Sunday, April 21, 2013

Hetuesi: Balluku më deponoi se Petrit Dume kishte kundërshtuar heqjen e gradave

NGA: FATOS VELIU
Zoti Kristofor. Një ndër akuzat apo pistat e hetimit tuaj ndaj grupit të gjeneralëve më të rëndësishëm të viteve '70 dhe në veçanti ndaj Beqir Ballukut ka qenë edhe "Sabotimi i Vijës së Partisë së Punës së Shqipërisë, (PPSH-së) në Ushtri".
Pyetja ime pra në këtë numër të radhës, zoti Martiro, është se si vijoi dhe konkludoi hetimi që ju i bëtë Ballukut në drejtim të akuzës për veprimtarinë e tij armiqësore dhe sabotuese të vijës së PPSH-së në ushtri?


Së pari do të doja të qëndronim paksa edhe në lidhje me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe "Antitezat" e Ballukut, për të cilat e kishte kryqëzuar Enver Hoxha, ku folëm hollësisht nga numri i kaluar. Për rikujtesë mund t'ju them se sipas materialit të Këshillit të Mbrojtjes, "Antitezat", ose siç u quajtën ndryshe "Materiali i Zi", përgatitur nga Beqir Balluku, binin në kundërshtim me kriteret, parimet e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes për realizimin e fitoreve në luftën popullore. Ajo që kam merak është fakti i një lapsusi të bërë nga shkrimi i kaluar pikërisht në momentin kur është rrëfyer nga Beqir Balluku në lidhje me fajësinë e Hito Çakos dhe Petrit Dumes.
Mund ta përsëritësh deklaratën e Ballukut në lidhje me problemin në fjalë? Balluku i mori përsipër të gjitha dhe doli ashtu si tha ai në të vërtetë. Ai deklaroi se: "Unë e krijova grupin e punës dhe dhashë udhëzime për përgatitjen e këtij materiali. Nuk u konsultova, as me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petrit Dumen, as me Hito Çakon, për krijimin dhe udhëzimet që i dhashë grupit për përgatitjen e materialit. Ata morën dijeni më vonë, se një grup po punonte një material në zbërthim të vendimeve të Plenumit XII të KQ të PPSH-së. Ata u njohën edhe me disa fashikuj të materialit që po përgatitej nga grupi i punës. Madje, kanë bërë edhe shënimet e tyre mbi këta fashikuj. S'janë dakord me çështjet që shtroheshin në material, por vetëm kaq dhe nuk janë ulur për të diskutuar me mua", - u shpreh gjatë hetimeve Beqir Balluku.
Sipas tij, fashikujt me shënimet e Petrit Dumes dhe Hito Çakos duhej të ishin në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ju thatë se i vërtetuat deponimet e tij dhe dolën të sakta, apo jo? Pikërisht këtu është dhe lapsusi i djeshëm, se unë për të vërtetuar deponimet e Beqir Ballukut kërkova në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjeta fashikujt e materialit që po përgatitej, me shënimet e Petrit Dumes dhe Hito Çakos, ku ata shpreheshin qartë dhe saktë: "Nuk jemi dakord me shumë çështje që trajtohen në material lidhur me mbrojtjen e vendit".
Jua kuptova qartë merakun që shprehni, ndërsa më duhet të rikujtoj pyetjen e radhës, se si vijoi dhe konkludoi hetimi që ju i bëtë Ballukut në drejtim të akuzës për veprimtarinë e tij armiqësore dhe sabotuese të vijës së PPSH-së në ushtri? Ashtu është. Pas përfundimit të hetimeve në linjën e parë, hetimet me të pandehurit vazhduan me akuzën që iu bëhej atyre nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, të cilën sa e përmendët dhe juve:
"Për veprimtari armiqësore dhe sabotuese ndaj vendimeve të partisë;
- Për revolucionarizimin e ushtrisë;
- Për Letrën e Hapur të vitit 1966;
- Për heqjen e gradave;
- Për vendosjen e komiteteve të partisë, komisarëve politikë, vijën e masave në ushtri etj.
Si ishte ajo akuza specifike, për krijimin e një Komiteti politik të posaçëm vetëm për ushtrinë? Të pandehurit dhe kryesisht Beqir Balluku, hetimin e të cilit e bëja unë, akuzoheshin për krijimin e një Komiteti Qendror të Partisë në ushtri, i cili sipas tyre ndodhej brenda KQ të PPSH-së, si një strukturë e veçantë për realizimin e qëllimeve të tyre armiqësore dhe komplotiste.
Ku synonte aludimi i kësaj akuze? Pra, aludohej që ushtarakët e lartë, shtatë anëtarë dhe kandidatë të Komitetit Qendror, kishin krijuar edhe organizmin e tyre, që sipas akuzës ishte një Komitet Qendror i veçantë.
Po. Dhe si vijonte kjo akuzë e çuditshme, që për kohën mund të të duket edhe paradoks? Sipas materialit, këta persona kishin bërë edhe mbledhje si aparat i Komitetit Qendror. Se kishin shtruar probleme, pra ishin shkëputur nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së.
Çfarë ka deklaruar vetë Beqir Balluku, zoti Martiro, në çastet kur ju e keni pyetur për këtë akuzë kaq të çuditshme të gatuar në zyrat qendrore të politikës së asaj kohe? Në lidhje me këtë akuzë, të pandehurit deklaruan se kishin udhëzime nga udhëheqja e lartë e partisë, se ata, si anëtarë dhe kandidatë të Komitetit Qendror të Partisë që ishin, të bënin konsultime për problemet që kishin në ushtri. Ndaj dhe kishin bërë disa konsulta, por gjithsesi nuk kishin vepruar si një forum partie dhe nuk merrnin vendime të detyrueshme për t'u zbatuar nga forumet dhe organizatat e partisë në ushtri, apo komandat ushtarake.
Hetimet tuaja për këtë rast? Nga hetimet e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku, nuk u vërtetua se ata kishin krijuar një KQ si aparat të veçantë, nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqja e saj.
Pra edhe Beqir Balluku nuk i pranoi akuzat, apo jo? Ashtu është. Gjatë hetimit, ish-ministri i Mbrojtjes nuk i pranoi këto akuza, duke thënë se ai asnjëherë nuk iu ishte kundërvënë vendimeve të Partisë së Punës së Shqipërisë për revolucionarizimin e ushtrisë. Beqir Balluku u shpreh se kurrë nuk kishte pasur rezervë për vendosjen e masave revolucionarizuese në ushtri dhe se kishte punuar me ndërgjegje për zbatimin e tyre.
Ai kishte qenë dakord plotësisht për heqjen e gradave në ushtri dhe kishte dhënë i pari shembullin për heqjen e tyre.
Në ç'mënyrë kishte dhënë shembullin në heqjen e gradave kur ishin detyruar ta zbatonin të gjithë? Siç më rrëfente teksa e pyesja, siç po më pyesni ju mua, pas vendimit të partisë për heqjen e gradave ai kishte veshur një uniformë pa gradat e gjeneralit dhe kishte vendosur kapelen e modelit kinez në kokë dhe me këtë uniformë kishte dalë nga zyra e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, që të shikonin edhe vartësit, ushtarakë dhe civilë. "Kur dola nga zyra dhe hipa në makinë, i thashë shoferit se si dukesha me uniformën pa grada. Ai më tha se dukesha tamam si një karrocier i mirë. Pas këtyre fjalëve qesha me të madhe", - tha Beqir Balluku, teksa shpjegonte situatën në të cilën u ndodh pas heqjes së gradave.
Mirë për vete ai tregoi se e kishte pritur qetësisht pa kundërshtime dhe e kishte zbatuar menjëherë vendimin politik të heqjes së gradave, po për kolegët e tij, drejtuesit madhorë të dikasterit që drejtonte, çfarë tha për reagimin apo mosreagimin, pasi kam dëgjuar shumë thashethemnaja për atë situatë. Pra, ju ka dëshmuar gjë kur keni qenë në hetimin e asaj situate? Për qëndrimin e mbajtur nga të pandehurit e tjerë Beqiri deponoi:
"Gjatë një mbledhjeje me kuadrot në kohën kur diskutohej heqja e gradave, Petrit Dume u shpreh se ishte kundër heqjes së gradave, me mendimin se do të dobësohej kështu disiplina në ushtri. Të këtij mendimi ishin edhe disa kuadro të lartë të ushtrisë. Por kur u mor vendimi nga PPSH-ja për heqjen e gradave në ushtri, edhe Petriti dhe të tjerët u solidarizuan me vendimin e marrë".
Po deponimet e Petrit Dumes në lidhje me gradat, kush ishin? Në të njëjtën linjë ishin edhe deponimet e Petrit Dumes. Ai u shpreh se Beqir Balluku kishte qenë që në fillim dakord me heqjen e gradave në ushtri, ndërsa ai vetë nuk kishte qenë dakord, me mendimin se kjo ndikonte në indisiplinimin e ushtrisë, shthurjen e saj disiplinore, pasi nuk do të kishte hierarki ushtarake. I pandehuri tha se mendimet e tij kishin qenë të gabuara, por pa prapavijë ideologjike, pasi atëherë ishin në fazën e diskutimit, ndërsa kur u mor vendimi ai ishte plotësisht dakord me vendimin e marrë nga PPSH-ja dhe se nuk kishte nostalgji edhe më pas për gradat e gjeneralit.
Po për rolin udhëheqës të partisë në ushtri, për të cilën është akuzuar rëndë në atë kohë, çfarë ju ka dëshmuar vetë Balluku teksa e keni pyetur gjatë asaj periudhe të fundit të jetës së tij? Lidhur me rolin udhëheqës të PPSH-së në ushtri, Beqir Balluku deklaroi se kishte qenë me ndërgjegje për vendosjen e komisarëve, për rolin e komiteteve drejtuese të partisë, për zbatimin e vijës së masave dhe se ai kishte punuar me bindje për zbatimin e orientimeve të partisë për të vënë në jetë këto masa.
Ore zoti Kristofor! Dua të di nëse ka pranuar ndonjë faj apo gabim të vetin Balluku, apo të gjitha akuzat i ka rrëzuar dhe hedhur poshtë me lloj-lloj arsyetimesh dhe aludimesh? Pra, s'ka pasur asnjë lloj faji nga sa akuzohej? E vërteta është se ai pranoi se në stilin dhe metodën e tij të punës kishte pasur edhe disa të meta dhe dobësi në luftën kundër disa koncepteve dhe mendimeve të kuadrit oficer, që binin ndesh me orientimet e partisë, siç ishin konceptet e komandës unike ku komandonte vetëm komandanti, pasi kjo sipas tyre ishte më mirë, ndërsa komitetet e partisë pengonin punën e komandave, se në këto komitete bënin pjesë edhe shoferë dhe ushtarë që nuk merrnin vesh nga puna e ushtrisë.
Pra nuk ishte dakord me një vendim esencial që vetë Enver Hoxha e kishte imponuar në mënyrë urdhëruese? Sipas tij, disa kuadro e quanin jonormale situatën, kur urdhri i komandantit për veprime luftarake duhej të diskutohej njëherë në Byrotë apo Komitetet e partisë. "Kishte shfaqje të mendjemadhësisë e arrogancës në disa kuadro, të cilët, duke mos përfillur vijën e masave, qëndronin larg ushtarëve. Ata e quanin jonormale të hanin e flinin bashkë me ushtarët. Për të gjitha këto shfaqje negative në zbatim të orientimeve të partisë për revolucionarizimin e mëtejshëm të ushtrisë, mbaj unë përgjegjësi në radhë të parë. Për këto të meta jam kritikuar edhe nga udhëheqja e partisë", - depononte Beqir Balluku.
Pra ish-ministri mbante përgjegjësi për vijën e masave në ushtri, që është propaganduar dhe imponuar po me aq forcë? Ish-ministri kishte qenë dakord me vijën e masave në ushtri, por sipas tij, ndoshta edhe e kishte tepruar në këtë drejtim. Pas daljes së Letrës së Hapur të KQ të PPSH-së, ai kishte mendimin se masat revolucionarizuese binin në kundërshtim me rregulloret ushtarake të disiplinës, të jetës së brendshme e të tjera.
Po, e kishte zhvilluar, apo penguar, atë iniciativë në ushtri, e cila dihej që drejtohej nga vetë Enver Hoxha? "Për të zbatuar vijën e masave, - deklaroi ai, - dhashë urdhër që të hiqej nga qarkullimi rregullorja e disiplinës, pasi ishte në kundërshtim me këtë parim, por gabova, se heqja e këtyre rregulloreve solli pasoja, si shthurjen e disiplinës ushtarake, dhe u bënë shqetësuese ikjet pa leje nga reparti. Për këto veprime jam kritikuar rëndë nga udhëheqja e partisë dhe mbaj përgjegjësi për to. Mendimi im se gjithçka do të bëhej duke zbatuar vijën e masave, ishte i gabuar. Ushtria nuk mund të ecte pa rregulloren e disiplinës dhe rregulloret e tjera. Këtë e konsideroj faj, por kurrsesi qëllimi im nuk ishte që të dobësoja ushtrinë".
Por mendoj se, ka qenë problemi që te heqja e gradave dhe jo vetëm te momenti i disiplinës ajo shthurje që ai ju dëshmonte për atë situatë? Në fakt, heqja e gradave minoi hierarkinë ushtarake dhe nuk njihej më oficeri nga ushtari. Mbledhjet e lira ku komandanti vihej nën kritikat e vartësve, heqja e rregullores së disiplinës ku parashikoheshin masa ndëshkimore për moszbatimin e urdhrit dhe rregullave të shërbimit ushtarak, zëvendësimi i tyre me vijën e masave, veshjet prej doku të dala boje dhe të shkurtra (nga larjet) deri te kërcinjtë e këmbëve, udhëzimet që oficerët të hanë dhe flenë bashkë me ushtarët, sollën uljen e ndjeshme të rënies së autoritetit të ushtarakëve të lartë dhe për rrjedhojë një gjendje të rëndë në ushtri. U bënë menjëherë shqetësuese ikjet pa leje të ushtarëve nga repartet e shërbimit. Edhe pse organet e pushtetit lokal dhe ato të rendit i kthenin në reparte, këto fenomene përsëriteshin, pasi mungonin masat ndëshkimore ndaj tyre.
Ka ndonjë shembull pikant do të thoja? Qarkullonte nëpër repartet e ushtrisë një ngjarje që i kishte ndodhur një komandanti reparti, i cili e kishte pasur mjaft problematik efektivin për largimet pa leje nga ushtria. I kishte vajtur në majë të hundës indisiplinimi i ushtarëve dhe i drejtohej komisarit me fjalët: "Edukoji komisar me vijën e masave, se unë nuk kam çfarë të bëj". Për të mbajtur nën kontroll repartin, aq sa mundte tashmë me situatën e krijuar, ai e rreshtoi efektivin dhe nxori përpara tij ushtarin më problematik, dhe nisi t'i thotë disa herë me zë të lartë: "E di se çfarë të bëj unë?". Ushtarët u shtangën dhe ishin në pritje të asaj që mund t'i bënte komandanti shokut të tyre problematik. Por pas një pauze, komandanti shkon dhe i thotë në vesh me zë të ulët ushtarit të parregullt: "Unë të ha m...". Kjo ngjarje mori dhenë dhe dikur mbërriti në veshin e Mehmet Shehut.
Dhe çfarë i kishte thënë Mehmet Shehu? Ky i fundit thërriti komandantin dhe nisi t'i fliste me zë të lartë se përse e kishte krijuar një situatë të tillë. Pasi e kishte dëgjuar duke qëndruar gatitur, oficeri i thotë: "Po çfarë t'i bëja o shoku ministër". Mehmet Shehu e pa i vrenjtur dhe i përgjigjet: "Po, nuk kishe se çfarë t'i bëje, vetëm t'i haje m…. Largohu!" 

No comments: