Saturday, August 27, 2011

Vendi i Enverit në histori: diktator gjakatar

Aleksander Meksi

Në skenën politike shqiptare shihet sot mjaft qartë tendenca për autoritarizëm dhe një mendësi jotolerante nga ana e liderëve të partive të mëdha, si dhe përpjekjet servile nga ata pranë tyre për të skonfesuar të gjithë ata që paraqesin ide, kërkesa dhe propozime të ndryshme nga ato që dalin nga goja e florinjtë e liderit. Kjo shprehet dhe në imponimin nga të dy palët e bipartitizmit, duke e kthyer politikën në ndeshje të dy individëve, si dhe me ndryshimet kushtetuese të 21 Prillit, të cilat e bëjnë mazhorancën dhe kryeministrin e saj (nesër mund të jetë dhe i PS-së) të gjithëfuqishëm, ndërsa opozita nuk do ndikojë në asgjë (veç në zgjedhjen e Avokatit të Popullit). Për këtë, ndryshimet për të rikthyer pluralizmin, duhet të fillojnë nga Kushtetuta.

Në një klimë të tillë politike, shumë të acaruar dhe të paparashikueshme, përherë e më tepër të kujtohet thënia e Majakovskit që “themi Partia e nënkuptojmë Leninin e themi Lenini e nënkuptojmë Partinë”. Nuk ka se si, që në një klimë të tillë politike me lulëzim të mendësisë komuniste, të përforcuar nga disa dhjetëra media të shkruara dhe televizive, të mos fillojë të shprehet sheshit nostalgjia për Enver Hoxhën. Refuzimi i ndryshimit përmbysës të vitit ’90 i shërben pikërisht idesë së normalitetit të regjimit komunist dhe vazhdimësisë. Edhe shpjegimi sikur ishte e planifikuar ajo që ndodhi, është në dobi të mbijetesës së njerëzve dhe ideve komuniste si një domosdoshmëri. Jo rastësisht, ata që shquhen sot si nostalgjikë e vazhdues, ishin në listat e Ramizit të kuadrove që duhet të ngriheshin, po kështu dhe ata që mendonin se të na drejtonin iu takonte atyre (bllokmenë e komunistë agresivë fëmijët e tyre).

Megjithëse është e vërtetë që rruga nga autoritarizmi tek diktatura është një hap, unë mendoj se tek ne sot kjo nuk mund të ndodhë (jemi në NATO e kandidojmë për në BE), por sidoqoftë , kjo nuk është arsye për të qëndruar heshtazi e për të bërë sehir ndaj një dukurie që pengon integrimin në Evropë dhe zhvillimin real të vendit.

Në një shkrim te para do muajsh Alfred Lela (Mapo 11.04.11) shprehet qartë se ….”Një gjë është e sigurt për Enver Hoxhën ai ende nuk e ka bërë vendin e tij në histori…”që sipas tij ”…duket se po pret penat e forta të historianëve profesionistë..”.

Është e vërtetë ajo çka vëren ai se ka dy ekstreme në shkrimet për të, nostalgjikët, që duke mbrojtur Enverin mohojnë dështimin e tyre, jetën e çuar dëm dhe antikomunistët, që i japin një rol negativ në histori atij. Negativiteti përcaktohet nga ecja prapa edhe anash, siç thuhej dikur, e vendit dhe e shoqërisë, nga dhuna e terrori gjakatar, madje në format më të egra të shfaqur në vendet ish-komuniste pas Luftës së Dytë Botërore.

Nuk mund të harrohet se vitet e pas luftës për Shqipërinë janë të lidhura me Enverin, por rezultati ishte negativ e antinjerëzor në aspektet e ndryshme të jetës. Dhuna mbi Shqipërinë dhe individët ishte e tejskajshme, dëmi ishte shumë i madh, që ndihet ende dhe sot, në jetë njerëzish e njerëz të dhunuar, të privuar dhe nga ato që kishin të tjerët, me varfëri të tejskajshme, edhe pse në barazitizëm, por mbi të gjitha dhuna dhe metodat e saj krijuan “njeriun e ri”.

Më saktë do ishte të shpreheshim se njerëzit u detyruan të silleshin në mënyrë hipokrite për të mos e pësuar, por kishte dhe nga ata që për fitime e favore ligësinë dhe mbrapshtinë e vunë në shërbim të diktaturës, si vegla të dhunës si komunistë agresivë, në ballë të luftës së klasave, vigjilentë e sypatrembur. Kjo pjesë e shoqërisë shqiptare e mbajti gjallë sistemin. Janë pikërisht ata që sot e kujtojnë me nostalgji atë kohë, kur ishin të privilegjuar ndër të varfërit, kur dhunonin e urdhëronin, kur privilegjoheshin si intelektualë të partisë dhe që nuk kanë turp të ëndërrojnë kthimin e saj në forma të kohës.

Janë po ata që mbajnë sot gjallë ato metoda jodemokratike në politikën shqiptare, ata që tjetërsojnë demokracinë e kërkuar në dhjetor, për ta pasur në dobi të tyre, që sipas mendjes së tyre janë për një kapitalizëm “specifik” që i lejon të pasurohen me punë të këqija në kurriz të shumicës dhe të Shqipërisë, pra ndryshe, por si dikur, vetëm ata. Njerëzit duhet të kërkojnë nga liderët politika ekonomike e Programe politike, jo fjalë boshe e sharje e shpifje për kundërshtarin, por vepra konkrete dhe krahasime me Evropën që synojmë. Mjaftë me demokraci ”specifike” shqiptare, me politikë të re tej së majtës e së djathtës.

Besoj se jemi i vetmi vend që ka ende në politikë ministra të Enverit, anëtarë e kandidatë të Komitetit Qendror të PPSH-së, si dhe nga ata që në 1990 -1992 e më vonë i dilnin për zot komunizmit dhe familjarëve të tyre. Mjafton të lexosh shkrimet e tyre me vrer kundër demokracisë për të kuptuar që nuk e falin që i shembën sistemin, qoftë dhe kur po shembej nga dështimi i plotë si sistem botëror e si regjim shqiptar. Po kështu, sigurimsat dhe spiunët mbijetojnë dhe helmojnë. E jo vetëm kaq, por nuk kam parë që ndonjë nga radhët e politikës e mediave t’u jetë përgjigjur akuzave për bashkëpunëtorë të komunizmit, çka duhej të ishte e detyrueshme.

Nuk kam dëgjuar për ndonjë lider perëndimor të përmendet se bëri një hidrocentral, një urë apo një autostradë, apo ngjyrosi muret e banesave si i desh qejfi atij, por për politika që ndryshuan vendet e tyre. Këtë është mirë ta mbajnë parasysh shqiptarët e politikës dhe tifozët e tyre. Ashtu si të mos na gënjejë mendja se ata që dje ishin të këqij sot konvertohen menjëherë si të mirë, pa pendesë, pa mbajtur, siç thonë, kryqin mbi supe. Sot shohim, që ata që deri dje ishin të këqij sepse ishin kundërshtarë, bëhen të mirë kur janë me ty e sidomos kur nënshtrohen e përdoren për punë të këqija. Kjo është e turpshme.

Historia e dhimbshme e tranzicionit shqiptar, me zig zage e hapa prapa, me nostalgji për të kaluarën, për njerëzit dhe frymën e saj, me parodi antikomuniste, duhet të hulumtohet më mirë, me fakte reale, me shifra, me dukuri, me suksese dhe dështime, me qëndrimet e partive e me ballafaqim të programeve (kur ka të tilla), me qëndrimet e protagonistëve, me qëndrimet e shoqërisë civile, analistëve dhe mediave me debate shterpë, me të njëjtët njerëz dje për PS sot për PD dhe e kundërta. Vetëm atëherë përfundimet do të jenë realiste dhe do t’i shërbejnë shoqërisë shqiptare për të dalë nga kjo vorbull me krim të organizuar e korrupsion gjithnjë në rritje, me krahinalizëm e nepotizëm deri në marrëzi (një formë e re e politikës diferencuese – të klasave). Ndryshe do mbizotërojnë legjendat urbane, mllefet personale nga pakënaqësitë dhe dështimet, sharjet e shpifjet e pamasë dhe për këdo. Dhe gjithë kjo atmosferë mbahet ndezur sepse tek ne votohet më shumë kundra dhe se njollosja e të gjithëve është një alibi për pushtetin,.

Alfred Lela ka shumë të drejtë kur lutet për nevojën e vdekjes së frymës së “njeriut të ri”, të atij që është pa skrupuj, që shkel mbi njerëzit dhe të drejtat e tyre, që mashtron, që kërkon privilegje për vete e të tijtë, që zapton e përvetëson publiken e privaten, që veçon të tijtë (ata që janë si ai) nga të tjerët, të cilët i diskriminon, e që në fund për këtë kërkon me çdo kusht, pushtet absolut duke vjedhur demokracinë- votën e lirë e të ndershme. Ai nuk qeveris, por sundon. Kjo frymë, kjo mendësi duhet të varroset duke marrë me vete bartësit e saj (largimin nga politika e propaganda). Tranzicioni do të përfundojë, thotë Bernd Fischer, me mposhtjen përfundimtare të diktatorit të vjetër; unë do të shtoja dhe të gjithkujt që ndjek atë rrugë, sepse të tillë ka. Për këtë Enveri dhe diktatura komuniste duhet të njihen e nuk duhet të harrohen, duhet të dënohen, duhet të gjykohet për keq koha, metodat, mjetet e njerëzit që i shërbyen, ndryshe ato do të përsëriten, e forma pak rëndësi ka. Shqipëria që të përparojë nuk ka nevojë për Enverë. Sidoqoftë, diçka nga faji është dhe tek ne të gjithë, për tolerancë, për prirje jo për jetë të përbashkët e marrëveshje apo njëmendësi, e shpresën e rreme se gjërat do të rregullohen vetë, mbasi të jemi bërë të gjithë milionerë. Po vazhduam kështu Enverët nuk na ndahen.

Vetëm kur të ndryshojmë, do të vijë përparimi.

No comments: