Saturday, August 27, 2011

Të gjitha risitë televizive të këtij sezoni

Ndërkohë që në ekrane ende nuk ka filluar sezoni i ri i programeve televizive, brenda mureve të televizioneve të ndryshme ka nisur zhurma dhe përgatitjet për zgjedhjen apo rizgjedhjen e moderatorëve. Ka nga ata që do të lënë programet e tyre në këtë sezon të ri, të tjerë do të ndryshojnë ekran. Po cilat janë ndryshimet e sezonit të ri televiziv në ekranet shqiptare dhe cilët do të mbeten në programet ekzistuese? Me informacionet që kemi deri tani, po ju sjellim një guidë televizive së bashku me prezantuesit e tyre, të cilët janë figura të njohura të ekranit.

Adi Krasta heq dorë nga “E diell”, drejton “100 milionë”

Nuk do të drejtojë më programin “E diell”, por do të vazhdojë të jetë moderatori i “100 milionë”. Në fakt, Adi Krasta deklaroi vetë në emisionin e fundit të “E diell” për sezonin e kaluar në “Top Channel”, se nuk do të moderonte më programin e orëve të gjata, të cilin e kishte drejtuar për tri vite rresht. Ai vetë duket se ka dhënë idenë që të zëvendësohet nga Alban Dudushi, me sa duket për të realizuar një “ndryshim të butë” në drejtimin e këtij formati me shumë orë në transmetim. Ndërkohë, mësohet se gjatë verës Krasta mori një propozim për të prezantuar një program të ri televiziv, që do të fillonte në vjeshtë për të cilin nuk u ra dakord, ndoshta për shkak se programi “The voice of Albania” ishte i ngjashëm me “Ethet e së premtes mbrëma”, që Adi Krasta ka drejtuar para pak vitesh. Por, sipas informacioneve tona, këtë program do ta drejtojë dikush tjetër. Ndërkohë, thuhet se Krasta do të vazhdojë të drejtojë programin “100 milionë” deri në muajin janar në “Top Channel”. Për sa u përket angazhimeve të tij, këtë fundvit ai do t’i rikthehet prezantimit të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin publik shqiptar. Lajmi se ai do të drejtojë i vetëm Festivalin e 50-të të Këngës në RTSH, kësaj here me regji të Vera Grabockës, tashmë është i konfirmuar nga të tjerë persona. Pas mbylljes së sezonit të të dielave, që zgjat pesë orë transmetim, Adi Krasta u shfaq vetëm në formatin “100 milionë”, një show me shumë tension dhe situata me lojtarët, të cilët ftohen të menaxhojnë emocionet e tyre me ambicien për t’i fituar paratë. Në sezonin e kaluar u vendos që këtë markë të «Endemol» në «Top Channel» ta drejtonte Adi Krasta, pasi është një program me shumë ritëm dhe tension, që natyrisht i përshtatet natyrës së prezantimit të tij.

Ardit Gjebrea sërish me “E Diela shqiptare” dhe “Kënga magjike”

Pas komenteve se prezantuesi i njohur Ardit Gjebrea do hiqte dorë nga “E diela shqiptare”, këtë sezon të ri televiziv në Tv Klan rikonfirmohet një tjetër vendim përfundimtar për showman-in e njohur. Ai sërish do të prezantojë këtë program me gjashtë orë transmetim, dhe po ashtu Festivalin “Kënga Magjike”. Pas një interviste që ai dha këtë verë për një të përditshme, ku shprehej se nuk e kishte vendosur ende nëse do ta rinovonte kontratën pas tre vitesh të drejtimit të programit “E Diela Shqiptare”, pasi ndihej i lodhur, tashmë e ka vendosur të shfaqet sërish çdo të diel në ekran me “E diela shqiptare” dhe edicionin e ri të festivalit “Kënga magjike”. “E diela Shqiptare”, projekti ambicioz i TV KLan, që kap kohën televizive rekord në historinë e televizionit shqiptar, do të rikthehet me të njëjtin format të sezonit të kaluar. Me këtë program Ardit Gjebrea vendosi të sfidojë kohën, duke marrë përsipër që në valet e TV Klan të drejtojë këtë maratonë për të kapur audiencën në një kohëzgjatje gjashtë orë transmetim të drejtpërdrejtë me “talk show”, këngëtarë të ftuar, balet, lojëra, kuiz-e dhe të papritura të tjera.

Arian Çani rikthehet me “Zonë e lirë” në “Tv Klan”

Sezoni i ri i tetë vjet “Zonë e Lirë” nuk do të nisë më në “Vizion Plus”, por në ekranin e “Tv Klan”, në mesin e shtatorit. Gazetari i njohur Arian Çani do t’i rikthehet këtij ekrani pas disa vitesh, ndërkohë që në “Tv Klan” ka nisur transmetimi i spotit televiziv të këtij emisioni të të premteve mbrëma. Arian Çani mbylli këtë verë emisionin numër 303 dhe sezonin 2010-2011, me një show shumëorësh të transmetuar “live” në “Vizion Plus”. Mbi 25 personazhe ishin të ftuarit e tij në natën e mbylljes së sezonit për të festuar “Zonë e lirë”, në studion krejtësisht verore të improvizuar në “Bistro Pool”. Nuk dihet ende arsyeja pse Arian Çani vendosi të ndërrojë përsëri ekran, në këtë sezon të ri. “Zonë e Lirë”, një program që ka bërë revolucion në ekranet shqiptare për lirshmërinë në trajtimin e të ftuarve, nisi para tetë vitesh në ekranin e “TV Arbëria”. Kjo është hera e katërt që Çani e mbart emisionin e tij nga një ekran tek tjetri.

Agron Llakaj,“Kush do bëhet milioner” dhe show të ri humori

Ndërkohë, Agron Llakaj, i cili pas largimit nga spektakli “Portokalli” moderon show-n “Kush do të bëhet milioner” në Tv Klan, edhe këtë sezon do të shfaqet me të njëjtin program e në të njëjtin ekran. Pas largimit nga spektakli i humorit, ai u prezantua me një staturë të re prezantuesi, ndërsa po përgatit të rishfaqet në ekranin e “Tv Klan” sërish si humorist me një spektakël të ri. Po ashtu, gjatë javëve e kemi parë Llakaj në spektaklin e “Gjeniu i vogël”, ndërsa gjykon talentet e reja në panelin e zgjedhur nga vëllezërit Laço.

Alban Dudushi, pas shtatë vitesh “Top show”, fillim i ri tek “E diell”

Ai është një moderator i orëve të vona, ndaj jemi kureshtarë ta shohim se si do të shfaqet në orë dreke. Edhe pse ende nuk është vendosur zyrtarisht për prezantuesin e “E diell”, sipas burimeve tona brenda “Top Channel” ka shumë mundësi që Alban Dudushi të zëvendësojë Adi Krastën në programin e të dielave, ‘E diell”, në këtë sezon. Po ashtu, nuk dihet ende nëse në këtë program do të ruhet i njëjti koncept prezantimi, me një partnere në krah dhe vajzat prezantuese të pjesëve argëtuese të programit. Le të shohim për vendimin përfundimtar të moderatorit të njohur, i cili ka përfunduar studimet për aktrim. Ai ka një karrierë të gjatë si gazetar fillimisht i medias së shkruar dhe më pas i medias vizive si gazetar politik në “Top Channel”. Prej shtatë vitesh, ai është moderatori i debateve nga politika e deri tek temat e lehta që diskutohen më një panel të zgjeruar të ftuarish në studion e tij të “Top Show”-t, duke u renditur si një nga programet televizive më jetëgjata dhe më me audiencë në televizionet shqiptare.

Aida Shtino jo më në “Tv Klan”, këtë sezon në ekranin e “AS”

Ndërkohë që ka vendosur të ndërpresë kontratën e saj me “Tv Klan”, duket se Aida Shtino ka marrë një vendim të ri për t’u rishfaqur në një tjetër ekran, në sezonin e ri televiziv 2011-2012. Edhe pse nuk është konfirmuar nga vetë gazetarja, thuhet se Aido Shtino do të shfaqet me “Njerëz të humbur”, në ekranin e “Albanian screen”. Aida Shtino është bërë e njohur në Shqipëri me formatin e saj “Njerëz të humbur”. Karriera e saj në media filloi në Tiranë me disa bashkëpunime me media lokale dhe TVSH dhe, më pas, si gazetare në Athinë në kanalin “ALTER”. Te ky stacion punoi si gazetare investigative në emisionin “Fos sto tounel”, që merret me kërkimin e njerëzve të humbur dhe të zhdukur. Pas 13 vitesh në Greqi, ajo u rikthye për të nisur emisionin “Ku je” në “Telenorba” i cili për herë të parë u transmetua në prill 2005. Pas disa kohësh themeloi fondacionin “Njerëz të humbur”, i cili i parapriu bashkëpunimit me kanalin “Vizion Plus”. Që prej gushtit 2008, Aida Shtino e bëri këtë emision në TV “Klan”.

Alketa rikthehet në “Tv Klan” me “X Factor”

Pas largimit nga “Dancing with dhe stars” në “Vizion Plus”, për shkak të shtatzënisë së saj të dytë, Alketa Vejsiu do të rishfaqet në një tjetër ekran, me një tjetër format. Këtë sezon të ri, Alketa pasi është bërë për herë të dytë nënë, ndërsa ka sjellë në jetë djalin, do të rishfaqet kësaj here në ekranin e “Tv Klan” si prezantuese e “X Factor”, një program i njohur në gjithë botën dhe që do të realizohet në Shqipëri nga regjisorja Vera Grabocka. Patenta e këtij programi është blerë në verë, ndërkohë që thuhet se kanë filluar përgatitjet për këtë format të ri.
Pas mbylljes se spektaklit “Miss dhe Mister Albania 2010”, Alketa iu nënshtrua pushimit total si pasojë e muajve të parë të shtatzënisë pikërisht gjatë realizimit të këtij spektakli. Ndërkohë, jemi kureshtarë të shohim se si do të shfaqet Alketa këtë herë dhe nëse do të ketë ndryshime në linjat e saj trupore pas lindjes së djalit.

Besnikët e programeve të tyre
Do të vazhdojnë të jenë besnikë të programeve të tyre, moderatorët e programeve të njohura politike dhe po ashtu disa drejtues të programeve argëtuese në televizionet shqiptare. Ami Toska mund të jetë sërish prezantuese e “Dancing with the stars”, Ilva Tare rivjen me “Tonight” në “Ora neps”, Rudina Magjistari dhe Genta Popa me “Pasditet” e tyre, përkatësisht në “Top Channel” dhe “Tv Klan”, Edi Manushi dhe Marina Vjollca me “Procesi sportiv”. Ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për spektaklin e humorit “Portokalli” dhe konfirmohet se prezantues do të jenë edhe këtë sezon të ri në “Top Channel”, Eneda Tarifa dhe Salsano Rrapi.

No comments: