Sunday, April 21, 2013

Beqir Balluku para hetuesit: Në ‘61-shin Enveri më la në duar drejtimin e shtetit

Nga: FATOS VELIU
Vijojnë të zbardhen ngjarjet e ndodhura në qelinë e Beqir Ballukut, kur para ekzekutimit të tij kryhej hetimi 11- mujor.
*- Çfarë deklaron njeriu i posaçëm që bënte takimet e përditshme me ish-ministrin e rrënuar, për dëshmitë e tij në hetimin e akuzës “Për veprimtarinë armiqësore ndaj popullit dhe atdheut”.
*- Si ia ka treguar Kristofor Martiros ngjarjen e vitit ‘56, kur ka qenë i deleguari kryesor i Konferencës së Partisë së Tiranës, të drejtuar nga Fiqiret Shehu.


*- Dëshmia e Ballukut nga qelia ku priste vdekjen e pamerituar, për të vërtetën pse ka thërritur me urgjencë vetë Enver Hoxhën për të ndërprerë pushimet familjare në Vlorë.
*- Si e ka treguar ngjarjen e zhurmshme, kur Enveri i ardhur nga Vlora, ka hyrë vrullshëm në sallën e konferencës, ku diskutantët e guximshëm ishin përgatitur të përplaseshin përballë, për ta akuzuar deri në luksin familjar të tij.
*- Kush kanë qenë kërkesat e diskutantëve, për të cilat Balluku nuk ka qenë dakord me kundërshtimet e Enver Hoxhës?
*- Dëshmitë e vetë Kristofor Martiros, në hetimin e akuzës së bërë nga lideri komunist, se Beqir Balluku ishte marrë vesh me sovjetikët që të zbarkonin në Shqipëri me 40 mijë forca për përmbysjen e pushtetit të tij.

Zoti Martiro, një histori e njohur në lidhje me Beqir Ballukun për të cilin e ka akuzuar publikisht Enver Hoxha është dhe ajo e Konferencës së famshme të Partisë së Tiranës në vitin 1956, e cila në atë kohë është quajtur “Njollë e Zezë” në historinë e partisë. Në atë ngjarje enciklopedike ku është guxuar të kritikohet vetë Enver Hoxha, madje zëvendëskomandanti i Shkollës së Oficerëve, Iliaz Ahmeti, ka arritur të bëjë debat të ashpër me të, është shkarkuar nga detyra e sekretares së parë edhe vetë bashkëshortja e Mehmet Shehut, Fiqireti. Që të dalim në temë, në atë ngjarje që unë me të drejtë e konsideroj enciklopedike edhe se Enver Hoxha e ka përmendur rregullisht në shumë e shumë fjalime dhe materiale të shkruara të tij, me sa jam në dijeni unë, i deleguar ka qenë pikërisht Beqir Balluku. Ajo që doja të dija nga ju, si hetuesi i tij personal apo si personi si të thuash i fundit i jetës së Beqir Ballukut me të cilin ai bisedonte lirshëm në 11 muajt e qelisë së tij ku ishte izoluar para se të ekzekutohej, është nëse keni folur për atë ngjarje? Pra zoti Martiro, e keni pyetur apo e keni hetuar ju Beqir Ballukun në lidhje me Konferencën e famshme të Tiranës të vitit ’56 ku ka qenë i deleguar? Ashtu siç e thatë dhe juve, Beqir Balluku ishte i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë në Konferencën e Partisë Tiranë. Përveç tij, në këtë konferencë merrnin pjesë edhe anëtarë të Byrosë Politike, përveç Enver Hoxhës, që siç mund ta dini ka qenë me pushime në Vlorë.
Ju, e pyetët Ballukun për të vërtetën e asaj ngjarjeje që Enver Hoxha e kujtonte gjatë gjithë jetës së tij me një urrejtje të madhe? Patjetër që u pyet. Ai u pyet për qëndrimin e tij ndaj diskutimeve të delegatëve në këtë konferencë.
Dhe çfarë ju ka thënë? Balluku tha se situata në atë mbledhje u tensionua nga pyetjet dhe diskutimet e disa delegatëve. Konferenca mblidhej për të analizuar punën e partisë në Tiranë, por kjo përkonte me mbarimin e punimeve të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, ku ishte dënuar kulti i individit dhe ishin përmirësuar marrëdhëniet e Bashkimit Sovjetik me Jugosllavinë e Titos, i cili ishte rehabilituar, si dhe të tjera zhvillime në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë frymë, siç më shpjegonte Balluku, u bënë pyetje apo u diskutua nga delegatët e thirrur në këtë konferencë. Këta të fundit kishin sjellë për diskutim shqetësimet e organizatave të partisë të cilat i kishin deleguar në atë konferencë.
Pak a shumë opinioni është i njohur dhe i qartë mbi atë që ka ndodhur, por ajo që unë doja të dëgjoja nga ju zoti Martiro, është se çfarë ka shprehur vetë Balluku para jush si i deleguar i asaj mbledhjeje. Pra, çfarë pyetjesh ai tregonte se i ishin bërë Enver Hoxhës? Sipas Beqir Ballukut, disa nga pyetjet e bëra lidheshin: *- Me mosrehabilitimin nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqja e saj, e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut.
*- Kërkohej dhe deri rehabilitimi i Koçi Xoxes.
*- Ishin shtruar probleme të përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë.
*- Trajtimi ekonomik i udhëheqjes kur gjendja ekonomike ishte tepër e vështirë.
*- Krijimi i “bllokut” që ndante udhëheqjen nga populli dhe ishte një farë shkëputjeje nga parimet e luftës.
Kuptova deri këtu zoti Kristofor, por a ju ka treguar apo a ju është shprehur Beqiri të paktën në ato momente të fundit të jetës së tij, kur juve ju rrëfente atë ngjarje që në të vërtetë i kushtoi shumë, nëse në atë konferencë kishte diskutantë apo kërkesa që ishin dhe të sakta dhe që duhej të vlerësoheshin me seriozitet nga Enver Hoxha dhe jo të goditej si heretik i partisë? E vërteta është se Beqiri më shpjegoi se disa nga pyetjet apo diskutimet e asaj konference duhej të ishin vlerësuar. Por në disa të tjera u mor një rrugë e gabuar që binte ndesh me politikën e partisë.
Dua të di se si ju është shpjeguar Balluku për faktin që ka njoftuar me urgjencë Enver Hoxhën, i cili duhej të vinte nga Vlora ku bënte pushimet? “Unë u ndodha në një situatë të vështirë, pasi nuk isha në gjendje të jepja përgjigje, prandaj kërkova që të vinte në konferencë Enver Hoxha, i cili ishte me pushime në Vlorë. Ky ishte edhe mendimi i anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike që ndodheshin në konferencë”, më ka deponuar Balluku.
E ndërsa e kemi dëgjuar nga vetë Enver Hoxha përshkrimin e momentit të ardhjes së tij nga Vlora, doja të disa se si e përshkruante vetë Beqiri hyrjen e Enverit në sallën që ziente nga diskutantët e guximshëm? “Pas ardhjes së Enverit situata ndryshoi”, - më ka deklaruar ai.
Pra qenka e vërtetë sa ka thënë vetë Hoxha. Por më tërhoqi vëmendjen një deklarim i tiji, të cilin juve sa e cituat, ku në s’gabohem, Balluku, si i deleguar i asaj konference, në vetvete, megjithëse nuk guxonte t’ua bënte të ditur, ka qenë dhe u jepte të drejtë shumë diskutantëve. Pra si e shprehu mendimin e tij, se duhej të merreshin në konsideratë shumë kërkesa të diskutantëve? Saktësisht nga ajo konferencë, që siç e thoni dhe ju ka qenë shumë e zhurmshme, Beqiri më ka deponuar se personalisht mendonte se duhej të korrigjohej diçka.
Konkretisht ku e vinte theksin, se mund të ishin kërkesa të drejta të asaj kohe të cilat nuk janë bërë të ditura deri sot? Sipas tij, duhej të rehabilitohej Tuk Jakova, për dënimin e të cilit nuk i kishte ardhur mirë. Pra kishte pasur rezerva për këtë dënim, por nuk i kishte shprehur.
Megjithatë ai nuk u bashkua me ato mendime, madje as të gjente mënyrën që t’i bënte të qarta? Bazuar në deklarimin e tij gjatë procesit, ai nuk kishte qenë as organizator dhe as nuk ishte bashkuar e dakorduar me këto probleme. Edhe qëndrimi që mbajti ishte në përputhje me vijën e partisë, pavarësisht nga ajo ç’ka ndjerë. Edhe nga hetimi nuk rezultoi se Beqir Balluku ishte implikuar në veprimtari armiqësore në këtë konferencë, pra nuk kishte asnjë të dhënë që ta vërtetonte këtë veprimtari armiqësore.
Kur pamë pistat e hetimit që ndërtuat për Beqir Ballukun, që me arrestimin e tij kur juve ju caktuan të plotësonit dosjen e vështirë, ndër të tjera ishte dhe hetimi në drejtim të qëndrimeve dhe veprimeve të tij në situatën kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet e vendit të tij me Bashkimin e atëhershëm Sovjetik. Pra, e keni pyetur juve për këtë temë? Hetimet ndaj Ballukut nuk u përqendruan shumë në këtë drejtim, pasi nuk ekzistonte material në dosjen hetimore që ta akuzonte të pandehurin Beqir Balluku për veprimtari armiqësore.
Unë ju fola për një të dhënë jo të vogël, kur ishte përmendur qëndrimi i tij ndaj prishjes së marrëdhënieve në fjalë. Nuk e morët parasysh si çështje hetimore? E dhëna që ishte shënuar në materialet e Partisë së Punës së Shqipërisë ishte se Beqir Balluku ishte marrë vesh me sovjetikët për zbarkimin në Shqipëri të 40 mijë forcave. U verifikua në rrugë operative dhe u konstatua se nuk ishte e vërtetë.
Si e kundërshtonte këtë akuzë, që do ta quaja të tmerrshme? Beqiri në hetuesi shpjegoi se ai kishte pasur nostalgji për Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit, e në veçanti gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ku i mbanin sytë dhe veshët. “Sukseset e sovjetikëve na entuziazmonin në luftën tonë. Andej e shikonim edhe çlirimin e vendit, shkatërrimin e fashizmit”, - deponoi ish-ministri gjatë procesit.
Ju tregoi nëse ishte apo jo dakord me qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj Hrushovit? Sipas tij, pas ardhjes në fuqi të Hrushovit kishte mbështetur vendimet e PPSH-së dhe Enver Hoxhës dhe nuk kishte asnjë rezervë në këtë drejtim.
Pra kishte qenë dakord? Po, po. Ai deklaroi se kishte qenë plotësisht dakord me qëndrimin që u mbajt ndaj Hrushovit, që kur ky i fundit dënoi Stalinin dhe rehabilitoi Titon.
Bile, ai ka sqaruar edhe qëndrimin që ka mbajtur ndaj provokimit të rusëve, ndërkohë që udhëheqësit e lartë të PPSH-së dhe të shtetit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, shkuan në mbledhjen e 81 partive në Moskë.
Është koha kur thuhet se vendi është drejtuar prej tij? Pra në këtë moment, vendin e drejtoi Beqir Balluku, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes. Ai u la në drejtim të shtetit si njeri i besuar. Ai nuk kishte asnjë lëkundje lidhur me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, edhe kur iu bë një provokacion nga ushtarakët sovjetikë që ishin në Shqipëri, për të ditur se me kë ishte ushtria shqiptare.
Si u ishte përgjigjur? Ai u ishte përgjigjur pa u lëkundur: “Ushtria është me Enver Hoxhën dhe me popullin shqiptar.”
Pra ju nuk konstatonit asnjë fakt të implikimit të tij armiqësor, siç denoncohej nga vetë Enver Hoxha? Nëse ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, do të ishte armik që në Konferencën e Tiranës si bashkëpunëtor me “poliagjentin” Mehmet Shehu, - siç shkruante Enveri në librin e tij “Titistët”, ai e kishte shumë të lehtë që, në bashkëpunim me forcat ushtarake sovjetike në Shqipëri ta likuidonin udhëheqjen e PPSH-së, të merrnin fuqinë në dorë dhe të përmbysnin pushtetin popullor. Këto janë vetëm trillime.

(Vijon nesër)
PISTAT E HETIMIT TE BALLUKUT Në bazë të planit hetimor, hetimet do të zhvilloheshin në këto drejtime kryesore: 1 - * Mbi veprimtarinë armiqësore të të pandehurve kundër vijës së partisë në ushtri.
* Krijimi prej tyre i Antitezave (materiali i zi), që u kundërvi heshin Tezave të Këshillit të Mbrojtjes për Artin Ushtarak Popullor, për të revizionuar vijën ushtarake të partisë.
* Akuzat për sabotimin e fortifikimeve, stërvitjeve, shkollën e lirë e të tjera.
2 - Një nga linjat e hetimit lidhej me akuzat për sabotimin e vendimeve të Komitetit Qendror të Partisë në vitin 1966;
* Për heqjen e gradave;
* Krijimin e komiteteve të partisë;
* Vendosjen e komisarëve politikë në ushtri, me qëllim që të luftonin vijën ushtarake të partisë dhe ta zëvendësonin atë me një vijë revizioniste e kundërrevolucionare;
* Të asgjësonin rolin udhëheqës të partisë e karakterin revolucionar të ushtrisë;
* Ta kthenin atë në ushtri kazerme;
* Të përshtatshme për puç e komplot ushtarak.
* Ata akuzoheshin se kishin krijuar një Komitet Qendror brenda KQ të PPSH-së, si një strukturë të veçantë, dhe se kishin bërë mbledhje, shtruar aty probleme, duke u shkëputur kështu nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë.
3 - Linja tjetër e hetimit lidhej me akuzat për veprimtari armiqësore në frontin ideologjik, për të sabotuar vijën, parimet e normat marksiste-leniniste të partisë.
* Të pandehurit akuzoheshin se në ushtri nuk punoheshin materialet e partisë dhe Komandantit suprem Enver Hoxha, ndërsa përhapeshin materiale të përkthyera politike dhe ideologjike, revizioniste dhe borgjeze.
* Për materialet thuhej se ishin kryesisht përkthime nga literatura sovjetike dhe e vendeve të Traktatit të Varshavës.
4 - Problemet ekonomike në ushtri përbënin linjën e fundit në hetimin e të pandehurve. Ata akuzoheshin për veprimtari antiligjore në fushën ekonomike në ushtri.
* Do të hetoheshin sidomos normat;
* Rregulloret që ishin nxjerrë për administrimin ekonomik;
* Shpërdorimet;
* Përvetësimet e të tjera.
Sipas materialeve, dilte se këto norma ishin në kundërshtim me normat e përgjithshme të drejtimit ekonomik, që u konsideruan si “veprime të një shteti brenda shtetit”.

MARTIRO: ISH-MINISTRI KISHTE MUNDËSI TË ELIMINONTE ENVERIN Nëse ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, do të ishte armik që në Konferencën e Tiranës si bashkëpunëtor me “poliagjentin” Mehmet Shehu, - siç shkruante Enveri në librin e tij “Titistët”, ai e kishte shumë të lehtë që, në bashkëpunim me forcat ushtarake sovjetike në Shqipëri ta likuidonin udhëheqjen e PPSH-së, të merrnin fuqinë në dorë dhe të përmbysnin pushtetin popullor. Këto janë vetëm trillime.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: