Friday, July 12, 2013

Mbesa e Ramiz Alisë: Halla ime vdiq në aksident ajror, lajmin e dha Enveri

SHKRUAR NGA EMI SHAHU
Më 13 korrik bëhen 50 vjet nga aksidenti ajror ku humbën jetën 7 shqiptarë në një avion të nisur nga Kina me destinacion Tiranën.
‘Aeroflot Tupolev Tu-104B’ u rrëzua në afërsi të qytetit Irkusk të Siberisë, në Bashkimin Sovjetik, ndërsa 32 pasagjerët dhe ekuipazhi mbetën të vdekur. Pjesa më e madhe e tyre ishin inxhinierë kinezë që vinin në Shqipëri për të dhënë asistencë në veprat industriale, ndërsa shqiptarët që humbën jetën ishin Felek Malile, motra e Ramiz Alisë dhe gruaja e ambasadorit tonë në kinë
në atë kohë, Reiz Malile, sëbashku më dy fëmijët e vegjël, shkrimtari Drago Siliqi si dhe i dërguari i “Zërit të Popullit” në Kinë, Xhaferr Bakllamaja bashkë gruan e tij Nadire e një prej djemve. Teuta Hoxha, mbesa e Ramiz Alisë dhe Felekut, tregon momentet e familjes së saj teksa prisnin hallën, e cila do u sillte për herë të parë djalin 1-vjeçar Besnikun, i cili ishte lindur në Kinë, përgatitjen e dhomës dhe më pas momentin kur Enver Hoxha, sjell lajmin e keq të rrëzimit të avionit, ku ata humbën jetën....

Nesër bëhen 50 vjet nga lajmi tragjik i rrëzimit të avionit ku humbi jetën halla juaj me dy fëmijët e saj, si e kujtoni atë moment?
Në 13 korrik të vitit 1963, familjes time, i ndodhi një fatkeqësi tragjike. Vdiq në një aksident ajror, motra e babait, Feleku, bashkë me dy fëmijët e saj, Miranda 8 vjeçe dhe Besniku 1 vjeç.
Në atë kohë bashkëshorti i saj, Reiz Malile, ishte ambasador në R.P. të Kinës. Fëmijën e dytë, Besnikun, Feleku e kishte lindur në Kinë, dhe ardhja për pushime, përveç mallit, kishte edhe gëzimin e madh që do të sillte për herë të parë, pranë njerëzve të saj, djalin e vogël. Më kujtohet që përgatitjet për ardhjen e saj, në familjen tonë, kishin nisur ditë më parë. Ishte përgatitur dhoma me shtratin e vogël, ishin përgatitur ëmbëlsirat dhe madje ishte vendosur edhe se kush do të shkonte në aeroport për ta pritur. Gjithë shtëpinë tonë e kishte përfshirë një atmosferë gëzimi dhe hareje.
Ku ndodheshit ju kur mësuat lajmin e keq të rrëzimit të avionit?
Meqenëse kishin filluar pushimet, atë mëngjes ndodheshim në plazhin e Durrësit. Të shtuar në numër, pasi kishin ardhur edhe kushërinjtë e tjerë nga Tirana, dolëm në breg të detit. Të gjithë prisnim me padurim të mbërrinte ora për t’u nisur në aeroport. Xhaxhai im, Ramizi, bashkë me nipin e tij Vladimirin, për të shtyrë kohën, improvizuan një lojë volejbolli në breg të detit. Ashtu siç kujton Vova (Vladimiri), “Ramizi kishte kthyer kurrizin andej nga po vinte shoku Enver. Pa e ndjerë ardhjen e tij, ai po vazhdonte lojën, kur papritur ndjeu mbi sup një dorë që e bëri të kthehej vërtik dhe të shquante Enverin”. Pasi shkëmbyen përshëndetjet me njeri-tjetrin, Enveri e zuri përkrahu, dhe të dy u larguan në drejtim të tendës ku rrinte Mehmet Shehu, i cili kishte dalë për t’u bashkuar me ta. Të tre burrat hynë në tendë dhe aty Ramizi mësoi lajmin e hidhur të vdekjes së motrës bashkë me dy fëmijët e saj. Siç kujtonte përherë, shqetësimi i madh ishte se si do t’ia thoshte nënës këtë lajm të zi.
E kush ia tha nënës lajmin?
Ishte vetë Enver Hoxha që vajti tek gjyshja ime dhe me dhimbje të madhe i dha lajmin e kobshëm. Kuptohet se çfarë ka ndjerë ajo nënë në ato momente. Por, ashtu si e kujtova në këto ditë të përvjetorit të saj edhe me Nexhmijen, që ishte prezent në ato momente, gjyshja ime u tregua një grua e fortë në fisnikërinë e saj dhe me shumë dinjitet. Dhe unë ashtu e kujtoj, përherë një gjyshe shumë e dashur, por që brenda saj mbante një dhimbje të thellë, që përpiqej me vetmohim, të mos ua përcillte pjestarëve të tjerë të familjes, në mënyrë të veçantë, ne fëmijëve. Ajo jetoi me atë dhimbje deri sa mbylli sytë, më 13 korrik të vitit 1983, në ditën e 20 vjetorit të humbjes së vajzës dhe të fëmijëve të saj.
Çfarë mund të na thoni për Felekun?
Ajo ishte fëmija më e vogël e familjes Alia. Ashtu siç e kujtonin, nëna, motrat dhe vëllezërit ishte e përkëdhelura e të gjithëve. Megjithatë ajo ishte e dashur me këdo. Gjithmonë e qeshur dhe gojë ëmbël. Siç e kujtojnë edhe mikeshat e saj, jo vetëm ishte një grua e bukur dhe elegante, por ajo përfaqësoi denjësisht vendin tonë, kudo ku ishte, përkrah të shoqit në detyrat e tij të larta diplomatike. Ajo ishte 32 vjeç kur u nda nga jeta.
Si ishte jeta e Felekut para martese?
Ajo ishte rritur në një familje që ishte e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ku dy vëllezërit e saj ishin pjesëmarrës dhe shtëpia e tyre ishte bazë e Luftës, edhe Feleku megjithëse ishte shume e re u aktivizua si pjesa më e madhe e rinisë së atëhershme, në shpërndarjen e trakteve në qytet dhe mbledhjen e ndihmave për partizanet.
Në vitet e para pas lirimit, rinia shqiptare iu përvesh punës për rindërtimin e Shqipërisë, me të njëjtën entuziazëm që mbështeti dhe zhvilloi luftën për çlirim. Ngado u krijuan brigadat vullnetare të rinisë, ku Feleku merrte pjesë. Si një luftëtare për një jetë të re, ajo u përfshi në detyrën kryesore të asaj kohe, në luftën kundër analfabetizmit, sidomos në radhët e të rejave dhe grave shqiptare. Më pas Feleku mbaroi universitetin për gjuhë ruse dhe filloi punë si mësuese e gjuhës ruse, derisa u largua me bashkëshortin në misionet diplomatike.
Ky i Kinës ishte misioni i parë?
Jo, kujtoj që para Kinës ka qenë në SHBA, OKB.
Aksidenti ndodhi në pjesën ruse të Siberisë, ku u varrosen ata pas aksidentit?
Meqenëse avioni vinte nga Republika Popullore e Kinës dhe në të kishte dhe udhëtarë të tjerë, të gjithë trupat u varrosen në Kinë. Mungesa e varrit e shtonte akoma më shumë dhimbjen e humbjes. Më kujtohet gjyshja që përsëriste shpesh, “nuk do të më tresë dheu, deri sa të kthehet Feleku me fëmijët në Shqipëri”.
Për të ishte një lehtësim i madh, kur babai im Reshati, në vitin 1969, vajti me shërbim në Kinë e vendosi mbi varret e tyre, buqetat e para me lule, nga nëna dhe e gjithë familja. Pasi u mbushen 10 vjet nga vdekja, sipas rregullave të shtetit kinez, u mundësua që ata të rivarroseshin në vendin e tyre.
Si u zhvillua ceremonia e rivarrimit?
Ceremonia e rivarrimit u krye si ceremoni mortore. Më kujtohet që kishin ardhur shumë njerëz për t’i përcjellë në banesën e fundit.
Aksident apo i qëllimshëm ishte rrëzimi i avionit, sepse ekziston dhe një variant që u sulmua nga rusët?
Megjithëse, kur ndodhi aksidenti, situata politike midis dy vendeve, Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Sovjetik ishte prej disa muajsh tejet e nderë, nuk kishte asnjë të dhënë që të ishte një aksident i qëllimshëm.
A fliste shpesh Ramizi dhe Reshati, babai juaj për këtë ngjarje?
Në shtëpinë tonë i shmangnim bisedat mbi atë çka ndodhi, edhe pse kujtimi i saj dhe i fëmijëve ishte përherë i pranishëm në familjen tonë, madje edhe fjalën avion nuk e përmendim para gjyshes. Xhaxhai im, Ramizi, një javë para se të vdiste, në shtëpinë e një miku e kishte kujtuar Felekun, me lot në sy.

No comments: