Greqia ka përfunduar ndërtimin e murit të sigurisë në zonën e kufirit me Turqinë. Irani ëndërron të ndahet me gardh të lartë nga Pakistani fqinj. Izraeli dhe Palestina janë të ndarë tashmë që prej kohësh me "perde betoni" shumë metërshe të gjatë. Ekspertëve u është krijuar përshtypja se bota po rrëshqet gradualisht në periudhën e feudalizmit, kur termi “kufi i mbyllur me dry” nuk është më thjesht një shprehje figurative, por në kuptimin e plotë të fjalës plotësisht real.
Konstruksioni i ngritur në kufirin turko-grek
paraqet në vetvete një gardh, rrethojë metalike me tela me gjemba katër
metra të lartë, që nuk mund të kapërcehet pa përdorimin e mjeteve
mekanike. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar 3 milionë €, më shumë se
6000 metra kub beton, 800 ton çelik dhe 370 kilometra tela me gjemba të
llojeve të ndryshme.
Autoritetet greke besojnë se pas
kësaj emigrantëve të paligjshme do t’i vështirësohet në mënyrë të
qenësishme depërtimi në vend. Ata nuk do të kenë alternativë tjetër: ose
të kapërcejnë rrethojën metalike, ose të kalojnë lumin me not. Rruga e
tretë, më e rrezikshme, kalon përmes ngushticave që ndajnë brigjet e
Turqisë nga një sërë ishujsh grekë. Atje ndodhin vazhdimisht fundosje të
anijeve të ndryshme me emigrantë, shumë prej të cilëve thjesht nuk
arrijnë t’i shpëtojnë dot në kohë.
Dhe grekët në këtë
rast mund t’i kuptosh fare mirë. Pikërisht Greqisë i bie për pjesë më
shumë se 80 për qind e emigracionit të paligjshëm në Bashkimin Evropian.
Kufirin me Turqinë e kalojnë çdo ditë 200-300 emigrantë ilegalë.
Ndërkohë në vetë Greqi evidentohen në rritje prirjet e së djathtës
ekstreme. Prandaj autoritetet janë të detyruara të reagojnë. Muri i
sigurisë është pjesë e të ashtuquajturit "plan i kundërveprimit
intensiv". Përveç kësaj, qeveria greke po rreptëson legjislacionin. Në
veçanti, është shfuqizuar ligji ekzistues që u lejon të marrin
nënshtetësinë greke fëmijëve të emigrantëve të ligjshëm të lindur në
Greqi.
Ndërkohë, autoritetet greke edhe vetë nuk
besojnë shumë në efikasitetin e murit ndarës, duke i dhënë atij
ekskluzivisht një kuptim simbolik. Muri nuk mundi të ndalojë fluksin e
migrantëve në BE-në e përfshirë nga kriza serioze. Sepse gjendja në
vende të tjera është edhe më e keqe. Në po atë Turqi aktualisht ndodhen
rreth 800 mijë refugjatë sirianë. Gjatë 3-4 viteve të ardhshme ekspertët
presin vërshimin e 1 milion emigrantëve në Evropë. Gardhi katër metra i
lartë në kufi dhe lumi, i cili në periudhën e verës pothuajse shterron
fare, nuk ka gjasa të ndalin këtë fluks të fuqishëm.
Mund
të përmendim në vijim edhe një sërë shembujsh të tjerë të "mureve të
sigurisë", të cilët kanë demonstruar tashmë efikasitetin e tyre të ulët.
Për shembull, muri ndarës në mes të Izraelit dhe Palestinës. Ose ai
ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës. Shembulli më i famshëm është Muri i
Berlinit, të cilin autoritetet e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) e
ngritën rreth e përqark Berlinit Perëndimor në gusht të vitit 1961.
"Perdja
e Hekurt" (çfarëdo lloj forme që të marrë ajo në çdo rast konkret)
mbetet një instrument brutal, përdorimi i të cilit nuk ka çuar asnjëherë
në rezultatet e dëshiruara. Pasi synimi për t’u ndarë me mur është një
reagim spontan dhe krejtësisht iracional ndaj sfidave të reja. Kjo është
pasojë e gabimeve ekonomike, politikës së neokolonializmit,
shtrembërimeve të moralit publik.
No comments:
Post a Comment