Sunday, June 23, 2013

Vazhdojmë djathtas

"Koha Jonë", e përditshmja e parë pas përmbysjes së sistemit komunist, ashtu si gazetat më të mëdha dhe më të hershme në vendet e zhvilluara evropiane dhe SHBA, jep propozimin e saj për këtë proces zgjedhor: Vazhdojmë djathtas, për të siguruar vazhdimësinë e reformave që synojnë rritjen e mirëqenies për çdo shqiptar!


Rreth 3 milionë e 271 mijë e 956 zgjedhës figurojnë se kanë të drejtën e votës për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme parlamentare nga ku do të dalë edhe Kuvendi i ri. Shifra zyrtare bëhet e ditur nga Ministria e Brendshme dhe përbën listën përfundimtare të zgjedhësve. Por nga zgjedhjet e fundit parlamentare rezulton se jo të gjithë zgjedhësit ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Përkundrazi, nga shifrat e procesit të fundit parlamentar të zhvilluar në 28 qershor 2009, rezulton se pjesëmarrja në votime nuk i kaloi 50.52% të zgjedhësve në rang vendi, nga një shifër votuesish me 3.084.946 emra. Kjo përqindje ka qenë edhe më e ulët tetë vite më parë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ku përqindja e votuesve ishte 49.23% nga 2.850.821 zgjedhës në total. Ndaj së fundmi, apelet e politikës gjatë fushatës elektorale, kanë qenë të vazhdueshme për pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje. Madje jo pak herë, dy liderët politikë Kryeministri Sali Berisha dhe kreu socialist, Edi Rama, kanë kërkuar nga të gjithë zgjedhësit që të marrin edhe të tjerë që nuk kanë votuar në zgjedhjet e mëparshme apo që votojnë për herë të parë, të ushtrojnë të drejtën e votës ditën e sotme. Sipas statistikave zyrtare, vetëm në zgjedhjet e viteve 1991 dhe 1992, rezulton se ka pasur një pjesëmarrje thuajse maksimale të zgjedhësve në votime. Shifër e cila më pas ka ardhur gjithnjë e në ulje. Në votimet e para të zgjedhjeve pluraliste, sipas statistikave të ndryshme mësohet se kanë votuar 99% e votuesve, ku më 31 mars 1991, sipas rezultateve zyrtare të asaj kohe, nga 1.984.933 votuan 1.963.254, ose 99%, ndërsa vota të vlefshme ishin 1.862,381, në masën 95%. Kjo ka qenë pjesëmarrja më e madhe, që lidhej edhe me zgjedhjet që ndryshuan sistemin politik në vend në pluralizëm. Ndërsa në zgjedhjet lokale të korrikut të vitit 1992 numri total i zgjedhësve ishte 1.988.795, ndërsa pjesëmarrës në votime kishte 1.405.066, ose 70.65% e votuesve. Pjesëmarrja më e ulët në votime është regjistruar në votimet e 29 qershorit 1997, të cilat u mbajtën në një kohë pas trazirave të ndodhura. Edhe pse KQZ-ja nuk ka një shifër zyrtare, vota të vlefshme kanë qenë 1.302.050, ndërsa pjesëmarrja në votime llogaritet në 43%. Në vitin 2001, në zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit është rritja e përqindjes së votuesve në krahasim me katër vitet e shkuara. Nga 2.499.238 zgjedhës të regjistruar në votime morën pjesë 55.59 për qind e zgjedhësve. Në bazë të Kodit Zgjedhor, zyrtarisht qendrat e votimit do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në 19:00 të mbrëmjes.Nga këto zgjedhje do të dalin 140 deputetë në Kuvend. Forca ose koalicioni që do të arrijë të sigurojë mbi 70 mandate do të formojë edhe qeverinë e re, e cila zgjidhet për një mandat katër vjeçar. Në garë, kryeministri Sali Berisha, kërkon një mandat të tretë qeverisës dhe votat për Partinë Demokratike. Ndërsa përballë është kreu socialist, Edi Rama, i cili kërkon që PS të vijë në pushtet pas tetë vitesh në opozitë

No comments: