Reagim në vend të analizës: demokratë të Shqipërisë zgjidhni virtytin Lulzim Basha.
Partia Demokratike nuk është kazino Z. Olldashi!
Rezultati jo vetëm shokues, por edhe fyes i PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, si çdo demokrat e qëndrestar, natyrisht edhe mua më ka hedhur në reflektime. Gjithashtu, shumë miq, gazetarë e analistë, publikisht më kanë bërë apel të shprehem si njërin nga të shumtët njerëz në PD, që qënësinë time në parti nuk e kam konsideruar si premisë për karrierë e përfitime vetjake, por si një mision për një kauzë fisnike, atdhetare e demokratike.
Jeta ime politike nuk ka filluar ditën e parë të anëtarësimit në PD, si deputet a ministër, por i angazhuar prej 20-vitesh në strukturat e saj nga baza deri në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Këshillin Kombëtar të PD-së. Koha ka treguar që i përkas atyre njerëzve idealistë që jetoj për tu shërbyer demokratëve e shqiptarëve të vërtetë. Nuk kam shërbyer për të jetuar mirë vet dhe ndonjë rreth i imi nepotik. Këto dy dekada politike intensive, përvec aksentit politik në shërbim të PD-së e demokracisë, gjithmonë kam kontribuar në shërbim të idealeve dhe të kauzës, por edhe në fushën e artit, kulturës, etnografisë, analizës, gazetarisë, duke i dhuruar lexuesit shqiptar 3 vepra politiko-historiko-kulturore: “Dardanët presin Dodonën”, “Për kombin për demokracinë” dhe “Edhe Zoti po flet Shqip”, në harkun kohor të 5 viteve. Në krye të një asociacioni patriotiko-kulturor 11-vjecar `Unioni Artistik i Kombit Shqiptar` kam shkelur e rishkelur të gjitha trevat etnike Shqipetare, brenda dhe jashtë kufijve aktual politik, duke përcjellë frymën e bashkimit shpirtëror-kombëtar, duke dhënë mesazhet e paqes e të drejtësisë, duke kthyer këtë asociacion në një laborator të prodhimit të platformës kombëtare, qëmtues të ADN-së të kombit.
Gjatë viteve në opozitë të PD-së, por edhe 8 vite i papunë nga arrdhja në pushtet e PD-së, unë kurrë nuk kam pikëpyetur dhe lëkundur qëndrimin tim stoik ndaj PD-së. Gjatë gjithë karrieres time në cdo detyrë partiake, shtetërore, parlamentare apo aktivitet privat, kurrë nuk jam përfolur për afera korruptive, ekonomike apo politike. Po ashtu, asnjë nga bashkëpunëtorët e mi, si kryetar i PD-së së Tropojës apo deputet, nuk ka rezultuar të jetë përfshirë dhe as anatemuar, në asnjë problem që bie ndesh me ligjet dhe moralin tonë politik.
Personalisht, njoh mirë strukturat e PD-së dhe kam një eksperiencë të shënuar. Mjafton t’i kujtoj cdo demokrati shqiptar, se në vitet më të errëta për Shqipërinë e demokracinë (1997-2002), kur Tropoja u bë qendër e revanshit sllavo-komunist, e terrorit të mbeturinave të sigurimit të shtetit, unë Azgan Haklaj me bashkëpunëtorët e mi qëndrestarë, arritëm jo vetëm ringritjen e PD-së së asgjësuar, por edhe siguruam fitoren absolute në Tropojë dhe qarkun e Kukësit. As prangat që më hodhën e as gjaku që derdha jo pak, as atentatet e plumbat, as dinamiti e jetët njerëzore të humbura, shantazhet e kurthet, s`ma thyen mendjen e nuk ma lëkundën besimin tek PD-ja, idealet e saj dhe lideri e miku i përjetshëm Sali Berisha. Jam tepër i kënaqur që ky qëndrim i imi, është shpërblyer me respekt nga demokratët shqiptar, nga Tropoja në Konispol. Bashkia e Bajram Currit dhe komuna Margegaj me kane dhene titullin “Qytetar Nderi”, Qarku i Kukesit me ka akorduar titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut dhe Shoqata Cameria me ka nderuar me titullin “Nder i Camerise” . Të tillë konsideratë ndaj veprimtarisë e qëndrimit tim, kam përjetuar në të gjitha trojet Shqiptare. Kjo më mbush me besim, se demokratët e Shqipërisë do ta dëgjojnë fjalën time dhe do ta gjejnë veten e tyre në të.
Cuditërisht, për aktivitetin deri në vetmohim për mbrojtjen e kauzës, jam “shpërblyer” me papunësi 8-vjeçare, me anashkalim e moskonsiderim të kontributit jo të pakët, i cili shpesh ka shkuar deri në kufijtë e sublimitetit.
Prandaj sot, kam të drejtë jo vetëm të drejtoj gishtin, por edhe të akuzoj autorët e vërtetë që çuan Partinë Demokratike në këtë humbje, e cila përveçse si një humbje normale gare elektorale, është një demotivim fatkeq i të gjithë militantëve tanë anembanë vendit. Kësaj dhimbjeje i shtohet dorëheqja e Dr. Berishës, i cili mori përsipër individualisht, pa të drejtë, faturën e humbjes, duke amnistuar bashkëpunëtorët, shkaktarët e vërtetë.
Mirëpo gjithmonë ka një udhë për të dalë nga çdo situatë, sado e rëndë e pa kthim të duket ajo, prandaj e them hapur se dhimbja jonë si demokratë u zbeh, teksa Z.Lulzim Basha paraqiti kandidaturën e tij për të qenë lideri i ardhshëm i demokratëve. Z. Lulzim Basha është fytyra politike më karizmatike në rradhët tona, si shpresa unike e provuar në ringun elektoral që mund të na drejtojë te fitorja. Posedues i të gjitha cilësive që lipsen për një lider modern, me edukatë humane dhe politike të cilësuar, me formim akademik perëndimor për t’u admiruar, me një karrierë vërtet brilante në parti dhe administratë, Lulzim Basha është realisht personaliteti që mbush vakuumin që sjell dorëheqja e liderit të pashoq, Z.Sali Berisha. Ai përmbushi me sukses liberalizimin e vizave, kontribuoi për shtimin e njohjeve të pavarësisë të Kosovës, për cka edhe u nderua nga komuna e Prishtinës, e Cahirit në Shkup si dhe nga familja Haradinaj në Kosovë. Mirëpo, të them të drejtën, siç edhe e kam zakon, shijen e mirë që ma krijoi kandidimi i Z.Basha, ma thartoi kandidimi i Z.Sokol Olldashi përballë tij. Z.Olldashi nuk duhej ta ndërmerrte kurrë këtë iniciativë, pasi ai personalisht dhe klani Rusmajli-Bode-Topalli-Patozi në prapaskenë, që e kanë ndërsyer atë për këtë ndërmarrje, janë autorët e vërtetë që firmosën jo vetëm humbjen tonë elektorale, por edhe na servirën prag-humnerën tonë morale.
Z.Olldashi, që në prononcimin e parë si kandidat, mashtroi publikisht duke e bërë veten një militues 23-vjeçar në Partinë Demokratike. I kujtoj Z.Olldashi se tek demokratët, dhe jo vetëm tek ata, nuk është shuar memoria historike, dhe ti jo vetëm nuk je themelues i PD-së, por e ke filluar aktivitetin e jetën tënde politike me një formacion tjetër politik, i cili atëkohë ishte kundërshtari ynë i hapur. Ata që të rekomanduan ty dhe të parashutuan në PD, dihet publikisht se janë miqtë e vjetër, Mero Baze, Spartak Ngjela dhe Ylli Rakipi, të cilët ka kohë që “katjushkat” e tyre i zbrazin kundër PD-së dhe Sali Berishës. Kjo prurje e trinomit Baze-Ngjela-Rakipi me emrin Olldashi, ndonëse u shpërblye në mënyrë sistematike, rezultoi të ishte humbëse në çdo betejë politike. Mjafton të përmendim humbjen e trefishtë të Z.Olldashi ne v.2007. Ai humbi përballë Edi Ramës në mënyrë të ekzagjeruar për Bashkinë e Tiranës, humbi po ashtu dhe si ish-kreu i PD-së në Tiranë dhe njëherazi bëri të bjerë Shijaku, një nga bastionet e demokratëve, ku ky Olldashi ishte zgjedhur deputet. Ky fakt, si dhe rezultati i turpshëm i 23 qershorit në Fier, ku kryesonte “pretendent lider Olldashi”, duhet ta kishin tërhequr atë në një reflektim e kokëultësi të gjatë, e jo të na servirë “fitoren e Pirros”.
Kandidimi i Olldashit përballë Bashës, pra, është i pamoralshëm, sepse përballet vesi me virtytin. Më duhet t’i kujtoj Z.Olldashi, se jo vetëm nuk ka staturë të denjë politike për lider, por edhe se është njëri nga ata që kanë abuzuar me pushtetin. Durrësi e di mirë, se Koli u shndërrua në pronar të portit detar, drejtori i të cilit braktisi në mënyrë të turpshme PD-në. Unë nuk kam tagrin të hetoj Z.Olldashi, por një gjë e di me siguri, se shumat marramendëse që ai linte në kazino pothuaj çdo ditë, natyrisht e kanë një burim. Nuk është e drejta ime ta ndaloj pasionin-adrenalinë të Olldashit në jetën private, por kurrë nuk do të lejoja që ky njeri të shndërrohet në lider të Partisë Demokratike.
Një nga levat që nuk funksionoi në fushatën e kaluar është Forumi Rinor. Olldashi ka udhëhequr këtë forum, duke e kthyer në një organizatë inekzistente. Edhe asokohe Olldashi abuzivisht erdhi në krye të FRPDSH-së. Dua t’i sjell në vëmendje se ka qenë dhe sekretar i marrëdhënieve me shoqatat partnere e konkretisht me të përndjekurit politik, urë e shkatërruar tashmë.
I dehur nga ngjitjet e pakuptimta në karrierë pas çdo humbjeje, Olldashi guxon lojën ekstreme. E siguroj se ajo kohë, së bashku me durimin tonë, janë sosur. Sokoli së bashku me Gurin e tij si Sizifi, tani, pikërisht tani, ka filluar rënien e lirë. Gara e sivjetme dhe analiza që do vazhdojë pas kësaj humbjeje që ka për firmëtar të dorës së parë edhe Z.Olldashi, do të dëshmojë se nuk mund të ketë fillim të ri me humbësit e vjetër.
Duke përfunduar, unë haptazi, me kurajë dhe ndërgjegje, me bindje të pakthyeshme dhe të argumentuara, i bëj thirrje çdo anëtari, kryesisht qëndrestarëve idealistë të PD-së, pishtarëve të demokracisë, të përndjekurve politik, rinisë, grave demokrate, të zgjedhin Lulzim Bashën si një risi e provuar, si një e ardhme politike premtuese e garantuar. Kjo është e vetmja alternativë që çon sërish në rrugëtimin tonë krenar në kolorin blu, të cilin Basha i dha Tiranës, që ne ta shpërndajmë në të gjithë Shqipërine.
Azgan Haklaj
Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Ish-Deputet
Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Ish-Deputet
No comments:
Post a Comment