Monday, December 24, 2012

“Urdhri për hetimin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut, disa muaj para vetëvrasjes”

Flet Kristofor Mërtiro, ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit.
Dëshmitë e Fiqirete Shehut një ditë pas vetëvrasjes së Mehmetit.
Pohimet e panjohura të gruas së kryeministrit të vetëvrarë në zyrat e këshillit në Belsh të Elbasanit.
Pjesë nga libri i Duro Shehut, vëllait të ish-kryeministrit komunist: “Mehmet Shehu, im vëlla”
“Mehmetin e izoluan para se ta likuidonin”

Ajo që kanë përjetuar familjarët e Mehmet
Shehut pas vetëvrasjes së tij në kushte të dyshimta në dhjetor të vitit ’81 ka qenë një dramë e tmerrshme. Kristofor Mërtiro, ish-kreu i Drejtorisë së Veçantë të Sigurimit të Shtetit, është njëri nga dëshmitarët e paktë që e ka ndjekur çast pas çasti situatën e familjes së Shehut përgjatë datave   17, 18 e 19 të atij dhjetori të largët. I gjendur aty në interes të detyrës, ish-zyrtari i rëndësishëm i Shërbimit të Fshehtë ka parë nga afër tronditjen e shkaktuar nga tragjedia e papritur te familjarët, hutimin e personelit që shërbente në vilën e kryeministrit, tensionin e ekspertëve gjatë mbikëqyrjes së vendit të  ngjarjes, fluksin e thirrjeve urdhëruese në radiot marrëse-dhënëse të hetuesve, që hynin e dilnin pa mbarim dhe njollat e gjakut në dhomën e gjumit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Mërtiro tregon rrethanat si u caktua në krye të grupit special për menaxhimin e situatës në shtëpinë e Shehut, fill pas lajmit të vetëvrasjes dhe dinamikën e zhvillimeve operative me objekt ngjarjen e pazakontë të natës së 17 dhjetorit. Duke kujtuar momentet si u realizua transferimi i banorëve të vilës së kryeministrit nga Blloku dhe vendosjen e tyre në Belsh të Elbasanit, masat e veçanta për sigurimin nga ndonjë rrëmbim i mundshëm prej agjenturave të interesuara për ta, ish-oficeri madhor i Sigurimit rrëfen pohimet e tyre gjatë takimeve në zyrën e këshillit të qytetit, në prani të punëtorit operativ, të caktuar enkas për çështjen. Ndër to paraqesin interes dëshmitë e Fiqiretes, bashkëshortes së Shehut, të cilat janë tjetërsuar më vonë nën presionin e Sigurimit të Shtetit…

Foto e Mehmet Shehut, pak çaste pas aktit të vetvrasjes
(fotografuar nga grupi i ekspertëve mjekoligjorë të Ministrisë së Brendshme)
Zoti Kristofor, në dhjetor 1981, kur ndodhi tragjedia e Mehmet Shehut, ju drejtonit një sektor të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme. A ishte e papritur kjo ngjarje e rëndë për krerët e Sigurimit të Shtetit dhe si u përjetua prej tyre?
Tragjedia e Mehmet Shehut, më 17 dhjetor 1981, ka qenë ngjarja më e rëndë dhe më e bujshme e regjimit komunist. Ajo shokoi si rrallëherë opinionin publik dhe zuri në befasi Sigurimin e Shtetit dhe strukturat e tij. Për ne, orientimi ndaj ngjarjes së papritur, së paku në momentet e para, dukej i pamundur, por edhe i rrezikshëm. I vetmi argument në shqyrtimin e tragjedisë së beftë mbetej situata problematike në krye të udhëheqjes politike në vigjilje të saj. Ishte kjo arsyeja që iu kthyem raporteve operative të tre-katër muajve të fundit për çështjen e përfolur të fejesës së djalit të kryeministrit me një vajzë me biografi të keqe dhe konfliktit të heshtur që kishte krijuar ajo në krye të lidershipit komunist. Vetëvrasja e kryeministrit (sipas variantit zyrtar) ndodhi kur kjo lidhje ishte prishur…

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/18/urdhri-per-hetimin-e-fejeses-se-djalit-te-mehmet-shehut-disa-muaj-para-vetevrasjes/#ixzz2Fyy9OzdQ

No comments: