Saturday, November 26, 2011

Emigrantët që kthehen në Shqipëri, si e përfitojnë shërbimin shëndetësor

Proçedura që duhet të ndjekë një shtetas shqiptar i kthyer (emigrant) për t’u përfshirë në Skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, është një ndër kërkesat që ka mbërritur pranë redaksisë së NOA duke kërkuar ndihmë për informacion konkret.

Ne u interesuam në Ministrinë e Shëndetësisë e cila ofron informacion të plotë mbi mundësinë e përfitimit të shërbimit shëndetësor për shtetasit shqiptare të kthyer pra për emigrantët që kthehen në vendlindje.
Çdo emigrant në momentin që kthehet në Shqipëri, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në Ligjin Nr. 7870, datë 13. 10. 1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Hapi i I-rë:
1. Personi duhet të zgjedhë mjekun e familjes.
2. Mjeku i familjes i hap personit kartelën personale dhe bën regjistrimin e tij në regjistrin themeltar të banorëve që mbulon me shërbim shëndetësor ky mjek.
Hapi II-të:
Personi saktëson statusin e tij sipas ligjit të sigurimeve shëndetësore.
Dokumentet që duhet të paraqiten nga personi në mënyrë të tillë që të përcaktojnë kategorinë sipas ligjit janë:
1. Libreza - i siguruar aktiv kur është i punësuar,
2. Vërtetimi nga Zyra e Punës - kur është i regjistruar si punëkërkues,
3. Vërtetimi i asistencës kur është në asistencë,
4. Vërtetimi i ndihmës ekonomike,
5. Libreza e pensionit kur ka dalë në pension,
6. Vërtetimi përkatës nga Komisioni Epror Mjekësor (KEMP) kur ka ndonjë sëmundje invaliduese,
7. Çertifikata për fëmijët e moshës 0-16 vjeç, etj. (sipas ligjit fëmijët 0-16 janë të siguruar sepse përfshihen në kategoritë pasive që shteti paguan)
Për të gjithë personat të cilët nuk e gjejnë veten në kategoritë e mësipërme, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ofron sigurimin vullnetar, mbështetur në Ligjin Nr. 7870, datë 13. 10. 1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.

Sigurimi vullnetar:

Personi që sigurohet vullnetarisht ndjek këtë rrugë:
1. Drejtohet në zyrat rajonale të ISKSH me një dokument identiteti,
2. Nënshkruan një akt-marrëveshje me autoritetet rajonale të ISKSH për sigurimin vullnetar,
3. Kryen pagesën për sigurimin shëndetësor në masën 3. 4% të pagës minimale për efekt siguracioni të përcaktuar me VKM. Shuma e pagesës që duhet të paguajë në momentin fillestar përfshin periudhën 1 vit përpara datës që po bën siguracionin dhe është e vlefshme edhe për 3 muajt pasardhës. Pas kësaj procedure, përfshihet menjëherë në skemë.

Hapi III-të:

Dokumentacioni që duhet të disponojë personi i siguruar për t’u pajisur me librezën e shëndetit
• Kartë identiteti ose pasaportë,
• Dokumentin që vërteton statusin e pacientit,
• Vërtetim nga mjeku i familjes ku është regjistruar me numër kartele.

Ku ndodhen sportelet rajonale për pajisjen me librezë të shëndetit?

Sportelet e shpërndarjes së librezave të shëndetit funksionojnë pranë:
• Drejtorive Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (DRSKSH) në qendër qarku,
• Agjencive përkatëse në rrethe,
• Pikave të pajisjes me libreza pranë qendrave shëndetësore në disa qytete të mëdha.

Sistemi i referimit

Zbatimi i sistemit të referimit bazohet në 4 parime kryesore:

1. Shërbimi i mjekut të familjes përbën portën e sistemit shëndetësor.
2. Shërbimet shëndetësore nuk janë falas, dikush duhet të paguajë.
3. Solidariteti përmes kontributeve të sigurimeve shëndetësore mbron individët dhe familjet nga shpenzimet rrënuese për shkak të sëmundjes.
4. Shteti merr përsipër të paguajë për shërbime bazë me impakt të rëndësishëm në shëndetin publik (vaksinimi, planifikimi familjar, kujdesi para dhe paslindjes, kujdesi për foshnjën, informimi/edukimi, depistimi, etj. ) si dhe kujdesin shëndetësor për kategori të veçanta të përmendura më lart.

Zbatimi i sistemit të referimit nga niveli më i ulët në nivelin me të lartë lehtëson marrjen e shërbimit bazë dhe atë të kualifikuar në mënyrë të barabartë në institucionet e duhura dhe në kohën e duhur.
Zbatimi i sistemit të referimit shmang marrëdhënien financiare të drejtpërdrejtë midis qytetarit dhe mjekut (mitmarrjen).

Të gjithë pacientët e referuar kalojnë nga mjeku i familjes – specialist në poliklinikë – spital i rrethit – spital rajonal – spital universitar duke pasur në mënyrë të detyrueshme rekomandimin e mjekut, librezën e shëndetit dhe një dokument identifikimi.

Pacientët që nuk kanë këto dokumente, paguajnë tarifën e parashikuar për aktin mjekësor që do të kryejnë.

Për informacion më të detajuar apo për ndonjë paqartësi që mund të keni, ju mund të drejtoheni pranë Drejtorive të Shëndetit Publik (DSHP) të rrethit ku jeni sistemuar ose të kontaktoni në tel +355 4 236 49 08.

Stres i madh, truri shkon në “Standby”

Gjermani,  NOA/R.Bulku - Kur përballemi me një stres veçanërisht të fortë, si ai i shkaktuar nga vizioni i një filmi të dhunshëm, truri ynë bëhet pjesë e një faze që mund ta quajmë “standby”.

Diçka e tillë çon në rritje të konsiderueshme reagimin tonë dhe në të njëjtën kohë krijohet një mbrojte e shpejtë dhe e lehtësuar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al duke cituar studimin e "Science".

Ndryshimet neuro-kimike që ndodhin në këto situata janë fotografuar për herë të parë në një njeri dhe kjo mbi bazën e një studimi të koordinuar nga Universiteti i Nimega, i cili më pas është publikuar në "Science".

Pjesëmarrës në këtë studim kanë qenë 80 vullnetarë.

r.b/NOA

Sunday, November 20, 2011

Tefta Radi: Migjeni gjeniu i të gjitha kohrave

Intervistoi: Besnik RAMA
Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari i madh i letërsisë moderne shqiptare. Ai ishte dhe do të jetë në zemrat e çdo letrari dhe çdo njeriu, që nga letërsia di të marrë të bukurën dhe të magjishmen. Me 13 tetor të këtij viti ishte edhe 100- vjetori i lindjes së këtij shpirt-artisti të jashtëzakonshëm. Për nder të poetit dhe prozatorit shqiptar do të organizohet edhe me datë 20 nëntor të këtij viti në Mynih të Gjermanisë një mbrëmje kulturore kushtuar letërsisë brilante të tij. Me këtë rast do të promovohet edhe filmi dokumentar «Migjeni Ky Uragan» realizuar nga gazetarja e mirënjohur e ekranit shqiptar, Tefta Radi. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën Nacional Albania me znj. Radi presim të njohim paraprakisht diçka nga ky dokumentar, por edhe opinionin e saj në lidhje me figurën e ndritur të Migjenit.

Çfarë përfaqëson tek ju letërsia moderne e Migjenit?
Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni) është shkrimtari që unë e adhuroj. Për mua ai mbetet themeluesi i letërsisë moderne shqiptare, gjeniu i të gjitha kohrave. Migjeni është shkrimtari që hyri në historinë e letrave shqipe si një qënie e madhe sociale. Sa herë lexoj pjesë nga krijimtaria e tij, në poezi apo në prozë, ndjej forcën e fjalës që përcjell pena «migjeniane», mesazhin e fuqishëm që mbetet në më të shumtën e krijimtarisë së tij, mjaft aktuale.
Nga kujtimet e shkollës çfarë mbani mend nga diskutimet apo edhe recitimet e poezive të këtij shkrimtari?
Si e tillë vepra artistike e Millosh Gjergj Nikollës, jo rastësisht është zgjedhur si pjesë e interpretimeve ne konkurse nga studentët pretendues për të studjuar në universitetin e arteve. «Poema e mjerimit» nga “ Vargjet e lira”, «Bukuria që vret», «Luli i vocërr», «Legjenda e misrit», «Kangët e rinisë», e shumë të tjera, mbeten në kujtesën e çdo nxënësi, e në veçanti kur e kanë fatin të kenë edhe një mësues të zotë të letërsisë që është në gjendje edhe ta interpretojë sa do pak, krijimtarinë e Migjenit. Kështu ka mbetur edhe në kujtesën time që nga shkolla 8-vjeçare, se ai cikël shkollor ishte në kohën time, ku kisha mësues letërsie z. Petrit Kusi, mësuesi që na e bënte aq të dashur këtë lënde. Më pas, në të mesmen, në gjimnazin “Sami Frashëri” nga i mrekullueshmi Rinush Idrizi.
Ishte Migjeni ateist apo...
Është çështja më e diskutuar edhe sot. Duket se Migjeni ka qenë i dyzuar në qëndrimin ndaj fesë. Ai e braktisi zhgunin priftëror, Oksfordin për klerik, pasi shpirti i tij prej artisti, qënia e tij shkrimtar, kërkonte më shumë liri, e cila i mungonte. Tek poezia “Blasfemi”, ai na shfaqet si ateist, por në të vërtetë në poezi të tjera të tij, si tek poezia “Lutje”, ku ai i drejtohet perëndisë për një simfoni plot dashuri, duket se Migjeni është jo kundër Perëndisë, se sa kundër autoritarizmit të fesë, keqpërdorimit të saj nga disa njerëz. Për të përcaktuar më qartë qëndrimin e Migjenit ndaj fesë, lipset të gjendet një autobiografi e shkrimtarit si dhe mbrojtja e temës së diplomës në Manastir, titulluar “Dy natyrat e krishtit”, që sipas studiuesit Skënder Luarasi duhet të jenë në arkivat qëndrore të Shkupit.
Si e shikoni kohën përballë Migjenit, që nga koha e krijimtarisë së tij deri në ditët e sotme.
Migjeni është poeti që kapërceu dhe do të kapërcejë çdo epokë. Po të kemi këtu parasysh shoqërinë shqiptare të viteve ’30, mjerimin dhe skamjen e kohës, ai mbetet shkrimtari i dhimbjes dhe protestës, i pakënaqësisë së realitetit mjeran, i fshikullimit të hipokrizisë që sundonte në politikën dhe shoqërinë shqiptare të atyre viteve. Njëherazi ai ishte edhe poeti i besimit të krijimit të një bote të re. Triumfin e idealit për një jetë më të mirë, Migjeni e lidh me rininë, si pjesa më e shëndetshme e një shoqërie. Sipas studiuesit Mojkom Zeqo, Migjeni ishte shkrimtari që shkroi nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara. Migjeni ishte një shkëmb, i cili qysh herët u ngul në panteonin e letrave shqipe falë vizioneve dhe koncepteve moderne, falë shpirtit të tij të trazuar, ku s’mund ta përcaktosh lehtë se ku mbaronte dhimbja, trishtimi dhe delikatesa, e niste zemërimi, protesta dhe furtuna Migjeniane, shkruan Lazer Radi në librin e tij “Një verë me Migjenin”.
Çfarë pritet të sjell dokumentari «Migjeni Ky Uragan»?
Dokumentari «Migjeni Ky Uragan» mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë patur kontakte me shkrimtarin e madh, të cilët unë i konsideroj dhe si dëshmitarët e fundit të viteve ’30. Po ashtu me ish nxënës të Migjenit, që numërojnë mbi ’90 vite mbi supe. Por edhe personazhe të tjerë si dhe në dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Mojkom Zeqo e Adriatik Kallulli. Një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.
Na tregoni diçka nga puna për përgatitjen e këtij dokumentari për nder të shkrimtarit.
Patjetër, me kënaqësi. Për këtë dokumentar kam shfrytëzuar krahas filmimeve të shumta, materiale të Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Historik të Shkodrës, Arkivit Qëndror të Filmit Shqiptar si dhe nga arkivi i familjes Nikolla, nga rrjedhte edhe shkrimtari i madh. Gjithashtu, më është dashur të punoj për muaj të tërë për të sjellur në ekranin e vogël jetën e shkrimtarit të madh që jetoi pak, vetëm 27 vite, por la pas thesare krijuese që tingëllojnë në çdo kohë.
Sot, sa e duam realisht Migjenin dhe kush janë pikërisht ato që e përqafojnë më tepër letërsinë e tij?
Krijimtaria artistike e Migjenit, sot po lexohet më tepër se kurrë. Kjo është dëshmi e qartë për forcën e mesazheve dhe filozofinë që përcjell vepra e këtij artisti të jashtëzakonshëm. Edhe pse ka kaluar një shekull nga lindja e tij, të tjerë do të pasojnë dhe vepra do të vazhdojë të lexohet duke lartësuar figurën e shkrimtarit gjeni që nuk bëri kompromis me të keqen, por pati guximin dhe kurajon qytetare për ta goditur atë pa mëshirë në kërkim të qytetërimit, të një jete më të mirë e të një shoqërie progresiste.
Shkodra e Migjenit, Migjeni i Shkodrës por edhe i gjithë shqiptarëve! Sa i dha autori shoqërisë sonë shqiptare e veçmas qytetit të tij Shkodrës, e sa kjo e fundit po jep për nderimin e figurës së lavdishme të tij?
Migjeni u përket të gjithë shqiptarëve. Shoqëria shqiptare duhet ti jetë mirënjohëse atij përgjithçka ai bëri për ta ngritur atë nga përgjumja drejt dritës dhe një jetë më të mirë. Në veçanti Shkodra, e cila siç shprehet studiuesi Mojkom Zeqo, duhet të shkruaj me germa bronxi në urën mbi lumin Bunë, thënien migjeniane për qytetin e tij të lindjes: Shkodra, Shkodra dashnorja e shekujve…
E fundit, çfarë mesazhi presim nga ky dokumentar për figurën e këtij shkrimtari të madh të letrave shqipe.
Mesazhi që përpiqem të sjell përmes këtij dokumentari është: të hedhim dritë dhe të vlerësojmë punën e bërë nga personalitete të fushave të ndryshme që i kanë dhënë mjaft shoqërisë dhe historisë së kombit tonë, kombit shqiptar.

Një qiell pa re, por në Fier ka “furtunë kuqeblu”

Apolonia vetëm 60 minuta ka mundur t’i rezistojë “fortunes” shkodrane. Nëse në fillimin e pjesës së dytë, Ribaj, Pasha dhe Agastra do të kishin qenë më të qetë përpara portës mike, ndoshta rezultati i ndeshjes do të ishte tjetër, por Vllaznia, falë edhe kualiteteve që kishte në përbërje, ka arritur të dalë triumfuese. Një dhuratë kjo edhe për teknikun Vata, që arrin fitoren e parë në transfertë dhe me tre pikët e marra në Fier, pa dyshim që e ka ngritur moralin e skuadrës.
Shkodranët kanë shënuar të parët në minutën e 22-të, por eurogoli i Gërxhos, jo vetëm ka barazuar shifrat, por edhe ka sjellë shumë besim tek tifozeria vendase, e cila ka vazhduar ta mbështesë skuadrën pas shënimit të këtij goli, duke shpresuar në përmbysjen e madhe. Dhe vendasit në fushë u janë “përgjigjur” përmes disa rastesh të mira për shënim. Por vetëm kaq, sepse rrjeta e Vujadinoviçit nuk është prekur. Dhe kur nuk shënon, e pëson. Shkodranët i kanë besuar më ashumë kundërsulmit dhe Smajli, Sukaj e Vajushi kanë krijuar e thelluar diferencën e golave për skuadrën e tyre. Përfundimisht 1-4 për skuadrën kuqeblu, e cila në fund të ndeshjes përshëndetet dhe nga një grup i vogël besnikësh të ardhur nga qyteti verior e që kanë bërë tifo sikur të ishin në shtëpinë e tyre.
Pas ndeshjes
Dhimitër Papuçiu (zv/trajner i Apolonisë): “Kemi humbur, por, nëse do të ishim treguar më të kujdesshëm, mund ta kishim mbyllur ndeshjen me fillimin e pjesës së dytë, ku kemi shpërdoruara disa raste të pastra shënimi. Pika më e dobët jonë mbetet sulmi që nuk ka funksionuar sërish siç duhet. Duke mos i shfrytëzuar mundësitë tona, i dhamë mundësi kundërshtarit që ka luajtur mjaft mirë kundërsulmin dhe na ka ndëshkuar jo pak në këtë takim”.
Rudi Vata (trajner i Vllaznisë): “Ka qenë një fitore e merituar për skuadrën tonë dhe unë jam i kënaqur nga loja që ka zhvilluar ekipi. Them se kemi pasur edhe pak fat, pasi Apolonia ka luajtur jo keq dhe shpesh na rrezikoi. Në pjesën e parë ka qenë përgjithësisht një lojë e barabartë, ndërsa në pjesën e dytë, kualitetet e skuadrës sime kanë bërë diferencën, çka solli dhe fitoren. Tashmë na duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme, ku do të kërkojmë në çdo takim maksimumin, pasi vetëm kështu mund të ecim me sukses drejt realizimit të objektivave tona”.
! Gërxho bën një gol dhe një… “gol”
Gjatë ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga futbollisti Gërxho, topi ka përfunduar në një nga dritaret e Akademisë së Futbollit “Apolonia”, që është pozicionuar si godinë fare afër fundores së fushës, në anën jugore të saj. Topi ka bërë “gol”, domethënë ka  ka thyer një xham. Burime të besueshme thanë se “krimi” do të ndëshkohet me gjobë e kapiteni duhet të zhdëmtojë xhamin e thyer.
 

Unë gazetarja e “Zërit të Rinisë”, që bëra burg për poezitë

Dukej si një histori filmi. Nga ato të vjetrit që, sot, të shumtën e herëve, preferojmë të mos i shohim. Jo pse kurioziteti mund të jetë në shëtitje, por sepse shija që të mbetet nuk është e përtypshme. Sado bujare ta kesh të ardhmen, nuk vlen për të harruar. Zhaneta Ogranaj, poetja disidente, jeton sot në një dhomë të sajuar prej asaj vetë, në një nga godinat e ish-Shkollës së Partisë. Dera, e shenjosur me dëmtime të vjetra e të ripërsëritura, qëndronte thuajse e hapur. Hynin e dilnin fëmijët e ‘dhomave’ të tjera për t’i sjellë ujë, a ç’t'i nevojitej, për shkak të mungesës së tualetit dhe çezmës në dhomë (nuk qenka aq për të qeshur pyetësori i censusit). Krevati-divan ishte i rrethuar me bidonë të mbushur me ujë, ndërsa në një tjetër kënd, furnela, pak kripë, vaj, dhe një qese përgjysmë me makarona. Te koka e krevatit, kishte gjënë më të shtrenjtë, çantën me dokumentet e së shkuarës, akuzat, dënimet e arratisjet. Fletoret e poezive të saj, poezitë e miqve dhe ato pak fotografi që kishte mundur të bënte këto 20 vitet e fundit. Këto ishin bashkëjetueset e Zhanetës, bashkë me torbat me kujtime që hapësira e dhomës sigurisht që nuk mund t’i mjaftonte për t’i futur. Historia e saj nis që në vitet e fakultetit që nuk mundi ta mbarojë. Është një nga më të çuditshmet e të pabesueshmet që të qëllon të dëgjosh. Orët e gjata të bisedës me të nuk shërbejnë për ta perceptuar, duhet t’i rikthehesh sërish për të tentuar një përgjigje. Jo se mund ta marrësh, por të paktën të vlen për të renditur ngjarjet pa gjykuar palët. Ashtu bëni edhe ju! Sado absurde t’ju duket, lexojeni historinë dhe interpretimin bëjani vetë. Këto janë ngjarjet dhe përjetimet e saj.
Na e tregoni historinë nga fillimi, do të jetë më e thjeshtë për t’u kuptuar…
Për shkak se im atë ka qenë njeri me pozitë, ka ndihmuar luftën ekonomikisht, me ardhjen time në Tiranë, munda të punësohem në punë të mira, më ndihmuan në këtë drejtim. Kam punuar si nëpunëse në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës e më pas, në moshën 24 vjeç, nisa të punoja në Bibliotekën Kombëtare në sektorin e klasifikimit.
Deri këtu gjithçka mirë. Ku kanë nisur peripecitë?
Paralelisht, isha edhe korrespondente e gazetës “Zëri i Rinisë”, kisha lidhje me shtypin e shkruar edhe poezinë. Këto kanë qenë shkaku i problemeve. Temat dhe mënyra si i trajtoja ato shkrime si dhe poezitë.
Pse, ç’trajtonit në to?
Konkretisht, pata bërë një shkrim ku trajtoja problemin e strehimit, si dhe të vlerës reale të klasës punëtore që merrnin para vetëm për ekzistencë. Strehimi më përkiste edhe personalisht, por ma zgjidhën shumë shpejt. Kjo ishte hera e parë kur më thirri Abdyl Këllezi për të më kërkuar shpjegime. Unë vijova edhe më tej, duke i treguar se ç’kuptoja me ekzistencë sipas pyetjes që më bëri, duke i thënë se për shembull mund të kishin njerëzit makina, të kishin më shumë të ardhura, të ishin të lirë. Se kur ndërtoheshin pallatet e reja, duhet t’i merrnin të pastrehët e jo të zhvendoseshin për më mirë disa të strehuar. Më ka thirrur disa herë edhe Fadil Paçrami për këtë gjë e, me humanizmin e tij, më ka ofruar edhe shtëpi. Me dhënien e shtëpisë, pas kësaj bisede më ngritën edhe rrogën me 2 mijë lekë. Pas kësaj situate që ishte çudi të mbyllej kaq mirë, u dha urdhër që të më bëhej gjyq. E nëse bëhej gjyqi, të shkundin mirë. U hap dosja ime dhe u pa që im atë kishte qenë në burg, kjo është armë në dorën e tyre. Morën vendim që të mos ikja nga biblioteka, ama të rikthehesha në kushtet e mëparshme.
Deri këtu ngjarja vazhdon të jetë në favorin tuaj.
Nuk shpëtoje lehtë asokohe, qoftë edhe vetëm për atë shkrim. Historia ende nuk ka filluar. Pas gjyqit nisën presionet që bënte shoqëria brenda dhe jashtë. Poezitë që kisha krijuar për Enver Hoxhën, kishin bërë punën e tyre. Ndjekja ishte një gjë që nuk mund ta duroja, kështu që kërkova largimin nga biblioteka. Më thirrën sërish për punën e poezive. Këtë herë Tefik Çaushi më tha “Shoku yt është Enveri, që i shkruan poezi ti, duke iu drejtuar ashtu?”.
Po në fakt ju ku e gjenit guximin të shkruanit kundër tij, kush ishit ju për të ndryshuar botën?
Tani i gjykoj gjërat ndryshe, edhe më vonë i kam gjykuar ndryshe. Atëherë mendoja vërtet se do ndryshoja vendin apo së paku do isha ndikim për përmirësimin e kushteve të jetesës. Ishte e gjitha mungesë njohurish, mungesë përvoje me jetën. Kam pasur mbibesim në vete. Kur shkruaja, nuk mendoja t’i bija njërit apo tjetrit, ishin shkrime që shkruheshin me dëshirën se do të më mirëkuptonin dhe disa dukuri mund të zhdukeshin.
U larguat nga biblioteka?
Po u largova dhe shkova në Korçë, te të afërmit. Një dajë e kisha në Amerikë, xhaxhai gjithashtu kishte qenë atje si emigrant ekonomik. Mendova të shkoja në Korçë për të biseduar me të e për të parë mundësinë se si mund të ikja vetë. Bisedova me xhaxhain dhe ia shpreha këtë dëshirë. Të vetmet fjalë që më tha, ishin “Bëre gabim që ma the mua këtë”. Tani i vlerësoj fjalët e tij, madje nuk duhet t’ia thosha as atij e as vetes këtë gjë. Në Korçë vura re që isha gjithnjë nën vëzhgim, për çfarëdo lëvizjeje që bëja. Dëshirën për t’u larguar ia thashë edhe një mikeshe, e cila nuk e mbajti vetëm për vete. Të gjitha këto bënë që të shihesha ndryshe e që të më shtohej ndërkaq urrejtja. Mendoja vetëm si mund të ikja. U riktheva në Tiranë. Sinjalizimet kishin mbërritur si nga xhaxhai, si nga shoqja, kështu që sapo u ktheva, më vijnë e më marrin në shtëpi. U arrestova. Më priste jashtë një veturë e prokurorisë bashkë me hetuesit, të cilët më çuan në burgun e vjetër.
Kjo ishte e drejta e kohës, po shkonit kundër rrymës. Ç’ndodhi pas arrestimit?
Më kërkuan shpjegime për gjithçka kish ndodhur deri atëkohë. Kishte ardhur një lord anglez asokohe, të cilit i kishin rënë në dorë poezitë e mia dhe kërkonte të më gjente. Kërkesën e tij ata e interpretuan sikur isha e infiltruar.
Ju jeni akuzuar vazhdimisht, edhe më vonë për këtë gjë…
Po, por prova nuk kishin, kështu që akuza u rrëzua. Mora vetëm dënimin për “agjitacion e propagandë” dhe “tentativë arratisjeje”. Më dënuan me 10 vjet, prej nga bëra 4 vite e një muaj.
Keni qenë vetëm 28 vjeç pas daljes, kishit të gjithë kohën për të rikuperuar gjërat…
E thënë duket e thjeshtë. Pas daljes si e rehabilituar, tentova të punësohesha, por mos harroni që lufta e klasave vazhdonte. Punë s’më jepnin, ndërkohë që unë vazhdoja me letrat e telegramet e mia drejtuar ministrive, derisa më sistemuan si punëtore magazine. Një vit më vonë u martova.
Pra, po dilte dielli?
Jo, po ikte njëherë e mirë. Martesa ka qenë burgu im më i rrezikshëm, sepse ndërsa unë e ndihmoja njeriun me të cilin rrija, vetë fundosesha. E në këtë pikë nuk gjykoj sistemin, por marrëdhënien që krijova. Im shoq ishte nga kosovarët e Fierit të internuar në Shtyllas. Isha futur në një familje që s’duhet të përkrahja. Në këtë kohë, situata e brendshme e rënduar po pasqyrohej edhe te poezitë. Por problemet ishin humane, jopolitike, pavarësisht se si u interpretuan. Megjithatë, gjendja në to ishte e errët. I pata dorëzuar ato poezi që nuk u botuan e as u gjendën më kurrë. Pale në ç’arkiv përfunduan.
Sërish rrezik në horizont?
Bëra një fletërrufe po atë kohë për pakënaqësitë në punë. Na merrnin dhe na largonin, sepse s’kishte bazë materiale pa na paguar pa dyshim. Pas fletërrufesë më arrestojnë për herë të dytë. Ka qenë viti ’80-të dhe kisha dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Kur kanë ardhur më kanë marrë djalin. Ka qenë 6 vjeç e më rrinte nga pas, kërkonte të vinte me mua. Burgu i dytë më ka dëmtuar shumë në drejtim të fëmijëve, sepse im shoq më pas i brumosi me urrejtje ndaj meje.
Por jo vetëm për këtë arsye burgu i dytë ka qenë më i rëndë… probleme të tjera u shfaqën apo jo?
E keni fjalën për ekspertizën mjekësore. Po, më çuan në spitalin e burgut pa shfaqur asnjë ankesë. E kisha nga im shoq këtë nder. Pasi kërkova që fëmijët t’i merrte shteti, të mos rrinin me të, ishte ankuar në Komitetin Qendror se isha e sëmurë mendore. Më çuan më pas te 7-ta. Doktorët më pyesnin se nga e kisha frymëzimin e poezive e të tjera si këto. Më dërguan më pas në Elbasan, më vunë në kurë, edhe pse vazhdimisht doktorit i thosha se nuk kisha gjë. Kam ndenjur 2 vjet në spital, duke kaluar peripeci që po jua kursej t’i dëgjoni. Në ’81-shin dola prej andej.
Në të gjitha këto, ju keni kontribuar edhe vetë, e keni dëmtuar padashur veten…
Po kush të ma thoshte këtë atëherë? Sepse tani them ç’më duhej mua me ato probleme, pse unë do t’i zgjidhja?! Por tani s’ka më vlerë. Ku shkuat pas daljes nga spitali, sepse marrëdhëniet me burrin i kishit prishur apo jo? Marrëdhëniet ishin më shumë se të këqija, por në shtëpi do shkoja gjithsesi. Fëmijët më ishin larguar. Për të më mbajtur larg tyre, im shoq vazhdonte të ankohej derisa ia arriti që të më shtronin sërish në spital në Vlorë e në Tiranë.
Si dolët nga kjo situatë?
Kush tha që dola? Historia nuk ka mbaruar. Nga sjelljet e djalit, të këqija sa s’ka, për ta ndihmuar bëra kërkesë të shkonte në shkollën e rehabilitimit. Me gjithë urrejtjen që tregoi, arriti ta mbarojë shkollën e të përmirësohet. U regjistrua më pas në shkollën “Skënderbej”, ku nuk trajtohej mirë, e dënonin pa arsye. Ndërkaq, as unë jashtë nuk isha më mirë. Shkoj e takoj një ditë dhe i paraqes sërish variantin për t’u arratisur. I thashë se do merresha vetë me vëzhgimin e situatës dhe, kur t’i çoj telegramin “mami është sëmurë”, të vijë të më takojë e të ikim. Ashtu bëra, shkova në fushën e Demostenit, pashë që mundësitë ishin dhe i bëj telegram djalit. Vajza nuk pranoi të vijë dhe vazhdoi të qëndrojë në shkollë, në konvikt. E lashë me mendimin që kur të mbërrija në Amerikë, ta merrja.
Ia dolët të arratiseni?
E nisëm udhëtimin duke ndenjur tri net e tri ditë në Qafë-Thanë, për të pritur momentin e përshtatshëm që të hynim. Pas tri netëve u bë një mjegull që na ndihmoi për të ecur më tej. Kufiri ishte me tela me gjemba, kështu që gërmuam nga poshtë me thika e gërshërë që kishim marrë. Hapëm gropën, aq sa të mund të hynim njëri pas tjetrit. Qëndruam në një gëmushë me mendimin për të ndenjur, por dëgjojmë rojet që thonë se kanë shkelur kufirin dhe u larguam menjëherë. Hymë në pyll, pa ditur se ku shkonim, derisa dolëm në rrugë. Atë kohë kam marrë djalin për dore dhe i kam thënë të mos e kthejë më kokën pas. Kaluam kufirin maqedonas dhe ecëm derisa mbërritëm në Strugë. Nuk zgjati shumë gëzimi, sepse aty na kapi policia për shkelje kufiri.
Ky është burgu i tretë?
Jo, atë as e quaj burg. Ku kisha parë unë burg me dyshek e çarçafë, shtriheshim përtokë mbi ndonjë rrobë. Për më tepër që nuk na mbajtën gjatë. Çështja u shqyrtua menjëherë dhe, pasi morën vesh situatën, na kërkuan që të rrinim aty, duke na ofruar edhe shtëpi e gjithçka. Vetëm se duhet të dilnim në televizion për ta bërë publike këtë gjë. Kërkonin të bënin propagandë për ikjen time. Nuk e pranova, sepse kisha frikë për vajzën që kisha lënë këtu. Për më tepër që isha nisur për Amerikë. Tingëllon pak e çuditshme gjithë kjo mirëpritje, ndërkohë që ju jeni akuzuar si bashkëpunëtore me Jugosllavinë. Kaq ka qenë marrëdhënia ime me ta. Nëse unë do kisha pranuar, do ishte ndryshe.
Ju lanë të iknit?
Po, të nesërmen na dërguan në Beograd dhe më kujtohet që ka qenë shumë e bukur përcjellja e shqiptarëve të Maqedonisë. Na përshëndesnin të gjithë. Kur jam kthyer, kam marrë vesh nga miq të mi në ATSH se këtej merrej vesh çdo lëvizje jona. Në Beograd na çuan në një pikë grumbullimi, ku kishte refugjatë nga e gjithë bota. Ishte e çuditshme që nga njëra anë shihnim tanke që do sulmonin Kosovën, ndërsa ne na prisnim me humanizëm. Po në fakt, ky ishte favor i OKB-së. Kemi ndenjur aty për dy stinë, ndërkohë që na vunë në kontakt me Ambasadën Amerikane dhe nisëm procedurat e dokumenteve për të ikur.
Ia dolët më në fund?
Jo. Asnjëherë nuk ia dola. Së pari sepse pata përjetime të ndryshme në kohën e intervistës. Në televizion po shihnim që situata në Shqipëri po ndryshonte, kishte rënë busti, drita kishte filluar të dukej, kështu që pata ndjesinë të përmbys të gjitha e të kthehem. Ndërkohë që po këtë kohë mësova se im bir, gjithnjë që pas shkollës së edukimit, kishte qenë nën vëzhgim dhe në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Prandaj edhe të gjitha lëvizjet tona ishin marrë vesh. Megjithatë, më paralajmëroi se po të kthehesha në Shqipëri, do më trajtonin edhe më keq se më parë. Megjithatë u ktheva. Djalit nuk i thashë, ika vetëm, në këmbë deri në Kosovë. Aty më ndihmon një shofer mauneje që më solli deri në Dibër të Madhe.
Ju kapën pa dyshim?
Sigurisht, sapo mbërrita në kufirin shqiptar më ndaluan e më thanë se kishin kohë që po më ndiqnin. Më akuzuan sërish si agjente dhe më futën në burg. Prej aty sërish në spitalin e burgut e në atë të Elbasanit. Kjo histori vazhdoi deri në vitin ’91.
Prej asokohe keni jetuar kështu, në këto kushte?
Po, kur dola, vajta për pak kohë te vajza, po pastaj më dhanë këtë dhomë këtu dhe ndenja vetëm, isha më mirë sesa të pengoja të tjerët.
Po me djalin ç’u bë?
Që prej Beogradit nuk e takova më. Vite më vonë e kam takuar me raste, por nuk kemi pasur marrëdhënie të mira. Me vajzën shihemi, atë isha duke pritur përpara se të vinit ju.
ANI JAUPAJ

Rice: George Bush donte ta njihte Kosovën qysh më 2007

Presidenti amerikan George Walker Bush donte ta njihte pavarësinë e Kosovës qysh më 2007, mirëpo ai e shtyu këtë afat me kërkesë të aleatëve.Kështu thuhet në librin më të ri të ish sekretares amerikane të Shtetit Condoleezza Rice, me titull “Nuk ka nder më të madh,” të botuar ditë më pare në New York.
Ish kryediplomatja amerikane përshkruan në një pjesë të librit periudhën e negociatave për statusin e Kosovës, i cili thotë se çoi në një propozim të njohur si plani i Ahtisaarit që rekomandoi pavarësi për kosovarët.
Rice thotë se nga fundi i verës 2007 kosovarët po
shqetësoheshin gjithnjë e më shumë rreth statusit, ndërkohë që edhe Beogradi mund të synonte aneksimin pak nga pak të një të tretës së Kosovës atje ku jetonin serbët radikalë.
“Unë bëra trysni tek evropianët që të vepronin dhe qëllimi ynë ishte
ta njohim shtetin e ri bashkë me ta dhe me sa më shumë vende të tjera.Francezët dhe gjermanët zvarritnin punë duke shpresuar se Moska do të ndërronte mendjen. Kur në mes të qershorit Franca kërkoi edhe një muaj, presidenti (Bush) u zemërua pamasë. Presidenti e thirri (Vlladimir) Putinin dhe ai ju përgjigj njëjtë me atë që më kishte thënë edhe mua (Sergej) Lavrov. “Ne pranojmë çdo gjë që pranojnë serbët,” kishte thënë Putin.
Me tej Rice shpjegon se si në samitin e G 8-tës në Gjermani
presidenti Nicolas Sarkozy kishte kërkuar negociata edhe për 120 ditë.
“Pas samitit më 9 qershor Presidenti Bush në një konferencë për shtyp në Romë bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës. Ai të nesërmen në Shqipëri përsëriti mbështetjen e tij për pavarësinë dhe planin Ahtisaari.”
“Vetëm edhe një muaj,” më tha presidenti shkruan Rice, dhe pastaj do
t’a njohim (Kosovën), qoftë edhe të vetëm nëse duhet ta bëjmë. Unë ju
kam premtuar dhe këtë duhet ta përmbushim.” Më vonë presidenti Bush
ishte pajtuar me shtyrjen edhe për 120 ditë me kushtin që kjo do të
ishte shtyrje e fundit.
“Më 18 shkurt 2008, ne zyrtarisht njohëm Kosovën ashtu siç bënë edhe
shumë shtete të tjera Evropiane,” shkruan ndër të tjera Condeleezza
Rice.