Friday, July 12, 2013

Rusmaili: Ne u dhamë aleatëve 76 mijë vota, ata vetëm 14 mijë

Shkruar nga Rexhep Polisi
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmaili bën një analizë për zgjedhjet e 23 qershorit, ku shprehet se PD u dha aleatëve 76 mijë vota, ndërsa ata vetëm 14 mijë vota.
Në një shkrim të botuara tek “Panorama’, ndër të tjera Rusmaili shkruan se, në harkun e katër vjetëve bashkëqeverisje, në vigjilje të lidhjes së marrëveshjes së re të koalicionit, mund të thuhej me siguri se PD-ja
nuk mund të kishte asnjë arsye apo justifikim për t’u ndier në “borxh”, apo për të pasur “frikë”.
Ai shkruan se, po t’i linim PR, PDIU, LZHK, PDK, PLL jashtë formulës së Dushkut, ata mund të na dëmtonin rëndë. Analiza e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2009 tregon se këta aleatë, të cilët me aq zell i përfshimë këtë herë në listat e kandidatëve të PD-së në pozicione fituese, nuk kanë pasur kurrë ndikimin elektoral që kanë pretenduar.
Nëse lexojmë shifrat e zgjedhjeve të vitit 2009 të zbërthyera sipas formulës së sistemit tonë proporcional rajonal, del së vetëm në 2 qarqe këta aleatë (duke llogaritur votat sipas koalicioneve të kohës dhe pa LZHK dhe PDK që nuk ka qenë pjesë e jona në ato zgjedhje) kanë ndikuar në rezultat për të shtuar mandat, kanë ndihmuar PD-në me “një grusht” votash, siç e parashikon sistemi.
Këto qarqe dhe analiza e kontributeve është si vijon:

BERAT
PD kishte 7.730 vota tepricë mbi deputetin e dytë. Ata e ndihmuan me 3.838 vota që i mungonin për deputetin e tretë.

DURRËS
PD kishte 9.738 vota tepricë mbi deputetin e gjashtë. Për deputetin e shtatë i duheshin dhe 9770 vota. Ata e ndihmuan me 5445 (aq kishin).

Në qarqet e tjera, mungesa e votave të PR, PLL, PDIU nuk bën diferencë në shpërndarjen e mandateve.
Pra, shifrat tregojnë se në vitin 2009 këta aleatë na kanë ndihmuar për 2 mandate me 9795 vota gjithsej. 9795 vota nuk përbëjnë 11 mandate, por edhe sikur t’i marrësh të gjitha bashkë, nuk japin dot as 1 mandat. Në katër vjet qeverisje, aleatët këto vota i kanë përkthyer shumëfish në pushtet politik dhe administrativ. Nuk po ndalem të sjell në vëmendje se si ia kanë parë “hairin” këtij pushteti, sepse besoj se këtë nuk ka njeri që nuk e di. Për më tepër nuk dua të largohem nga argumenti, por ia vlen të theksoj se PD-ja nuk mund të ndihej dot në borxh për kaq kontribut, nuk mund të ndihej në borxh ndaj partive që nuk kanë qenë pjesë e aleancës së vitit 2009 (LZHK, PDK) dhe kurrsesi nuk mund ta zmadhonte disproporcionalisht këtë kontribut, pa nëpërkëmbur interesin e vet legjitim politik.
Së katërti, tani që zgjedhjet e 23 qershorit kanë mbaruar dhe rezultati ka dalë, analiza e shifrave mund të bëhet dhe për këto zgjedhje, pesha specifike e secilit në këtë raport mund të kuantifikohet jashtë çdo lloj dyshimi, se kush ka hyrë në “borxh” dhe kush ka bërë “ndere” me votat e mbështetësve te vet mund të deklarohet hapur.
Në zgjedhjet e 2013 situata paraqitet si vijon:
PD-ja i ka dhënë një mandat LZHK-së në Tiranë me 14047 vota (totali i votave të vlefshme te APMI / mandatet e fituara nga APMI).
PD-ja i ka dhënë një mandat PDIU-së në Fier me 13069 vota.
PD-ja i ka dhënë një mandat PR-së në Korçë me 11341 vota.
PD-ja i ka dhënë një mandat PDK-së në Shkodër me 10874 vota.
PD-ja i ka dhënë një mandat deputetit Kastriot Islami në Tiranë me 14047 vota.
PD-ja i ka dhënë një mandat deputetit Gjovalin Kadeli në Lezhë me 12967 vota.
Pra, shifrat tregojnë se PD-ja u ka dhuruar drejtpërdrejt, në këto zgjedhje, këtyre aleatëve, 6 mandate jopërfaqësuese me 76345 vota të pastra demokratësh. Kurse për marrëdhëniet brenda koalicionit, shifrat e zbërthyera sipas formulës që parashikon Kodi Zgjedhor tregojnë:
PD (disa herë edhe me aleatët e vegjël) nuk ka pasur nevojë për votat e PR, PDIU, PLL, PDK, LZHK në asnjë qark përveç Kukësit për të marrë mandatet e saj. Në të vetmin rast PD është ndihmuar në Kukës me 4190 vota (gjithmonë kjo vlen nëse mandati i Kukësit ruhet, përndryshe ky kontribut është i pavlefshëm).
Në rastin e Elbasanit, Korçës dhe Vlorës, PD ka ndihmuar përkatësisht PR (Elbasan dhe Korçë) dhe PDIU (Vlorë) me një total prej 17 550 votash.
Në rastet Durrës, Fier dhe Tiranë, PD ka mbrojtur mandatet e veta duke pasur edhe tepricë votash, por teprica e tyre nuk ka qenë e domosdoshme për partitë aleate për sigurimin e mandateve të tyre.
Kjo është e vërteta kokëfortë e shifrave. Edhe në këto zgjedhje shifrat e “borxheve” dhe të “ndereve” janë saktësisht këto: PD u ka “dhuruar” aleatëve të Dushkut 76 345 vota, u ka bërë “nder” me 17 550 vota dhe ka hyrë në “borxh” tek ata me 4190 vota. Një hesap si ky mund ta quajë me leverdi vetëm dikush që i ka votat tepër, por jo ai që i dhimbset çdo votë e votuesve të vet, jo ai që respekton sistemin proporcional rajonal që kemi në fuqi dhe që jep e merr prej tij vetëm çfarë ai i lejon.
Historia e zgjedhjeve të mëparshme në Shqipëri ka treguar se të mëdhenjtë ia kanë parë sherrin si Dushkut të thjeshtë, ashtu dhe Megadushkut. Fatos Nano në vitin 2001 e kërkoi Dushkun për t’u bërë me çdo kusht President, por President nuk u bë dot, edhe pse kishte votat. Presidentin e zgjodhi kundërshtari i tij, Sali Berisha. Fatos Nano nisi Megadushkun për të fituar zgjedhjet e vitit 2005, por Berisha iu përgjigj me të njëjtën skemë dhe ia neutralizoi efektin. Nano humbi zgjedhjet (jo vetëm për këtë shkak). Fitorja i buzëqeshi Berishës. Në zgjedhjet e 2013-s Dushku perfekt dogji atë që e solli Dushkun si zgjidhje shpëtimtare. Berisha humbi zgjedhjet (jo vetëm për këtë shkak, edhe pse është njohur gjerësisht si një shkak i rëndësishëm). Zgjedhjet i fitoi Rama. Dushkut ia panë hairin vetëm aleatët e vegjël (të tjerët).
Prandaj duhet thënë pa mëdyshje: Dushku nuk ia vlen. Me Dushkun fitojnë gjithmonë të tjerët.
Dushku në vitin 2001 prodhoi 10 mandate jopërfaqësuese, të gjitha në favor të partive të vogla. Prapëseprapë ideatori i Dushkut humbi. Megadushku në vitin 2005 prodhoi të paktën 15 mandate jopërfaqësuese, të gjitha në favor të PR-së dhe PSD-së. Prapëseprapë ideatori i Megadushkut humbi. Dushku perfekt i këtij viti prodhoi me gjasë 9 mandate jopërfaqësuese në favor të LSI-së, PBDNJ-së, PR-së, LZHK-së, PDIU-së, PDK-së dhe dy socialistëve të revoltuar. Prapëseprapë ideatori dhe mbështetësi publik i këtij Dushku (Rama e ka zbatuar, por e ka mohuar publikisht) humbi. Pyetja që shtrohet në mënyrë të paevitueshme në këtë pikë është: Kur historia e Dushkut ka qenë kaq e pamëshirshme, si është e mundur që Dushku ndërron formë, por gjithmonë përsëritet?
Unë besoj se kjo pyetje e ka të pamundur përgjigjen sa kohë që baballarët e Dushkut heshtin dhe nuk rrëfehen kurrë për shkaqet që i çojnë në gabim. Për sa më takon, unë ende ndiej nevojën të kuptoj pse duhej patjetër koalicioni i Dushkut, pse nuk behej dot ndryshe, pse nuk bëhej dot si në vitin 2009, kush ishte rreziku, kush refuzonte, çfarë prisnim, çfarë synonim. Në forcën time politike besoj se nuk jam i vetmi që kërkon të dijë, kërkon të kuptojë. Jam përpjekur që të kuptoj që në kohën kur Dushku po ngjizej dhe marrëveshja e koalicionit nuk ishte lidhur akoma. Në atë kohë eksponentë të nivelit me të lartë të lidershipit të partisë më shprehnin vetëm një hall, një qëllim, një shqetësim: kishin hallin e ndonjë kryetari partie aleate, të cilin e donin me çdo kusht në Parlament, e donin në pozicion të garantuar në listën e kandidatëve të PD-së. Nuk e kuptoja atëherë, nuk e kuptoj dot as sot. Nuk e besoja atëherë, por s’kam si të mos e besoj sot.

SHENIM:
Ata që kanë kërshëri për llogaritjen për çdo qark, mund ta gjejnë të parashtruar më poshtë:
Zgjedhjet 2013:
(Kjo përllogaritje bazohet në të dhënat zyrtare sipas gjendjes më datë 9.7.2013)
BERAT
APMI ka marrë vetëm 2 mandate në qarkun Berat. Për sigurimin e këtyre mandateve ky koalicion nuk ka të nevojshme votat e PR, PDIU, LZHK, PLL, PDK, por i siguron mandatet duke u mjaftuar me votat e PD dhe aleatëve të vegjël.
DIBER
APMI ka marrë 3 mandate në këtë qark. APMI, për të siguruar këto 3 mandate, mund të mjaftohej vetëm me votat e PD, pa nevojën e aleatëve të saj.
DURRES
APMI ka marrë 6 mandate (5 mandate PD, 1 mandat PR). Në këtë qark PD-së i mjaftojnë votat e veta pa aleatë për të siguruar 5 mandate, duke i mbrojtur këto mandate me 2766 vota tepër.
ELBASAN
APMI ka marrë 6 mandate në këtë qark (4 PD, 1 PDIU, 1 PR). PD i siguronte këto 4 mandate edhe pa nevojën e votave të aleatëve, duke ndihmuar aleatët me 9696 vota.
FIER
APMI ka marrë 5 mandate në këtë qark (4 PD, 1 PDIU). PD i siguronte këto 4 mandate edhe pa nevojën e partive aleate, duke mbrojtur mandatin e katërt me 7297 vota tepricë.
GJIROKASTER
PD ka marrë një mandat në këtë qark. Këtë mandat PD e siguronte edhe pa ndihmën e votave të partive aleate.
KORÇE
APMI ka marrë 5 mandate në këtë qark (4 PD, 1 PR). PD e merrte edhe e vetme pa votat e aleatëve mandatin e katërt, duke i tepruar madje 7854 vota në mbrojtje të këtij mandati. Ndërkohë, PR nuk e merrte ndryshe këtë mandat veçse duke u ndihmuar nga votat tepër të PD.
KUKES
APMI ka marrë 3 mandate në këtë qark dhe të tria i ka marrë PD. PD nuk i merrte këto mandate pa ndihmën e aleatëve dhe ka pasur nevojë për 4190 vota të tyre për ta marrë mandatin e tretë.
LEZHE
APMI ka marrë 3 mandate në këtë qark dhe të tria mandatet i ka marrë PD. PD i siguronte këto tri mandate edhe pa ndihmën e votave të aleatëve.
SHKODER
APMI ka marrë 5 mandate në këtë qark dhe të gjitha mandatet i ka marrë PD. PD-së i kanë mjaftuar votat e veta dhe nuk ka pasur të nevojshme ndihmën e aleatëve për të siguruar 5 mandate.
TIRANE
APMI ka marrë 13 mandate (11 PD, 1 PR, 1 PDIU). PD-së do t’i mjaftonin votat e saj për të marrë 12 mandate, madje duke e mbrojtur mandatin e 12-të me 6870 vota tepër.
VLORE
APMI ka marrë 4 mandate (3 PD, 1 PDIU). PD me aleatët e vegjël e merr mandatin e tretë pa ndihmën e PR, PDIU, LZHK, PLL, PDK, madje ndihmon PDIU-në për sigurimin e mandatit të saj me 6336 vota.

No comments: