Saturday, September 10, 2011

Vrasja e gjyqtarit, hetim pronave në Gjirin e Lalëzit


Makina e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, pas shpërthimit me telekomandë



Gjyqtari i vrarë, Skerdilajd Konomi
Skerdilajd Konomi, 33 vjeç, humb jetën pas një atentati
Vrasja për shkak të detyrës është pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen dje nga shpërthimi në makinën me të cilën po udhëtonte.Pikërisht, për shkak të lidhjes së ngjarjes me detyrën, hetimi i atentatit i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila dërgoi dje në Vlorë dy nga prokurorët më të mirë të saj si dhe një prej hetuesve më me përvojë. Pista e dytë që po hetohet është ajo e konflikteve apo problemeve personale, e lidhur ngushtë me çështje pronësie mbi disa toka në bregdetin e zonës së Durrësit. Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari Skerdilajd Konomi ka trashëguar nga prindërit sipërfaqe të mëdha tokash. Veçanërisht nga nëna, gjyqtari mësohet se ka trashëguar në zonën Hamallaj dhe Gjiri i Lalësit sipërfaqe të konsiderueshme toke. Pronësia mbi këto troje është bërë objekt hetimi, pasi për një sipërfaqe tokë në këtë zonë, gjyqtari Skerdilajd Konomi ishte bërë pronar i saj në fund të muajit korrik 2011, pas një vendimi të dhënë në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Ndërkohë, për të njëjtin truall mësohet se ka pasur edhe pretendentë të tjerë për pronësinë e tokës.
Hetimi
Menjëherë pas sinjalizimit për eksplozivin e vendosur në makinën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një grup hetimi drejt vendit të ngjarjes. Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dërguar në Vlorë oficerët e saj më të mirë për hetimin e ngjarjes. Me të mbërritur në Vlorë, grupi i hetimit ka nisur veprimet hetimore, duke filluar me vendin e ngjarjes ku janë mbledhur provat dhe dëshmitë e nevojshme për hetimin. Më tej, grupi i hetimit ka vazhduar me disa ekspertime në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe më vonë, me pyetjen e personave në dijeni për ngjarjen. Deri dje në mbrëmje mësohet se janë marrë në pyetje rreth 20 persona, të cilët janë shoqëruar radhazi në     Drejtorinë e Policisë. Mes personave të marrë në pyetje, mësohet se kanë qenë familjarët e gjyqtarit Konomi si dhe dy miq të tij, me të cilët 33-vjeçari kishte pirë kafe dje në mëngjes para se të nisej për në punë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mësuar se pas daljes nga banesa gjyqtari ka pirë kafe në zonën e Skelës me dy miq të tij, dhe më pas është nisur me makinën e gruas për në punë (pasi makina e tij ishte dëmtuar qëllimisht te gomat). Gjatë mbledhjes së dëshmive nga miqtë dhe familjarët e gjyqtarit, Prokuroria ka mësuar se ai nuk kishte shfaqur shenja shqetësimi apo probleme të tjera kohët e fundit. Ndërkohë, grupi i hetimit, krahas kryerjes së veprimeve në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe pyetjes së dëshmitarëve, ka nisur po ashtu edhe shqyrtimin e dosjeve që ka shqyrtuar gjyqtari Skerdilajd Konomi. Hetuesit po mundohen të evidentojnë ndonjë dosje problematike me personazhe të skeduar apo çështje që kanë të bëjnë me prona dhe shuma të mëdha, pasi për një kohë. Konomi ka shqyrtuar çështje civile që kanë të bëjnë me pasuritë. Dje në mbrëmje, në mbyllje të një dite me hetime intensive, grupi i hetimit ka bërë një analizë të informacioneve dhe provave të grumbulluara.
Kush ishte gjyqtari magjistrat, Konomi
Për pjesën dërrmuese të punonjësve të sistemit të drejtësisë, emri i Skerdilajd Konomit, i shfaqur me titra dje në të gjitha TV-të, nuk ka qenë i panjohur. Gjyqtari, babai i dy fëmijëve, njëri 4 vjeç dhe tjetri 1 vjeç, punonte në Gjykatën e Vlorës që nga viti 2006 kur u emërua me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai kishte mbaruar Juridikun dhe më pas Shkollën e Magjistraturës, në vitin 2004. Në këtë kohë, filloi stazhin në profesionin e gjyqtarit deri në vitin 2006. Më pas, me vendim Nr. 189, datë 28.03.2006, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur transferimin në Vlorë për gjyqtarin Skerdilajd Konomi. Ai është emëruar në sektorin Civil të Gjykatës së Vlorës, por në CV-në e tij gjendet edhe shqyrtimi i dhjetëra dosjeve dhe kërkesave penale si anëtar trupe apo si gjyqtar i vetëm. Vitin e fundit Konomi ka punuar në sektorin e çështjeve familjare në Gjykatën e Vlorës.
Konomi, gjyqtari i parë që vritet në Shqipëri
Vrasja e Skerdilajd Konomit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në dëm të sistemit të drejtësisë dhe njerëzve të saj, gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Magjistrati 33-vjeçar i Gjykatës së Vlorës, është gjyqtari i parë që vritet në Shqipëri. Kurrë më parë, krimi apo individët nuk kishin arritur deri në sipërmarrje të tilla për ekzekutimin e gjyqtarëve. E megjithatë, kërcënimet, presionet apo shantazhet ndaj togave të zeza nuk kanë munguar. Rasti më i fundit, ende pa autor, ishte ai i anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Më 9 shkurt 2009, rreth orës 21:00, gjyqtari po kthehej në banesë kur u qëllua me armë te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Gjyqtari u qëllua dy herë me armë zjarri dhe u dërgua i plagosur në Spitalin Ushtarak, por, për fat të mirë, shpëtoi pa pasoja për jetën. Incidente të dhunshme me gjyqtarët ka pasur në Gjykatën e Tiranës e në atë të Elbasanit. Po kështu, në vitin 2008, në Pogradec u vendos eksploziv në garazhin ku ndodhej automjeti i gjyqtarit Liradin. Shpërthimi dëmtoi makinën, por nuk shkaktoi pasoja në njerëz.
Çifti Konomi dje kishte përvjetorin e martesës
Tragjedi në përvjetorin e martesës. Gjashtë vite më parë, familja Konomi gëzonte dhe këndonte duke e bërë dhëndër Skerdin, ndërsa dje hapi mort dhe vajtonte, pa pasur as kufomën. Djali i vetëm i shtëpisë së tyre, Skerdilajdi, u martua. Një dasmë e madhe, ashtu si dashuria mes tij dhe bashkëshortes Enkelejda, me të cilën thuhet se janë njohur që studentë. Ai në Fakultetin e Juridikut dhe ajo në atë të Ekonomikut, ndërsa me kalimin e viteve lidhja është forcuar gjithnjë e më shumë. “Ata kishin përvjetorin e gjashtë të martesës sot. Madje, kishin lënë që të organizonin diçka të vogël me këtë rast”, thonë të afërm të familjes Konomi, ndërsa shtojnë: “Duket se ishin çift që shkonin shumë mirë. Skerdi ishte një baba shembullor, pasi e shihje gjithnjë me vajzën, ndërsa kur para 3  muajsh lindi djalë, u lumturua së tepërmi. Skerdi na pati thënë që tani kam familjen që kam dashur gjithmonë”. Kjo është historia e përmbledhur në pak fjalë, që rrëfejnë miq dhe komshinj, ndërsa konfirmojnë atë çfarë thotë i ati, se Skerdi jetonte në një apartament me qira. Sipas tyre, Skerdi dhe Enkelejda kishin të dy makina dhe bënin një jetë të mirë, por ngaqë ishin shumë të lidhur me familjen, vendosën që të banonin vetëm pak metra larg tyre, duke marrë një hyrje pranë një pallati të sapondërtuar.
Shpërblimi: Policia, 100 mijë euro për informatorin
VLORE – Një dëmshpërblim prej plot 100 mijë eurosh vihet në dispozicion të personit, që do të ndihmojë policinë për të zbardhur atentatin, që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Këtë fakt e bëri të ditur policia menjëherë pas ngjarjes së rëndë. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur, fton publikun e gjerë për të dhënë informacione, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorit apo autorëve të saj. Për personin që do të japë informacionin, i cili çon në zbardhjen e ngjarjes, Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë vë në dispozicion shpërblimin prej 100 mijë eurosh”. Për çdo informator mbi këtë atentat, Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion numrat e telefonit të saj: 069 41 02 355 dhe 069 41 05 397. Në çdo rast garantohet ruajtja e plotë e anonimatit.
TRAZHGIM SOKOLAJ

No comments: