Alfred Lela
Fituesin e garës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, nuk e dimë me siguri, por sigurisht dimë që dyshja Basha-Olldashi do të jenë numrat 1 dhe 2 të këtij formacioni politik. Mund të rreshtosh cilësitë dhe mangësitë e njërit apo tjetrit, por më e ndershme do të ish të kuptoje se kombinimi i kësaj dysheje do të krijonte një fuzion të nevojshëm për një parti që, jo vetëm ka humbur thellë zgjedhjet e fundit të përgjithshme, por është dhe do të jetë nën shenjën e Sali Berishës edhe për ca kohë (mirë apo keq qoftë kjo).
Gara ku ata janë futur nuk është dhe aq sfidë ndaj vetes dhe kundërshtarit, sa është legjitimimi i një ere të re në Partinë Demokratike, e cila me këtë ndeshje rikthehet te vlerat e saj të fillimit të pluralizmit. Me një bonus parimin e ri ‘një anëtar, një votë’. Basha dhe Olldashi i japin Partisë Demokratike ngjyrat dhe tonet e dy kohëve të ndryshme në historinë e saj para 2005 dhe pas 2005. Te bashkimi i këtyre dy periudhave, opozitës së fortë dhe qeverisjes reformatore qëndron edhe ajo që quhet trashëgimi politike e Partisë Demokratike.
Basha dhe Olldashi, por edhe demokratët, qoftë të strukturave drejtuese apo bazës, duhet të kërkojnë elementët përplotësues dhe jo ndarës te njëri-tjetri. Atë që i mungon Bashës në histori opozitare e ka Olldashi, e çka këtij të fundit i mungon nga profili i një politikani që i kalon kufijtë e partisë së vet, e gjen te Basha.
Te ky përplotësim duhet kërkuar vizioni i drejtimit të PD, sepse vizioni është një cilësi që, të paktën në pamje të parë, fatkeqësisht dhe ndoshta hëpërhë, duket se u mungon të dyve. Për këtë vizion të munguar dhe derisa ky të sigurohet, qoftë nëpërmjet një kolegjialiteti, apo një këshilli të urtësh të së djathtës, prania në prapaskenë e z. Berisha është një benefit dhe jo një kosto siç komentohet, kryesisht nga kundërshtarët.
Partisë Demokratike i duhet ta nxjerrë veten nga forma mentis-i i një force antikomuniste. Në këtë sens nevoja për një lider që u apelon më shumë shtresave të shoqërisë, është edhe më e madhe. Antikomunizmi, jo si qasje kulturore, por si formë aksioni politik, duhet të zhvendoset nga regjistri i PD: është vjetëruar, nuk u thotë asgjë votuesve të rinj, aq më pak elektoratit gri; është një antiplatformë.
PD e një fryme të re, një togfjalësh që po qarkullon shumë në mjediset demokrate së fundmi, kërkon një konservatorizëm të ri i cili u mëshon vlerave kulturore të djathta, por nuk i largohet fizionomisë së një partie popullore liberale, të tillë siç e krijoi ahti i masave i vitit 1990. Te një platformë e tillë duhet orientuar opinioni publik, një pjesë e të cilit do të zgjedhë edhe kryetarin e ri të PD më 22 korrik. Sa i takon pikasjes së fitimtarit, apo atij që anëtarësia demokrate beson se do ta çojë në fitore në zgjedhjet e radhës, kjo i duhet lënë instinktit. Sepse baza e çdo partie e zotëron instinktin politik të shenjimit të fitimtarit ndër dy alternativa dhe mbi emrin e tij do të shkojë edhe kryqi apo plusi në fletën e votimit.
Duke mos harruar se Basha dhe Olldashi janë dy demokratë, ndërsa zgjedhja e njërit prej tyre, atij të duhurit, shkon përtej tyre dhe ka të bëjë me fatin e Partisë Demokratike, dhe sigurisht edhe me atë të Shqipërisë.
Duke mos harruar gjithashtu se kush fiton më 22 korrik, do të jetë përballë Edi Ramës dhe mazhorancës së tij arrogante në numra dhe me gjasa në revansh. Që do të thotë: kërkohet një lider me histori pozitive në ndeshjet me Ramën.
No comments:
Post a Comment