Deputeti i PS, Gjovalin Kadeli shprehet se do të votojë edhe zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së në Parlament nëse do të kërkohet.
Duke treguar arsyet që e detyruan të
largohet nga Grupi Parlamentar, Kadeli thotë se ishte mungesa e
mirënjohjes për punën që ai ka bërë dhe afrimi në lista i njerëzve që
nuk kanë asnjë lidhje me PS-në. Pranë kryetarit, thotë Kadeli, dëgjohen
vetëm servilët dhe të fortët, të cilët bëjnë ç’të duan në PS.
Vendimet për listat merren në kafenetë e Tiranës, ndërsa socialistët e vërtetë nuk vlerësohen.
Duke folur për ditët e grevës së urisë, Kadeli, i cili qëndroi 20 ditë
brenda çadrave, tregon mesazhet që merrte nga kryesocialisti Rama dhe i
cilëson ato qesharake e fyese me zhvillimet e fundit. Ai thotë se nuk ka
marrë asnjë njoftim nëse do të jetë apo jo në lista, ndërkohë që të
tjerë emëroheshin pa vendim Kryesie apo Asambleje. Kadeli shprehet se
votoi ministrat e qeverisë sepse mendon se vendi duhet të qeveriset.
- Një nga arsyet e largimit tuaj nga PS ishte dhe koalicioni i PS me LSI-në. Çfarë ishte ajo me të cilën ju nuk ishit dakord?
Ishte
e vështirë ta pranonim këtë koalicion. Unë vetë, por dhe pjesa e
shëndoshë e anëtarësisë socialiste të Lezhës, e cila humbi më 21 janar
një nga njerëzit e saj më aktivë, Aleks Nikën, dhe e humbi prej
qeverisjes së korruptuar të LSI-së, e cila sot kërkon të transmetohet në
qeverisjen e ardhshme të PS. Njerëzit e ndershëm dhe me parime nuk mund
të bien kurrë dakord me këtë koalicion, duke shtuar këtu ndikimin e
madh tek organet e Drejtësisë që e vërteta të manipulohet. Por ndërkohë
që kryetari i PS bie dakord me këtë moral, për anëtarësinë e thjeshtë
kjo gjë nuk mund të pranohet dhe mes anëtarësisë dhe kryetarit të PS ka
një hendek të madh moral.
Kryetari
Rama është shprehur se mjafton që unë të bëhem Kryeministër, por nuk ka
rëndësi se me kë bashkëpunoj unë, bashkëpunoj edhe me djallin. Kjo
ngelet për t’u parë nëse do të ketë njerëz të tillë që do t’i besojnë
verbërisht atij. Mua nuk më intereson filozofia e tij, unë kam qenë dhe
jam i majtë, por lëvizjet e mia politike tani e tutje janë të diktuara
nga kryetari Rama.
-
Ju keni pasur dhe mikun tuaj, Aleks Nikën, një nga të rënët më 21
janar. Keni marrë reagime nga familjarët e tij për këtë koalicion?
Reagimet
janë të shumta nga të gjithë socialistët e thjeshtë, por dhe të
familjes. Unë, të them të drejtën, e kam pasur të vështirë të marr
prononcimin e tyre për këtë fakt, pasi jam ndier i turpëruar para tyre; e
kam të vështirë të flas me ta për këtë çështje, sepse në një farë mase
kalimi i LSI-së drejt PS-së më bën dhe mua fajtor si pjesë e PS-së, edhe
pse unë u shkëputa duke bërë ndarjen ndaj këtij morali, por gjithsesi
LSI s’mund të jetë kurrë e mirëpritur, sepse i dha një dëshmor
demokracie.
-
Ju keni qenë dhe pjesë e grevës së urisë në vitin 2010 bashkë me
kolegun tuaj Dogjani, por dhe të tjerë që mbeten ende në diskutim nëse
do të jenë në listën e kandidatëve të PS për deputetë. Si e shpjegoni
këtë largim tuajin nga kandidimi dhe sjelljen në lista të njerëzve që
s’kanë pasur lidhje me betejat opozitare të PS?
Ndryshimi
i Kodit Zgjedhor dhe ndërhyrja në Kushtetutë janë dy elemente që kanë
fuqizuar liderët e partive, sidomos të dy forcave të mëdha politike.
Duke pasur parasysh këtë fuqizim dhe atributet e kryetarit për të marrë
të drejtën ekskluzive të caktimit të kandidatëve për deputetë, është një
ndër problemet që shqetëson bazën socialiste.
Baza
jonë ka pritur dhe ka menduar se PS ka një demokraci të brendshme, e
cila duhet të funksiononte, PS ka institucionet e saj, të cilat duhet të
funksiononin lidhur me shumë probleme parazgjedhore dhe iniciativa që
duhen zgjidhur nga votuesi shqiptar, dhe jo nga lideri. Por lideri ynë
ka paramenduar që vendimet lidhur me kandidimet e njerëzve të dalin nga
kafenetë e Tiranës, dhe jo nga forumet e partisë. Unë nuk u përkas
servilëve të kryetarit, por mbështetësve të mi socialistë të majtë që më
kanë mbështetur prej shumë vitesh, ashtu dhe kolegët e mi, si kolegu
Dogjani e të tjerë që nuk do të jenë në lista, pasi në parti nuk
funksionon dhe nuk vlerësohet meritokracia. Duhet të jesh servil i
kryetarit dhe afër tij, sidomos atyre që janë jashtë partisë.
Për
sa kohë vendimet do merren nga njerëz që s’kanë asnjë lidhje me të
majtën dhe PS, besoj se kjo është rrugë drejt dështimit, dhe jo
suksesit. E kam parë në të gjitha rrethet e Shqipërisë kur kryetari
shoqërohet nga një tufë njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me PS, janë
pjesë, jo e zgjatimit të kryetarit, siç e ka thënë zoti Malaj, por
njerëz që nuk kanë lidhje me PS e që kanë qenë në administratën e
Bashkisë së Tiranës, pjesë e G99-s, dhe tani po vijnë nga PD që të
marrin mandatet e socialistëve.
- Kur ju dhe një grup i madh nga Lezha ishit në grevën e urisë, cilat ishin mesazhet që merrnit nga kryetari i partisë?
Mesazhet
e kryetarit për mbështetësit grevistë nuk i kalojnë përmasat e një
dite, skadojnë shumë shpejt. Ato janë thjesht demagogji, mesazhe që janë
me dorën në shpatull dhe pjesën tjetër.. diku ku mund ta vendosë
kryetari, sepse kjo është filozofi e tij. Kjo s’më ka pëlqyer
ndonjëherë. E them këtë sepse më kujtohet se gjatë ditëve të grevës,
plot 20 ditë, Rama vinte dhe na thoshte se “do të jemi së bashku në këtë
rrugë të gjatë. Sa të jem gjallë, nuk do t’jua harroj këtë sakrificë që
po bëni në emër të PS dhe Shqipërisë”. Sot ju e kuptoni vetë këtë
tallje dhe ironi të tij në adresë të anëtarëve të PS. Sot kupton
realisht moralin e vërtetë të një njeriu që tregon çdo ditë se sa e huaj
është për të kjo fjalë.
Megjithatë,
në Grupin Parlamentar të PS unë u jam përmbajtur vendimeve të tij,
pavarësisht se jo pak herë kam qenë kundër tyre deri në marrjen e
vendimit, por në fund i jam përmbajtur vendimit të Grupit dhe kam votuar
kudo siç ka vendosur Grupi, pavarësisht se ato shumë herë kanë ardhur
jo në rrugë institucionale të partisë; nuk funksionon Kryesia dhe
Asambleja e PS, nuk funksionon Grupi Parlamentar dhe të gjithë ulin
kokën dhe miratojnë në heshtje të gjitha ato që thotë kryetari apo
njerëzit pranë tij. Jam i bindur se kjo mënyrë sjelljeje dhe veprimi
s’do ta çojë larg të majtën shqiptare.
Kjo
e majtë përfaqësohet nga një njeri që quhet Edi Rama, që s’ka asnjë
lidhje me PS, por ka gjetur kohën dhe momentin e duhur për t’u bërë
kryetar dhe mbase dhe Kryeministër i Shqipërisë, por para se të bëhesh
Kryeministër duhet të jesh institucional brenda subjektit politik që
drejton. Ai nuk e njeh dhe nuk ka për ta njohur institucionin dhe i sheh
të tjerët si turma që do ta sjellin atë në pushtet, por harron se
turmat siç të sjellin në pushtet, ashtu dhe të rrëzojnë.
- Cili ka qenë reagimi i grevistëve të tjerë lezhjanë?
Të
them të drejtën ne kemi vepruar si formacion politik në Lezhë,
formacion që ka funksionuar më së miri deri ditën kur më larguan nga
partia. Grupi i grevistëve janë socialistë të bindur, por duke qenë se
këto forume janë kthyer në vegla qorre të kryetarit të PS, këta
mbështetës i janë bashkëngjitur vendimit tim për t’u larguar
përfundimisht nga PS. E them përfundimisht sepse duke qenë nga një zonë
veriore me tradita ku komunikimi bëhet i drejtpërdrejtë dhe sy më sy, do
të kemi një marrëveshje me njëri-tjetrin.
No comments:
Post a Comment