EX-PRESS.AL
Një pjesë e mirë e
skeptikëve në PS janë të pasigurtë tek marrëveshja e bërë mes Ramës dhe
Metës. Shumë besojnë se Meta pas zgjedhjeve mund të lërë koalicionin me
Ramën dhe të zgjedhë koalicionin e Berishës.
Në të vërtetë edhe
vetë Rama i pyetur mbrëmë në emisionin Top-Story në lidhje me mundësinë
e largimit të LSI pas zgjedhjeve drejt koalicionit të Berishës nuk
ishte i sigurtë në përgjigjen e tij. “Ne nuk predikojmë dot të ardhmen.
Ndodh që edhe kur martohen dy njerëz ndahen”, u shpreh Rama.
Një përgjigje e
tillë i rrit dyshimet për atë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen mes
Ramës dhe Metës, për më tepër se ende nuk ka një transparencë publike të
marrëveshjes së arritur mes të dyve. Rama tha se pritet që së shpejti
të bëhet publike edhe marrëveshja e arritur me LSI-në, ndonëse shumë
besojnë se kjo marrëveshje është ende nën negocim.
Dyshimet për një
largim të Metës nga koalicioni i majtë lidhen edhe me situatën
elektorale në të cilën gjendet Ilir Meta. Anketimet kanë treguar se nëse
zgjedhjet do të bëheshin sot, Meta nuk mund të merrte më shumë se 50
mijë vota. Kjo do të bënte që numri i deputetëve të tij në Kuvend të mos
ishte ai që pret Meta. Ndaj ai e ka parë si më të arsyeshme që të
ndryshojë kahje, duke lëvizur nga koalicioni i djathtë tek koalicioni i
majtë. Kjo rrit mundësinë e Metës për të maksimalizuar votat e veta.
Nën ombrellën e së
majtës, Meta mund ti heqë jo pak vota Ramës. Kjo do të forconte LSI dhe
do të dobësonte PS-në. Kjo është një llogari në interes edhe të PD, e
cila mund të gjejë një gjuhë të përbashkët më lehtë me LSI-në pas
zgjedhjeve se sa me PS-në. Nëse funksion realisht koalicioni Rama-Meta,
atëhere LSI mund të marrë më shumë mandate deputetësh në Kuvend.
Vetë Rama mendohet
se do ti lërë LSI 3 deri 4 vënde të lira në listën e deputetëve. Po ti
shtohen këtij numri edhe mandatet që mund të fitojë vetë LSI, atëhere
dalim tek llogaria e Metës, se ai nuk do të marrë më pak se 10 mandate.
Mirëpo me këto 10 mandate, Meta e kushtëzon Ramën deri në pikën ku ai
mund ti kërkojë edhe drejtimin e qeverisë. Rama do ti ketë këmbët e
lidhura dhe do të jetë i detyruar që ose të bëjë një marrëveshje të re
të diktuar nën kushtet e Metës, ose ta lërë atë të lirë dhe të bëjë një
marrëveshje të re me Berishën.
No comments:
Post a Comment