SHKRUAR NGA KLARITA BAJRAKTARI
Për dekada me radhë, bota e ka konsideruar Kanadanë si fqinjën veriore më miqësore të Amerikës , një vend i përgjegjshëm, paqësor edhe pse i mbushur me njerëz të mërzitshëm që pëlqejnë vetëm sportet mbi akull. Përsa i përket çështjeve madhore, Kanadaja ka luajtur gjithmonë rolin e shpëtimtares globale, duke paraqitur lidership moral dhe të vendosur për çdo çështje që nga mbrojtja e ozonit, tek pastrimi i zonave të minuara e deri tek të drejtat e homoseksualëve.
Novelisti i shquar, Douglas Adams dikur ka thënë se nëse Amerika është sjellë ndonjëherë si adoleshente kokëkrisur, Kanadaja është shfaqur gjithonë në rolin e një gruaje inteligjente rreth të tridhjetave. Me pak fjalë, Kanadaja prej vitesh ka qenë mishërimi i Amerikës, jo ashtu siç është, por ashtu siç duhet të ishte.
Megjithatë, duket se mes pyjeve veriore fshihet një sekret i errët. Gjatë dekadës së fundit, Kanadaja është transformuar në qendrën ndërkombëtare të minierave dhe në një shtet të kuq nafte. Ajo nuk është më gjysma më e mirë e Amerikës, por një vizion i tmerrshëm i së ardhmes së kontinentit të zotëruar nga lufta për energji.
E çuditshme po e vërtetë. Fqinji i mirë e ka çuar ekonominë drejt eliksirit të mallkuar që shkakton mosfunksionimin politik: Naftës. E magjepsuar pas qëllimit për t’u bërë një superfuqi botërore energjetike, qeveria e Kanadasë ka lidhur paktin me djallin, duke u miqësuar me ungjilltarët e naftësjellëseve, arrogantët e naftës dhe skeptikët e ngrohjes globale. Mesa duket shpëtimtarja globale jo vetëm që është rreshtuar pas armiqve të klimës, por është kthyer madje në nxitësen e tyre. Ky është vetëm fillimi.
Tashmë që nafta dhe gazi përbëjnë rreth një të katërtat e të ardhurave nga eksportet, Kanadaja ka humbur mirësjelljen e saj tradicionale. Që kur Partia Konservatore fitoi mazhorancën në Parlament në vitin 2011, qeveria federale ka filluar të sulmojë mbrojtësit e konservatorizmit, vendet indigjene, komisionerët europianë dhe këdo që kundërshton prodhimin e pakontrolluar të naftës si radikalët jonacionalistë. Qeveria i ka mbyllur gojën shkencëtarëve të ngrohjes globale, ka prerë fondin për zhvillimin e shkencës ambientaliste dhe nëpërmjet ligjeve të fundit të paprecedent ka shfuqizuar të gjitha ligjet për mbrojtjen e natyrës dhe ambientit, për të cilat Kanadaja dikur krenohej.
Autori i këtij transformimi është Kryeministri Stephen Harper, pushteti i të cilit buron nga Alberta, zona e pikënisjes së bumit të jashtëzakonshëm të naftës në Kanada. Ashtu si Maragaret Thatcher krijoi ringritjen politike të Britanisë nëpërmjet parave që buronin nga nafta e Detit Verior, Harper ka ndërmend të ndryshojë tërësisht situatën kanadeze nëpërmjet parave të naftës të thithura nga nëntoka.
Gjatë këtij procesi, ai e ka përqendruar pushtetin në zyrën e Kryeministrisë dhe ka ndryshuar rrënjësisht orientimin e prioriteteve të politikës së jashtme. Harper u ngjit në pushtet në vitin 2006, rriti shpenzimet për mbrojtjen me rreth 1 bilion dollarë në vit gjatë vitit të parë dhe ka shpenzuar mbi 2 bilionë dollarë për ekspansionin e burgjeve nëpërmjet politikës së egër kundër krimit që e injoron tërësisht normën e ulët të krimeve në vend. Ndërkohë, Kanadaja ka akumuluar një borxh të madh shtetëror, madje është borxhi më i madh i historisë së vendit në vlerën e 600 bilionë dollarëve.
Kritikëve liberalë u pëlqen të thonë se revolucioni politik i Harperit i ka kapur kanadezët, pjesa më e madhe e të cilëve janë të plogët dhe apatikë, të papërgatitur, një lloj kombinimi midis zhgënjimit dhe vetëmashtrimit. Ndoshta kanë të drejtë, megjithatë, edhe pse kanadezët kanë standarde të larta jetese, nuk mund të jenë kurrsesi imunë nga instinktet njerëzore si lakmia. Harper është duke e rrezikuar agresivisht ekonominë me naftën, burimi më i paqëndrueshëm i të ardhurave dhe po i premton popullit një pasuri të re dhe të jashtëzakonshme kombëtare që kanadezët as nuk e imagjinojnë, një pasuri që do të mbushë xhepat e tyre, ato të fëmijëve dhe të fëmijëve të tyre për breza me radhë. Duke qenë se sondazhet tregojnë që një e kartërta e popullsisë është në favor të zhvillimit të prodhimit të naftës, Harper duket se po e shet me sukses vizionin e tij.
Burimi që fshihet pas kësaj sjelljeje të shëmtuar është bitumi, një lëndë e papërpunuar që buron nga nafta e vendeve ranore. Depozitat e vjetra të kësaj substance të ngjashme me asfaltin, shtrihen nën këmbët e një pylli gjigant sa përmasat e Floridas në Albertën Verilindore dhe kompromentojnë burimet e naftës që renditen të tretat në botë për nga sasia. Gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që çmimet e naftës janë pesëfishuar, kompanitë e naftës kanë investuar mesatarisht 160 bilionë dollarë për të zhvilluar bitumin në Alberta, i cili më në fund është bërë fitimprurës. Kanadaja tashmë është duke nxjerrë 1.7 milion fuqi në ditë nga kjo substancë dhe prodhimi aktual pritet t’i japë qeverisë federale të ardhura mbi 120 bilionë dollarë në qira dhe honorare deri në vitin 2020. Pjesa më e madhe e këtyre parave shkojnë direkt në buxhetin e vendit si pjesë e taksave të korporatave, por qeveria kërkon akoma më shumë. Tashmë po kërkon të nxjerrë deri në 5 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2030.
Për qeverinë nuk ka rëndësi që i gjithë ky proces është tepër i ngatërruar dhe ka shumë humbje. Duhet një sasi e jashtëzakonshme uji, kapitali dhe energjie për të gërmuar tokat e pasura me karbon, për të mos folur për zhvillimin dhe përpunimin e substancave krudo, të cilat nuk mund të transportohen as deri tek tubacionet pa u holluar me një tjetër substancë të importuar të ngjashme me benzinën.
Me pafytyrësinë më të madhe, qeveria vazhdon ta mbrojë megaprojektin e Albertës si një investim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm, madje e ka konsideruar një sipërmarrje me përmasa epike të krahasueshme me ndërtimin e Murit të Madh kinez, vetëm se kjo sipërmarrje është edhe më e madhe. Dhe është me të vërtetë më e madhe. Projektet e miratuara të nxjerrjes së bitumit mund të shfarrosin një pyll gjigant gjashtë herë më të madh se New York-u. Rikuperimi dhe ripyllëzimi është një propozim që as nuk merret në konsideratë për shkak të kostos së lartë. Deri tani, kompanitë e naftës kanë krijuar aq shumë llum toksik nga minierat (6 milionë fuçi) sa mund të përmbytnin të gjithë Washington-in.
Jo çuditërisht, Otava është bërë mjeshtre e artit cinik të shpëlarjes së gjelbërimit. Ministrat e Harperit kanë filluar të sulmojnë hapur shkencëtarin e NASA-s dhe aktivistin e ngrohjes globale, James Hansen, në “New York Times” dhe lobojnë kundër Direktivave Europiane të Cilësisë së Karburantit (të cilat pretendojnë se bitumi është shumë herë më i pistë se nafta e zakonshme). Qeveria ka shpenzuar rreth 1000 milionë dollarë që në vitin 2009 në reklama për të bindur kanadezët se eksportimi i naftës është një burim i përgjegjshëm zhvillimi.
Ndërkohë, Kanadaja ka kthyer kokën prapa për të tërhequr edhe Pekinin. Tre kompani kineze shtetërore të prodhimit të naftës (të treja me raporte të këqija të transparencës korporative dhe ndjeshmërisë ambientale) kanë shpezuar deri tani mbi 20 bilionë dollarë duke blerë të drejtat për të nxjerrë naftë nga Alberta.
Gjunjëzimi para Kinës, tashmë konsumatorja më e madhe e naftës në botë, thekson edhe dilemën e madhe të bitumit në Kanada: si mund të nxjerrësh naftë të pistë në tregun global nga një zonë pa dalje në det? Shtetet e Bashkuara, konsumatorët më të mëdhenj të Kanadasë, duket se nuk kanë më nevojë për të duke qenë se importet kanë rënë me rreth 4 milionë fuçi në ditë nga viti 2005 në vitin 2011 dhe me projektin e naftësjellëseve në Shtetet e Bashkuara si Keystone XL, vizioni i Harperit mund të vihet në rrezik. Kjo është edhe arsyeja përse Harper hodhi pas krahëve të gjithë kriticizmin e të dhënave të Kinës për abuzimin e të drejtave të njeriut. Siç shprehet edhe në një dokument të fshehtë të bërë publik vjeshtën e kaluar nga “CBC”, Kanadaja tashmë ka prioritete të tjera: “Për të patur sukses, do të na duhet të ndjekim marrëdhëniet politike në përputhje me interesat ekonomike, edhe aty ku interesat tona politike apo vlerat morale bien në kontradiktë”.
Në vitin 2012, Kanadaja firmoi me qetësi një marrëveshje të debatueshme tregtie me Republikën Popullore të Kinës dhe miratoi blerjen e Nexen për 15 bilionë dollarë, një kompani shtetërore kineze për nxjerrjen e naftës. Ndoshta për të ngrohur zemrat e kanadezëve me kinezët, qeveria ka lobuar për të marrë me qira 2 panda për 10 milionë dollarë.
Tashmë që nxjerrja e naftës përbën rreth 10 për qind të emetimit të karbonit në Kanada, Otava nuk mund të negociojë asnjë diskutim për taksën e karbonit edhe pse pjesa më e madhe e kanadezëve do ta mbështesnin. Harper e përshkroi Protokollin Kyoto si një “skemë socialiste” dhe një marrëveshje për shkatërrimin e ekonomisë dhe punës para se ta refuzonte marrëveshjen në vitin 2012. Shumë ministra kanadezë tashmë janë bërë edhe skeptikë të shkencës së ngrohjes globale.
Ministri i Burimeve Natyrore, Joe Oliver, kohët e fundit tha për gazetën “La Presse”: “Mendoj se njerëzit nuk janë aq të shqetësuar sa ç’kanë qenë më parë për ngrohjen globale... Shkencëtarët na kanë thënë se frika jonë në lidhje me klimën është tejet e ekzagjeruar”. Për t’i mbyllur gojën këtyre “ekzagjeruesve” qeveria thjesht ka prerë financimin e Fondacionit kanadez për Klimën dhe Shkencën Atmosferike, duke eliminuar gjithashtu edhe rolin e këshilltarit kryesor të shkencës së klimës.
Pasi qeveria ndaloi një shkencëtar, i cili fliste për zbulimin e një vrime gjigante ozoni mbi Arktik, një editorial i vitit 2012 në revistën shkencore “Nature” i kërkonte qeverisë kanadeze që t’i jepte lirinë e duhur shkencëtarëve që përpiqeshin të bënin punën e tyre. Mesa duket Harper nuk e priti mirë këtë apel dhe vendosi të mbyllte stacionin e famshëm kërkimor në Zonën Eksperimentale të Liqenit, një perlë e vërtetë e shkencës ambientale kanadeze, e cila ka drejtuar luftën botërore të klimës.
Ndjekja kokëfortë e projektit të rrezikshëm të naftës ka çuditur të gjithë analistët botërorë. “The Economist” e ka përshkruar Harperin si pjella e naftës imperialiste, si një arrogant i kriticizmit dhe pakënaqësisë, i vendosur me vesin e tij të thyerjes së rregullave. Lawrence Martin, një nga komentatorët më të shquar të politikës në Kanada, thotë se qeverisja e Harperit i ka vënë shkelmin procesit demokratik. Allan Gregg e ka përshkruar axhendën e Kryeministrit si një sulm ideologjik mbi provat, faktet dhe arsyen.
Për të qenë të drejtë, qeverisja e Harperit e ka një plan për ndryshimin e klimës: transferimi i problemit tek Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Nafta bruto e transportuar tek Shtetet e Bashkuara nëpërmjet naftësjellëses Keystone XL, për shembull, mund të rrisë emetimin e karbonit me 935 milionë ton metrikë për një periudhë 50-vjeçare. Naftësjellësja Northern Gateway prej 5.5 bilionë dollarësh nga Alberta në Oqeanin Paqësor do të shtojë edhe 100 ton metrikë emetim karboni në vit, nga nxjerrja dhe prodhimi në Kanada deri tek djegia në Kinë. Në vitin 2012, Raporti i Inventarit Kombëtar nga Environment Canada, departamenti ambiental i vendit, mburrej se Kanadaja e ka ulur intensitetin e përgjithshëm të emetimit të karbonit nëpërmjet eksportimit të bitumit.
Të gjitha këto fakte nënvizojnë realitetin e ri të vendit: çdo lloj prove racionale tashmë është bërë pre e një qeverie që beson se tregjet dhe vetëm tregjet, e bëjnë politikën e një vendi. Çdo fakt që industria e konsideron si pengesë ndaj nxjerrjes së shpejtë të mineraleve apo ndërtimit të naftësjellëseve, është rishkruar me një lustër të stilit të Arabisë Saudite. Vetëm një ligj mbi buxhetin, arriti të ndryshojë 70 pjesë legjislacionesh të ndryshme duke filluar, për shembull, që nga Akti i Peshkimit, i cili ndalonte shkatërrimin e habitatit ujor, por që fatkeqësisht binte në kundërshtim me ndërtimin e naftësjellëses Northern Gateway, që duhet të përshkojë 1.000 rrugë detare deri në Oqeanin Paqësor.
Ndërkohë, fondi për sistemin e parkut të Kanadasë është prerë me 20 për qind, lëvizje që kritikët e kanë quajtur “lobotomi”. “CBC”-ja, transmetuesja kombëtare e respektuar, ka kritikuar ashpër Harperin duke e konsideruar një shkop i pavarur pushteti, por ka pësuar një sërë goditjesh për shkak të këtij sulmi. Këshilli i Shëndetësisë së Kanadasë, institucion që më parë monitoronte standardet shëndetësore dhe inovacionin në 13 provinca dhe territore të vendit, ka marrë gjithashtu shpatën në dorë për këdo që kundërshton projektin e naftës.
Më shumë se një dekadë, një shkencëtar, politik amerikan, Terry Lynn Karl, përshkroi egërsisht mosfunksionimin e shteteve të naftës: Vendet që bëhen tepër të varura ndaj naftës dhe gazit sillen si ekonomi plantacionesh, të cilat mbështeten tek një trajektore e paqëndrueshme zhvillimi të ushqyer nga burime të shterueshme, të ardhurat e të cilave krijojnë një barrierë të pamëshirshme ndryshimi. Kjo është pikërisht ajo çfarë ka ndodhur në Kanada teksa e gjithë bota e kishte mendjen tek Lindja e Mesme. E prangosur nga arroganca e një lideri që ëndërron ndërtimin e një superfuqie të re energjetike, Kanadaja është bërë skllave e lakmisë së saj.
No comments:
Post a Comment