“Fundi, një fëmijëri tjetër” është libri
i jetës së poetit Preç Zogaj. “Në raport me librat e mi, mendoj se kam
shkruar librin më të mirë timin”, – u shpreh Zogaj në prezantimin e
vëllimit të ri poetik, organizuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve. “Fundi, një fëmijëri tjetër” është ditari poetik i
autorit, i shkruar në një kohë kur ai vetë ka qenë tejet aktiv në jetën
politike të vendit, por kjo nuk e ka cenuar poezinë e tij.
“Asnjëherë nuk e kam kompromentuar
poezinë me veprimtaritë e tjera njerëzore që janë të domosdoshme për
shoqërinë, nganjëherë edhe për ne, sepse së paku besoj se nuk ka poet në
Shqipëri që të jetojë vetëm prej librave apo vetëm prej poezisë. Duke u
angazhuar me shumë veprimtari, jam përpjekur me fanatizëm që ta ruaj
poezinë të paprekur negativisht nga gjërat e tjera që na duhet të bëjmë
në jetë”, – shprehet Zogaj.
Parid Teferiçi, piktor dhe poet, duket
se e ka zgjidhur misterin e poezisë së Zogajt si një ndër lexuesit e
shumtë të tij. “Preçi, pavarësisht se duket poet lirik, poet i trajtimit
të temave të ndjeshmërisë së zemrës, mbetet një poet cerebral. Më mirë
të themi, një poet metafizik”, – thotë Teferiçi, njëkohësisht dhe ideues
dhe realizues i kopertinës së librit të Zogajt. Ky është prezantimi i
parë i librit “Fundi, një fëmijëri tjetër”, që vjen për lexuesin nën
siglën e Shtëpisë Botuese “Tirana Times”.
“Fundi, një fëmijëri tjetër”, është një fillim më vete
Historia e promovimit të librit të ri me poezi “Fundi, një fëmijëri tjetër” i Preç Zogajt, kishte një detaj:- Preç, ma vendos autografin në faqen e fundit. – Po pse në faqen e fundit? Gjithmonë në krye, shënojnë poetët…
(dhe autori shënonte autografe nën mbulojcë të librave për miq e
lexues.) Sepse “Fundi, një fëmijëri tjetër”, titulli i librit të Preç
Zogajt, është pa fjalën e fundit, një fillim më vete. Më tej gjërat
vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën e udhëtimi nuk është më misterioz, nuk
është më dëshpërues, nuk është më sakrifikues.
Roli i artit ose i një intelektuali, ose
i një shkrimtari ishte, sikundër thuhet në një proverb të vjetër, t’i
thotë pushtetit të vërtetën. Sot, ajo çka presin njerëzit nga artisti
apo intelektuali, është më e shumtë e më komplekse. Ajo që kam ndjerë
shpesh, se bota nuk pret më asgjë nga askush, gjë që më është dukur
tragjike, gjatë leximit të një vëllimi poezish, më bëri t’i kundërshtoj
ndjesitë. Edhe pse e dimë fort mirë që një botim poezish nuk është
ngjarje e madhe për një vend të ngatërruar me krizë ekonomike, histori
trasgresionesh politike, në analizë të fundit, gjithçka është çështje
instinkti te poezia dhe shfaqja e poetit përballë lexuesit. Ajo që e
emërtojmë ndjeshmëri artistike kuptohet nga fillimi e shkon deri në fund
në poezitë e Zogajt. Nëse i reziston leximit të plotë të vëllimit,
mbërrin të shohësh deri ku mundet të arrijë një ide dhe nga cila pikë e
më tej bëhet e mërzitshme. Ndërsa nuk pati asnjë vend ku të mëshiroje
mërzitjen. Nuk ekzistonte. Kishte ngecur për të mos u shfaqur mes
fabulave dhe lëvizjes së shpejtë të fjalës, të ngjarjes, të përjetimit.
Që të shohësh poetin duhet të hapësh dritaret, që të dallosh flatrat nuk duhet të bësh pyetje. Në poezinë Saksia,
për shembull, vjen një fabul e cila lidh jo vetëm hapësirat, por edhe
gjendjet, brezat me një fill të padukshëm, aromën, që edhe pse nuk
përmendet, është e shfaqur e tëra përmes një pike mbështetëse- një
saksie poshtë këmbës. Ndoshta s’do ta dinin dobësinë tonë është
një poezi që përmbledh një notë biografie të ndjenjave, mendimeve dhe
përsiatjeve të autorit. Pa asnjë të fshehtë, shkruhet e gjitha, dobësia, mjerimi, pritja. Pastaj mbështillen me erë, re dhe diell. Si të shfaqen rishtas nga e para.
Sepse Dashuria e plaku këtë vend,/ dhe unë (poeti) jam i vjetër….
kur kam lexuar këto vargje në vëllimin e mëparshëm “Ngjarje në tokë”
kam pasë menduar se do ishte një ndalim i gjatë, i heshtur i autorit, pa
botuar libër të ri, por kapërcimi kurajoz është i motivuar nga fjala
dhe komunikimi përmes figurave dhe fabulave që në dukje janë të
thjeshta, e pikërisht aty fillon thellësia, kërkimi i përtejmë rreth
librit, pasi ke mbaruar faqen e fundit të tij.
Sepse, duke lexuar poezitë e P. Zogajt,
hera-herës prekesh nga fshehtësia e një ditari. Njëra pas tjetrës,
poezitë sikur rrëfejnë jetën, ato kthimet për të parë dikë, për t’u
ndeshur sërish, për të luftuar edhe një herë nga e para. Një
pikëvështrim më i zgjeruar është dialogu dhe përfshirja e Zotit në
rrethanat jetësore dhe qasjet shpirtërore. Në poezi të tjera, futet
njeriu dhe marrëdhënia e tij me jetën e vdekjen, duke e lënë perëndinë
paksa larg, në padukshmërinë e paprekshmërinë e çastit. Dielli mban përkrahu tim bir, shkruan diku poeti, pasi kuptojmë se dashuria nuk jep leje me veshësh errësirën.
E kuptojmë lidhjen e pacenuar të dashurisë dhe të Preç Zogajt. Është
tema të cilën e ka universalizuar, është tema të cilën e ka trajtuar si
një gjallesë, si frymor, si një të moshuar, si një të parritur, si një
adoleshente. Nën këtë shtjellë, gjejmë sa e sa vargje të mbajtura ndër
flatrat e saj, herë të mbledhura, herë të shpalosura…por gjithmonë
dashuria. Autori shkruan: s’kemi flatra të rrahim stuhitë,/ s’kemi
forcë të ngrihemi si gurë/ mes reve të bardha. Kjo dashuri/ nuk gjen
shpëtim kurrë. Sërish e sërish kokulur/ shkëmbejmë vetmit… Çdo
artist i madh lufton që të zbulojë atë çka nuk ka bërë, çka nuk ka
ndodhur. Përpiqet të tejkalojë atë që është bërë, të zbulojë diçka të
re. Të paktën kështu shtohen mundësitë që të krijojë dikush një vepër të
madhe. Dhe në fund fare, lexova autografin e autorit. Një shkrim
shkatarraq. Si për të prishur syrin e lig të gjithë librit. Autorit i
mbetet tashmë kënaqësia e shënimeve në librin e botuar. Të tjera
kënaqësi, i takojnë lexuesit, kuriozit, njeriut që kërkon përtej çdo
libri.
No comments:
Post a Comment