Thursday, May 30, 2013

Hiqet bllokada anti-BE, Rama voton 3 ligjet pas 232 ditësh. Ndërkombëtarët: Ditë e rëndësishme për Shqipërinë

Pas një seance të tensionuar ku dominuan akuzat dhe kundërakuzat mes deputetëve të PS-së dhe kryeministrit Berisha, Kuvendi arriti të miratojë paketën e integrimit. Mazhoranca dhe opozita bashkuan sot votat dhe miratuan “pro” ligjit të Gjykatës së Lartë, ligjit për nëpunësin civil, si edhe për reformën parlamentare. Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës votuan me 108 vota “pro” dhe 1 abstenim për Gjykatën e Lartë, me 107 vota “pro” për ligjin e nënpunësit civil dhe me 108 vota “pro” dhe 1 abstenim reformën parlamentare.
Gjithashtu Kuvendi miratoi me 67 vota “pro” shtyrjes së amnistisë deri në dhjetor të vitit 2013. Seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit është ndjekur nga afër edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth.

Eugen Wollfarth: Ditë e rëndësishme për Shqipërinë

Menjëherë pas miratimnit të tre ligjeve ka reaguar edhe kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth. Në një prononcim për median ai deklaroi se me miratimin e ligjeve hapet rruga për hapat e mëtejshëm të reformave. “Gjithë shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lumtur për këtë hap konstruktiv, që e kemi mirëpritur unë dhe stafi im. Dite e mire sidomos për hapjen e rrugës drejt reformave në këtë vit vendimtar për Shqipërinë. Do doja të përgëzoja ata që janë marrë me përgatitjen e tyre dhe ata që i miratuan këto tre ligje konstruktive për vendin. OSBE është pjesë dhe do të jetë pjesë e përpjekjeve për një të ardhme më të mirë, e reformave, se integrim do të thotë më shumë paqe dhe prosperitet”- tha ai.

Zoti Ambasador, sot u mbyll seanca me miratimin e tri projektligjeve, që për këtë legjislaturë është edhe e fundit. Bashkë me këtë mundësi, u mbyll edhe mundësia për rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve...

“Dita e sotme është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ajo hapi rrugën, me hapa të rëndësishëm të reformës, drejt një të ardhmeje edhe më të mirë. Mendoj se gjithë njerëzit që jetojnë në këtë vend kanë arsye për të qenë shumë të lumtur. Ky është një hap konstruktiv në ndërtimin e një të ardhmeje të mirë për Shqipërinë. Unë dhe stafi im e mirëpresim këtë. Ky hap konstruktiv është veçanërisht i rëndësishëm sepse ai hap rrugën konstruktive për gjysmën e dytë të vitit, pasi ky vit vijon të jetë vendimtar për Shqipërinë. Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e këtyre ligjeve dhe në miratimin e tyre sot. Nuk mund të resht së thëni: ishte hap i rëndësishëm për një të ardhme konstruktive të Shqipërisë. OSBE-ja ishte, është dhe dëshiron të jetë pjesë e procesit të reformave, në të ardhmen, përmes Prezencës së saj në Shqipëri dhe ne jemi të gëzuar që mund të kontribuojmë. Integrim evropian do të thotë më shumë paqe, më shumë mirëqenie dhe kjo është pikërisht arsyeja për të cilën ne japim mbështetjen tonë këtu. Personalisht, jam shumë i çliruar që ky hap u mor sot dhe ndoshta ky është edhe emocioni që ka ngjallur ky miratim në të gjithë vendin: është një ditë çlirimi dhe e çeljes së të ardhmes e le të jetë një ditë e lumtur”.


Por mbyllet edhe mundësia për rikompozimin e KQZ-së...

 “Njeriu duhet të jetë optimist. Unë, sigurisht, që e kam thënë atë që kam pasur për të thënë për KQZ-në. Ne do të dëshironim dhe vijojmë të dëshirojmë një KQZ të plotë, por le ta ndajmë këtë nga hapat e ndërmarrë sot. Sot pamë konstruktivitet dhe kur ndërton një vend dhe një të ardhme më të mirë, nuk mund të reshtësh kurrë së qeni konstruktiv.”

Ettore Sequi: Palët treguan se mund të bashkëpunojnë
Ambasadori i Bashkimit Evropian Etore Sekui ka mirëpritur miratimin e paketës së Bruksel në Kuvendin e Shqipërisë. Në një pronioncim ëpr medit ambasadori është shprehur optimist se shqiptarët i kanë të gjitha kapacitetet për të punuar për të mirën e vendit. Sipas tij miratimi i 3 ligjeve i rëndësishëm, kjo një provë që dëshmon se palët mund të bashkëpunojnë për vendin.

No comments: