Sunday, April 21, 2013

Beqir Balluku: Le të m'i fusin mua dhe ushqimet e harxhuara nga ushtria. Unë një bark kam

Nga: FATOS VELIU
Zoti Martiro. Ndërsa nga numri i kaluar më treguat mbi atë që ka ndodhur me Beqir Ballukun në ditët kur ju e hetonit për akuzat për veprimtarinë armiqësore dhe sabotuese të vijës së PPSH-së në ushtri, tashmë do të doja të kaloja në një pikë tjetër. Për të mos humbur kohë do të doja të dija se si kanë nisur dhe si vijuan marrëdhëniet tuaja dhe ajo që ka përjetuar ish-ministri kur ju kaluat në hetimin e pistës së radhës së akuzës, pikërisht ato të fushës ideologjike?

Ashtu siç u shprehët dhe ju në pyetjen që porsa më bëtë, pikërisht pas linjës së hetimit për akuzën për veprimtarinë armiqësore dhe sabotuese të vijës së PPSH-së në ushtri, nisi linja e tretë e hetimit.
Ku konsistonte kjo linjë hetimi? Kjo linjë lidhej me akuzat për veprimtari armiqësore në frontin ideologjik për të sabotuar vijën, parimet e format marksiste-leniniste të partisë, ku të pandehurit akuzoheshin se në ushtri nuk punoheshin materialet e partisë dhe Komandantit suprem Enver Hoxha, ndërsa përhapeshin kontrabandë materiale të përkthyera politike, ideologjike revizioniste dhe borgjeze, kryesisht përkthime nga literatura sovjetike dhe e vendeve të Traktatit të Varshavës.
Ju e dini se interesi ynë dhe i mbarë publikut teksa bisedojmë pikërisht me juve si hetuesi personal dhe njeriu që kontaktonit rregullisht me Ballukun në 11 muajt e burgimit të tij para vdekjes, është të mësojmë mbi reagimet dhe dëshmitë e Ballukut në lidhje me sa akuzohej dhe pyetej. Pra, cilat janë deklaratat e tij kur akuzohej për çështjet e sipërpërmendura? Lidhur me këtë akuzë, i pandehuri Beqir Balluku gjatë procesit hetimor është shprehur se Ministria e Mbrojtjes kishte një fond të veçantë, miratuar nga lart, për të siguruar literaturë nga ushtritë e huaja, të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.
Ku e kishte idenë e kësaj literature, teksa ishte e ndaluar për kohën? Ish-ministri mendonte se ishte e nevojshme të sigurohej literaturë për këto ushtri, pasi duhet të njihej nga ana jonë mënyra e organizimit, taktikat dhe veprimeve operative që kryenin, armatimin që përdornin etj. Kjo siç ma shpjegonte ai, ishte arsyetuar për të ditur si t'u kundërviheshim ne armiqve tanë të mundshëm në rast të një sulmi të mundshëm. Pra sipas tij, kjo literaturë përdorej në interes të ushtrisë dhe të mbrojtjes sonë.
Po Beqir Balluku ishte ministër, ku ishte penalizimi që i bëhej atij në lidhje me këtë fenomen, pasi jo për çdo gjë duhej të jepte ai llogari? Beqir Balluku kishte miratuar fondet për sigurimin e kësaj literature.
Kuptova. Pra, ai fajësohej vetëm se kishte çelur fondin për këtë literaturë, kështu që kujt ia linte pjesën tjetër të akuzës? Me përzgjedhjen sipas armëve dhe me përkthimin e saj merrej Drejtoria e Dytë (Drejtoria e Zbulimit Ushtarak) dhe Instituti i Studimeve Ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes.
E mbani mend prononcimin e saktë të tij për këtë fakt? "Unë nuk e kam ditur sasinë e madhe të literaturës, që siç po thuhet, ka hyrë në ushtri, e po njihem me këto fakte tani gjatë hetuesisë. Unë kam dhënë urdhër të përkthehej libri `Strategjia e Ushtrisë Sovjetike', por në pak kopje që të njeheshin kuadrot kryesorë të ushtrisë. Nuk kam dijeni që përkthimi i saj është bërë në shumë kopje, e që ka shkuar deri poshtë në reparte, gjë që është shumë e dëmshme. Unë kam qenë ministër dhe mbaj përgjegjësi për futjen në masë të literaturës së huaj, si dhe për shpërndarjen e saj deri poshtë në bazë dhe faji im është që nuk mora masa sipas udhëzimeve të Plenumit IV të KQ të PPSH-së për ta kontrolluar dhe censuruar, për ta filtruar nga përmbajtja politike dhe ideologjike, pasi edhe kjo literaturë përmban politikën e vendit që e nxjerr. Unë jam përgjegjës për moszbatimin e direktivës së partisë, pasi shpërndarja e kësaj literature ka sjellë dëme në mendjet e njerëzve dhe është diversion ideologjik", - shpjegoi gjatë hetimit ish-ministri.
Pra, në një farë mënyre ai linte të kuptohej se për këtë literaturë kishin qenë të interesuar vetë ushtarakët, apo jo? E vërtetë. Sipas Beqir Ballukut, për përkthimin e literaturës së huaj kishin qenë të interesuar të gjithë kuadrot e lartë të ushtrisë sipas sektorit të punës së tyre. Në veçanti për t'u njohur me literaturën e Ushtrisë së Bashkimit Sovjetik ishin të interesuar kuadrot që kishin studiuar atje dhe kishin nostalgji.
Çfarë ishte futur konkretisht në ushtri, që tashmë i ishte perceptuar në aktakuzë vetë ministrit? Nga kontrolli që ishte bërë në ushtri nga aparati i KQ të PPSH-së, dilte se ishte përkthyer dhe futur në repartet ushtarake një sasi e konsiderueshme literature e ushtrive të huaja, veçanërisht sovjetike dhe e vendeve të Traktatit të Varshavës si "Psikologjia e ushtarit", "Mbi pedagogjinë", materiale këto që ishin përkthyer e shpërndarë nga Drejtoria Politike e Ushtrisë.
Cili kishte qenë saktësisht udhëzimi i ministrit për këtë literaturë? Udhëzimi i Beqir Ballukut kishte qenë që ky material të përkthehej dhe të përdorej nga një rreth i ngushtë kuadrosh brenda Drejtorisë Politike të Ushtrisë, gjë që u dëshmua edhe nga Hito Çako, i cili e kishte udhëhequr atë drejtori. Çako tha se ai vetë e kishte shpërndarë literaturën në repartet e ushtrisë.
Pas kësaj piste, me sa di, ju keni vijuar hetimin ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes në një pistë tjetër. Pra, nisi hetimi për akuzën e radhës së tij "për veprime antiligjore në fushën ekonomike në ushtri?" Pas anës ideologjike, seancat hetimore ndaj Beqir Ballukut vijuan me linjën e katërt, që ishte pikërisht ajo e akuzës lidhur me shpërdorimet në ekonominë ushtarake.
Me çfarë materialesh apo faktesh e njohët para se të fillonit pyetjet ndaj tij?
Ish-ministri u njoh me aktet e kontrollit ekonomik-financiar të bëra në dikasterin e Ministrisë së Mbrojtjes, repartet ushtarake, Ndërmarrjet Bujqësore Ushtarake, në Shtëpitë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, Durrës, Pogradec.
Çfarë ishte konstatuar saktësisht në këto kontrolle? Në këtë kontroll ishte konstatuar se ishin nxjerrë norma dhe akte juridike në fushën ekonomike, që binin ndesh me ligjet e shtetit. Ishin bërë shpërdorime dhe teprime në shpenzime gjatë stërvitjeve ushtarake, në Ndërmarrjet Ekonomike të Ushtrisë, shpenzime të kundërligjshme në Shtëpitë Qendrore të Ushtrisë, e të tjera që kapnin një shumë të caktuar në vlerë monetare. Kishte material, e të dala këto nga kontrollet e shtëpive të oficerëve të Tiranës, Durrësit, Pogradecit, që ngarkonin me përgjegjësi ushtarakët e lartë dhe patjetër Beqirin.
Në çfarë shkalle ishte ngarkesa ligjore që i faturohej vetë Ballukut nga këto statistika financiere të konstatuara si shkelje? Sipas materialeve të kontrollit, organet kompetente me këto veprime antiligjore dhe antiekonomike "grupi i puçistëve ushtarakë të lartë kishte vepruar si një shtet brenda shtetit".
Çfarë ka dëshmuar vetë Balluku me këto akuzat ekonomike të shumëpërfolura nga mbarë populli aq sa, me sa mbaj mend i kanë bërë dhe këngë? Lidhur me këto akuza i pandehuri Balluku deponoi se i kishte firmosur ai rregulloret për çështjet ekonomike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbante përgjegjësi si titullar i dikasterit që ato binin në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe kishin sjellë pasoja ekonomike. Por nga ana tjetër, ai shpjegoi se këto rregullore ishin përgatitur nga vartësit e tij, të sektorëve ekonomikë dhe juridikë, që mbanin përgjegjësi direkt për këtë.
E mbani mend deklaratën e saktë të tij? "Unë nuk e kam ditur që këto rregullore dhe udhëzime binin në kundërshtim me ligjet e shtetit", - tha ish-ministri. Sipas tij, në shtëpitë e ushtarakëve në Tiranë, Durrës dhe Pogradec ishte konsumuar ushqim gjatë kohës kur ka pasur mbledhje pune, stërvitje e të tjera dhe se ato janë menduar brenda normës ligjore, jo veprime të paligjshme e abuzive.
Në fund ish-ministri tha:
"Mirë, të gjitha këto shpërdorime le të m'i ngarkojnë mua. Le t'i marr unë edhe këto. Unë një bark kam pasur, sa do të haja. Le të m'i faturojnë mua deficitet e tyre. Të venë edhe këto me të tjerat".
Kështu u mbyllën hetimet edhe në këtë linjë, që do të thoshte se ishin hetuar të katërta linjat e planifikuara.
Zoti Martiro, nuk ju pyeta se çfarë raportesh krijonit gjatë hetimit në marrëdhëniet e të pandehurve me njëri-tjetrin? E vërteta është se gjatë procesit hetimor, vëmendje iu kushtua edhe marrëdhënieve të të pandehurve me njëri-tjetrin dhe për veprimtarinë e tyre të përbashkët armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullor. Për këtë u pyetën edhe të pandehurit. Qoftë nga deklarimet e tyre apo dhe të dëshmitarëve të tjerë u provua se midis tyre, dhe në veçanti midis Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos marrëdhëniet e punës dhe ato shoqërore nuk kanë qenë të mira.
Çfarë konstatuat në kontradiktat që kishin pasur? Mes të pandehurve të sipërpërmendur ka pasur mjaft grindje e mosmarrëveshje në punë e sipër në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pra, nuk u provua se ata kishin pasur midis tyre frymë grupazhi, siç ishin akuzuar? Asnjëherë nuk u provua se këta të pandehur kishin vepruar së bashku për qëllime armiqësore. Nuk u provua konkluzioni i udhëheqjes së lartë të partisë se "ata në sipërfaqe grindeshin me qëllim që të fshihnin bashkëpunimin e tyre në përgatitjen e puçit ushtarak".
Ku u bazuat veç të tjerash për akuzat e mëtejshme të tyre? Dokumente për akuzat në ngarkim të "grupit të puçistëve" ishin materialet e KQ të PPSH-së dhe sidomos ato të Plenumit V dhe VI, raportet dhe fjalimet e Enver Hoxhës, aktet e kontrollit në Ministrinë e Mbrojtjes. Mbi bazën e këtyre dokumenteve u zhvillua hetuesia dhe u përdoren prova për gjykimin e veprimtarisë së tyre "armiqësore".
A patën organet e zbulimit material komprometues për ta nga sa akuzoheshin? Nga organet e Zbulimit dhe Kundërzbulimit nuk pati realisht asnjë të dhënë që të bënte fjalë për ekzistencën e veprimtarisë armiqësore në bashkëpunim me agjenturat e huaja, për takimet me këto agjentura, apo për marrëveshje të përbashkët me fuqitë imperialiste e revizioniste në realizimin e "komplotit", përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Ato që thuhen apo shkruhen në ndonjë gazetë apo libër, për gjoja takime me agjentura të huaja dhe veprime të përbashkëta me to, janë tërësisht të pabaza dhe gënjeshtra të sajuara për të përligjur dënimin e tyre.
Ju kujtohet ndonjë akuzë drejtpërsëdrejti e Enver Hoxhës, teksa ju vërtetonit të kundërtën? Në një fjalim të Enver Hoxhës thuhej se "Beqir Balluku ishte marrë vesh me revizionistët sovjetikë që ata të zbarkonin 40 mijë forca ushtarake në Shqipëri për të përmbysur udhëheqjen e partisë dhe të shtetit".
Ju si hetuesi e vlerësuat këtë të dhënë, qoftë dhe retorike? Kjo e dhënë u vlerësua shumë nga hetuesit e çështjes, pasi nëse rezultonte e vërtetë dhe e marrë nga burime të besueshme, atëherë do të ekzistonte veprimtaria komplotuese e të pandehurit.
Konkluzioni i hetimit? Por, nga verifikimet në rrugë operative dhe hetimore rezultoi se kjo e dhënë e kishte burimin nga thënia e një fshatari të thjeshtë nga rrethi i Lushnjës, i cili ishte shprehur:
"Beqir Balluku do të jetë marrë vesh me rusët për të zbarkuar në Shqipëri nja 40 mijë ushtarë, e të përmbysnin pushtetin".
Dhe kishte shkuar në fjalimin e vetë Enver Hoxhës?! Kjo e dhënë ishte transformuar nga "do të jetë marrë vesh me rusët...." në "është marrë vesh me rusët...".
Dhe? Pikërisht kjo e dhënë, pa u verifikuar, u bë publike, madje ndërkombëtare, nga vetë kreu i PPSH-së, Enver Hoxha. Ky ishte një mashtrim.
Të dhënat e tjera që mund të kishte hetimi? Në dispozicion të hetimit kishte të dhëna të tjera, të dala nga diskutimet në mbledhjet e aktivave të partisë, organizatave bazë të ushtrisë dhe të terrenit, por në këtë të dhëna nuk bëhej fjalë për ndonjë veprimtari konkrete armiqësore për të pandehurin Beqir Balluku, apo të pandehurit e tjerë të akuzuar.
Po çfarë ishin ato të dhëna atëherë? Këto ishin çështje thjesht personale e të rëndoma. Kishte të dhëna të shpifura si Beqir Balluku hëngri mish këtu apo atje, se u poqën për të dy apo tri gjela deti, se vrau në Pyllin e Divjakës një dem në vend të një derri të egër, se i sollën një sasi boze nga Mati dhe e vendosi në Shtëpinë e Ushtarakëve në Tiranë, se u shtrua një darkë këtu e atje për miqtë e tij, se ishin bërë mbrëmje në shtëpinë e atij e këtij ku kishte dhe këngëtare. Një nga të dhënat ishte se kishte porositur rroba banje apo mjete për gjuetinë në Itali, e të tjera si këto.
Megjithatë, ai dhe u diskretitua nëpër mbledhjet e kolektivave të ushtarakëve, apo jo? Në mbledhjet e organizatave të partisë dhe të kolektivave, të deleguarit kërkonin me insistim që secili të reflektonte për "veprimtarinë armiqësore të puçistëve", të zbuloheshin rrënjët e saj dhe bashkëpunëtorët.
Dhe konkludimi? Pjesëmarrësit të shokuar nga kërkesat, mundoheshin të thoshin ose të sajonin diçka, për të treguar se ata ishin besnikë të partisë dhe udhëheqësit të saj dhe se dënonin "veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut dhe të puçistëve të tjerë". Edhe në këto mbledhje ndodhte ashtu si në plenumet e KQ të PPSH-së, ku të gjithë i turreshin me pyetje, denigrime, trillime dhe sharje "viktimës", dhe propozonin për "ta shqyer" atë.
Çfarë keni menduar, teksa shikonit këtë sjellje ndaj tij? Kjo sjellje neveritëse e "udhë-heqësve të partisë" bëhej për t'i bërë qejfin ustait, për të treguar besnikërinë e tyre ndaj tij. Por shpejt u vinte radha edhe atyre të ishin në bankën e të akuzuarve për veprimtari armiqësore dhe antiparti, e të dënoheshin si të tillë me radhë e me radhë. Si nuk doli një burrë dhe t'i ndalte dorën satanait, t'u thoshte "Ndal!" këtyre veprimeve gjakatare, që po "korrte" patriotët, revolucionarët, luftëtarët antifashistë, drejtues dhe heronj të kësaj lufte, përparimtarët dhe njerëzit e ndershëm. Ajo dorë shkatërroi familje e familje, gjymtoi një popull të tërë.
Ju thoni se kemi kohë përpara për të vërtetuar të tjera gjëra nga sa janë thënë? Koha dhe historia do ta zbardhin enigmën se cila ishte ajo dorë e zezë që e përgatiti, që e ngriti nga hiçi, nga përdhosja morale dhe e fryu deri sa e bën të plotfuqishëm, sa të priste koka sa herë që në mendjen e tij ishte krijuar ndonjë grup armiqësor.
Çfarë i keni kërkuar llogari tjetër veç anës ekonomike apo ideologjike, apo të tjera që jeni shprehur më lartë? Me udhëzim nga lart, Beqir Ballukut iu kërkuan sqarime gjatë procesit hetimor për marrëdhëniet e tij me jugosllavët, takimin me Titon gjatë kohës që ai ishte Shef i Shtatmadhorisë për qëndrimin e tij në Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, si i deleguar i KQ, qëndrimin pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkim Sovjetik dhe marrëdhëniet e tij me udhëheqësit e shtetit kinez, apo problem tjetër.
(Vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: