Është vajza e thjeshtë që kushdo mund ta takojë në rrugë e ta përshëndesë. Asaj vetëm qejfi do i bëhej. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar që nga vitet e mëparshme, por ama është fakt që ajo është kthyer në një nga aktoret më të spikatura të mbrëmjeve televizive të humorit. Aktorja kryesore e “Al Pazar”, me diplomë në Juridik, rrëfen vitin e suksesit në ‘Al Pazar’
Fakti që sezoni mbaroi nuk do të thotë që truri është nisur me pushime. Pas 22 javësh pune të përditshme për “Al Pazar”, është vështirë që pjesëtarët e stafit të ambientohen menjëherë me rënien e ritmit. Kështu ndodh dhe për Rudinën.
“Dje isha në Laç për të bërë dokumentet e makinës dhe sapo dëgjoja ndonjë shprehje e shkruaja në bllok. Nga dita kur ka nisur “Al Pazar” mbaj një bllok me vete për të shënuar batuta, apo shprehje që nuk i kam dëgjuar më parë. Po dhe babi që kisha me vete më thoshte herë pas here: shënoje dhe këtë ta kesh për emisionin”, tregon Rudina Dembacaj, ulur në një nga baret pranë “Vizion plus” ku stafi i “Al Pazar” vazhdon të mblidhet dhe pse fundjavën e kaluar kishin emisionin e fundit për këtë sezon. Duke qenë se në gusht do shpërndahen për pushime, por në tetor duhet të nisin gjithçka nga e para, madje megjithë përmirësimet dhe ndryshimet e rastit, po shfrytëzojnë ditët e korrikut për të biseduar mbi gjithçka kanë ndër mend të bëjnë në sezonin e ri. Rudina dallon lehtë, edhe për faktin që javët e fundit e kemi parë në rolin e vetes, pa gungën e Mjaftimes, parukën e Jozefina Topallit, apo kostumin e Ajes. Ka një pamje të freskët e të qetë dhe pse sapo i ka mbijetuar një sezoni spartan, më i gjati i gjithë programeve javore si në numër javësh dhe në orë transmetimi. Me sa duket pasioni i madh që e shpreh pothuaj në çdo fjali, ka vetitë e tij rigjeneruese. Dhe kur feedbacku ka qenë pozitiv përtej pritshmërive, arsyeja për të qenë e qetë është dhe më e madhe. Këtë e ndjen gjithandej. “Tani që kam dalë në skenë me monolog, njerëzit më njohin më shumë. Dhe kjo të them të drejtën më jep një kënaqësi shumë të madhe. Nuk mund ta imagjinoj të hiqem ndonjë ditë si parisiene e vogël e të them “uff, këta fansat po më bezdisin”. Ndodh që më bëjnë tolerime në parukeri, apo në estetikë. Një herë një zotëri na pagoi drekën kur isha me familjen në një restorant në Shëngjin. Ndihem e befasuar dhe e përkëdhelur. Jo për vlerën në para, por për vlerësimin që njerëzit më bëjnë”. Sidomos kur shkon në Lezhë ku jetojnë prindërit e saj e ku ajo është lindur e rritur, njerëzit e ndalojnë sa aty këtu. Fakti që e ka përmendur ccdo javë në emision qytetin e saj, ata ndjejnë se kanë diçka për ta falënderuar. Disa madje mendojnë se situatat e monologut janë 100 për qind të vërteta. “Kur më pyesin kush i shkruan tekstet dhe u them Agron Llakaj, habiten, sepse duket sikur ato janë të gjitha pjesë e jetës sime të vërtetë. Në të vërtetë, ca dhe janë, por duke qëndruar çdo mëngjes bashkë si staf, pak a shumë jeta jonë familjare dihet dhe Agroni është mbështetur në të. Sigurisht ca gjëra janë dhe të sajuara, por disa mendojnë se unë aty tregoj jetën time fill e për pe. Dhe tani që isha në Laç, dikush te servisi më pyeti “Si e keni Rozën”, për qenin që gjatë monologut të fundit, kish blerë mami im, por që në fakt nuk është e vërtetë”. Emri i të ëmës, profesionet e prindërve e detaje të tjera ama janë reale. Dhe ato bashkë me shumë elementë të tjerë, Rudina i ka shfrytëzuar vazhdimisht gjatë gjithë roleve të saj e jo vetëm ndaj monologut, i cili “është zhanri më i vështirë dhe fakti që e arrita dhe të sigurisht me mbështetjen e Agronit, më bën të ndihem me të vërtetë e realizuar në fund të këtij sezoni”. Origjina e ndryshme e prindërve të saj, për shembull është një nga elementët që ia ka pasuruar mjaft dialektet dhe ia ka fuqizuar potencialin imitues aktores së re.
Pozitë e favorshme gjeografike dhe gjenetike
I ati është malësor, ndërsa e ëma nga Vlora. Të dy kanë fise të mëdha dhe si rezultat, Rudina ka qenë gjithmonë e rrethuar nga karaktere të ndryshme që flisnin dialekte të ndryshme. Shto këtu faktin që në qytetin e saj në Lezhë ka shumë mirditorë, personazhin e Ajes, një miksim të grave mirditore, ajo e kishte pak a shumë të ndërtuar në kokë, që para se ta ngjiste në skenën e “Al Pazar”. Po Rudina ka nxjerrë në Pazar dhe shumë të njohur apo të afërm. Detaje nga të folurit e të sjellurit të tyre, mund t’i kishte të fiksuara që më parë, por pa idenë për t’i shndërruar në personazhe siç ishte roli i Mjaftimes. “Për shembull për rolin e Mjaftimes, një nuseje nga Vlora me namuz, kam pasur pak parasysh tezen time. Por ama deri të enjten në mbrëmje një ditë para se të niste “Al Pazar” nuk kisha karakter. Nuk kam bërë as prova gjenerale, pastaj e provova në mëngjesin e së premtes dhe të premten në darkë isha para publikut. Vetëm Agroni kishte besim dhe kjo më dha një mbështetje të madhe. Në të vërtetë gjithçka kam arritur në Al Pazar ka qenë falë Agron Llakajt, që më ka dhënë besim. Kjo gjë më ka bërë që dhe unë ta marr çdo rol me më shumë përgjegjësi. Kjo frymë ka mbizotëruar gjithmonë në ekipin tonë. Nëse do kishte skepticizëm, atëherë dhe unë do stepesha dhe nuk do arrija të jepja maksimumin.” Në të vërtetë Rudina e ka nisur rrugëtimin në skenën e “Portokalli”-së ku ka imituar Jozefina Topallin, apo Sidrit Bejlerin, çka do të thotë që provën e përballjes me publikun e kish kapërcyer që në sezonin e 2010-ës, por në “Al Pazar” ajo mori për herë të parin rolin e aktores kryesore, çka do të thotë që detyra iu bë shumë më e vështirë e duhej normalisht shumë më tepër përgjegjësi. Përveç personazheve, ka vazhduar dhe këtu me imitime, ku nuk mund të mungonte Jozefina Topalli, personazhi që e bëri të njohur. Kujton që i është vrarë veshi që në fushatën e 2009-ës me kryetaren e Parlamentit, atëherë kur punonte në televizionin lokal të Shkodrës. Sepse për ata që nuk e dinë, Rudina jo vetëm nuk ka lindur në Tiranë, por as nuk ka ardhur këtu me sebepin e shkollës së lartë. Historia e saj është me të vërtetë nga ato tërheqëset e talenteve të reja, të cilët kanë punuar shumë për të mbërritur në vendin e ëndërruar, që për të është skena.
Shumë punë për një pasion
“Unë kam studiuar juridik në Shkodër. Gjatë viteve të shkollës punoja në televizionin lokal të qytetit ku bëja një emision me gratë që kishin kontribuar për Shkodrën dhe rajonin. Kanë qenë zgjedhjet e vitit 2009, kur Jozefina Topalli vinte shpesh për fushatë dhe unë e kisha dëgjuar shumë herë nëpër kronika, në montazh, pasi mikesha ime e ngushtë është gazetare. Aty m’u vra veshi dhe nisa ta imitoja. Me të më dëgjuar motra ime, këmbënguli që të merrja pjesë në audicionet e Portokalli-së.” Erdhi dhe ishte pikërisht Agron Llakaj që e dëgjoi në audicionin e parë. Thirri dhe aktorë të tjerë, skenaristët dhe regjisorin Altin Basha dhe u dha “ok” për ta pranuar “Jozefinën” nga Lezha. Duket kohë e gjatë e kaluar që atëherë. Pas atij sezoni me kujtime shumë të mira gjithsesi, Rudina u gjend pa një rol të ri dhe ndryshe e papunë. “Kam kaluar një periudhë të vështirë si e papunë. Tentova të hyja në profesionin tim si juriste por ishte e pamundur. Unë në të vërtetë kam bërë shumë punë, kam punuar në televizion, si gazetare terreni në emisionin e mëngjesit të televizionit të Shkodrës, si menaxhere reklamash, apo me grupet e promocioneve. Kjo më ka ndihmuar të di të punoj fort, por dhe të kuptoj sesa dashuri e madhe është për mua të jem aktore humori e të ngjitem në skenë.” Gjatë periudhës bosh që pasoi sezonin debutues të Rudinës, në të vërtetë ndodhi diçka tjetër që i mbushi ditët. “Ato kohë u kujdesa për motrën që ishte shtatzënë, u ktheva paksa në një vajzë shtëpiake. Dhe tani që ka lindur vajza e saj Hana, që është nëntë muajsh, kam dhe një dashuri tjetër të madhe në jetë”. Nuk është për t’u habitur, aq më tepër nga një si Rudina, shumë e dhënë pas familjes dhe fisit të saj të madh: vetëm djem xhaxhallarësh ka 13, dhe si me gjithë kushërinjtë e tjerë të parë ka një marrëdhënie shumë të ngrohtë, që të çmendet pas një vogëlusheje të ëmbël. “Ky fis i madh më ka bërë të jem njeri social, t’u flas të gjithëve, të mos paragjykoj njeri.” Prandaj dhe kudo që shkon bën miq, që i shtohen shoqes së ngushtë të Lezhës, motrës që e ka dhe shoqe (madje dhe menaxhere njëfarësoj “Ardi Asllani e ka kujdes pamjen time dhe jam shumë e kënaqur me të, për gjithçka tjetër kujdeset ime motër, unë nuk mund të dal pa shopping për të.”), si Xheni për shembull, aktorja e ‘Portokallisë’, e cila është një new entry shumë e dashur e grupit të mikeshave të Rudinës, vetëm se tani ka gjithmonë e më pak kohë, për t’u mbledhur. “Më parë kishim një ditë në javë që takoheshim, ndërsa tani mund të kalojnë disa pa u parë, ama po të takohemi është si të ishim mbledhur një ditë më parë”. Këto kohë dhe me të fejuarin, fotografin dhe kameramanin që ka punuar me të në televizionin lokal, me të cilin bashkëjeton shihet gjithmonë e më rrallë, jo vetëm prej punës me orare të zgjatura. Nuk duhet të harrojmë që është shtuar dhe një dashuri tjetër e madhe, siç është mbesa e vockël. Megjithatë Rudina duket se ia del të mos e humbasë fillin që i mban bashkë gjithë copëzat e jetës së saj, përbërja kryesore e të cilit është sigurisht humori. Një talent i lindur që dhe pse pa një formim akademik në këtë fushë (“Profesorin unë e kam gjithsesi, është drejtuesi im, Agron Llakaj”) e ka bërë të spikasë në skenë. Por është dhe prej disiplinës që ajo ka në punë në çdo aspekt. Nuk ankohet asnjëherë për grimin që i bëjnë, apo kostumet që i veshin. “Unë ulem dhe nuk kundërshtoj për asgjë. Secili ka punën e vet. Nëse kështu është e mira e rolit, nuk kam pse bëj teka. Po dhe në skenë nuk dal asnjëherë nga kornizat e skenarit. Sigurisht ruaj disa surpriza të vogla që nuk i them që në prova, ama nuk përmbys skaletën. Kjo do të thoshte të të hipi vetja në qejf”. Dhe me Rudinën nuk ka ndodhur. Ajo është falënderuese për këdo që e ka ndihmuar, veçanërisht Agron Llakajn. Është e lumtur për këtë që ka arritur dhe i bëhet qejfi pa masë kur dikush e komplimenton, por pa dalë nga konturet e Rudinës së dikurshme. Ngjan me të vërtetë me vajzën e derës ngjitur por që është bërë një yll.
Dhuratë për ditëlindje
Për 26-vjetor i bleu vetes një makinë të re. “Por jo sepse doja të shisja mend me makinën, të dilja me këpucën me taka në fillim e me një shkundje flokësh nga pas. Dhe pse kushdo që më shihte më thoshte: akoma me këtë ‘sobën’? Soba ime ishte përplasur përpara, kroskotën e kishte të hapur dhe më ngjante si tavolinë, por mua më pëlqente shumë. Çfarë nuk kisha në ‘sobë’: shapka, llak flokësh, çanta…E ndërrova vetëm për një arsye sepse i ishte prishur kondicioneri. Tani kam premtuar që këtë makinën e re do e laj më shpesh. Dhe nëse ajo i bleu vetes një makinë, të tjerët sigurisht nuk e lanë pa dhurata. Një tjetër që e mësuam dhe ne të Mapo-s është ky shërbim fotografik nga i fejuari fotograf Edi
/MAPO Online/
/MAPO Online/
No comments:
Post a Comment