Friday, September 9, 2011

Për debat pa pseudonime



Nga Faton Raçi

Sigurisht se ju ka ndodhur që pas leximit të komenteve të ndryshme të lexuesve në portalet e gazetave tona të largoheni prej atje të irrituar. Aq më tepër kur shumica e tyre nuk kanë autorë, por vetëm ndonjë pseudonim të atypëratyshëm. Suedia mendon ta ndryshojë këtë dukuri. Edhe Kosova do të bënte mirë ta përcillte.

Lexova diku se tri gazetat më të mëdha suedeze njoftuan se do të ndryshojnë mënyrën e postimit të komenteve të lexuesve në edicionet e tyre online. Kjo për shkak se komentet e tipit anonim online shpesh po shfrytëzohen si platforma për promovimin e fjalorit të urrejtjes.

Sipas gazetës ‘Aftonbladet’ nevoja për vënien nën kontroll të komenteve të shfrytëzuesve anonimë të internetit u pa si domosdoshmëri, sidomos pas sulmeve të korrikut në Norvegji, të Anders Bering Breivik, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur 77 persona. Si rrjedhojë, sipas kryeredaktorit të ‘Aftonbladet’, por edhe të kryeredaktorëve të tabloidit shumë të shitur suedez ‘Expressen’ dhe të gazetës ‘Dagens Niheter’, tash e tutje do të publikohen vetëm komentet e personave që do të prezantohen nëpërmjet rrjetit social Facebook. Veprime të ngjashme paralajmëruan edhe disa gazeta të tjera ditore suedeze.

Nuk nevojitet ndonjë studim i veçantë që të vërehet se ka kohë që komente përplot urrejtje - të cilat shumë më tepër i shërbejnë zbrazjes së baterive të mbushura me vrer të komentuesve anonimë, sesa trajtimit të temës që do të duhej komentuar - janë shndërruar në përditshmëri edhe në edicionet online të të gjitha gazetave kosovare. Mirëpo, po të iniciohej një veprim i tillë edhe tek ne, ai sigurisht që do të trajtohej si cenim i drejtpërdrejtë i shprehjes së lirë.

A nuk tingëllon cinike kjo? Përderisa shtetet skandinave, që në njëfarë mënyre janë yrnek i shoqërive liberale në përmasa globale, mendojnë seriozisht për identifikimin e postuesve të qëndrimeve, shpesh raciste, tek ne ende vazhdon të shkruajë e komentojë kushdo, çka do dhe për çfarë të dojë. Pa asnjë pasojë. Mjafton që të ketë një karrige dhe një kompjuter me qasje në internet. Madje, nuk është fare e domosdoshme që komentet e publikuara të kenë ndonjë lidhje me artikullin nën të cilin shkruhen, e as të jenë pjesë e një debati që rezulton nga ai artikull – e i cili qartazi mungon te ne. Shkrimi kështu shpesh as që paraqet synim për komentet e postuara. Por, qëllim është shtyrja përpara e ndonjë qëndrimi anonim, që lidhet me personalitetin e tekstshkruesit, të personit apo zyrtarit që trajtohet në tekst, ose të komentuesve të tjerë. Ky lloj adresimi i çështjes njihet si ad-hominem, gjegjësisht një dukuri kur në vend të argumentimit të çështjes së ngritur, debatuesi merret me karakterin ose me sulmimin e personit që e ngre atë çështje, ose të atij që mendon ndryshe. Në këtë mes, nuk është dukuri e rrallë që edhe ndërmjet vetë komentuesve të krijohen taborë anonimë pro dhe kundër diçkaje që s’ka të bëjë fare me shkrimin nën të cilin komentohet. Si pasojë, në vend të inkurajimit të lexuesve për të debatuar online rreth ndonjë problemit të caktuar, një qasje e tillë krijon aversion dhe shpesh i dekurajon njerëzit nga shpalosja e pikëpamjeve të tyre.

Dua të them se, besoj që postimi i komenteve me identitet të vërtetë e jo virtual do t’i kontribuonte hapjes së shumë debateve të shëndosha dhe aq të nevojshme për shoqërinë kosovare, në vend se të vazhdohet me shërimin e komplekseve dhe me propagandimin e ideve dhe qëndrimeve urrejtëse ndaj kujtdo qoftë – siç është rasti tani.

Natyrisht, ideja e gazetave suedeze që komentuesit të identifikohen nëpërmjet rrjetit Facebook mund edhe të mos jetë zgjidhja më e mirë, mirëpo ky variant i hapë rrugë shtrimit të shëndoshë të çështjeve me interes, dhe e kufizon mundësinë e abuzimit me internet në emër të ‘shprehjes së lirë’.

Po të analizohen dy temat që gjatë javës ishin në top-listën e vëmendjes së komentuesve online – çështja e revidimit të librave historikë dhe ajo e lejimit ose jo të lëndës së edukimit fetar dhe bartjen e shamive nëpër shkolla – vërehet se kontributi i “patriotëve anonimë” dhe i “mbrojtësve anonimë të fesë” mund të cilësohet si gjithçka tjetër, veç jo si kontribut që synon ofrimin e ideve dhe pikëpamjeve për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve.
Kjo për shkak se është e lehtë që, i fshehur nën ombrellën e internetit, të publikohet çdo gjë që dikujt i bie ndërmend, pa asnjë frikë dhe pa pasoja.

Por, natyrisht se është krejt tjetër gjë kur fjalët e publikuara të ‘nënshkruhen’ në fund – me emër e mbiemër. Në këtë rast komentuesi potencial duhet menduar pak se çfarë thotë, çfarë mbron, ose kënd dhe si e sulmon. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm për atë që shkruan. Por, a nuk është ky vetë qëllimi i një debati të mirëfilltë? Mendoj se po, sepse përkundër faktit që do të ulej ndjeshëm numri i komenteve, ata që do të vendosnin të shprehnin qëndrimet e veta, këtë do ta bënin përmes argumenteve, e jo përmes etiketimeve, fyerjeve ose nënçmimeve paushall të kujtdo qoftë.
Kështu si janë sot seksionet dedikuar komenteve shumë më tepër i ngjajnë forumeve për nxitjen e konflikteve sesa të debateve, për çka edhe janë konceptuar ato.

Suedia e kuptoi këtë gjë tek pas ngjarjeve tragjike që ndodhën në shtetin e saj fqinj. Deri atëherë, edhe atje konsiderohej se çdokush ka të drejtë të shkruajë dhe të mbajë çfarëdo qëndrimi që dëshiron. Krejt kjo në emër të lirisë së shprehjes.

No comments: