Tuesday, December 25, 2012

Skënder Gjinushi: "Rama, zgjedhjet nuk fitohen vetëm!”

 Skender Minxhozi
Skënder Gjinushi, historikisht njëra ndër mendjet më të kthjellëta të të majtës shqiptare, analizon në këtë intervistë negociatat për reformën elektorale, duke u shprehur se nuk po dëshmohet vullnet për të korrigjuar deformimin e votës. Ai thotë se vetëm teknologjia nuk është e mjaftueshme për të garantuar standarte në zgjedhje. Vizitat në Uashington?! Mesa duket disa duan të ngrenë kreditet e rëna brenda vendit, thotë kreu i PSD 


Zoti Gjinushi, një kompromis i afërt po lajmërohet mes dy partive të mëdha, lidhur me reformën zgjedhore. Çfarë po ndodh me zgjedhjet, sipas pikëpamjes tuaj? Sa i besueshëm është numërimi elektronik? A do të ketë korrektim kombëtar? Po ndryshim të formulës dhe përbërjes së KQZ?
Me zgjedhjet po ndodh ajo që ka ndodhur në tre zgjedhje radhazi me këtë qeveri, e cila, pasi dështon qëllimisht në arritjen e standardeve zgjedhore, me apo pa reformë parazgjedhore, shpreh gatishmërinë për të ribërë një reformë të re, me premtimin se shkeljet e radhës s’do të përsëriten më në të ardhmen. Se sa efektiv është një veprim i tillë, mjafton të dëgjosh kryemanipulatorin e zgjedhjeve, i cili deklaron se është gati të votojë çdo amendament të opozitës. Edhe ai e ka kuptuar, atë që s’duan të kuptojnë shumë të tjerë, se problemet në zgjedhje nuk vijnë nga Kodi, por nga shkelja flagrante e tij, nga vullneti negativ që ka pushteti për votën e lirë. Sot, i vetmi ndryshim nga reformat e mëparshme është fakti se tani tërë shpresa është varur tek futja e teknologjisë në zgjedhje, e në fakt për situatën ku ndodhemi, ajo është një domosdoshmëri, por në çdo rast teknologjia do të ulë shkallën e manipulimit, por nuk garanton standardet. Standardet, ashtu siç e thotë dhe Komisioni i Venecias, apo siç e theksonte me mjaft elegancë ambasadori Withers, varen vetëm nga vullneti politik i organizatorëve e administrueseve të zgjedhjeve, e ato janë qeveria, KQZ-ja, KKRT-ja e Kolegji Zgjedhor.
S’mund të flitet për zgjedhje të lira e të ndershme pa garantuar ndershmërinë e paanësinë e këtyre institucioneve, para apo gjatë procesit zgjedhor. Prandaj, për herë të parë haptas, edhe Venecia kërkon riformatim të KQZ-së. Në fakt, gjithkush e kupton se për të ndryshuar realisht vullneti politik, duhet nisur ndryshimi nga shkaktari kryesor e mbartësi kryesor i këtij vullneti negativ, që është qeveria, por meqenëse qeveria mbrohet për arsye të pakuptueshme, hallkat e tjera duhet të balancohen detyrimisht. Opozita gaboi rëndë që hyri në zgjedhjet e majit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të 2009.
Edhe përshtatja e sistemit apo zbatimi i tij në mënyrë të pa deformuar, është një domosdoshmëri për zgjedhje të lira e të ndershme. Theksoj se kërkohet jo ndryshim i sistemit zgjedhor, por rregullim i deformimit që ai jep, nga përshtatja diletante dhe jo profesionale që i është bërë. Për të kuptuar defektin e modelit tonë të vitit 2009, mjafton ta krahasosh atë me modelin maqedonas. Në Maqedoni ka 6 zona zgjedhore, me 20 deputetë secila, ndërsa tek ne aplikohen 12 zona, me nga 4 deri në 33 deputetë. Sa më i madh është disproporcioni midis zonave, aq më i padrejtë është sistemi. Korrektimi kombëtar do ta korrigjonte këtë deformim dhe opozita, sidomos ajo socialiste, në emër të barazisë së votës, duhet ta kërkojë me çdo kusht këtë ndryshim. 
 
Si e shihni klimën politike në vend në momentin aktual? Çfarë po ndodh sipas jush, një detantë e qëndrueshme politike, apo një armëpushim i sforcuar mes palëve?
Problemet në Shqipëri nuk janë midis opozitës e pushtetit, por në faktin se Shqipëria dështon për tre vjet rresht për të arritur standardet, për të marrë statusin e vendit kandidat. Se vendi, sa më shumë kërkohet t’i afrohet standardeve europiane, aq më shumë zhytet në nivelin e vendeve problematike, duke u renditur në tërë raportet për korrupsion, lirinë e medias apo nivelin e demokracisë, përkrah vendeve të Afrikës Qendrore, sepse tashmë na e kanë kaluar edhe Tunizia me Egjiptin. Në rast se shkelet mbi 30 herë Kushtetuta e Shqipërisë, në rast se dhunohet vota e lirë, e madje s’lejohet as hetimi mbi shkeljet, në rast se tërë institucionet, përfshirë dhe median, ndodhen nën sulmin e presionin politik, deri fashisto-rrugaçëror të qeverisë, në rast opozita nuk ka asnjë të drejtë të qenësishme të garantuar në Kuvend, në rast se ndëshkimi i qeveritarëve e pushtetarëve për korrupsion e vrasje politike zëvendësohet me shpërblimin e promovimin e tyre, këto nuk janë produkt i konfliktit të opozitës me shumicën, por janë produkt i konfliktit të kësaj shumice me Kushtetutën, me votën e qytetarëve, me institucionet e pavarura, me taksapaguesit e paratë e tyre. Por, meqenëse disa s’duan zgjidhjen reale të gjendjes, kërkojnë t’i servirin dështimet e qeverisë e implikimet e saj korruptive e manipulative, si pasojë e marrëdhënieve ndërpartiake. Vetëm tek ne dëgjon të flitet për përgjegjësi të opozitës, për dështimet e qeverisë, vetëm tek ne kërkohen përgjegjësitë e opozitës, për papërgjegjshmërinë e qeverisë. Vetëm tek ne, sa herë që dështon qeveria, kërkohet, jo ndryshim i kursit qeverisës, por ndryshim i kursit opozitar.
Prandaj paqja që përmendni ju, qoftë afatgjatë apo afatshkurtër, s’do të japë asnjë produkt të ndjeshëm, përveç zgjatjes së jetës së kësaj qeverie, e shkurtimit të shpresës për shqiptarët. Meqenëse paqja është e pjesshme dhe e pabarabartë, ajo do shërbejë vetëm si alibi për të ndryshuar imazhin e qeverisë, por jo jetën e shqiptarëve. Kujtojmë se paqe të tilla me shkaktarin e krizave janë bërë nga tërë liderët e të majtës dhe kanë dështuar. U bë dhe në 2008-ën dhe rezultati është që Shqipëria është për herë të parë, e fundit në rajon, në procesin e saj të integrimit.
 
Duket sikur të gjithë rendin drejt Uashingtonit këto kohë. Çfarë përshtypje ju krijon ky procesion politikanësh, në dyert e administratës amerikane?
Nga ana formale ato tregojnë edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira që ka Shqipëria me aleatin e mikun e saj kryesor, e sidomos interesin e lartë që SHBA tregojnë për zhvillimet politike tek ne. Por gjithashtu dihet se vizitat bëhen më intensive, kur kriza në vend është më e thellë, ashtu si dhe rritja e interesimit ndërkombëtar është shprehje e qartë e krizës pa krye ku ndodhemi. Por në vizita të veçanta lexohet lehtë dhe nevoja a praktika e disave, që kreditë e humbura brenda vendit, kërkojnë t’i rikuperojnë jashtë vendit.
 
Si i përcollët mendimet e ish-ambasadorit Withers? Po përgënjeshtrimin e DASH rreth intervistës së tij?
Ambasadori Withers i ka folur dy herë opinionit publik shqiptar, një herë pa lejen e tij, nëpërmjet Wikileaks, dhe pastaj në revistën tuaj, për të qartësuar pozicionin dhe vlerësimet e tij. Të gjitha çka ai tha, përputhen totalisht me realitetin shqiptar. Ato janë problemet reale të Shqipërisë dhe zgjidhjet e vetme për të. Për sa i takon përgënjeshtrimeve, aty s’ka asgjë për të përgënjeshtruar, sepse ai, për vetë dinjitetin e sinqeritetin me të cilin është shprehur, nuk pretendon e as aludon se flet në emër të dikujt tjetër. Nga ana tjetër, vlen të evidentohet fakti se kur opinioni publik u njoh nëpërmjet Wikileaks, me mendimet, faktet a opinionet e z.Withers, për zhvillimet në Shqipëri, kur këto vlerësime përkonin e përfaqësonin DASH për kohën, del qartë se ato fakte e qëndrime përputhen plotësisht me ato që ai thotë sot në intervistën e dhënë tek ju. Këtë të vërtetë s’e përgënjeshtron dot njeri.
 
Kryeministri është mjaft prezent në media, ndërkohë rivali i tij kryesor komunikon më së shumti përmes rrjeteve sociale. Si do ta komentonit secilën prej këtyre mënyrave të komunikimit politik të Berishës dhe Ramës?
Gjithkush e vlerëson vetë mënyrën se si i adresohet opinionit publik. Por, për mendimin tim, në kushtet e Shqipërisë, përballë një qeverie e kryetari kaq agresiv, mënyrat moderne të komunikimit mund të jenë plotësuese, por jo parësore apo të vetmet. Opozita parlamentare gaboi në heqjen dorë nga protestat e mjetet e tjera të presionit demokratik. Rikthimi i opozitës në Kuvend, pa u garantuar të drejtat kushtetuese të Kuvendit e të deputetëve opozitarë, është një veprim i gabuar. Deputetët e majtë janë të detyruar të kërkojnë ushtrimin e barabartë të mandatit të tyre, kur cenohet p.sh. vota e fshehtë nuk dhunohet vullneti i deputetëve, por cenohet e drejta e votuesve të tyre për t’u shprehur për institucionet kryesore të vendit nëpërmjet delegimit. Pra ajo që disa e quajnë moderim të opozitës parlamentare, në fakt është pazotësi e saj për të përfaqësuar e mbrojtur të drejtat e votuesve të tyre.
 
Sa e madhe është aktualisht tryeza e opozitës? Si e shihni performancën e koalicionit opozitar? Sa do tkurret apo zgjerohet ajo në javët dhe muajt e ardhshëm, sipas jush?
Zgjerimi i koalicionit opozitar do të varet shumë nga shkalla e reflektimit që do të ketë PS, në raport me gabimet e të shkuarës, sidomos të vitit 2009. Lidershipi i PS-së, me kohë duhej të kish kuptuar se zgjedhjet as nuk fitohen i vetëm, e as nuk këshillohet një fitore e tillë, se parësore është fitorja e pushtetit dhe pastaj ndarja e tij, se destabiliteti nuk vjen nga aleatët, por nga keqqeverisja, se mazhorancat e forta nuk varen nga numrat, por nga aftësia qeverisëse. Vullneti pozitiv për aleanca të gjera duhet të demostrohet dhe me mbrojtjen më me forcë të të drejtave të partive të tjera, gjatë kryerjes së reformës zgjedhore.
 
Do të kemi një president “kushtetues” apo “konsensual”? Nëse ndodh varianti i parë, si e shihni vitin që na ndan nga zgjedhjet e 2013?
Nuk ekziston president kushtetues, por jo konsensual. Kushtetuta jonë e imponon në frymë e në gërmë procesin konsensual për zgjedhjen e presidentit. Edhe ndryshimi i 2008 nuk e cenon këtë fakt. I vetmi ndryshim është se atëherë, nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit, deri në fund, duhej që një kandidat të marrë 84 vota për t’u zgjedhur president, ndërsa tani synohet të arrihet shumica me 84 në raundet e para, pastaj mund të zgjidhesh dhe me 71 vota. Kjo do të thotë se një shumicë e cilësuar, me mbi 84 deputetë, bie dakord të përfshihet në zgjedhjen e presidentit midis konkurrentëve të afishuar, ku indirekt gjithkush prej tyre quhet i pranueshëm e me garancitë për ta kryer këtë funksion kyç të shtetit demokratik.
 
Ju rreshtoheni tek entuziastët apo tek skeptikët, sa i përket partive të reja që po lindin djathtas? Sa do ta prekë ky fenomen balancën e forcave në zgjedhjet e ardhshme?
Pozitiv është fakti që më në fund ndërmerret një lëvizje për të çliruar të djathtën nga klani korruptiv i Berishës. Shqipëria ka nevojë për një të djathtë që mbështetet mbi kapitalin, por jo mbi kapitalet e pista të krijuara në kurriz të shqiptarëve, ka nevojë për një të djathtë patriote, e jo një pseudo të djathtë që shet detin, mbështet me naftë Millosheviçin, që dhe tani mban si emblemë identifikimi jo stemën e Republikës, por shqiponjën sllave.

No comments: