Politikani 31 vjeçar Lulzim Basha, koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) dhe zëdhendës i fushatës së PD-së, fitoi më 3 korrik 2005 në zonën elektorale 33 në Tiranë, bastion i fortë i të majtës, jo thjesht përballë kandidatit socialist Arben Ahmetaj, po kryesisht ndaj kryebashkiakut Edi Rama, që e kishte përflak zonën me postera të tij të shumtë sikur të ishte ai kandidati zyrtar.
Diplomacia euro-atlantike në Prishtinë (veçmas në korrik 2000, tetor 2001, nëntor 2002) dhe në Tiranë (janar, prill-maj, korrik 2005), si edhe PD në opozitë të përgjakur e gjallëri vitale për pushtet, po promovonte dhe vlerësonte personalitetin e ri politik dhe kontributet e Lulzim Bashës, prandaj e majta nisur edhe nga këto fakte donte patjetër ta rrëzonte që në betejën e parë elektorale në Tiranë në një zonë të majtë me 36.080 zgjedhës në lista – sa gjysma e popullsisë së sotme (INSTAT – 2013) të qarkut të Gjirokastrës.
Ky politikan me disa brezni lind e rritë në Tiranë, i shkolluar në Hollandë, i angazhuar mbi 7 vjet në organizma ndërkombëtare si UNMIK në Kosovë, korri fitoren e korrikut 2005 me 7.807 vota, që përllogariten numerikisht ma shumë se ato të kryetarit të PD, Sali Berisha – në Kavajë, të kryetarit të PS, Fatos Nano – në Sarandë, të kryetarit të LSI, Ilir Meta – në Skrapar, të sekretarit të Përgjithshëm të PS, Gramoz Ruçi – në Tepelenë, se sa dy nënkryetarët aktual të PD-së e sekretari i Përgjithshëm i saj, etj.
Askush, aq ma tepër vet politikani euro-atlantik Lulzim Basha, nuk do ta mendonte asokohe se kjo elektoriadë do të ishte një “betejë në distancë” me politikanin tjetër demokrat, Sokol Olldashin, i cili konkuronte në Shijak, në një zonë tepër të vështirë për nga rivaliteti me ish-ministrin socialist Agron Duka (sot deputet republikan) e me përballje të stafeve të tyre elektorale. Lulzim Basha kishte kundërshtarë të rreptë e të shumtë po bani një “fushatë të butë” dhe siguroi fitore të thellë me 1.475 vota ma shumë se rivali i tij politik i majtë, Arben Ahmetaj, dhe 501 vota ma shumë se sa deputeti demokrat Sokol Olldashi. Nëse do t’i marrim si blloqe politike, shohim se beteja e Bashës ishte ma e vështirë, pasi përveç A.Ahmetajt kishte edhe 13 kandidatë të tjerë që morën 2.056 vota, ndërsa Olldashi përveç A.Dukës kishte edhe 9 kandidatë të tjerë që morën 421 vota, disa herë ma pak.
Shifrat elektorale tregojnë se në zonën 33 të Bashës në Tiranë PD mori 876 vota, përndryshe: vetëm 5.18 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre, ndërsa në zonën 26 të Olldashit në Shijak PD mori 1.685 vota apo 11.22 për qind, përndryshe dy herë ma shumë.
Këto të dhana dëshmojnë se të dy politikanët e rinj Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi i kanë marrë votat ma së shumti nga vet figura e tyre politike e shoqërore, nga përpjekjet e tyre elektorale, që po t’i shohim edhe numrin e votave të secilit prej tyre, atëherë kemi të drejtë t’i themi të nesërmes që drejt teje po vijnë prej kohësh dy liderë demokratë me emër e me zemër, me profilet e individualitetin e tyre.
Sidoqoftë: 3 korrikut 2005 shenjon betejën e parë elektorale “në distancë” të dy kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha del me rezultate ma të mira se Sokol Olldashi, çka pritet të pasqyrohet edhe më 22 korrik 2013, pas dy mandateve parlamentare, në betejën e tyre ballëpërballë.
No comments:
Post a Comment