv, e detyroi Këshillin e Ministrave ta shpallë portin e Durrësit zonë ushtarake. Statistika e largimeve të eksodit të marsit 1991, gjithmonë u tha me përafërsi. Numrin e saktë të të ikurve, natyrisht e kanë autoritetet italiane. Në atë kohë u tha se kjo shifër shkonte në rreth 20 mijë persona. Pas mbarimit të kësaj “vale” të eksodit, rreziku i rikthimit të saj ishte i madh. Po ato ditë marsi, në mesin e muajit, njoftimet zyrtare ishin të atilla që paralajmëronin një eksod të mundshëm. Me anë të një komunikimi, ministri i Mbrojtjes Popullore, Kiço Mustaqi, njoftonte ministrin e Punëve të Brendshme Gramoz Ruçi, se kishin të dhëna se më 15 – 17 mars 1991, në portin e Durrësit do kishte dyndje njerëzit, prandaj duhej patjetër të merreshin masa për ta parandaluar atë. Mbarimi i zbarkimeve me sukses në Itali, forcoi bindjen te shqiptarët se autoritetet italiane nuk do t’i kthenin të larguarit. Gjerësisht në këtë kohë, rrjetet italiane të medias filluan të përdorin fjalët “refugjatë shqiptarë”. Pas mbarimit të zgjedhjeve të 31 marsit 1991, për Kuvendin Popullor dhe sidomos pas formimit të qeverisë së stabilitetit, në qershor 1991, një frikë tjetër u përhap për një eksod të mundshëm. Dhe ishte pikërisht gushti i këtij viti, koha kur u përsërit ky eksod. Këtë herë autoritetet italiane, duke gjykuar se në Shqipëri ishin mbajtur zgjedhje, se ishte zgjedhur një qeveri shumëpartiake, etj, nuk dhanë strehim për këto emigrantë. Pjesën më të madhe të tyre e kthyen në Shqipëri.

Monday, March 7, 2011

20 vjet nga eksodi i marsit 1991

Gazeta Nacional

Ditari i emigrantit, 20 vjet nga eksodi i marsit 1991 drejt Italisë

Frika nga Atdheu

“Kaos i vërtete!Si në ditët krijimit të tokës, kacavirreshim në një shkallinë të ngushtë hekuri me ca litarë të trashë-parmakësh që tundeshim e lëkundeshim ne, si akrobate cirku, të tjerë kacavirreshin nëpër litarë e cima. Krismat sikur na jepnin zemër të dukeshim sa më shpejt, sa më parë nga toka jonë…Zumë vend, vend i thënçin në transoqeanikun ”Tirana” që sapo erdhi me ngarkesa; kush e di se ku kish marrë ngarkesë sheqeri…Ata që ishin poshtë kërkonin të tyret me britma, ne që ishim lart, kërkonim të njihnim të njojtur atje poshtë ku bëheshin dhjetëra qindra mijëra që të dërgonim një mesazh tek tonet, bërtisnim, krisma atje tutje, kundër atyre që vinin, të lutura, qarje, ulerima. Ca kërkonin ujë, të tjerë-buke, të tjerë shtyheshin për të marrë pak ajër, ajër nga toka jonë e mbetur edhe pa oksigjen, toka jonë e alivanosur.Ne, të fikur mbi ujët pa jetë të detit tonë. Më në fund spiranca u ngrit, anija nisi të lëvizë, qarje klithma britma, ulërima. Qarjet, klithmat, britmat, ulërimat e ndarjes nga toka jonë. Ne po iknim nga Atdheu …”

Nga Tahsim Xh.Demiraj

Ishin të habitshme ato ditë dhe netë të fillimmarsit 1991 në Durrës dhe në portin e tij. Kishte rreth një vit që popullsia e qytetit shihte vetëm policë dhe sampistë në gjëndje lufte.Të gjithë të armatosur, me kaska mburoja, arme zjarri e manganela, gjë që të kujtonte gladiatorët.Dhe kjo ishte mjaft domethënëse.

Ashtu si rastësisht, historia na kishte braktisur si në një kioskë të kohës, diku nё jug lindje tё Europёs, nё bregdetin lindor tё Adriatikut, për të çuditur veten dhe Europën. Makinat ushtarake vërshëllenin paprerë në rrugën Tiranë-Durrës dhe Kavajë-Durrës. Flitej se në Shkodër qarkullonin zjarrfikës e tanke. Në Kosovë, me tanke, Milosheviçi masakronte Kosovën; këtu-tanke kundër vëllezërve të Kosovarëve, Shkodranëve liridashës e demokratë. Sampistet shumoheshin, çdo ditë shihnim fytyra të reja. Rekrutoheshin me urgjencë nga provincat për t’i shtuar ditët një sundimi të dështuar i cili me 8 dhjetor 1990 kishte bërë lëshimin e parë, kishte lejuar pluralizmin. Sampistët mbanin nëpër duar, shkopinj gome, armë, thika… Do të merrnin 500-600 leke në muaj, duhej të kacafyteshin me vëllezërit e tyre, duhej t’i vinin përfund. Me 31 mars 1991 do të mbaheshin zgjedhjet e para pluraliste në vend pas gati 50 vjetësh. Lindja e PD-së ia kishte prishur të gjitha planet PPSH-së e cila kishte parashikuar që në zgjedhjet e 10 shkurtit 1991 të konkuronte me organizatat e masave. Alia deklaronte se ” ne e kishim prej kohesh pluralizmin duke i numëruar me radhë Bashkimet Profesionale, Organizatën e Gruas, Frontin Demokratik, Organizatën e Rinise”(Te Pioniereve dhe te fatosave-shtonim ne neper biseda duke qeshur me këto “përpëlitje”) e te tjera gjepura si këto, kur qe te gjithë e dinin se te gjitha këto nuk ishin tjetër veçse leva te Partisë se vetme qe mbretëronte prej me se katër dekadash.

Dukej sheshit se me këto përgatiteshin te tjera kurthe ndaj demokracisë.

Me 20 shkurt 1991 ishte rrezuar shtatorja e diktatorit në Tiranë. Me 21 shkurt qytetarët e Tiranës mësynë Bllokun por u ndaluan tek Ura e Dajtit. Me 22 shkurt 1991 ushtarakët shkollës së Lartë të Oficerëve krijuan një komitet i cili paralajemroi se do të rivendoste bustin e Enver Hoxhës në sheshin “Skenderbej.” Në Berat u deklarua shoqata e Vullnetrave të Enverit e cila paralajmëroi se do të marshonte në Tiranë dhe do të shpallte kryeqytet Vlorën. Pati disa të vrarë e plagosur në Tiranë dhe në të gjithë vendin nga sigurimi i shtetit. Vendi po përjetonte një frikë, anarki dhe terror të egër. Të gjithë mendonin për të ikur nga sytë kembët.

Pas partisë Demokratike, në janar 1991 u formuan edhe Partitë Republikane dhe ajo Ekologjike, e para me Sabri Godon dhe e dyta me Namik Hotin ne krye…Partitë po lindnin njëra pas tjetrës, njerëzit manifestonin entuziazëm, unë kisha një far- skepticizmi, për gjithë këto qe po shihnim dhe dëgjonim, me habisnin mitingjet ne sheshe te hapura-mitingje antikomuniste qe flisnin me zë te larte e kërkonin “Liri-demokraci”, ”Liri për te burgosurit politik”, bërtisnin “Drejt Evropës do te shkojmë”Policia jo vetëm qe nuk ndërhynte ti shkallmonte këto mitingje por kujdesej qe mos ndodhnin incidente…E çuditshme!!!Kishte njerëz qe fluturonin, kur dëgjonin këto nga mitingje-drejtuesit Minush Jero dhe Bardhyl Reso(!!!???)Unë, ne heshtje pyesja veten: Mire ne kërkojmë ti bashkëngjitmi Evropës-kjo është dëshira jone dhe është vetëm gjysma e punës, pooor…gjysma tjetër është ne do te dete Evropa te bashkëjetojë me ne…Kjo është e tera…

Çmimet e gazetave te para opozitare rriteshin tre deri ne pese e dhjete fish. Lexuesit si te uritur e përpinin shtypin opozitar me shprese se aty do te gjenin diçka ngushëlluese, diçka parathenese për te ardhmen, për veten. Ne lulishten “1 Maj”shiteshin gjithfarë mallrash te papara. Kursi i dollarit rritej çdo dite e me tepër. Qoftexhinjtë mbinë si mizat pas shiut. Qarkullonin fjale se shiteshin qofte-qeni. Aty rrotull ku tregtoheshin qofte, qen pare edhe bishta te këputur qensh. U sajuan gjithfarë krocash ambulante. Ushtria ambulante e qoftexhinjve po e merrte situatën nen kontroll. Qoftet do te nxirrnin vendin nga gremina. Qoftet po pushtonin Shqipërinë…Qoftet do te vendosnin për pluralizmin, për te ardhmen…

Megjithëse qofte nuk duhej te kish as për ata qe i gatuanin se vetëm 2 kg. mish ne muaj mund te merrte çdo familje edhe dale se kur do ti merrte, kur ti vinte radha…Po, ja qe e morën edhe atë mish, po te bëje llogari, duke i hequr kockat, eee…sa qofte do te dilnin?…E pa mundur qe nga ai kontingjent i paket mishi, era joshëse e qofteve, te kuterbonte qytetet qoshe me qoshe…Flitej se ne stacionin e trenit, ne Tirane qene arrestuar qoftexhinjte e pare për qofte te dyshimta!…Qytetet binin ere mishi te pjekur, ishin rralluar me shpejtësi kafshët shepijake si macet, qentë dhe gomerë, piqeshin e hanin njerёzit qofte qensh e gomarёsh dhe u mbytёm me erё mishi tё pjekur!!!…

Kështu u katandis Shqipëria, i vetmi “Fanar ndriçues i socializmit ngadhënjimtar.”

Ditët e trishtuara të marsit 1991

Ditët qe vinte trageti nga Italia, Durrësi zgjohej tejet i ngarkuar me njerëz te ardhur nga te katër anët e Shqiperise. Të ardhurit kalonin netët, poshtë shkalleve të pallateve, neper lulishte, neper oborre shkollash e neper bunkerë dhe mëngjeseve valë-valë shkonin nga porti. Me dtaë 3, 4 dhe 5 mars 1991 forcat e armatosura te ushtrisë e te policisë-se bashku- tentonin t’i ndalonin këto turma rreth 1000, 900, 800 e 500 metra larg portit por…a kish force qe ti përmbante?…Ca, si me te ditur thonin se qe dhëne urdhër te mos përdoren armët e zjarrit. Perpjekja e pare për te çare rrethimin për tek trageti-dështoi.Policia u tregua e denjë në krye të detyres. Turmat nga inati thyen ç’gjetën perpara. Filluan për here te pare ne Shqipëri, rrahjet masive me policine. Bulevardi kryesor dhe trotuaret u mbushen me gurë e me tulla, njerëzit kalonin mbi copëra xhamash, nuk mbeti xham pa u thyer. U goditen qendrat e edukimit politik, u dogjën ne sheshe portretet e Enverit dhe te Ramizit, u dogj edhe libraria ”Dyrrah” me qe tregtonte veprat e Enverit. Turmat nuk përmbaheshin. Emrat tabu tashme shaheshin publikisht me soj e me sorollop…Kur binte mbrëmja, Durrësin e mbulonte hija ogurzeze e coprifuoco-s…Ngjante Durrësi i braktisur si rralle here ne historinë e tije te lashte. Tanime policia patrullonte me toga te përforcuara e te armatosura me se miri dhe jo vetëm ne rrugët kryesore. Sulmohej çdo grumbullim njerëzish, çdo lëvizje, me plumba dhe jo me parulla për unitetin, si dikur. Durresi dukej si nё një ekran tё madh-qiellor-tek jepej filmi”Rrugicat qe kërkonin drite”. Automatiket krisnin ne mes te ditës dhe netëve, sidomos ne zonën e portit. Gjendje lufte!…Plumbat kalonin mbi kokat tona por edhe për plumbat nuk pyeste kush. Kish vajtur hesapi tek nuk mbante mё, njerëzit kalonin neper plumba, mbi telat me gjemba, mbi police e ushtare dhe pushtonin me force, barka, anie, tragete, vapore. Tash po ndodhte krejt e kunderta. Deti, deti po pushtohej nga toka. Kohe te çuditshme përmbysjeje…

