Wednesday, April 17, 2013

Presidenti i PPE dënon bojkotin e KQZ nga anëtarët socialistë

Presidenti i Partisë Popullore Europiane dënon bojkotin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve nga anëtarët socialistë, dhe shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike dhe kryemnistrin Berisha. 
 
“Kam ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri që nga largimi i partnerit të vogël të majtë të koalicionit LSI për tu bashkuar me opozitën. Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, KQZ duhet të reflektojë koalicionin qeverisës,” ka nënvizuar presidenti i PPE. 
 
Presidenti Martens i mëshoi faktit se ruajtja e ekuilibrave brenda KQZ-së, i cili u përcaktua nga marrëveshjet ndërpartiake dhe nga ligjet për zgjedhjet nën ndërmjetësimin e OSBE dhe OSBE/ODIHR dhe që janë implementuar dhe konsoliduar që nga viti 2004 e deri tani, është e një rëndësie të veçantë. 
 
“Çdo përpjekje për të modifikuar ekuilibrin për të cilin është rënë dakord - katër anëtarë të KQZ të nominohen nga qeveria dhe tre nga opozita – është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin elektoral dy muaj para zgjedhjeve. Në këto rrethama, dorëheqja e anëtarëve socialistë të KQZ-së është e papranueshme. Nuk është nevoja të them që PPE mbështet fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si dhe është e bindur që zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Presidenti Martens.

No comments: