Monday, November 22, 2010

Të pathënat e “Këngës Magjike”


Edicioni i dymbëdhjetë i Këngës Magjike u mbyll të shtunën në mbrëmje, në Pallatin e Kongreseve, në një spektakël që mori vëmendjen e gjithë audiencës mbarë shqiptare. “Sa e shite zemrën”, e kantautorit Pirro Çako, kënduar nga Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, u vlerësua nga vetë këngëtarët si kënga më e mirë e Festivalit. Ndërkaq, vetë Pirro Çako mori vendin e dytë me këngën “Mirëmbrëma, si je?”. Rozana Radi dhe Ramadan Krasniqi u renditën të tretët, me këngën “Valsi i dashurisë”. Gjatë natës finale u dhanë edhe 21 çmime të tjera. Por përveç jehonës që pati ky festival, ne sjellim sot disa nga të pathënat e tij….

Thyen akujt me Klanin, Goni divorc Top-it

Ftesa që dikur Ardit Gjebrea i bëri Agron Llakajt për të qenë në skenën e “Këngës Magjike”, është vënë në jetë me disa vite vonesë. Të shtunën në mbrëmje, aktori i mirënjohur Llakaj ka kënduar dhe bërë humor me disa nga hitet e vetë kantautorit Gjebrea. Prezenca e tij në skenën e Festivalit ka çuditur shumë njerëz. Por në fakt, akujt mes Klanit dhe Gonit kanë pak kohë që janë thyer. Dihet tashmë që Llakaj do të lërë kabarenë “Portokalli”, në televizion Top-Channel, për të nisur sfidën e parë me show-n “Kush do të bëhet milioner” dhe hapi i parë i këtij bashkëpunimi, u dha pikërisht te “Kënga Magjike”.

Faleminderit Ardit, për Julin

Ashtu siç edhe pritej e përflitej mes këngëtarëve, Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli, morën vendin e parë të Festivalit “Kënga Magjike”, me këngën “Sa e shite zemrën”. Dueti bëri diferencën vetëm me dy pikë ndaj Pirro Çakos, që ishte edhe autori i kësaj këngë, mjaft kuptimplotë për të. Megjithatë, duke i lënë mënjanë të gjitha komentet e supozimet e ndonjë artisti për lobing votash, mbetet fakt se Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli sollën një këngë që e meritonte vendin e parë. Por për sa i përket paraqitjes skenike të Julianës, mendojmë se së pari ajo duhet t’i jetë shumë mirënjohëse producentit Ardit Gjebrea. Të mos keqkuptohemi! Jo për çmimin. Por për orientimin që i ka dhënë kësaj këngëtareje në skenë. Gjë që u vu re qysh një vit më parë, në performancën e saj në Festivalin në RTSh, e ku u bë edhe më e dukshme në Eurovizion. Një Julianë që ishte shumë larg paraqitjeve të saj të hershme. Për vite me radhë në skenë, Juliana asnjëherë nuk bëri efekt tek publiku me veshjet dhe performancën skenike, ku, me gjithë përpjekjet, ajo linte shumë për të dëshiruar. E në këtë pikë, në harkun e një viti të paktën një arsye më shumë përse njerëzit duhet ta duan Julin, është fakti se ajo ka pësuar një kthesë 180 gradëshe përsa i përket këtij aspekti.

E drejta ime mbi Shqipërinë

Vilhelm Vid

Kur rrethanat e kushtëzuara nga shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore më shtrënguan, që gjatë ditëve të para të shtatorit të vitit 1914, të largohem përkohësisht nga vendim im Shqipëria, unë e ndërmora këtë veprim duke qenë i vetëdijshëm që edhe fati i ardhshëm i Shqipërisë, do të përcaktohej në këtë luftë popujsh dhe që tani për tani ndihma më e mirë që mund t'i jepja vendit tim, do të ishte zhveshja e shpatës për Gjermaninë, vendin e etërve të mi.


Në rastin e ngadhënjimit të Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që për mua paraprakisht nuk vihej kurrsesi në dyshim, mëvetësia dhe pavarësia e Shqipërisë, për mendimin tim ishin të siguruara.


Të dy këto Fuqi, të cilat qysh nga lindja e Shqipërisë, kanë mbajtur një qëndrim miqësor ndaj saj dhe kanë marrë përsipër solemnisht mëvetësinë e Shqipërisë, do t'i mbanin edhe në të ardhmen premtimet e tyre. Mposhtja e Fuqive të Boshtit, sipas bindjes sime, kishte kuptim të njëjtë me ndarjen e Shqipërisë mes Italisë, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.


Në shpalljen time drejtuar popullit shqiptar, unë i pata premtuar atij që, qoftë larg apo afër, do të kisha vetëm një shqetësim, dhe kjo do të ishte puna e mëtejshme për mirëqenien e atdheut tonë shqiptar. "Unë as kam hequr dorë ndonjëherë nga froni i Shqipërisë, e as kam shprehur qoftë edhe mundësinë e një dorëheqje të tillë." Gjatë luftimeve në Perëndim dhe në Lindje, mendimet e mia janë vërtitur paprerë rreth Shqipërisë.


jatë periudhës që nuk ndodhesha në front, kam punuar për vendin tim me aq sa e lejonin kushtet dhe jam përpjekur që të mos i shkëpus lidhjet me të dhe me shqiptarët me banim jashtë vendit.


Mbas mësymjes së parë austro-hungareze kundër Serbisë në pranverën e vitit 1915, gjatë kohës kur po planifikohej një mësymje tjetër me përkrahjen gjermane, unë nëpërmjet letrës sime të datës 24 shkurt 1915, i drejtova Lartmadhërisë së Tij Perandorit Gjerman kërkesën për t'u përfshirë në komandën e lartë të armatës që do të caktohej për të luftuar kundër Serbisë.


Me këtë rast parashtrova se u kisha premtuar shqiptarëve që vazhdonin të qëndronin besnik sepse, sapo të më krijoheshin mundësitë, do të rikthehesha në Shqipëri. Këtë premtim të dhënë, për aq sa do varej nga forcat e mia, unë do të kisha dëshirë ta mbaja.


Duke patur parasysh se në gjithë vendin atmosfera e përgjithshme anonte nga ana ime, teksa edhe kundërshtarët e mi të mëparshëm ishin kthyer në favorin tim, mirëpo rruga detare vazhdonte të ishte e bllokuar për mua, kisha dëshirë që në kuadrin e suksesit të padiskutueshëm të ofensivës së re, të rikthehesha në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore që kalonte nëpër Serbi. Hulumtimet e bëra pranë Ministrisë së Jashtme Austriake kishin treguar që ajo miratonte plotësisht planin tim.


Në vazhdën e hulumtimeve të mia pranë Qeverisë gjermane, mësova që në këtë vështrim Gjermania do t'i përshtatej qëndrimit austriak.


Ndërkohë, e në mënyrë të veçantë gjatë ditëve të para të marsit 1915, marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Italisë u përkeqësuan aq shumë, saqë pritej fillimi i luftës midis këtyre vendeve e prandaj hëpërhë as që mund të bëhej fjalë për një mësymje të dytë kundër Serbisë. Në këto rrethana Lartmadhëria e Tij Perandori, qe i mendimit që tani për tani dërgimi im pranë ushtrisë austriake nuk do të ishte dobiprurës.


Ndërsa më vonë, kur u vendos përnjimend mësymja gjermano-austro-hungareze, gjatë një sondazhi që bëra rishtas për të saktësuar qëndrimin ndaj planeve të mija vura re që tani për tani Qeveria e monarkisë danubiane, nuk ishte e prirur për t'i pranuar ato. Mirëpo, në anën tjetër, nuk qeshë në gjendje të mësoj se cilat ishin pak a shumë planet e saj të ardhshme për sa i përket qëndrimit ndaj Shqipërisë.


Unë nuk njoh ndonjë shkak për të shpjeguar këtë qëndrim kundërshtues të asokohshëm të Austrisë, i cili bie ndesh me qëndrimin e saj të mëparshëm e që ndërkohë mund të mbështetet vetëm në hamendësimin e ndonjë pale të informuar jo mjaftueshëm ose gabimisht, në mënyrë të paplotë ose të pasaktë, e cila nuk e njihte qëndrimin tim besnik ndaj monarkisë danubiane.


Prandaj, me gjithë pikëllimin tim, isha i detyruar të hiqja dorë hëpërhë nga dëshira ime (që ishte njëkohësisht edhe dëshira e zjarrtë e pothuajse të gjithë shqiptarëve), për të marrë pjesë në mësymjen kundër Serbisë e për t'u rikthyer kështu në vendin tim.


Mbas pushtimit të plotë të Serbisë dhe të pjesës më ta madhe të Shqipërisë, një rrymë e përdokohshme në Austro-Hungari për shkak të shoshitjeve apo hamendjeve, siç theksova edhe më sipër, të panjohura prej meje, por gjithsesi të gabuara, mbajti një qëndrim akoma më të përmbajtur ndaj meje.


Kjo gjë është përshkallëzuar deri sot në një masë të atillë, saqë jo vetëm janë bërë përpjekje për të ndërprerë, nëpërmjet censurës e sipas mundësive, plotësisht çdo lloj kontakti me shkrim apo telegrafik të shqiptarëve me mua, sundimtarin e tyre të ligjshëm, por edhe për të penguar kontaktet e mia me shkrim e të drejtpërdrejta me shqiptarët me banim në Austro-Hungari dhe Bullgari.


Unë kam marrë, megjithatë, në rrugë të tërthorta mesazhe me shkrim dhe me gojë, të cilat dëshmojnë në mënyrë të përsëritur besnikërinë e palëkundshme, jo vetëm të shqiptarëve të shquar, por edhe të vetë popullit ndaj meje.


7 marsi, dita e mbërritjes sime në Shqipëri, është kremtuar posaçërisht në të gjithë vendin. Në anën tjetër, një numër i madh telegramesh e letrash, që më ishin dërguar me këtë rast, janë ndalur nga censura.


Shqiptarë, të cilët vinin tek unë drejtpërdrejtë nga Shqipëria, për të më sjellë letra e për të dëgjuar prej meje dëshirat e planet e mia, më kanë thënë që "dëshira e njëzëshme që mbizotëronte në Shqipëri, ishte rikthimi im". Portreti im ishte përhapur në gjithë vendin e gjithkund bisedohej për hapat që duheshin ndërmarrë për rikthimin.


Kjo gjendje shpirtërore e popullit tim besnik shqiptar, njihej më së miri edhe prej organeve austro-hungareze. Njerëzit ankoheshin përgjithësisht që Austria nuk u kishte dhënë ende shqiptarëve asnjë përgjigje për të gjitha pyetjet që kishin të bënin me të ardhmen e vendit.


Si rrjedhim shumëkund shqiptarët, të cilat ç'është e vërteta i kishin përkrahur me të gjitha mënyrat trupat austro-hungareze dhe me mijëra kishin luftuar krah për krah tyre kundër armikut të përbashkët, kishin filluar të humbisnin tashmë besimin te Austro-Hungaria.

Në thirrjen drejtuar shqiptarëve, të lëshuar prej komandantit të trupave pushtuese austro-hungareze me rastin e përvjetorit të parë të futjes së trupave në Shqipëri, ushtria perandorake dhe mbretërore cilësohet si mike dhe çlirimtare e Shqipërisë.


Në këtë thirrje, ç'është e vërteta, miratohet e drejta e vetëqeverisjes, ndonëse mungon çdo referencë ndaj pavarësisë e mëvetësisë së Shqipërisë nën qeverisjen time, të garantuara në fakt asokohe solemnisht në vendimet e Fuqive të Mëdha, përfshirë edhe Austro-Hungarinë. Mirëpo shí këtë gjë dëshiron të dëgjojë populli i etur për liri dhe liridashës shqiptar.


Përmbajtja e kësaj thirrjeje duhet kuptuar padyshim vetëm në frymën që Austro-Hungaria, duke u mbështetur në detyrimet e marra përsipër prej saj, dëshiron ta cilësojë si diçka të vetëkuptueshme, të drejtën e shqiptarëve për ekzistencën e tyre vetjake kombëtare, por jo se don ta cenojë këtë mëvetësi shtetërore, pra të shkelë fjalën e dhënë.


Gjithsesi për sa kohë që Austro-Hungaria nuk do të theksojë në një mënyrë plotësisht të kuptueshme edhe për shtresat e popullit të thjeshtë, se kjo thirrje nuk përbën ndonjë sulm mbi të drejtat e mia të sundimtarit të një principate të pavarur të Shqipërisë, shqiptarët do të vazhdojnë të hedhin vështrimin plot shqetësim drejt një të ardhmeje të pasigurt e nuk do të mund të kapërcejnë kurrsesi mosbesimin e krijuar.


Mosbesimi, një mosbesim që dëmton vetëm çështjen e Fuqive të Boshtit dhe u ofron armiqve të tyre tema të reja për zhvillimin e propagandës në vend, mund të ishte mënjanuar me lehtësi të madhe! Gjithsesi në fakt edhe sot jemi ende në kohë për kapërcimin e këtij mosbesimi.


Fuqitë e Boshtit kanë nevojë për ushtarë. Në Shqipëri mund të sigurohet lehtësisht një numër shumë më i madh ushtarësh se deri tashti, të cilët po të jenë të ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit të tyre dhe të drejtën e sundimtarit të tyre të ligjshëm, do të luftonin me entuziazëm kundër forcave të Antantës.


Mirëpo, në këtë rast, parakushti kryesor është që shqiptarët të jenë të sigurtë se mbas luftës nën drejtim tim, e princit të tyre të ligjshëm, do të krijojnë sërish një vend të pavarur. Prandaj lind nevoja që unë të rikthehem në vendin tim, ose të paktën, të kem marrëdhënie të patrazuara me nënshtetasit e mi, për të patur mundësi t'iu zotohem për garancinë e marrë prej të dy Perandorive, që Shqipëria jonë do të jetë sërish e pavarur nën qeverisjen time.


Në interes të sigurimit të paqes në Gadishullin Ballkanik, do të ishe tejet e dëshirueshme që të dyja Fuqitë Perandorake të më garantonin qysh tani zyrtarisht, që në konferencat e ardhshme të paqes, kur këto të kenë të bëjnë me vendet e Ballkanit, unë do të jem i përfaqësuar nga një njeri i autorizuar prej meje.

Dëshiroj të theksoj edhe njëherë këtu shprehimisht se në vitin 1913, jam caktuar prej gjashtë Fuqive të Mëdha si Princi i Shqipërisë dhe mbas mbërritjes sime në Shqipëri, jam njohur prej tyre dhe nga një numër i madh shtetesh të tjera.


Ndërkohë, si pasojë e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, i detyruar për t'u larguar përkohësisht nga vendi im, nuk kam hequr dorë nga asnjëra prej të drejtave dhe kërkesave të mia dhe NUK jam i prirur të heq dorë prej tyre.

Kur u largova nga Durrësi, unë premtova të rikthehem sapo të më krijohet mundësia dhe të punoja për të mirën e vendit tim, kudoqoftë që të ndodhem.


Me gjithë pëshpëritjet e kundërta që u fryjnë në vesh, qindra-mijëra njerëz kanë besim te fjala e Princit të tyre, mbajtjen e së cilës unë e konsideroj detyrimin më të lartë për nderin tim.


Nëse ne i akuzojmë armiqtë tanë për faktin se në ditët e sotme, fjala e një mbreti ose princi nuk ka më asnjë vlerë, unë gjithsesi nuk dua t'i zgjeroj akoma më tepër radhët e këtyre zotërinjve, por dua të mbaj një qëndrim të atillë, që të më lejojë të shoh lirisht në sy secilin prej nënshtetasve të mi deri në fund të jetës sime


Mbas çlirimit të Polonisë të dyja Perandoritë, janë posaçërisht të interesuara t'i japin një shtysë të mëtejshme famës së tyre si mbrojtëse të shteteve të vogla, duke e rivënë sa më shpejtë që të jetë e mundur Shqipërinë si shtet të pavarur në udhëheqjen e Princit të saj të ligjshëm.


Ky vend, që me simpatitë e tij është rreshtuar qysh në fillim përkrah Fuqive të Boshtit, e më vonë ka ndihmuar aktivisht për të përzënë jashtë kufijve të tij pushuesit e Aleancës Katërshe, e meriton një gjë të tillë më tepër se çdokush tjetër.


Asgjë nuk do ta përforconte më tepër besnikërinë ndaj çliruesve të tij, se sa lufta sup më sup me ta deri në ngadhënjimin përfundimtar të çështjes së përbashkët dhe "për lirinë dhe mëvetësinë vetjake".


Kështu dot nxiten dhe përforcohen vyeshëm lidhjet e ngushta me Fuqitë e Boshtit. Lufta e përbashkët kundër italianëve, do të mbrujë tejet ngushtësisht lidhjet e simpative për Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Ruajtja miqësore e këtyre lidhjeve, do të përbëjë synimin e përpjekjeve të mia më të fuqishme.


Pjesë nga Denkschrift über Albanien, përkthyer nga gjermanishtja nga Pjetwr Rodiqi


********************

Promemoria e Vilhelm Vidit


Ndërkohë që iniciativa private po merret me ideimin e një agjende aktivitetesh kushtuar dy njëqindvjetorëve mjaft të rëndësishëm historikë, vjen për herë të parë në shqipe, Promemoria e Princ Vidit për Shqipërinë.


Vilhelm Vid (Wilhelm Wied, 1876-1945) u zgjodh mbret i Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Për gjashtë muaj ai pati qendrën e mbretërisë së tij në Durrës, mars-shtator 1914.


Problemet e shumta me qeveritë lokale dhe pengesat që në mënyrë të veçantë i solli "turkoshaku" (siç e quan në kujtimet dhe promemorien e tij Vidi) Esat Pashë Toptani me të tijët myslimanë që kishin pozita të forta në Shqipërinë e Mesme, ishin nga faktorët kryesorë që e shtynë Princin të largohet "për pak kohë nga vendi" pa u dorëhequr kurrë, në prag të Luftës së Parë Botërore.


Promemoria është një tekst i shkurtër dhe i ngjeshur për nga pikëpamjet e Princit mbi mbështetjen e Fuqive të Mëdha që duhej të gëzonte Shqipëria e tij, po edhe për nga shpresa, dyshimi dhe mosbesimi që ai shpreh për të ardhmen e vendit.
Analizon situatën para zgjedhjes së tij, gjendjen e kufijve në fillim të vitit 1914.


Ai ndërthur kujtime dhe përshtypje vetjake kur përshkruan Ismail Qemalin, Esat Pashë Toptanin, krerë të qeverive lokale dhe skicon këtë tablo: "Në ç'mënyrë princi i ri, pushteti dhe përkrahja e të cilit, mbështetej vetëm në famën që gëzonin Fuqitë e Mëdha dhe në frikën nga vullneti i tyre i fortë dhe i njëzëshëm, do të mund të vendoste rendin në një vend të shpartalluar e pa kurrfarë rregulli, kur qysh në fillim të dy këtyre faktorëve u ishin lëkundur themelet!"


Po botojmë një pjesë nga promemoria (Skanderbeg Books, 2010), e përkthyer nga Pjetër Rodiqi prej origjinalit Denkschrift über Albanien, botuar në Berlin më 1917.
Pavarësia, nderi, besnikëria, fjalë që mbreti për gjashtë muaj i shqiptarëve i pikëlluar pret t'i përligjë nëse një ditë do të kthehej në atdheun e tij Lindor.

"Sa e shite zemren?" fiton "Kenga Magjike 2010"

Klodi Meshi
Gjebrea dhe Tv Klan mbreme kane bere spektakel, kane kenduar e kercyer, kane uruar ditelindje, kane bere karaoke me njerez publike, spektatore ne salle, me kenget e mirenjohura te Aleksander Gjokes, Florjan Mumajesit, Genta Ismajlit, kane bere shaka e komplimente, ne kembim kane marre shume duartrokitje, spektatore, telespektatore, por edhe vizita nga protagoniste "te rinj", si Agron Llakaj. Sa e shite zemren? eshte kenga qe fitoi festivalin "Kenga Magjike 2010", e kenduar nga Juliana Pasha dhe Luis Ejlli me muzike te Pirro Cakos, por vetem 2 pike me poshte ishte cmimi i dyte i cili takoi, kantautorit Pirro Cako me kengen "Mirembrama si je?", ndersa cmimi i trete ishte duetit, Rozana Radi e Ramadan Krasniqi me kengen "Valsi i tradhtise" Nata e trete e ketij festivali, ishte nje gare e mirefillte, mes zerave, interpretimeve e performancave te kengetareve, te cilat i dhane ketij eventi muzikor tonet e nje festivali te parametrave perendimore, ne tendence per t'iu larguar paraqitjes sipas performancave "tranzicion post komunist". I impenjuar me shume se kurre, drejtori i Festivalit, njeriu i muzikes, Ardit Gjebrea ishte ne majen e tij edhe si "shoeman", duke orientuar jo vetem festivalin por edhe bashke prezantueset Andresa dhe Kelly. Te tre kane prezantuar 20 kenget me te mira, te perzgjedhura sipas vleresimit te vete kengetareve mes 47 pjesemarresve ne total. Por bashkeprotagoniste kane qene edhe fitueset e edicionit te shkuar, Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu, te vendosura ne sallen e kengetareve-juri e mbeshtetesve te tyre, kane sjelle "live" transparencen e votimit. 2 vajzat kane hapur spektaklin e nje nate me pare me "Rruga e Zemres", fituesen e edicionit te shkuar. "Kjo eshte nata e cmimeve", ka thene Gjebrea kur filloi prezantimin e cmimit te pare, atij televiziv, i dhene nga 5 televizionet transmetuese "live" te "Kenga Magjike", dhene kenges "Harroje" te Ronela Hajatit me muzike te Flori Mumajesit, i cili bashke me Pirro Cakon, eshte kompozitori i disa prej kengeve fituese te "Kenga Magjike". Mbreme ne Pallatin e Kongreseve jane ndare shume cmime, per rrymen muzikore me te mire, performancen, vokalin, tendencen, kercimin apo cmimi i produksionit, per te cilin Gjebrea permendi keshillen e producentit Z.Aleksander Frangaj per te shpallur fituese kengen e Pirro Cakos kenduar nga Vesa Luma, "Vetem". Gjebrea dhe tv Klan mbreme kane bere spektakel, kane kenduar e kercyer, kane uruar ditelindje, kane bere karaoke me njerez publike, spektatore ne salle, me kenget e mirenjohura te Aleksander Gjokes, Florjan Mumajesit, Genta Ismajlit, kane bere shaka e komplimente, ne kembim kane marre shume duartrokitje, spektatore, telespektatore, por edhe vizita nga protagoniste "te rinj", si Agron Llakaj. Edhe ne kete edicion, pjesemarres e fitues kane qene, kengetare nga te gjitha trojet shqiptare vecanerisht nga Kosova si Teuta Kurti, Argjentina Ramosaj, Vedat Ademi etj. Por nuk do te kishte sens pa zerat e Eranda Libohoves, Pirro Cakos, Heldi Krajes, Juliana Pashes, Luis Ejllit. Nuk mund te mos ishte vlere skenografia e festivalit e realizuar nga i mirenjohuri Gaetoano Castelli, i cili ne bashkepunim me studiot e Kv Klan, i ka dhene skenes se Pallatit te Kongreseve, nje pamje glorifikuese, tipike per festivalet e medha, aspak modeste te krijimeve ne tinguj. Ky festival, si nje nder eventet e rralla te muzikes se lehte shqiptare, ka qene edhe ne qender te shtypit te shkruar te diteve te fundit, ku si cdo ngjarje ka merituar te diskutohet e komentohet. Mundesia e kengetareve pjesemarres ne "Kenga Magjike" per te komunikuar me publikun, nuk ka qene vetem prezantimi ne 3 netet e festivalit, per shume te diela me radhe ata jane prezantuar ne spektaklin e te dieles ne televizioni Klan, "E diela Shqiptare", por edhe ne emisionin e mengjesit "Good morning Albania". Ky eshte nje tjeter "sherbim" qe Gjebrea dhe Tv Klan i bejne promovimit te kenges dhe figurave te saj. "Kenga Magjike" dhe atmosfera e saj, hapin bukur siparin e vigjiljes se festimeve te fundvitit per ne shqiptaret, kete vit kemi edhe me shume arsye, jemi te lire! 12 edicione "Kenga Magjike" Kenga Magjike, ka marre startin ne vitin 1999, i krijuar nga Ardit Gjebrea si nje festival alternativ i muzikes se lehte shqiptare, pas nje vakumi te madh te organizmit te kenges ne vendin tone, ai ka mberritur ne edicionin e 12-te. Ne shfaqjen e pare ka pasur si protagoniste zera si Luan Zhegu, Tonin Tershana, Ema Qazimi etj. Ne vite kenga Magjike ka shenuar vecanti, sic ka qene viti 2000, ku u shfaq e madhja e skenes se Kosoves, Nexhmije Pagarusha e cila kendoi ne kete vit nje duet me Gjebrene. 2001 solli ne Shqiperi, spanjollen-italiane Natali Estrada e cila kendoi gjithashtu me Ardit Gjebrene, qe i ben te ftuarit e tij te marrin pjese aktive ne festival duke i bere edhe pak kengetare. Ne edicionin e shkuar fitoi kenga "Rruga e zemres" e kenduar nga Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbegu. Votimi Votimi ne "Kenga Magjike" ka qene transparent. Ne ekran jane shfaqur bashke me kengetarin tabela me piket e cdo kengetari per 17 piket e para. Pas disa sekondave, me ze kengetaret kane lexuar 3 kenget per 3 cmimet e para te cilat kane pasur ne dispozicion, 18, 19 dhe 20, per 3 kenget me te mira, qe secili prej tyre i ka dhene kolegeve, konkurrente ne festival. Nder kenget qe jane degjuar me shpesh kane qene, kenga e Eranda Libohoves, Rezarta Shkurta, Vesa Lumes, Olta Bokes, Pirros Cakos, Juliana Pasha dhe Luis Ejlli por edhe Rozana Radi e Ramadan Krasniqi. Ekrani ishte i sistemuar i gjithi sipas nje tabele exeli, ku paraqiteshin piket, te cilat leviznin sipas renditjes qe kengetaret i kane dhene kengeve dhe kolegeve tyre. Kete sistem sipas nje teknologjie te larte, ne prezantim Gjebrea jo me kot e perngjasoi me nje proces votimi per zgjedhje jo artistike. Gjebrea e ka pasur te thjeshte te shpalle rezultatin te cilin e kishte ne tabele, Sa e shite zemren? Me kompozim te Pirro Cakos i cili ishte fituesi i me shume cmimeve ne kete Cmim
Cmimet -Cmimi Televiziv: Ronela Hajati me "Harroje",
-Cmimi per rrymen "rock": Vedat Ademi me "Yjet s'bien shpesh"
-Cmimi Magjia e Pare: Argjentina Ramosaj me "Dhe engjejt qajne"
-Rryma Hip-Hop: Stresi me "Tik-tak"
-Cmimi per Performancen: Zajmina Vasjari me "Nje me gjashte"
-Zeri me i bukur": Ela Rusi me "Gipsy Lover"
-Kenga me kercimin me te mire: Teuta Kurti me "Mos pi mo"
-Cmimi i sponsorit: Banda "Burn" me "E dija"
-Cmimi i produksionit: Vesa Luma me "Vetem"
-Cmimi diskografik: Ciljeta Xhilaga me "Te dy qajme te ndare"
-Cmimi i internetit: Noizy me "My lady"
-Balada me e mire: Olta Boka me "Mbete ti nje brenge"
-Cmimi "Cesk Zadeja": Gerta dhe Kledi Mahmutaj me "Ne ditar nje dashuri"
-Cmimi Kenga stil: Adrian Gaxha me "Edhe nje here"
-Cmimi tendence: Rezarta Shkurta me "Budallacke e vogel"
-Kantautori me i mire: Pirro Cako me "Mirembrema si je?"
-Cmimi i kritikes: Juliana Pasha e Luis Ejlli me "Sa e shite zemren?"
-Cmimi i publikut: Rozana Radi e Ramadan Krasniqi me "Valsi i tradhtise"
-Interpretimi me i mire: Greta Koci me "Koha s'ndal"।
- Kenga Hit: Eranda Libohova me "Rrofte dashuria"
-Cmimi i pare: Juliana Pasha dhe Luis Ejlli me Sa e shite zemren?
-Cmimi i dyte: Pirro Cako me "Mirembrama si je?",
-Cmimi i trete: Rozana Radi e Ramadan Krasniqi me "Valsi i tradhtise"

Nikollë Gegaj kundër iniciativës të formimit të shtetit të përbashkët Shqiptarë në Ballkan


Shqipëria Natyrale është Jo-Natyrale

Nikollë Gegaj, funksionarë i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS – Milo Djukanovic) dhe kryetarë i komunës urbane të Tuzit për gazetën DAN tha: “Nuk i frikohem Shqipërisë, politikës së sajë dhe as aspiratave të saja ndaj kufijve tonë, sepse ato as nuk ekzistojnë“.
Duke komentuar mesazhet e ideologut të shtetit gjithëshqiptarë në Ballkan, Koço Danajt, Gegaj tha se “platforma e tij nuk ka përkrahje të shqiptarëve në Mal të Zi dhe as gjetiu dhe se Shqipëria Natyrale është Jo-Natyrale“.

“Shqipëria Natyrale është Jo-Natyrale“ kohën e fundit është përdorur nga shumë politikanë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Greqi por ka nga ata edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, sipas sondazheve të shumta, shumica e shqiptarëve ne Ballkan e përkrahin formimin e Shqipërisë Natyrale. /Dan - Malesia.Org/

Sunday, November 21, 2010

Rama: Tavo kërkoi 3 mln euro për të qëndruar në PS

SHKRUAN: Alfred Peza 20-11-2010 11:54

Ju keni bërë këto ditë një ofertë të re, në fakt për zgjidhjen e krizës politike, për procesin e transparencës së zgjedhjeve të kaluara. A është e mundur ta kuptojmë, se nuk është kuptuar qartë, se ku ndryshon kjo ofertë e re nga të gjitha ato të vjetrat që janë bërë deri tani?

Oferta e re nuk është bërë këto ditë, është bërë ditën që unë së bashku me kryetarin e grupit parlamentar socialist kemi shkuar në tryezën e thirrur për reformën zgjedhore, është bërë atë ditë, i është lënë në tavolinë kryetarit të qeverisë së votave të vjedhura dhe i është thënë, ja ku është oferta jonë për të zgjedhur krizën politike dhe për t’i hapur rrugë reformës zgjedhore që nuk mund të bëhet pa zgjidhur krizën. Në këtë ofertë të re, që është oferta për të ngritur komisionin hetimor parlamentar, është vendosur e zeza mbi të bardhë, ajo çfarë shkruhet në rezolutën e Parlamentit Europian, hetim i kutive të materialeve zgjedhore. Nuk ka asnjë fjalë për fletët e votimit dhe më pas unë kam shpjeguar që ne jemi tërësisht të vetëdijshëm, që duhet të vazhdojmë të përpiqemi për një zgjidhje që Sali Berisha nuk e do, por që shqiptarëve dhe Shqipërisë i duhet. Në këtë funksion, ne kemi lënë jashtë kornizës së hetimit fletët e votimit. Nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim, që besoj se e plotëson në mënyrë konsiderueshme dhe të mjaftueshme për të nxjerrë problemet e rënda që kanë zgjedhjet në Shqipëri, me hetimin e kutive të materialeve zgjedhore.

Po, por edhe zoti Patozi ka kthyer një përgjigje, edhe thotë që në një sistem demokratik asnjë institucion nuk ka pushtet të pakufizuar, dhe nuk mund të ndërmarrë një hetim të pakufizuar. Ju keni hequr dorë nga hetimi i pakufizuar?

Po jua përsëris, në ofertën tonë ne jemi të qartë. Gjithçka është e shkruar shumë qartë. Duam të implementojmë Rezolutën e PE-së, duam të hetojmë kutitë e materialeve zgjedhore dhe jo fletët e votimit.

Jeni dakord që ndërkohë që ju do të hetoni materialet zgjedhore, fletët e votimit të digjen, sipas nenit 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor?

Ne nuk japim asnjë dakordësi për asgjë që ka të bëjë me ndërhyrjen në fletët e votimit. Por, ne nuk i duam fletët e votimit për këtë hetim dhe sigurisht që do të mbajmë qëndrimin tonë, që nuk kushtëzon marrëdhënien me parlamentin, që nuk mban krizën politike hapur, por sigurisht dallon qartë modelin tonë të bërit gjërave, me modelin e Sali Berishës.

Që është?

Digj, shkatërro, dërrmo, pengo, blloko, sa të mundesh, si të mundesh dhe ku të mundesh.

Zoti Berisha, ua ka kërkuar me shkrim dhe me sa dimë akoma nuk ua keni çuar këtë që konsideroni si ofertë të re...

Zoti Berisha e ka ofertën e re me shkrim dhe firmat e më shumë se 30 deputetëve të PS-së. Ky është një angazhim i marrë publikisht dhe kjo është një ofertë që ka marrë dhe një mbështetje aspak për t’u neglizhuar, siç është mbështetja për këtë ofertë nga vetë Komisioneri i Zgjerimi, Stefan Fyle.

Ju po kërkoni hetim të materialeve zgjedhore dhe ndërkohë nuk kërkoni fletët për hetim, për asgjë, por të mos digjen...

Jo, jo. Ne nuk hymë fare në këtë çështje. Sigurisht nëse duhet që ne të themi fjalën tonë, ne do ta themi fjalën tonë. Por, kjo nuk do të thotë që ne kushtëzojmë çfarëdo, qoftë me fletët e votimit.

Pra, nëse zbatohet neni 178 i Kodit...

Tani të mos i referohemi nenit 178 në këtë formë. Neni 178 i Kodit flet për kushtet kur s’ka asnjë kontest. Këtu ka një kontest shumë të madh, që zgjat prej më shumë se një viti. Në këto kushte ka edhe një gjë tjetër, ka një të drejtë tjetër, që është mbi Kodin dhe mbi çdo ligj, që është e drejta kushtetuese për hetimin parlamentar. Thënë kjo, ne heqim dorë nga fletët e votimit, për t’i hapur rrugë transparencës, duke besuar që një pjesë e konsiderueshme dhe e mjaftueshme për kësaj here, të asaj që ne duam të hetojmë, mund të plotësohet me kutitë e materialeve zgjedhore. Këtë e bëjmë edhe për vetëdijen e plotë se duhet të japim një kontribut më shumë, duke bërë edhe një sakrificë nga vetja për një interes më të madh, që është interesi i vendit, që të dalë nga kjo krizë politike ku e mban me pahir Sali Berisha.

Do u jepen, në mënyrë hipotetike, kutitë e votimit, do të filloni hetimin me shumicë dhe kryesim të opozitës, ndërsa fillon puna digjen fletët e votimit. Konsiderohet e zgjidhur, sipas jush, kriza, pavarësisht se fletët e votimit do të digjen, ju do të vazhdoni punë me materialet?

Ne do të vazhdojmë punë me hetimin, pavarësisht se çfarë ndodh me fletët. Por, për atë që ndodh me fletët ne do të themi fjalën tonë, që do të thotë se kjo nuk kushtëzon qëndrimin tonë ndaj parlamentit, por ama sigurisht që nuk jep dakordësinë tonë për një gjë që është plotësisht e evitueshme.

Pra ju do të mbani qëndrimin tuaj, pavarësisht nëse digjen apo jo fletët...

Siç e mbajmë qëndrimin tonë për çdo çështje për të cilën nuk jemi dakord me Sali Berisha, kjo është normale, apo jo...?!

Pra, kjo do t’i dërgohet me shkrim Sali Berishës sepse ka një ndryshim qëndrimi...

Çfarë t’i çojmë me shkrim? T’i çojmë me shkrim Saliut që shikoni madhëri, se në rast se ju do ta bëni këtë makabritet, ne do të vazhdojmë të përunjur punën tonë? Çfarë t’i çojmë me shkrim?

A jeni ju që po thoshit deri tani që ne jemi për një shtet, ku të funksionojë me letra të përpunuara mirë. Pra ju keni një ofertë të re.

Oferta e re është në tavolinë, ia kam thënë publikisht atë ditë z. Kryeministër që nuk i ka votat për të qëndruar aty ku qëndron, por megjithatë është Kryeministër.

Nëse digjen fletët e votimit, ju do të vazhdoni hetimin e materialeve zgjedhore, do të mbani një qëndrim politik për to, do të thoni fjalën tuaj, kaq.

Është e qartë si drita e diellit, që ne nuk i duam fletët e votimit.

As të ruhen?

Nuk do të japim kurrë dakordësinë që ato të digjen, do të mbajmë qëndrimin tonë sepse modeli ynë na imponon një qasje krejt tjetër ndaj çështjeve sado të koklavitura të vendit. Por, kjo nuk do të kushtëzojë qëndrimin tonë ndaj parlamentit dhe nuk do të kushtojë ecurinë e hetimit tonë dhe nuk do të kushtëzojë marrëdhënien tonë me reformën e tryezës zgjedhore.

Zoti Rama, përveç këtyre dy elementëve që folëm. Keni paralajmëruar me kohë mbajtjen e një serie protestash nga ana e opozitës, deri tani nuk ka pasur një kalendar, keni pritur diçka apo kalendari është gati?

Kalendari është çështje e brendshme organizative e jona, protestat janë në rrugën e zhvillimit të tyre.

Ka një datë për fillimin e protestave?

Po çfarë rëndësie ka kjo. Në ditët në vijim ne do të fillojmë protestat si pjesë e pandalshme e rrugës sonë për largimin e qeverisë.

Brenda nëntorit, apo në fillim të dhjetorit?

Në ditët në vijim.

Keni premtuar që në shtator paralajmëruat protesta, ka ndonjë gjë që nuk shkon?

Nuk ka asgjë që nuk shkon. Ne kemi ecur në dy binarë, në binarin e reagimit popullor dhe në binarin e përpjekjeve për të zgjidhur krizën. Ndërkohë kemi qenë në një mëndje që përpara dy vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Shqipërinë, që fatkeqësisht nuk rezultuan të dyja pozitive, liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, të mos zhvillojmë protesta.

Vetëm me axhendën e integrimit e keni lidhur dhe me asgjë tjetër....

E thjeshtë.

Në prag është fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Do të kandidoni për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës?

Është shumë herët për të folur për këtë, por është e sigurt se ne do të eksplorojmë çdo kandidaturë potenciale edhe për Bashkinë e Tiranës.

Ju e përjashtoni mundësinë që të jeni kandidat?

Nuk e përjashtoj, por as nuk e quaj një fakt të mirëqenë qysh sot.

Pavarësisht, nëse kandidoni apo jo për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, si e konsideroni një kandidaturë të mundshme të Lulzim Bashës nga PD për kreun e Bashkisë së Tiranës?

Saliu i krehur, edhe sigurisht më i ri.

Kjo s’është përgjigje...

Më shumë nuk dua të them sepse s’kam më shumë për të thënë. Një kopje si ato kukullat ruse, që hap të madhen dhe del e vogla. Saliu i krehur i ri dhe me një buzëqeshje me të shtrirë nga jugu në veri.

Pak ditë më parë, zoti Nano ka shprehur ambicien për të qenë President i Republikës. Kryeministri Berisha deklaroi se nuk do ta mbështeste këtë kandidaturë dhe të vetmit që mund ta mbështesnit, ishit ju, pra PS. A do të votojë PS për Fatos Nanon President? Në fakt, Saliu thjesht tregoi se çfarë detyre ka Fatosi në këtë konfiguracion, që të bëjë ç’të mundet për të krijuar sa më shumë probleme në kampin e opozitës. Por, përtej detyrës që Saliu i ka lënë, ose mendon se i ka lënë, dhe përtej gjithçkaje tjetër që e bën këtë treshe, këtë monument, të politikës së vjetër që të jetë i ndarë në tre zona të ndryshme, por që në fakt konvertojnë me njëra-tjetrën përmes këtyre tre figurave, Saliu, Fatosi dhe Iliri. Të mos harrojmë Ilirin, edhe pse tani nuk ka më pikë dyshimi, është thjesht dhe vetëm paterica e Saliut dhe asgjë më shumë se kaq. Unë dua të them këtu me shumë sinqeritet atë që realisht ndjej, përtej të gjithë këtyre dhe përtej politikës së ditës, kur e shoh Fatosin të katandisur në atë gjendje, kur e shoh Fatosin që thotë nuk e votova PS-në, nuk do e votoj PS-në, kur e shoh të miklojë me të gjitha mënyrat Saliun dhe Ilirin bashkë, kur e shoh të thotë se tashmë është shoferi i Ilirit, ndjej keqardhje. Ndjej keqardhje dhe sinqerisht ndjej keqardhje për katandinë e tij dhe për faktin që nuk e ndihmoj dot dhe nuk di si ta ndihmoj dot.

Ju do të votoni një kandidaturë tjetër, apo do të mbështesni Bamir Topin për një mandat të dytë?

Kjo është një çështje e vitit 2012. Ne sot jemi në fund të vitit 2010. Midis të sotmes dhe asaj dite, ne do të kemi zgjedhje të parakohshme.

Keni që më 29 qershor, vjet, që e thoni këtë gjë. Është detyra e çdo opozite...

Jo, është një realitet që unë besoj po shkon duke u bërë i pashmangshëm.

Sa ka kushtuar mandati i Vangjel Tavos?

Për fat të mirë dhe për nderin dhe dinjitetin e atyre qindra-mijëra votuesve dhe atyre milionave shqiptarëve që duan një Shqipëri tjetër, një shumicë dërrmuese absolute që nuk e shet këtë mandat, pavarësisht se sa mund të jetë çmimi që ofrohet.

Tavo e shiti mandatin?

Unë kam neveri për aktin e Vangjel Tavos dhe nuk shoh asnjë arsye për të thënë më shumë sesa fjalën neveri.

Zoti Bashkim Fino në këtë studio ka thënë që ai e shndërroi mandatin e tij në një tender. Përflitet se i ka kërkuar Partisë Socialiste për të mos u larguar, 2 milionë ose 3 milionë euro që të mos largohet...

Bashkim Fino ka të drejtë për këtë dhe shumë gjëra të tjera.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Ora e Debatit”

“Kënga magjike”, fitojnë Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli

Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli janë fituesit e “Këngës magjike” 2010. Kënga me titull “Sa e shite zemrën” ka fituar zemrat e publikut dhe shumicës së artistëve konkurentë të cilët votuan në mënyrë të hapur në edicionin e 12-të. Me tekst dhe muzikë të Pirro Çakos, kënga është shndërruar tashmë në një hit të muzikës shqiptare.
Çmimin e dytë të “këngës Magjike” e morri kantautori Piro Çako me këngën “Mirëmbrëma si je” ndërsa çmimi i tretë shkoi për Rozana Radin dhe Ramadan Krasniqin me baladën “Valsi i tradhtisë” këngë që meritoi edhe çmimin e publikut.
Të 20 artistët e natës finale u nderuan me çmime. Disa prej tyre ishin “Kënga Hit”, për Eranda Libohovën, “Best Balade” për Olta Bokën, “Interpretimi më i mirë”, për Greta Koçin, “Best Stil” Ardian Gaxha, çmimi “Çesk Zadeja” për Gerta dhe Klejti Mahmutaj e plot çmime të tjera .
Nata finale e edicionit të 12-të të “Këngës Magjike”, shënoi jo vetëm një public rekord krahasuar me të gjitha vitet, por dhe një shikueshmëri televizive rekord nëpërmjet ekranit të Tv Klan dhe katër kanaleve të tjera.
Një mbrëmje magjike ku shkëlqyen performancat e artistëve shqiptarë të cilët ndezën skenën dhe sallën e “Pallatit të Kongreseve” dhe shkaktuan duartokitje të gjata.
Spektakli i jashtëzakonshëm me producentë Aleksandër Frangaj dhe Ardit Gjebrenë bëri të këndojnë jo vetëm këngëtarët, por edhe gjithë publiku të cilët në një karaoke të zgjedhur sollën disa nga hitet e këngës shqiptare.
Festa u plotësua me disa hitet më të bukura të Gjebresë të interpretuara edhe me humor nga Agron Llakaj, Eliza Hoxha e Rosela Gjylbegu.
Në këtë mënyrë ky edicion i “Këngës Magjike” shkëlqeu në çdo detaj përfshirë regjinë, por edhe skenografinë e rrallë të mjeshtrit Gaetano Casteli.
Ashtu siç është vlerësuar edhe nga kritika, “Kënga magjike 2010” vërtetoi se vazhdon të mbetet festivali më me nivel i muzikës në të gjithë hapësirën shqiptare dhe i krahasueshëm me garat ndërkombëtare të muzikës së huaj.

Fyerje e papranueshme për myslimanët shqiptarë nga Partia Popullore në Zvicër





Një parti me ndikim të konsiderueshëm në jetën politike të Zvicrës ka publikuar foto fyese dhe provokative duke ofenduar shqiptarët dhe vlerësuar se heqja e vizave do të sjellë pasoja negative për këtë vend.

Është Partia Popullore SVP e Zvicrës ajo që ka vendosur të kërkojë një referendum mbi emigracionin. Dhe këtë e ka bërë duke prezantuar në publik, dy fotografi që kanë si synim të vendosin në dilemë zviceranët dhe të triumfojë kërkesa e kësaj partie për të bllokuar hyrjen e shtetasve shqiptarë dhe boshnjakë në Zvicër ngaqë ata më së shumti janë të fesë myslimane.

Fushata ka për qëllim të paralajmërojnë zviceranët në atë që mund të ndodhë në vend, në qoftë se lejohet hyrja e shtetasve të huaj në mënyrë të mëtejshme.

Fushata vjen në një kohë kur zviceranët janë duke u përgatitur për të kaluar një ligj sipas të cilit emigrantët që kryejnë krime të rënda duhet të deportohen automatikisht.

Fushata online është prodhuar nga Partia Popullore SVP Zvicerane, forca e madhe politike në vend dhe ndër kryesoret në Parlament.

***

Në foton e parë siç e dalloni dhe ju, në liqenin e Zyrihut gjenden disa vajza lakuriqe që kanë nxjerrë vithet jashtë, çka për Partinë Popullore zvicerane është realizuar për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj myslimanëve.

Ndaj në foton e dytë që ju dalloni, gjenden një grup grash me shami në kokë dhe rroba në trup duke u larë në ujë me baltë.

Sipas shpjegimit publik, kjo parti tha se në atë foto, janë gra shqiptare dhe nga Bosnje Hercegovina dhe paralajmëron në mënyrë fyese se “edhe ne do të përfundojmë si këta”.

Prodhimi i kësaj fushate provokative me vajzat lakuriq për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj myslimanëve.

***

Zëdhënësi i SVP ka deklaruar se fushata e diskutueshme ishte krijuar nga aktivistët e “Wohlen”, në perëndim të Zyrihut, dhe shtoi se ajo nuk pritet të miratohet në shkallë kombëtare.

Sondazhet e fundit tregojnë se 54% e Zvicrës do të votojnë në favor të masës drastike ndaj emigrantëve, ndërsa 43% kundër.

Federale e Departamentit të Drejtësisë ka paralajmëruar se një votim pozitiv, më 28 nëntor mund të çojë Zvicrën në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon diskriminimin në bazë të racës, ngjyrës, fesë apo kombësisë.

Porn dhe shqip, italianët film porno për Shqipërinë e '97-s



Ideja e një filmi porn shqip, gjithmonë më është dukur qesharake।
Ndoshta, sepse, kur mundohesh të përkthesh nga anglishtja në shqip, ato çka thuhen gjatë akteve seksuale në filmat pornografik amerikan, përkthimi del më tepër komedi sesa seksual.


Megjithatë, kureshtja gjithmonë më ka shtyrë (e nëse ju tregoni të kundërtën e dini mirë se jeni duke gënjyer) sesi mund të ishte një film porn në gjuhën shqipe? Nuk janë shumë publikë, por filmat porn në shqip ekzistojnë edhe pse amatoresk.


Në fakt, kanë ekzistuar prej shumë vitesh e një ndër të parët (mendohet fundvitet '80-fillim '90) është ai i njohur me emrin "Ragipi", në të cilin një çift i ri shqiptarësh shfaqen duke kryer marrëdhënie seksuale për më shumë se 50 minuta, çka zyrtarisht e shndërron "Ragipin" në filmin e parë pornografik shqiptar të njohur deri më sot.


Ashtu siç e thashë dhe më sipër kisha të drejtë, më shumë se ndjesi seksuale tek e shikoja, filmi më shkaktonte të qeshura me dialogun fantastik apo të thirrurat e vajzës, e cila për 58 minuta nuk bën gjë tjetër, veçse ankohet në çka mund të jetë skena më e mërzitshme seksuale që dikush mund të ketë përjetuar, apo parë në jetën e tij.


Falë lidhjeve të forta familjare dhe traditës shqiptare, pjesëmarrja dhe realizimi i filmave të tillë në shoqërinë tonë gjithmonë është quajtur turp dhe ky është fakti kryesor pse ende nuk ka një film shqiptar porn, por kjo nuk do të thotë që shqiptarët nuk kanë dëshirë të shikojnë porn në gjuhën e tyre.


Këtë e tregoi dhe realizimi e shpërndarja e qindra videoklipeve amatoreske në web, të krijuara në fshehtësi nëpërmjet celularit apo kamerave të fshehta në fillim të viteve 2000.


Falë përparimit dhe mundësimit të teknologjisë pas viteve '90, jo vetëm djemtë, por edhe vajzat filluan të publikojnë imazhe erotike dhe pornografike në faqe të ndryshme interneti. Akte seksuale në shkollë, shtëpi, banja publike, midis shqiptarësh apo shqiptarë dhe të huaj filluan të shfaqeshin jo vetëm në faqet shqiptare, por dhe në ato të huaja.


Videot e biznesmenit, Albanian Casanova, treshes kosovare, dy vajzave dhe policit të Pejës, çiftit në Durrës, çiftit të moshuar etj., etj., tashmë mund të gjenden falë një kërkimi të thjeshtë.


Nga të gjitha videot mësuam diçka...në seks shqiptarët flasin shumë dhe kanë humor. Pothuajse në të gjitha videot, çiftet shqiptare qeshin me njëri-tjetrin dhe gjithmonë flasin.


Megjithatë asnjëra prej tyre nuk na e ngriti humorin sa videoja "Kosovë bëhu me PDK", në të cilën një çift janë duke kryer seks mbi një bluze apo peshqir me sloganet e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila fillon me fjalët "Bëhu pjesë e Partisë Demokratike" e vazhdon me një përshkrim që na nxori lot nga sytë prej të qeshurave. Një prej momenteve më fiksim është kur djali e pyet vajzën "A m'don mua e Hashim Thaçin?" HAHAHA! Vetëm një shqiptar!


Kujdes nga celularët!


Falë tregut çam, të gjithë mund të blejnë një celular të pajisur me kamera, të cilat jo vetëm kryejnë fotografi, por dhe video të një cilësie shumë të mirë e falë aksesit të internetit në telefona, çdo foto apo video mund të jetë jo më shumë se një minutë më vonë në internet për t'u parë nga e mbarë bota. Mungesa e ligjeve përkatëse në Shqipëri këtë e bën dhe më të rrezikshme.


Nëse në perëndim, veprime të tilla dënohen me gjobitje dhe me muaj e deri vite burgim, në vendin tonë ende nuk ekziston një ligj ekzakt për thyerjen e privatësisë nga personat e njohur apo të panjohur nëpërmjet mënyrave të tilla. Rasti më fatkeq ishte ai i Inis Gjonit, një video e të cilës edhe pse u publikua në mënyrë ilegale nuk shpalli fajtor askënd, pavarësisht se ishte dhe nën pronësi e më pas u vodh nga objektet shtetërore.


Çfarë mund të bëni nëse dikush ju publikon video apo foto tuajat në internet?


Rrjetet shoqërore në internet si Facebook apo MySpace, nga dita në ditë po sjellin humbjen e privatësisë së njeriut, por kjo nuk do të thotë se ju nuk mund të mbroni veten tuaj. Nëse dikush ka publikuar një foto apo video tuajën, ju mund të luftoni për ta hequr atë nga faqja përkatëse dhe të gjeni se kush e ka postuar atë.


Çdo faqe ka një lidhje, në të cilën mund të raportohet diçka e postuar në të, nëse jo, atëherë kërkoni për adresën e kontaktit apo Webmaster, të cilit ju mund t'i shkruani në lidhje me video/foton e postuar duke i dhënë adresën dhe titullin e videos/fotos. Mund të marrë pak kohë, por në përgjithësi pas kërkesës, ata e heqin postimin.


Nëse doni t'i shkoni deri në fund. Atëherë duhet t'i kërkoni adresën e I.P., nëpërmjet të cilës ju më vonë keni mundësinë të gjeni se nga cili vend (kompjuter apo celular) është postuar videoja.


Mjafton të shkoni tek adresa www.Whatsmyipaddress.com dhe të vendosni në kuti numrin e I.P., që ju është dhënë. Këtu do të keni mundësinë të gjeni qytetin dhe kompaninë nga e cila personi që ka publikuar video/foton tuaj, merr shërbimet e internetit.


Pas kësaj, mund t'i drejtoheni me problemin tuaj kompanisë, e cila mund t'ju jap adresën dhe emrin e saktë. Pasi të keni mbledhur të gjithë këtë informacion drejtojuni objekteve përkatëse për të vendosur padinë.

Italianët, një film porno për Shqipërinë


Titullohet Fuga Dall'Albania (Arratisje nga Shqipëria) dhe është një film pornografik italian me regji të Mario Salieri i realizuar në 1998 dhe fitues i 5 çmimeve në "Festivalin e Kinemasë Erotike" të Brukselit. Në të tregohet historia e Helenës, e cila pas keqtrajtimeve të babait arratiset drejt Italisë, ku falë një mikeje gjen punë si shërbyese në një familje të pasur italiane në Florence.


Aty fillojnë dhe aventurat e saj seksuale. Pasi mëson se ish i dashuri në Shqipëri i ka vrarë të atin, ajo më në fund kthehet në vendlindje ku e pret po e njëjta aventurë. Pavarësisht se filmi bazohet në një ngjarje shqiptare, të gjithë aktorët janë të huaj dhe vetëm njëri është shqiptar. Emri i tij është Enio Teodori në rolin e Nadirit.


Shqipet që pozuan lakuriq


Anila Resuli - ishte ndër të parat femra shqiptare, të cilat pozuan lakuriq në shtypin e huaj. Teksa punonte në Itali, me dëshirën për t'u bërë modele dhe poete e ardhshme, Anila habiti gjithë shqiptarët kur në faqet e revistës së njohur italiane "Panorama" pozoi lakuriq për lexuesit italianë.


Darija Milanoviç - Vajza me origjinë shqiptare nga babai, arriti famën në Kroaci, kur pozoi lakuriq për edicionin kroat të revistës së njohur "Playboy". Që atëherë, ajo është shndërruar në një prej emrave më të njohur të pasarelave kroate.


Sara Lleshi - Ka përfunduar studimet në Maqedoni për gjuhën franceze, por ka zgjedhur një tjetër karrierë për të ardhmen e saj. Në një mënyrë Oh la la! Miss Maqedonia 2004, ka pozuar për edicionin slloven të revistës "Playboy".


Lorena Çika - Një tjetër shqiptare në Itali që shfaqet në revistat erotike me imazhe nudo. Lorena e larguar nga Tirana kur ishte ende adoleshente, duket se ka gjetur mënyrën më të shpejtë për t'u futur në botën e spektaklit italian. Kjo lëvizje e saj ka funksionuar, kur pak pasi fotot e saj janë publikuar, arriti të depërtojë në studiot e RAI.

Lëvdohet qëndrimi më i ri i Papa Benediktit XVI: Po prezervativëve


Deutsche Welle

Papa Benedikti i XVI është shprehur për herë të parë për përdorimin e kufizuar të prezervativëve, në një libër me intervista që prezantohet të martën (23.11) në Vatikan. Për këtë hap kreu i Vatikanit po korr lëvdata.


Për kishën katolike ishin të papritura deklaratat e papës për të zbutur ndalimin e përdorimit të prezervativëve. Në pritjen e organizuar në ambasadën e Selisë së Shenjtë në Romë të shtunën në mbrëmje (20.11) me rastin e emërimit të kardinalëve të rinj askush nuk donte të prononcohej për këtë temë. Megjithatë flitet se shumë krerë të kishës katolike kanë shprehur miratimin e tyre për këtë hap që ka qenë prej kohësh i nevojshëm.


Një deklaratë me lëndë eksplozive

Gazeta e Vatikanit "Osservatore Romano" publikoi të shtunën pjesë nga një intervistë me papës në librin që do të promovohet të martën. Në këtë intervistë papa nuk është parimisht kundër përdorimit të prezervativëve. Më pas media të tjera botuan detaje të reja. Megjithëse kisha katolike nuk e sheh përdorimin e prezervativëve si zgjidhje morale dhe të vërtetë, citohet papa, prezervativët mund të jenë në një rast apo tjetër me qëllim reduktimin e rrezikut të infektimit, një hap i duhur drejt një seksualiteti njerëzor, të jetuar ndryshe.
Megjithatë deklarata e Benediktit përmban më shumë lëndë eksplozive. Papa përmend 'prostitutat meshkuj', të cilët në këtë mënyrë mund të ndalojnë përhapjen e sidës - një tjetër temë tabu kjo- papa së pari aludon për homoseksualë që shiten, dhe së dyti, sipas kishës katolike, kjo formë e seksualitetit nuk duhet të ekzistonte. Gazeta e Vatikanit në të vërtetë e ka përkthyer gabimisht pasazhin me përcaktimin 'prostituta femra', - në të vërtetë Benedikti i XVI përdor formulimin 'meshkuj'.


Lëvdata të menjëhershme

Pavarësisht kësaj, deklaratat e papës janë një ndryshim radikal i qëndrimeve të deritanishme të Benediktit. Ai është kështu papa i parë që shprehet kaq hapur dhe që i lejon besimtarëve katolikë përdorimin e prezervativëve në raste të caktuara. Ende në udhëtimin e tij në Afrikë në vitin 2009, papa kishte thënë se problemin e sidës nuk mund ta zgjidhin prezervativët. "Ky nuk mund të mposhtet nga prezervativët. Përkundrazi. Ato e forcojnë problemin" , tha papa në Afrikë.

Për këtë deklaratë papa u kritikua ashpër. Tanimë vijnë lëvdata. Edhe nga Charlotte Knobloch, presidente e Këshillit Qëndror të Hebrenjve në Gjermani. Një një reagim të saj në Romë ajo tha. "Po, përparimet që mund të vëresh këtu në Vatikan, janë të dukshme, tanimë edhe më shumë me deklaratën e papës lidhur me përdorimin e prezervativëve. Shpresoj që kjo të vazhdojë të zgjerohet.


Por nga ajo çfarë kam dëgjuar për një kohë të shkurtër, të gjithë janë të entuziazmuar se si po sillet papa me këtë temë." Edhe nga qeveria bavareze ka pasur miratim për këtë qëndrim të ri. Ministri i Kulturës, Ludwig Spaendle tha se realiteti nuk e ka anashkaluar papën, kjo zbutje është një shenjë e rëndësishme. Duket qartë edhe një ndryshim i strategjisë me median. Kreu ndryshon linjën dhe e bën punën me publikun po vetë. Intervista është regjistruar në korrik, dhe përmbajtja ka qenë e njohur që më parë për Vatikanin.

Edhe nga libri "Drita e botës" me nëntitullin Papa, Kisha dhe Shenjat e kohës dalin citate të tjera. Kështu papa shprehet kundër ndalimit të përgjithshëm të burkës,, është pro ngritjes së xhamive në vendet perëndimore dhe shprehet qartë edhe për dorëheqjen. Po qe se një papë nuk është i aftë nga ana fizike, psikologjike apo shpirtërore të ndjekë detyrën e tij, atëherë ai ka të drejtën në kushte të caktuara të japë dorëheqjen.

Enigma e laptopit të sekreteve


Luis Tanushi

U zhduk nga zyra e misionit diplomatik shqiptar në Nju Jork. I vjedhur apo i shitur?

Zbulohet i plotë skandali i vjedhjes së një kompjuteri portabël (laptop) që përdorej për komunikimin e informacioneve sekrete mes Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Nju Jork dhe zyrës përkatëse në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.


Detajet e "zhdukjes" së habitshme të kësaj aparature që përdorej për kriptimin e mesazheve sekrete diplomatike, dhe rëndësia e saj, kuptohen qartësisht në një letërkëmbim mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit të Republikës, ku ky i fundit merr përgjigje zyrtare, lidhur me pyetjet që një deputet ka ngritur mbi ngjarjen misterioze.


Vjedhja e laptopit (që është shumë më tepër se thjesht një laptop) ka ndodhur rreth fundit të shtatorit të këtij viti dhe ka kaluar pa bujë, në tentativë për të minimizuar dëmin. Pyetja e parë e cila merr përgjigje në letërkëmbimin që posedohet nga "Shekulli", është: "Si qëndron e vërteta në lidhje me "humbjen" e kompjuterit laptop në Misionin tonë diplomatik në Nju Jork?"


Përgjigjja e Ministrisë së Punëve të Jashtme për këtë pyetje është si më poshtë vijon (citohet letërkëmbimi):


"..Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zoti Ferit Hoxha, me shkresën Nr. Prot. 147/2010 të datës 04.03.2010, na njoftoi zyrtarisht dhe me hollësi (Ministrinë e Punëve të Jashtme) për zhdukjen brenda zyrave të Misionit tonë në Nju Jork të kompjuterit portabël (laptop), që përdorej për komunikimin e klasifikuar Mision-MPJ.


Pas marrjes dijeni, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë menjëherë gjitha masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për izolimin e shpejtë të riskut të shkaktuar nga rastet me karakter vjedhjen apo dëmtimin e pajisjeve të kriptimit. Informacioni i ardhur nga Misioni Nju Jork, pas regjistrimit në Zyrën e Ndërlidhjes dhe Shifrës, u përcoll urgjentisht tek Sekretari i Përgjithshëm, Drejtori i Kabinetit dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse.


Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i Kabinetit urdhëruan njoftimin e menjëhershëm të Drejtorisë së Shifrës në SHISH dhe Drejtorit të DSIK, për të koordinuar masat dhe hapat që duheshin, këto dy institucione u njoftuan zyrtarisht me shkrim nëpërmjet shkresave përkatëse, respektivisht me Nr. Prot. 10 datë 17.03.2010 dhe 91, datë 23.03.2010.


Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë së Sekretarisë, Ndërlidhjes dhe Shifrës u konsultua edhe gojarisht me drejtuesit e këtyre dy institucioneve. Nga specialistët e SHISH-it u morën menjëherë masat e nevojshme teknike për bllokimin e çelësave të komunikimit me kompjuterin (laptop) e humbur..".


Nga rreshtat e mësipërm, kuptohet rëndësia e pajisjes, por jo rrethanat e kësaj "zhdukjeje" të habitshme.


Në dokumentacionin lidhur me këtë ngjarje që të kujton filmat me spiunazh, dëshmohet më pas se duke marrë shkas nga ngjarja e mësipërme, me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së, u përgatit dhe u dërgua shkresa qarkore Nr. Prot. 97 datë 17.03.2010 drejtuar gjithë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit.


Nëpërmjet saj bëhej njoftimi për ngjarjen dhe tërhiqej vëmendja për respektimin me rreptësi të rregullores në ruajtjen dhe trajtimin e mjeteve të kriptimit dhe dokumenteve të klasifikuara.


Kush ka qenë i interesuar për të vjedhur këtë kompjuter me materiale sekrete të diplomacisë shqiptare? Pyetja mbetet pa përgjigje, por nga dosja mbi këtë ngjarje, mësohet se anëtarët e majtë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kanë hedhur dyshimet se realisht ky kompjuter server është shitur.


Anëtarë të Komisionit gjatë debatit kanë hedhur dyshimin se kreu i misionit shqiptar, ambasadori Ferid Hoxha, e ka shitur këtë kompjuter tek shërbimet sekrete ruse.


Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Hoxha u ka dhënë atyre edhe kodet sekrete që çkodojnë çdo komunikim mes selive diplomatike shqiptare. Deri dy vjet më parë, Shqipëria ishte një objektiv tepër i vogël për shumë agjenci të huaja zbulimi por pas anëtarësimit në NATO, "pesha specifike" e vendit tonë u rrit ndjeshëm.


Humbja e laptopit, por edhe disa konflikte banale të ambasadorit shqiptar në NATO, Artur Kuko, sollën edhe një lloj pezullimi të vendit tonë nga mbledhjet e sigurisë së lartë në NATO.


Ministria e Jashtme, në letrën dërguar Kuvendit, e cila posedohet nga Shekulli, shkruan më tej se "kjo ngjarje nuk ka komprometuar standardin e sigurisë në komunikim, pasi kompjuteri bëhet i papërdorshëm (softëare duhet riinstaluar nga e para) nëse nuk futen kodet e përdorimit, për të cilat kishte dijeni vetëm Ambasadori Ferit Hoxha".
Kjo është e saktë nëse kompjuteri thjesht është vjedhur, por nëse dyshimet e opozitës verifikohen, atëherë laptopi është dhënë bashkë me kodet përkatëse të kriptimit të mesazheve.


I vjedhur apo i shitur? Ngjarje ordinere apo spiunazh?


Letra ku ministri i jashtëm Haxhinasto përgjigjet për pyetjet e ngritura rreth zhdukjes së aparaturës në fjalë, thotë: "..Humbja/vjedhja e kompjuterit të komunikimit të klasifikuar në Misionin tonë në Nju Jork është një rast i vetmuar i shkaktuar nga mosrespektimi i rregullave dhe standardeve të sigurisë.


Nga analiza është nxjerre në dukje se në këtë rast ishin shkelur: seksioni II/A, pika 4, 5 dhe 11, si dhe seksioni III, pika 4 dhe 5, - (Udhëzimi Nr.405, datë 03.09.2007 i ministrit të PJ) - shkelje për të cilat janë informuar më hollësisht me anë të Memove të veçanta në muajin mars 2010, sekretari dhe ministri. Mbrojtja teknike e informacionit realizohet me anë të programeve të shifrimit elektronik PGP dhe Key One, të instaluara në aparaturat përkatëse nga ana e specialistëve të SHISH.."


Më tej në materialet që posedon Shekulli thuhet:


"Ministria e Punëve të Jashtme, në zbatim të kuadrit ligjor mbi informacionin e klasifikuar sekret shtetëror ka nxjerrë udhëzimet përkatëse me anën e të cilave udhëzohen të gjithë diplomatët për mënyrën e nivelit të klasifikimit, ruajtjes dhe asgjësimit të materialeve të klasifikuara..."


Këtë thotë Ministria por anëtarët e majtë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kanë hedhur dyshimet se realisht ky kompjuter server është shitur. Anëtarë të Komisionit gjatë debatit kanë hedhur dyshimin se kreu i misionit shqiptar, ambasadori Ferid Hoxha, e ka shitur këtë kompjuter tek shërbimet sekrete ruse. Interesi për informacionet që përmbante laptopi lidhet me dokumente të NATO-s.


Në ngjarje të tilla, dorën në zjarr nuk mund ta vesh, por fakt është që NATO ka reduktuar aksesin shqiptar në informacione të përbashkëta, pas kësaj ngjarjeje. Nëse ata kanë dyshime konkrete për shitje, apo thjesht kanë reaguar të skandalizuar nga mungesa e seriozitetit të shtetit shqiptar, kjo mbetet për tu parë.


Ku ka pajisje të tilla kriptimi..


Sipas dokumentacionit që shoqëron ngjarjen e vjedhjes / zhdukjes së laptopit në zyrën e misionit tonë në Nju Jork, mësohet se këto pajisje kriptimi/komunikimi janë në përdorim në përfaqësitë dhe misionet në: Ankara, Athinë, Bernë, Beograd, Bruksel, Budapest, Bukuresht, Gjenevë, Hagë, Kopenhagën, Londër, Milano, Moskë, NATO (Bruksel), Misioni pranë OSBE në Vjenë, Paris, Pekin, Podgoricë, Pragë, Prishtinë, Romë, Shkup, Sofje Stokholm, Varshavë, Vatikan, Vjenë, Zagreb.


Festivali i 49-të, konkurrentët

Shekulli Online
Në tri net këndojnë 38 këngëtarë, të rinj dhe me përvojë. Festivali ka dy juri, që skualifikojnë çdo natë


Në Festivalin e Këngës në Radio-Televizion, që mbahet më 23, 24 dhe 25 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, marrin pjesë 38 këngëtarë. Këngët janë përzgjedhur nga një komision i përbërë nga Thoma Gaqi (kompozitor), Hajg Zaharian (kompozitor), Myfarete Laze (këngëtare), Zef Çoba (kompozitor), Fatmir Hysi (muzikolog), Altin Goci (këngëtar) dhe Kozeta Mamaqi (poete).


32 këngë bëjnë pjesë në kategorinë "Big" dhe 6 te "Të rinjtë".
Në kategorinë e parë janë: Aurela Gaçe, Kujtim Prodani, Françesk Radi, Adhurim Demiri, Alban Skënderaj, Miriam Cani, Besa Kokëdhima, Sajmir Braho, Orges Toçe, Edmond Mancaku, Klajdi Musabelliu, Dorina Garuci, Kejsi Tola.
Për herë të parë këndojnë në festival: Shpat Deda, Albi Xhepa, Maria Prifti, Ilir Kazaferi, Megi Laska, Rudina Delia.


Për Festivalin e 49-të kanë kompozuar: Sokol Marsi, Adrian Hila, Jetmir Barbullushi, Shpëtim Saraçi, Valentin Veizi, Kristi Popa, Edmond Mancaku etj.
Shumica e këngëtarëve kanë zgjedhur ta kompozojnë vetë muzikën, e në disa raste edhe të shkruajnë edhe tekstin. Të tjerët kanë marrë tekste të autorëve: Jorgo Papingji, Pandi Laço, Agim Doçi, Agron Tufa, Arben Duka.
Janë afruar në festival edhe banda të rinjsh, të para nëpër aktivitete muzikore të këndojnë muzikë rrok, pop-rrok, alternativë si "NRG Band", "Humus", si dhe këngëtarë solo.


Marrim opinionin e njerit prej tyre, për rëndësinë që ka pjesëmarrja në Festivalin e Fundvitit.
Heldi Kraja, këngëtar i muzikës rrok, pjesëtar i grupit "The fish hook" në vitin 1992-1995, tregon: "E kam ndjerë mungesën e komunikimit me njerëzit. Kam bërë shumë këngë dhe janë transmetuar vetëm në radio. Por radioja nuk është një mënyrë e mirë komunikimi për të qenë në kontakt me publikun". Kraja e ka herën e parë që merr pjesë në festival si kantautor, me këngën: "E diela pa ty".


Kënga nuk është rrok i pastër. Këngëtari shoqërohet nga instrumentististë të harqeve, tunxheve dhe kitarrës akustike.
Deri më tani organizatorët kanë përcaktuar strukturën e festivalit. U bë e njohur dje për median dhe për konkurruesit, të cilëve iu dhanë sugjerime, iu bënë vërejtje për kalimin e parametrave të përcaktuar në rregulloren e festivalit.
Në natën e parë të Festivalit do të këndojnë 16 këngëtarë "big", dhe 3 "të rinj", po ashtu edhe të dytën.


Këngët seleksionohen nga dy juri, një për secilën kategori, që zgjedhin çdo natë këngët që kalojnë në finale. Juria e parë zgjedh 8 këngëtarë, e dyta 1. Në natën finale shkojnë 18 këngë. Juritë ende nuk janë zgjedhur.
Këtë vit, është eleminuar nata e spektaklit dhe këngëtarët janë të kufizuar në performancat e tyre. Nuk lejohen mbi 6 performues që shoqërojnë këngëtarin në interpretim.


Regjisori Bojken Lako po punon për elementët e spektaklit.
Prezantuesit e festivalit të 49-të të Këngës në RTSH, janë: Jonida Maliqi, Mirela Naska dhe Josif Gjipali. Fonia i është besuar Emanuele Doninni-t. Skenograf është Bashkim Zahaj. Drejtor artistik: Edmond Zhulali.