Edhe unë si te tjerët…mora gruan dhe fëmijët, një valixhe me të brendshme fëmijësh, takova nenën time fisnike, shoqen e pandare te vuajtjeve tona, Nenën qe brodhi tere jetën pas burgjeve e kampeve te punës(çfarosjes) e internimeve, qe u zbardh neper internime, dhe perse valle?As Zoti nuk e di ketë …Dhe dola nga shtëpia. Takova tim vëlla, Bardhylin qe e kisha edhe shok e mik e prind. Edhe Ai ma beri te mbare udhen. Duhej te shpëtonin disa nga fisi i Demirajve se boll, shume u sakrifikuan nga ne, te shpëtonin ata me te rinjtë, ata, fidanët e njome dhe jo ne qe e kullotëm ne mjerim çairin me bar te Enverit, mua me takonte ti prija, ti shoqëroja udhëve te panjohura me shume pikpyetje. Policet me ndaluan, ne hyrjen e pasme te portit, sipër një togu te madh me tela me gjemba. Gruaja me djalin ishin përpara, unë me vajzën ne duar, ju thashë se duhej t’ia dorëzoja ketë foshnje te jemes. Me lejuan.

Krismat nuk na ndaheshin; ne iknim përmes krismash, te perzene nga vatrat tona, nga toka jone, nga varret stërgjyshore, nga gjiri i Nenës.

U trazuam me atë mizëri njerëzish, tek sheshi i ngarkimit te mineralit, krom-duhej te ishte, shkelnim mbi pluhur te kuq, turmat shtyheshin, rrezoheshin, gumëzhinin, një solidaritet i pa pare te panjohurish qe luftonin te gjithë për te vetmin qellim, për te hipur atje mbi kuvertën e anijes se mallrave…

Kaos i vërtete!Si në ditët krijimit të tokës, kacavirreshim në një shkallinë të ngushtë hekuri me ca litarë të trashë-parmakësh që tundeshim e lëkundeshim ne, si akrobate cirku, të tjerë kacavirreshin nëpër litarë e cima. Krismat sikur na jepnin zemër të dukeshim sa më shpejt, sa më parë nga toka jonë…Zumë vend, vend i thënçin në transoqeanikun ”Tirana” që sapo erdhi me ngarkesa; kush e di se ku kish marrë ngarkesë sheqeri…

Aty u takuam edhe me Fredin e Meriten edhe me Almen e Metin, me Ilirin e Linden qe edhe ata kishin marre fëmijët dhe u gjendem se bashku ne mes te anijes…E para kërkese e dhimbshme ishte ajo e fëmije tane. Kerkonin ujë…Ketë nuk e kishim parashikuar; ujët edhe neper shtëpi na lëshohej me orar e jo me ne ketë kështjelle-hekuri qe shkiste ujërave TV kripura te detrave dhe oqeane?… Kujt ti kërkoje me pare dhe kujt mund ti jepej me pare? Ishin ditët e para te Marsit, po sa zumë vend mbi anije, ndriçoi një diell qe te piqte si te ishim ne Korrik, etja u be zhuritëse edhe për te mëdhenjtë por u gjenden te gatshëm për fëmijët ata qe kishin qene me te kujdesshëm dhe na dhëne për te shuar etjen e fëmijëve, ai solidaritet qe na pat dhëne ngrohtësi gjate fukarallëkut qe na shoqëroi një jete te tere ai shkëlqeu edhe ne ato çaste te vështira qe po merrnim ato rruge te panjohura…

Ata që ishin poshtë kërkonin të tyret me britma, ne që ishim lart, kërkonim të njihnim të njojtur atje poshtë ku bëheshin dhjetëra qindra mijëra që të dërgonim një mesazh tek tonet, bërtisnim, krisma atje tutje, kundër atyre që vinin, të lutura, qarje, ulerima. Ca kërkonin ujë, të tjerë-buke, të tjerë shtyheshin për të marrë pak ajër, ajër nga toka jonë e mbetur edhe pa oksigjen, toka jonë e alivanosur.Ne, të fikur mbi ujët pa jetë të detit tonë. Më në fund spiranca u ngrit, anija nisi të lëvizë, qarje klithma britma, ulërima. Qarjet, klithmat, britmat, ulërimat e ndarjes nga toka jonë. Ne po iknim nga Atdheu …

Ikja nga Atdheu

Vetëm atëherë kur po dilnim nga porti po e kuptonim se ç’po benim. Po merrnim rrugën natën në errësire, drejt te panjohurës, drejt dëshpërimit, ne toke te huaj, ashtu siç kishin ikur 500 vjet ma pare te tjerë e te tjerë nga fisi ynë, nga trojet e te pareve tanë…Ku vinim, ku do te zbrisnim valle? Si do te na prisnin, Ku dhe kur do te gjenim ujë te bollshëm për fëmijët tanë dhe për ne? …

Dalëngadalë po largoheshim tutje në det, largohej edhe vëndi nga ne, largohej nga ne Durrësi dhe bregdeti qe e njoh me pëllëmbe, hotel”Vollga “dhe vila e Zogut po largoheshin. Të gjitha ato që thashë mbeteshin ne vend po na dukej ne se po largoheshin edhe ato. Ishim ne, ne që iknim tutje, prapa diellit kur perëndon dhe na dukej se edhe ata po largoheshin nga ne. Ishim ne që me mallkimin”Vafshi prapa diellit”po iknim. Ishte mallkim i madh, i rëndë, i pa parë që na ra në kokë ne, nënave, motrave dhe vëllezërve tanë, gjithë vendit tonë, i rëndë si kryqi që mbajti Gesui i gjakosur kur e gozhduan atje, në Golgota, hemorragjia që e linte vendin në anemi, gjak që i jepej Evropës nga Shqipëria…Ne gumëzhinim ne boten e madhe te ujit, atje ne breg dukej akoma Mujo Ulqinaku-sikur kërkonte te na ndalonte, sikur bërtiste me sa kish ne koke:”Ktheeehuuniii, ku shkoniii o vëllezër, ku e lini vendin, ktheeehuuni o Shqipëtaaaare, kthehuni o vëllezër…ne kemi luftuar kundër atyre, ata na pushtuan ne ne 39-en, ktheeehuuuniii…”zëri i tij sa vinte e zhdukej, Ulqinaku i madh, sikur çirrej për atë që po bënim ne…

Konturet e vendit tim mbeteshin tutje, ne heshtje e ne zi…Me buçiste koka…Unë po ikja larg qe këtej…Ne detin e hapur tashme ndeshnim anije më të vogla e peshkarexhe më të ngadalta, trape të ndërtuara me dërrasa e me drunj të prera pyjeve…një flote e tillë dukej prehistorike që e shpërndarë nëpër det, ikte tutje, në perëndim…Tamam Ikje Biblike, rrëqethëse, lemeritëse, e pa parë ndonjëherë, në mes detit dhe qiellit. Vallë i ngjante ndopak kësaj ikjeje ajo ikja e madhe dramatike e Arbëreshëve, pas vdekjes se Skënderbeut apo ishte shumë më e vogël se natyrisht edhe popullata ka qënë shume më e vogël sot e 400 vjet me parë, po edhe anijet kanë qënë shumë më të vogla dhe kanë kaluar nga Himara nëpër Otranto…Ndërsa ato ditё ne po iknim turma tё tёra edhe me trape edhe me peshkarexhe po edhe me anije të mëdha transoqeanike, shumë më të mëdha e më të shpejta se ato të Arbëreshëve katërqind-pesëqind vjet të shkuara dhe jo pak e grupe, grupe po mizëri njerëzish, nga i gjithë bregdeti, Durresi, Vlora, Shengjini, Divjaka, Semani, Himara, Vlipoja, Golemi, Ishmi e me çfarë te mundёshim. Gjithe ato mjete lundrimi qe nga trapet e deri tek Oqeaniket, nuk besoj se do te jen pare ndonjëherë mbi ketë det. Nje gjendje e tille ikjeje duhej te ish e para here qe ballafaqohej ne këtë det.

Andej qanin nenat, motrat, gratë e fëmijët, ne anije gumëzhinin qanin dhe qeshnin, jetonin një tjetër gjendje, po iknin, po realizonin atë qe e kishin ëndërruar kushedi se sa kohe, Italinë, perëndimin…Ishin vrare e mbytur shume e shume për ta kaluar detin, ne po e kalonim edhe pa shpenzuar një lek-falas-Nuk ishte e paket…Vertete qe udhëtonim me anije mallrash, por kjo ishte një komoditet, te tjerët me trape te tjerë me varka qe nuk i dihej se kur do te arrinin matanë…

Shtypi i Tiranes, ashtu siç kishte bërë me ikësit e ambasadave, ashtu po bënte edhe me ne qe po iknim detrave. Huligane e pirate anijesh-na quante-, njolla dhe epitete te tilla na shoqëronin, nuk na linin në mallkimin që na ra në kokë, ne arratisjen e çmendur detrave por i bënte shërbimet, ashtu siç ia donte puna, te zotit, përhapte te tilla qe te alarmoheshin tanët qe lame matanë detit, qe veç lotëve edhe te çmendeshin, qe ta jetonin mire dhe te plote atë tragjedi, qe ta bënin gjumin ne ankth se mos po i internonin…

Po lundronim me transoqeanikun “Tirana”

Pulëbardhat nuk dukeshin mё, kёrkoja ti shihja nё qiell po nuk mё kapte syri asgjë, asgjë veç pafundёsisё qiellore, kёrkoja tё depёrtoja nё pafundёsinё qiellore, humba tetёdhjetetetё kostelacione yjore dhe po kërkoja të ndeshja planetët e sistemit diellor, pashë me sytë e mendjes dhe ndesha nё gropat e zeza qё pёrpinin gjithçka. U tmerrova për njё çast, kur pashё qё gropat e zeza pёrpinin trupa qiellor tё madhёsive astronomike, mё dukej se po shkonim edhe ne gropave të zeza, se po na pёrpinin edhe ne ato gropat e zeza, aq të afërta mu dukën, mu duk me të vërtetë se po lundronim humbëtirave tё universit edhe ne, tё grumbulluarit nё transoqeanikun Tirana qё nё kёtё univers tё pakufishёm, tё frikshёm ishte njё hiç, dhe e pashё veten njё hiç nё univers, ula kokёn poshtё dhe pёrsёri rrёshqisnim sipёr abisseve…U shkёputa nga universi dhe zbrita atje ku isha nё mes tё mozaikut tё njerëzve, zbrita tek njerëzit se edhe për pak mё iku mёndja nё gjithёsinё e pafund…

-Mbaje veten-pëshpërita-Qëndro më mirë me njerëzit, mos ik shumë larg, mos u shpërndaj shumë në këtë botë që të ha…

Me erdhën nder mend vargjet e Ljermontovit te madh:”I dhashë vendit dashurine e ç’drite e ç’hije me dhuroi?…”Vapori çante ujët e pamase. Ne lëkundeshim sipër tij. Unë e humba shikimin tutje, andej me mbeti shikimi. Me erdhën nder mend vargjet e Bajronit:”Lamtumire e po qe përgjithmonë, atëherë përgjithmonë lamtumire”. Kështu me vinin nder mend lloj lloj vargjesh qe me kishin lënë mbresa, këngësh te dhimbshme kurbeti, vajesh e ulërimash te ndarjeve te largëta, me buçisnin veshët, me rrihte zemra me te madhe, anija lëkundej nga pak, vendi nuk dukej me;tashme ishim ne detin e hapur te stërmadh.

…Po çfarë thash”Lamtumirë për gjithëmonë?”…Si në ekran e pashë tërë jetën time, punën dhe vuajtjet, ndjekjet, persekutimet dhe mu mbushën sytë, fshehtas u mënjanova dhe më mbërtheu një dënesë…

…atëherë, përgjithmonë-lamtumire?…Jo, jo, unë përsëri do te kthehem…le te rrinë andej nga po shkojmë- neper Evrope, këta te rinjtë, Emili dhe Zenita-te vegjlit e mi- Fredi dhe Alma, Merita dhe Meti, këta le te bëjnë prokopi, unë po bëj detyrën time, do ti shoqëroj, të bëjnë shkollën andej nga do te vemi, te bëhen të zotet e vetes se ne andej boll u sakrifikuam, ndërsa unë…pa tjetër do te kthehem një dite…Unë andej do ti ngrys vitet qe me mbeten, andej ne token time, sido qe te jete, si do qe te ma bëjnë, ne dore te Zotit, Zotin ju kam lënë keqbërësve. . .

Kështu bisedoja me veten. Kërkoja ta gjeja veten fajtor për këtë arratisje nga vëndi, për këtë ikje te lemerisur…Por fajin njeriu, zakonisht, nuk e pranon edhe kur e ka e jo me kur nuk e ka…E ç’fajtor- zeza ishim ne?…Ne, ”te mjerët”e Hygoit!Ne, argatët e përjetshëm te Enverit. Ne gjallesat e përjetshme te interrnimeve. Ne, te rrjepurit shtate here nga regjimi i kuq qe ju qep si ferre vendit tim, ne, viktimat e para t “luftës së klasave” që na ndau, na hasmëroi me njeri tjetrin dhe bëri kërdinë në këtë vend të rrallë të Evropës…

…Jo, jo unë do të kthehem, pa tjetër do të kthehem, jo vetëm nga Italia që është kaq afër po edhe në Polin e Jugut, do ta gjej rrugën e kthimit, edhe zvarrë do të hiqem, do të kthehem një ditë…

Det i pafund dhe qiell tejet i pafund, ne ne mes te detit dhe qiellit, deti dhe qielli nuk dukeshin se ku ndaheshin nga njeri tjetri, ne ne mes te te dyve, te humbur ne pafundësinë e tyre, sipër abiseve te nënujshme, udhëtonim sipër botes misterioze te nënujshme, me sytë e mendjes shikoja anije te mbytura qe kishin zënë dhe ishin fundosur pak nga pak nen shtratin e këtij deti, anije luftarake me topa tё heshtur, amfora dhe peshq qe hynin e dilnin neper objektet e mbytura si vizitore muzeumesh!…Bote e madhe e nënujshme, mbretëron ne atë bote qetësie, një qetësi e pёrjetёshme nёnujore…

Ja, mbi atë bote po udhëtojmë me këtë anije transoqeanike;disa nga bashkudhëtaret kishin shpërthyer hambarët dhe kishin nxjerrë një thes me sheqer mbi kuverte, mbushnin grushtet dhe mbllaçitnin sheqer, te shumtit dhe bashke me ta edhe unë digjeshim për ujë…kur do te gjejmë pak ujë…Kategori te ndryshme njerëzish, një mozaik i gjalle ne njerëz e veshje e bashkëbisedime…

Pas 6-7 orë në det, ja tek duket edhe toka !

Tokë! Tokë! Britmat e klithjet çanë detin e shkuan deri tutje në tokë…Si të ishin britma të marinarëve të Kristofor Kolombit, kur zbuluan kontinentin e ri…Një tjetër tokë, ndahet me det me tokën time…Afroheshim e afroheshim e bëheshin më të qarta konturet e tokës italiane. Brindisi. Më në fund arrijtëm në Itali,anija u ankorua në radë.

Aq afër paskan qënë këta brigje që na dukeshin aqë të largët?…

Elikopterët vinin përgjithë natën, rreth ne, motoskafët na binin ujë e biskota dhe na i hidhnin e ne, ashtu siç bëjmë ne, hidheshim kush ti rrëmbente i pari…

Dikush tha se nuk na pranonin Italianët.

Do të na kthejnë në Durrës-tha një tjetër-

Nja gjashtë shtatë nga ne me pistoleta të mbushura u gjëndën në kabinën e pilotazhit dhe ju drejtuan kapitenit:

Ktheje anijen për në Maltë.

Jo, këtu do të zbresim.

Po thonë se nuk na pranojnë.

Do të zbresim që ç’ke me të, do s’do Italia. Kjo është lojë e Europës…

A, në qoftë se ka hyrë në lojë Europa, athere po-tërhiqemi…

Kaloi nata me të tilla… Dritat llamburisnin.

Të nesërmen në mëngjes, na thanë se do të zbrisnim. Në port kishin ardhë e vinin forca të policisë karabinjerisë, ushtrisë, karitasit dhe kryqit të kuq…

Do të zbrisnim të gjithë nëpër një shkallë të ngushtë të montuar në anije po kush do të mund të zbriste, kur po aq të tjerë ishin në rresht atje poshtë për të hipur!…Po, po, në rresht për të hipur, të ngarkuar me trofetë e rrëmbyera nëpër rrugët e sheshet e Brindisit…Skena ireale, të pabesueshme, të papërsëritshme, absurde. Absurdi ishte më se i gjallë, qarkullonte në mes tonë, jo sikur të ishte i paparë ndonjëherë por, sikur të kishte qenë një jetë të gjatë nëpër vatrat tona, shumë i njohur…Ne prisnim për të zbritur në tokë. Të tjerët, bashkëkombasit tonë që kishin arritur dje, kishin mbledhur trofe nëpër Brindisi dhe prisnin të hipnin në anije e të ktheheshin në Durrës…Ooo perëndi çfarë të shikoje?…

Porti i Brindisit disa herë më i madh se ai i Durrësit mblodhi ato ditë Marsi të vitit 1991, rreth 30.000 refugjatë, të cilët me kartonë e me thasë plastike, si arixhinjtë mblidheshin e strukeshin nëpër qoshe të hangarëve e kapanone të mëdha e ndiznin zjarre me ç’të gjenin rrotull…

Montoggio-Creto. Prill 1991.