Friday, September 9, 2011

Monopoli, kontrata mund të shitet me firmën e Olldashit


Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Olldashi


Kontrata e lidhur nga Olldashi me firmën “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i jep të drejtën kësaj të fundit që ta rishesë atë.E thënë ndryshe, neni 17 i kontratës, pjesët “pikante” të së cilës gazeta po i boton sot të plota, i jep mundësinë firmës që mori me firmën e Olldashit monopolin e përdorjes së rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike, të bëjë sekserin me këtë monopol. Një tjetër pikë, që tregon qartë favorizimin me firmën e ministrit, është neni 3 i shtojcës së kontratës, ku parashikohet që “ATU” mund të zgjerojë linjat e internetit. Pra, në rast se firma kërkon shtimin e kapacitetit, që e zotëron vetëm ajo, mund të shtohet. Pjesa tjetër, që zgjeron kushtet e monopolit e firmës, është neni që tregon se si do të shiten nga “ATU” katër fibrat optike. Ndryshe nga kushti që i është vënë firmës për një pagesë 4% të xhiros në shtet, firmave që do të duan të lidhin kontratë me “ATU” do të duhet të paguajnë 6% të xhiros në shtet. Sa më shumë që hapet kontrata e Olldashit, aq më shume detaje dalin për mungesën totale të konkurrencës në lidhjen e saj, në penalizmin e bizneseve të tjera.
Neni i sekserit
Me urdhrin 120, ministri i Transporteve Olldashi ka lidhur një kontratë ekskluzive për përdorimin e rrugëve kombëtare nga firma “ATU”, për shtrimin e fibrave optike. Në argumentimin e këtij urdhri, theksohet se kjo ishte një kërkesë e vetme për këtë fushë. Por, në të njëjtën kontratë, në nenin 17 të shtojcës parashikohet që Olldashi ka nënshkruar se kjo kontratë mund të shitet nga firma “ATU”. Pra, leja unike e monopolit mund të tregtohet e gjithë. “Subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i lejohet që pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit dhe vënies në eficiencë të tij, të transferojë tek të tretë, me miratim me shkrim të ministrit përgjegjës për rrugët, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje”. Pra qartësisht, e vetmja pikë që e pengon firmën “ATU” të shesë të drejtën 40-vjeçare monopol, është firma e ministrit të Transporteve. Por, sa e vështirë është marrja e kësaj firme, e tregon vetë afera që po zbardh gazeta, ku ministri me një urdhër me firmën e tij personale i ka dhënë “ATU” të drejtën monopol për 40 vite. Sidoqoftë, ky nen tregon qartë se sërish, ashtu si në dhënien e të drejtës për përdorimin e rrugëve, edhe në shitjen e kësaj të drejte, ka vendosur të drejtën e firmës së tij si kusht.
Neni i zgjerimit
Nën nenin tre të kontratës, zbulohet edhe një zgjerim i monopolit. Kontrata parashikon që “ATU” të ndërtojë 2 linja kabllosh optike për përdorimin e saj dhe 4 linja të tjera për tregtim. Pra, gjithsej 6 linja të vetme në rrugët kombëtare të vendit. Por, në nenin 3 zbulohet se i gjithë ky kapacitet, ekskluziv vetëm për “ATU”, mund të shtohet sërish. “Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mund të kërkojë rritje të kapaciteteve të fibrave optike tej kapacitetit të parashikuar në pikën a (prej 2 vende vetë dhe 4 vende të lira) të këtij neni, pas një periudhe 2-vjeçare nga nënshkrimi i marrëveshjes nëpërmjet rritjes së diametrit të rrjetit, me kusht që të kenë kaluar 6 muaj nga përfundimi i punimeve për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike.” Pra pas dy vitesh, “ATU” mund të zgjerojë dhe më shumë aktivitetin e saj monopol dhe, si rrjedhojë, fitimet e saj. Te kjo pikë duket se diskriminimi i firmave të tjera që duan të përdorin linjat e internetit është i frikshëm.
Neni i tarifave
Sipas kontratës, “ATU” duhet të paguajë 4 për qind të xhiros vjetore për përdorimin e linjave të internetit. Ndërkohë që, për katër linjat e tjera, firmat që do t’i përdorin, duhet të paguajnë 6 për qind. Kjo, pavarësisht pagesës që do të duhet t’i paguajnë firmës “ATU” për shërbimin që ajo po i krijon. “Çdo përdorues subjekt i ri, i ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k, ka detyrimin ligjor të paguajë në emër të shtetit shqiptar një pagesë përdorimi për rrjetin prej 6 (gjashtë) për qind të të ardhurave të krijuara në vit”. Pra, që këtu fillon diskriminimi. E gjithë kjo bën që linjat e fibrave optike nën tokë të përdoren vetëm nga “ATU”. Në këtë mënyrë e gjithë lidhja e Shqipërisë me internet me fibra optike, që kalojnë nën rrugë kombëtare, do të kryhet vetëm nga kjo firmë. Pagesa bëhet më e frikshme për firmat e tjera në shembullin konkret që jepet nga urdhri i Olldashit: “Në çdo rast pagesa për buxhetin e shtetit prej tij në një vit financiar nuk mund të jetë më e ulët se 5 për qind e investimit total në rrjetin e fibrave optike, pjesëtuar me kapacitetin gjithsej të rrjetit (për shembull, nëse rrjeti është projektuar për 6 përdorues gjithsej, përfshi subjektin që nënshkruan këtë marrëveshje dhe është një investim prej 40 milionë eurosh gjithsej, pagesa në buxhetin e shtetit për një përdorues të ri të ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k nuk mund të jetë më pak se 330 mijë euro në vit [(40/20)/6]”.
Tabela me nenet e dyshimta
Neni 3 – Kushtet thelbësore të kësaj lejeje dhe vlera e investimit
ç) Në emër të përfaqësuesit shtet, Ministria pronare e rrugëve shtetërore-kombëtare garanton se gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k do të gëzojë ekskluzivitetin dhe asnjë e drejtë përdorimi në këtë aks nuk do t’i lejohet asnjë pale tjetër publike apo private për çështje të teknologjisë së informacionit.
d) Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mund të kërkojë rritje të kapaciteteve të fibrave optike tej kapacitetit të parashikuar në pikën a (prej 2 vende vetë dhe 4 vende të lira) të këtij neni, pas një periudhe 2-vjeçare nga nënshkrimi i marrëveshjes nëpërmjet rritjes së diametrit të rrjetit, me kusht që të kenë kaluar 6 muaj nga përfundimi i punimeve për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike. Kjo lloj rritjeje kapaciteti do të jetë objekt miratimi paraprak nga Ministria, miratim i cili sipas kësaj lejeje nuk do të refuzohet apo vonohet në mënyrë të paarsyeshme dhe kryerja e investimit do të realizohet me fonde të subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k.. Tarifat, që do të aplikohen në shtesë, do të jenë me analogji, si ato të përcaktuara në këtë leje.
Neni 6- Të drejta dhe detyrime të subjektit “Albanian Telecommunication Union” në raport me të tjerë, procedura
a- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ka të drejtë dhe detyrimin sipas kësaj lejeje, t’i japë akses në vendin e lënë të lirë (kapacitete të lira sipas nenit 3 të shtojcës) çdo përdoruesi tjetër subjekt tregtar, që operon sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë, pasi më parë ky i fundit i ka vënë në dispozicion subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ofertën dhe ka pranuar marrëveshje të lirë, duke përdorur kritere vlerësimi tregtare të përcaktuara qartë:
i) pagesën (kuotë) vjetore për vendin e lirë ose kuotën proporcionale të investimit për përdorim me një afat deri në përfundim të kësaj lejeje dhe një fitim të arsyeshëm subjektit “Albanian Telecommunication Union”
ii) dhe garanci se njeh e zbaton kushtet e kësaj lejeje, në mënyrë të veçantë pagesën në buxhet, dhe faktin se administrimi i rrjetit dhe mirëmbajtja e tij do të kryhet nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k.
b- Kur subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k dhe subjekti tjetër për një periudhë 3-mujore negocimi mes tyre nuk bien dakord për kushtet mes tyre, në çdo rast negocimi është vetëm për çmim, organi i vetëm kompetent për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së investuar do të jetë gjykata e përcaktuar në nenin 22, të kësaj shtojce. Në çdo rast, opinioni i vetëm për këtë çështje i Ministrisë, nëse thirret në gjykim, është vetëm kjo leje dhe shtojca.
c- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ka të drejtë të refuzojë apriori negociata nga kandidatë për përdorues, vetëm kur ka dyshime të arsyeshme dhe të justifikuara për një nga rastet:
i) kapacitetet e tij financiare janë të cenueshme apo të pamjaftueshme;
ii) ose administratori/ortaku/anëtari i këshillit të administrimit të tij është/janë përfshirë në vepra penale apo pastrim parash dhe/apo dënimi nuk është parashikuar sipas Kodit Penal.
iii) subjekti është përjashtuar nga lista e prokurimeve publike në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi (LPP-së).
Në këtë rast, subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mban detyrimin të lëshojë brenda 10 ditëve njoftimin me shkrim për refuzim në negociata të kandidatit, ku të përcaktojë shkakun sipas njërës nga pikat (i), (ii), (iii), të shkronjës (c) të këtij neni.
Neni 7 – Pagesa për vendet e lira
Çdo përdorues subjekt i ri, i ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k, ka detyrimin ligjor të paguajë në emër të shtetit shqiptar një pagesë përdorimi për rrjetin prej 6 (gjashtë) për qind të të ardhurave të krijuara në vit, por në çdo rast pagesa për buxhetin e shtetit prej tij në një vit financiar nuk mund të jetë më e ulët se 5 për qind e investimit total në rrjetin e fibrave optike, pjesëtuar me kapacitetin gjithsej të rrjetit (për shembull, nëse rrjeti është projektuar për 6 përdorues gjithsej, përfshi subjektin që nënshkruan këtë marrëveshje dhe është një investim prej 40 milionë eurosh gjithsej, pagesa në buxhetin e shtetit për një përdorues të ri të ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k nuk mund të jetë më pak se 330 mijë euro në vit [(40/20)/ 6]
Kjo pagesë vjetore, që i paguhet buxhetit të shtetit për përdorimin e rrjetit, është e ndryshme dhe nuk konkurron me asnjë taksë, tatim, tarifë, që organet e caktuara me ligj, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Financave, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare zbatojnë.
Neni 17-Transferimi i kësaj lejeje
a- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ndalohet gjatë fazës së ndërtimit të rrjetit të transferojë tek të tretë, tërësisht apo pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje.
b – Subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i lejohet që pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit dhe vënies në eficiencë të tij të transferojë tek të tretë, me miratim me shkrim të ministrit përgjegjës për rrugët, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje. Në çdo rast, miratimi do të bëhet vetëm pasi kërkesës t’i jetë bashkëlidhur dokumentacioni i plotë teknik, i cili sqaron mënyrën e përmbushjes nga pala që i transferohet e drejta materiale e mirëmbajtjes së rrjetit.
Afera Olldashi prek investimet në rrugë
Në pamje të parë duket se afera e monopolit të internetit nuk i prek direkt xhepat e shqiptarëve.Duket sikur firma e hedhur nga ministri Olldashi për dhënien e monopolit për më shumë se 40 vite, do të ndikojë në të ardhmen në monopolin e çmimit të ofrimit të këtij shërbimi dhe, si rrjedhojë, edhe në shpenzimet e çdo kompanie dhe familjeje shqiptare që përdor internet. Dhe dëmi tjetër, se nga mungesa e konkurrencës shteti mund të ketë humbur para prej kontratës së lidhur nga Olldashi me një firmë të vetme, është sërish jashtë ndikimit direkt në paratë e çdo familjeje shqiptare. Por, gazeta ka zbuluar se kontrata e lidhur nga Olldashi me një firmë të vetme dhe me ekskluzivitet për përdorimin e linjave të fibrave optike nën tokë, ka prekur xhepat e çdo shqiptari.
Tubat nën rrugë
Shumica e taksave që kanë paguar shqiptarët, të paktën këto vitet e fundit, janë investuar në rrugë. Që nga viti 2006, ekziston një urdhër që detyron Drejtorinë e Rrugëve, nën varësinë e Ministrisë së Olldashit, që në çdo projekt që tenderon, të detyrojë firmat kontraktore që anës rrugës të shtrojnë një tub me diametër 100, për shtrimin e fibrave optike. Në bazë të këtij urdhri, çdo preventiv që publikohet në APP nga Drejtoria e rrugëve përbën edhe zërat e shpenzimeve shtesë për shtrimin e këtij tubi. Tubi i fibrave optike, sipas Drejtorisë së Rrugëve, do të përdorej më vonë për firmat private që do të shtrinin aktivitetin e tyre në fushën e fibrave optike. Gazeta ka siguruar nga faqja e Agjencisë së Prokurimit Publik, kontratat e rrugëve të reja që po ndërtohen edhe sot, ku specifikohet qartë si shpenzim shtesë shtrimi i këtyre tubave anës rrugëve. Në rrugën e re Lushnjë-Berat, preventivi i punimeve për lotin e parë i ka të përcaktuar në zë të veçantë shpenzimet për “Furnizim/vendosje kablloje optike”. I njëjti zë përsëritet edhe për Unazën e Madhe të Tiranës. Sipas të dhënave nga Drejtoria e RRrugëve, shumica e rrugëve e kanë këtë investim të kryer. Këtu përmendim rrugët Plepa-Rrogozhinë, F.Krujë-Milot, Pogradec-Korçë etj.
Abuzimi
Qartësisht qeveria shqiptare, duke ditur se rrugët janë investime të mëdha, ka vendosur që shtrimi i tyre të shoqërohej bashkë me këtë tub të lirë. Kjo, në mënyrë që më vonë, kur firmat private të interesoheshin për investimet në fibrat optike, rruga të mos dëmtohej dhe investimi të ishte aty. Por, kryesisht të gjitha rrugët e kanë të shtruar një tub të tillë. Në bazë të të gjitha kushteve teknike, Olldashi me urdhrin e tij 120 ka vendosur që një firme të vetme t’i japë të drejtën, jo të përdorë këta tuba, por të gërmojë të gjithë akset kombëtare dhe të shtrojë fibrat e veta optike. Nga ana tjetër, kontrata specifikon që për një afat minimal prej 40 vitesh, asnjë subjekt tjetër privat të mos kryejë investim të tillë në rrugë. Në këtë mënyrë, ministri i Transporteve ka bërë nul të gjithë investimin e mëparshëm për vendosjen e tubave në krah të rrugëve. Paratë e taksave, që kanë shkuar për ndërtimin e këtyre aksesorëve në rrugë, janë bërë nul. Duket paradoksale, por ministri i Rrugëve ka lejuar firmën e vetme që të hapë të gjitha rrugët kombëtare (një veprim i kryer tashmë nga firma), duke ditur fare mirë që në shumicën dërrmuese të këtyre rrugëve ekzistonte një tub me diametër 100, pikërisht për këtë funksion. Me urdhrin e Olldashit, firma “ATU” ka gërmuar asfaltin e rrugëve të reja e të vjetra në të gjithë vendin. Fakti më i frikshëm është njolla që shoqëron të gjithë rrugën e kombit. Asfalti, që u kushtoi shqiptarëve mbi 1 miliard euro, është gërmuar me firmën e Olldashit për të krijuar monopolin. E njëjta vijë anash rrugës, por brenda asfaltit mund të shikohet në të gjithë rrugët e tjera kryesore të vendit. Nga ana tjetër, Drejtoria e Rrugëve ka detyruar dhe paguar firmat gjatë tenderave, që shtrimin e tubit me diametër 100 ta bëjë në bankinën e rrugës. Pra, në pjesën me zhavorr jashtë asfaltit. Ndërsa Olldashi në urdhër-kontratën monopol i jep të drejtë firmës që të gërmojë asfaltin. Pra, të dëmtojë rrugën direkt dhe jo pjesën e saj jashtë asfaltit.
Ministria e Teknologjisë e AKEP heshtin për aferën
Pasi Kryeministri shpalli moton “Shqipëria në moshën e internetit”, e gjithë qeveria është angazhuar në plotësimin e kushteve ligjore dhe administrative për krijimin e kushteve që kjo nismë të zbatohet. Agjencia për Komunikimet Elektronike u pasua me krijimin e një ministri, që do të hartonte strategji dhe do të ndiqte deri në detaje zhvillimin e kësaj nisme. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e te Komunikimit u caktua si përgjegjës për këtë çështje, që do të sillte renditjen e Shqipërisë krahas vendeve të zhvilluara në fushën e telekomunikacioneve. Pra, sot ka dy institucione zyrtare që merren me zhvillimin e teknologjisë dhe, më thjesht, të shpërndarjes së internetit në vend. Gazeta, që ditën e parë që publikoi skandalin për monopolizimin me firmë të ministrit të Transporteve të rrjeteve të fibrave optike nën rrugët kombëtare, tentoi të kontaktonte dhe të merrte shpjegime e duhura (AKEP dhe MITIK janë përgjegjëse për këtë fushë) nga këto dy institucione. Por çuditërisht apo qëllimisht, të dyja institucionet heshtin. Zyrtarisht të kontaktuar sistematikisht për ditë me radhe, përfaqsuesit e AKEP thonë që nuk kanë koment. Ministria e Pollos, e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, nuk ka koment. Heshtja e AKEP, përgjegjës për kontrollin dhe rregullimin e marrëdhënieve në fushën e internetit, duket absurde në këtë rast, por më e habitshme është heshtja e Ministrisë së Pollos. Kjo e fundit, më 16 maj të këtij viti ka shpallur tenderin ndërkombëtar për dhënien me koncesion për “Vendosjen, instalimin, zhvillimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së rrjetit kombëtar me brez të gjerë në Republikën e Shqipërisë. E thënë ndryshe, për përhapjen e internetit në të gjitha pikat e vendit. Pra, shtrimin e linjave kabllore, por jo në të gjithë republikën. Kuptohet që kjo e drejtë që po “shet” Ministria e Pollos ka konflikt me të drejtën që ka “shitur” për 40 vite ministri i Transporteve. Kuptohet që rrugët janë ato që lidhin pjesën më të madhe të vendit. Asnjë hekurudhë apo pronë tjetër e shtetit nuk prek çdo qytet të vendit që mund të shfrytëzohej nga konkurruesit e Pollos për një shërbim të tillë. Ministria e Pollos duhet të reagojë nëse ka pasur përplasje me firmat, që marrin pjesë në tenderin ndërkombëtar dhe linjave nën tokë të fibrave optike, që tashmë janë bërë monopol për 40 vite me firmë të Olldashit. Ministria e Pollos duhet të sqarojë se a ka ndikuar kjo kontratë e Olldashit për shtyrjen e tenderit të publikuar edhe në gazetat ndërkombëtare. Ofertat duhet të ishin hapur në korrik dhe janë shtyrë që të hapen në fund të shtatorit. Ministria e Pollos duhet të flasë a është kontrata e Olldashit në një linjë me tenderin dhe strategjinë ndërsektoriale për zhvillimin e këtij sektori. Por zyrtarisht, edhe pse gazeta ka insistuar maksimalisht, Ministria e Pollos, e Teknologjisë dhe Inovacionit, ka theksuar se nuk ka koment. Gazeta sot po i bën publike pyetjet në pritje të një përgjigjeje po publike, nga Pollo i MITIK dhe Xhixho i AKEP.

No comments: