Tuesday, December 25, 2012

Pse vriten në aksidentet rrugore shqiptarët?!

 Ben Andoni
Ish-zëvendësministri i Transporteve, Sadedin Çeliku shpjegon situatën e sigurisë rrugore në Shqipëri. Cilat janë pikat e saj të dobëta, pse futen politikanët dhe kush janë arsyet që ndodh kjo katrahurë në Shqipëri... 
Edhe pse pak vite më parë,
specialistët suedezë të rrugëve, kur punuan për një projekt për Sigurinë Rrugore në Shqipëri kanë lënë detyra dhe parashikuan se deri më 2017, nëse do të zbatoheshin këshillat, niveli i aksidenteve do të binte përgjysmë, duhet thënë se Shqipëria i ka tejkaluar shifrat fatale në aksidentet rrugore. E fundit, ndodhi pak ditë më parë në Himarë, ku plot 14 të rinj humbën jetën si rezultat i një aksidenti shumë fatal...Në këtë intervistë, një specialist i kahershëm i transporteve dhe shumë prezent në politikat e Sigurisë Rrugore, tregon të gjithë këtë katrahurë që na rrethon. Pak e habitshme është se megjithëse u punua mirë me projektin suedez, për Sigurinë Rrugore, ai e anashkalon, duke përdorur si argument rritjen e aksidenteve në kohën pas dhënies së këshillave të tyre...

Pse siguria rrugore lë kaq shumë për të dëshiruar, sipas jush?
“Së pari më lejoni të theksoj se çështja e sigurisë rrugore nuk është vetëm fenomen shqiptar por është dhe një plagë globale. Nga aksidentet në rrugë vdesin 1.2 milion njerëz në vit dhe miliona të tjerë mbeten të gjymtuar e me aftësi të kufizuar. Sigurisht tek ne është më problem dhe thuajse jemi kampion në Evropë. Kjo për shkak të shumë faktorëve disa prej të cilave po i nënvizojmë më poshtë.
Vendi ynë numëron një inventar prej 400 mijë automjetesh ndër të cilat rreth 2000 autobuzë, 4500 kamionë, 10.000 furgonë e minibuza dhe diferenca traktorë e autovetura. Ky inventar ka moshë të vjetër dhe diktohet dhe nga kushtet socio-ekonomike që kanë qytetarët shqiptarë. Dominojnë automjetet mbi 20 vjeçare ku përveç ndotjes mjedisit dhe gazrave që lëshojnë,ndotjes akustike gjithashtu,kanë dhe mjaft të meta teknike të cilat për kontrollin teknik certifikohen kundrejt ryshfeteve nga njerëz të pandershëm. Çdo drejtuesi automjetesh  i duhet të paguajë 1.800 lek për konçensionerin dhe 4000 mijë lek ryshfet se ndryshe edhe po e pate makinën në rregull ta nxjerrin me defekt. Automjetet e rënda, maune, autobuzë dhe sidomos ato automjete që disponohen nga firmat e ndërtimit nuk paraqiten në pikat e kontrollit teknik dhe vulat i marrin në mjedise të tjera. Sigurisht që ky faktor cenon sigurinë dhe krijon premisa për aksidente. Jepen lejet e drejtimit ( patentat ) me ryshfete , pa u trajnuar si duhet nga autoshkollat dhe këtë e dëshmojnë arrestimet e shumta në këtë sektor.
Mungojnë sinjalistikat vertikale, horizontale dhe elektronike. Mungon ndriçimi publik në rrugët nacionale dhe në këtë mënyrë bëhen shkak për aksidente. Projektet në zbatim lihen përgjysmë dhe shfrytëzimi i rrugëve fillon me të meta teknike. Rrugët merren në dorëzim pa përfunduar dhe shpesh pa raportin e supervizorit, të cilët shumë prej tyre duhet të shkojnë në ndjekje penale. Shpesh supervizorët janë përfaqësues të investitorit dhe  qysh këtu fillon konflikti i interesit. Nuk ka masa dhe objektiva për parandalimin e fenomeneve por përfaqësuesit e shtetit lëvizin sa herë ndodhemi para fakteve siç qe tragjedia e Himarës. Komiteti ndërministror i sigurisë rrugore që kryesohet nga Kryeministri duhet të mblidhet për analiza tre herë në vit por me sa di unë gjatë këtij viti nuk është mbledhur asnjë herë dhe në këtë   forum nuk marrin pjesë specialistët e vërtetë sepse nuk duan zë të fuqishëm.
Policia rrugore dhe inspektoriatet edhe pse të pajisur me dylbi dixhitale dhe pajisje të tjera nuk gjobisin kundravajtësit sepse ndryshe nuk realizojnë normën as për dajën dhe as për lalën. Nuk njohin Kodin Rrugor dhe udhëzimet që pasojnë atë. Ndryshimet e shpeshta të kodit dhe të strukturave të kontrollit nuk i kanë shërbyer qëllimit. Shkurt nuk ka vullnet për të administruar e menaxhuar si duhet problemet e sigurisë rrugore dhe e konsiderojnë atë punë rutinë”.

Në të gjithë këto ditë kemi pasur shmangie të përgjegjësisë. Pse ndodh kështu me politikanët tanë ?
“Kjo  është dukuri shqiptare dhe produkt të kulturës së dobët që kanë politikbërësit dhe atyre që punojnë në ekzekutiv. Në rastin e aksidentit të Himarës u pa i pari Drejtori i Policisë së Shtetit, i cili tha se drejtuesit të autobuzit mund të kishte kaluar atak kardiak, i dyti Ministri Olldashi, i cili tha se fajin nuk e kish rruga. Marrëzia shkon deri atje sa që pyeten mjekët se pse ndodhi aksidenti. Gjithsesi duhet thënë se në të gjitha rastet përgjegjësi nuk ka mbajtur askush dhe për asgjë. Kështu ndodhi me përmbytjet e Lezhës e Shkodrës dy vitet e fundit,në ngjarjet e Gërdecit, në aksidentin e Fushë-Arrëzit në vitin 2010, në vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm më 21 Janar 2011 e kështu me radhë. Kështu do të ndodhë edhe këtë radhë me ngjarjen e Himarës ku fajin dhe tërë përgjegjësinë do ta marrë i vdekuri si gjithmonë. Klasa jonë politike nuk ka pjekuri dhe nuk janë të përgjegjshëm për atë që ndodh”.

Çfarë ka mbetur pa u zbatuar nga projekti i dikurshëm i palës Suedeze në lidhje me sigurinë rrugore ?
“Në mënyrë që ti jepesh një impakt sigurisë u morën dy transhe nga 10 milion dollarë kredi nga Banka Botërore të cilat nuk dihet se kush i ka ngrënë. Një gjë dihet e sigurt se Workshopet e tyre nuk i kanë sjellë asnjë dobi çështjes. Mjafton tu jap disa shifra që dalin nga Ministria e Brendshme të cilat me thënë të drejtën janë shumë tronditëse.
Në vitin 1999 kishim 468 aksidente, në vitin 2000; 429 aksidente,në vitin 2001; 400 aksidente, në vitin 2002; 328 aksidente, në vitin 2003; 363 aksidente,në vitin 2004; 804 aksidente,në vitin 2005; 853 aksidente,në vitin 2006; 1018 aksidente,në vitin 2007; 1254 aksidente, në vitin 2008; 1208 aksidente, në vitin 2009; 1465 aksidente, në vitin 2010; rreth 2000 aksidente.
Siç shikohet gjatë kohës që është implementuar projekti suedez pra 2005-2008 aksidentet janë rritur që do të thotë se projekti nuk ka prodhuar asgjë të mirë për sigurinë rrugore”.

A ka  një strukturë në Ministrinë e Transportit dhe e Punëve Publike për sigurinë rrugore. Sa është përgjegjëse ajo në ditët tona për këtë katrahurë ? 
“Po  ka një drejtori që mban tamam këtë emër pra Drejtoria e sigurisë rrugore që ka pesë specialistë. Sipas mendimit tim, ata janë goxha të aftë, por çështjet e sigurisë por shpesh i drejtojnë njerëzit mediokër e të paaftë. Bie fjala iniciativat ligjore për ndryshimin e kodit rrugor kanë ardhur nga lart-poshtë. Kur ishte Basha, Ministër i Brendshëm, amendoi një nen në kodin rrugor sepse mendoi se çështjet e sigurisë rregullohen me gjoba, dy herë të tjera kanë ardhur nga Nishani dhe Olldashi. Pra, specialistët nuk i dëgjon njeri, madje nuk gaboj po të them se kanë frikë të flasin se i flakin nga puna. Në këtë kuptim nuk kanë shumë përgjegjësi sepse ata vetëm zbatojnë urdhrat e shefave dhe ju e shikoni që shpesh flasin policët që nuk janë të zanatit për çështjet e sigurisë dhe jo njerëzit kompetentë të Ministrisë së Transportit”.
Cilat janë elementët më të dobët të strukturës së sigurisë rrugore ?
“Së pari, në këtë fushë nuk është investuar dhe problemet e sigurisë nuk i kemi vetëm në transportin rrugor, por dhe në transportin detar, transportin hekurudhor e gjetkë. Krahas kësaj mungon edukata e sigurisë që sipas mendimit tim të gjithë nxënësit që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç duhet ta marrin këtë edukatë në mësimdhënie, pra në shkolla. Kjo praktikë zbatohet edhe në vende ku nuk e kanë shumë problem sigurinë. Çështja tjetër që lidhet me këtë problem është zbatimi i ligjit nga të gjithë qytetarët pa dallim vertikalisht dhe horizontalisht. Hallka më e dobët që duhen rregulluar urgjent janë kontrolli teknik i automjeteve, forcimi i kontrollit në dhënien e lejeve të drejtimit dhe rrugët të cilat ende lënë për të dëshiruar”.

A ka mundësi me kapacitetet që ka Shqipëria që ajo të përmirësohet ?
“Sigurisht ekzistojnë të gjitha mundësitë por siç e thashë më lart kërkon vullnet sepse me pak punë mund të korrigjohemi. Së pari, duhet hequr monopoli i kontrollit teknik prej nga vijnë të gjithë të këqijat. Kjo do të thotë që këtë të drejtë ta ushtrojnë të gjitha distributorët e makinave siç janë Mercedes Benz, Wolkswagen, Peugeot, Citroen, Fiat, Opel,Toyota etj., të cilat kanë kapacitetet infrastrukturore dhe logjistikën e nevojshme për ta bërë këtë punë. Kjo do ti bënte mirë procesit dhe do të eliminonte korrupsionin që ka përfshirë ndërmarrjen konçensionare ku asnjë shërbim nuk ofrohet pa ryshfet. Sa i takon shërbimit do të jetë më i mirë dhe i sigurt. Së dyti, të eliminohen pikat e zeza ( kthesat e vështira dhe të rrezikshme siç qe ajo e Himarës ) dhe të ndalohet rreptësisht qarkullimi me automjete të transportit  publik përgjatë Bregut, Qaf- Krrabë e ndonjë vend tjetër. Meqënëse jemi në sezonin turistik qysh tani duhet marrë kjo masë. Së treti, autobuzët, mikrobuzat, minibuzat dhe taksitë që realizojnë transport publik duhet të posedojnë automjete me moshë të limituar. Pra, nuk  duhet të qarkullojnë autobuzat dhe ato që njësohen me to  me moshë mbi 10- vjeçare. Përsa i përket taksive në përputhje dhe me praktikën ndërkombëtare nuk duhen lejuar taksi të markave të ndryshme( në mjaft vende të Evropës i kanë p.sh. vetëm Benza ) dhe me moshë më të madhe se tre vjet pavarësisht se sa kilometra ka bërë. Këtu futet në lojë mekanizmi i subvencionit nga ana e shtetit. Kjo masë duhet marrë edhe për autoveturat private të cilat janë shumë të vjetra. Kjo barrierë duhet të fillojë me ligj e të zbatohen me rigorozitet nga doganat. Së katërti, Ministria e Arsimit e Shkencës të nxjerrë urdhër e të ndalojë ekskursionet e shkollave në rrethe. Mësuesit abuzojnë dhe shpesh këto ekskursione kanë karakter korruptiv. Duke pasur parasysh se mosha e autobuzëve është 20 deri 30 vjet dhe kanë probleme teknike të moshës tyre, duhen ndaluar rreptësisht. Autobuzat, furgonat dhe minibuzat në transportin rreth­qytetas, janë jashtë standarti, shumë të vjetër aq sa dhe frena nuk mbajnë. Si qytetar, specialist, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse ta ndalin këtë krim ekonomik sa pa u bërë ndonjë hata, ndryshe do jetë tepër vonë nëse ndodh ndonjë ngjarje. Së pesti, Policia e Shtetit dhe inspektoriatet që varen prej saj të heqi nga radhët e saj të korruptuarit, të forcojë kontrollin sidomos për automjetet e transportit publik dhe të zbatojë Kodin e Republikës së Shqipërisë.
Ja pra këto janë disa nga masat që mendoj se duhen marrë shpejt në mënyrë që të parandalohen fatkeqësitë që vijnë nga mungesa e sigurisë rrugore. Sigurisht një rol të rëndësishëm kanë dhe masat që duhet të marrë Ministria e Transportit dhe Komiteti Ndërministror për Sigurinë Rrugore.
          

No comments: