Wednesday, July 10, 2013

Shteti dhe formulari antishtet i Edi Ramës

MARK MARKU

  Dje, mediat kryesore të vendit publikuan një thirrje, nëpërmjet së cilës zoti Edi Rama u bënte thirrje qytetarëve shqiptarë të aplikonin për një vend pune në administratën publike që do të drejtohet në të ardhmen prej tij. Kryeministri i ardhshëm, që ende nuk e ka marrë detyrën, kishte shpërndarë edhe një formular on line, i cili do të mbushej nga të gjithë ata që dëshironin të kontribuonin, sipas tij, për “Rilindjen”.

Është pak të thuash se një thirrje e tillë dhe shpërndarja e formularit të aplikimit është paradoksale. Ajo është më tepër se kaq, është tregues i konceptit që ka për shtetin kryetari i ardhshëm i qeverisë shqiptare, koncept ky tërësisht antishtet.
Kryeministri i ardhshëm duhet ta dijë se aplikimet për punësim bëhen sipas një procedure publike, dhe jo sipas kritereve për anëtarësim në Partinë Socialiste. Shteti shqiptar ka një ligj për administratën publike, të cilit i mbaron afati ditën që hyn në fuqi një ligj tjetër i miratuar me shumicë të cilësuar votash në Parlament vetëm pak ditë para se të bëheshin zgjedhjet parlamentare. Ky ligj ishte një nga tri ligjet që kërkonte shumicë të cilësuar votash dhe që përbënte një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për miratimin e statusit të vendit kandidat. As ligji aktual dhe as ligji që do të hyjë në fuqi së shpejti nuk e parashikojnë një procedurë të tillë të punësimit të administratës publike. Ata që duhet të punësohen nuk duhet t’i drejtohen as Kryeministrit dhe aq më pak kryetarit të PS-së. Ligji (të dyja ligjet) parashikojnë një procedurë krejt tjetër nga ajo që këshillon zoti Rama. Pa dashur të jap hollësi për ligjin, pasi ai mund të gjendet fare lehtë në internet, po theksoj vetëm faktin e thjeshtë se aplikimi bëhet për vende të shpallura pune nga administrata publike sipas një konkursi të hapur nga Departamenti i Administratës Publike. Në ligj nuk përmendet askund as Kryeministri e as kryetari i Partisë Socialiste.
Por, mbi të gjitha, ligji për administratën publike nuk parashikon aplikim pa pasur vende vakante. Zoti Rama nuk e ka filluar ende ushtrimin e detyrës, kështu që nuk e di ende se sa vende vakante ka në administratën publike. Nëse ka ndër mend të bëjë reformoma në këtë administratë, ai ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, kështu që është absurde që të fillojë aplikimet për disa institucione të cilat ekzistojnë vetëm në një projekt hipotetik të reformimit të administratës publike, por për të cilat nuk dihet asgjë konkrete. Pikërisht për këtë arsye, thirrja e zotit Rama tingëllon njëherësh edhe si një tallje për qytetarët, pasi ata ftohen të ofrojnë kontributin e tyre për diçka që ende nuk ekziston. CV-ja e depozituar prej tyre në këtë rast mbetet pa adresë dhe shkon përkundër deklarimeve të zotit Rama për krijimin e një administrate profesionale në shërbim të publikut.
Ngado që ta shohësh thirrjen e zotit Rama, ajo nuk premton asgjë të mirë për krijimin e një administrate publike të depolitizuar dhe që është në shërbim të qytetarëve. Shteti shqiptar dhe e ardhmja e tij e ëndërruar europiane ka si kusht themelor pikërisht fundin e shtetit partiak, ku administrata publike shihet në funksion të fushatave elektorale, dhe për këtë arsye mbushet me militantë që u shërbejnë jo qytetarëve, por partisë. Kanë dështuar në këtë mision paraardhësit e tij, dhe për këtë arsye janë ndëshkuar nga qytetarët. Por asnjëri prej paraardhësve të tij nuk ka qenë kaq i guximshëm sa ta deklarojë që në nisje të mandatit qeverisës një akt kaq antishtet dhe kaq militant siç po bën zoti Rama. Një fillim jo i mirë pa filluar ende.

No comments: