Monday, December 24, 2012

Ditari i Mitro Çelës: Si u krijua fraksioni i PD në shtëpinë e Pashkos

Një nga themeluesit e PD-së, libër për ndryshimet demokratike.
Mbledhja e datës 21 shtator 1991 me Cekën, Demetin, Trakon, Zogajn, Rulin etj. dhe bojkoti i papritur i Selamit.
Dy skenarët e dështuar të Cekës për kryetar PD-je.
Kuvendi i parë i PD, votimi i liderit demokrat nga populli apo nga Kryesia.
Vetëm pak muaj pas themelimit të PD-së u krijua fraksioni i parë brenda partisë me dy skenarë votimi për kryetarin e ardhshëm në kuvendin e kësaj force politike në vitin 1991, por që kishin të njëjtin synim: Të nxirrej jashtë loje Sali Berisha dhe të  zgjidhej si lider Neritan Ceka.

Historia sot flet për të kundërtën, por se si ka folur në të kaluarën e jep më së miri një nga protagonistët e asaj kohe, një ndër themeluesit e PD-së, Mitro Çela. Ish-gazetar, ekonomist dhe politikan, kësaj here ai vjen i përzgjedhur në gazetën “Panorama” si shkrimtar nëpërmjet librit “Kronikë e një politikani të dështuar”. Një rrëfim nëpërmjet ditarit, ku Mitro Çela skanon ndryshimet demokratike dhe personazhet që e mundësuan, për mirë ose për keq…
(Pjesë nga libri “Kronikë e një politikani të dështuar”, e Mitro Çelës)
15 shtator 1991. Mot shterpë për bujqësinë. Mot pjellor për politikanët. Partia Demokratike gatuante Kuvendin e saj të parë Kombëtar. Ishte fiksuar data 27 dhe 28 shtator. Deri në kuvend kemi edhe disa ditë. Nuk është keq të ndjekim ndonjë konferencë. Sikur ta nisim me konferencën e Tiranës! Për të mos lajthitur vendin e ngjarjes, siç thotë me shumë të drejtë një miku im edhe politikan i lartë, edhe demokrat i orëve të para, le të shfletojmë gazetën “RD”.
Koha: E xhuma (e premte), 20 shtator 1991
Vendi: Salla e Teatrit Popullor
Personazhet: Berisha, Pashko, Ceka, Zogaj. Isha edhe unë.
Skenari: Konferenca e Tiranës. (Konferencat e Tiranës kanë qenë të mbarsura me skena e prapaskena. Kujtojmë konferencën e 1956-s. Mjeshtri i Madh, shoku Enver, i la shokët të flasin. Hapur. Pa doreza. Të imitojmë shokun tonë Hrushov, liderin e Bashkimit të Lavdishëm Sovjetik, që i nxori lakrat dhe e “pushkatoi” Stalini, pasi i mori perëndia jetën!… Dhe folën shokët. Më mirë dolën ata që heshtën. Pas një muaji të gjithë përfunduan o në hapsanë, o në litar, o në internim?!)
Skenari ishte përgatitur me kujdes. E para foli Merita Shkupi, sekretare e komisionit drejtues të Tiranës. Ylli Vejsiu, kryetar i degës së PD-së për Tiranën, bëri bilancin. Paradë suksesesh. Por, edhe objektiva: Më shumë femra në PD, më shumë intelektualë. Në fund e përshëndeti konferencën Berisha. Ishte i deleguar i qendrës. Spektatorët, ngrihu e ulu. Britma. Ovacione. Dy gishtat përpjetë!
- Nuk kam parë mbledhje më madhështore! – tha një militant. – Me ne fitojnë të gjithë! – Fole gabim, – i thashë unë. Kjo parullë ende nuk është gatuar nga Mero Baze! I takon vitit 1996! – Ke të drejtë, – tha militanti dhe bërtiti: Liri – Demokraci! Poshtë komunistët!
- Teatër absurd, – tha Edmond Trako, në atë vjeshtë anëtar i komisionit nismëtar të PD-së. – Dega e Tiranës është një moçal! A mund të shkojnë intelektualët atje! Kjo parti, sa kohë të ketë dollibash Berishën, nuk bën prokopi. Unë do të jem një shembull i gjallë! Sot jam me PD-në. Jam një zero me xhufkë! Nesër do të shkoj me partinë e Cekës, Aleanca Demokratike. Pasnesër, më saktë në vitin 1997, do të bëhem ambasador në Argjentinë! – Po pse? -Sepse kundërshtari ynë i madh, Fatos Nano, do të bëhet kryeministër. Dhe ai, shoku Fatos, që e kërkon koha ta sulmojmë në këto vite, i vlerëson meritokratët. Kur i doli fjala doktorit “pe Korçe”?!
Mizansena
Midis seancave. Pushim. Aktorët politikë shkrihen në gjirin e spektatorëve delegatë. Nuk do të ishte keq të flasim për ndonjë personazh të dorës së parë, që regjisori, jo pa qëllim, e ka lënë midis spektatorëve. Spektatori më i spikatur është vetë Gramoz Pashko. Ka dy nishane mbi supe: Nënkryetar i PD-së, zv.kryeministër i qeverisë Bufi. Nishanin e dytë nuk e mori nga malli, e mori nga halli: Për t’i shërbyer popullit! Sa sakrifica bëhen në emër të popullit fukara! Për fat të keq, militantët që janë pjesë e sovranit, jo rrallë nuk e kuptojnë këtë lloj sakrifice!
Midis spektatorëve është edhe ministri i Kulturës, Preç Zogaj, ambasadori i ardhshëm i Suedisë, Shahin Kadareja, ministri i ardhshëm i kabinetit socialist Majko, Arben Demeti, një nga oratorët me të shquar kundër Nanos! (Nuk ma merr mendja që kjo mëri do të zgjatë. Në Shqipëri politikanët kapërcejnë ylberin, sa herë që sovrani ka nevojë për ministra!) Mbi të gjithë spikat portreti i Cekës.
Krejt rastësisht NE (shoku Enver llafoste: rastësia është shfaqje e domosdoshmërisë) u mblodhëm në holl. Kush jemi NE? Pashko, Ceka, Selami, Demeti. Tha Pashko:
- Hë mo Mitro! Ty të kemi edhe gazetar! Nuk të duket si çorbë kjo mbledhje! Bën ai Ylli Vesiu për kryetar! Dhe ku? Në Tiranë, ku është ajka e intelektualëve! A ia vlen të lësh punët e shtetit, punën për reformën që do të sjellë Çekun e Bardhë, për këtë konferencë alla bolshevike? Peshku është qelbur nga koka. Duhen ndryshime, duhet qilizmë në parti!
Ndërhyri Eduart Selami. Me takt, si zakonisht: “Nuk ia vlen të diskutosh korridoreve të Teatrit Kombëtar, – tha. – Do të na qeshë historia: duket sikur bëjmë teatër brenda teatrit! Sikur të mblidhemi nga shtëpia jote në darkë?”
Në shtëpinë ku lindi fraksioni
21 shtator 1991. Nga ora 20:00 shtëpia e Pashkos gumëzhinte. Disa erdhën si ilegalët: më këmbë. Të tjerët si legalë: me makina e bodigardë. Disa të freskët – ne që ishim në opozitë – Ceka, Arben Demeti, Edmond Trako dhe unë. Disa të zverdhur nga punërat e qevos dhe hallet e popullit – pushtetarët e rangut të lartë -Pashko, Preç Zogaj, Genc Ruli etj. Kaloi një orë. Eduart Selami mungonte. – Do vijë? – Nuk do të vijë! – Pse të vijë? – Pse të mos vijë? Duke bërë lojën e kungulleshkave, ra zilja e telefonit. – Alo. Jam Edi! Po flas nga shtëpia e Shahin Kadaresë! Vazhdoni. Ne jemi të zënë… Njëri tha: – Edi ka frikë!… Tjetri ia priti: – Eduart Selami vështron nga e ardhmja: trupin në Amerikë, mendjen në Shqipëri. – Nuk besoj. Ai nuk e honeps Berishën! – Koha do vërtetojë të kundërtën. Do vijë një ditë që Selami, për të fituar karrigen e kryetari të PD-së, do të qëndrojë nën hijen e Berishës. (Histori politike. Sot me Berishën. Nesër kundërshtar i Berishës. Pasnesër përsëri me Berishën. Të njëjtët personazhe, i sheh në qeveri të djathta. Të majta, ose kalimtare. Janë të njohur. Janë mes nesh? Kush? Preç Zogaj, Neritan Ceka etj.)
Foli Preçi. Duke qenë pak psikoanalist, i shkonte për dore puna e ideologut: “Jemi në prag të kuvendit të partisë. Duhet t’i qëndrojmë Berishës. Tek e tek? Punë pa bereqet. Duhet të bashkohemi. Duhet të krijojmë një fraksion. Kush?… Fillimisht ne që jemi këtu. Nuk ka kundërshtime?… Atëherë urime. Fraksioni u bitis. Tani na duhet një kryetar. Pse? Për dy qëllime madhore: Së pari, të na drejtojë. Së dyti, për të mundur Berishën në kuvend. Kandidati ynë duhet të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike.
“Duhet të luajmë me kartën e Cekës!”. Kush e tha i pari? Ishin në kor zërat e ministrave. Argumentet? Neritani kishte dy nishane. Vinte nga familje e madhe. Ishte antikomunist (Nuk kishim të dhëna që një ditë do bëhej ministër në kabinetin e Nanos. Këtë hollësi e mbajti sekret edhe vetë Neritani!). Të gjithë thamë: Po! Vetëm Neritani heshti. Shenjë modestie që e pranonte detyrën e kryetarit, jo për vete, por për hir të demokracisë!
Fraksioni siç e pashë unë
Sot është lehtë të flasësh për fraksione. Ka të majta. Ka edhe të djathta. Kemi fraksione brenda Partisë Socialiste. Nuk i shohim, sepse për hir të unitetit, nuk dalin kurrë në sipërfaqe. Kemi elementë të fraksionit brenda partive të vogla. Nuk dallohen, mbeten flu, sepse liderët nuk kanë dishepuj. Po në shtator 1991? Asgjë. Kishim vetëm disa citate të Leninit, të Trockit dhe të Ramiz Alisë. Na ndihmoi hapja e Shqipërisë.
Fillim vjeshte 1991. Ne ishim në Romë të tre: Preç Zogaj, Genc Ruli dhe unë. Dy të parët ministra. Unë vetëm deputet. Pas takimeve zyrtare me Andreotin, Kosigën dhe ministrin e Jashtëm, vendosëm të bëjmë një takim privat. Kaluam disa korridore dhe përfunduam në një zyrë. Deri te dera na shoqëronte Vinçenco Palja, prifti ndërmjetës mes kryeministrit dhe Papës. Nuk kishte derë që nuk e hapte Palja. Midis korridoreve tha: “Do të takoheni me Zakarinë. Dora e djathtë e Andreotit, kryeministrit të Italisë dhe ideolog i Partisë Demokristiane”.
U hap dera. Para nesh një burrë i gjatë, i hollë, i verdhë si letra e gazetës e prodhuar ne Lezhë (Burokrat thashë në atë kohe. Mason korrigjova veten më vonë). – Ju njoh mirë, – na tha. – Më ka folur Viçenco Palja, prifti, që vuri kollare të kuqe në mes të Tiranës, ato ditë shkurti të vitit 1991, kur takoi Ramiz Alinë, për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit! (Në fakt, atë vit u shkëmbyen ambasadorët)… Ha. Ha. Prift më praktik nuk mund të gjesh as në tokë e as në qiell. Unë jam marrë me organizimin e Partisë Demokristiane. Keni ndonjë pyetje?”
-Duhet të ketë fraksione në parti? – pyeti Preçi.
-Fraksionet kanë rolin e tyre në emancipimin e një partie. Ka shumë teori. Ka edhe shumë përvoja. Unë kam mendimin tim. Fraksionet nuk sajohen. Fraksionet lindin vetvetiu. Më qartë: nuk mjafton të shkruash në statut – lejohet fraksioni. Janë individët ata, që, me aftësitë e tyre, grumbullojnë rreth vetes dishepuj për të krijuar fraksione. Ka parti që nuk e kanë të fiksuar në statut ekzistencën e fraksionit, por kanë fraksione me peshë.
- Sa fraksione duhet të ketë një parti, – thashë unë.
- Nuk ka receta. Ideal do të ishte numri tre.
Një ditë më vonë u takova me Ardit Gjebrenë. Në atë vit student në Romë. Ky më njohu me një vajzë arbëreshe. Fliste shqip. Quhej Mariza Tereza. Ishte sekretare e deputetit Bjondi.
- Shefi im është nënkryetar i Partisë Liberale. Sot kemi Kongres. Doni nga një ftesë?
Ftesat m’i dha mua duke përplasur qepallat. Mua më shkoi goja lëng. Kujtova se e kishte me mua. Ndoshta e bënte nga nostalgjia për dheun e të parëve. Më vonë e pikasa. Nazet prej konke ishin për Arditin!… U futëm në sallë. Kongresi i Partisë Liberale kishte filluar. Oratorë para mikrofonit. Oratorë në sallë. Mish-mash. Diskutime pa pika e presje. U befasova. Midis seancave na priti Bjondi (Katër vjet më vonë, në vitin 1995, u bë ministër i Drejtësisë në kabinetin e Berluskonit).
- Nuk e di, a thotë populli shqiptar, siç thotë populli italian: Çdo e mirë e ka një të keqe! E pe Kongresin? Rrëmujë deri në ekstrem. Dhe pse? Sepse fraksionet kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut. Kemi pesë fraksione. Çdo fraksion kërkon të komandojë, duke mos përfillur rregullat e lojës: në komandë është ai që ka shumicën! Fraksionet po e gërryejnë partinë nga brenda.
Dy vjet më vonë, Partia Liberale u shua.
BERISHA NË PRAPASKENË
22 shtator 1991. Prag kuvend. Ishte fiksuar data 27 dhe 28 shtator. Do ishte kuvendi i parë. Historik. Për PD-në. Për Shqipërinë. Por edhe për fraksionin tonë. Në kuvend do të zgjidhej kryetari i partisë. Dilemë e madhe. Nëse Berisha do të rizgjidhej, fraksionin e merrte lumi. Le të ndjellim kujtimet. Natë. Vonë. Si ilegalët. Ca me këmbë e ca me makina (ministrat e qeverisë së stabilitetit) mbërritëm në vilën e Pashkos. Neritan Ceka, Genc Ruli, Mitro Çela, Edmod Trako, Arben Demeti. Meksi nuk pranoi të bëhej pjesë e fraksionit. Jashtë radhëve të fraksionit ishte edhe Arben Imami.
Nisi mbledhja. Alla PD. Pa protokoll. Pa rend dite. Pa ide të fiksuara. Biseda nis kodra pas bregut. Të nakatosura problemet e qeverisë me problemet e partisë. Gramoz Pashko, duke qenë zëvendëskryeministër, kërkoi mendim për privatizimin e rrjetit tregtar. Ishte hedhur ideja që dyqanet t’i blinin punonjësit. Unë si ekonomist kisha këtë ide: “Privatizim sa më shpejt. Privatizimi do të justifikonte edhe ndonjë gabim”. Dikush kundërshtoi: “Nuk është e drejtë. Është pasuri e gjithë popullit. Pse ta marrin vetëm punonjësit e tregtisë?!”. Pashko i vuri vulën: “Është një problem i diskutuar edhe me ekspertë të huaj. Nuk ka kohë për të bërë eksperimentime. Populli kërkon shërbime. Duan: bukë, vaj, sheqer, miell, makarona, mish, vezë, qumësht. I duan që nesër. Ndaj privatizimi i rrjetit tregtar duhet bërë sa më shpejt. Brenda javës. Vetëm privati gjen rrugë për furnizimin e qytetarëve. Nuk ka pse të presim. Nuk ka pse në këtë problem madhor, të nakatoset burokracia! Gjerat duhen zgjidhur me sëpatën e Demokleut!”. Arsyetim logjik. Koha tregoi se Gramoz Pashko kishte të drejtë…
Nga ekonomia, biseda u përqendrua te partia. Ndërkohë në duar mbanim gotat që na i kishte servirur e zonja e shtëpisë. Një ditë më parë kishim vendosur, që fraksioni do të kishte për kandidat Neritan Cekën. Me modesti të tepruar, Neritani e pranoi këtë detyrë fisnike. Nuk di pse unë thashë: “Neritani ka një të metë. Ka raste që nxitohet. Duhet të korrigjohet”… Gotat ranë mbi tavolinë. Lëvizje supesh. Kundërshtime. “Nuk është e drejtë, – tha Arben Demeti. – Neritani dallohet për qetësi të tejskajshme. U kujtohet dita e parë e hapjes së Parlamentit pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991? Deputetët demokratë, në shenjë proteste për vrasjen Arben Brocit më 2 prill 1991 në Shkodër, vendosën ta bojkotojnë Parlamentin. Në Parlament shkoi Neritani. Vetëm – midis komunistëve. Pa iu dredhur syri dhe zëri ia përplasi Adil Çarçanit, Haxhi Lleshit, Gramoz Ruçit dhe Fatos Nanos, mu në lule të ballit. Dhe ashtu, sa fisnik, edhe krenar, doli nga salla e Parlamentit!”.
- Jam dakord, – thashë unë. – Por analiza jote i takon së shkuarës. Unë flas për të ardhmen. Pas 90 ditëve, Neritani, në inat e sipër do të shkojë në zyrën e Ramiz Alisë. Sebepi? Ftesa e Ramiz Alisë për të diskutuar “jetën” e qeverisë së stabilitetit, me kryeministër Ylli Bufin. Në sy të Ramizit, do ta sulmojë ashpër Berishën. Në fund do të bëjë edhe një deklaratë befasuese: “Unë do të largohem një herë e mirë nga politika”. Kjo më trishton. – Thashë unë, duke parë një pikturë moderne varur në mur pak shtrembër.
- Nuk duhet të merremi me vogëlsira, – tha Preçi. – Në fund të muajit bëhet kuvendi. Strategjia: Neritani të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Taktika. Këtu duhet kujdes. Duhet mençuri. Ka dy skenarë për të arritur qëllimin: Skenari i parë – kryetari të zgjidhet në kuvend. Skenari i dytë – kryetari i PD-së të zgjidhet në kryesi. Skema është e thjeshtë dhe përbën filozofinë e fraksionit për fitore: Kuvendi zgjedh këshillin kombëtar. Këshilli zgjedh kryesinë. Në fund, Kryesia zgjedh kryetarin.
- Me skenarin e parë, – vazhdoi Preçi, – probabiliteti që fitorja t’i buzëqeshë Neritanit është e vogël. Ju e dini vetë. Berisha është populist. I zotëron masat. Pa folur, që këto muaj që ne rrimë në mbledhje të qeverisë, ai nuk ka lënë qytet e fshat pa shkelur. Skenari i dytë, që kryetari të zgjidhet në kryesinë e PD-së, e vendos Neritanin në fronin e kryetarit të Partisë automatikisht. Ju e dini. Kryesia ka 19 anëtarë. Nga këta. Fraksioni: 12 anëtarë. Berishës i mbeten vetëm 7.
21 shtator 1991. Ora 17:00.
Mbledhje e Komisionit Nismëtar të PD-së. Protokollist Agron Çika. Kishte ardhur nga radhët e klasës punëtore. Ka hyrë në historinë e PD-së me një maksimë tepër origjinale: intelektuali bën edhe pa shkollë të lartë! (Një mendje e ndritur, ka thënë shkrimtari francez Gabril Shëvalie, bën edhe pa këpucë lustrafine.) Nga t’ia nisim? Protokollet janë shumë. Shkrimi ibret. Tensioni i diskutimeve nevrikoste robin e fundit të Allahut që mbante protokollet. Shto këtu edhe pluhurin e kohës. Duhet të bëjmë një kompromis. Do të ndjekim rregullin e artë të statistikës: vëzhgim me zgjedhje! Mbledhja nis pa ceremoni. Më the. Të thashë. Topin e ka Pashko:
- Unë mendoj që Kryesia e PD duhet të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar…
-Pastaj Kryesia zgjedh kryetarin, – ia ndërpreu fjalën Selami, kësaj radhe pa shumë takt.
- Unë mendoj që kryetarin duhet ta zgjedhë kuvendi, – tha Berisha. – Të zbatojmë vijën e deritanishme të konferencave të rretheve.
- Degët e PD-së në rrethe kanë dy hallka, – tha Preçi. – Vetvetiu i zgjedhin të dyja. Ndërsa kuvendi ka tri hallka. Duhet të jemi krijues. Nuk shkon: Kuvendi imiton konferencat! Do të na qeshin. Në kuvend do të ketë edhe të huaj! (Edhe në politikën e lartë ka humor. Më mirë satirë: fati i kryetarit varet nga numri i hallkave organizative. Shyqyr që nuk ka rripa organizimi i partisë, sepse do të dilnim te rripat e transmisionit të xhaxha Leninit!).
- Nuk kuptoj, – tha Azem Hajdari, – Jemi parti Demokratike apo parti enveriste?! Është marrëzi të diskutohet vendi ku zgjidhet kryetari. Zgjedhja e kryetarit në kuvend është abc-ja e demokracisë në partitë perëndimore. Ndoshta dikush ka ndërmend të kthejë rrotën e historisë mbrapsht! Bujrum! Por unë do të largohem.
Folën edhe të tjerët. Njëri gozhdës. Tjetri patkoit. Një pakicë me vështrim nga Berisha. Shumica nga Pashko. Neritani qëndronte indiferent. Shenjë e njeriut që është vetëbindur për suksesin që e pret. Pati replika. Plasi sherri. Pikërisht në këtë moment ndërhyri me shumë takt Eduard Selami: “Të nisim procedurat e votimit!”. Para procedurës nisi sherri. U hapën letrat. Ne fraksionistëve na shkëlqenin sytë: 14 politikanë ishin që kryetari të mos zgjidhej në kuvend. Dolën më shumë sesa ishin llogaritë tona. Shqip: me këtë formulë, Neritani bëhej kryetar. Dhe pastaj: rroftë fraksioni!
- Fitoi varianti juaj, – tha Berisha. – Një variant i gatuar në mbledhje bizantine! Por ndalu beg se ka hendek, thotë populli! Rregullat e lojës do t’i vendosë Këshilli Kombëtar. Keni dy ditë për t’u gëzuar.
22 shtator 1991.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar. Luftuan fraksionistët me pallë. Unë bëja sehir. E kisha parashikuar humbjen. Nisi numërimi i votave. Variantet ngordhën. Fitoi varianti i Berishës. Humbi varianti i Neritanit. Sinjalet nuk ishin të mira. U mblodhëm, ashtu rastësisht. Dikush pyeti: “Si ndodhi?”. Tjetri: “Pse ndodhi?”. Pastaj përgjigjet: “Berisha është mjeshtër i manipulimit. Do ta bëjë këtë gjithë jetën”.
-Mirë Berisha, – tha Preçi, – po ne ku i kishim sytë! A nuk jemi shumica në kryesi! A nuk u shpërndamë kudo!
- Sigurisht, – tha Merita Zaloshnja (në atë kohë anëtare e Kryesisë), – por ne na kishte kapur euforia. Ministrat nuk e heqin bythën (më falni) nga makina. Nuk shkojnë në konferencat e rretheve. Kërkojnë të hanë gështenja me duart e të tjerëve! Ndërsa Berisha nuk përton! Vjen në zyrë në sabah dhe ikën në mesnatë. Nuk ka lënë rreth pa shkuar. Njerëzit e thjeshtë, që nuk marrin vesh nga politika, mjafton t’i takosh, t’u flasësh dhe i bën për vete. Këtë marifet e di mirë Berisha!
Edhe dy ditë na ndajnë nga kuvendi. “Kemi kohë për ta ndaluar të keqen që i kanoset Partisë Demokratike! Duhet vrarë mendja. Duhet të qëndrojmë. Kuvendi duhet të realizohet sipas skenarit tonë, – arsyetonte Eduart Selami”. Por çfarë thonë protokollet?
25 shtator 1991. Ora 21:00.
Kryesia bën mbledhje. De more de! Fraksionistët luftojnë me çdo mjet. Ka edhe raste kur flitet pa ironi, sarkazëm, fyerje. Vetëm Neritani qëndron stoik! Ende nuk e parashikon humbjen! Agron Çika është dorëzuar. Protokollin e mban një njeri pa emër. Shkrim doktori: copa-copa, mish-mash. Nuk e ka fajin pena. Të tilla ishin diskutimet. Pa pikë e pa presje. Kur u dëgjua një zë: “Në Kryesinë e re nuk duhet të jenë ish-anëtarët e Partisë së Punës!”. U befasuam. Foli Arben Imami, deri në atë kohë jashtë fraksionit. Maksima përbënte formulën më të lehtë për të nxjerrë jashtë loje Berishën. Në atë kohë Kryesia kishte 4 ish-anëtarë të Partisë së Punës. Unë, Berisha, Arben Demeti dhe Pashko. Edhe bufi i kënetës e kuptonte që propozimi lidhej me Berishën. Ne të tjerët ishim mish për top!… Citate nga protokolli.
Pashko: – Më vjen turp që kam qenë anëtar i Partisë së Punës. Dhe kur u bëra? Në fund. Dhe sa ndenja me teserë të kuqe? Vetëm 6 muaj. Ngul këmbë për të mos qenë kryetar i PD-së. Nuk më vjen mirë që bëhen debate të tilla. Kryesia e re duhet të korrigjojë gabimet. Zotërinj! Nuk do të na e falë historia, në qoftë se humbasim zgjedhjet.
Mitro Çela: – Hyra dhe dola me dëshirë nga Partia e Punës. Kam vënë re shenja karrierizmi në PD, ndoshta këtë të keqe e sollëm ne komunistët! Jam dakord me propozimin! (Berisha më pa me sy të zgurdulluar. Lëvizi kokën, sikur donte të thoshte: Edhe ti, more Brut!).
Ndjeva dorën e Edmond Trakos. Shtrëngoi dorën time. Pastaj më afroi buzët te veshi: Të lumtë! Nuk të lë njeri ty jashtë radhëve!
Rexhep Uka: – Nuk jam dakord!
Leka Toto: – Nuk jam dakord!
Blerim Çela: – Nuk jam dakord!
Agron Çika: – Nuk jam dakord!
Sali Berisha: – Idetë janë të mira. Por materializimin e tyre do ta bëjmë vetëm në kuvend… Kam një intervistë me BBS-në, – tha dhe u largua nga mbledhja.
-Është mjeshtër, – pëshpëriti Merita Zaloshnja. – Rrëshqiti. Na shpëtoi. Kur nuk e thyem në këtë sallë, puna e Neritanit do të shkojë dëm!
28 shtator 1991.
Kuvendi i parë i PD-së vazhdon punimet. I ftuar edhe Ibrahim Rugova. Debate të zjarrta mes Berishës dhe Preç Zogajt. Duartrokitje të zjarrta për Berishën… Është koha kur lexohen rezultatet e votimit për kryetarin e Partisë Demokratike: Sali Berisha: 449 vota. Neritan Ceka: 91 vota.
Në Kryesinë e PD-së u zgjodhën
Sali Berisha
Arben Demeti
Arben Imami
Azem Hajdari
Aleksandër Meksi
Eduart Selami
Merita Zaloshnja
Mitro Çela
Preç Zogaj
Ylli Vejsiu
Leka Toto
Pjetër Arbnori
Ali Spahia
Bashkim Kopliku
Blerim Çela
Neritan Ceka
Rexhep Uka
Lili Dhamo
Gramoz Pashko
Genc Ruli
Nënkryetarë:
Neritan Ceka
dhe Arben Imami
Sekretar i Përgjithshëm:
Eduart Selami
MITRO ÇELA

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/24/ditari-i-mitro-celes-si-u-krijua-fraksioni-i-pd-ne-shtepine-e-pashkos/#ixzz2FyuNsL12

No comments: