Tuesday, December 25, 2012

Plani i sulmit, dashnorja e Zogut ia shiti Nolit

  • Flet studiuesi Nasho Jorgaqi: Kryeministri u tradhtua nga Bajram Fevziu, shefi i shtabit të ushtrisë
  • Plani i sulmit, dashnorja e Zogut ia shiti Noli, 8000 trupa u përgatitën me ndihmën e qeverisë jugosllave për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri
  • Ali Kolonja jep informacionin nga Beogradi “Mercenarë shqiptarë, rusë e serbë gati për sulm mbi Tiranë. Bajram Curri organizoi mbrojtjen e fortë

Leonard Veizi
-Nasho Jorgaqi, studiuesi i jetës së Fan Nolit, thotë se më 24 dhjetor, ditën që ordinanca i solli në Durrës dorëshkrimin e "Rubairave”, në Tiranë, Noli humbiste përfundimisht pushtetin. “Aty nga mesdita, Ahmet Zogu hipur mbi një kalë të bardhë, zbriste nga rruga e Bamit me uniformën e kolonelit, i pasuar nga qindra vetë, dhe vendosej në sarajet e Toptanasve. Kthimi sërish në këto saraje i nipit të tyre, tregonte qartazi se kush do ta sundonte Shqipërinë këtej e tutje. Intervencioni kishte zgjatur jo më shumë se dhjetë ditë me humbje të pakta: 25 të vrarë e 60 të plagosur nga agresorët dhe 10 të vrarë e 20 të plagosur nga mbrojtësit. Nga sarajet e Toptanasve Ahmet Zogu do të lëshonte komunikatën e parë zyrtare: "Fuqitë operative nën komandën time hien në Tiranë. Secili ka me qenë përgjegjës për çdo ngjarje...". Pas kryeqytetit do të binin lehtësisht njëri pas tjetrit dhe garnizonet e qyteteve të tjera. Zogu kish hyrë në Tiranë më 24 dhjetor, ditën që Noli dhe qeveria e tij kishin caktuar për të zhvilluar zgjedhjet parlamentare”. Më tej në një intervistë për “Shekullin”, studiuesi dhe shkrimtari i njohur Nasho Jorgaqi thotë se si u zhvilluan luftimet për të marrë kryeqendrën shqiptare, gjë që bëri të binte Fan Noli nga pushteti dhe në vendin e tij të ngjitej Ahmet Zogu:
Cilat ishin shkaqet që rrëzuan qeverinë e Fan Nolit?
Në fillim të dhjetorit ngjau braktisja e parë serioze. S. Delvina, hoqi dorë nga posti i Ministrit të jashtëm, e Noli u detyrua ta marrë vetë përsipër dhe këtë portofol. Tani raportet që dërgoheshin nga përfaqësitë diplomatike shqiptare binin direkt në dorë të Nolit. Me rëndimin e situatës, atij i duhej të shqyrtonte me kujdes të gjitha të dhënat që vinin nga Beogradi, Roma, Londra, Athina, Gjeneva e Vjena. Përparësi kishin veçanërisht raportet që çonte nga Beogradi Ministri Fuqiplotë Ali Kolonja. Informacioni i tyre ishte tepër i rëndësishëm, përderi sa rreziku kryesor vinte pikërisht prej andej. Kështu, me telegramin e 3 dhjetorit ai njoftonte qendrën se "një damë, e cila kish marrëdhënie intime me Ahmet Zogun", kish arritur të zbulonte planin sekret të operacionit që ai po përgatiste me ndihmën e qeverisë jugosllave për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri. Zogu, siguronte ajo, ndodhej i fshehur në Beograd dhe lajmi i largimit të tij ishte i sajuar. Të dhënat qenë aq konkrete sa raportit i bashkëngjitej dhe plani i detajuar i veprimeve, që do të ndërmerreshin në ditët e afërta. Kështu, më 5 dhjetor Zogu do të arrinte në Prizren dhe pesë ditë më vonë do të niste operacioni ushtarak. Gruaja e panjohur i jepte këto të dhëna kundrejt një shpërblimi 20000 dinarësh dhe premtonte për informacione të mëtejshme. Të dhënat e saj flisnin se në operacion do të merrnin pjesë jo vetëm "mercenarët shqiptarë të rekrutuar", po dhe "ushtarakë dhe oficerë rusë", të mbështetur "nga forcat ushtarake serbe".
Çfarë përmbante plani operacional i Zogut?
Plani i operacionit zbulonte se këto forca do të niseshin nga Prizreni drejt Kukësit, nga Dibra drejt Peshkopisë, nga Mali i Zi drejt Shkodrës, të paraprira nga një kryengritje, që do të shpërthente brenda në Shqipëri. Dashnorja e Zogut ishte aq e sigurt, sa jepte dhe 10 dhjetorin si datë të fillimit të ofensivës ushtarake. Këto të dhëna tepër serioze dhe shqetësuese, me të cilat kryeministri me siguri ishte vënë në dijeni, nuk dimë se si u pritën prej tij dhe ç'efekt patën. Nga një artikull që do të botonte ato ditë ai në gazetën gjermane "Fos" nuk reflektohen, qoftë dhe tërthorazi, rreziqet që kërcënonin seriozisht vendin dhe pushtetin e tij. Përkundrazi, kryeministri tregohet optimist, gjithë besim, duke vënë në dukje drejtësinë dhe legjitimitetin e qeverisë që drejton, fitoren mbi bejlerët dhe planet e saj, duke e mbyllur me deklaratën pacifiste: "Paqë brenda dhe jashtë është parulla jonë". Disa hollësi të atyre ditëve dëshmojnë se, sado që ishte në dijeni të rreziqeve serioze që i kanoseshin, shqetësimi i tij nuk arrinte deri atje sa të mendonte rrëzimin e afërt nga pushteti. Besonte akoma se do ta përballonte me sukses kundërshtarin që i kanosej nga jashtë. Këtë siguri relative të situatës në Shqipëri e shohim dhe te artikulli i F. Konicës "Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës", botuar te "Dielli" po ato ditë. Kryetari i Vatrës mundohet ta qetësojë opinionin se "Nuk beson se Shqipëria- është në rrezik..."
Në fakt nuk ishte kështu...?
Ngjarjet do të rrokulliseshin me një shpejtësi. Noli do të thërriste Këshillin e Ministrave në mbledhje urgjente e të tensionuara për gjendjen e krijuar në vend. Vëmendja e tij tani u zhvendos nga fushata elektorale në masa për të zgjidhur çështjet madhore të ditës. Nga prefekturat kufitare e sidomos ato të veriut vinin telegrame alarmi dhe raporte me informacione shqetësuese. Forcat kundërshtare përgatiteshin haptazi përtej kufirit për ndërhyrje ushtarake. Kish filluar dezertimi i oficerëve dhe i funksionarëve. Paria e disa viseve të veriut po tradhtonte dita-ditës. Elementë subversivë sabotonin dhe në opinion qarkullonin parulla shkurajuese dhe armiqësore, një pjesë e të cilave kalonin nga kabineti i kryeministrit. Vetëbesimi dhe optimizmi i Nolit do të pësonin një goditje nga situata që përkeqësohej aq vrullshëm. Sado që me vonesë, Noli do ta kuptonte nevojën e disa masave paraprake. "Burgosini gjithë ata që janë të dyshimtë, urdhëronte qeveria prefekturat, dhe silluni rreptë kundrejt disfatistëve". Pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit, disa nga ministrat u shpërndanë nëpër krahina. Noli mbeti në Tiranë, Gurakuqi shkoi në Shkodër, për të njohur nga afër situatën e për të organizuar mbrojtjen e kufirit.
Kur do të acarohej përfundimisht situata?
Në pragun e agresionit frontal situata u tensionua më shumë, kur më 12 dhjetor Gjyqi politik shpalli vendimin e tij. Ai dënoi me vdekje A. Zogun dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë si "autorë principalë të vëllavrasjes”. Kjo ngjarje erdhi në një kohë krejt të papërshtatshme, që i solli dëm autoritetit të Nolit. Diplomatët dhe kancelaritë evropiane që e ndiqnin me vëmendje situatën në Shqipëri, nuk e pritën mirë. U cilësua si një hakmarrje politike. Ndërkohë në kryeqytet organizohet një miting i madh popullor që, sipas shtypit, "s'asht ba ndonjëherë", ku shprehet gatishmëria dhe solidariteti i plotë me qeverinë e kryesuar nga Fan Noli. "Populli i egërsuar prej tradhëtive, deklarojnë përfaqësuesit e popullit të Tiranës, asht gati me ba çdo therori që lyp atdheu". Ata dënojnë qeverinë jugosllave si nxitëse dhe organizuese e armikut të Shqipërisë, Ahmet Zogollit. Nga mitingu u dërgohen telegrame proteste Lidhjes së Kombeve dhe Fuqive të Mëdha. Në këtë situatë u krijua një rrethanë tjetër e padëshiruar për Fan Nolin dhe qeverinë e tij. Nga Moska ishte nisur në drejtim të Tiranës misioni diplomatik me në krye A. Krakovecki. Diplomatët e kuq kishin marrë vizë në Konsullatën tonë në Vjenë dhe, sipas raportit të Konsullit N. Bushati, "kishin shprehur nderim e simpati të madhe për kryeministrin". Ishte e qartë se shpirti demokratik e dinamik i Nolit, ajo ndjenjë e fuqishme pavarësie, u mbytën nga dallgët e reaksionit të jashtëm e të brendshëm. Ardhja e bolshevikëve në Tiranë, edhe pse kish ndjekur prej vitesh një procedurë zyrtare u konsiderua një disfatë politike e Nolit. Ajo e nxiti më keq propagandën armiqësore kundër tij.
Në qoftë se ishte përgatitur plani i mbrojtjes nga Shefi i Shtabit, ai rrezikonte të mos kishte asnjë vlerë, përderisa Bajram Fevziu punonte për Zogun. Ato ditë, në rrethet politike flitej rishtaz për një diktaturë "Noli - Curri" për të mposhtur kundërshtarët. Por B. Curri, si njeri i aksionit, edhe kësaj here nuk do të merret me lojën politike të fjalëve. Pa mëdyshje ai niset urgjentisht për në veri, të përballet drejtpërdrejt me armiqtë.
Epilogu
"Nata e zezë e pushtoi Tiranën, nën të cilën zhvillohej një dramë tragjikomike", shkruan "Spectatori", një dëshmitar, disa muaj më vonë në gazetën "Bisedimet". Urdhri i fundit i Komandantit të Përgjithshëm ishte: Tirana të zbrazet sa më shpejt. Në më pak se gjysmë ore ministrat e zyrtarët e lartë, duke marrë pas plaçkat e trupit, e lanë kryeqytetin, Tiranën e kuqe, ku 6 muaj përpara kishin hyrë si shpëtimtarë të atdheut. Gjithë automobilat e qytetit u përdorën për largimin e qeveritarëve. Shumica e turmës, pothuaj gjithë djemuria, që kish rrjedhur në Tiranë për të luftuar ... u nis në këmbë që të arrinte Durrësin sa më shpejt..." Tani i kish ardhur radha kryeministrit për t'u larguar. Asnjë shpresë nga ushtria kombëtare që ishte katandisur në 300 vetë. Asnjë besim më te komandantët e saj, që po e dorëzonin kryeqytetin pa luftë. Asnjë mbështetje morale nga Fuqitë e Mëdha dhe nga Lidhja e Kombeve, që s'bënin asgjë veç heshtnin dhe bënin sehir. Komploti kundër tij nga brenda dhe nga jashtë po merrte fund dhe bashkë me të po përmbyseshin dhe iluzionet tunduese. Ishte më të ngrysur, kur Noli zbriti shkallët e kryeministrisë. Para syve të tij ngrihej Dajti hijerëndë dhe misterioz. Prej andej po zbriste kërcënueshëm armiku. Krismat dhe thirrjet që dëgjoheshin përqark, ishin grahmat e fundit të pushtetit të tij. Ai hipi në një automobil "Ford" të hapur anash. Bashkë me të dhe sekretari e ordinanca, morën rrugën për nga Durrësi. Noli i menduar, gjatë gjithë kohës heshtte. "Vetëm nga gjysma e rrugës, kujton A. Frashëri, ia pat: Ndaloni, harrova dorëshkrimin e përkthimit të "Rubairave". Zgjidhjen e gjeti ordinanca, një kapter i xhandarmërisë, trim e besnik i kryeministrit. "Po shkoj unë t'i marr, tha ai. Ju më prisni në Durrës." Ishte vërtet e çuditshme që në ato momente dramatike, mendja e Nolit punonte më shumë për fatin e dorëshkrimeve. Asgjë tjetër, ndoshta, s'ishte aq konkrete për të se ato fletë mbi të cilat kish punuar muajt e fundit. Ndoshta ajo kish qenë jeta e tij e vërtetë dhe në atë kohë kur drejtonte fatin e vendit.
Mercenarët qëllojnë Tiranën me topa 
Operacioni ushtarak kish nisur me të vërtetë më 10 dhjetor. Forcat zogiste prej 7000- 8000 vetësh, sipas raportit dërguar kryeministrit, të mbështetura nga qindra ushtarë serbë e rusë, maskuar me rroba karakteristike shqiptare, si dhe të ndihmuara nga forcat e bajraktarëve të Veriut që prisnin këtej kufirit, u hodhën në sulm. Ata u nisën nga dy bazat kryesore, nga Prizreni, ku Zogu kish marrë drejtimin e operacionit, dhe nga Dibra. Më 10 dhjetor ndodhi ndeshja e parë: forcat qeveritare, nën drejtimin e B. Currit, u vunë në mbrojtje të kufirit, por ofensiva zogiste, nisur nga Prizreni, ishte aq e fuqishme dhe e organizuar sa 500 xhandarët e qeverisë s'arritën t'i përballonin. Ranë njëri pas tjetrit Kuksi dhe Kruma. Ndërkaq, B. Curri me malësorët e tij arriti shpejt t'i çlirojë rishtaz. Noli do të gëzohej për këtë sukses, ku armiku do të linte të vrarët dhe të plagosurit e parë. B. Curri do të pagëzohej si luan i maleve, që me fitoret e tij "po shuante tradhëtinë!" Por gëzimi do të ishte i parakohshëm. Disa ditë më vonë, më 17 dhjetor, fronti u zgjerua: armiqtë u sulën drejt Peshkopisë, ku u përballën me forcat e E. Isufit dhe nipit të tij, I. Xhelilit. Pas betejave të ashpra, ata ranë heroikisht dhe intervencionistët pushtuan Peshkopinë. Tani rruga për në Tiranë ishte e hapur. Noli do të ndiqte me ankth disfatat e njëpasnjëshme të forcave të tij, pa qenë në gjendje t'u vijë në ndihmë. Ata jo vetëm ishin më të paktë në numër dhe të armatosur dobët, por u mungonte organizimi dhe drejtimi efektiv. Deri ditët e fundit s'ishte zgjidhur akoma çështja e një komandimi unik. Në radhët e ushtrisë kish hyrë paniku dhe kishin nisur dezertimet. Përpjekjet heroike dhe përkushtimi i B. Currit e i djemëve të Bashkimit ishin krejt të pamjaftueshme. Noli i dëgjonte nga zyra gjëmimet e luftimeve të ashpra. Oficerët e tij trima do të luftonin me shpirt ndër dhëmbë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi njoftimi i hidhur se bandat e Myfit bej Libohovës kishin sulmuar dhe nga jugu. U pa qartë se mbrojtja ishte aq' e dobët dhe e paorganizuar nga ushtarakët qeveritarë, sa çdo rezistencë dukej e kotë. Disfata tani ishte në pragun më të afërt. Në këto orë të fundit të pushtetit të tij Noli do të kuptonte se s'kish pasur pushtet të vërtetë. Ai përpiqej të mos e jepte veten, duke treguar se e kishte gjendjen nën kontroll. Bile, sipas dëshmisë së A. Frashërit, gjysmë ore para se të ndodhte largimi i detyruar, ai i tha atij se mund të flinte i qetë, pas ankthit të 2- 3 netëve pa gjumë. Në fakt, s'ishte kështu. Jashtë zyrave të tij, mbrojtja e kryeqytetit, siç e cilëson një historian, i ngjante më tepër një farse sesa një beteje. Nga Dajti, në mbrëmjen e 23 dhjetorit, zogistët qëlluan me topa mbi garnizonin e kryeqytetit, ku gjendej Shtatmadhoria. Pas kësaj filloi tërheqja dhe paniku.
Fillimi i fundit
Nasho Jorgaqi thotë: “Ditët e para të dhjetorit 1924 ia behu dhe një dimër i egër. Noli qëndronte para dritareve dhe vështronte Dajtin e mbuluar nga bora, rrugët e shkreta, dyert e kafeneve, brenda të cilave debatonin politikanët dhe luhej me letra. Një pamje kjo e zymtë që e trishtonte dhe e vinte kryeministrin në mendime. Kishin ardhur ditë të vështira e kjo po dukej qartë nga ngjarjet që po rrokulliseshin me një shpejtësi të habitshme e tronditëse. Për më tepër, nga dita në ditë ai po kuptonte se jo vetëm kish rënë entuziazmi, por dhe qeveria ishte përçarë, mungonte mendimi dhe veprimi i përbashkët. Në vend të tyre, kishin hyrë mosbesimi, interesat vetjake, klanet, kulisat. Noli po ndjente vetminë dhe braktisjen. Para kësaj situatë, të mbarsur me rreziqe ai nuk arrin t'i forcojë më tej as lidhjet me L. Gurakuqin e S. Vinjaun për të siguruar një drejtim kolegjial”.
Pasiviteti i Fuqive të Mëdha
Më 16 dhjetor kryeministri bëri hapin e parë në rrugë konfidenciale. U takua në Durrës me Ministrin italian Durrazzo, në prani të L. Gurakuqit e të S. Vinjaut. Ai foli hapur, bile i revoltuar për heshtjen dhe pasivitetin e Fuqive të Mëdha para ndërhyrjes jugosllave. I përmendi dhe faktin se nuk po respektohej asnjanësia që ishte deklaruar zyrtarisht pas takimit Musolini-Ninçiç. Po pranohej kështu, që sulmi ndaj Shqipërisë ishte "një orvatje me paramendim dhe me dhunë nga ana e një fqinji i cili ka zgjedhur si vegël Ahmet bej Zogollin për të penguar zhvillimin e lirë të brendshëm të Shqipërisë". Fan Noli u kthye duar bosh në Tiranë me dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Asnjë shpresë e qartë dhe konkrete.
Mobilizimi i përgjithshëm
Më 19 dhjetor kryeministri nënshkroi dekret-ligjin e Mobilizimit të Përgjithshëm. Thirri rezervistët për t'i ardhur në ndihmë ushtrisë kombëtare. E vetmja fushë e vërtetë veprimi tani ishte lufta, përballja drejtpërdrejt me të. Politika e denoncimeve dhe fjalët kishin kaluar në plan të dytë. I kishte ardhur radha luftës, po në këtë fushë jo vetëm s'kish asnjë prirje e s'kish dhënë asnjë provë, por s'kish as kurrëfarë përvoje. Edhe në Kryengritjen e Qershorit ai kish pasur kryesisht drejtimin politik. Prandaj, ai gjithë barrën e luftës ua besoi "komandantëve të revolucionit", pa qenë në gjendje për t'i kontrolluar. Informacionet që i vinin nga dita në ditë për tradhtira e sabotime, për dezertime dhe çorganizim flisnin që ata nuk e kishin situatën në dorë. Të vetmit besnikë të vërtetë ishin djemtë e “Bashkimit”, po ata qenë të pakët, të rinj, të luftuar egërsisht nga reaksioni.

No comments: