Nga: FATOS VELIU
Zoti Martiro. Nga numri i kaluar folëm me hollësi mbi situatën e Beqir Ballukut kur iu komunikua akuza në qeli. Madje u ndalëm te dita e 20 dhjetorit të ’74-ës kur ju shkuat në kontaktin e parë me të. Do të doja ta nisnim këtë intervistë të radhës me fillimin e hetimeve ndaj tij. Si i nisët hetimet?
Hetimi me të pandehurin Beqir Balluku fillimisht nisi me materialin e Antitezave, që përbënte dhe akuzën kryesore për “veprimtarinë tradhtare e komplotiste kundër partisë dhe pushtetit popullor”.
Ku u përqendrua hetimi? Hetimi u përqendrua rreth hartimit të “Tezave të Zeza” nga Ministria e Mbrojtjes, ku mbante përgjegjësi edhe ai vetë. Konkretisht do të ndaleshim te arsyet e përgatitjes, kundërvënia ndaj Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, qëllimi i këtyre kundërvënieve, pasojat e tyre etj.
Rezultati? Nga hetimi rezultoi se, kur ishim anëtarë të Traktatit të Varshavës, strategjia e mbrojtjes së vendit ishte hartuar në bazë të këtij bashkëpunimi. Struktura dhe organizimi i ushtrisë, parimet e luftimit, përdorimi i trupave, armatimi, pajisjet, rregulloret e gjithçka tjetër, ishin të tipit të ushtrisë sovjetike, të ushtrive të vendeve të Traktatit të Varshavës. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe daljes ‘de fakto’ nga ky traktat në vitin 1961, për kuadrot drejtues të ushtrisë lindën mjaft probleme dhe shqetësime që kërkonin zgjidhje në kushtet e këtij realitetit të ri të krijuar. Problemi kryesor i tyre ishte përpunimi i Artit Ushtarak, përgatitja e ushtrisë për mbrojtjen e vendit, organizimi i saj, fortifikimi i vendit, pajisja me teknikë dhe armatim luftarak. Mbledhje dhe diskutime të shumta ishin bërë nga këta ushtarakë, me eksperiencë në luftën antifashiste, disa dhe me dy e tre akademi, për zgjidhjen e këtyre problemeve. Këta kuadro i shqetësonte se si do të mbroheshim nga një agresion i mundshëm i blloqeve ushtarake. Në këtë situatë, mendime e pikëpamje të ndryshme ishin shprehur e shtruar për diskutim, për strategjinë e mbrojtjes së atdheut.
Dhe si ishte vepruar, nga sa konstatuat juve gjatë hetimit? Mbi bazën e udhëzimeve të Beqir Ballukut, ishte ngritur një grup pune që përgatiti një material “Mbi veprimet luftarake të ushtrisë”, që u quajt “Teoria e Rrëshqitjes”. Ai material nuk u miratua nga kuadrot e lartë të ushtrisë, pasi kishte mendime të ndryshme për mënyrën e mbrojtjes së vendit.
Për këtë akuzohej Balluku? Për këtë material nuk u zhvilluan hetime, nuk u akuzua Beqir Balluku dhe kuadrot e tjerë, se ai ishte përgatitur para daljes së Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Materiali ishte përgatitur në vitin 1966. Pas kësaj, Ministria e Mbrojtjes nuk mundi të përgatiste një material mbi Strategjinë e Mbrojtjes.
Dhe si kishte vijuar kjo histori? Mehmet Shehu mori përsipër hartimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, pra bazën e Artit Ushtarak, që përbënin edhe vijën ushtarake të partisë.
Mbi këtë bazë u bë organizimi dhe shpërndarja e ushtrisë në pika hapjeje, stërvitjeje dhe përgatitja e saj për mbrojtjen e vendit nga agresioni, përgatitja e rregulloreve, fortifikimi etj.
Sipas deponimeve të Beqir Ballukut, në zbatimin praktik të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes u ndeshën probleme të ndryshme, të cilat kërkonin që Tezat të korrigjoheshin dhe të plotësoheshin më tej. Kuadrot e lartë ushtarakë i shqetësonte problemi i përgatitjes së ushtrisë për mbrojtjen e vendit. Sipas tyre, shpërndarja e ushtrisë në shumë pika hapjeje, angazhimi i ushtarëve në punimet e NBU-ve (Ndërmarrjet Bujqësore Ushtarake), ngarkimi me detyra ndihmëse, si ndërtimi i tuneleve, qendrave të zjarrit, hapja e tokave të reja në ndihmë të kooperativave, punimet për ndërtimin e rrugëve, krijimin e brezareve të frutikulturës, e të tjera punime jashtë stërvitjes, pengonin përgatitjen e ushtrisë për kryerjen e misionit dhe detyrës së saj, mbrojtjen e vendit.
Çfarë i preokuponte këta kuadro? Këta kuadro i preokuponte çështja e fortifikimit xhenier për drejtimet kryesore të brezit të mbrojtjes, pajisja e ushtrisë me armatim e teknikë.
Dhe çfarë ju deklaronte Balluku gjatë hetimit në qeli për këto shqetësime të kuadrove? Këto mendime e shqetësime, kuadrot e lartë të ushtrisë, -sipas deklarimeve në procesin e hetimit nga Beqir Balluku, - i kishin thënë hapur në mbledhje e analiza, në stërvitje dhe kolegjiume të ministrisë.
Pa pasur frikë se kundërshtonin direktivat politike? Duke i ngritur hapur këto probleme, kuadrot mendonin se do të gjenin zgjidhje nga Udhëheqja, pasi sipas tyre, synonin rritjen e gatishmërisë luftarake dhe aftësinë mbrojtëse të vendit.
Ushtarakët e lartë të Forcave të Armatosura ndiqnin me shumë vëmendje stërvitjet e NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, luftën në Vietnam, atë në Lindjen e Mesme, ngjarjet në Çeki etj., mbi bazën e të cilave nxirrnin konkluzione për t’u përgatitur për mbrojtjen e vendit mbi bazën e kushteve aktuale të armiqve të mundshëm.
Në Vietnam madje u dërguan edhe kuadro ushtarakë, për të studiuar e marrë eksperiencën e luftës së popullit vietnamez. Ishin shfaqur gjithashtu dokumentarë të luftës në atë vend, ku dalloheshin qartë veprimet e Aviacionit amerikan duke goditur objekte nga largësi të mëdha, me raketa të telekomanduara.
Lufta në Lindjen e Afërt u kishte dhënë mundësi ushtarakëve tanë të njiheshin me taktika të ndryshme, siç ishte rasti i sulmit të ushtarëve egjiptianë me raketa sovjetike “SAM I” e “SAM II” mbi tanket dhe avionët izraelitë.
Ushtarakët tanë ishin njohur edhe me veprimet luftarake të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, ku brenda një nate e pushtuan këtë vend dhe pa u marrë vesh fare nga askush.
Kush ishin deponimet e Beqirit në hetuesi, pra para jush, në lidhje me këto informacione që merrte ushtria? Beqiri dhe ushtarakët e tjerë deponuan se, kur ishte bërë një stërvitje në Rusi, në Dvina, një divizion i këmbësorisë së motorizuar kishte zbarkuar brenda një ore. Sipas llogarive të ushtarakëve nga Varna, - vendi më i afërt i vendeve të Traktatit të Varshavës, - avionët donin vetëm një orë kohë të mbërrinin në hapësirën tonë. Zbarkimi i trupave dhe mjeteve, do të donin kohën e tyre, e shumta tri orë, që ata të ishin gati për luftë, kurse forcave tona u duheshin plot tetë orë për të zënë vijën e mbrojtjes.
Këtu besoj ka pasur një kontradiktë mes kuadrove tanë ushtarakë, në lidhje me eksperiencën aktuale të asaj kohe dhe propagandës zyrtare që mund të bëhej për mbrojtjen. Këtu e kam fjalën se, duhet të pranojmë që ushtarakët tanë të asaj kohe kanë qenë shumë të përgatitur, apo jo? Është shumë e vërtetë. Kuadrot e lartë të ushtrisë sonë, të cilët kishin mbaruar akademitë, njihnin mirë Artin Ushtarak, llogarisnin saktë raportin e forcave, njihnin ligjet e luftës dhe ishin të preokupuar për rritjen e gatishmërisë luftarake, të aftësisë mbrojtëse të vendit në këto kushte, dhe jo për ta shkatërruar atë.
Sipas ushtarakëve, ishte vetëm slogan ajo që thuhej në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, se “ne mund të mbrohemi dhe madje mund të fitojmë edhe në rastin e një agresioni të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës”.
Pra ata nuk e pranonin këtë version politik, i bërë slogan i forumeve më të larta të Partisë-shtet? Sipas tyre, ne kishim një ushtri të përgatitur dhe të armatosur, por që nuk mund t’i bënte ballë një koalicioni me potencial të madh njerëzor dhe teknikë luftarake.
Në një bisedë me gjeneral Muhamet Prodanin, ai më ka thënë:
“Kur isha komandant divizioni në Gjirokastër, erdhi Enveri për vizitë. Midis të tjerave, ai vizitoi edhe divizionin që drejtoja unë. Gjatë bisedës, Enveri më kërkoi hartën e dislokimit të forcave tona në rast të një sulmi të mundshëm nga Greqia. Ia hapa hartën e dislokimit të divizionit në frontin e jugut. Enveri më pyeti nëse mund të mbroheshim ne ndaj koalicioneve të Traktatit të Varshavës apo të NATO-s. Unë i thashë: ‘Shoku Enver, që bëhet një propagandë se ne mund ta përballojmë dhe mund të fitojmë me koalicione të tilla, është gjë e mirë, por në të vërtetë ne nuk mund të mbrohemi ndaj këtyre koalicioneve, as për resurset njerëzore dhe as për armatimin që disponojnë. Për sa i përket mbrojtjes së kufirit nga forcat greke, të siguroj se asnjë këmbë ushtari grek nuk futet në vendin tonë.’ Mirëpo më pas, kur takova Hysni Kapon, ai më tërhoqi vëmendjen se përse i isha përgjigjur Enverit në atë mënyrë. Po kështu, të njëjtën këshillë më dha edhe Mehmet Shehu, nëse nuk doja të më fluturonte koka”.
Çfarë ka deponuar Beqir Balluku në lidhje me antitezat për të cilat akuzohej? Plenumi XII i KQ të PPSH-së, i mbledhur në qershor 1971, me temë “Mbi masat për përsosjen e mëtejshme të përgatitjes e të gatishmërisë luftarake të ushtrisë e të Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore”, mori në shqyrtim çështjet ushtarake, zbatimin e direktivave të partisë mbi rolin udhëheqës të saj në ushtri, vendosjen e komisarëve politikë dhe komiteteve të partisë, zhvillimin e stërvitjeve ushtarake në zbatim të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, vendosjen e disiplinës etj.
Dhe çfarë ju ka deponuar Balluku për këtë situatë? Sipas deponimeve të Beqir Ballukut, plenumi kritikoi udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes për shumë të meta të konstatuara, si: indisiplinimin në radhët e ushtarëve, disa koncepte të huaja të shfaqura nga disa kuadro, arrogancën, fudullëkun e tyre, apo nënvlerësimin e rolit udhëheqës të partisë në ushtri, zbatimin e vijës së masave, mungesat në stërvitje etj.
Plenumi e vuri theksin në punën për përgatitjen e ushtrisë dhe të popullit për mbrojtjen e vendit. Të gjithë punonjësit njëkohësisht, të punonin, të mësonin dhe të përgatiteshin për mbrojtjen e vendit.
Gjithmonë nga sa ju pyes më intereson dëshmia e Ballukut para jush teksa i bënit hetimin. Pra, kush ishte dëshmia e tij? Bazuar në dëshminë e Beqir Ballukut gjatë hetimit, Enver Hoxha kishte dhënë në plenum direktivën “Ti kthejmë fushat në gërxhe e male”, që do të thoshte se i gjithë vendi duhej të kthehej në rajon të fortifikuar, nga fushat e deri në thellësitë strategjike. U bënë vërejtje, se sistemi i fortifikimeve kishte mjaft mangësi.
Ku ishte mendimi i tij teksa hidhte këtë parullë? Mendimi ishte që, shteti ynë, pamundësinë financiare për të blerë tanke e armatim të rëndë ta zëvendësonte me fortifikime. Në këtë plenum, Hoxha kishte theksuar se në bazë të eksperiencës që ishte fituar, duhej të zhvilloheshin e të pasuroheshin edhe Tezat e Këshillit të Mbrojtjes.
Ndërsa Mehmet Shehu, në diskutimin e tij, përveç vërejtjeve për problemet ushtarake, stërvitjet e të tjera, kishte folur edhe për rolin e forcave frenuese -bllokuese dhe operativo-goditëse. Të parat ishin forcat artmitraljere në brezin kufitar, që në rast agresioni, kishin për detyrë të frenonin armikun deri në hapjen e forcave kryesore në organikë lufte dhe të zinin brezat e mbrojtjes.
Çfarë thoshte Beqiri për këto vërejtje të Mehmet Shehut? Beqiri tha se ai ishte ngarkuar nga Udhëheqja e partisë që të zbërthente materialet e Plenumit XII të KQ të PPSH-së dhe t’i vinte ato në jetë. Sipas tij, ishte porosia e Enver Hoxhës, për përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes.
Nisi kështu puna për të vënë në jetë porositë e plenumit. Ish-ministri, në një mbledhje me kuadrot e lartë ushtarakë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, duke folur në zbërthim të materialeve të plenumit dhe porosive të Enver Hoxhës, kishte hedhur disa ide për zhvillimin e mëtejshëm të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Këto, sipas tij, ishin thjesht ide të pakristalizuara, por asnjë nga ushtarakët nuk i kundërshtoi ato.
Dhe si kishte vepruar më tej? Më pas, Balluku ngriti një grup pune për zbërthimin e materialeve dhe porosive të Enverit në fushën e mbrojtjes. Ky grup përpiloi një material, që nuk u pranua se nuk kishin gjetur zbatim porositë dhe idetë e tij. U krijua kështu një grup i dytë pune, i cili përpiloi një material rreth problemit të mbrojtjes, por që nuk u zbatua se u kundërshtua nga kuadrot e lartë të ushtrisë.
Një grup i tretë pune, me ushtarakët më të talentuar të vendit, Spiro Shalësi, Agron Como, Ernest Jakova, nisi përgatitjen e materialeve. Nën drejtimin e Beqir Ballukut, ata u vendosën në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Pogradec. Në vitin 1973 përfundoi puna për përpilimin e këtij materiali, që më vonë u quajt “Antitezat”.
Dhe çfarë u bë ky material, i cili do t’u hante kokën tërë gjeneralëve kryesorë të ardhur nga Lufta Nacionalçlirimtare? Me porosi të Beqirit, ky material iu dërgua kuadrove kryesorë të ushtrisë e komandantëve, komisarëve, shefave të shtabeve të njësive, drejtorëve në Ministrin e Mbrojtjes, me porosinë që ta studionin e të jepnin mendimet, sugjerimet e tyre për materialin. Kopjet e këtij materiali, me sugjerimet e kuadrove të cilëve u ishte adresuar, u kthyen e u arshivuan në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Zoti Martiro. Teksa Beqir Balluku, kur e merrnit në pyetje në mënyrë të tejzgjatur dhe me kohë të përditshme, ju fliste me hollësi për këto materiale që ishin konsideruar “të zeza” apo “antiteza”, ishit bërë kurioz t’i merrnit apo t’i lexonit në atë moment? Gjatë procesit hetimor me të pandehurin Beqir Balluku, u njoha me kopjet e këtij materiali dhe lexova shënimet që kishte bërë gjithkush që e kishte lexuar atë.
Dhe çfarë paskëshin shënuar në ato materiale, që qenkëshin konsideruar kaq heretike sa po u merrte jetën ushtarakëve të famshëm? Një pjesë e kuadrove kryesorë të ushtrisë kishin bërë vërejtjet e tyre për mjaft probleme që shtroheshin në të, sidomos për çështjet e veprimeve taktike dhe operative. Kishte nga ata që kishin bërë edhe vërejtje të pavlera apo të tjerë që nuk kishin bërë asnjë shënim. Me sa më kujtohet, vetëm gjeneral Muhamet Prodani, në shënimet e tij mbi materialin ishte shprehur se nuk ishte dakord me atë material, pasi binte ndesh me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Përgjithësisht, bazuar në shënimet e kuadrove, materiali nuk ishte pëlqyer.
(Vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments:
Post a Comment