Sunday, April 14, 2013

Përdhunohen 2 milionë gra gjermane, të mbijetuarat e Aushvicit dhe ish-gruaja e Helmut Kohlit

Heroizmat e ushtrisë ruse pas kapitullimit të Gjermanisë më 9 maj
Rreth dy milionë gra janë përdhunuar nga Ushtria e Kuqe pasi Berlini ra në maj të vitit 1945. Ky është vlerësimi i Gabriele Kopp në librin “Unë duhet të isha vajzë”, i cili bën fjalë për krimet seksuale të kryera nga ushtarët sovjetikë. Është libri i parë që botohet me emrin e vërtetë të viktimës, asokohe vetëm 15-vjeçe, ndërsa sot i ka kaluar të ‘80-at.
Kopp tregon se ushtarët ishin të inkurajuar nga vetë lideri i tyre Josif Stalin, që ta shihnin përdhunimin e grave si plaçkë lufte pas luftës që kishin bërë me Hitlerin. Një javë pas rënies së Berlinit plasi epidemia e përdhunimeve, aq shumë sa dhe vetë Kisha Katolike në Vatikan pati sugjeruar abortin nga viktimat. Sot zonja Kopp thotë se ka probleme me gjumin, pasi i shfaqen ende në sy ato skena. Ajo kurrë nuk ka pasur një lidhje dashurie që pas asaj ngjarjeje. “Nuk kam qenë në gjendje të ndieja asgjë, imazhi im për seksualitetin ishte vetëm dhuna”, – rrëfen ajo. Në lidhje me këto ngjarje ishte shkruar edhe një libër tjetër në Berlin, por autorja e tij ka mbetur anonim. “Ndryshimi është se autorja e atij libri në atë kohë ka qenë tek të 30-at, ndërsa unë vetëm 15-vjeçe. Nuk ka qenë e lehtë ta shkruaja këtë histori, por në mos unë kush tjetër do ta bënte këtë”, – thotë Kopp. Libri i zonjës Kopp flet për shumë nga viktimat. Ekspertët e asaj kohe vlerësuan se shumë femra ishin përdhunuar deri në 12 herë nga ushtarët e kuq. Viktimat varionin nga 8 vjeçe deri në moshë të madhe mbi të 60-at dhe shumë prej viktimave nuk arritën t’i mbijetonin përdhunimit shtazarak. Në një rrëfim për “Der Spiggel” në vitin 2010 Kopp tregon se atë mbrëmje e ëma i kishte thënë të bëhej gati shpejt se po mbërrinin rusët dhe duhej të largohej nga qyteti. Asokohe ata jetonin në Schneidemuhl në rajonin gjerman të Pomeranias, që tani është një qytet në Poloni me emrin “Pila”. Të nesërmen herët në mëngjes ajo së bashku me motrën e saj hipën në vagonin e një treni mallrash që transportonte bagëti për t’u nisur drejt Berlinit. Por rrugës u bombarduan nga artileria ruse. “Dera e vagonit të përmbysur ishte e mbyllur, me shumë mundim arrita të zvarritem drejt dritares. Në atë zallamahi motrën e lashë pas dhe nuk e pashë më kurrë. Mbërritëm në një fshat, ku gjetëm strehë te vendasit, por të nesërmen mbërritën rusët dhe si të tërbuar kërkonin vajzat e reja”. Kopp tregon se është përdhunuar dy herë atë ditë dhe një herë të nesërmen në mëngjes. Ishte një grua, që për të shpëtuar veten më shtyu në krahët e një oficeri të babëzitur”. Fati i saj i hidhur vazhdoi për rreth dy javë, derisa u fsheh në një fermë dhe i shpëtoi babëzisë komuniste. Ajo u ribashkua me të ëmën 15 muaj më pas në Hamburg, por tregon se nëna i qëndroi ftohtë dhe nuk deshi të dëgjonte për vuajtjet e saj. “Mendoj se ndihej fajtore për mua dhe motrën që na la të iknim vetëm”, – tregon Kopp.
Përdhunohen të mbijetuarat e Aushvicit
Duket se krimi i përdhunimeve nuk ka pasur të ndalur jo vetëm te gratë çifute, por edhe tek të mbijetuarat e kampeve të përqendrimit. “Gëzimit për çlirimin nga kampi iu shtua një tjetër makth, që deri në atë kohë s’na e kishin bërë as nazistët”, – rrëfen Eva Mozes, një hebreje, në atë kohë 10-vjeçe, e mbijetuar nga kampi nazist i Aushvicit së bashku me të motrën binjake Miriam, e cila rrëfen se, pavarësisht krimeve që kishin ndodhur në këtë kamp, rusët ishin të pandjeshëm ndaj çifutëve dhe menjëherë filluan përdhunimet.
Një histori tjetër është ajo Helena Citronovës, në atë kohë rreth të 20-ave, dhe motrës së saj më të madhe, e cila megjithëse vetëm 10 vjet më e madhe, dukej mjaft e plakur, si të ishte nëna e saj. Pas daljes nga Aushvici ato po endeshin rrugëve të Polonisë për të gjetur ushqim e strehim dhe një mjet transporti për të shkuar në Çekosllovaki, ku ishte shtëpia e tyre. Ato vunë re se me rënien e muzgut ushtarët rusë dilnin në kërkim të femrave, sidomos atyre çifute, për t’i përdhunuar. “Ishin krejtësisht të dehur dhe suleshin në mënyrë të pabesueshme, si kafshë të egra”. Motra e fshihte Helenën herë pas here dhe përpiqej të dukej edhe më e vjetër dhe e shëmtuar për të mbrojtur veten nga përdhunimi. “Ka pasur raste që femrat vdisnin nga përdhunimi dhe askush nuk ishte në gjendje t’i ndihmonte. Shumë herë ktheja kokën nga ana tjetër në vendin ku fshihesha që të mos shikoja. Ata bënë gjëra të tmerrshme, që s’i kishim menduar se mund të ndodhnin nga ata që duhej të ishin çlirimtarët tanë. Mendoja se, nëse nuk vdiqëm nga gjermanët, do të vdisnim patjetër nga rusët”, – shprehet Helena. “Një ditë, rreth dy apo tri javë pasi kisha dalë nga kampi, kisha arritur të gjeja një biçikletë dhe mendova të dilja një shëtitje në rrethinat e qytetit, ku mendoja se do të isha larg syrit të rusëve. Ky ishte momenti më i bukur pas viteve që kisha kaluar në kamp. Por rrugës kaloi një rus me motoçikletë, që sa më pa ndaloi menjëherë motorin dhe m’u vërsul. Filloi një betë për vetëmbrojtje. Në një moment arrita t’i them se isha çifute e mbijetuar nga kampi, pasi tërë kohës më pyeste nëse isha gjermane. I tregova numrin e krahut dhe çuditërisht ndaloi. Mendoj se do të ketë qenë dhe vetë hebre nga Rusia”, – tregon Helena, një nga fatlumet që i shpëtoi përdhunimit.
Gruaja e Kohlit
Ndërkohë përdhunimit të vitit 1945 nuk i ka shpëtuar as gruaja e ish-kancelarit Gjerman Helmut Kohl, e cila vdiq në vitin 2001. Në një biografi të sajën të shkruar nga Herbert Shwan Hanelore Kohl ajo ka rrëfyer se ishte përdhunuar nga ushtarët sovjetikë në maj të vitit 1945, asokohe vetëm 12 vjeçe. Përdhunimit nuk i ka shpëtuar as nëna e saj. Hanelore kurrë nuk u rikuperua nga ai përdhunim shtazarak derisa vdiq në moshën 68-vjeçare. “Ajo përherë kishte shqetësim erën e djersës së mashkullit, erën e hudhrës dhe gjuhën e folur ruse”, – shprehet biografia. Hanelorë kreu vetëvrasje në vitin 2001 me mbidozë droge nga vuajtjet që i shkaktonte dhimbja e shpinës, si dhe një alergji, që e bëri të humbiste flokët. Në librin “Gruaja në krah të tij” Shwan shkruan se “ajo u përdhunua dhe u hodh si një thes me patate nga dritarja e katit të parë të shëtisë së saj”.
 Falja e Stalinit
Të gjitha krimet janë bërë me bekimin e Stalinit. Një film gjerman i shfaqur në vitin 2008, “Një grua në Berlin”, bën fjalë për ndikimin direkt të liderit rus në masakrën e kryer ndaj grave gjermane dhe çifute. “Ato që na kanë bërë neve gjermanët nuk lahen me asgjë. Falen të gjitha vrasjet dhe përdhunimet e bëra nga ushtarët”, – mësohet të ketë thënë Stalini. Marta ishte një nga dy milionë gratë e përdhunuara nga ushtarët e kuq. Ky ishte një tipar se si komunistët e Stalinit sollën lirinë për popullin gjerman. Kur historiani Antoni Bevor shkroi librin “Rënia”, ku rrëfente pikërisht aktet mizore të kryera ndaj 2 milionë grave gjermane, ambasadori rus në Londër e akuzoi për blasfemi. “Kjo është një shpifje ndaj heronjve që shpëtuan botën nga nazizmi”, – do të shprehej Karasin. Për shumë gra gjermane ky ka qenë një kujtim i hidhur dhe shumica e tyre kurrë nuk folën me burrat për atë që u kishte ndodhur. Lufta mes BS-së dhe Gjermanisë ishte mizore, por ideja e Armatës Ruse për t’u hakmarrë në këtë formë ishte dhe më mizore. Gjetën gra, fëmijë dhe plaka të pambrojtura për të shfryrë etjen e tyre shtazarake seksuale. Shumë prej tyre u detyruan të abortojnë ose të mjekohen nga sifilizi. Në dijeni të ngjarjeve Stalini do të shprehej: “Në rast se një ushtar ka përshkuar qindra kilometra, duke vënë në rrezik jetën e tij, nuk është ndonjë gjë e madhe se po bën pak qejf me gratë e kundërshtarit”. 
Përdhunimet e Berias
Po ndërsa Stalini falte krimet e ushtarëve të tij, kishte shefin e tij të policisë, Leontiev Beria, një përdhunues serial. Aktorja ruse Tatjana Okunevskaja dhe truproja e tij kanë qenë dëshmitarë të të gjitha përdhunimeve të Berias. Ata kanë treguar se Beria shëtiste me makinë rrugëve të Moskës, por dhe qyteteve të tjera, kryesisht në Evropën Lindore, dhe gjente vajza adoleshente, që i hipte me forcë në makinën e tij dhe po me forcë i çonte në shtrat. Të mos harrojmë se Beria ka qenë drejtori i NKVD-së, e cila më pas u shndërrua në KGB-në e famshme “Ju jeni nën mbikëqyrjen time tashmë. Duhet të silleni mirë që të mos keni pasoja”, – u drejtohej ai. Më shumë se 100 vajza adoleshente janë përdhunuar në mënyrë të tillë nga shefi i policisë sekrete ruse.
Mbyllje
Me pak fjalë, këta ishin heronjtë që e shpëtuan Rusinë. Populli gjerman për shumë arsye nuk i mëshoi shumë fort kësaj historie. Ndoshta dhe për vetë fisnikërinë e tij, pasi e mendoi si një haraç që duhej të paguante ndaj politikave të Hitlerit. Por kohët ndryshojnë dhe të vërtetat dalin. Pavarësisht se shumë prej atyre që u përdhunuan kanë vdekur, sërish ka dëshmi që tregojnë për mizoritë ruse dhe idealin e tyre komunist. Lufta e Dytë Botërore duhet parë në të gjitha aspektet. Asgjë nuk e justifikon atë që bëri Gjermania, por aq më pak të justifikohet një përdhunim masiv i orientuar dhe i dirigjuar nga vetë lideri komunist. Prandaj, kur festohet 9 maji si fitore kundër nazizmit, është e udhës që të kujtohen dhe viktimat e këtij akti të shëmtuar në më shumë se 2 milionë gra të pambrojtura.

No comments: