Monday, July 8, 2013

Papa Francesku: Më dhemb kur shoh priftërinj me makina luksoze

Disa besojnë që kënaqësia është në gjërat që posedojmë, si modeli i fundit i smartphonit, modeli i fundit i makinës, pirja e kafesë apo dreka në lokalet që janë më në zë, por nuk beson kështu kreu i katolikëve të botës, Papa Françesku. Papa kritikon pikërisht këtë model të të jetuarit të jetës, duke nisur që nga priftërinjtë.

“Më dhemb kur shoh një prift apo motër nderi në modelin më të ri të automobilit, kjo nuk bën”, tha me zë të lartë Papa Françesku duke folur dje para 6 000 katolikëve me të cilët u takua në Vatikan.

“Lumturia nuk krijohet për shkak të gjërave që posedohen, theksoi Papa duke folur pa tekst të shkruar”.

Ky ishte qëndrimi më i ashpër i Papës ndaj sjelljeve të njerëzve të Kishës Katolike, duke theksuar se nevojitet një ripërtëritje e themeltë e saj dhe se nga kjo nuk duhet pasur frikë. “Mua më vjen për të vjellë kur shoh ndonjë klerik në modelin e fundit të makinës. Nuk bën kështu. Mendoni se sa fëmijë në botë vdesin nga uria”, tha kreu i Kishës Katolike, duke shtuar se një lloj i tillë “lumturie” mbetet vetëm në sipërfaqe. Lumturia dhe kënaqësia e vërtetë nuk është në sende, por në takime, në ndjenjën që je i pranuar, i kuptuar dhe i dashur”.

Para se të blini makinën e re luksoze, mendoni për fëmijët që vdesin urie, tha Papa para të rinjve katolikë, kurse mediat thonë se kjo porosi ka të bëjë jo vetëm me të gjithë priftërinjtë brenda përbrenda Kishës, por deri te peshkopët dhe kardinalët.

(d.b/BalkanWeb)

No comments: