Tuesday, December 25, 2012

Skandal diplomatik me ambasadorë ish-spiunë

Dy ambasadorët bullgarë në Tiranë në 12 vitet e fundit, Bobi Bobev dhe Teodor Rusinov janë ish-agjentë të Sigurimit. Detaje ekskluzive nga dosjet e tyre të bashkëpunimit me DS-në. Bobev qëndroi në Shqipëri deri në 2006 për t’u dërguar më pas në Kosovë, dhe për ironi të fatit u zëvendësua nga një tjetër agjent me dosje…

Thanas Mustaqi
Bullgaria post-komuniste ka dërguar në Tiranë dhe Prishtinë dy ambasadorë, ish-agjentë dhe bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të epokës komuniste, të rekrutuar nga DS-ja (iniciale bullgarisht për “Dërzhavna Sigurnost” – Sigurimi i Shtetit).
Faktet e bujshme janë bërë publike zyrtarisht nga një komision bullgar parlamentar i posaçëm E përdyjavshmja “Investigim” ka botuar në numrin e fundit materiale të panjohura për lexuesit shqiptarë dhe kosovarë për skandalin e diplomatëve bullgarë të epokës komuniste
Sipas dokumentave të vetë Komisionit Parlamentar bullgar të sipërcituar – ambasadori bullgar në Shqipëri Bobi Bobev (lindur në vitin 1948), i rekrutuar në vitin 1974 nga DS-ja në Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm më 12.02.1981 që qëndroi në Tiranë dy mandate (1996-2006). U zëvendësua po nga një ish-agjent Teodor Rusinov (lindur në vitin 1952) në periudhën 2007-2011 (në foto me topallin disa ditë para largimit nga Tirana). Në vitet 1974-1989 ka qenë agjenti i sektorit të Shqipërisë në Sigurimin Bullgar. (ndërkohë, ndonëse Komisioni parlamentar bullgar i Dosjeve e shpalli Bobi Bobevin ish-bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, Sofja, kryeqytet i një vendi të BE-së, e dekretoi në vitin 2010 ambasador në Kosovë).
Tërheq vëmendjen fakti se edhe ambasadori aktual Dimitar Arnaudov, i cili më 10 prill 2012 paraqiti kredencialet e tij në Tiranë, në vitet 1981-1986 është diplomuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë të Ministrisë së Jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe që kontrollohej nga KGB-ja. Ka edhe një koincidencë jo pa interes: SHT Arnaudov në vitet 1988-1991 dhe 1993-1997 ka punuar në përfaqësinë diplomatike bullgare në Athinë ashtu si dhe paraardhësi i tij në Shqipëri, Rusinov në vitet 1984-1987, agjent i sektorit të zbulimit ushtarak bullgar që mbulonte Greqinë, si vend të NATO-s.
Ka dy ironi fati me historianin dhe diplomatin Bobi Bobev. Sipas sajtit bullgar “168 ças”, hapat e tij të parë si kuadër i DS-së Bobi Bobevi i bëri pikërisht… në Prishtinë, ku është aktualisht ambasador. E kanë rekrutuar në vitin 1974. Filloi të mësojë shqip me pedagogun e Universitetit të Sofjes “Kliment Ohridski”, Thoma Kacori. Sipas dosjes së tij, rasti i “Pedagogut” të huaj ishte objekt survejimi operativ (DON). Të dy shkojnë së bashku në kongresin e ballkanistikës në Prishtinë. Bobevit iu vu detyrë të krijonte lidhje miqësore me Thoma Kacorin. I dhanë një fotografi të objektit “Doktori “- Fehmi Omer Kelmendi – për të parë nëse ai do të kishte interes për delegacionin bullgar dhe a do të kontaktonte me Kacorin. Çfarë zbuloi agjenti “Asparuh” mbetet sekret, sepse në dosjen e tij mungojnë dokumente. Ka vetëm një pusullë, në të cilën shkruhej: “Punë e suksesshme e objektit “Pedagogu”.
Ironia e dytë, ka të bëjë me faktin se Shqipëria e ka dekoruar Bobevin me “Medaljen e Mirënjohjes” për “kontributin e veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin mes institucioneve të dy vendeve, në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë”.

Bullgari, hapja e dosjeve: Mijëra hafije, nga njerëz të thjeshtë deri… eurodeputetë

Komisioni për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare u zgjodh më 5 prill 2007 në bazë të ligjit të legjislaturës së 40-të të Asamblesë Kombëtare [parlamenti]. Këshilli i Ministrave i Bullgarisë, duke filluar nga 18 gushti 2007, duhej t’i siguronte komisionit dhe administratës së tij hapësirat e nevojshme për punë dhe mjetet teknike për kryerjen e aktiviteteve të tij dhe për marrjen e dokumenteve që vijnë nga administrata të ndryshme në përputhje me nenin 1 të Ligjit dhe ruajtjen e tyre në një arkiv të centralizuar.
Në përputhje me autoritetin e tij Komisioni për hapjen e dosjeve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim- kundërzbulimit, ka verifikuar dhe publikuar emrat e shtetasve bullgarë të cilët dikur kanë mbajtur ose ende mbajnë poste publike, që kanë qenë të lidhur me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare, si më poshtë:
• Kandidatë të regjistruar për anëtarë të Parlamentit Evropian – verifikuar 144 veta, nga të cilët 6 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese – verifikuar 36 veta, nga të cilët 3 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë – verifikuar 148 veta, nga të cilët 15 veta u shpallën publikisht me dosje;
• President dhe zëvendës-president – verifikuar 8 veta, nga të cilët 2 veta u shpallën publikisht me dosje;
• Punonjës në administratën presidenciale – verifikuar 105 veta, nga të cilët 21 veta u shpallën publikisht me dosje; etj

Në punën e tij, Komisioni për hapjen e dosjeve në Bullgari ndjek parimin e hapjes të plotë. Pavarësisht disa reagimeve negative të njerëzve dhe qarqeve të prekur nga ligji dhe zbatimi i tij të rreptë, komisioni ka mbështetjen e publikut dhe medieve për punën e tij. Interesi i lartë është dëshmuar duke gjykuar nga numri i madh i njerëzve që vizitojnë faqen ueb të komisionit: ëëë.comdos.bg.

Nga një raport i Komisionit bullgar të Dosjeve para parlamentit të tyre mësohet se 20, 40 leva dhe shpërblime deri në 100 dollarë kanë marrë për denoncimet në DS ambasadorët e tanishëm, të cilët kanë punuar për shërbimet sekrete. Përveç parave, kjo i ka ndihmuar shumë për të ecur përpara në karrierë, për t’u futur në një punë që nuk e meritonin, apo edhe për të përfituar pjesë këmbimi për makinat personale. Në këmbim, ata shkruanin për ata që dëgjonin “The Beatles”, që vidhnin alkoolin e ambasadës dhe që donin të arratiseshin. Është për të qeshur dhe për të qarë kur lexon denoncimet e ambasadorëve tanë të tanishëm, të cilët para vitit 1990 i kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit. Komisioni i Dosjeve bëri të ditur se më shumë se 200 ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm bullgarë kanë punuar për ish-Sigurimin e Shtetit. Shumica e dosjeve tani janë pastruar me kujdes, por edhe nga ajo çka ka mbetur mund të nxirren konkluzione….

AMBASADORËT
1 – Bobi Bobev, ambasador i Bullgarisë në Tiranë nga 1996-2006
Hapat e tij të parë si kuadër i DS-së Bobi Bobevi i bëri pikërisht në Prishtinë, ku është aktualisht ambasador. Sipas dosjes së tij e kanë rekrutuar më 9 gusht 1974. Në atë kohë punonte në Institutin e Ballkanistikës të Akademisë Bullgare të Shkencave. Nuk u desh kohë për ta bindur të bëhej agjent i Sigurimit të Shtetit të Bullgarisë. “Pranoi pa ngurrim, shfaqi dëshirën dhe ishte i gatshëm të punonte me zell. Me Bobevin u bë një bisedë, në të cilën dëshmoi se kishte vizion të saktë për çështje të ndryshme politike. Shprehu gatishmërinë për të raportuar raste që i konsideronte të papërshtatshme, por dëshironte që lidhjet me DS-në të mbaheshin të fshehta”- shënonte në raportin e vet punëtori operativ. Iu dha pseudonimi “Asparuh” dhe u bë agjent DS-së në sektorin e Shqipërisë. DS-ja e vlerësonte si “një të ri të arsimuar, të gatshëm për të bashkëpunuar, edhe pa i bërë ftesë konkrete”.
Agjentit i është njohur si meritë e madhe rasti kur arriti të vjedhë katalogun e Institutit të Shkencave të Munihut. DS-ja e çoi në Bavari, ku iu ngarkua detyra të depërtonte në fondet arkivore të Institutit të historisë së Shqipërisë dhe Institutit të historisë Otomane në Munih. Ka kërkuar dokumente që mund t’i përdorte për periudhën e rilindjes. Në Munih Bobevi ishte mysafir i Institutit shqiptar, i cili ka një bibliotekë shumë të pasur. Në vitin 1977 u botua katalogu voluminoz i dokumenteve të institutit, por që ishte për përdorim shërbimi. Bobevi dëshironte ta blinte – iu refuzua për shkak se nuk destinohej për shitje dhe nuk kishte çmim. Atëherë e vjedh.
Iu dhanë 40 leva për të shkruar një artikull për pjesëmarrjen e finlandezëve në luftën për çlirim. Ka marrë para dhe për artikuj rreth Jan Kukuzelit [rreth viteve 1280-1360, murg ortodoks nga Durrësi – thotë ndër të tjera dosja e tij.

2 – Teodor Rusinov, ambasador i Bullgarisë në Tiranë nga 2006 - 2011
Me vendim të Komisionit të Dosjeve, për herë të parë  u bënë publike në internet dosjet e të gjithë ambasadorëve aktualë (deri në dhjetor 2010), të cilët bënin pjesë në Sigurimin e Shtetit dhe Drejtorinë e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë bullgare. Me publikimin e dosjeve për ambasadorët sajti “dërzhanva sigurnost.com” [sajti i pavarur për ndriçimin e së kaluarës dhe transparencë] u mundëson të gjithë të interesuarve të njihen me dokumente autentike.
Në një nga numrat u paraqitën materiale që lidhen me dosjen e mbrojtur të Teodor Rusinov-it (lindur në vitin 1952), i cili ne kohen e publikimit ishte Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë së Bullgarisë në Tiranë, Shqipëri. Komisioni i Dosjeve bëri publik faktin se Rusinovi ka qenë bashkëpunëtor i Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare (RU-GSH) që nga viti 1984 me pseudonimin “Jordanov”. Karriera e Rusinovit në Ministrinë e Jashtme filloi në vitin 1979. Si diplomat ka mbajtur
shumë pozicione.

3 – Dimitar Arnaudov, ambasador i Bullgarisë në Tiranë aktual
Z. Dimitar Arnaudov lindi më 30 prill 1958. Diplomuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë në profilin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Filloi karrierën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë në vitin 1986 si atashe stazhier, atashe dhe sekretar i tretë në departamentin e Vendeve të Ballkanit, sekretar i parë në departamentin “Evropa Juglindore”, Këshilltar dhe Ministri fuqiplotë në drejtorinë e vendeve fqinje. Z. Arnaudov ishte shef departamenti në drejtorinë e vendeve fqinje dhe i ngarkuar me detyrën e drejtorit të drejtorisë së vendeve fqinje. Më 10 prill 2012 z. Arnaudov paraqiti kredencialet e tij si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë.


KOMENT
Doras të KGB-së për “punët e pista”
Thanas Mustaqi
Historiografia e shërbimeve sekrete ka përfituar dukshëm nga qasja relativisht më e madhe në dosjet e shërbimeve të fshehta të Evropës Lindore në epokën pas Luftës së Ftohtë. Në një farë mënyre, këto dosje zbuluan jo vetëm detyrat specifike dhe aktivitetet e shërbimeve të kundërzbulimit në vendet më të vogla të bllokut sovjetik, por edhe qëllimet globale të superfuqive, ndonëse arkivat operative të KGB-së ende janë pothuajse krejtësisht të padisponueshme deri tani. Një vlerësim mbi dokumente më parë top-sekret të arkivave të Evropës Qendrore-Lindore, me sa duket, konfirmojnë pikëpamjen e njohur gjerësisht që shërbimet e kundërzbulimit të Paktit të Varshavës u krijuan si një imazh “pasqyre” i Krye- Drejtorisë së Parë të KGB-së (PGU). Ky përfundim mbështetet edhe nga një udhëzim konfidencial i sekretarit të parë të Partisë Komuniste Bullgare, Todor Zhivkov, pas një takimi me shefin e KGB-së Juri Andropov në Sofje në nëntor 1969, duke deklaruar se Sigurimit i shtetit i Bullgarisë (DS) duhej të bëhej “filial i denjë” i KGB-së, shkruan historiani i njohur bullgar, ekspert ndërkombëtar i projekteve për studimin e Luftës së Ftohtë, dr. prof as. Jordan Baev.
Historia e bashkëpunimit në kuadër të bllokut sovjetik në lëmin e spiunazhit tekniko-shkencor (T&SH) ende rrallë diskutohet në historiografinë e sotme; megjithatë, përfaqëson një “dukuri të çuditshme” në historinë ndërkombëtare të shërbimeve të fshehta. Ndërsa vendet perëndimore i zhvilluan degët e tyre të spiunazhit shkencor në mënyrë të pavarur, dhe në të vërtetë kishte rivalitete të ashpra dhe shpesh kompetitive sekrete mes tyre, shërbimet e fshehta të bllokut sovjetik bashkërendonin veprimet e tyre brenda kuadrit të koalicionit nëpërmjet “shpërndarjes së objektivave”. Detyrat më të rëndësishme strategjike në rajone dhe zona të caktuara caktoheshin
nga shefat e KGB-së, të paktën, në vitet e para të aktivitetit të spiunazhit T&SH të vendeve të Evropës Lindore. Argumentet më të forta për një zhvillim intensiv të bashkëpunimit spiunazhit T&SH ishin domosdoshmëria e kapërcimit apo shmangies së barrierave të Komitetit Bashkërendues për Kontrollet Shumëpalëshe të Eksportit në epokën e re të përshpejtimit teknologjik të sistemit perëndimor ekonomik dhe garës së armatimeve mes të dy blloqeve ushtarake.
Diskutimet mbi bashkëpunimin mes vendeve të Traktatit të Varshavës në fushën e spiunazhit T&SH, kuptohet u përqendruan në aleatët më të zhvilluar të Bashkimit Sovjetik si Gjermania Lindore, Çekosllovakia apo Polonia. Përveç kësaj, diasporat relativisht të mëdha të vendeve të Evropës Qendrore brenda SHBA-së, Kanadasë dhe Evropës Perëndimore, lehtësuan përpjekjet për sigurimin e informacionit sekret ushtarak, ekonomik dhe shkencor. Sigurimi bullgar është konsideruar as më shumë e as më pak si doras i “punëve të pista” të KGB-së apo aksioneve të “lagështa” të fshehta të përbashkëta kundër Perëndimit. Madje monografitë ruse e sapobotuara mbi shërbimet sekrete sovjetike të pasluftës shënojnë vetëm disa shembuj bazë në bashkëpunimin T&SH me “shokët” gjermanolindorë, polakë, çekë, hungarezë, duke injoruar plotësisht aleatin “më besnik” të KGB-së në Ballkan. Një nga arsyet për këtë shpërfillje ishte padyshim mungesa e informacionit dokumentar besueshëm.
Ndërkohë, në dhjetëvjeçarin e fundit janë botuar në Sofje disa dëshmi interesante personale të veteranëve të spiunazhit bullgar T&SH si dhe disa libra nga gazetarë ivestigativë që hedhin dritë mbi historinë e padukshme të këtij shërbimi sekret. Në dhjetor 2006 u miratua nga parlamenti bullgar një ligj i ri mbi hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me
Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare. Në bazë të ligjit, gjithë dokumentacioni mbi sigurimin e shtetit për periudhën shtator 1944-korrik 1991 duhet të dorëzohet në Arkivin e sapokrijuar të Komisionit për hapjen e dokumenteve dhe shpalljen e lidhjes së shtetasve bullgarë me Sigurimin e Shtetit dhe shërbimet e zbulim-kundërzbulimit të ushtrisë kombëtare bullgare. Në vitet 2008-2010, në përputhje me rregulloret aktuale, u vunë në dispozicion për herë të parë për publikun një sasi e madhe dosjesh top-sekret të ish-sigurimit bullgar të shtetit.

No comments: