Wednesday, April 17, 2013

KQZ, SHBA sqarime Ambasadës në Tiranë. Meta-Mooro: Pseudo-mazhoranca ka futur në ngërç KQZ

Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së të propozuar nga LSI, ka vënë në lëvizje Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar në Tiranë Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Zyrtari i lartë i DASH-it dhe ambasadori Arvizu zhvilluan sot një takim në selinë rozë me liderin e opozitës Edi Rama, ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi si dhe kreun e LSI, Ilir Meta

META: PSEUDO-MAZHORANCA KA FUTUR NË NGËRÇ KQZ
Ora 16:52
Kreu i LSI-së Ilir Meta në përfundim të takimit me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore u shpreh se situata politike në të cilët ndodhet vendi u krijua pas veprimit që pseudo-mazhoranca i bëri KQZ.

Meta theksoi se dorëheqja e anëtarëve e ka futur në ngërç institucionin e KQZ , ndërkohë që i bëri apel mazhorancës që të reflektojë ose përndryshe duhet të vuajë pasojat.

“Ndërhyrja e pseudo-mazhorancës ka futur në ngërç institucionin. Kemi shantazh të fortë duke vënë dorën mbi zgjedhjet. Pseudo-mazhoranca duhet të reflektojë ose të vuajë pasojat. Vendi ka nevojë për procese konstruktive dhe të ligjshme”, theksoi Meta.

Kreu i LSI-së vlerësoi se qeveria aktuale nuk ka vullnet për të kontribuar zgjedhje të lira.

BUMÇI SIGURON ZYRTARIN E DASH: QEVERIA E ANGAZHUAR PËR ZGJEDHJE ME STANDARDE
Ora 13:00 -
Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi priti në një takim Drejtorin e Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Siç bën të ditur zyra e shtypit e MPJ-së, Ministri Bumçi e siguroi zyrtarin amerikan se qeveria Shqiptare është e angazhuar të zhvilloje një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Ministri Bumci evidentoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin që SHBA u ka dhënë proceseve integruese të Shqipërisë. Ai nënvizoi kontributin që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe e siguroi zotin Moore se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në krah të Shteteve të Bashkuara në sfidat e përbashkëta.

Nga ana e tij, zyrtari i DASH-it nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Ai theksoi se megjithë sfidat e shumta me të cilat Shtetet e Bashkuara përballen sot në botë, Ballkani do të vazhdojë të mbetet në fokusin e administratës amerikane për të ruajtur të gjitha ato arritje që janë bërë në drejtim të paqes dhe sigurisë në Ballkan. Në këtë kontekst, Moore theksoi se shpreson për përfundimin me sukses të dialogut Kosovë-Serbi, gjë që do të mundësonte ecjen e tyre përpara drejt integrimeve europiane.

RAMA: TE MOS KETE ARSYE QE ZGJEDHJET TE KONTESTOHEN
Ora 10:23 - Në përfundim të takimit me zyrtarin amerikan, kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se në bisedën me Moore u theksua domosdoshmëria e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ-së, në mënyrë që siç tha ai, të mos ketë asnjë arsye që zgjedhjet e qershorit të kontestohen.

“Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh lidhur me gjendjen para elektorale, dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon e posaçërisht edhe për ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të anëtarit të KQZ, dhe praktikisht, e rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje, kaq të rëndësishme për Shqipërinë, në një moment të rëndësishëm siç është ky moment për vendin edhe në kontekstin e integrimit europian dhe të zhvillimeve në rajon, të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme.”- deklaroi Rama përpara gazetarëve.

SHBA “E-MAIL” URGJENT AMBASADES NE TIRANE, KERKON SQARIME
Ora 07:20 -
Në adresën elektronike të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, me orën tonë, ka mbërritur një e-mail i Departamentit Amerikan të Shtetit, që kërkonte sqarime të hollësishme mbi situatën politike në vendin tonë, veçanërisht për pritshmëritë pas votimit në Kuvend të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Lajmi u bë publik nga vetë Sekretari politik i ambasadës, Xhei Porter, gjatë një takimi me studentë. Ai bëri të ditur se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh, sa herë ka ngjarje me rendësi. Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postes elektronike, Porter, theksoi se në interesin e SHBA, por edhe të vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Në lidhje me e-mail që u përmend, që u mor sot (dje) në mëngjes në orën 03:00, ne marrim e-mail si ky gjithmonë, pra sa herë Shqipëria përmendet në kryetitujt e gazetave ndërkombëtare, për një sërë çështjesh. Situata nuk është e veçantë për shkak të asaj që ndodhi në Parlament dje (pardje). E-mail si ky ka përherë sa herë Shqipëria shfaqet në tituj gazetash. Ajo që mund të garantoj është që synimet tona nuk kanë ndryshuar që nga hera kur Sekretarja Klinton vizitoi Parlamentin shqiptar dhe iu kërkoi politikanëve shqiptarë që të siguronin që Shqipëria të ketë zgjedhje të drejta e të barabarta”, - sqaroi Porter.

ARVIZU: VOTIMI NE KUVEND NUK KA RRITUR BESIMIN TEK PROCESI ZGJEDHOR
Pas votimit në Kuvend të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, theksoi se votimi në Parlament nuk e ka rritur besimin tek procesi elektoral. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Palët duhet të bëjnë hapa të tillë që të rrisin besimin e votuesve te procesi zgjedhor. Votimi i sotëm (pardjeshëm) në Kuvend nuk e bëri këtë”, thuhej në mesazhin e Arvizut.

I pyetur nëse PD-ja po e kapërcente vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së, ambasadori Arvizu, tha mes të tjerash se “nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar”, - deklaroi Arvizu. (Gazeta Shqiptare)

(er.nu/e.m/BalkanWeb)

No comments: