“Ftoj demokratët të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për atë që besojnë se do t’i çojë në fitore!”
Kur mbeten edhe 10 ditë nga votimi
për kreun e ri të Partisë Demokratike, nënkryetarja e selisë blu që një
javë më parë deklaroi se nuk kishte ambicie për drejtimin e partisë,
Jozefina Topalli, deklaroi dje se nuk ka ndërmend që të bëjë fushatë për
asnjë prej kandidatëve të shpallur tashmë, Lulëzim Basha dhe Sokol
Olldashi. Topalli ka gjetur një justifikim
për të shpallur qëndrimin e
saj. Duke iu referuar artikullit të një të përditshmeje, ku ndër të
tjera thuhej se Topalli ka bërë thirrje në Shkodër për të mbështetur
kandidaturën e Olldashit, vetë ajo e mohoi një gjë të tillë përmes një
postimi zyrtar në faqen e saj në Facebook. “Duke marrë shkas nga
përmendja e emrit tim në disa media të shkruara, të dirigjuara kryekëput
nga Edi Rama, për përfshirjen time në fushatën për zgjedhjen e
kryetarit të Partisë Demokratike, dua të sqaroj opinionin publik dhe,
veçanërisht demokratët, se ky është një mashtrim dhe trillim. E
konsideroj të padenjë, të papranueshme dhe të ulët përdorimin nga kushdo
të emrit tim. Ftoj demokratët të hedhin poshtë me përçmim insinuatat e
stisura nga Edi Rama me mediat e tij. Ftoj demokratët të votojnë sipas
ndërgjegjes së tyre për atë që besojnë se do t’i çojë në fitore!
Jozefina”, – shkruan Topalli në Facebook. Jozefina Topalli pësoi
disfatën më të madhe të marrë ndonjëherë në qarkun e Shkodrës, qark të
cilin ajo e ka përfaqësuar që prej hyrjes në politikë. Rezultati i PD-së
në Shkodër në zgjedhjet e fundit parlamentare lë për të dëshiruar,
ndërsa vetë ajo ende nuk ka mbajtur një qëndrim politik lidhur më këtë
rezultat. E vetmja dalje e Topallit deri më tash ka qenë ajo e pak
kohëve më parë, ku deklaroi për mediat se ajo nuk kishte asnjë ambicie
për të garuar për postin e kryetarit të partisë. Topalli nuk dha asnjë
koment tjetër, ndërsa prej ditësh në faqen e saj në Facebook, ajo ka
shpërndarë vetëm njoftimet e kryeministrit Sali Berisha. Topalli është
shprehur se ka qenë nder të punoje me Berishën. “…Kam qenë me fat dhe
fatlume që kam bashkëpunuar me Sali Berishën, i cili është arkitekti i
Shqipërisë moderne, i cili është lideri historik i Shqipërisë
demokratike dhe kjo është gjëja që më bën krenare”, është shprehur
Topalli. Qëndrimi pro Berishës në çdo politikë të ndërmarrë nga ky i
fundit lë të kuptohet qartë se Topalli do të anojë sërish andej nga do
të pozicionohet edhe kryetari ende në detyrë, Sali Berisha.
No comments:
Post a Comment