Sunday, April 21, 2013

Balluku: Në '48-ën kam bërë takimin sekret me Titon

NGA: FATOS VELIU
Në intervistën ekskluzive të Kristofor Martiros, vijojnë dëshmitë e pathëna mbi ndodhitë e 11 muajve të qelisë së ish-ministrit historik të Mbrojtjes dhe "Heroit të Popullit", Beqir Balluku.
*- Çfarë tregon Kristofor Martiro për hetimin mbi akuzat ideologjike të Ballukut, të fabrikuara në zyrat qendrore të ish-kolegëve dhe shokëve të tij të luftës.
*- Kush janë dëshmitë e çuditshme të Beqir Ballukut mbi akuzat-surprizë, mbi forcat jugosllave që donte të vendoste në Shqipërinë e jugut.


*- Çfarë ka dëshmuar ai para Kristofor Martiros për vizitën strategjike të gjeneralit të Titos, Kupreshanin, në qytetet e jugut të vendit.
*- Biseda sekrete që Balluku deklaroi para vdekjes, se kishte bërë me Vukmanoviç Tempon kur në vitin '48 kishte shkuar për vizitë ushtarake në Jugosllavinë fqinje.
*- Befasia e tij kur në rezidencën ku ishte vendosur, i kishte shkuar ftesa urgjente e marshallit Tito, i cili e priste posaçërisht në takimin e paplanifikuar.
* Cilat kanë qenë bisedat sekrete që kryeushtaraku shqiptar deklaroi se kishte bërë në atë vit të '48-ës me liderin e supershtetit jugosllav Josip Broz Tito.
*- Befasia e Kristofor Martiros kur nga vetë goja e Ballukut, mësoi të panjohurat e bisedimeve ushtarake jugosllave dhe nxitimi i tij për të shkuar me Kadri Hazbiun në arkivin ku ishte pasqyruar vizita e çuditshme.
*- Dëshmitë befasuese të ish-ministrit në ato ditë të qelisë së vështirë të tij, teksa priste i tensionuar vdekjen e stisur, për urdhrat që lëshoi nga Beogradi në drejtim të komandantit të brigadës së Pogradecit, Feti Smokthina, i cili do lironte me urgjencë ambientet për repartet jugosllave.

Zoti Martiro, ndërsa folëm për hetimin që iu bë Ballukut mbi akuzat në fushën ideologjike dhe më shumë për akuzat banale në drejtim të shpërdorimeve ekonomike të ndodhura në ushtri, të cilat i ishin ngarkuar në mënyrën më të padrejtë vetë atij, do të doja të kalonim më tej në radhën e pistave tuaja të hetimit dhe pyetjeve. Pra unë doja t'ju pyesja se ku vijuan paskëtaj hetimet tuaja ndaj ish-ministrit të ushtrisë dhe ish-kryetarit të njësiteve guerile të kryeqytetit të periudhës së luftës, të cilin ju personalisht e keni pasur epror të asaj kohe kur ishit pjesëtar i atyre celulave? Pas atyre që juve sa cituat, kaluam në hetimin e akuzës së shumëpërfolur, për vizitën e Beqir Ballukut në Jugosllavi dhe për takimin e tij sekret me marshallin Tito, si dhe për diskutimin me të për problemin e vendosjes së divizionit jugosllav në Shqipëri.
Pyetjet që iu bënë Ballukut për këtë fakt? Beqir Balluku, gjatë procesit hetimor u pyet për marrëdhëniet e tij me ushtarakët jugosllavë që ishin në Shqipëri, për vizitën e tij në Beograd dhe takimin me marshallin Tito, për ardhjen e divizioneve jugosllave në Shqipëri dhe qëndrimin e tij.
Përgjigjja e tij në lidhje me këtë pyetje? Beqir Balluku, për sa e pyetëm më lart, deklaroi:
"Kur ishte në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ishte njohur në Shqipëri me gjeneralin jugosllav Kupreshanin, me të cilin kishte bërë së bashku një vizitë në kufirin jugor të Shqipërisë dhe pikërisht në Gjirokastër e Korçë, për çështjet e mbrojtjes së vendit.
Në vitin 1948, kishte shkuar në Jugosllavi në krye të një delegacioni ushtarak për bisedime për çështjet ushtarake.
Në delegacion merrnin pjesë dhe Kristo Themelko, ish- drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë; Tahit Kadare, ish-ushtarak i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe kuadro të tjerë të ushtrisë.
"Problemet politike të ushtrisë në bisedimet me jugosllavët i trajtonte Kristo Themelko, ndërsa ato ushtarakë i trajtoja unë", - deponoi Beqir Balluku.
Dhe çfarë ju dëshmoi për atë vizitë ushtarake? Në dëshminë e tij tha se një ditë, kur ishte në rezidencën ku ishte vendosur delegacioni, kishte shkuar Vulunanoviç Tempo, ishte takuar me delegacionin dhe kishte marrë me vete Kristo Themelkon, për të biseduar për problemet politike të ushtrisë.
Më duket se është akuzuar se ka bërë dhe një takim sekret me Titon në atë kohë. Për atë moment jeni duke më folur? Po, po, aty do dal. Ai dëshmoi se pas ikjes, të nesërmen i kishte shkuar në rezidencë një gjeneral jugosllav, emri i tij për momentin nuk më kujtohet se si ma tha, por që është i fiksuar në procesin e hetimit në çastet kur m'i rrëfente vetë Beqiri.
Çfarë ishte kjo vizitë, kur një ditë më parë kishte qenë një figurë e njohur e Jugosllavisë komuniste të asaj kohe, siç ishte Tempo? Ajo, sipas dëshmisë që më jepte vetë Beqiri, ishte një vizitë, sa e papritur, aq dhe befasuese. Ishte befasuese, pasi ai i tha Beqirit se e ftonte për një vizitë të posaçme vetë marshalli Tito.
E kishte në plan apo program një takim të posaçëm me marshallin për detyrën që ai kryente në atë kohë, pasi kemi parasysh që ishte vetëm Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë? Sipas tij, nuk e kishte në plan një takim me Titon.
Shkoi? Po, po. Shkoi në zyrën e Titos. Më tregoi se ishte impresionuar nga pritja e ngrohtë e Titos, pasi atëherë dihej fama e tij e jashtëzakonshme në mbarë botën.
Çfarë ju tha për bisedën e bërë? Gjatë bisedave, Titoja e kishte pyetur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, për provokacionet e tyre, - nëse këto ishin të shumta në kufirin shqiptar.
Kemi parasysh se në atë kohë, provokacionet greke ishin të shumta në kufirin shqiptar.
Ju kuptova për periudhën që po flisni, por dua të di se si vijoi ajo bisedë e tij me Titon. Pra çfarë ju ka deklaruar vetë Beqir Balluku në ato ditë të vështira të jetës, kur priste me ditë vendimin e egër që do t'i merrte padrejtësisht jetën? Ai më tregoi se teksa foli për provokacionet greke, Titoja thirri një gjeneral në zyrën e tij, i cili i solli disa harta, me shenjat ku ishin dislokuar forcat greke në afërsi të kufirit shqiptar. Duke iu drejtuar hartave, Titoja i kishte thënë Beqirit se forcat greke mund të sulmojnë Shqipërinë. I kishte mburrur forcat ushtarake të Shqipërisë, por kishte theksuar se, "në këtë situatë të rëndë, edhe pse ushtria shqiptare është trime, nuk mund ta përballojë një agresion të grekëve."
Ku donte të dilte pas kësaj rezymeje? Pas kësaj, i kishte thënë se Jugosllavia, si mike e Shqipërisë, duhej të mbronte territorin shqiptar. "Në këtë situatë, - kishte thënë Titoja, duhet të dislokohen disa forca të ushtrisë jugosllave në zonën kufitare me Greqinë". Gjenerali jugosllav që ishte prezent dhe kishte sjellë hartat në zyrën e Titos, tregoi shenjat në hartë se ku duhej të dislokoheshin këto forca.
Dhe çfarë të ka treguar për atë situatë që i ishte paraqitur nga marshalli i Ballkanit? "Nga paraqitja e kësaj situate, dislokimi i forcave greke në afërsi të kufirit shqiptar, - deklaroi Beqir Balluku, - m'u krijua bindja se grekët do të sulmonin tokën tonë. Si ushtarak mendoja se ishte e mundshme të ndodhte një gjë e tillë, duke marrë parasysh provokacionet, kërcënimet, marrëdhëniet e acaruara me Greqinë".
Pra kishte rënë dakord? Ai ishte shprehur se ishte dakord me dislokimin e forcave jugosllave në tokën shqiptare.
Si ta kuptoj këtë zoti Martiro, kur Balluku ishte veç një gjeneral i lartë i këtij shteti? Ju kuptova ku doni të dilni, por sigurisht duhej argumentimi dhe bindja e ushtarakëve që të dilnin te vendimet qeveritare. "Kështu, në lidhje me sa thoni, pikërisht sipas deponimit të Beqirit në procesin hetimor të kësaj çështjeje, i kishte deklaruar marshallit Tito se propozimet e tyre do t'i raportoheshin udhëheqjes shqiptare, Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Enver Hoxhës".
Dhe kë kishte vënë konkretisht në dijeni për këto propozime? Për këto propozime, Beqiri kishte vënë në dijeni udhëheqjen nëpërmjet ambasadës sonë në Jugosllavi dhe nga Tirana ishte marrë një përgjigje pozitive për çështjen e divizioneve.
Dhe çfarë kishte ndodhur?
Mbi bazën e këtij miratimi, Beqiri, që nga Beogradi kishte urdhëruar që forcat tona të ushtrisë të largoheshin nga kazermat e Pogradecit e të dislokoheshin forca të ushtrisë jugosllave në këtë vend.
Doja t'ju pyesja zoti Martiro, se këto deklarata që ju jepte në qeli vetë Beqir Balluku, ju si hetues, i merrnit të mirëqena, apo bënit edhe balancim dhe ballafaqim me dëshmi apo dokumente shtesë? Për të vërtetuar thëniet e Beqir Ballukut, që binin ndesh me ato çka ishin thënë nga udhëheqja e partisë për ardhjen e divizioneve jugosllave në Shqipëri, me autorizimin e administratës së KQ të PPSH-së, studiova materialet që ruheshin në arkivin e Komitetit Qendror për periudhën e vizitës së Ballukut në Beograd, në krye të delegacionit ushtarak. Së bashku me mua ishte edhe Kadri Hazbiu.
Dhe? Materialet i studiova në një sallë mbledhjesh të KQ të PPSH-së. Në morinë e materialeve gjeta një letër, fletë fletoreje, të shkruar me shkrim dore nga ushtaraku Tahir Kadare, ish-anëtar i delegacionit ushtarak që vizitoi Beogradin.
Çfarë ishte ajo letër? Kjo letër i drejtohej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në të ishte shkruar bukur urdhri i Beqir Ballukut për lirimin me urgjencë të kazermave të Pogradecit, pasi do të vendoseshin atje forcat e ushtrisë jugosllave.
Ç'bëtë pasi gjetët këtë letër në arkivin sekret të partisë së asaj kohe? Ia raportova këtë ministrit Kadri Hazbiu, i cili e lexoi dhe kërkoi nga arkivi i KQ të PPSH-së t'i bëhej një kopje.
Çfarë dilte sipas atij dokumenti? Sipas këtij dokumenti, dilte qartë se ishte miratuar vendosja e forcave jugosllave në territorin e Shqipërisë. Dilte problemi se si ishte realizuar kjo. Ministri më udhëzoi që të njihej me këtë dokument Beqir Balluku, dhe të pyesja për të.
Po? I pandehuri më tha se kishte dijeni për të. Urdhri ishte dhënë prej tij, kur ishte në Beograd, pas takimit me Titon. Ish-ministri deponoi se urdhri ishte dhënë pasi ishte marrë miratimi nga lart, por nuk përmendi emër.
Bëtë verifikim të këtij fakti? Në rrugë hetimore dhe operative u bë verifikimi nëse ishte zbatuar në praktikë ky urdhër.
Dhe si rezultoi? Ky veprim rezultoi i kryer. Kazermat ishin liruar me urgjencë dhe forcat e dislokuara në Pogradec ishin vendosur në Çarshovë të Leskovikut.
Morët dëshmi tjetër paralele për këtë fakt? U pyet komandanti i Brigadës së Pogradecit, Feti Smokthina, për të shpjeguar atë që kishte ndodhur në të vërtetë. Sipas dëshmisë së tij, me një urdhër të
Ministrisë së Mbrojtjes, kazermat në Pogradec, ku ishte dislokuar brigada, ishin liruar me urgjencë, dhe forcat që ai komandonte ishin vendosur në fshatin Çarshovë të Përmetit, ku ishin në kushte të vështira banimi dhe furnizimi. Pra ishte bërë fakt i kryer largimi i forcave tona ushtarake nga Pogradeci, për t'ua lënë vendin forcave që do të vinin nga Jugosllavia.
E çfarë ju tregonte më tej Balluku për veprimet me divizionin jugosllav, që sigurisht, dihet tashmë që nuk ka ardhur në Pogradec? Pyeta Beqirin se si ishte vepruar më tej me çështjen e divizioneve jugosllave dhe pse nuk u dislokuan këto divizione në Shqipëri. Ai më tha se, pas kthimit të tij nga Beogradi, pra pas vizitës në Jugosllavi, ishte diskutuar problemi i vendosjes së divizioneve jugosllave në vendin tonë. Sipas Beqirit, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, nisur edhe nga situata e acaruar me Greqinë, ishin dakord me propozimin e udhëheqjes jugosllave. Në mbledhjen e Byrosë ishte menduar se, për situatën e krijuar dhe për masat që ishin marrë në marrëveshje me jugosllavët, të njoftoheshin edhe sovjetikët.
Pra s'kishin qenë dakord sovjetikët? Qeveria sovjetike ishte shprehur se nuk ishin vënë në dijeni nga pala jugosllave për situatën dhe dyshonin për ndonjë agresion nga pala greke. Me këtë përgjigje u njoh edhe pala jugosllave, e cila hoqi dorë nga kërkesa për dislokimin e forcave të tyre në Shqipëri.
Atëherë nuk ishin dukur kontradiktat e sovjetikëve me jugosllavët? Më vonë dolën edhe kontradiktat e sovjetikëve me udhëheqjen jugosllave dhe kështu nuk u realizua ardhja e divizioneve jugosllave në vendin tonë. Gjatë hetimit për këtë çështje, rezultoi se ishte dislokuar një skuadrilje avionësh në aeroportin e Tiranës. Kjo, me miratimin e qeverisë shqiptare. 

No comments: