Monday, December 24, 2012

Hetuesi i Sigurimit: Mehmetin e helmuan, pastaj e ekzekutuan

Flet Kristofor Mërtiro, ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit.
“Llambi Ziçishti ishte i pari që kundërshtoi idenë zyrtare për vetëvrasjen e kryeministrit”
“Gotën me lëngun dyshues e çuan në Arkivin e Shtetit”
Asnjëherë nuk u bë analiza e përmbajtjes së lëngut të saj
.


Tragjedia e mbrëmjes së 17 dhjetorit ’81 në vilën e kryeministrit komunist nuk është zbardhur asnjëherë e plotë. Dilema e ditëve të para “e vranë, apo vrau veten Mehmet Shehu?”,
vazhdon të tundojë edhe pas tri dekadash. Kristofor Martiro, njëri ndër ish-oficerët madhorë të Sigurimit të Shtetit, që e ka ndjekur ngjarjen në dinamikë dhe ka qenë pjesë e procesit të hetimit të saj, ka bindjen se kryeministri nuk është vetëflijuar, por e kanë vrarë. Në pjesën e tretë të intervistës për “Panorama”, ish-kreu i Drejtorisë së Veçantë të Sigurimit, ndriçon një mori misteresh që lidhen me rrethanat e ngjarjes më të bujshme e më të rëndë të regjimit të kaluar. Në argumentet e shumta Mërtiro mbështetet idenë për ekzekutimin e Shehut në rrethana misterioze, veçon moskryerjen e autopsisë, zhvarrimin dhe rivarrosjen e trupit të Mehmetit, mosekzaminimin e përmbajtjes së lëngut në gotën që u gjet në dhomën e kryeministrit, zhdukjen pa lënë gjurmë të infermieres që atë natë ishte me shërbim në vilën e kryeministrit, prononcimin e parë të Llambi Ziçishtit, ish-ministrit të shëndetësisë, që përjashtonte variantin e ekspertëve mjeko-ligjorë etj.

Foto e Mehmet Shehut, pak çaste pas aktit të vetvrasjes
(fotografuar nga grupi i ekspertëve mjekoligjorë të Ministrisë së Brendshme)
Zoti Mërtiro, në kohën kur ishit pjesë e procesit të hetimit keni shkuar disa herë në vilën ku, sipas variantit zyrtar, ishte vetëvrarë Mehmet Shehu. Çfarë konstatuat gjatë këqyrjes së saj?  
Në fakt, në vilën e Mehmet Shehut, në interes së detyrës si shef i Degës së Veçantë, për herë të parë shkova ditën e tretë pas tragjedisë. Pak më vonë jam kthyer aty me grupin e hetimit. Vizita në shtëpinë ku ishte vetëvrarë kryeministri ishte një procedurë e domosdoshme që kishte të bënte me këqyrjen e vendit të ngjarjes, si pjesë e rëndësishme e procesit. Kur operonim me hetimet e familjarëve të Shehut, aty shkuam disa herë, duke u ndalur më së shumti në dhomën e gjumit ku Shehu ishte gjetur i vetëvrarë mbrëmjen e 17 dhjetorit. Ndryshe nga rastet e tjera të kësaj natyre, procedurat tona i ndiqte nga afër një punonjës i KQ. Pa miratimin e tij nuk mund të bënim asnjë lëvizje e ekzaminim, qoftë edhe një matje të thjeshtë…
Çfarë ju bëri përshtypje gjatë kryerjes së dhomës ku ishte vrarë Mehmet Shehu?
Ngjarja makabre kishte ndodhur në dhomën e gjumit të Shehut. Aty ishte një krevat dopio, në syprinën e të cilit ishte vendosur një radio e vogël që flitej se ishte marrëse-dhënëse. Në krahun e djathtë të dhomës, në fund të saj, ishte tualeti. Në të majtë ndodhej një dollap i madh me rimeso të shndritshme. Veç derës kryesore, dhoma e gjumit kishte dhe një tjetër që komunikonte me studion e Mehmetit, ku binte në sy biblioteka e pasur me libra të gjithanshëm.
Pra, asgjë me interes për procesin e hetimeve…
Në morinë e orendive dhe pajisjeve që këqyrëm në dhomën e gjumit të Mehmetit, vlerësuam se paraqiste interes radioja që gjetëm mbi kokën e krevatit. Më shumë se pamja e jashtme, dyshimet i përforconte antena e veçantë e montuar në pjesën e padukshme të çatisë. U bënë për këtë ekzaminime të shumta, duke angazhuar edhe ekspertë të tjerë. Në përfundim të tyre u provua se ishte thjesht një radio marrëse, që nuk kryente proces tjetër.
E keni fjalën për radion e famshme që Enveri thotë se Shehu komunikonte me agjenturat e huaja?
Pikërisht te prania e saj e merr shtysën legjenda e Hoxhës, sipas së cilës, Shehu, në mënyrë permanente, komunikonte me një radio marrëse-dhënëse me agjenturat e huaja. Fillimisht Enveri ishte informuar për ekzistencën e saj nga Hekuran Isai, dhe kjo i kishte mjaftuar për të dalë te qasja e tij. Ende pa u zbardhur konkluzionet e analizave dhe ekspertimit të radios misterioze, Hoxha kishte zbuluar misionin agjenturor që lidhej me të. Më shumë se kaq, legjenda e tij do të ndërthurej me rrethana të tjera, me emra agjentësh e emisarësh që e kishin pajisur Shehun me këtë mjet komunikimi dhe kishin realizuar me të një mori operacionesh të fshehta në dëm të Partisë dhe të pushtetit popullor.
Si ishte njohur Hekuran Isai para Hoxhës me faktin se Shehu posedonte një radio marrëse-dhënëse?
Në këtë periudhë, Hekuran Isai ishte bërë ministër i Punëve të Brendshme, duke zëvendësuar Feçor Shehun, i cili kishte zbritur një shkallë më poshtë. Kjo rokadë ishte pjesë e ndryshimeve që u bënë në janarin e vitit ’82 në radhët e krerëve të
Sigurimit, të cilat i paraprinë një fushate denigruese ndaj tyre. Me revanshin kundër Ministrisë së Brendshme, pas tragjedisë së kryeministrit, që zyrtarisht thuhej se ishte vetëvrarë, udhëheqja politike goditi pjesën më të madhe të specialistëve të shërbimit të fshehtë. I pari që u përfshi në vorbullën e kryqëzatës ishte Feçor Shehu. Menjëherë pas arrestimit të tij në muajin shkurt, u lirua nga detyra Elham Gjika, ish-drejtor i Hetuesisë së Përgjithshme dhe Kadri Gojashi, kreu i Sigurimit të Shtetit. Një numër i madh ekspertësh u pezulluan nga funksionet dhe dolën në lirim. Të tjerë syresh u transferuan nga Tirana dhe shkuan në rrethe të largëta.
Nga zhvillimi i hetimeve rezultonte ndonjë ide tjetër veç versionit zyrtar për rrethanat e vdekjes së Shehut?
Të parët që celebruan rrethanat në të cilat kishte ndërruar jetë Mehmet Shehu ishin specialistët e grupit të ekspertëve që kishin bërë ekspertizën e kufomës dhe të vendit të ngjarjes. Për ta kishte qenë një vetëvrasje e pastër. Së paku raporti i tyre nuk të linte të mendoje për version tjetër, pavarësisht se trupit të Shehut nuk i ishte bërë autopsia.
Megjithatë, qysh ato ditë kanë qarkulluar zëra që e kundërshtonin idenë e vetëvrasjes…
Është e vërtetë, të tilla ka pasur jo pak. Pjesa më e madhe vinin nga qarqe antishqiptare që kërkonin ta shfrytëzonin situatën për interes të tyre. Mbaj mend që UDB-ja asokohe nisi një fushatë marramendëse për ndryshimet e pritshme pas eliminimit të Shehut. Kishte, sakaq, opinione të brendshme, madje edhe nga brenda Bllokut, që nuk e besonin idenë e vetëflijimit të kryeministrit.
Pra, nga Blloku i udhëheqjes…?
I pari që kundërshtoi versionin zyrtar për vetëvrasjen e Mehmetit ishte Llambi Ziçishti, asokohe ministër i Shëndetësisë. I pranishëm në vendngjarje që në momentet e para, ai ishte shprehur se kryeministrin e kishin vrarë. Këtë e kishte konsumuar së pari me grupin e ekspertëve që këqyrnin kufomën, pastaj me rrethin e miqve dhe shokëve të besuar. Ky opinion i Ziçishtit, pavarësisht që më vonë e tërhoqi nga presionet në qeli, më vuri në një lloj tundimi sa njerëzor, aq edhe profesional. Megjithatë, për rrethanat delikate ku punoja, nuk mund të shprehja as dyshimin më të vogël për atë që ishte saktësuar zyrtarisht.
A konstatuat gjatë procesit të hetimeve prova të besueshme se kryeministrin e kishin vrarë?
Pa dyshim që konstatova, madje jo vetëm unë, por edhe kolegët e tjerë. Megjithatë, situata ishte e tillë që nuk na lejonte kurrsesi të shprehnim vlerësime që binin ndesh me verdiktin zyrtar. Në fund të fundit, procesi ynë nuk kishte të bënte me zbardhjen e vdekjes së Shehut, por me çështje të tjera. Sidoqoftë, unë, nëpërmjet tij, krijova bindjen se rasti i 17 dhjetorit nuk ishte një vetëflijim.
Me një fjalë, sipas jush, Mehmet Shehu nuk është vetëvraë, por e kanë vrarë?
Këtë për mua nuk e luan topi, pavarësisht alibive të shumta që janë hedhur në treg gjatë kësaj periudhe.
Ta marrim këtë një përfundim nga përvoja e ekspertit të fushës, apo kemi të bëjmë me një qasje emocionale?
Për çështje të kësaj natyre, sidomos kur është fjala për ngjarje të bujshme si ajo e vdekjes së kryeministrit, faktorët personalë, ca më shumë ata emotivë, janë fare të pallogaritshëm.
Atëherë, si ekspert i fushës, me çfarë argumentesh e përjashtoni idenë e vetëvrasjes së Shehut?
Në këtë konkluzion mund të arrij shumëkush nga kolegët e mi, qoftë me një vështrim të kujdesshëm të fotografive që ka bërë grupi i ekspertëve duke këqyrur kufomën. Pamja e trupit të Shehut shtrirë në krevat me syze, mbuluar me batanije deri në fyt, me duar të mbledhura mbi gjoks, me pistoletë mbi krahun e djathtë, nuk të afron kurrë me një situatë vetëflijimi. Ca më tepër që autorët e akt-ekspertimit nuk sqarojnë faktin nëse u gjet i   mbuluar apo e mbuluan trupin e Mehmet Shehut me batanije. Nga përvoja ime, sasia e paktë e gjakut që pashë kur zbulova mbulesën e krevatit të Shehut, më bindi edhe më shumë për idenë e një vrasjeje. Shumë vite më parë, kur isha në Degën e Brendshme të Korçës, pata rastin të drejtoja grupin e ekspertëve që këqyrën trupin kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Zenun Shahollari, që kishte vrarë veten. Gjithçka në zyrën e tij ishte mbuluar me gjak. Në rastin e Shehut binte në sy vetëm një njollë gjaku.(!) Po kështu, mënyra si ishte regjistruar në akt-ekspertizë rruga që kishte përshkuar plumbi, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me manipulim të provave reale.
Vetëm me këto e rrëzoni idenë e vetëvrasjes së Shehut?
Një argument i fortë që mbështet idenë e manipulimit të së vërtetës është fakti që kufomës së Mehmet Shehut nuk iu bë autopsia, një rregull elementar e fondamental ky për ngjarje të tilla. Çfarë fshihet pas hezitimit për ekspertizën mjeko-ligjore që do përcaktonte shkakun e vdekjes?! Tjetër arsye që të bën të dyshosh është rivarrosja e Mehmet Shehut në rrethana misterioze.
Flitet se atë natë Shehu ka konsumuar një gotë me çaj kamomili. Çfarë doli nga ekzaminimi i saj?
Në dokumentin e akt-ekspertizës ishte shënuar se mbi komodinën në krah të krevatit të kryeministrit u gjet një gotë e mbushur me lëng. Çuditërisht nuk u bë asnjë përpjekje për të bërë analizën e përmbajtjes së lëngut. Me sa di, kjo gotë ende edhe sot vazhdon të jetë në Arkivin e Shtetit e paekzaminuar. Një pistë e fortë që vërteton denatyrimin e ngjarjes është zhdukja pa lënë gjurmë e infermieres që atë natë shërbente në vilën e kryeministrit.
Harito Kaso
Dëshmia e Prof. Harito Kaso: Autopsia e kufomës së Shehut u ndalua me urdhër
Teka ngjisja shkallët për të shkuar në dhomën ku kishte ndërruar jetë Shehu fillimisht mendova mos ka qenë vetëvrasje, pastaj thashë jo mund të mos jetë e vërtetë. Më pas, në një moment i them shefit nëse do ta merrnim kufomën për t’i bërë autopsinë, pasi kështu ishte rregulli. Ai pyeti disa nga personat që gjendeshin aty dhe me tha që nuk do të bëhej. Atëherë e pyeta se si do mund t’i jepnim konkluzionet me siguri, nëse nuk do të behej, atëherë do të raportonim me mundësi, pasi përndryshe unë nuk do të firmosja. Pas kësaj përgjigje negative, unë fillova të bëja analiza të tjera. E shihja si diçka që nuk ishte e drejtë të mos bëhej, por unë nuk mund të flisja më shumë, aq më tepër, që nuk isha unë përfaqësuesi. Unë mund të kërkoja vetëm që të bëhej autopsia, por nuk e thashë këtë gjë përveçse shefit tim. Të nesërmen kur jemi mbledhur dhe kemi shkruar aktin e autopsisë unë kam futur fjalën mundësi për shkakun e vdekjes së Mehmet Shehut, duke e shkruar me të mëdha.
Duro Shehu: Çastet pranë trupit të pajetë të MehmetitPjesë nga libri “Mehmet Shehu, im vëlla”

Me të marrë lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit, bashkë me vëllezërit e tjerë, aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosur. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosur vigjilonin si në momente luftimi. Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij, në karrige, rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin. Për një moment të gjithë mbetëm si të shtangur. Teksa ndenjëm pak çaste kështu, gojëkyçur, vendosa të interesohem për rrethanat në të cilat kishte ndodhur hataja.
Iu drejtova së parës Fiqiretit: “Çfarë ndodhi?”, e pyeta. Ajo, e zënë si në faj, m’u përgjigj me një gjest që të linte të kuptoje se nuk ishte momenti për sqarime të tilla. Vetë vështrimi i saj dhe gishtërinjtë e njërës dorë te buzët, tregonin se gjithçka rreth e qark ishte në përgjim.
U ktheva pastaj nga Ali Çenua, truproja i Mehmetit, dhe një nga njerëzit më të besuar të tij. “Më thuaj, Ali, si ndodhi?”. Ai më shpjegoi se në momentin e ngjarjes nuk kishte qenë aty. Të njëjtën gjë më pohoi edhe Ladi, djali i madh i Mehmetit. E vetmja që pranoi të rrëfejë diçka më shumë, po përsëri në një lloj konfuzioni, ishte Farija, punonjësja e vilës. “Ç’do nga mua? – filloi ajo përgjigjen e saj. – Kryeministri u vra. Para katër ditësh ishte për gjah në Elbasan. Ishte si molla”.
“Kush ishte me shërbim këtu?”, këmbëngula unë.
“Ishte një vajzë e re, që sa ka filluar punë”, sqaroi Farija. “Ku është ajo, çfarë u tha?”, pyeta më tej. “Nuk e di. Nuk ka ardhur. Thonë që e kanë transferuar…”, rrëfeu si me një lloj pendese gruaja që kishte shërbyer te Mehmeti rreth 20 vjet me radhë.
Kur e pashë se çdo interesim ishte i kotë, u kërkova rojeve që rrinin përqark nëse mund t’i shikoja plagët në trupin e Mehmetit. Në çast njëri ndër ta, që me sa dukej ishte përgjegjësi i tyre, m’u drejtua me turfullimë: “Në asnjë mënyrë!”. Ishte po ai, i cili insistimit tim për shpjegime të mëtejshme iu përgjigj me një urdhër të prerë: “Ju duhet të largoheni sa më parë që këtej!”. Mënyra si ma komunikoi këtë nuk linte vend e arsye për diskutime të tjera. Për mua nuk mbeti gjë tjetër vetëm të çohesha e të ikja. Gjithçka më tej ishte e kotë…
AFRIM IMAJ

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/20/hetuesi-i-sigurimit-mehmetin-e-helmuan-pastaj-e-ekzekutuan/#ixzz2FyvrVieH

No comments: