Monday, December 24, 2012

“Si më arrestuan se fsheha lidhjet e Ballukut me Mehmetin”

Flet Kristofor Mërtiro, ish-oficer i lartë i Sigurimit.
“Si përfundova në pranga kur hetoja Mehmet Shehun”
“Më akuzuan se kisha fshehur lidhjet e Ballukut dhe Ngjelës me kryeministrin”

Kristofor Mërtiro, ish-oficeri madhor i Sigurimit të Shtetit, ka qenë njëherazi protagonist dhe viktimë e proceseve të bujshme të viteve ’70-’80. I njohur si hetues i Beqir Ballukut, në procesin e ashtuquajtur “të puçistëve”
dhe i Kiço Ngjelës në atë të “sabotuesve” në ekonomi, ish-zyrtari i rëndësishëm i Sigurimit të Shtetit nuk arriti të çonte në fund sfidën e radhës për kryqëzimin e familjarëve të Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist, të vetëvrarë në kushte të dyshimta mbrëmjen e 17 dhjetorit 1981. Në përfundim të rrëfimit për “Panorama”, Mërtiro zbulon rrethanat si u shmang nga hetimet e familjarëve të Shehut dhe si u arrestua në prill të vitit 1982 për t’u dënuar si pjesë e grupit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut…
Zoti Kristofor, ju pohoni se gjatë hetimeve të familjarëve të Mehmet Shehut nuk keni konstatuar asnjë rrethanë që vërteton lidhjet e tij me agjenturat e huaja, ndërkohë që i njëjti proces e dënoi Fiqiretin, të shoqen e kryeministrit, me një mal akuzash të tilla…
Kur them se gjatë hetimeve nuk doli asnjë provë që e penalizonte Mehmet Shehun në raport me zbulimet e huaja, kam parasysh kohën në të cilën unë isha pjesë e këtij procesi. Ajo që ndodhi më vonë është tjetër histori, që nuk ka për bazë të vërtetën, por mashtrimin dhe një mori alibish të inskenuara në zyrat e Policisë Sekrete me bekimin e drejtuesve të lartë të Partisë.
Pra, nuk e çuat deri në fund procesin e hetimeve…  
Unë kam qenë pjesë e grupit të hetimit të familjarëve të Mehmetit rreth 10-12 javë. Në valën e punës për të zbardhur misteret e vetëvrasjes së kryeministrit dhe rrethanat e tjera që lidheshin me ngjarjen e bujshme, më shmangën pa më komunikuar asnjë arsye.
Ishte periudha kur në krye të Ministrisë së Brendshme kishte ardhur Hekuran Isai dhe në strukturat e Sigurimit kishin filluar zhvillime të vrullshme…
Me një fjalë, nga procesi i hetimeve të Shehut u larguat me urdhër të Hekuran Isait?
Hekuran Isai erdhi ministër i Punëve të Brendshme në janar të vitit 1982, duke spostuar në pozicionin e zëvendësministrit Feçor Shehun, i cili u arrestua vetëm një muaj më vonë. Që në ditët e para, ministri i ri që prezantohej si dorë e fortë dhe ndër më besnikët e Enverit, hoqi nga detyra krerët kryesorë të Sigurimit dhe filloi një fushatë goditjeje ndaj tyre. Madje, mjaft syresh u përfshinë në vorbullën e penalizmit, duke u dënuar me vite të gjata burgimi. Sipari i këtij kalvari, jo rastësisht u çel me mua   dhe Elham Gjikën. Menjëherë pas arrestimit tonë, u prangosën një numër jo i vogël i zyrtarëve të Shërbimit Sekret dhe organit të hetimit, për të arritur kulmin në shtator të vitit 1982, me arrestimet e bujshme të figurave historike të Sigurimit: Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini etj.
Kur u arrestuan dhe cila ishte akuza që ju komunikuan?
Në fillim të prillit të vitit 1982. Më herët, pak ditë më parë, më kishin pezulluar pa asnjë shpjegim nga detyra e shefit të Degës së Veçantë të Sigurimit. Ndërkohë që zyrtarisht po prisja emërimin në detyrën e re, më thirrën në Ministri dhe, pa u futur mirë aty, më hodhën prangat. Akuza që më komunikuan në ditët e para vërtitej në terma të përgjithshëm, që pak a shumë fokusoheshin në dispozitën e shpërdorimit të detyrës. Në vijim do të zbuloja arsyen e vërtetë të penalizmit…
Arsyeja e vërtetë që lidhej…
Thelbi i akuzës ishte ndërtuar mbi rolin tim në procesin e   grupit të Beqir Ballukut, ndryshe të “puçistëve të Ushtrisë” dhe atë të “sabotuesve” në ekonomi, i kryesuar nga Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati.
Si ishte formuluar akuza?
Fjalë për fjalë tekstin nuk e mbaj mend, por në vija të përgjithshme më akuzonin për sabotim të parimeve procedurale, penale, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm në proceset hetimore të armiqve Beqir Balluku, Kiço Ngjela e të tjerë, më qëllim që të mos zbulohej veprimtaria e përbashkët armiqësore me armikun Mehmet Shehu.
Në një kohë që këto procese ishin mbyllur dhe artikuloheshin të suksesshme zyrtarisht?
Në fakt, unë kisha qenë pjesë e procesit të ushtarakëve që u dënuan për grusht shteti dhe e grupit të ndëshkuar për sabotim në ekonomi. Nisur nga ky pozicion, më akuzonin se kisha fshehur provat që kishin dalë nga hetimet për kokën e këtyre dy grupeve, që sipas akuzuesve ishte Mehmet Shehu, ish-kryeministri i vendit(!)…
Me çfarë argumentesh ju akuzonin për një gjë të tillë?
Thjesht me argumente, pa argument. Si hetues i Beqir Ballukut dhe Kiço Ngjelës, më akuzonin se kisha mbuluar me qëllim lidhjen e Mehmet Shehut me aktivitetin e tyre armiqësor, që synonte përmbysjen e pushtetit popullor. Se kisha mbyllur para kohe procesin hetimor të kreut “të puçistëve” për të mos dalë roli i Shehut si drejtuesi kryesor i grushtit të shtetit, se kisha fshehur lidhjet e grupit të Ushtrisë me të ashtuquajturin “grup armiqësor në sobatimin e organizimit shtetëror të ekonomisë”…
Në fakt, është folur se procesi i hetimeve të Ballukut është mbyllur para kohe…
Procesi ndaj Beqir Ballukut dhe ushtarakëve të tjerë, kur ai shkonte drejt fundit, është mbyllur me urdhër të Enverit. E vërteta është se në zhvillimin e tij nuk u neglizhua asnjë procedurë. Të gjitha inskenimet rreth kësaj ishin të qëllimta.
Po gjatë hetimeve të Kiço Ngjelës a dolën fakte që e komprometonin Shehun?  
Mua më akuzuan se nuk dokumentova në dosjen e hetimeve pohimet e Ngjelës për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut. Në ballafaqimin me Ngjelën në procesin gjyqësor, pyetjes së gjykatësit se çfarë kishte dëshmuar gjatë procesit hetimor për veprimtarinë e përbashkët armiqësore me Mehmet Shehun, dhe a ishin mënjanuar ato nga hetuesi, ai iu përgjigj se nuk kishte deponuar asgjë për ndonjë veprimtari armiqësore të Mehmet Shehut dhe se nuk kishte ndonjë dijeni për diçka të tillë. Sidoqoftë, ata nuk u tërhoqën nga qasja e tyre ogurzezë. Duke spekuluar me faktin që unë kisha qenë hetuesi i Beqir Ballukut dhe i Kiço Ngjelës, këmbëngulnin të më etiketonin si ndërlidhësin e dy “grupeve armiqësorë”, me poliagjentin Mehmet Shehu. Me këtë legjendë i vinin në takim edhe “udhëheqësit e lavdishëm”, sipas fantazisë diabolike të të cilit të gjitha grupet armiqësore kishin pasur në krye Mehmet Shehun…
Me një akuzë të tillë është operuar edhe në procesin e Hazbiut. Çfarë keni dëshmuar ju aty?
Kadri Hazbiun e akuzonin se me porosi të Mehmet Shehut kishte urdhëruar mbylljen e procesit të Beqir Ballukut dhe kishte fshehur deponimet e Beqirit për rolin e Mehmetit në krye të këtij grupi armiqësor. Gjatë dëshmisë sime në procesin gjyqësor, shpjegova me hollësi rrethanat në të cilat ishte mbyllur procesi dhe pohova se ishte e pavërtetë akuza që i bëhej Hazbiut për këtë çështje. Çfarë nuk përdorën hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit që të pranoja se “thëniet e Beqir Ballukut e të Kiço Ngjelës, gjoja për këtë veprimtari të përbashkët, ishin fshehur nga ana ime, me porosi të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo edhe të vetë Mehmet Shehut”, por nuk ia dolën. Isha i bindur se Beqir Balluku e Kiço Ngjela nuk kishin deponuar asgjë për veprimtari të tyre armiqësore, pale pastaj për veprimtari të përbashkët me Mehmet Shehun.
A keni pasur presion gjatë hetimeve?
Nga më të tmerrshmet. Me ardhjen e Hekuran Isait në krye të Ministrisë së Brendshme, presionet e torturat gjatë hetimit u bënë sistematike e çnjerëzore. Pikërisht në këtë periudhë pati jo pak të dënuar që vdisnin në duart e hetuesve, apo vetëvriteshin për t’u shpëtuar torturave…
Sa u dënuat?
15 vite, të cilat i kalova në ferrin e burgjeve të komunizmit.
AFRIM IMAJ

Burimi: http://www.panorama.com.al/2012/12/21/si-me-arrestuan-se-fsheha-lidhjet-e-ballukut-me-mehmetin/#ixzz2Fyv3QRio

No comments: