Saturday, April 27, 2013

KISHA E KATUNDIT TË KASTRATIT , PREFEKTURA APOSTOLIKE E SHQIPERISË ETNIKE..



Për Kishen e Katundit të Kastratit është folur e shkruar , si një ndër  objektet e kultit Kristian ,jo vetem ndër më të hershmet ,por edhe ndër më të rendësishmet ,që drejtuan jeten shpirterore e civilizuese  te Kastratit  ne veçanti e shumë  trojeve të Malesisë Madhe Etnike në pergjithsi. Kisha e Kastratit ,ka qënë  jo thjeshtë një kishe apo manastir ,por të pakten që nga shekulli i XVII e deri në atë të XIX-të ka qënë Prefektur Apostolike  që drejtonte gjashte Kuvende kishtare ,që ishin ;  Kastrati , Hoti ,Gruda,Trieshi ,Selca  e Vuklit…(Studime Shqiptare ,Dr. Jur. Johan Georg Von Hahn ,1854  ,fq.58 ). Historia e ndertimit të kesaje qendre besimi e qytetrimi është interesante ,dhe sipas 
shkrimeve të albanologut të njohur Goerg Hahnit  ajo duhet të jenë më e hershme se në shekullin e XVII ku fillon dekumentacioni që kemi siguruar. Gjithsesi ne po i referohemi ketije burimi:  “Njehere u  ba pashe njifarë Tahir Beu ,nga shtepia e madhe e Çausheve. Ai vendosi me e nenshtrua fisin e krishtere të Kastratit,dhe me e ba njelloje si rajatë e tjer.....Prandaj edhe Pasha mblodhi një ushtri të mirë dhe të fortë ,dhe me këtë marshoi deri te fshati i tyre. Por Dedalet (para-ardhesit e shumices së Kastratit të Sotem ,që kanë një histori në vehte të lidhur me të parin e tyre Dedlin apo Detalin,që edhe për ketë shkruan ky albanolog...N.B.) e kishin menduar se nuk mund  t’i  delshin ballë për ballë fuqise së madhe të pashes , prandaj gratë , femijet , gjane gjallë dhe plaçkat më të vlefshme i kishin  futur në atë shpelle ku kishte banuar stergjyshi i tyre Dedli. Në fshat kishin mbetur vetem disa pleq ,të cilet armiku nuk i prekte për shkak të moshes. Ndër keta ishte edhe Ul Vuka ,i cili nji kohe të gjatë kishte qenë flamurtari i fisit . (Qartesojme se Ul Vuka ishte i biri i Vuk Pal Dedlit ,pra i treti brez pas-ardhes i shumices të të parit të Kastratit të sotem që mendohet të kenë ardhur nga Drekalori i Kuçit ,(atehere shqiptarë) nga fillimi i shekullit XVI.. Ndersa kjo ngjarje duhet  të kenë ndodhur në gjysmen e parë  të shekullit XVII… Kur  pasha arriti në fshat e gjeti bosh, por degjojë se banoret ishin ngjitur në mal, prandaj dha urdher me i ndjekë pas ,mbasi nuk i njihte veshtirsitë e vendit. Ai vetë qendroi në shtepin e  Ul Vukes . Sulmuesit hasen shpejt  nje  kundershtim,sepse kundra tyre nuk luftonin vetem burrat me dyfek ,por edhe grate e femijet duke leshuar gure teposhte. Në ketë menyre ushtria e pashes pati humbje të renda. Kur po luftohej ,Ul Vuka delte shpesh nga shtepia per me pa dhe pastaj i tregonte pashes që ishte brenda.  Nga frika se mos  e humbisnin luften të vetet ,i premtoi Shen Markut  me i ndertuar një Kishe dhe me festua diten e tij

 (25 prillin N.B.), në qoftese fitoren do tu a jepte njerzeve të vet. Kur u pa se lufta po shkonte në favor te tyre ,hyri brenda dhe kur e pyeti pasha  mbi gjendjen u pergjegj “Zotni ,ushtria jote po fiton sepse është e paisur  me të gjitha mjetet, kurse të mitë janë lakuriq “.  Pasha e dergoi edhe një here jashtë per me vrojtue zhvillimin e luftes .Por ky, duke pare turqit që po arratiseshin  dhe të vetet që po i ndiqnin pas me potere te madhe ,hyri perseri në shtepi dhe bertiti : “U ba ,u ba “.    Pasha u habit dhe pyeti çfare kishte ndodhur dhe kush po fitonte . Ul Vuka iu pergjegj:  “Ketë do ta shofim tashti”, dhe me keto fjalë  ia nguli thiken në zemer. Vorri i pashes është edhe sot…    Turqit nuk mujten  ma me rezistua dhe Dedalet i ndoqen deri tek Perroi i Thate. (Që atehere ky përrua njihet edhe si kufini “ndares” në mes Malesise së Madhe me Rranxat e veta.. N.B.). Keshtu ata që banonin ketej prronit (pra Rranxat)  paguanin taksa si gjithe nenshtetasit e tjere te perandoris otomane ,dhe i nenshtrohen gjyqit te kadiut ,kurse ata që jetonin  pertej Perronit Thatë jetuan sipas ligjit të maleve... Kisha ,të cilen

Ul Vuka ia premtoi  Shen Markut u ndertua , dhe Dedalet e festojnë gjithnjë Shen Markun si te kremten e tyre kryesore ...” ( Studime Shqiptare , Johan Georg von Hahn ,fq.260-261 ... Viti 1854.)  Eshte me vlera te cilesohet se që me daten 23 korrik 1634  ishte themeluar Misioni i Freterve të Vegjël  të Reformuar. Ky Mision ishte ndarë në kater Prefektura Apostolike : që ishin  e Kastratit , Pultit , Meqedonisë dhe  Kosoves.

( Nekrologu i Provinces  Shqiptare të Zojes  Nunciatë...referua Schematismus , p.27 ,29.),fq.IV). Duke studiuar me kujdes keto ”deshmi” historike ne  mesojmë se  Kisha e Katundit te Kastratit si Prefekturë Apostolike ka “ditlindjen” (në se mund ta quajmë keshtu) diten e 23 korrikut (1634). Një misionare  i kishes Katolike ne Shqiperi 1883-1907 shkruan se : “..Kastrati eshte famulli shume e vjeter... Mirpo librat e amzes  fillojne nga viti 1726 , vit në të cilin u ndertua (apo më sakt u rikonstruktua N.B.) kisha ,me ndihmen e perandorise Austrohungareze. Ketu në vitin 1901 u ndertua edhe qela e re e komode. Famullia  me terrenin e vet shkemborë  shtrihet nën  malin e Veleçikut , dhe numronte 11 fshatra me 1276 banore....” (  Neper  Shqiperi ,Ate  Lovro Mihaceviq ,fq.78 .) Ndersa  studiuesi i njohur Italian Fulvio Kordinjano na jep një pershkrim interesant per ketë kishë ,ku ndër të tjera po citojme : “..Nepër  rrugen e Shkrelit ,duke u shmangur nga e majta ,sapo arrinë në Zagorë ,mund të mberrish në Kishen e Katundit të Kastratit ; nën majen madheshtore te Veleçikut ; në një rrafshnalte të kurorzuar  me kodrina që duken si kulla vrojtimi të një qyteti të madh të fortifikuar ....” (SHQIPERIA  , Sipas vepres dhe shkrimeve të misionarit të madh At Domeniko Pazi  1847-1914 ,fq.193 ).   Kisha e Katundit te Kastratit ka qenë edhe nën vemendjen e studiuesve dhe hartografeve te ndryshem,ku  hartografi i shekullit XVII  Koroneli (Coronelli)  e pasqyron në hartat e tije si famulli  të lashtë kushtuar Shen Markut ,dhe në atë kohe mesojme se  në  Katundin e Kastratit kishte 80 shtepi katolike…( Vende ,Kisha , Lumej ,Male  e Toponime  te ndryshme te nje harte te lashte te Shqiperise Veriore , Ermanno Armao , fq.58-59. ). Vlen të pasqyrohet se edhe  Imzot  Pjeter Bogdani në  veprimtarine kishtare e patriotike të tije tregon per Kishen e  Kastratit  dhe nevojat e saj per financë ,shpesh edhe per famulltare , e deri per mesues per shkollat e ndryshme shqipe në Rrjoll, Shkrel ,Hot ,Grud ,Kastart e tjere...( Pjeter Bogdani ,Letra e Dekumente ,Pergaditur nga Odette Markuet ....Letra 86 dt.20.IV.1665 , letra 117 vitit 1672 ,letra 180 dok.1,dt.25.6.1675. e tjere..). Edhe nga publikimet e At Zef  Pllumit mesojme  per ndertimin e rindertimin e Kishes së Kastratit...ku nder te tjera shkruan : “...Gjithnjë mbi deren  kryesore qendron...një gurë i zi i shkruem në nji gjuhë latine , se Kastrati ishte selia e Prefektures Apostolike të

Malesisë Madhe ..”( Histori  Kurre e Shkrueme ,At Zef Pllumi  ,fq.230).

Sipas dorshkrimeve  arkivore të Dioqezes së Shkodres , në vitin 1745 Ipeshkëvi  Pal Pema Kampesi , i biri i Pjetrit  nga Tophana (Shkoder) , kishte zhvilluar një vizitë baritore edhe  në famullitë e Malesisë së Madhe. Nga  relacioni perkates i Ipeshkevit mesojmë se (vetë) Misioni i Kastratit  numronte 145 shtepi katolike me 1436 frymë. Gjithashtu nga ky relacion kemi  të dhena  per numrin e shtepiave e banoreve të disa famullive që  mvareshin nga misioni i Kastratit , si : Spaja (Vukli) me 81 shtepi katolike me 691 frymë ; Selca  me 99 shtepi katolike me 782 frymë  ; Trieshi (Triepshi) me 84 shtepi katolike me 580 frymë e tjer... (Nevila  Nika ,Dioqeza e Shkodres gjate shek.XVIII , sipas Dorshkrimeve Arkivore , fq.154- 157). Një Studiues i apasionuar  shkodran që shkruan për historin e Arqipeshkevis Metropolitane të Shkodres  tregon se ; që nga viti  1742  imzot  Pal Kampesi ... ishte perpjekur me durim të pashoq për nderimin e lirinë e Kishes ....Ai kishte administruar disa kohe edhe kishen e Tivarit . Qendroi 29 vjet në Seli (Ipeshkev N.B.), vdiq në Kastrat dhe u varros  në  Kishen e Katunit te Kastratit , ku ka kohen e vorrimit 1771... (Kryeipeshkevia Metropolitane e Shkodres e Dioqezat Sufragane ,shenime historike , Gjush  Sheldia ,fq.64- 65. ). Ky  Natyrisht  një hierark kaq i larte i kishes katolike si  Pal  Pema Kampesi ,varroset pikrisht vetem në një vend të sigurt e të rendesishem siç ishte  Kisha e Kastratit ,pasi në ato kohë  pushtuesit otoman ,edhe varret e simboleve të binomit Fe dhe Atdhe shpesh nuk i linin rehat...Kjo ndodhte per aresye se hierarket e kishes katolike ishin armiqt më të betuar të qytetrimit  mbi bajoneta  që kultivonte dhunshem pushtuesi shekullore otoman.. ndersa  tek  barinjët e grigjes katolike shqiptare pushtuesit shihnin propoganduesit dhe ruajtesit e fares së pakuame te qytetrimit Europerendimore... Lavdia e kishes katolike shqiptare u lartesua e ndriçua (edhe pse ne kushtet e territ otoman) nga famulltarët e hierarkët që  sherbyen me devotshmeri në keto troje -çerdhe te besimit e qytetrimit . Ata jane te shumtë sa vetë historia e lavdia e Kishes së Kastratit , por  ne po rendisim vetem ata  ,per te cilet kemi siguruar dokumente  nga Nekrologu i Provinces Shqiptare  të Zojes  Nunciatë. Nga ky liber-regjister po fillojme sipas renditjes së viteve që kanë sherbyer famulltarë e hierark në misionin , famullin apo  prefekturen Apostolike të Kastratit...: I pari  famulltare që regjistrohet se ka sherbyer në ketë Kishë shenohet Fra  Giuseppe  nga Muro-Lucano (Itali), i cili ndonse nuk ka vite të  sakta sherbimi , mesojme se ai eshte martirizuar dhe ka nderruar jetë ne vitin 1763 . Pas  ketij shenohet  Fra Dionigi  i cili ka sherbyer si Prefekt i Misionit  të Kastratit në vitet 1771-1781. Pastaj  sipas  ketij Nekrologu vjen Fra  Pierpaolo nga Gambitello ,i cili ka qene meshtare ,misionar dhe  prefekt  apostolik i Kastratit  në vitet 1807-1816. Ndersa nga viti 1816 deri në vitin 1826 ka sherbyer si prefek i misionit  Fra Mariano ..Pas ketij famulltari kemi të shenuar emrin e Fra  Matia Vares si prefekt i misionit te Katratit, per te cilin dime vetem se ka nderruar jete ne vitin 1824.  Perseri  kemi te shkruar se ne  kastrat ka qene  meshtare  apostolik ,Fra  Illuminati nga Pretolia , i cili kishte vdekur në vitin 1829. Ne kete Nekrolog kemi te shenuar emrin e Fra  Engjell Drinovac (nga Bosnja) ,per te cilin shkruhet se e shenderroi provincen Shqiptare  në pesë prefektura  apostolike , që ishin : e Pultit , Kastratit , Epirit , Maqedonisë dhe Kosoves.  Pra siç shkruhet Prefektura Apostolike e Kastratit  ishte njera nder pesë njesit bazë te provinces  katolike  të krejt trojeve etnike shqiptare..Ne vitin 1833 eshte shenuar  famulltarë i Kastratit  Fra Paolo nga Cavalla Maggiore..

 Per nje periull 33 vjeçare ,1837 – 1870 ,ne   misonin e  Kastratit  paraqitet si famulltare e misionar apostolik ,Fra Dionizi (anonim). Por brenda ketij harku kohorë (ne vitet 1846 -1848) shenohet administrator i famullisë Fra Riccardo Petrelli nga Ancona , ndersa famulltarë  i Kastratit ne vitet 1849 – 1851 ,Fra Antonio Corrosano. Per vitet  1861 – 1862 shkruhet se ka qene Prefekt i Misionit  Fra  Teodosio Greci  nga Parma.. Ne vitet 1866 – 1867 ka qene famulltare i Kastratit  Fra  Anselmo nga Pistoja , i cili eshte “pasuar” si famulltar nga  Fra Domenico nga Bari ne vitin 1869.. Pasi kemi një shkeputje te kronoligjise per pak vitem mesojme se Fra  Gianpietro Ferrari ,nga Brgamo  ka qene Prefekt  i Misionit nga viti 1874 deri ne vitin 1887 , ndersa Fra  Pacifico nga Brindizi ka sherbyer si famulltarë i Kastratit ne vitet 1876- 1881. Nga viti 1881-1887  famulltar  ne kishen e kastratit ka qenë Nicola Marconi . Prefekti i misionit te Kastratit  nga viti  1887 deri në vitin 1893 ka qene  Fra Gabriele  Neviani nga Modena . Nga  ky nekrolog mesojmë se Fra Secondiano Farini nga Ancona  ka qene famulltarë i Kastratit ,por per ketë kemi ,vetem vitin e vdekjes ,1895. Nga viti 1890 -1899 si misionar i famullisë është shenuar ,Fra Luigi  Carola  nga Napoli.

I fundit i meshtareve (te huaj) qe sherbyen ne famullin e Kastratit  paraqitet Fra  Giovanni Ruso (fratta Maggiore), per te cilin nuk eshte shenuar viti i sherbimit ,veçse i vdekjes 1924..( Nga emertesat dhe rendesia e Prefektures Apostolike të Kastratit kuptohet se ndër vite , kanë sherbyer në të njejten kohë  me shume se një famulltarë).

Siç edhe informohemi nga “libri”i pergatitur nën kujdesin e  fra Flavio  Cavallini mbi bazen  e Nekrelogut  të  fra Marjan Prela , me qortime e shtesa te  fra  Vinçenc Malaj , ne mesojme se shumica e famulltareve ,misionareve dhe prefekteve të Prefektures Apostolike të Kastratit kanë qenë nga Italia  ,pasi shqiptaret e kishin mjaft te veshtire shkollimin  në universitetet dhe fakultetet kryesisht teologjike të Europes Perendimore , që ishte armikja potenciale e otomanizmit. Gjithashtu  meshtaret nga  Europa  ishin shumë më të mbrojtur se ata shqiptarë , nga sulmet dhe zollumet turkoshake... Në fillimet e shekullit XX  në  famullin e Kastratit filluan te sherbejne mjaftë meshtarë te shquar shqiptarë si ;  si Fra Mati Prenushi , i cili ishte famulltari i Kastratit ne vitin  e stuhishem të 1911, ku ky simbol i  binomit Fe dhe Atdhe ishte në ballë të  luftes antiotomane  të lirisë e flamurit të Gjergj Kastriotit , dhe  programit te  mvehtesise - memorandumit te Greçes. Ne vitet  1937- 1938 administrator i  famullise Kastratit  ishte  fra Severin Lushaj  ,per te vijuar me fra Gjon Deden , fra Mark Papaj , fra David Picin , Fra Benedikt Demen dhe me kulm të kesaj plejade , meshtarin e atdhetarin e pashoq   pater Ciril Canin  e  më gjerë...Edhe keta meshtare shqiptarë , e veçanarisht ata që sherbyen në vitet e zeza te komunizmit ateist ,kaluan nepermes nje stuhie - tmerri ; burgimesh , pushkatimesh , internimesh , privimesh , shkaterrimesh e tjetersimesh të vetë kishave . Nga ky fat i keq nuk u perjashtua as Kisha e Kastratit ,e cila u ringjall si homologet e saj pas vitit 1990...Sot kjo kishe eshte me e bukur dhe rrezatuese se kurre, truporja e Shen Markut ungjilltarë qendron hijeshem  ketu . Ajo edhe pse në heshtje ,vijon të na mesojë (se ende ne shqiptaret kemi nevojë) ungjillin dhe doktrinen  jetdhenese të Jezu Krishtit ,të ketij besimi qe tashma ,eshte  besim ,por edhe qytetrim ,ne te cilen  njeriu jeton njeri ,por per kete ne nuk duhet te harrojmë porosin e Shen Palit , i cili thote : “ Aty ku është shpirti i Zotit është Liria”.  

 ”NE” duhet ti memorizojmë në perjetsi keto vlera historike , të ruajtura e shenjeteruara me të njejtin format  besimi e qytetrimi  që  ka  Europa , nga e cila na  ndanë perdhunshem  ndër shekuj , ndersa sot po ribashkohemi me vullnetin tone të lirë , ku keto vlera besimi e qytetrimi janë pasaporta më e mirë ...

 NDUE    BACAJ  -Studiues- Publicist




No comments: